Jeta e Hazret Ebu Bekrit r.a. dhe profecia mbi fitoren e romakëve
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Hazret Ebu Bekrit r.a. dhe profecia mbi fitoren e romakëve

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Lirimi i skllevërve

Herën e fundit është folur për jetën e Hazret Ebu Bekrit r.a. dhe në lidhje me lirimin e skllevërve prej tij. Ka edhe ngjarje të tjera që lidhen me këtë temë. Hazret Ebu Bekri r.a. e kishte liruar Nehdijen dhe vajzën e saj. Ato të dy ishin skllavet e një gruaje nga fisi Benu Abdud-dar. Njëherë Hazret Ebu Bekri r.a. kalonte pranë tyre, kur pronarja e tyre i dërgoi të bluanin grurin. Pastaj ajo iu drejtua Hazret Ebu Bekrit: “Pasha Allahun! Unë nuk do t’i liroj kurrë këto skllave.” Ose ajo u betua në emër të dikujt tjetër. Hazret Ebu Bekri r.a. tha: “O filane! Prishe fjalën tënde.” Ajo iu përgjigj Hazret Ebu Bekrit: “Largohu! Ti i ke llastuar ato shumë. Nëse me të vërtetë ato t’i dhimbsen aq shumë, pse nuk i liron ato”. Hazret Ebu Bekri r.a. e pyeti: “Sa para kërkon në këmbim të lirisë së tyre?” Ajo i caktoi një çmim dhe Hazret Ebu Bekri (ra) i tha: “Unë pajtohem dhe paguaj çmimin për të dy. Që tani, ato janë të lira.” Pastaj ai u tha atyre: “Kthejani grurin kësaj zonje!” Ato i thanë: “O Ebu Bekr! A mos ta kryejmë këtë detyrë dhe t’ia kthejmë grurin e bluar?” Pra, të përfundonin punën që u ishte caktuar, dhe t’i dorëzonin miellin. Hazret Ebu Bekri r.a. tha: “S’ka gajle. Nëse dëshironi, mund ta përfundoni këtë punë.”

Njëherë Hazret Ebu Bekri r.a. kaloi pranë një robëreshe të fisit Benu Mu‘malit. Benu M’umali është dega e fisit Benu Adi ibn Ka’ab. Kjo skllave ishte bërë muslimane. Në atë moment, Omer ibn Hattabi po ushtronte dhunë ndaj saj dhe e detyronte për të mohuar fenë islame. Omeri ende nuk e kishte pranuar Islamin dhe akoma besonte në dogmat e idhujtarisë. Ai përdorte dhunë e shtypje mbi të dhe nuk ndalonte së godituri derisa të lodhej. Atëherë i thoshte: “Unë të kam lënë vetëm se jam lodhur”. Ajo i kthente: “Edhe Allahu do të sillet njësoj me ty”. Pastaj Hazret Ebu Bekri (ra) e liroi atë duke paguar një shumë parash.

Sipas një transmetimi, Ebu Kuhafa, babai i Hazret Ebu Bekrit r.a. i tha atij: “O biri im! Unë po shoh që po i liron vetëm njerëzit e dobët. Nëse do të vazhdosh kështu përnjëmend, atëherë liroji burrat e fortë, që ata të mbrojnë dhe të përkrahin.” Transmetuesi thotë se Ebu Bekri r.a. tha: “O babai im i dashur! Me këtë veprim, unë po synoj vetëm pëlqimin e Allahut dhe asgjë tjetër.”

Sipas disa komentuesve, si Allama Kurtubi, Allama Alusi etj., ajetet e mëposhtme të Kuranit Famëlartë, ishin shpallur pikërisht për Hazret Ebu Bekrin r.a. për shkak të veprimeve të tij të lavdishme. Allahu thotë:

فَأَمَّا مَنْ أَعْطَىٰ وَاتَّقَىٰ ‎ꙮ‏ وَصَدَّقَ بِالْحُسْنَىٰ ꙮ‏ فَسَنُيَسِّرُهُ لِلْيُسْرَىٰ ꙮ‏ وَأَمَّا مَنْ بَخِلَ وَاسْتَغْنَىٰ ꙮ‏ وَكَذَّبَ بِالْحُسْنَىٰꙮ‏ فَسَنُيَسِّرُهُ لِلْعُسْرَىٰ ꙮ‏ وَمَا يُغْنِي عَنْهُ مَالُهُ إِذَا تَرَدَّىٰꙮ‏ إِنَّ عَلَيْنَا لَلْهُدَىٰꙮ‏ وَإِنَّ لَنَا لَلْآخِرَةَ وَالْأُولَىٰ ꙮ‏ فَأَنْذَرْتُكُمْ نَارًا تَلَظَّىٰꙮ‏  لَا يَصْلَاهَا إِلَّا الْأَشْقَىꙮ‏ الَّذِي كَذَّبَ وَتَوَلَّىٰꙮ‏ وَسَيُجَنَّبُهَا الْأَتْقَىꙮ‏ الَّذِي يُؤْتِي مَالَهُ يَتَزَكَّىٰꙮ‏ وَمَا لِأَحَدٍ عِنْدَهُ مِنْ نِعْمَةٍ تُجْزَىٰꙮ‏ إِلَّا ابْتِغَاءَ وَجْهِ رَبِّهِ الْأَعْلَىٰ ꙮ‏ وَلَسَوْفَ يَرْضَىٰ ꙮ‏

Andaj, ai që dhuroi (në rrugën e së vërtetës) dhe pati druajtje (ndaj Zotit), dhe vërtetoi më të mirën (duke e pranuar atë), Ne patjetër do t’ia mundësojmë lehtësinë. Kurse ai që u tregua koprrac dhe i vetëmjaftueshëm, dhe e quajti gënjeshtër më të mirën, Ne patjetër do ta shtrëngojmë. Pasuria e tij, kur do të shkatërrohet, nuk do t’i vijë në ndihmë aspak. Sigurisht, kemi Ne përsipër të udhëzuarit, dhe sigurisht, (edhe) fundi, edhe fillimi janë nën kontrollin Tonë. Andaj, Unë ju frikësoj nga një zjarr flakërues. Askush nuk do të hyjë në të, përveç fatligut të madh. Ai që mohoi dhe e ktheu shpinën. Dhe do të shpëtojë prej tij ai që është shumë i druajtur, që jep pasurinë e tij për t’u vetëpastruar; dhe ai nuk i detyrohet asnjërit ndonjë nder, që ta shlyejë; por e bën vetëm duke kërkuar kënaqësinë e Zotit të tij të Lartësuar. Dhe Ai patjetër do të bëhet i kënaqur.

Historia e Hazret Habbab ibn Eretit

Një ndër skllevërit e liruar nga Hazret Ebu Bekri r.a. Ishte Hazret Habab ibn Ereti r.a.. Hazret Musleh Ma’udi r.a. ka folur për Hazret Habbab ibn Eretin si vijon:

Një sahab tjetër, i cili më parë ishte skllav, njëherë kishte ndërmend të lahej e andaj ai hoqi këmishën. Në atë moment, një person gjendej pranë tij dhe ai vërejti që lëkura në shpinën e Hazret Habbatit ishte aq e trashë dhe e ashpër, saqë i ngjante lëkurës së një bualli. Ai u çudit nga kjo, dhe e pyeti plot habi: “Qëkur vuani nga kjo sëmundje? Lëkura e shpinës suaj është aq e trashë sikur bualli”. Duke dëgjuar këtë, Hazret Habbabit iu shpërthyen të qeshurat. Pastaj tha: “Kjo nuk qenka sëmundje. Kur ne e kishim pranuar Islamin, pronari ynë vendosi të ushtronte dhunë mbi ne. Prandaj, ai na detyronte të shtriheshim përtokë në nxehtësinë përvëluese dhe pastaj nisej të na dhunonte dhe na detyronte të dëshmonim mosbesim në të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Por, ne si përgjigje i recitonim shehadetin. Ai në inat e sipër, na dhunonte prapë. Kur nuk shfrynte dot krejt mllefin, ai urdhëronte që të tërhiqeshim zvarrë mbi gurë.” Ai vazhdon: Për t’i mbrojtur shtëpitë nga uji e lagështia, arabët kalldrëmonin oborret e tyre. Gurët e përdorur ishin mjaft të mprehtë dhe ata vendoseshin në këtë mënyrë që muret të mos dëmtoheshin nga uji.

Hazret Habbabi vijon: “Kur ne nuk pranonim të largoheshim nga Islami, ndërsa njerëzit lodheshin duke na rrahur gjatë gjithë kohës, ata na lidhnin këmbët dhe ne tërhiqnin zvarrë mbi këta gurë të thepisur e të mprehtë. Ajo që shihni tani është pasoja e rrahjeve dhe torturave.” Shkurt, ata ishin viktima të mizorisë që u ushtrua ndaj tyre për vite me radhë. Por, Hazret Ebu Bekri r.a. nuk mundi ta duronte këtë. Ai shiti një pjesë të madhe të pronave dhe më pas liroi këta skllevër.

Hazret Kalifi i dytë r.a. ka trajtuar aspektin e lirimit të skllevërve nga Hazret Ebu Bekri edhe në një vend tjetër. Ai shkruan:

“Skllevërit që besuan në të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. u përkisnin raca e kombe të ndryshme. Në mesin e tyre kishte abisinianë si Bilali r.a., romakë (lindorë) si Suhejbi (ra), të krishterë si Xhubejri e Suhejbi si dhe idhujtarë si Bilali dhe Amari. Bilalin r.a. e shtrinte pronari i tij në rërën përvëluese, ose i vendoste një gur të rëndë në gjoks dhe i urdhëronte të rinjtë të hedhur mbi të. Kur Hazret Ebu Bekri r.a. pa vuajtjen e Bilalit, ai i pagoi pronarit të tij dhe e çliroi atë.

Vendimi për t’u mërguar dhe mbrojtja nga Ibn Dagnaja

Njëherë Hazret Ebu Bekri r.a. mori vendimin për t’u mërguar drejt Abisinisë. Është shkruar: Kur u shtua numri i muslimanëve dhe feja islame u bë e njohur për banorët, mosbesimtarët Kurejshë në varësi të fiseve, nisën një fushatë përndjekje e dhunimi të rëndë ndaj atyre që tashmë e kishin pranuar Islamin. Synimi i tyre i vetëm ishte t’i largonin ata nga besimi. Prandaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i porositi muslimanët që të përhapeshin në tokë ose të shpërnguleshin në vende të tjera. Në dashtë Allahu, ata të bashkohen përsëri. Sahabët e pyetën: “Ku duhet të shkojmë?” I Dërguari i Allahut (s.a.v.s) tha: “Atje.” Ai bëri me dorë në drejtim të Abisinisë. Kjo ngjarje ka ndodhur në muajin Rexhep në vitin e 5-të të profetësisë. Sipas porosisë së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. 11 burra dhe 4 gra u mërguan në Abisini. Pas mërgimit të këtyre muslimanëve në Abisini, edhe Hazret Ebu Bekri r.a. u vë në shënjestër të mizorive. Në këto rrethana, edhe ai vendosi të emigronte në Abisini.

Në një hadith në Sahihun e Buhariut përshkruhet kjo ngjarje si vijon: “Hazret Aisheja r.a. ka përcjellë: “Kur u ashpërsuan mizoritë ndaj muslimanëve, një ditë Hazret Ebu Bekri r.a. u nis me qëllimin për të emigruar në Abisini, derisa mbërriti në Berkurrimad. (“Berkurrimad” është një qytet bregdetar në Jemen, i cili ndodhet në një largësi prej pesë netësh nga Meka. Aty ai u takua me Ibn Dagna. Ai ishte kryetar i fisit “Karra”. Ai e pyeti: “Për ku jeni nisur, o Ebu Bekr!?” Ai r.a. u përgjigj: “Populli im më ka dëbuar dhe unë kam ndërmend të udhëtoj nëpër tokë dhe ta adhuroj Zotin tim.” Ibn Dagna i tha: “Një burrë si ju, nuk duhet të largohet nga atdheu, me hir a me pahir. Ju zotëroni virtyte të tilla që janë zhdukur. Silleni mirë me të afërmit. Ju lehtësoni barrën e të dobëtëve. Jeni mikpritës dhe u vini në ndihmë njerëzve në hallet e tyre.” Në një vend tjetër, fjalët e tij janë përkthyer ashtu: “Ju ndihmoni të varfrit nga të ardhurat tuaja, silleni me dashuri ndaj të afërmve, i përkrahni të papërkrahurit dhe jeni mikpritës. Ju mbroni të vërtetën, edhe nëse gjendeni përballë kundërshtimeve”.

Ai më pas i tha Hazret Ebu Bekrit r.a. se e merrte atë nën mbrojtjen e tij. Ai le të kthehej në vendlindje dhe të adhuronte Zotin lirisht në shtëpi. Kështu ata të dy shkuan në Mekë. Ibn Dagna u takua me krerët e mosbesimtarëve kurejshë dhe u tha : “Ebu Bekri është një person i tillë që as vetë nuk e lë vendlindjen e tij dhe as nuk detyrohet të shpërngulet. A doni të dëboni një person i cili zotëron virtyte që tani janë zhdukur? Ai r.a. përpiqet të pajtojë të tjerët, mbart barrën e të dobëtëve, kujdeset për mysafirët dhe ndihmon në rast nevojë.” Më pas, kryesia e kurejshëve pranoi mbrojtjen e Ibne Dagnas dhe i thanë që të njoftonte Ebu Bekrin r.a. për të falur namazin në shtëpi dhe t’i mos shqetësuar ata (d.m.th. udhëheqësit e Kurejshit) me namazin dhe leximit të Kuranit. Po ashtu, ai nuk duhet të recitonte Kuranin me zë të lartë, pasi ata kishin frikë se fëmijët dhe gratë e tyre mund të ndikoheshin prej tij.

Ibn Dagna i përcolli këto kushte Hazret Ebu Bekrit dhe ai nisi ta falte namazin në shtëpi dhe nuk e lexonte më Kuranin jashtë shtëpisë para të tjerëve.

Pas një kohe, Hazret Ebu Bekri r.a. caktoi një vend në oborrin e tij ku do të falej dhe do të lexonte Kuranin. Gratë dhe fëmijët e jobesimtarëve grumbulloheshin për të dëgjuar recitimin e tij. Ata magjepseshin pas zërit të tij mallëngjyes, sepse Hazret Ebu Bekri r.a. ishte një njeri shumë i ndjeshëm dhe i mallëngjyer. Sa herë që lexonte Kuranin, lotët i shkonin rrëke. Kjo gjendje përbënte shqetësim të madh për krerët e Kurejshit. Ata e thirrën Ibne Degnën dhe i thanë: “Ne kishim pranuar dhe njohur mbrojtjen tënde për Ebu Bekrin vetëm me kushtin që ai të adhuronte brenda shtëpisë së tij, por ai e ka shkelur këtë kusht. Ai ka filluar të adhurojë dhe të lexojë Kuran haptazi në oborrin e tij. Kemi frikë se ai do të shkaktojë telashe për djemtë dhe gratë tona. Shko tek ai dhe thuaji se nëse pranon, le të bëjë adhurimet brenda shtëpisë së tij, por nëse ai këmbëngulet për t’i bërë ato publikisht, atëherë kërkoji që të të dorëzojë mbrojtjen. Nuk na vjen mirë të ndërhymë në besën që i ke dhënë, por as nuk mund të lejojmë kurrsesi të falet publikisht.”

Hazret Aishja r.a. përcjell se Ibn Degna erdhi te Hazret Ebu Bekri r.a. dhe i tha: “Ju e dini se mbi çfarë kushtesh jam zotuar për t’ju dhënë mbrojtjen time? Prandaj, ose përmbajuni atyre kushteve, ose më ktheni mbrojtjen time. Nuk dua që njerëzit të më thonë se kam qenë i pabesë ndaj personit që ishte nën mbrojtjen time.” Hazret Ebu Bekri r.a. i tha se ai tani menjëherë i kthente mbrojtjen e tij, dhe në vend të saj ka zgjedhur mbrojtjen e Allahut.

Në lidhje me xhaminë që kishte bërë Hazret Ebu Bekri r.a. në oborrin e tij, është përmendur në “Umdetul Kari”, i cili është shpjegimi i Sahih el-Buhariut  se kjo xhami shtrihej brenda mureve rrethuese të shtëpisë dhe qe xhamia e parë në Islam.

Hazret Musleh Ma’udi r.a. shkruan:“Hazret Ebu Bekri r.a. ishte një person i tillë që i gjithë qyteti i Mekës i detyrohej atij. Gjithçka që kishte fituar në jetë, e shpenzonte në lirimin e skllevërve. Njëherë Ebu Bekri r.a. u nis nga Meka, për t’u shpërngulur diku tjetër. Rrugës ai takoi udhëheqësin (e një fisi), i cili e pyeti se ku po shkonte. Hazret Ebu Bekri r.a. iu përgjigj se tani ai nuk ndiente i sigurt në këtë qytet dhe për këtë arsye po mërgonte. Udhëheqësi i tha: “Nëse një person kaq i devotshëm si ju largohet, ky qytet me siguri do të shkatërrohet krejt. Unë ju siguroj mbrojtjen time, e ju lutem që të mos largoheni nga ky qytet.” Hazret Ebu Bekri r.a. pranoi këtë propozim dhe kaloi nën mbrojtjen e tij. Tani kur Hazret Ebu Bekri r.a. zgjohej në mëngjes e recitonte Kuranin, gratë dhe fëmijët i dëgjonin fjalët duke qëndruar pas murit. Ai kishte një zë mallëngjyes që i prekte thellë në zemër. Meqenëse Kurani është në gjuhën arabe, të gjithë i kuptonin fjalët dhe mallëngjeheshin duke e dëgjuar. Kur u përhap kjo fjalë në Mekë, krerët i zuri frika se i gjithë qyteti do të devijohej nga feja e tyre.

Një fenomen i ngjashëm mund të vihet re edhe në ditët e sotme në rastin e ahmedianëve, e veçanërisht në Pakistan. Kundërshtarët kanë frikë që nëse njerëzit i shohin ahmedianët duke u falur dhe duke lexuar Kuranin, ata mund të dalin nga feja. Si rrjedhojë, ata kanë sanksionuar ligje drakoniane kundër ahmedianëve nëse kapen duke u falur ose duke lexuar Kuranin.

“Njerëzit shkuan te udhëheqësi në fjalë dhe e pyetën pse i kishte dhënë mbrojtje Ebu Bekrit r.a.? Ky udhëheqës shkoi te Ebu Bekri r.a. dhe i tha se ai nuk duhet ta recitonte Kuranin në atë mënyrë pasi kjo i shqetëson mekasit. Hazret Ebu Bekri r.a. u përgjigj se ai më mirë të tërhiqte mbrojtjen prej tij, sepse ai nuk mund të bënte një gjë të tillë. Kështu udhëheqësi e tërhoqi mbrojtjen nga Hazret Ebu Bekri r.a..

Syrgjynosja në “Shi’b Ebi Talib”

Hazret Ebu Bekri r.a. qëndroi bashkë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. gjatë periudhës së syrgjynosjes dhe bojkotimit në Shi’b Ebi Talib. Kurejshët e Mekës bënë gjithçka për të ndaluar përhapjen e mesazhit të njëshmërisë së Zotit. Por, kur nuk panë asnjë sukses, ata i ndërprenë të gjitha marrëdhëniet me Benu Hashimin dhe Benu Mutelibin. Hazret Mirza Bashir Sahib r.a. ka një shënim në lidhje me këtë ngjarje, në veprën “Siret Khatemun Nebijin”. Ai shkruan:

“Si një masë vendimtare e konkrete, Kurejshët vendosën njëzëri ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe me pjesëtarët e fiseve Benu Hashim dhe Benu Mutelib. Nëse këto fise do të vazhdonin ta mbronin të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., ato do të syrgjynoseshin në një vend për t’u rrënuar në internim. Për të zbatuar këtë vendim, në Muharrem, të vitit 7 pas shpalljes së profetësisë, u nënshkrua një marrëveshje që askush nuk lejohej të martohej me dikë nga Benu Hashimi apo Benu Mutelibi. Po ashtu do të zbatohet një embargo e plotë tregtare duke mos lejuar asnjë shitblerje me ta. Nuk do të tolerohet as furnizimi i të internuarve me ndonjë ushqim. Pra, ata duhet të bojkotohen në mënyrë të drejtpërdrejtë”.

Në ditët e sotme, e njëjta sjellje zbatohet edhe ndaj disa ahmedianëve. Më tej thuhet:

“Kjo sjellje duhet të vazhdojë derisa ata të distancohen plotësisht nga Muhammedi s.a.v.s.  dhe t’ua dorëzojnë atë krerëve kurejshë’. Përveç kurejshëve, këtë marrëveshje e përkrahnin edhe fiset e Benu Kenanës. Të gjithë udhëheqësit kryesorë nënshkruan këtë kontratë dhe më pas ajo u var në murin e Qabesë si një dekret shtetëror. Kështu, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. së bashku me Benu Heshimët dhe Benu Mutalibit, qofshin ata muslimanë apo jobesimtarë ishin rrethuar në Shi’b Ebi Talib (me përjashtim të Ebu Lehebit, xhaxhait të Profetit s.a.v.s. i cili u ishte bashkuar kurejshëve për shkak të armiqësisë së tij). Shi’b Ebi Talibi ishte si një grykë mali. Në këtë mënyrë, dy fise të mëdha mekase u përjashtuan plotësisht nga jeta shoqërore dhe u internuan si të burgosurit në Shi’b Ebi Talib, i cili ishte prona e Benu Hashimit. Në atë kohë, të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. e shoqëronin edhe ata pak muslimanë që jetonin në Mekë. Hazret Ebu Bekri r.a. i qëndroi në krah të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. edhe në këto kohë të vështira.

Hazret Shah Veliullah r.a. thotë: Kur kurejshët u pajtuan për të përndjekur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., ata hartuan një marrëveshje. Edhe në këtë gjendje, Hazret Ebu Bekri r.a. nuk e la Profetin s.a.v.s.. Ebu Talibi ka shkruar vargje vijuese për këtë kohë e për këto rrethana:

هُمْ رَجَعُوا سَهْلَ ابْنُ بَيْضَاءَ رَاضِيًا

فَسُرَّ أَبوُ بَكْرِ بِهَا وَ مُحَمَّدُ

Kur ata e kthyen Sehel ibn Bezën, në gjendje gëzimi, kjo i bëri të lumtur Muhammedin (s.a.v.s) dhe Ebu Bekrin r.a.. Ebu Talibi kishte thënë këto vargje në një gjendje gëzimi, kur kurejshët e Mekës kishin shpallur përfundimin e syrgjynosjes së tyre.

Profecia e Kuranit për fitoren e romakëve ndaj persianëve

Në lidhje me profecinë e Allahut, se

الٓمٓ ‎ꙮ غُلِبَتِ ٱلرُّومُ ꙮ‏ فِىٓ أَدْنَى ٱلْأَرْضِ 

ka një transmetim nga Hazret Ibn Abbasi r.a., i cili ka thënë ghulibet ose ghalebet. Idhujtarët e Mekës donin që persianët të triumfonin mbi romakët, sepse ata dhe persianët ishin idhujtarë, ndërkohë  muslimanët, nga ana tjetër, donin që romakët të arrinin fitore mbi persianët, pasi ishin ithtarët e librit. Idhujtarët e Mekës kishin folur me Hazret Ebu Bekrin r.a. mbi këtë çështje, ndërsa Hazret Ebu Bekri r.a. kishte biseduar me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. i cili u shpreh: “ata me siguri do të triumfojnë”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. I tha Hazret Ebu Bekrit: “Caktoni një afat midis nesh dhe idhujtarëve. Nëse ne fitojmë, do të marrim këto shpërblime dhe nëse fitojnë ata, atëherë do t’i marrin këto shpërblime.” Ata vënë bast për këtë çështje dhe ranë dakord për një periudhë pesëvjeçare. Megjithatë, mbaroi periudha, por ata nuk mundën të fitonin bastin. Hazret Ebu Bekri r.a. ia përmendi këtë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ku dhe ai i tha: “Pse nuk kërkuat një afat më të gjatë?” Transmetuesi thotë: “Unë besoj se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. donte një afat 10 vjeçar”. Ky transmetim është marrë nga Tirmidhiu.

Në një transmetim nga Sahih Buhariu përmenden katër profeci të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. të cilat ishin përmbushur në mënyrë madhështore. Një prej këtyre profecive është në lidhje me fitoren e romakëve. Mesruku ka përcjellë se ai ndodhej në kuvendin e Hazret Abdullah ibn Mesudit r.a. i cili tha: “Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vuri re se njerëzit po përfillin thirrjen e Islamit, ai u lut : “O Allah! Godite këtë popull me një thatësirë shtatëvjeçare, ashtu siç i kishe bëre në kohën e Jusufit”. Kështu, i zuri një thatësire që zhduku pothuaj çdo gjë, derisa populli mekas u detyrua të ushqehej me lëkurë ngordhësirash dhe cofëtina të kalbura. Gjendja ishte kaq tragjike, saqë nëse dikush ngrinte sytë nga qielli, për shkak të urisë, i dukej vetëm tymnaja.”

Në këtë transmetim janë përmendur katër profeci dhe kjo profeci e thatësirës është njëra prej tyre. Ebu Sufjani erdhi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s., dhe i tha: “O Muhammed (a.s)! Ju gjithmonë jepeni porosi për t’iu bindur Zotit dhe për t’u sjellë me dhembshuri ndaj farefisit. Ja shikoni, popullit tuaj i ka rënë një gjëmë e madhe. Ju përgjërohemi, bëni lutje për shpëtimin e tyre. Allahu i Madhërishëm kishte shpallur “Prite atë ditë, kur qielli do të lëshojë tym të qartë. Edhe sikur t’i shpëtojmë nga dënimi, ata me siguri do të përsërisin gabimin e tyre. Atë ditë, ne do të hakmerremi dhe do t’i godasim ata me forcën më të madhe.”

Kjo dita e hakmarrjes ishte dita e Bedrit. Po ashtu janë përmbushur edhe profecitë e tjera. P.sh. dënimi me tym, ndëshkimi i ashpër, profecia e “Lizames” dhe parashikimi rreth Romës.

Në lidhje me interpretimin e këtij hadithi, Alama Bedrudin Ajni shkruan se gjatë kohës që zhvillohej lufta midis romakëve dhe persianëve,

Kur populli i Persisë dhe populli i Romës u përplasën me njëri-tjetrin, muslimanët ishin në favor të një fitoreje romake mbi persët, pasi romakët bënin pjesë në ithtarët e librit. Kurejshët ishin në favor të një fitoreje të persëve ndaj romakëve, pasi Persianët ishin Zoroastrian dhe mosbesimtarët Kurejshë ishin gjithashtu idhujtarë. Për këtë çështje u vendos një bast midis Hazret Ebu Bekrit r.a. dhe Ebu Sufjanit. Ata u pajtuan për të caktuar një afat, prej disa vitesh. Megjithatë kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Mësoi këtë, ai i tha: “Aty është përdorur fjala بِضع bid-un e cila i referohet një periudhe 9 apo 7 vjeçare. Kështu që zgjatni afatin”. Hazret Ebu Bekri ­r.a. ndoqi shembullin e Profetit s.a.v.s. dhe në fund, romakët shënuan fitore mbi persianët.

Allahu tha:

الٓمٓ ‎ꙮ‏ غُلِبَتِ ٱلرُّومُ‎ꙮ‏ فِىٓ أَدْنَى ٱلْأَرْضِ وَهُم مِّنۢ بَعْدِ غَلَبِهِمْ سَيَغْلِبُونَꙮ‏ فِى بِضْعِ سِنِينَ ۗ لِلَّهِ ٱلْأَمْرُ مِن قَبْلُ وَمِنۢ بَعْدُ ۚ وَيَوْمَئِذٍ يَفْرَحُ ٱلْمُؤْمِنُونَꙮ‏ بِنَصْرِ ٱللَّهِ ۚ

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit. Elif. Lam. Mim. أنَا اللہُ أعۡلَمُ Unë jam Allahu, më i Dijshmi. U mundën romakët; në një tokë të afërt; dhe pas mundjes së tyre, ata patjetër do të triumfojnë; brenda disa vitesh. Sundimi është i Allahut edhe më parë, edhe më pas. Atë ditë do të gëzohen edhe besimtarët (për shkak të fitores së tyre), me ndihmën e Allahut. (Kurani Famëlartë 21:2-6)

Shu’bi ka shkruar që në atë kohë vënia e bastit ishte lejuar. Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. ka shkruar:

“Përpara Islamit e madje në periudhën e parë të Islamit, perandoritë më të fuqishme që gëzonin sundimin më të gjerë në botë ishin perandoritë persiane dhe romake. Të dy ishin afër Arabisë. Perandoria Persiane ishte në verilindje dhe ajo romake në veriperëndim të Arabisë. Meqenëse këto fuqi të mëdha kufizoheshin me njëra-tjetrën, herë pas here plaste ndonjë konflikt apo luftë të përgjakshme midis tyre. Edhe në atë kohë, të dyja fuqitë e mëdha ishin përfshirë në një konflikt. Perandoria persiane dominonte në këto konflikte dhe kishte pushtuar disa nga territoret e çmuara nga romakët. Ky dominim zgjati për një kohë të gjatë. Duke qenë se kurejshët e Mekës ishin idhujtarë dhe feja e persianëve ishte pothuaj e ngjashme me ta, ata festonin fitoret e Persisë dhe gëzoheshin pamasë. Në anën tjetër, muslimanët shprehnin simpatinë për romakët sepse Perandoria Romake ishte e krishterë dhe duke qenë të krishterë dhe duke pasur lidhje me Hazret Mesihun a.s., ata ishin më pranë muslimanëve sesa popujt paganë a idhujtarë. Në këto rrethana i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mori një shpallje nga Allahu i Madhërishëm dhe ai paralajmëroi që ndonëse tani Romakët janë mposhtur nga persianët por së shpejti ata do të mbizotërojnë Persinë dhe ajo do të jetë një ditë gëzimi për besimtarët.

Pas kësaj profecie, muslimanët dhe në veçanti Hazret Ebu Bekri bëri një lajmërim në Mekë se Zoti ynë na ka njoftuar se Roma do të mbizotërojë Persinë. Kurejshët i thanë: “Nëse kjo profeci është e vërtetë, duhet të vëmë bastin. Deri në atë kohë, bastet nuk ishin ndaluar në Islam, prandaj Hazret Ebu Bekri r.a. e pranoi këtë propozim. Krerët e Kurejshëve dhe Hazret Ebu Bekri r.a. vënë bastin për disa deve, ndërsa periudha e afatit për përmbushjen e kësaj profecie, u caktua të ishte gjashtë vjet. Megjithatë, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mësoi për këtë bast, ai tha: “Nuk duhet të kishit caktuar afatin gjashtëvjeçar. Allahu ka përdorur fjalën بِضْعِ سِنِينَ bid’i sinine, të cilat përdoren në gjuhën arabe për një periudhë prej tri deri në nëntë vjet.

Kjo ngjarje kishte ndodhur kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte ende në Mekë dhe ende nuk kishte emigruar në Medine. Shumë shpejt lufta mori një kthesë të papritur brenda kornizës kohore dhe në një kohë të shkurtër Roma mundi Persinë dhe ripushtoi të gjithë territorin e saj. Kjo ngjarje pra fitorja e Romakëve kishte ndodhur pas hixhretit.

Hazret Musleh Ma’udi r.a. ka shkruar për këtë profeci, si në vijim:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte ende në Mekë kur u përhap lajmi në Arabi se iranianët i kishin mundur romakët. Mekasit ishin shumë të lumtur për këtë fitore, pasi iranianët ishin politeistë njësoj si ata. Ata menduan se fitorja iraniane ndaj romakëve ishte një ogur i mirë. Sipas tyre, kjo ishte një shenjë se edhe mekasit do të mbizotërojnë Profetin Muhammed s.a.v.s.. Kjo ishte ideja e tyre, por Zoti e lajmëroi të Dërguarin e Tij s.a.v.s. dhe i shpalli këto ajete:

الٓمٓ ꙮ‏ غُلِبَتِ ٱلرُّومُꙮ فِىٓ أَدْنَى ٱلْأَرْضِ وَهُم مِّنۢ بَعْدِ غَلَبِهِمْ سَيَغْلِبُونَꙮ‏ فِى بِضْعِ سِنِينَ ۗ 

“Padyshim që Romakët kanë pësuar humbje në territorin sirian, por mos e konsideroni atë si një disfatë përfundimtare. Sepse pas mposhtjes, romakët sërish do të rimarrin epërsinë brenda nëntë vjetësh”.

Kur u shpall kjo profeci, mekasit përqeshën dhe u tallën me muslimanët, madje mosbesimtarët vënë baste për 100 deve me Hazret Ebu Bekrin r.a.. Ata thanë se nëse romakët rifitojnë territoret e tyre si dhe epërsinë e humbur pas një disfate kaq të thellë, ne do t’ju japim 100 deve. Por nëse nuk është kështu, ju duhet të na jepni 100 deve. Përmbushja e kësaj profecie, duke i marrë parasysh rrethanat, dukej gjithmonë e pamundshme.  Pas disfatës në Siri, romakët pësuan humbjet e njëpasnjëshme dhe u tërhoqën gjithnjë e më shumë derisa Persianët arritën në brigjet e Mesdheut. Kostandinopoja ishte shkëputur nga territoret e saj aziatike dhe Perandoria e madhe Romake ngjante thjesht si një principatë e vogël. Por fjala e Allahut duhej të përmbushej dhe ajo u përmbush në mënyrë të shkëlqyer. Në një gjendje skajshmërisht dëshpëruese, perandori romak vendosi të bënte një sulm të fundit me trupat e tij. Ai marshoi nga Kostandinopoja drejt persëve dhe në bregun aziatik ai zhvilloi një betejë vendimtare kundër persianëve. Ushtarët romakë, shumë më pak në pajisje dhe numër, i mundën iranianët sipas shpalljes së Kuranit. Persianët u tërhoqën përsëri në territoret e tyre, në mënyrë që më pas të mos i kalonin më kufijtë e tyre. Vendet aziatike dhe afrikane kaluan përsëri në duart e romakëve.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkruan: “Kur Ebu Bekr es-Sidiku r.a. vuri bast me Ebu Xhehlin në bazë të profecisë së Kuranit Famëlartë, në të cilën Allahut thotë:

الٓمٓ ꙮ‏ غُلِبَتِ ٱلرُّومُꙮ فِىٓ أَدْنَى ٱلْأَرْضِ وَهُم مِّنۢ بَعْدِ غَلَبِهِمْ سَيَغْلِبُونَꙮ‏ فِى بِضْعِ سِنِينَ ۗ 

Në fillim, ata ishin pajtuar për një afat 3 vjeçar për përmbushjen e kësaj profecie, por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. duke parë fjalët e profecisë, me largpamësi e porositi Ebu Bekrin për të ndryshuar disi kushtet e bastit. Ai i tha Ebu Bekr es-Sidikut se fjalët بِضْعِ سِنِينَ bid’i sinin janë përdorur alegorikisht dhe në përgjithësi përfshijnë afatin deri në 9 vjet.

Mbështetja e Hazret Ebu Bekrit në pëcjelljen e Islamit në fise e tjera

Kur Allahu i Madhërishëm vendosi që feja e Tij të mbizotërojë, t’i dhurojë të Dërguarit të Tij nder dhe pozitë të lartë dhe të përmbushte premtimin e Tij, doli i Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjatë ditëve të Haxhit dhe takoi fiset Aus dhe Hazrexh të Ensarëve. Ashtu siç bënte çdo vit gjatë ditëve të Haxhit, Ai priti mysafirët dhe u prezantua para tyre.

Në një hadith të përcjellë nga Hazret Ali ibn Ebu Talibi r.a. përmendet se “kur Allahu i Lartësuar e urdhëroi të Dërguarin e Tij s.a.v.s. të prezantohej para fiseve arabe, Hazret Ebu Bekri r.a. dhe unë e shoqëruam Profetin e Shenjtë s.a.v.s. në Mina derisa iu afruam kuvendit të një fisi arab. Hazret Ebu Bekri r.a., i cili ishte njohësi i mirë i gjenezës së fiseve, doli përpara. Ai pyeti: Nga cili fis jeni ju? Ata u përgjigjën: “Nga fisi Rabije.” Hazret Ebu Bekri r.a. pyeti sërish: “Nga cila degë e Rabijes?” Ata thanë: “Nga Zuhli.” Më pas dolëm nga Ausi e Hazrexhi. Ishin pikërisht këto fise, të cilëve i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kishte dhënë titullin “Ensar” sepse kishin pranuar t’i jepnin atij strehim dhe mbështetje”. Hazret Aliu r.a. shton: “Para se të largoheshim prej tyre, disa prej tyre lidhën betimin për besnikëri me Profetin s.a.v.s..

Një transmetim tjetër na tregon se Hazret Aliu r.a. përcjell: “Kur Allahu i Lartësuar e urdhëroi të Dërguarin e Tij s.a.v.s. që ai të prezantohej para fiseve të Arabisë, ai shkoi për këtë qëllim. Hazret Ebu Bekri r.a. dhe unë e shoqëronim atë. Njëherë mbërritëm në një kuvend, që dallohej nga qetësia dhe mirësjellja. Ata ishin njerëz me cilësi dhe dinjitet të madh. Hazret Ebu Bekri r.a. i pyeti ata: “Nga cili fis jeni?” Ata thanë: “Ne jemi nga Benu Sha’ban ibn The’liba.” Hazret Ebu Bekri r.a. iu drejtua Profetit të Shenjtë s.a.v.s. dhe tha: “Prindërit e mi u flijofshin për ju! Nuk ka njerëz më të nderuar se këta në fisin e tyre.” Midis tyre ishin Mefruk ibn Amri, Musana ibn Haritha, Hani ibn Kabisa dhe Numan ibn Sheriku. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u lexoi këtë ajet:

قُلْ تَعَالَوْا أَتْلُ مَا حَرَّمَ رَبُّكُمْ عَلَيْكُمْ ۖ أَلَّا تُشْرِكُوا بِهِ شَيْئًا ۖ وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا ۖ وَلَا تَقْتُلُوا أَوْلَادَكُمْ مِنْ إِمْلَاقٍ ۖ نَحْنُ نَرْزُقُكُمْ وَإِيَّاهُمْ ۖ وَلَا تَقْرَبُوا الْفَوَاحِشَ مَا ظَهَرَ مِنْهَا وَمَا بَطَنَ ۖ وَلَا تَقْتُلُوا النَّفْسَ الَّتِي حَرَّمَ اللَّهُ إِلَّا بِالْحَقِّ ۚ ذَٰلِكُمْ وَصَّاكُمْ بِهِ لَعَلَّكُمْ تَعْقِلُونَ 

Thuaju: Ejani t’ju lexoj atë që ju ka ndaluar Zoti juaj: asgjë mos barazoni me Të dhe (ju obligoi) mirësinë ndaj prindërve; mos vritni fëmijët tuaj nga frika e skamjes, Ne ju ushqejmë edhe ju, edhe ata; mos iu afroni paturpësive, as të dukshmes e as të padukshmes së tyre; dhe mos vritni asnjë njeri që ka ndaluar Allahu, përveçse me drejtësi! Kjo është ajo që ju ka porositur Ai, që ju të punoni me mend. (6:152)

Pastaj Mefruku tha: “Këto fjalë nuk janë nga njerëzit e tokës. Po të ishin fjalët e tyre, ne me siguri do t’i kishim ditur.” Pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. recitoi këtë ajet:

إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُ بِالْعَدْلِ وَالْإِحْسَانِ وَإِيتَاءِ ذِي الْقُرْبَىٰ وَيَنْهَىٰ عَنِ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنْكَرِ وَالْبَغْيِ ۚ يَعِظُكُمْ لَعَلَّكُمْ تَذَكَّرُونَ

„Sigurisht, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe dashamirësinë si ajo që u tregohet të afërmve, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju të reflektoni.“ (16:91)

Pasi i dëgjoi këto fjalë, Mefruku tha: “O vëllai im kurejsh! Ju me siguri na keni thirrur në virtyte të larta dhe vepra të mira. Sigurisht, një popull i cili ju ka përgënjeshtruar dhe ka bashkëpunuar me të tjerët kundër jush, është gënjeshtar i madh.” Musanna tha: “O vëllai ynë nga Kurejshët! Ne i kemi dëgjuar fjalët tuaja. Me të vërtetë, keni bërë një bisedë të shkëlqyer dhe fjalët tuaja më kanë mahnitur. Por ne kemi një marrëveshje me Khosraun, sipas së cilës ne nuk do të bëjmë asgjë të re, as nuk do ta mbështesim atë që sjell diçka të re. Ndoshta, ajo për të cilën, ju po na bëni thirrje, është çështja që edhe mbretërit nuk e pranojnë. Nëse dëshironi që ne t’ju ndihmojmë kundër banorëve të Arabisë dhe t’ju mbrojmë, atëherë ne pajtohemi për këtë.” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha: “Nuk ka asgjë të keqe në përgjigjen tuaj, sepse ju e keni thënë të vërtetën në mënyrë të qartë. Vetëm ai mund të rrijë i palëkundur në fenë e Allahut, të cilin Ai e ka rrethuar nga çdokush.” Pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kapi dorën e Hazret Ebu Bekrit, dhe u ngrit e u largua.

Sipas një hadithi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kishte thënë gjithashtu: “Si mendoni nëse Allahu ju bën trashëgimtar të tokës së Kisrasë brenda një kohe shumë të shkurtër dhe gratë e tyre të kalojnë në zotërimin tuaj, a do të madhështoni dhe lavdëroni atëherë Allahun?” Kur ai e dëgjoi këtë, tha: “O Zot! Ne jemi gati”. Pra, ai u betua në këtë mënyrë. Tani shikoni fuqinë e Zotit se fjalët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. u përmbushën germë për germë. Ky është Musanna ibn Haritha, i cili për shkak të frikës së Kisrasë, në fillim po ngurronte të pranonte Islamin, por në periudhën e kalifatit të Hazret Ebu Bekrit r.a., ishte bërë kryekomandanti i ushtrisë muslimane, i cili do të përmbyste pushtein e Kisrasë dhe do të bëhej pishtari i profecive profetike.

Po ashtu, ekziston një hadith nga koha e haxhit, sipas të cilit:  “Kur fisi Bekr ibn Vaili erdhi në Mekë për të bërë haxhin, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s) i tha Hazret Ebu Bekrit r.a.: Shko te këta njerëz dhe prezanto mua para tyre”. Pra, Hazret Ebu Bekri t’u bënte thirrje për Islam dhe t’u shpjegonte deklaratat e tij rreth profetësisë. Hazret Ebu Bekri r.a. shkoi te ata njerëz dhe e prezantoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. para tyre dhe pastaj Profeti (a.s) u përcolli mesazhin e Islamit.

Pjesa tjetër do të përmendet më vonë. In-sha-Allah.

Thirrje për lutje

Sot do të dëshiroja të bëja një thirrje për lutje për ahmedianët që jetojnë në Afganistan. Ata po kalojnë vështirësi të mëdha e madje disa janë arrestuar gjithashtu. Gratë dhe fëmijët janë në rrethana shumë të vështira dhe janë në gjendje ankthi në shtëpitë e tyre. Edhe burrat që ende nuk janë arrestuar, janë larguar nga shtëpitë e tyre. Ata janë pastrehë dhe i frikësohen arrestimit në çdo çast. Allahu ua lehtësoftë hallet dhe ua largoftë çdo vështirësi! Po ashtu lutuni për ahmedianët në Pakistan. Rrethanat atje në përgjithësi nuk janë të mira. Atje, diçka ndodh gjithmonë diku dhe kanë njerëz që duan t’u shkaktojnë dëm ahmedianëve. Gjithashtu lutuni në përgjithësi që Allahu të mundësojë botën që të njohë Mesihun e Premtuar a.s., Lutuni që Allahu të zhdukë çdo të keqe dhe bota të kuptojë të vërtetën rreth Krijuesit të saj.

Përmendja e disa të vdekurve

Pas kësaj do të përmend disa nga të vdekurit, namazin e xhenazes së tyre në mungesë do të udhëheq më vonë.

  1. I ndjeri Haxhi Abdurrahman Ainin Sahib 

I ndjeri ishte ish-sekretar i Çështjeve të Brendshme dhe Përgjegjës i Xhelsa Salanës në Xhematin e Ganës. Ai ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare. إِنَّا لِلّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعونَ Vërtet ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi. Të dy prindërit e tij ishin ahmedianë, të cilët kishin pranuar Ahmedijen. Ai kishte ndjekur arsim të lartë në Egjipt dhe më pas filloi jetën profesionale atje. Më vonë ai u kthye në Ganë dhe nisi punën si menaxher në kompani të ndryshme. Më pas ai punoi edhe në Nigeri për një kohë. Pastaj hapi kompaninë e tij, ku punonte vetë si menaxher operacionesh.

Ai ishte një person shumë i devotshëm dhe i përulur. Ai pati mundësinë të kontribuonte në mënyrë shembullore në Xhemat. Gjatë gjithë jetës, ai i dha epërsi çështjes së fesë, mbi çështjet personale. Ai shërbeu në xhemat në cilësi dhe detyra të ndryshme. Bindjen ndaj kryetarit të Xhematit, e konsideronte nder dhe gjithmonë mundohej të zbatonte porositë e tij. Shpeshherë ai vinte në qendrën e xhematit në mëngjes dhe takohej me Kryetarin e Xhematit. Ai e pyeste nëse kishte ndonjë detyrë për ta realizuar, dhe nëse kishte diçka, ai fillimisht e realizonte detyrën, dhe më pas shkonte në punë. Ai kishte shërbyer si President i Xhematit për Rajonin Akra e Madhe për një kohë të gjatë. Pastaj nga viti 1989 deri në vitin 1998 ai ishte Kryetar i Mexhlis Ensarullahut. Më pas ai shërbeu si sekretar i Umure-Aama [Çështjeve të Përgjithshme] për një kohë të gjatë. Më pas ai pati mundësinë të shërbente si kryetar i Xhelsa Salanës. Në momentin e vdekjes, ai shërbente si menaxher i aseteve kombëtare të Xhematit.

I ndjeri ishte gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar të tjerët. Ai ishte shumë bujar dhe bujaria e tij nuk ishte e kufizuar vetëm me familjen e tij, por shtrihej përtej të afërmve deri te fqinjët e lagjes, pa marrë parasysh bindjet e tyre fetare. Ai ishte një shërbëtor besnik dhe vetëmohues i Kalifatit. Ai u jepte epërsinë gjithmonë interesave të Xhematit, mbi interesat e tjera, dhe nuk merrte parasysh ndonjë kundërshtim në këtë çështje. Namazin e Tehaxhudit e falte rregullisht dhe gjithmonë e mbronte madje edhe gjatë udhëtimit. I ndjeri ishte pjesëtar i sistemit të Testamentit, dhe paguante rregullisht kontributet e tij.

Përveç bashkëshortes, ai ka lënë pas 5 djem dhe 5 vajza. Hafiz Mubashir Ahmedi, një ndër misionarët e Ganës ka shkruar: “Ai ishte largpamës dhe zotëronte urtësi të thellë. Ai ishte fjalëkursyer, por gjithmonë fliste me logjikë. E kapte menjëherë thelbin e çështjes. Një herë, gjatë një mbledhjeje bordi, të gjithë jepnin opinionin e tyre për një çështje që ishte nën shqyrtim. Ai dëgjoi secilin me heshtje, por kur i erdhi radha, tha se derisa Kalifi i Kohës ka marrë vendimin për këtë çështje, nuk kishte nevojë që ajo temë të diskutohej. Derisa vendimi ka ardhur nga kalifi i kohës, atëherë nuk ka kuptim që ajo të debatohet, përkundrazi duhet t’i bindemi plotësisht.” Allahu i Madhëruar ka bekuar këtë xhemat me njerëz të tillë besimtarë edhe në zona të largëta.

  1. I ndjeri Ezjab Ali Muhammed el-Xhibali

Ezjab Muhammed Ali el-Xhibali, ka ndërruar jetë ditët e fundit. إِنَّا لِلّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعونَ Vërtet ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi. Ai ishte anëtar i Xhematit në Jordani. Presidenti i Xhematit të Jordanisë shkruan: “I ndjeri kishte bërë Bejatin në vitin 2010 dhe ishte i vetmi ahmedian në rajonin e tij. Sipas zakoneve dhe traditës vendase, bashkëshortja e të ndjerit gjithashtu kishte pranuar besimin e bashkëshortit, kështu që edhe ajo u bë ahmediane.” Ai vazhdon duke thënë: I ndjeri besonte aq thellë në Mesihun e Premtuar a.s., Ahmedijatin dhe Kalifatin saqë “Përkundër kundërshtimit të ashpër nga të afërmit dhe kundërshtarët e tjerë, për shkak të Ahmediatit, ai mbeti një shembull i shkëlqyer i qëndrueshmërisë. Ai kishte shumë sedër për çështjen e ahmediatit dhe Kalifatit dhe i mbronte ato fuqimisht.

I ndjeri kishte një dëshirë të zjarrtë për të mësuar dhe për të bërë teblig. Ndonjëherë ai telefononte natën vonë për të pyetur për disa çështje dhe kështu organizonte takime tablighe në shtëpinë e tij me praniëve e të afërmve apo të kundërshtarëve. I ndjeri vuante nga diabeti dhe kjo sëmundje e mundonte shumë dhe në fund ishte dhe vdekjeprurëse për të. Gjatë kësaj sëmundjeje, disa nga të afërmit e tij, i thoshin se ai kishte përfunduar në këtë gjendje për shkak të Ahmediatit. “Nëse largohesh nga Ahmediati, ne do të dëshmojmë në favorin tënd në ditën e kiametit.” Kjo e shtynte për të bërë më shumë lutje përgjëruese se “O Zot! Më mundëso të vdes duke qenë musliman ahmedian”.

  1. I njderi Din Muhammed Shahid

Tani dua të përmend të nderuarin z. Din Muhammed Shahid i cili ishte një Murabbi në pension i cili tashmë jetonte në Kanada. Ai ka ndërruar jetë ditët e fundit në moshën 92-vjeçare. إِنَّا لِلّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعونَ  Vërtet ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi. Familja e të ndjerit ishte njoftuar me xhematin përmes babait të tij, i cili bëri Bejat [betimin e besnikërisë] në 1938. Në vitin 1940 babai i të ndjerit e çoi atë në Xhelsa Salana Kadijan.

I impresionuar nga atomosfera intelektuale dhe shpirtërore e Kadijanit, dhe duke parë pasionin e të birit për arsimimin, babai i të ndjerit e la atë nën kujdesjen e Hazret Mir Muhammed Ish’ak Sahibit (ra) në Kadian. I ndjeri ishte 11 vjeç dhe mori arsimin e parë në Kadijan. Në vitin 1953, ai mbrojti gradën “Shahid” nga istituti telogjik “Xhamia Ahmedia” dhe shërbeu si Murabi në qytete të ndryshme të Pakistanit. Ai shërbeu si kryemisionar ishujt Fixhi për 3-4 vjet. Në Rabvah, ai shërbeu për një kohë të gjatë si sekretar për shtyp. Krahas 4 librave, ai shkroi gjithashtu kumtime të panumërta shkencore. Ai ishte shumë i apasionuar pas çështjes së Tabligut dhe gjithmonë kërkonte mënyra të reja për të përcjellë thirrjen e Islam-ahmediatit. I ndjeri ishte gjithashtu anëtar i sistemit të testamentit. Përveç bashkëshortes, i ndjeri ka lënë 2 djem dhe 3 vajza.

  1. I ndjeri Mija Rafik Ahmed

Përmendja e radhës është për të nderuarin z. Mija Rafik Ahmed sahibin, i cili ishte punonjës i Zyrës së Xhelsa Salanës. Ai ka ndërruar jetë ditët e fundit në moshën 87-vjeçare. إِنَّا لِلّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعونَ Vërtet ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.

Babai i të ndjerit quhej Mija Bashir Ahmed Sahibi. Familja e të ndjerit ishte shpërngulur në Kueta, Pakistan, shumë kohë para ndarjes së Indisë. Babai i të ndjerit shërbeu si Amir i Xhematit Kuetta. Familja e të ndjerit ishte njoftuar me xhematin nëpërmjet gjyshit të tij nga babai, Hazret dr. Abdullahu r.a., sahabiu i Mesihut të Premtuar (a.s).

Në vitin 1960, Mija Rafik Ahmedi mori titullin baçelor në inxhinierinë mekanike. Ai punoi në institucione të ndryshme dhe pastaj emigroi në Tanzani dhe jetoi rreth 10 vjet atje. Krahas punës në një kompani, i ndjeri jepte edhe mësim në shkollë. Ai gjithashtu shërbente si Sekretar i Financës në Xhematin Tenzania. Në vitin 1986, ai filloi të shërbente në zyrën e Xhelsa Salanës si Vakëf Ardi [dedikim i përkohshëm]. Më pas në vitin 1987, ai nisi të punonte si nëpunës në zyrën e Xhelsa Salanës. Më vonë, në vitin 1989 ai dedikoi jetën në shërbim të fesë dhe filloi të shërbente në sektorin teknik si përgjegjës për çështjet teknike në zyrën e Xhelsa Salanës Rabvah. I ndjeri qëndroi në këtë detyrë deri në frymën e fundit.

Martesa e të ndjerit ishte realizuar me ndërmjetësimin e Hazret Kalifatul Masih III r.a. dhe Hazret Mevlana Ebul-Ata Sahibi kishte shpallur Nikahun e tij. Allahu e bekoi me 3 djem dhe një vajzë. Djali i tij shkruan: “Nëse ndonjëherë dikush thoshte diçka të pahijshme për Kalifatin, ai menjëherë ndërhynte dhe e ndalonte nga fjalë të tilla. Ai kishte një dashuri të pakufishme për Kalifatin. Njëherë, dikush nga familja apo ndonjë mysafir i tha: “Banesa që i ishte dhënë nga Xhemati ishte shumë e vogël. Nëse do, mund t’i jepej atij një banesë më e madhe.” Ai i tha: “Edhe nëse Xhemati më strehon në një tendë, unë jam më së i kënaqur. Unë do të jetoj në të pa teklif, dhe nuk do të bëj asnjë kërkesë.” Pastaj djali i tij shkruan: “Pas vdekjes së babait tonë, ne mësuam për virtytin e tij, se ai u ndihmonte fshehurazi disa të varfërve.” Ndërsa, djali i tij i vogël shkruan: “Im ati falte Tehaxhudin rregullisht dhe ushqente një dashuri të veçantë për Kuranin Famëlartë. Ai ishte zemërbutë, i dashur, i përshpirtshëm, i sinqertë dhe posedonte shumë cilësi të tjera. Tek im ati mishëroheshin ndjenjat e bindjes ndaj kalifit të kohës, besnikërisë ndaj Kalifatit dhe përmbushjes së betimit të vakëfit”.

Këtë e kam dëshmuar edhe unë tek ai. Ai ishte një person me një shpirt jashtëzakonisht fisnik, çdo detyrë e përmbushte me përulësi të madhe dhe mundohej t’i përmbushte me besnikëri kushtet e Bej’atit. I ndjeri gjithmonë përpiqej të kursente paratë e Xhematit dhe të arrinte rezultatin më të madh me shpenzime më të vogla të mundshme. Ai gjithashtu projektoi disa makina bukëpjekëse dhe realizoi një punë të jashtëzakonshme në Rabvah.

Më pas ai shkruan: “Në kohë vuajtjesh apo dhimbjesh, unë e shikoja gjithmonë si shëmbëlltyra e durimit dhe trimërisë. Kur kishte ndonjë shqetësim apo pikëllim, shpesh e shihja duke lexuar Kuranin Famëlartë. Ai kurrë nuk ankohej për dhimbjet gjatë sëmundjes e as para se të ndërronte jetë. Ai e kryente çdo detyrë me sinqeritet dhe pasion”.

  1. E ndjera Kanita Zafar 

Përmendja e radhës i përket znj. Kanita Zafar, e cila ishte bashkëshortja e z. Ehsanullah Zafar, ish-kryetari i Xhematit të Amerikës. Ajo ndërroi jetë si pasoja e një aksidenti automobilistik para pak ditësh.  إِنَّا لِلّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعونَ Vërtet ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi. E ndjera ishte lindur në vitin 1941. Babai i së ndjerës ishte gjyqtari Çaudri Adem Aliu dhe gjyshi i saj nga nëna quhej Çaudri Fakir Muhammed, i cili menjëherë pas ndarjes së Indisë, pati mundësinë të shërbente si Nazir Umure-Ama. E ndjera posedonte mjaft virtyte dhe qe një zonjë e buzëqeshur. Ajo gjithmonë kishte një lidhje besnike ndaj Kalifatit dhe shpeshherë ajo dëshmonte për këtë. E ndjera kultivoi një dashuri të thellë për Kuranin Famëlartë. Ajo u përkushtohej të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s) dhe Mesihut të Premtuar a.s., po ashtu përpiqej ta kultivonte këtë dashuri dhe përkushtim te fëmijët e saj. E ndjera ishte gjithashtu pjesëtare e sistemit të Testamentit. Përveç bashkëshortit, ajo ka lënë dy vajza. E ndjera kishte dhe një djalë të ri, i cili kishte vdekur gjithashtu në një aksident rrugor dhe ajo e kishte duruar këtë dhimbje me shumë durim.

Inamul Hak Kauther, është një misionar nga Australia. Ai më ka shkruar për kohën që shërbente në Amerikë: “Kur zhvillohej mësimi i Kuranit Famëlartë, e ndjera merrte pjesë rregullisht dhe vinte duke bërë një udhë të gjatë. Ajo kishte mbrojtur doktoratë, megjithatë kishte thjeshtësi e përulësi në natyrë. Ajo nuk kishte aspak mendjemadhësi apo shtirje. Ajo kujdesej veçanërisht për të lehtësuar gjendjen e të varfërve dhe nevojtarëve. Ajo sillej me misionarët si një nënë e dashur dhe i trajtonte me shumë respekt. Ajo i kryente të gjitha detyrat me shumë përulësi. Ajo shpeshherë u thoshte grave për t’i lënë këpucët në vendin e duhur dhe nëse dikush nuk i bënte, ajo i merrte vetë dhe bënte këtë detyrë. Po ashtu edhe detyrën e pastrimit të xhamisë, e bënte me shumë përulësi.” Ai shkruan: “Ajo nuk kishte asnjë krenari apo mburrje dhe vishej në rroba shumë të thjeshta. Ajo ishte e sjellshme dhe nuk mbante mëri ndaj askujt. Ajo sillej me të gjithë me mirësi, dhe i përgjigjej çdo thirrjeje të Kalifatit.”

Allahu i Madhëruar i mëshiroftë dhe i faltë të gjithë ata që kanë ndërruar jetë! Allahu ua lartësoftë gradat në xhenet dhe u mundësoftë edhe pasardhësve të tyre që të ndjekin gjurmët e tyre!

Lexoni:

Jeta e Hazret Ebu Bekrit r.a.
Si u zgjodh Hazret Ebu Bekri r.a. Kalif?

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp