Jeta e Hazret Uthman ibën Afanit r.a., Kalif i Tretë i Profetit a.s. | pjesa I
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Hazret Uthman ibën Afanit r.a., Kalif i Tretë i Profetit a.s. | pjesa I

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Pjesa I)

Sot do të filloj të përmend Hazret Uthmanit (Hazret Osman) r.a., temë e cila do të vazhdojë për disa javë.

Hazret Uthmani r.a. ishte pjesëmarrës në Betejën e Bedrit, pa qenë i pranishëm në të

Gjëja e parë për Hazret Uthmanin që duhet të mbahet mend është se ai vetë nuk ishte i pranishëm në Betejën e Bedrit, por ishte një nga tetë sahabët fatlumë, të cilëve Profeti i Shenjtë s.a.v.s. u dha një pjesë të plaçkave të Betejës së Bedrit, duke i llogaritur si pjesëmarrës në këtë betejë.

Emri dhe prejardhja e Hazret Uthmanit r.a.

Emri i tij është (Osman ose) Uthman bin Affan bin Ebul-‘Aas bin Umejje bin Abdi Shams bin Abdi Manaf bin Kusej bin Kilab. Në këtë mënyrë, prejardhja e tij para pesë brezave bashkohet me prejardhjen e Profetit Muhammed s.a.v.s., konkretisht me ‘Abdi Manafin.

Prindërit e Hazret Uthmanit r.a.

Nëna e Hazret Uthmanit ishte Arvah bint Kurejz. Gjyshja e tij nga nëna ishte Umi Hakim Bejda bint Abdul-Muttalib, e cila ishte e motra e Hazret Abdullahut, babait të Profetit s.a.v.s.. Sipas një rrëfimi, babai i Profetit, Hazret Abdullahu, dhe gjyshja e Hazret Uthmanit, pra, Umi Hakim Bejda bint Abdul-Muttalib, kishin lindur binjakë.

Nëna e Hazret Uthmanit Arvah bint Kurejz kishte pranuar Islamin pas Marrëveshjes së paqes të Hudejbijes dhe atëherë mërgoi nga Mekka në Medinë, ku do të qendronte deri sa ndërroi jetë në kohën e Kalifatit të Hazret Uthmanit r.a.. Kurse babai i Hazret Uthmanit kishte vdekur që në kohën e Xhahilijetit (para Islamit).

Lidhur me nofkën e Hazret Uthmanit, thuhet se në kohën e Xhahilijetit, nofka e tij ishte Ebu ‘Amr. Kur atij i lindi djali, Abdullahu, nga Hazret Rukajja, bija e Profetit s.a.v.s., ai u shqua me nofkën Ebu Abdullah në mesin e muslimanëve.

Pse Hazret Uthmani r.a. kishte titullin “Poseduesi i dy Dritave” Dhun-nurejn?

Sipas Ibn Is’hakut, Profeti Muhammed s.a.v.s. e martoi vajzën e tij Rukajjan me Hazret Uthmanin, e cila ndërroi jetë në ditët e Betejës së Bedrit. Atëherë, Profeti s.a.v.s. martoi vajzën tjetër të tij, Hazret Umi Kulthumin, motrën e Hazret Rukajjas, me Hazret Uthmanin r.a.. Për këtë arsye, Hazret Uthmani ka marrë titullin “Poseduesi i dy dritave” (dhun-nurejn).

Thuhet gjithashtu që këtë titull ai e kishte për shkak se recitonte shumë Kuranin e Shenjtë çdo natë në namazin e tehexhudit (të natës), dhe duke qenë se Kurani është dritë, dhe po ashtu edhe namazi i natës është dritë, ai shquhej me titullin “Poseduesi i dy dritave”.

Kur lindi Hazret Uthmani r.a.?

Për sa i përket lindjes së Hazret Uthmanit r.a., sipas një rrëfimi më të besueshëm, ai lindi 6 vjet pas Vitit të Elefantëve (‘Amul-fil) dhe gjithashtu që ai lindi në Taif. Kështu që, në moshë ai ishte rreth 5 vjet më i vogël se Profeti Muahmmed s.a.v.s..

Si e pranoi Islamin Hazret Uthman ibën Afani r.a.?

Jezid ibën Rumani rrëfen: Njëherë Hazret Uthman ibën Afani dhe Hazret Talha ibën Ubejdullahu ndoqën Hazret Zubejr bin Avamin dhe përfunduan tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Ai ua tregoi mesazhin e Islamit, ua lexoi Kuranin e Shenjtë, ua tregoi detyrimet që ua ngarkon Islami si dhe premtimin për nderin dhe bujarinë që Allahu i Madhërishëm do t’ua sigurojë. Atëherë, që të dy, pra edhe Hazret Uthmani, edhe Hazret Talha, e pranuan Islamin dhe besuan në vërtetësinë e Profetit s.a.v.s..

Më pas Hazret Uthmani e pyeti:

O i Dërguari i Allahut! Sapo jam kthyer nga Shami. Ndërsa ishim mes Ma’nit dhe Zerkasë dhe ishim në gjumë, dëgjuam një lajmëtar i cili na thoshte – Zgjohuni, pasi Ahmedi u shfaq në Mekë. Pasi jemi kthyer këtu, kemi dëgjuar për ty.

Ma’ni është një qytet në jug të Jordanisë në afërsi të kufirit të Hixhazit, kurse Zerka është një vend ngjitur me Ma’nin.

Hazret Uthmani r.a. e kishte pranuar Islamin, përpara se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. të futej në Darul-Arkem, kështu që, ai ishte një ndër muslimanët e hershëm.

Pasi e pranoi Islamin, Hazret Uthmani r.a. u persektua. Musa bin Muhammedi rrëfen përmes babait të tij: Kur Hazret Uthman ibën Afani e pranoi Islamin, xhaxhai i tij Hakam bin Ebul-‘Asi bin Umejje, e kapi dhe e lidhi me litar duke thënë

– Paske lënë fenë e baballarëve të tu dhe ke pranuar një fe të re! Pasha Zotin! Nuk do të të liroj derisa të tërhiqesh nga feja jote e re!

Hazret Uthmani iu përgjigj:

Pasha Zotin! Kurrë nuk do ta lë këtë fe dhe as nuk do t’i shmangem!

Kur Hakami pa qendrueshmërinë e tij të palëkundur, u detyrua ta lironte.

Martesa e Hazret Uthmanit me Hazret Rukajjan, bijen e Profetit s.a.v.s.

Hazret Uthmani r.a. u martua me Hazret Rukajjan.

Përpara se Profeti Muhammed s.a.v.s., të deklaronte të ishte Profet, ai kishte caktuar ta martonte të bijen, pra Hazret Rukajjan, me ‘Atbanë, djalin e Ebu Lehebit, dhe bijen tjetër, pra Hazret Umi Kulthumin, me Utejbanë, vëllain e ‘Atbasë [pra, me dy djemtë e Ebu Lehebit].

Pasi i erdhi Profetësia dhe iu zbrit surja El-Mesed, që quhet edhe si sure El-Leheb, Ebu Lehebi, babai i djemve, u tha:

Nëse nuk ndaheni nga vajzat e Muhammedit, nuk ju kam bij!

Atëherë të dy djemtë e tij u ndanë prej tyre, përpara se ato të shkonin si të martuara në shtëpitë e tyre.

Pas kësaj, Hazret Uthman bin Afani që në Mekë u martua me Hazret Rukajjan, me të cilën do të mërgonte më pas drejt Abisinisë.

Hazret Uthmani dhe Hazret Rukajja që të dy ishin shembuj për shkak të bukurisë së tyre. Andaj, thuhej:

أحسن زوجَین راٰھما إنسانٌ رقیةٌ و زوجُھا عثمان۔

“Çifti më i bukur që ka parë syri i njeriut ishin Rukajja dhe bashkëshorti i saj Uthmani.”

Abdurrahman bin Uthman Kurjeshi rrëfen:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. vizitoi shtëpinë e vajzës së tij, ndërkohë ajo po i lante kokën Hazret Uthmanit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s., i tha:

Bije! Sillu mirë me Abu Abdullahun (me Hazret Uthamin), sepse ndër sahabët e mi, në moral ai më ngjan më së shumti.

Hixhreti i Hazret Uthmanit r.a. drejt Abisinisë

Ibni Is’haku thotë:

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s pa që, për shkak të lidhjes së tij me Allahun e Madhërishëm dhe me lidhjen farefisnore me xhaxhain, Ebu Talibin, Profeti vetë ishte disi më i mbrojtur nga persekutimet e mekasve, në krahasim me muslimanët e tjerë, përveç kësaj, Profeti s.a.v.s. nuk kishte fuqi t’i ndalte persekutimet, atëherë ai u tha sahabëve:

– Nisuni drejt Abisinisë! Mbreti i atjeshëm është i tillë që askujt nuk i bëhet padrejtësi atje dhe ajo është toka e drejtësisë dhe qëndroni atje derisa Allahu i Madhërishëm t’ju lirojë nga kjo sprovë.

Duke u frikësuar nga sprova me të cilën po përballeshin, disa sahabë të Profetit u nisën për në Abisini. Ky është hixhreti i parë që u bë në historinë e Islamit. Ndër ata që mërguan drejt Abisinisë, ishin edhe Hazret Uthmani dhe gruaja e tij Hazret Rukajja, e bija e Profetit s.a.v.s..

Hazret Enesi r.a. rrëfen:

Kur Hazret Uthmani r.a. u nis për në Abisini, atë e shoqëronte edhe e shoqja, Rukajja, vajza e Profetit s.a.v.s.. Profetit Muhammed s.a.v.s. i erdhi me vonesë lajmi i udhëtimit të tyre se deri ku kishin mbërritur. Andaj, ai shpesh dilte përjashta dhe priste nëse vinte ndonjë që ta njoftonte për ta. Përfundimisht, erdhi një grua, e cila i tregoi Profetit s.a.v.s. në lidhje me ta. Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

– Pas Hazret Lutit a.s., Uthmani është i pari njeri që mërgoi familjarisht në rrugë të Allahut.

Hazret Sa’di tregon:

Kur Hazret Uthman ibën Afani vendosi të bënte hixhret drejt Abisinisë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha:

– Merre edhe Rukajjan me vete, që ju të dy ta ndihmoni njëri-tjetrin.

Pasi ata u nisën, Profeti s.a.v.s. i tha Hazret Esmasë, vajzës së Ebu Bekrit r.a.:

– Shko dhe na sill ndonjë lajm për ta. Dmth, deri ku kishin mbërritur.

Hazret Esma kur u kthye tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s., pranë tij ishte edhe Hazret Ebu Bekri, dhe ajo tha:

– Hazret Uthmani i kishte vendosur samarin mushkës së tij dhe, bashkë me Rukajjan, u nisën drejt detit.

Profeti Muhammed s.a.v.s. tha:

– O Ebu Bekër! Pas Hazret Lutit dhe Hazret Ibrahimit, këta dy janë të parët që mërguan familjarisht në rrugë të Allahut.

Kthimi në Mekë

Në histori gjithashtu përmendet ngjarja e kthimit të tyre nga Abisinia. Ibni Is’haku thotë:

Sahabët e Profetit r.a. që kishin mërguar në Abisini, një ditë morën lajmin se mekasit e kishin pranuar Islamin. Nga gëzimi, mërgimtarët u nisën për t’u kthyer në Mekë, por kur iu afruan, mësuan se lajmi ishte i rremë. Atëherë disa prej tyre fshehurazi hynë në Mekë, e disa të tjerë u kërkuan ndore miqve të tyre mekasë dhe hynë në Mekë.

Disa prej tyre, më vonë, kanë mërguar edhe në Medinë, morën pjesë në betejat e Bedrit, të Uhuduit bashkë me Profetin Muhammed s.a.v.s., por kishte edhe nga ata të cilët mekasit i ndaluan në Mekë dhe ata nuk morën dot pjesë në betejat. Ndër ata që u kthyen nga Abisinia e pastaj kanë bërë edhe hixhretin drejt Medinës ishin edhe Hazret Uthmani dhe bashkëshortja e tij, Hazret Rukajja binte Resul.

Sipas një burimi, Hazret Uthmani qëndroi disa vjet në Abisini. E pastaj u erdhi lajmi se kurejshët e pranuan Islamin, atëherë Hazret Uthmani dhe mërgimtarët e tjerë u kthyen në vendlindje. Kur erdhën në Mekë, mësuan se lajmi ishte i rremë. Më pas disa sahabë u kthyen sërish në Abisini, por Hazret Uthmani mbeti në Mekë, derisa erdhi koha e hixhretit në Medinë. Dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha të gjithë sahabëve të mërgonin drejt Medinës. Atëherë edhe Hazret Uthmani, bashkë me familjen e tij, bënë hixhretin drejt Medinës.

Një rrëfim tjetër tregon se Hazret Uthmani edhe një herë mërgoi në Abisini, por shumica e librave të historisë nuk e përmendin hixhretin e dytë të tij drejt Abisinisë.

Hixhreti drejt Abisinisë

Por duhet ditur që për detajet e hixhretit të dytë në Abisini, jo të gjithë historianët ndajnë të njëjtin mendim, sepse detajet nuk lejojnë një gjë të tillë.

Do t’ju paraqes këtu studimin e Hazret Mirza Bashir Ahmedit në lidhje me ngjarjen e hixhretit në Abisini. Ndonëse një pjesë të kësaj ju kam treguar duke iu referuar disa sahabëve të tjerë mërgimtarë, por edhe këtu është e nevojshme t’ju tregoj. Ai shkruan:

Kur persekutimet ndaj muslimanëve ishin në kulm dhe kurejshët nuk reshtnin së lënduari sahabët e Profetit, Profeti s.a.v.s. u tha – Mërgoni drejt Abisinisë, dhe tha – Mbreti i Abisinisë është i drejtë dhe askujt nuk i bëhet padrejtësi në sundimin e tij.

Abisinia që në anglisht njihet si Euthopia, ndodhet në verilindje të kontinetit afrikan. Ajo ndodhet përballë pjesës së jugut të Arabisë, të cilat e ndan vetëm Deti i Kuq.

Në atë kohë, Abisinia ka pasur një mbretëri të fortë të krishterë. Mbreti i saj quhej Negus, madje deri më sot, sundimtari i saj njihet po me këtë titull. (Pra, kur Hazret Mirza Bashir Ahmedi ka shkruar këtë libër)

Abisinia kishte marrëdhënie tregtare me Arabinë. Në atë kohë kryeqyteti i Abisinisë ishte Axum, i cili ndodhet afër qytetit Adwa. Axumi deri më sot njihet si një qytet i shenjtë. Në atë kohë, ky qytet ishte kryeqendër e një shteti të fuqishëm. Negusi i atëhershëm kishte emrin Asmaha, i cili ishte një mbret i drejt, i zgjuar dhe i fortë.

Kur muslimanët përballeshin me persekutime të ashpra, Profeti Muhammed s.a.v.s. i porositi:

– Kush ka mundësi, le të mërgojë drejt Abisinisë.

Kështu që, pas lejes së Profetit s.a.v.s., në muajin rexheb, 11 burra dhe 4 gra u nisën drejt Abisinisë.

Më të shquarit që e bënë këtë hixhret, ishin: Hazret Uthman ibën Afani dhe gruaja e tij Rukajja binte Resul s.a.v.s., Abdurrahman bin Aufi, Zubejr bin El-Avami, Ebu Hudhejfa bin Atba, Uthman ibën Mazuni, Mus’eb bin Umejri, Ebu Selema bin Abdil-Asadi dhe gruaja e tij Umi Selema.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi vijon:

Është e çuditshme që ndër këta mërgimtarë të parë, shumica vinin nga fise të fuqishme të kurejshëve dhe pakkush ishte nga ndonjë familje e dobët, gjë që tregon dy gjëra:

Së pari, edhe muslimanët që vinin nga fise të fuqishme, nuk ishin të mbrojtur nga persekutimet, dhe

Së dyti, muslimanët e dobët, për shembull, ata që ishin skllevër apo të varfër, ishin kaq shumë të persekutuar, sa as nuk kishin fuqi ta përballonin mërgimin.

Kur mërgimtarët udhëtuan drejt jugut dhe mbërritën në Shuajbe, e cila ishte njëri prej proteve detare të Arabisë së asokohe, Zoti i Madhërishëm u bëri kaq shumë mirësi sa ata gjetën një anije tregtare, e cila ishte gati për t’u nisur drejt Abisinisë. Të gjithë mërgimtarët hipën në të, pa pasur asnjë vështirësi dhe anija u nis.

Kurejshët e Mekës u zemëruan shumë, kur morën vesh për mërgimin e tyre dhe thanë se kaq lehtë u iku nga dora gjahu i tyre. Atëherë ata i ndoqën mërgimtarët, por derisa të mbërrinin te porti, anija ishte nisur. Detyrishimt u kthyen të dështuar e duarbosh.

Me të mbërritur në Abisini, muslimanët gëzuan paqe dhe tanimë ishin të sigurt nga sfilitjet e kurjeshëve. Por, siç treguan disa historianë, nuk kishte kaluar ende shumë kohë, në Abisini erdhi lajmi që të gjithë kurejshët e pranuan Islamin dhe se Meka tashmë gëzonte paqe të plotë.

Ky lajm shkaktoi që shumica e muhaxhirëve pa u menduar u nisën për t’u kthyer. Vetëm kur mbërritën afër Mekës, mësuan se lajmi ishte i rremë. Por tanimë ata kishin përballë një vështirësi të madhe.

Përfundimisht, disa prej tyre përsëri shkuan në Abisini, kurse disa të tjerë fshehurazi u futën në Mekë, dhe kishte të tjerë që u kërkuan ndore njerëzve të fuqishëm të Mekës dhe hynë në të. Kjo ngjarje ndodhi në muajin sheval të vitit 5 pas profetësisë. Do të thotë se ka vetëm dy muaj e gjysmë ose tre muaj periudhë kohore midis fillimit të mërgimit dhe kthimit të mërgimtarëve në Mekë.

Pavarësisht se lajmi ishte i rremë dhe kurjeshët deshën thjesht t’i bënin mërgimtarët të ktheheshin që ata edhe njëherë t’i sfilitnin, por nëse i shqyrtojmë me vëmendje burimet e historisë, na del që ngjarja e lajmit dhe pastaj kthimi i mërgimtarëve për shkak të këtij lajmi, nuk ka një bazë të fortë.

Edhe nëse besojmë se kjo të kishte ndodhur me të vërtetë, mundet që ajo kishte në prapaseknë ngjarjen e sexhdes së mohuesve që përmendet në disa hadithe.

Pra, nëse besojmë se detajet e hixhretit ishin ashtu siç u thanë më sipër, rrëfimi që thotë se Hazret Uthmani qëndroi disa vjet në Abisini, del i gabuar. Dhe nëse besojmë se e fundit është e pavërtetë, na del që gjithçka ndodhi brenda tre katër muajve. Sidoqoftë, sipas studimit të Hazret Mirza Bashir Ahmedit, nuk ndodhi kështu. Ai shkruan më tej:

Edhe nëse besojmë se kjo të kishte ndodhur me të vërtetë, mundet që ajo kishte në prapaseknë ngjarjen e sexhdes së mohuesve që përmendet në disa hadithe. Siç gjejmë në Buhari: Njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. recitoi ajetet e sures En-Nexhm në Qabe. Në atë kohë ndër të pranishmit, përveç disa muslimanëve, ishin edhe një sërë prijësish të mohuesve. Pasi mbaroi recitimin e sures, Profeti s.a.v.s. bëri sexhde dhe bashkë me të ranë në sexhde të gjithë muslimanët, e po kështu edhe mohuesit.

Arsyeja pse mohuesit ranë në sexhde, nuk përmendet në hadith. Por duket se kur Profeti Muhammed s.a.v.s. i recitoi ajetet me një zë të fuqishëm, dhe edhe ajetet që recitoi flasin fuqishëm për njëshmërinë e Allahut, për fuqinë e Tij dhe kanë një ligjërim të përsosur e mjaft ndikues, dhe që tregojnë mirësitë e Allahut, dhe u bëjnë thirrje kurjeshëve se nëse nuk tërhiqen nga ligësitë e tyre, ata do të ndëshkohen njësoj si popujt e mëparshëm të cilët i quajtën gënjeshtarë të Dërguarit të Allahut, dhe në fund të këtyre ajeteve, u bëhet thirrje duke thënë: Ejani dhe bini në sexhde përpara Allahut – dhe pas kësaj, Profeti Muhammed s.a.v.s. si dhe muslimanët e tjerë menjëherë i përgjigjen kësaj thirrjeje dhe bien në sexhde, e gjithë kjo duhet t’i ketë magjepsur kurejshët, saqë në mënyrë të vetvetishme, edhe ata ranë në sexhde. Kjo nuk është ndonjë çudi e pamundur, sepse në raste të tilla, nën ndikimin e faktorëve të tillë, zemra e njeriut ndikohet dhe papritmas njeriu bën një veprim që mund të jetë kundër ideve dhe besimeve të tij. Në raste fatkeqësie apo vështirësie të madhe, nganjëherë, edhe ateisti pohon: O Zot!

Edhe unë kam pyetur disa ateistë nëse u ndodh kjo gjë dhe ata m’u përgjigjën me pohim dhe thanë se pavarësisht se ata nuk besojnë në Zot, në kohë rreziku, në mënyrë të pakontrolluar e përmendin Zotin.

Kurse kurejshët nuk ishin ateistë, por besonin në Zot. Prandaj, në një atmosferë të tillë emocionuese, ata u magjepsën nga fjalët e fuqishme të Kuranit të Shenjtë, dhe bashkë me mulismanët, ranë në sexhde. Por ky lloj ndikimi zakonisht është i përkohshëm dhe njeriu pas një farë kohe, përsëri kthehet në gjendjen e tij të mëparshme. Kështu ndodhi edhe në rastin konkret. Pas kësaj sexhdeje, kurejshët sërish idhujtarë mbetën dhe nuk u bënë adhurues të Zotit të Vetëm.

Sidoqoftë, kjo ngjarje vërtetohet nga hadithet e sakta. Prandaj, nëse pranojmë që kthimi i muhaxhirëve ndodhi për shkak të ndonjë lajmi, duket se ishte kjo ngjarje që u shërbeu si bazë mohuesve, që ata ta përhapnin lajmin se ishin bërë muslimanë, vetëm që t’i risillnin muslimanët nga Abisinia.

Kur ky lajm u erdhi mërgimtarëve, ata natyrisht u gëzuan shumë dhe nga gëzimi i madh u nisën për t’u kthyer në Mekë. Por kur iu afruan asaj, e kuptuan se ishte një sajesë. Atëherë disa prej tyre u futën në Mekë fshehurazi, kurse disa të tjerë u kërkuan ndore disa njerëzve të fuqishëm të Mekës dhe arritën të hynin në të dhe kishte edhe nga ata që u kthyen andej nga kishin ardhur.

Pra, nëse lajmi se kurejshët ishin bërë muslimanë ka ndonjë bazë, atëherë duhet të jetë kjo ngjarje që flet për rënien e tyre në sexhde pas leximit të ajeteve të sures En-Nexhm. Allahu e di më së miri.

Sido që të jetë, edhe sikur mërgimtarët ishin kthyer në Mekë, një pjesë e madhe prej tyre sërish shkuan në Abisini. Kurjeshët ngaqë ua shtonin musilmanëve persekutimet çdo ditë e më shumë, me lejen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., edhe muslimanët e tjerë filluan të mërgonin fshehurazi nga Meka. Hixhreti kur filloi, numri i atyre që mërguan shkoi deri në njëqind. Tetëmbëdhjetë prej tyre ishin gra. Kurse në Mekë, pranë Profetit s.a.v.s., shumë pak muslimanë kishin mbetur. Këtë hixhret disa historianë e quajnë si Hixhret të dytë drejt Abisinisë.

Më pas, Hazret Mirza Beshir Ahmedi jep opinionin e tij duke thënë:

Ka edhe një gjë që e bën të dyshimtë ngjarjen e lajmit dhe kthimit të mërgimtarëve për shkak të tij, e cila është që historia tregon se hixhreti drejt Abisinisë filloi në muajin rexhep të vitit 5 pas profetësisë, kurse ngjarja e sexhdes ndodhi në muajin ramazan po të vitit 5 pas profetësisë. Dhe po këta libra të historisë tregojnë se mërgimtarët, për shkak të lajmit në fjalë, u kthyen në Mekë në muajin sheval të vitit 5 pas profetësisë. Me një fjalë, koha mes fillimit të hixhretit dhe kthimit të mërgimtarëve në Mekë ishte vetëm dy deri në tre muaj. Dhe nëse numërimin e nisni nga ngjarja e sexhdes, kjo pierudhë përbëhet vetëm nga një muaj.

Tani, sipas kushteve të atëherëshme është plotësisht e pamundur që të bëhen tri udhëtime nga Meka në Abisini në një periudhë kaq të shkurtër. Pra, së pari vetë muslimanët të niseshin nga Meka e të mbërrinin në Abisni. Më pas, dikush nga Meka të shkonte në Abisini me lajmin e rremë se kurejshët e kishin pranuar Islamin. Dhe pastaj muslimanët sërish të niseshin nga Abisinia dhe të ktheheshin në Mekë. Edhe sikur të anashkalojmë përgatijet që duheshin në atë kohë për të bërë këto udhëtime, prapëseprapë, në atë kohë ishte tërësisht e pamundur që brendaj një muaji pas ngjarjes së sexhdes, të realizoheshin dy udhëtime nga Meka në Abisini ose anasjelltas. Kjo për shkak se në atë kohë, për të udhëtuar drejt Abisinisë, mekasit detyroheshin të udhëtonin së pari deri në jug të Arabisë, ku të merrnin anijen, e cila nuk gjendej e gatshme çdo ditë, , më pas anija të lundronte Detin e Kuq për të arritur bregun afrikan. E pastaj nga atje udhëtarët bënin një rrugë të gjatë nga bregu deri në Axum, kryeqytetin e Abisinisë. Sipas mjeteve të atëherëshme të udhëtimit, e gjithë kjo rrugë mund të bëhej në të paktën një muaj e gjysmë ose dy muaj. Nga ky aspekt, ngjarja në fjalë del tërësisht e pavërtetë. Megjithatë, ajo edhe nëse ka ndodhur, mund të ketë ndodhur vetëm elemente që thamë më sipër. Allahu e di më së miri.

Sido që të jetë, pas një kohe të caktuar, edhe Hazret Uthmani u kthye nga Abisinia.

Hixhreti i Hazret Uthmanit drejt Medinës dhe vëllazëria e tij

Muhammed bin Xhaferr bin Zubejri rrëfen:

Kur Hazret Uthmani mërgoi nga Meka drejt Medinës, atje ai qëndroi në shtëpinë e Hazret Eus bin Thabitit, i cili ishte vëllai i Hazret Hasan bin Thabitit që vinin nga fisi Beni Nexhar.

Musa bin Muhammed rrëfen përmes babait të tij:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. lidhi vëllazëri mes Hazret Uthmanit dhe Hazret Abdurrahman bin Aufit. Sipas një rrëfimi tjetër, vëllazërimi u vu mes Hazret Eus bin Thabitit, babait të Hazret Shedad bin Eusit, dhe mes Hazret Uthmanit r.a.. Gjithashtu thuhet se vëllazërimi i Hazret Uthmanit ishte vënë me Hazret Ebu Ubade Sa’d bin Uthman Zerkaniun.

Vëllazëria e Uthmanit me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.

Sipas një rrëfimi tjetër, vëllazërinë e Hazret Uthmanit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte lidhur me veten tij.

Kështu që, në Tabkat El-Kubra është e shkruar, se Ibni Lebiba rrëfen:

Kur Hazret Uthman ibën Afani u rrethua, pra bëhet fjalë për ditët e fundit të jetës së tij, kur armiqtë e kishin rrethuar Kalifin e kohës, duke i vënë kufizime nga çdo gjë, atëherë, ai u ngjit në dhomën e lartë dhe nxori kokën nga dritarja dhe pyeti njerëzit:

– A është Talha mes jush?

– Po, iu përgjigjën ata.

– Betohu në Allah dhe më thuaj, i tha Hazret Uthmani r.a., – a nuk di ti që kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. lidhi vëllazërinë mes muhaxhirëve dhe ensarëve, vëllazërinë e tij e lidhi me mua, apo jo?

– Për Allahun, kjo është e vërtetë!, iu përgjgij Talha.

Atëherë kundërshtarët që e kishin rrethuar shtëpinë e Hazret Uthmanit i bërtitën Talhasë duke thënë se pse kishte deklaruar një gjë të tillë.

– Uthmani më dha besën e Allahut dhe për atë që më pyeti ai, kam qenë vetë dëshmitar i saj, e si mund të mos e dëshmoja?! Iu përgjigj Hazret Talha kundërshtarëve, njëherësh duke u dhënë edhe mesazhin që të bënin çfarë të donin kundër tij.

Vdekja e Rukajjas r.a. dhe martesa e Uthmanit r.a. me Umi Kulthumin r.a.

Në historinë islame përmendet ngjarja e martesës së Hazret Umi Kulthumit, pra, të bijes së Profetit, me Hazret Uthmanin r.a.. Abdullah bin Meknef bin Haritha Ensariu rrëfen:

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u nis për në Luftën e Bedrit, Hazret Uthmanin e la te vajza e tij Rukajja, [pra, te grauaja e Hazret Uthmanit r.a.], pasi ajo ishte e sëmurë. Ajo ndërroi jetë ditën kur Hazret Zejd bin Haritha erdhi në Medinë me lajmin e mirë për fitoren që Allahu i Madhërishë ia dha Profetit s.a.v.s.. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i caktoi plaçkën e luftës edhe Hazret Uthmanit, pasi edhe ai ishte pjesëtar i barabartë me luftëtarët e Bedrit.

Pas vdekjes së Hazret Rukejjes r.a., i Dërguari i Allahut s.a.v.s. martoi vajzën tjetër të tij, Hazret Umi Kulthumin, me Hazret Uthman bin Afanin.

Hazret Ebu Hurejre r.a. rrëfen:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e takoi Hazret Uthmanin te dera e xhamisë dhe i tha:

O Uthman! Ky është Xhibraili e më njoftoi që Allahu i Madhërishëm lidhi kurorën e Umi Kulthumit me ty me dhuratën e kurorës aq sa e kishe me Rukejjan, për shkak të mirësjelljes sate me të.

Pra, Profeti Muhammed s.a.v.s. martoi edhe vajzën e dytë me Hazret Uthmanin r.a..

Hazret Ajsha r.a. tregon:

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.a. martoi Umi Kulthumin me Hazret Uthmanin, i tha Umi Ejmenit – Përgatitma vajzën, Umi Kulthumin, përcille deri tek Uthmani dhe bjeri daulles përpara saj. Ajo kështu veproi.

Pas tri ditësh, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e vizitoi Umi Kulthumin dhe e pyeti:

– Si e gjete burrin tënd, moj bije?

– Është burri më i mirë – , iu përgjigj ajo.

Vdekja e Umi Kulthumit r.a., vajzës së Profetit s.a.v.s., gruas së Uthmanit r.a.

Hazret Umi Kulthumi do të mbetej bashkëshortja e Hazret Uthmanit deri në vitin 9 h., pas së cilës, ajo u sëmur dhe ndërroi jetë.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. drejtoi namazin e xhenazes së Umi Kulthumit dhe u ul pak çaste pranë varrit. Hazret Enesi r.a. tregon se ai e pa të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. të ulur pranë varrit të Hazret Umi Kulthumit, ndërkohë atij i lotonin sytë.

Në një hadith që gjendet në Buhari, kjo ngjarje përmendet si vijon: Hilali rrëfen përmes Hazret Enes bin Malikut r.a., i cili tha:

Ne ishim të pranishëm në xhenazen e bijes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte i ulur pranë varrit të saj dhe e pashë që atij i lotonin sytë.

“Po të kisha një vajzë të tretë, edhe atë me Uthmanin do ta martoja”

Një rrëfim tjetër tregon: I Dërguari i Allahut s.a.v.s. në vdekjen e Hazret Umi Kulthumit tha:

– Po të kisha një vajzë të tretë, edhe atë me Uthmanin do ta martoja.

Hazret Ibni Abasi tregon:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kaloi nga një vend dhe pa Hazret Uthmanin që qe ulur aty dhe po qante nga brenga për vdekjen e Umi Kulthumit, vajzës së Profetit s.a.v.s..

Rrëfimtari thotë se të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. e shoqëronin edhe Hazret Ebu Bekri dhe Hazret Omeri.

– Pse po qan, o Utham? Pyeti i Dërguari i Allahut s.a.v.s.

Hazret Uthmani iu përgjigj:

– O i Dërguari i Allahut! Po qaj sepse e kam humbur lidhjen e dhëndërisë me ty. (sepse të dyja vajzat e Profetit që njëra pas tjetrës ishin gratë e tij, kishin ndërruar jetë).

– Mos qaj, i tha Profeti s.a.v.s., – Për Atë Zot, në dorën e të cilit është jeta ime, po të kisha njëqind vajza, dhe secila të vdiste njëra pas tjetrës, unë që të gjitha do t’i martoja me ty njërën pas tjetrës, derisa të mos më mbetej asnjëra prej tyre.

Kjo ishte një shprehje dashurie e Profetit me Hazret Uthmanin dhe anasjelltas. Pra, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i siguroi Hazret Uthmanit se lidhja e tij me Profetin s.a.v.s. do të mbetej njësoj si më parë.

Pjesën tjetër në lidhje me Hazret Uthmanin do t’ju tregoj në hutbe të tjera, inshaAllah.

Thirrje për lutje për ahmedianët e persekutuar në Pakistan dhe Algjeri

Siç ju bëj thirrje nga disa xhuma që të bëni lutje për ahmedianët e Pakistanit që po persekutohen. Kundërshtarët sipas mendjes së tyre po ua ngushtojnë jetën, por ata nuk e dinë se ka një Zot të Plotfuqishëm, i cili ka filluar një caktim për ta, dhe edhe Ai ka filluar t’ua ngushton jetën persekutuesve. Kur Ai do ta realizojë planin e Tij, ata nuk do të kenë më asnjë rrugëdalje.

Allahu u dhëntë mendtë, që ata të tërhiqen nga persekutimi, të punojnë me drejtësi dhe të mos bëjnë mizori e zullume!

Po kështu, lutuni edhe për ahmedianët e Algjerisë. Zoti ua forcoftë besimin! Po kështu, edhe në disa vende të tjera, kundërshtarët po bëjnë përpjekje mizore kundër ahmedianëve. Allahu i Madhërishëm në çdo vend i mbrojtë ahmedianët në çdo aspekt!

[Pas kësaj, Huzuri, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, njoftoi se pas namazit të së xhumasë do të udhëhiqte xhenazet gaib të këtyre të ndjerëve, dhe gjithashtu përmendi shkurtimisht të dhënat e jetës dhe vlerat e tyre si besimtarë të devotshëm muslimanë:

  • I ndjeri Mevlana Sultan Muhammed Enver, ish-Nazir Islah-o-Irshad, Pakistan
  • I ndjeri Mevlana Muhammed Omer, ish-Nazir Islah-o-Irshad, Kadijan, Indi
  • I ndjeri Habib Ahmed, Misionar i Xhematit
  • I ndjeri Bedruz Zeman, punonjës i Xhematit
  • I ndjeri Mensur Ahmed Tehsin, punonjës i Xhematit
  • I ndjeri Dr. Idi Ibrahim Muvanga, i Tanzanisë
  • E ndjera Sugra Begam, gruaja e Din Muhammed Nengliut, Dervishit të Kadijanit
  • I ndjeri Çaud’hri Keramatullah
  • I ndjeri Çaud’hri Munaver Ahmed Khalid i Gjermanisë
  • E ndjera Nesira Begum, gruaja e Ahmed Sadik Tahir Mahmudit, Misionarit të Xhematit të Bangladeshit
  • I ndjeri Refiuddin Batt, djali i Hazret Maulvi Khair Din, Sahabit të Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Për të ditur ngjarjet e këtyre të ndjerëve që përmendi Huzuri, ju lutem ndiqeni videon.]

LEXONI:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp