Ofensiva kundër Levantit dhe fitoret e muslimanëve ndaj bizantinëve | Jeta e Omer ibn Hattabit r a
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Ofensiva kundër Levantit dhe fitoret e muslimanëve ndaj bizantinëve | Jeta e Omer ibn Hattabit r a

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Po përmendej periudha e Kalifatit të Hazret Omerit r.a. si dhe betejat që ishin zhvilluar gjatë asaj kohe. Nga studimi i veprave të historisë, ne mësojmë se gjatë kohës së Hazret Ebu Bekrit r.a., ishte zgjatur rrethimi i Damaskut për disa muaj dhe vetëm pak kohë para se të ndërronte jetë ai, muslimanët arritën të shënonin fitore në këtë front. Meqë, kjo ngjarje ka ndodhur në periudhën e Hazret Ebu Bekrit, prandaj Insha-Allah detajet e kësaj lufte do të paraqiten kur të trajtohej jeta e tij.

Ngjarjet pas fitores së Damaskut

Tani dua t’ju rrëfej ngjarjet që ndodhën menjëherë pas rënies së Damaskut. Pas fitores së Damaskut, Ebu Ubejda e nisi Halit ibn Velidin në misionin e Bekaut. Ky është një territor i gjerë që ndodhej midis Damaskut, Balbekut dhe Homsit dhe përfshin qytete të shumta. Halit ibn Veliti triumfoi këtë territor dhe dërgoi një çetë përpara si lëvizje ushtarake. Kjo çetë u ndesh me ushtrinë bizantine në burimin “Mesnun” dhe u zhvillua një luftë e ashpër midis tyre. Rastësisht, njëri prej bizantinëve, që e quanin Sinan, arriti t’i sulmonte muslimanët nga pjesa jugore e Bejrutit, dhe martirizoi një numër të madh ushtarësh muslimanë. Bejruti qe një qytet i famshëm bregdetar i Levantit, dhe për shkak të këtyre martirëve, ky burim mori emrin “Ejnush-Shuhada” (burimi i martirëve).

Ebu Ubejda e emëroi Jezid ibn Ebu Sufjanin si zëvendësi i tij në Damask, ndërsa Jezidi e nisi Dihje ibn Kalifen për të udhëhequr një çetë në drejtimin e Tedmurit (Palmyra), me qëllim që ai të hapte rrugë për fitore. Tedmuri është një qytet i lashtë dhe i njohur i Sirisë, i cili ndodhej në një distancë prej 5 ditësh nga qyteti i Aleppos. (Jezidi i cili është përmendur këtu, ishte i biri i Ebu Sufjanit).

Po ashtu, ai dërgoi Ebu Zehra Kushejrin në Besnia dhe Havarin, por banorët e këtyre vendeve lidhën një marrëveshje me ta. Besnia është qytezë afër Damaskut. Parani përbënte një territor të gjerë të Damaskut, që përfshinte disa qyteza dhe tokat bujqësore. Shurehbil ibn Hasana r.a. kishte pushtuar krejt Jordaninë me anë të luftës, duke përjashtuar vetëm Tiberijen, kryeqytetin e vendit, banorët e të cilit kishin zgjedhur të lidhnin marrëveshjen e paqes.

Hazret Haliti gjithashtu u kthye si triumfues nga Bekau. Banorët e Balbekut kishin rënë në pajtim me të dhe ai u kishte dhënë një  marrëveshje. Balbeku është gjithashtu një qytet i lashtë, i cili ndodhej në një distancë prej tri ditësh nga Damasku. Arsyeja pse distanca matej me ditë udhëtimi, ishte se asokohe devetë apo kuajt ishin mjete kryesore për udhëtim dhe distanca llogaritej në bazë të kohës së udhëtimit.

Fitorja e Fahlit

Viti 14 hixhri shënon fitoren e Fahlit. Hazret Ebu Ubejda i kishte shkruar Hazret Omerit dhe e kishte paraqitur këtë kërkesë: “Unë kam mësuar se Herakliusi është në Alepo dhe prej andej po dërgon ushtri drejt Damaskut. Megjithatë, e kam të vështirë të vendos se a të sulmoj Damaskun të parin apo Fahlin?” Hazret Omeri i ktheu përgjigjen: “Pushtoni së pari Damaskun, pasi ai përbën fortesën më të sigurt për Sirinë dhe është kryeqyteti i saj. Po ashtu, dërgoni njësinë kalorësie në Fahl, që ajo të pengojë marshimin e ushtrive të tyre ndaj jush. Është më mirë që Fahli të bjerë para Damaskut, ndryshe pas fitores së Damaskut, lini ushtri të vogël atje, dhe vetë bashkë me komandantët e tjerë lëvizni drejt Fahlit. Nëse Allahu i Madhërishëm ju dhuron fitoren e Fahlit, atëherë Haliti dhe ju duhet të shkoni në Alepo, ndërsa Shurehbilin dhe Amrun duhet të nisni drejt Jordanisë dhe Palestinës”.

Menjëherë pas ardhjes së letrës, Hazret Ebu Ubejda nisi dhjetë oficerë ushtarak drejt Fahlit dhe më i shquari prej tyre qe Ebu A’var Selemiu. Ai së bashku me Halit ibn Velidin u nis drejt Damaskut.

Me të parë afrimin e ushtarëve muslimanë, ushtria bizantine përmbyti tokat rrethuese me ujin e detit të Gelilisë dhe të lumit Jordani. Në këtë mënyrë e gjithë toka u kthye në kënetë, e cila ishte vështirë të përshkohej. Megjithatë, ishte penguar gjithashtu ardhja e ushtrive në Damask, të cilat Herakliusi i kishte nisur si forcim për këtë qytet. Përmbytja e vendit kishte mbyllur të gjitha rrugët që çonin në Damask, mirëpo muslimanët u treguan të qëndrueshëm. Duke parë vendosmërinë e muslimanëve, populli i krishterë i Damaskut pranoi marrëveshjen dhe i dërgoi një mesazh Ebu Ubejdes që të vinte dikush si përfaqësues i tyre. Hazret Ebu Ubejda e ngarkoi Mu’adh ibn Xhebelin për detyrën e diplomacisë. Hazret Mu’adhi u paraqiti mësimet e Islamit, por ata refuzuan të pranonin.

Përveç çështjeve të tjera, bizantinët ofruan gjithashtu Hazret Muadhin territorin e rrethit Belka si dhe tokën e Jordanisë që kufizohej me tokat arabe, dhe i kërkuan që të largohej nga toka persiane. Pra, në fillim ata po mobilizonin ushtritë ndërsa tani kur e panë se humbja e tyre ishte e pashmangshme, ata parashtruan këtë marrëveshje. Hazret Mu’adhi refuzoi të nënshkruante një marrëveshje të tillë, dhe u largua nga kampi i tyre. Më vonë, bizantinët vendosën të bisedonin drejtpërdrejt me Hazret Ebu Ubejden dhe për këtë qëllim, ata dërguan një përfaqësues të veçantë dhe ai mbërriti në kampin e muslimanëve. Në kohën, kur përfaqësuesi hyri në kampin e muslimanëve, Hazret Ebu Ubejda ishte ndenjur mbi dysheme dhe po kontrollonte një shigjete. Përfaqësuesi bizantin mendonte se kryekomandanti duhet të ishte i dalluar prej të tjerëve për nga madhështia dhe stolia e tij, dhe kështu do të ishte i shquar. Por kudo që i shkonin sytë, të gjithë i dukeshin njësoj dhe të mbuluar në një stil. Në fund, duke u hutuar nga situata, ai pyeti: Kush është kryekomandanti juaj. Njerëzit e treguan me gisht për Ebu Ubejden, por kjo ia shtoi hutimin dhe ai e pyeti: A me të vërtetë jeni ju kryekomandanti i kësaj ushtrie? Hazret Ebu Ubejda iu përgjigj pozitivisht duke thënë vetëm po. Pastaj, përfaqësuesi bizantin u tha: “Ne do t’ju japim për secilin ushtar dy eshrifnj me kushtin që ju të largoheni nga Persia“. Hazret Ubejda e refuzoi këtë ofertë. Kjo përgjigje e inatosi përfaqësuesin dhe ai menjëherë u ngrit nga vendi dhe u largua plot nervat.

Hazret Ebu Ubedja duke matur gjestin e tij, u dha urdhër ushtarëve që të ishin të përgatitur dhe njoftoi Hazret Omerin për këto zhvillime. Hazret Omeri e lejoi për të lëvizur ushtrinë përpara, pasi ushtritë bizantine kishin nisur të mblidheshin. Hazret Omeri e kishte siguruar gjithashtu për suksesin dhe i kishte porositur: “Tregoni qëndrueshmëri dhe Zoti do t’ju ndihmojë”.

Ebu Ubejda atë ditë vendosi për marshimin e ushtrisë, por bizantinët nuk u shfaqën për përballje. Të nesërmen, Hazret Halit ibn Velidi shkoi në fushë vetëm me divizionin kalorësie. Ushtria bizantine ishte e gatshme dhe kështu plasi lufta. Duke parë qëndresën e pathyeshme të muslimanëve, kryekomandanti bizantin konsideroi të panevojshme vazhdimin e luftës, dhe deshi të tërhiqej. Hazret Haliti lëshoi një thirrje: “Bizantinët kanë provuar fuqinë e tyre, tashmë është radha jonë”.  Muslimanët menjëherë pas kësaj thirrje u hodhën në sulm dhe zmbrapsën bizantinët.

Të krishterët po shtynin luftën, vetëm në pritje të forcimit. Hazret Haliti kishte kuptuar taktikën e tyre, prandaj ai e sugjeroi Hazret Ebu Ubejden se bizantinët janë frikësuar prej muslimanëve dhe ky është momenti për t’u hedhur në sulm. Prandaj, u bë njoftim menjëherë se të nesërmen do të mësynin armikun, andaj ushtarët të qëndrojnë në gjendje gatishmërie.

Hazret Ebu Ubejda në pjesën e fundit të natës renditi ushtarët. Ushtria bizantine përbëhej nga 50 mijë ushtarë. Dy nga biografët e Hazret Omerit Hajkeli dhe Sallabi kanë përshkruar numrin e bizantinëve nga 80 deri në 100 mijë. Lufta zgjati gati një orë dhe muslimanët e detyruan ushtrinë armike të tërhiqej e zbythej dhe ata u hallakatën në gjendje kaotike.

Më vonë, Hazret Omeri dha urdhër që në territorin e pushtuar nga muslimanët, toka t’u kthehej pronarëve dhe askujt nuk do t’i kërkohet pronë apo pasuri me dhunë. Jeta e njerëzve, pasuria, toka, banesat dhe faltoret etj. janë të mbrojtura. Atyre do t’u kërkohet vend për ndërtimin e xhamive.

Fitorja e Bejsanit

Pas fitores në luftën e Fahlit, Shurehbili bashkë me Amrun udhëhoqi ushtrinë drejt banorëve të Bejsanit dhe vuri një rrethim. Në atë kohë, Ebul Averi dhe disa kryetarë të tjerë kishin rrethuar Tabarijen, ndërkohë Bejsani ndodhej 18 milje larg  saj. Në territorin e Jordanisë tashmë qarkullonin lajmet e humbjeve të njëpasnjëshme të bizantinëve si në luftërat e Damaskut po ashtu në ndeshjet e mëvonshme. Banorët ishin në dijeni se Shurehbili bashkë me Amr ibn Asi, Harith ibn Hishami dhe Sehl ibn Amru po lëviznin drejt Bejsanit me çetat e tyre. Ata që të gjithë kishin mbyllur veten nëpër fortesa e kala.

Shurehbili mbërriti në Bejsan dhe ngushtoi rrethimin rreth qytetit, i cili vazhdoi për disa ditë. Pastaj, dolën disa njerëz për t’u ndeshur, të cilët ushtarët muslimanët i vranë. Të tjerët kërkuan marrëveshjen e paqes, të cilën muslimanët e pranuan me të njëjtat kushtet që ishin caktuar për qytetin e Damaskut.

Fitorja e Tiberijes

Kur banorët e Tiberijes mësuan për rënien e Bejsanit dhe lidhjen e marrëveshjes, ata gjithashtu lidhën një marrëveshje me Ebul Averin, me kushtin që të paraqiteshin para Shurehbilit. Ebul Averi pranoi këtë kërkesë dhe kështu banorët e Tiberijes si dhe banorët e Bejsanit u pajtuan të lidhnin marrëveshjen e paqes me kushtet që ishin caktuar për Damask. Ata u pajtuan gjithashtu për të liruar gjysmën e banesave në qytete si dhe në lagjet periferike për muslimanët, ndërsa gjysma tjetër do të shërbente për popullin bizantin. Përveç kësaj, u pajtua gjithashtu se banorët do të pagunin çdo vit një dinar për çdo frymë si dhe një taksë të caktuar mbi të ardhurat nga prodhimet bujqësore.

Kështu, paria muslimane dhe ushtarët e tyre u vendosën bashkë me popullsinë vendase dhe përfundoi marrëveshja e Jordanisë. Çetat e tjera luftarake, të cilat kishin ardhur për të ndihmuar ushtrinë muslimanë gjithashtu u vendosën në vende të ndryshme të Jordanisë dhe lajmi i kësaj fitoreje u përcoll te Hazret Omeri r.a.

Fitorja e Homsit

Fitorja e Homsit u shënua në vitin 14 pas hixhretit. Përmendet se Hazret Ebu Ubejda përparoi drejt Homsit, i cili ishte një qytet i famshëm i Sirisë dhe ishte mjaft i rëndësishëm ushtarakisht dhe politikisht. Homsi ndodhet midis Damaskut dhe Alepos dhe kishte një katedrale të madhe, të cilën e vizitonin njerëzit nga vende të largëta. Ata që bënin shërbimet fetare në këtë katedrale, e konsideronin këtë një nder për veten.

Në Homs, bizantinët deshën të sulmonin vetë, prandaj nga qyteti doli një ushtri e madhe,  lëvizi përpara deri në Xhosije dhe u ndeshën me ushtrinë muslimane. Por, ata pësuan një humbje të thellë.

Hazret Ebu Ubejda dhe Hazret Halit ibn Velidi kishin mbërritur afër qytetit dhe i kishin vënë rrethimin. Meqë kishte hyrë dimri dhe koha ishte e ashpër, bizantinët ishin të sigurt se nëse lufta bëhet në fushë, muslimanët nuk mund të duronin për një kohë të gjatë. Përveç kësaj, ata prisnin dhe forcimin ushtarak nga Herakliusi, i cili me të vërtetë kishte nisur ndihmën ushtarake nga një ishull, por Hazret Sad ibn Vekasi, i cili drejtonte misionin ushtarak në Irak, dërgoi një çetë drejt kësaj ushtrie bizantine dhe arriti të pengonte përparimin e saj.

Historianët kanë shkruar që ushtarët bizantinë përdornin çorape të posaçme lëkure, megjithatë këmbët u mpiheshin, ndërkohë sahabët dhe ushtarët e tjerë muslimanë nuk kishin asgjë të veçantë për mbrojtje përveç këpucëve normale. Ndonëse Herakliusi u kishte premtuar banorëve të Homsit dhe i kishte nxitur për të luftuar trimërisht përballë muslimanëve, por ai vetë kishte shkuar në Roha. Banorët e Homsit mbyllën portën dhe u ngujuan brenda në fortesë. Ata dilnin për t’u luftuar vetëm atë ditë, kur koha ishte mjaft e ftohtë.

Pra, bizantinët prisnin ndihmën e Herekliusit, dhe prisnin që muslimanët nuk mund të duronin dimrin dhe rrjedhimisht do të hiqnin rrethimin dhe tërhiqeshin nga kishin ardhur. Por, muslimanët qëndruan me këmbëngulje, ndërsa në anën tjetër nuk erdhi as ndihma ushtarake e premtuar nga Herakliusi. Kështu kaloi dimri dhe banorët e Homsit u bindën se nuk mund të përballonin muslimanët dhe ata kërkuan marrëveshje. Muslimanët e pranuan këtë kërkesë dhe banorët e qytetit u lejuan të qëndronin në shtëpitë e tyre. Njësoj si Damasku, edhe këtu u pajtua që bizantinët të paguanin Haraç (detyrim a taksë që paguante popullsia jomuslimane që jetonte në shtetin musliman) dhe xhizje. Hazret Ebu Ubejda e njoftoi Hazret Omerin për këto zhvillime, dhe ai e porositi për të qëndruar atje dhe për të grumbulluar fiset e fuqishme arabe të Sirisë nën flamurin musliman. Hazret Omeri gjithashtu e siguroi se ai gjithashtu do të dërgonte rregullisht ndihma ushtarake.

Fitorja e Merxh er-Rromit

Këtë vit, ndodhi dhe ngjarja e Merxh er-Rromit. Ky vend ndodhet afër Damaskut. Kur Hazret Ebu Ubejda dhe Hazret Halit ibn Velidi lëviznin nga Fahli në Homes, ata kishin bërë ndalesë në Dhul Kila. Herakliusi gjithashtu ishte njoftuar për këto zhvillime dhe ai e dërgoi Teodor Beterikun, i cili u vendos në pjesën lindore të Merxh Damaskut. Ebu Ubejda nisi lëvizjen e ushtrisë së tij nga Merxh er-Rromi. Gjendja e ushtarëve muslimanë ishte e tillë se i kishte gjetur dimri dhe trupat e tyre ishin mbushur me plaga. Kur muslimanët mbërritën në Merxh er-Rrom, aty mbërriti Shenesi, i cili ishte komandant bizantin dhe kishte ardhur për të mbështetur Teodorin. Shenesi gjithashtu ngriti kampin ushtarak për kalorësinë e tij në një vend të afërt.

Kur ra nata, Teodori u largua me çetën e tij dhe kështu u boshatis ajo pjesë e fushës. Hazret Halit ibn Velidi duhet të merret me Teodorin, kurse Hazret Ebu Ubejda duhet t’i përgjigjej Shenesit. Kur Hazret Halit ibn Velidi mësoi se Teodori është nisur drejt Damaskut, ai e njoftoi Hazret Ebu Ubejden për këtë. Ata bashkërisht vendosën që Hazret Halit ibn Velidi të ndiqte ushtrinë e Teodorit. Kështu Hazret Halit ibn Velidi u nis menjëherë me divizionin e kalorësisë për ta ndjekur Teodorin. Në anën tjetër, Jezid ibn Ebu Sufjani gjithashtu kishte mësuar për lëvizjen e Teodorit, prandaj ai gjithashtu doli për t’u ndeshur me të dhe u zhvillua një luftë e ashpër midis tyre. Ndërkohë vazhdonte lufta midis tyre, mbërriti edhe kalorësia e udhëhequr nga Hazret Halit ibn Velidi dhe ai bëri një sulm të befasishëm nga pjesa e pasme. Armiku ishte rrethuar nga të dyja anët dhe kështu ushtarët muslimanë i shpartalluan bizantinët dhe ngritën një pirg kufomash. Vetëm ata ushtarë arritën të shpëtonin, të cilët kishin ikur nga fushëbeteja.

Pas kësaj lufte, muslimanët në plaçkat e luftës, kishin fituar kuajt, armët dhe parzmoret etj. Këto plaçka, Jezid ibn Ebu Sufjani ndau mes ushtarëve të tij dhe të Halit ibn Velidit. Kur përfundoi lufta, Hazret Jezidi u nis drejt Damaskut, ndërsa Hazret Halit ibn Velidi u kthye te Hazret Ebu Ubejda.

Jezidi famëkeq që përmendej në historinë e Islamit ishte djali i Hazret Amir Muavijes ndërsa ky Jezid ishte djali i Ebu Sufjanit. Hazret Halit ibn Velidi mbyti Teodorin, komandantin e bizantinëve.

Ndërsa Hazret Halit ibn Velidi kishte shkuar për të ndjekur Teodorin, Hazret Ebu Ubejda u ndesh me Shenesin. Në Merexh er-Rrom plasi lufta midis dy ushtrive. Ushtria muslimane shpartalloi ushtrinë bizantine, ndërsa Hazret Ebu Ubejda mbyti Shenesin. Në Merexh er-Rrom gjithandej dukeshin kufomat e armikut dhe i gjithë vendi mbante një erë të padurueshme. Përveç atyre, që kishin ikur fshehurazi, të gjithë u shfarosën plotësisht. Muslimanët ndoqën armikun që po ikte nga lufta, deri në Homes.

Fitorja e Hamadit

Pastaj, Hazret Ebu Ubejda mori ushtrinë dhe u nis drejt Hamadit. Hamadi është gjithashtu një qytet i lashtë i Sirisë, i cili nga Damasku ndodhet në një distancë prej 5 ditë udhëtimi. Banorët e Hamadit pranuan bindjen ndaj muslimanëve. Kur banorët e Shehzerit mësuan për ujdinë e banorëve të Hamadit, ata gjithashtu lidhën marrëveshje. Shehzeri ishte një qytezë, e cila ishte një ditë udhëtimi nga Hamadi. Pastaj, Hazret Ebu Ubejda pushtoi Selemijen, e cila ishte një qytezë dy ditë udhëtimi nga Hamadi.

Fitorja e Lazikijes

Në 14 hixhri, ra edhe Lazikija. Ushtria muslimane nën udhëheqjen e Hazret Ebu Ubejdes marshoi drejt Lazikijes, e cila qe një qytet bregdetar i Sirisë dhe konsiderohej prej zonave kufitare të Homsit. Kur banorët e Lazikijes panë marshimin e ushtrisë muslimane, ata menjëherë mbyllën portat e fortesës dhe u ngujuan brenda. Ata ishin të bindur se nëse muslimanët do të rrethonin qytetin e tyre, ata ishin të aftë për t’u ballafaquar me ta, dhe ndërkohë do t’u mbërrinte edhe ndihma ushtarake e Herakliusit. Muslimanët benë rrethimin e qytetit. Ky qytet dallohej për sistemin e mirëfilltë të mbrojtjes, si dhe njihej për postblloqet ushtarake. Meqë Hazret Ebu Ubejda ishte i kalitur në taktikat luftarake, ai gjeti një zgjidhje të re. Ai kishte kuptuar se pushtimi i fortesës është pothuaj i pamundur. Nëse vendosnin kampin ushtarak, atëherë periudha e kampimit do të zgjatej jashtëzakonisht shumë. Përveç kësaj, gjatë periudhës së rrethimit, kishte të ngjarë që armiku të fitonte dhe ndihmën ushtarake dhe kështu rrethimi të dështonte plotësisht dhe ata të ktheheshin pa sukses. Po ashtu, nëse do të zgjatej periudha e rrethimit, atëherë duhet të pezullohej plani për të lëvizur në drejtim të Antakijes.

Një natë, ai urdhëroi për të hapur gropa kaq të thella në fushë, që një kalorës mund të kamuflohej në të bashkë me kalin e tij. Kur përfundoi hapja e gropave, ato u mbushën me bar dhe të nesërmen, Hazret Ebu Ubejda urdhëroi heqjen e rrethimit dhe ushtria muslimane u largua prej andej.

Kur banorët e qytetit e panë heqjen e rrethimit dhe largimin e ushtrisë muslimane, ata shprehën gëzimin dhe hapën pa frikë portat e qytetit. Në anën tjetër, brenda natës Hazret Ebu Ubejda u kthye me ushtrinë e tij dhe kalorësit u kamufluan nëpër gropa. Të nesërmen, kur banorët e qytetit hapën portat e qytetit, ushtarët muslimanë u hodhën menjëherë në sulm. Disa muslimanë mbizotëruan portën kryesore të qytetit. Banorët që ndodheshin jashtë mureve të qytetit, u shpërndanë në drejtime të ndryshme, ndërsa ata që ishin brenda, ishin në gjendje frike. Secili prej tyre nisi të gjente ndonjë mënyrë për të shpëtuar veten. Atyre nuk u kishte mbetur asnjë rrugëdalje, veçse të lidhnin marrëveshjen me muslimanët, ndërsa të arratisurit kërkuan falje a amnesti. Muslimanët hynë në qytet dhe pushtuan krejt qytetin. Hazret Ebu Ubejda pranoi marrëveshje me kushtin që ata të paguanin xhizjen. Ai gjithashtu i lejoi të drejtonin punët e katedrales, ndërsa pranë saj, muslimanët ndërtuan një xhami. Pikërisht pas kësaj fitoreje, Hazret Omeri i kishte shkruar se atë vit, muslimanët duhet të ndërprisnin të gjitha planet për shtrirjen e mëtejshme të territorit.

Fitorja e Kinesrinit

Në vitin 15 hixhri, u pushtua qyteti Kinaserin. Hazret Ebu Ubejda ibn Xherrahu r.a. dërgoi Hazret Halit ibn Velidin në Kinaserin, i cili ishte një qytet dinamik i provincës Alepo. Kalaja e Kinaserinit ndodhej midis maleve në rrugën drejt Alepos. Kur Hazret Halit ibn Velidi mbërriti afër vendit që quhej Hadir, i cili ishte pranë Alepos, aty mbërriti dhe ushtria bizantine nën drejtimin e komandantit Menas, për t’u ndeshur me ta. Pas Herakliusit, Menasi ishte kryekomandanti më i madh i bizantinëve. Banorët arabë të krishterë ballafaquan muslimanët. Ishte tradita arabe që ushtarët për të mbrojtur qytetin, ngrinin çadrat në fushë. Prandaj, edhe ata arabë të krishterë kishin ngritur kamp jashtë qytetit. Pas një lufte të përgjakshme, Hazret Halit ibn Velidi shpartalloi pjesën më të madhe të ushtrisë si dhe mbyti udhëheqësin e tyre Menas. Atëherë banorët e Kinesrinit, i dërguan një mesazh Hazret Halit ibn Velidit: “Jemi arabë dhe nuk kishim asnjë dëshirë për të luftuar kundër jush. Mirëpo, na kishin detyruar për t’u përfshirë në këtë luftë, prandaj ju kërkojmë amnisti”. Hazret Halit ibn Velidi pranoi kërkesën e tyre dhe i shmangu masat ndëshkimore ndaj tyre.

Disa bizantinë kishin mbyllur veten në kalanë e Kinesrinit. Hazret Halid ibn Velidi i ndoqi ata, por derisa të mbërrinte në Kinesrin, banorët e kishin mbyllur portën hyrëse të qytetit. Hazret Haliti atëherë u dërgoi një mesazh: “Nëse fshiheni edhe brenda reve, Allahu do të na çojë para jush, ose do t’ju sjellë para nesh”. Ata kaluan disa ditë në këtë mënyrë, duke qenë të mbyllur në kala, por përfundimisht kishin kuptuar se nuk u kishte mbetur asnjë rrugëdalje. Atëherë, ata u lutën për amnisti dhe kërkuan lidhjen e marrëveshjes sipas kushteve të Homsit.

Por, Hazret Halit ibn Veliti tashmë kishte vendosur t’i ndëshkonte ata për pabesinë dhe mosbindjen e tyre. Ai kishte dhënë vendimin për shkatërrimin e qytetit. Banorët e Kinesrinit lanë pasurinë, pronat, familjen dhe fëmijët e tyre dhe morën rrugën e Antakijes.

Kur Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahu mbërriti në Kinesrin, ai e gjeti këtë vendim plotësisht në përputhje me parimet e drejtësisë. Ai gjithashtu urdhëroi rrënimin dhe shembjen e kalasë dhe të mureve të qytetit. Kjo ishte drejtësia e tyre por muslimanët tashmë duhet të shfaqnin edhe mëshirën dhe dhembshurinë e tyre. Atëherë, ata sipas kërkesës së banorëve, shpallën amnisti dhe falje për krejt banorët. Ata ua dorëzuan banorëve katedralen e tyre, ndërsa i ndanë shtëpitë gjithashtu. Gjysma e banesave kaluan në pronësinë e muslimanëve kurse gjysma tjetër mbeti me popullsinë vendase. Sipas një burimi, muslimanët kishin blerë një truall, në të cilin ata ndërtuan një xhami, kurse pjesa tjetër mbeti njësoj nën pronësinë e pronarëve të mëparshëm. Banorët që kishin ikur në Antakije, u kthyen gjithashtu në banesat e tyre, me kushtin që do të paguanin xhizjen. Si vende të tjera të pushtuara, edhe këtu popullsisë vendase iu kushtua një vëmendje dhe përkujdesje e veçantë, dhe duke respektuar parimin e barazisë, u vendos sundimi i drejtësisë me qëllim që një i fuqishëm të mos shkelte nëpër këmbë të drejtën e një të dobëti.

Fitorja e Kejsarijes

Viti 15 hixhri shënoi pushtimin e Kejsarijes. Ajo është një qytet bregdetar i Sirisë, i cili ndodhej me një distancë prej tri ditë udhëtimi nga Tebarije. Ka mendime të ndryshme, në lidhje me vitin, kur u zhvillua kjo luftë. Sipas një rrëfimi, kjo luftë ishte zhvilluar në 15 hixhri, sipas rrëfimit të dytë në 16 hixhri, sipas rrëfimit të tretë në 19 hixhri kurse sipas rrëfimit të katërt kjo luftë ishte bërë në 20 hixhri. Megjithatë, kur Hazret Ebu Ubejda po triumfonte në Levantin e perandorisë bizantine, Hazret Amr ibn Asi dhe Hazret Shurehbil ibn Hasana po zhvillonin luftëra me ato ushtri të perandorisë që ishin grumbulluar në Palestinë. Ata po synonin të triumfonin kundër tyre, por kjo nuk qe diçka e lehtë. Këto ushtri si nga numri i ushtarëve po ashtu nga ana materiale ishin më superiore, madje ato po drejtoheshin nga Atrabuni, i cili ishte kryekomandanti më i madh bizantin dhe qe i pashoq për largpamësinë dhe strategjinë luftarake. Ai vendosi për të ndarë ushtrinë e tij në njësi të vogla, me qëllim që të gëzonte autoritetin e plotë mbi ushtrinë dhe edhe nëse arabët mposhtin disa pjesë së ushtrisë, të mos ndikoheshin njësitë e tjera. Duke vepruar me këtë plan, ai caktoi pjesën më të madhe të ushtrisë në Ramala e Ilia si dhe për të mbështetur atë, vendosi njësitë e tjera ushtarake në Gaza, Sebastia, Nablus, Lud dhe Jafi. Pas caktimit të ushtrisë, mbeti në pritje të arabëve. Ai qe i bindur se kishte fuqinë për të mposhtur arabët dhe për të dërrmuar forcën e tyre.

Hazret Amr ibn Asi kishte kuptuar rëndësinë e këtij misioni delikat. Ai mendoi se nëse do të mobilizonte gjithë ushtrinë e tij për t’u përballur me Atrabunin, bizantinët gjithashtu do të bashkonin fuqitë e tyre, duke krijuar një situatë të pafavorshme, në të cilën muslimanët nuk mund të triumfonin, madje mund të ndodhej që ata të pësonin një humbje nga bizantinët.

Ai menjëherë shkroi Hazret Omerit, i cili urdhëroi Jezid ibn Ebu Sufjanin për të dërguar vëllain e tij Muavijen për të triumfuar Kesarijen dhe kështu për të vendosur embargon ushtarake ndaj Atrabunin dhe për të penguar çdolloj ndihme që mund t’i vinte përmes rrugës detare. Hazret Omeri i kishte shkruar Amir Muavijes: “Unë ju emëroj kryetarin e Kesarijes. Prandaj shkoni atje dhe kërkoni ndihmën e Allahut kundër saj dhe bëni këto lutje shpesh:

lā havle ve lā kuvvete il-lā bil-lāhil-‘alijjil-‘adhīm,
Allahu Rabbuna ve Sikatuna ve Rixhauna ve Molana. Ni’mal mola ve ni’man-Nasir

D.m.th. Sundim dhe fuqi s’ka askush tjetër, përveç Allahut të Lartësuar e të Madhërishëm. Allahu është Zoti ynë dhe mbështetjen dhe shpresën tonë vetëm tek Ai gjemë. Ai është sunduesi ynë dhe sa Sunduesi i mirë dhe Ndihmësi i mirë qenka Ai.

Sipas el-Farukit, për herë të parë në vitin 13 hixhri, Hazret Amr ibn Asi kishte sulmuar Kesarijen. Ai e rrethoi qytetin për një periudhë të gjatë, por nuk arriti të triumfonte atë. Pas vdekjes së Hazret Ebu Ubejdes, Hazret Omeri r.a. caktoi Jezid ibn Ebi Sufjanin në detyrën e tij dhe e porositi për të drejtuar misionin e Kesarijes. Jezid ibn Ebu Sufjani u nis me një ushtri prej 17 mijë luftëtarësh dhe rrethoi qytetin. Por në vitin 18 hixhri, ai u sëmur. Ai ia kaloi këtë detyrë vëllait të tij Amir Muavije dhe u kthye vetë në Damask, ku edhe ndërroi jetë.

Kesarija ndodhet në bregdetin e detit të Sirisë dhe konsiderohej prej rretheve të Palestinës. Ndonëse, sot këtij qyteti i janë mbetur vetëm rrënojat, në atë kohë sigurisht ishte një qytet i madh. Sipas Belazriut, qyteti kishte 300 tregje, që ushtria bizantine e mbronte atë. Ata kishin një fortesë të madhe dhe të pamposhtur. Amir Muavija mbërriti në Kesarije dhe i bëri rrethimin. Bizantinët sulmonin ushtrinë muslimane, por gjithmonë duke pësuar humbje, ktheheshin në pozicionet e tyre. Përfundimisht, me zgjatjen e rrethimit, ata vendosën për të bërë një luftë vendimtare, por edhe atëherë pësuan një humbje të thellë. Në këtë luftë, ata humbën 80 mijë ushtarë, dhe pas tërheqjes dhe disfatës së ushtrisë, ky numër arriti deri në 100 mijë. Pas fitores së Kesarijes dhe humbjes së ushtrisë bizantine, pozicioni i muslimanëve u bë më i qetë dhe i mbrojtur dhe në anën tjetër u ndërpre kanali i furnizimit dhe ndihmës për bizantinët. Hazret Muavija e njoftoi Hazret Omerin për fitoren e Kesarijes bashkë me një të pestën nga plaçkat e luftës.

Sipas një rrëfimi, Hazret Amir Muavija zhvilloi këtë luftë duke ndjekur taktikat luftarake. Banorët e qytetit disa herë dolën nga qyteti dhe zhvilluan luftë, por gjithmonë pësuan humbje, megjithatë qyteti mbeti nën kontrollin e tyre. Një ditë një hebre me emrin Jusuf, erdhi te Amir Muavija dhe i tregoi vendndodhjen e një tuneli, i cili kishte dalje në mes të qytetit, deri në portën hyrëse të kalasë. Disa trima përdorën këtë tunel, dhe mbërritën brenda kalasë. Ata hapën portën kryesore, ndërkohë ushtria bëri një sulm të fortë dhe shënuan fitore.

Trimëria e Ubade ibn Samitit r.a.

Hazret Ubade ibn Samiti r.a., i cili ishte prej sahabëve të Bedrit, gjithashtu kishte marrë pjesë në luftën e Kesarijes. Në këtë luftë ai shfaqi trimërinë e jashtëzakonshme. Gjatë rrethimit të Kesarijes, Hazret Ubade ibn Samiti r.a ishte komandanti i krahut të djathtë. Ai porositi ushtarët e tij, që të ruhen nga gjynahet dhe të kontrollojnë sjelljen e tyre. Pastaj, ai udhëhoqi një grup luftëtarësh në sulm dhe vrau një mori ushtarësh bizantinë, por nuk ia doli qëllimit. Ai u kthye sërish në pozicionin e mëparshëm dhe i nxiti ushtarët e tij për të luftuar me gjithë shpirt dhe për t’u flijuar në këtë qëllim. Ndonëse, numri i ushtarëve ishte jashtëzakonisht i madh, megjithatë edhe kësaj here, goditja dështoi dhe ai shprehu habinë dhe çudinë për këtë rezultat pa sukses.

Ai iu drejtua ushtarëve dhe tha: “O mbrojtësit e Islamit! Unë isha më i ri ndër udhëheqësit që ishin caktuar nga Profetit s.a.v.s. në besëlidhjen e Ukabasë, por Zoti më dhuroi jetën më të gjatë. Vullneti i Zotit deshi që unë të jetoja aq gjatë saqë të luftoja sot bashkë me ju kundër armikut. Betohem në Atë qenie, që ka në dorë jetën time, kurdoherë që kam udhëhequr grupin e besimtarëve dhe jam hedhur në sulm kundër grupit të idhujtarëve, Allahu e ka boshatisur fushën e betejës për ne, pra na ka dhuruar fitore. Por më vjen çudi, se përse nuk po ia dalim sot? Ju sulmuat, por përse nuk arritët t’i mposhtni. Unë dyshoj për dy gjëra nga ju. Ose njëri nga ju është i pabesë ose nuk ishin të sinqertë e të përkushtuar gjatë sulmit”. Pastaj, ai u bëri thirrje për t’u lutur sinqerisht për martirizim. Ai vetë tha: “Unë do jem i pari në këtë betim dhe kurrë nuk do të tërhiqem, derisa Allahu të na triumfojë ose të më dhurojë martirizim”.

Tani kur u ndeshën ushtarët muslimanë dhe bizantinë, Ubada ibn Samiti kërceu nga kali dhe filloi të ecte me këmbë. Kur Umejr ibn Sa’ad el-Ensariu e pa duke ecur me këmbë, ai i njoftoi edhe muslimanët e tjerë që të ndiqnin mënyrën e tij. Kështu të gjithë luftuan dhëmbë për dhëmbë me bizantinët dhe i thyen qëndresën e tyre. Ata ia mbathën me të katra dhe u ngujuan në fortesë.

Ashtu sikur arabët kishin pushtuar Kesarijen, ata arritën fitore edhe në Gaza. Muslimanët kishin pushtuar Gazën edhe në periudhën e Hazret Ebu Bekrit r.a., por më vonë ata duhet të tërhiqeshin prej andej. Kur këto vendet bregdetare kaluan në sundimin e muslimanëve, Hazret Amr ibn el-Asi r.a. ndjeu siguri nga deti.

Këto ngjarje do të vijojnë edhe në të ardhmen.

Namazet e xhenazes

Në fund Huzuri (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) do të udhëheqë namazin e xhenazes të këtyre anëtarëve:

  1. Znj. Hatixhe bashkëshorte e të ndjerit K. Muhammad Alvi, ish-misionar në Kerala
  2. Malik Sultan Rashid sahib, Amir i rrethit Attack, Pakistan
  3. Abdul Qayyum sahib, nga Indonezia
  4. Daud Razak Junus sahib, nga Benini
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp