Jeta e Hazret Ebu Bekrit r.a. | Si e pranoi Islamin?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Hazret Ebu Bekrit r.a. | Si e pranoi Islamin?

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Lindja

Sot fillon përmendja e jetës së Hazret Ebu Bekr es-Siddikut r.a.. Emri i vërtetë i Hazret Ebu Bekrit ishte Abdullah, dhe babai i tij quhej Osman ibn Amir. Nofka e tij prej lidhjes farefisnore ishte Ebu Bekri. Titujt që i atribuoheshin atij ishin “Atiq” dhe “Sidik”. Është transmetuar se ai ka lindur dy vjet e gjashtë muaj pas vitit të elefantit ose 573 vjet pas Krishtit. Emri i Hazret Ebu Bekrit r.a., siç e kam përmendur më herët ishte Abdullahu. Ai i përkiste fisit Kurejsh Benu Taim ibn Murrah.

Familja dhe fisi

Në kohën e xhahilijes (injorancës ose periudhës para-islame) i kishin vënë emrin Abdul Kaba, të cilin i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ndryshoi në Abdullah. Babai i tij quhej Osman ibn Amir dhe nofka e tij ishte Ebu Kahafa. Sipas një transmetimi, emri i nënës së tij ishte Selma bint Sakht ibn Amiri dhe nofka e saj ishte Umul Hajr. Sipas një transmetimi tjetër, emri i nënës ishte Lejla bint Sakhr. Trungu familjar i Hazret Ebu Bekrit r.a. lidhet me atë të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në gjeneratën e shtatë me emrin Murrah. Po kështu, trungu familjar i nënës së Hazret Ebu Bekrit nga ana e të atit dhe të ëmës në gjeneratën e gjashtë lidhet me prejardhjen e Profetit s.a.v.s.. Nëna e Hazret Ebu Bekrit r.a. Hazret Umul Hajr, ishte vajza e xhaxhait të Ebu Kahafës.

Prindërit e Hazret Ebu Bekrit jetuan edhe pas vdekjes së tij, kështu ata trashëguan pasurinë e tij. Pas vdekjes së Hazret Ebu Bekrit r.a., së pari ndërroi jetë nëna e tij ndërsa babai i tij vdiq në vitin e 14-të pas hixhretit në moshën 97-vjeçare.

Pranimi i Islamit nga Ebu Kahafa

Babai dhe nëna e Hazret Ebu Bekrit r.a. kishin fat e nder të përqafonin fenë islame. Ngjarja e pranimit të Islamit nga babai i tij është si vijon:

Babai i tij nuk e kishte pranuar Islamin deri në fitoren e Mekës. Deri në këtë kohë, ai e kishte humbur shikimin. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shkoi në Xhaminë e Shenjtë (në Qabe) gjatë fitores ndaj Mekës, Hazret Ebu Bekri r.a. solli babanë e tij tek ai (a.s.). Kur Profeti (a.s) e pa atë duke ardhur, ai tha: “O Ebu Bekr! Pse e mundove këtë plak të moçëm? Duhet ta kishe lënë në shtëpi dhe unë vetë do të kisha ardhur tek ai”. Por Hazret Ebu Bekri r.a. iu përgjigj: “O i Dërguar i Allahut! Ai ka më shumë të drejtë që të vijë te ju dhe jo anasjelltas.” Hazret Ebu Bekri r.a. ndihmoi babanë e tij të ulej pranë vendit të Profetit s.a.v.s.. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i vuri dorën në gjoks dhe tha: “Pranoni Islamin se do të gjeni siguri dhe paqe”. Kështu Ebu Kahafa e pranoi Islamin.

Hazret Xhabir ibn Abdullahu ka përcjellë: “Ebu Kahafën e sollën te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në ditën e fitores mbi Mekën. Koka dhe mjekra e tij ishin krejtësisht të thinjura, të ngjashme me ‘Sagama’. Thuhet se Saghama është një lule e bardhë që rritet nëpër vendet malore. Me pak fjalë, i ishin zbardhur plotësisht flokët dhe mjekra. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Lyeni flokët me ndonjë ngjyrë. Megjithatë, nuk duhet ta lyeni me të zezë”. Kjo nuk do të thotë se ngjyra e zezë sjell ogur të keq. Ka mundësi që i Dërguari i Allahut ta ketë thënë ketë duke menduar se në atë moshë nuk i kishte hije t’i lyente flokët në ngjyrë të zezë. Megjithatë, ai e porositi për t’i lyer flokët në ndonjë ngjyrë të përshtatshme.

Pranimi i Islamit nga nëna e Hazret Ebu Bekritr

Nëna e Hazret Ebu Bekrit r.a. ishte prej atyre grave që kishin pranuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në periudhën e hershme të Islamit. Ngjarja e saj e pranimit të Islamit është përmendur në “Siret Halbija” si vijon:

“Në kohën kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe shokët e tij mblidheshin në Dare Erkem, me qëllim që të kujtonin Zotin në fshehtësi, numri i muslimanëve kishte arritur 38. Njëherë Hazret Ebu Bekri r.a. i kërkoi të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. të shkonte në Xhaminë e Shenjtë (Qabe). Profeti s.a.v.s. i tha: “O Ebu Bekr! Numri ynë është akoma i vogël.” Megjithatë, Hazret Ebu Bekri r.a. vazhdoi të këmbëngulej derisa Profeti s.a.v.s. më në fund shkoi në Qabe me sahabët e tij.

Aty Hazret Ebu Bekri r.a. u ngrit dhe ligjëroi para njerëzve në praninë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ai u bëri thirrje për të besuar në Allah dhe në të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Kështu që pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ai është thirrësi dhe ligjëruesi i parë që u bëri thirrje njerëzve. Por, idhujtarët iu vërsulën Hazret Ebu Bekrit dhe muslimanëve të tjerë. Ata i goditën dhe rrahën mizorisht muslimanët, ndërsa Hazret Ebu Bekrin r.a. e shkelmuan me këmbë dhe e rrahën shumë.

Utba ibn Rabija e qëllonte Hazret Ebu Bekrin r.a. me këpuca që kishte shollë të trashë lëkure. Ai qëllonte në fytyrën e Hazret Ebu Bekrit r.a. aq fort me të, saqë ajo ishte fryrë dhe nga ënjtja nuk i dallohej hunda nga faqja. Pjesëtarët e fisit Benu Teim nxituan për ta shpëtuar Hazret Ebu Bekrin r.a. nga dhuna e idhujtarëve. Ata e mbështollën Hazret Ebu Bekrin r.a. me një çarçaf dhe e shpien në shtëpi. Gjendja e Hazret Ebu Bekrit ishte e tillë, saqë ata dyshuan se ai ka ndërruar jetë. Më vonë, njerëzit e Benu Taimit shkuan prapë në Qabe dhe thanë: “Pasha Zotin! Nëse i ndodh diçka Ebu Bekrit, ne nuk do të lëmë të gjallë Utbe ibn Rabijen.”

Pastaj u kthyen te Hazret Ebu Bekri r.a.. dhe bashkë me babanë e tij Ebu Kahafe u përpoqën të flisnin me të, por meqë Hazret Ebu Bekri r.a. kishte rënë të fikët, ai nuk mund të përgjigjej. Në mbrëmje Hazret Ebu Bekri r.a. u përmend dhe iu kthyen ndjenjat përsëri. Pyetjen e parë që ai shtroi pas zgjimit ishte për gjendjen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Meqë asnjëri nga të pranishmit nuk i kthente përgjigje, ai vazhdonte ta bënte të njëjtën pyetje. Pastaj e ëma i tha: “Pasha Allahun! Ne nuk dimë asgjë për shokun tënd”. Hazret Ebu Bekri r.a. i tha të ëmës që të shkonte te motra e Hazret Omerit r.a. që quhej Ume Xhemil bint Hattab dhe ta pyeste atë për gjendjen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ume Xhemili r.a. tashmë e kishte pranuar Islamin por e mbante të fshehur atë.

Kështu nëna e Hazret Ebu Bekrit r.a. shkoi te Ume Xhemili r.a. dhe i tha se Ebu Bekri po pyeste për Muhammed ibn Abdullahun. Ajo u përgjigj se nuk e njihte as Muhammedin s.a.v.s. e as Ebu Bekrin, megjithatë nëse donte, ajo mund ta shoqëronte atë te shtëpia e saj. Nëna e Hazret Ebu Bekrit pranoi këtë sugjerim, dhe ato të dy shkuan te Hazret Ebu Bekri dhe Ume Xhemil e pa të plagosur dhe të shtrirë në tokë. Ajo ulëriti nga dhembja dhe tha: “Ata njerëz që ju kanë lënë në këtë gjendje, janë vërtet të poshtër! Jam e sigurt se Allahu do të hakmerret për këtë sjellje”. Pastaj, Hazret Ebu Bekri e pyeti sërish për gjendjen shëndetësore të Profetit s.a.v.s.. Umme Xhemil i tha se ajo nuk mund të përgjigjej pasi nëna e tij po dëgjonte. Hazret Ebu Bekri r.a. e siguroi atë se nëna e tij nuk do ta ndante këtë lajmë me dikë tjetër. Pastaj Umme Xhemil r.a. i tha se Profeti s.a.v.s. është mirë.

Hazret Ebu Bekri r.a. e pyeti për vendndodhjen e Profetit, dhe Ume Xhemili iu përgjigj se ai qe në Dar-Erkem. Tani shikoni dashurinë e Hazret Ebu Bekrit r.a. për Profetin s.a.v.s.. Kur Hazret Ebu Bekri r.a. e dëgjoi këtë, ai u shpreh: “Pasha Zotin! Unë nuk do të prek as bukën e as ujë, derisa nuk shkoj te i Dërguari i Allahut s.a.v.s..”

Nëna e tij r.a. përcjell më tutje këtë ndodhi dhe thotë: “Ne u munduam ta pengonim Ebu Bekrin për njëfarë kohe dhe kur u rrallua lëvizja e njerëzve dhe ata u qetësuan, ne e nxorëm atë nga shtëpia. Ai ecte duke u mbështetur tek unë dhe kështu mbërritëm te Profeti ­s.a.v.s..” Sapo e pa të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., Hazret Ebu Bekri r.a. u emocionua dhe nisi të qante në mënyrë të pakontrolluar. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pa në gjendje të tillë, ai u përkul për ta puthur, dhe muslimanët gjithashtu iu afruan atij. Hazret Ebu Bekri r.a. i tha: “O i Dërguar i Allahut! Prindërit e mi u flijofshin për ju! Nuk kam asnjë dhimbje përveç asaj që njerëzit më kanë lënë në fytyrë dhe nëna ime është shumë e kujdesshme për djalin e saj”. Pastaj ai i tha:” Ndoshta Allahu do ta shpëtojë nënën time nga zjarri përmes jush”. Pra, ajo të pranonte Islamin dhe të besonte Profetin s.a.v.s.. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u lut për nënën e Hazret Ebu Bekrit dhe i shpjegoi mësimet dhe besimet e Islamit. Si përfundim, ajo e pranoi Islamin dhe kjo ishte koha e fillimit të Islamit. .

Në lidhje me lindjen e Hazret Ebu Bekrit r.a. ka disa transmetime. Sipas një libri autentik për jetëshkrimin e sahabëve, Hazret Ebu Bekri r.a. ishte lindur 2 vjet e 6 muaj pas vitit të elefantit (‘Am el-fil). Në “Tarikh et-Tebari” dhe “Tabakate Kubra” thuhet se Ebu Bekri r.a. ishte lindur 3 vjet pas vitit të elefantit.

Titujt e tij

Hazret Ebu Bekri r.a. gjithashtu kishte disa tituj por dy prej tyre janë veçanërisht të famshëm, përkatësisht “Atik” dhe “Sidik”.

Atik عتيق (i bukur dhe i virtytshëm)

Arsyeja e vënies së titullit “Atik” është shënuar në një hadith. Hazret Aisheja r.a. përcjell: Hazret Ebu Bekri r.a. erdhi te Profeti i Shenjtë s.a.v.s. i tha:

أنت عتيق الله من النار

“Allahu të ka shpëtuar nga zjarri”. Që prej asaj dite, i mbeti titulli Atik. Disa historianë janë të mendimit se Atik nuk është ndonjë titull, por ishte një prej emrave të Hazret Ebu Bekrit r.a.. Por ky mendim nuk është i saktë. Alama Xhelaluddin Sujuti në veprën e tij تاريخ الخلفاء “Historia e Kalifëve” i referohet Imam Neveviut dhe shkruan: “Emri i Hazret Ebu Bekri r.a. ishte Abdullah dhe ky mendim është më i njohur dhe më autentik. Thuhet gjithashtu se emri i tij ishte Atik, por mendimi më i saktë është ai për cilin pajtohen shumica e studiuesve se “Atik” ishte titulli i tij, dhe jo emri i tij”.

Arsyeja mbrapa titullit Atik është përmendur në Siret Ibn-Hisham si vijon: “Hazret Ebu Bekri r.a. njihej me titullin Atik për shkak të fytyrës së tij të hijshme dhe për shkak të bukurisë së tij fizionomike”.

Në shpjegimin e Siret Ibn-Hishamit, janë përmendur edhe arsyet e mëposhtme pas vënies së titullit Atik:

  1. Atik do të thotë: el-Hasan d.m.th. një njeri i virtytshëm. Pra, ai ishte mbrojtur nga qortimi dhe të metat.
  2. Ai quhej Atik, sepse nënës së tij i vdisnin fëmijët në moshë të vogël dhe asnjëri nuk jetonte. Ajo ishte zotuar se nëse i lindi ndonjë fëmijë tjetër, ajo di t’i vinte emrin Abdul Kaba dhe do ta dedikonte atë në shërbim të Qabes. Kur ai mbeti i gjallë dhe hyri në moshën e rinisë, i ngeli titulli Atik, sepse ai i kishte shpëtuar vdekjes.
  3. Një tjetër arsyetim që disa studiues i atribuojnë këtij titullimi është që i kishin vënë këtë titull sepse në trungun e tij familjar nuk gjendej asnjë mangësi përmes së cilës, t’i drejtohej ndonjë vërejtje.
  4. Fjala Atik gjithashtu do të thotë i moçëm, i vjetër apo antik. Ai quhej i tillë, pasi bënte mirësi dhe sillej me dashamirësi nga koha e vjetër.
  5. Ai quhej Atik gjithashtu, sepse kishte kaluar të tjerët në pranimin e Islamit dhe në bamirësi.

Es-Sidik (i vërtetë, vërtetues)

Titulli i dytë i Hazret Ebu Bekrit r.a. ishte es-Siddik. Allama Xhelaluddin Sujuti vënien e këtij titulli e arsyeton me këto fjalë. Ai shkruan: “Titulli es-Siddik iu dha Hazret Ebu Bekrit r.a. në kohën paraislame, sepse ai gjithmonë fliste të vërtetën. Po ashtu, ai quhej es-Siddik sepse nuk vonoi aspak për të vërtetuar menjëherë mesazhet që i kishte përcjellë i Dërguari i Allahut s.a.v.s..

Hazret Aisheja r.a. ka përcjellë se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. udhëtoi gjatë natës drejt xhamisë el-Aksa (Jeruzalem), pra bëhet fjalë për ngjarjen e Israsë, të nesërmen në mëngjes njerëzit filluan të bisedonin rreth saj. Disa prej atyre, të cilët i kishin besuar të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., i besuan menjëherë kësaj ngjarje, kurse disa u tërhoqën nga besimi i tyre. “Disa idhujtarë nxituan te Hazret Ebu Bekri r.a. dhe e pyetën: “A ke dëgjuar për mikun tënd? Ai po pretendon se gjatë natës ka udhëtuar deri në Bejtul-Makdes”. Hazret Ebu Bekri r.a. pyeti: “A në të vërtetë ka thënë ai?” Njerëzit thanë po. Hazret Ebu Bekri r.a. u tha: “Nëse ai ka thënë një gjë të tillë, atëherë është padyshim e vërtetë”. Njerëzit e pyetën: “A e konfirmoni se ai ka udhëtuar në Bejtul-Makdes brenda një nate dhe është kthyer para agimit?” Ata e kërkuan këtë sepse Bejtul Makdes ndodhej rreth 1300 kilometra nga Meka. Hazret Ebu Bekri r.a. tha: “Po. Unë e vërtetoj këtë. Madje do të konfirmoj edhe atë që është akoma më e çuditshme. Unë gjithashtu i besoj shpalljet që i Dërguari i Allahut (a.s.) merr në mëngjes dhe në mbrëmje”. Pas këtij vërtetimi, Hazret Ebu Bekri r.a. mori titullin Sidik. Ebu Vehabi, robi i liruar i Hazret Ebu Hurejres r.a. përcjell se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Kur më morën atë natë (në ngjarjen e Israsë), i thashë Xhibrailit: “Me siguri populli im nuk do të më besojë.” Xhibiri u përgjigj: يصدقك أبوبكر و هو الصديق  d.m.th. “Ebu Bekri r.a. do të të vërtetojë sepse ai është Sidik.” Kjo përmendet në Tebekatul-Kubra.

Hazreti Musleh el-Mo’udi r.a. ka thënë: Sipas rrëfimit të Hazret Aishes r.a., pas ngjarjes së Israsë, njerëzit erdhën te Hazret Ebu Bekri r.a. dhe e pyetën: “A e di se çfarë pretendon shoku yt?” Ai i pyeti: “Dhe çfarë po thotë ai?” Ata u përgjigjën: “Ai po thotë se ka udhëtuar deri në Bejtul-Mekdas gjatë natës.” Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. thotë: “Sikur të kishte përmendur edhe ngjarjen e miraxhit, mosbesimtarët do të protestonin kundër saj duke bërë më shumë zhurmë. Ndërsa, ata kanë thënë vetëm kaq se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. pretenduaka se kishte udhëtuar në Bejtul-Makdas brenda një nate. Kur Hazret Ebu Bekri r.a. e konfirmoi të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s., njerëzit i thanë: “A do ta pranoni edhe këtë pretendim të pabesueshëm?” Hazret Ebu Bekri r.a. u përgjigj “Jo vetëm kaq, unë e pranoj edhe këtë që Allahu i zbret shpallje.

Mesihu i Premtuar (a.s.) thotë: “Vetëm Allahu e di se çfarë virtytesh kishte Hazret Ebu Bekri r.a. që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i dha titullin “Sidik”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu ka thënë që epërsia e Ebu Bekrit r.a. buron prej asaj që gjendet në zemrën e tij. Po të shikoni me vëmendje, do të kuptoni se është vështirë të gjendet shembulli i Hazret Ebu Bekrit për vërtetësinë që ai shfaqi. E vërteta është se çdo njeri i cili synon të arrijë cilësitë e të qenit “Sidik” duhet të përpiqet sa të jetë e mundur për të ngjallur brenda vetes karakterin dhe natyrën e Hazret Ebu Bekrit r.a.. Më pas, aq sa mundet, ai duhet t’i përkushtohet lutjes. Përderisa ai nuk e kaplon veten nga shëmbëlltyra e natyrës së Ebu Bekrit dhe nuk ngjyroset në ngjyrën e tij, ai nuk mund të arrijë cilësitë e të qenit Sidik.”

Kalifi i Resulullahut

Përveç Atikut dhe Sidikut, janë përmendur edhe disa tituj të tjerë, që i atribuohen Hazret Ebu Bekrit r.a., p.sh. Kalifi i Resulullahut. Hazret Ebu Bekri r.a. quhej edhe Kalifi i Resulullahut. Në një transmetim përcillet se një njeri iu drejtua Hazret Ebu Bekrit r.a. dhe tha: يا خليفة الله  “O Kalifi i Allahut!” Hazreti Ebu Bekri r.a. i tha: “Mos më thuaj Kalif i Allahut, por Kalifi i të Dërguarit të Allahut.” Pra, unë jam kalifi i Profetit dhe unë jam i kënaqur me këtë pozitë.

Komentuesi i Sahihut të Imam Buhariut Alama Bedruddin Aini shkruan: “Historianët pajtohen në këtë çështje se titulli i Hazret Ebu Bekrit r.a. ishte Kalif i të Dërguarit të Allahut, dhe dihet që ky titull i ishte dhënë pas vdekjes së Profetit, meqenëse ishte zgjedhur Kalif pas tij. Prandaj, nuk mund të themi se ky titull i kishte mbetur qysh nga koha e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., Ishte më vonë, që njerëzit e quanin ashtu ose ai vetë e zgjodhi këtë titull për vete.

I dhembshur (أَوَّاه Evah)

أَوَّاه  “Evahun” është gjithashtu një titull. “Evah” do të thotë i dhembshur dhe i butë. Në veprën “Tebakat el-Kubra” thuhet: Hazret Ebu Bekri r.a. është quajtur “Evahun” i dhembshur për shkak të natyrës së tij të butë dhe të dashur. Evahun munib, që do të thotë shumë i dhembshur dhe i kthyer nga Zoti.

Në veprën “Tebkat-ul-Kubra” thuhet: “E kam dëgjuar Hazret Aliun r.a. duke thënë. Nga foltorja: “Dëgjoni me vëmendje! Hazret Ebu Bekri r.a. ishte shumë i dhembshur, i zemërbutë dhe i kthyer tek Allahu. Allahu i dhuroi Hazret Omerit r.a. dashamirësi në bazë të së cilës ai sillej me mirësi me njerëzit.”

Prijësi i robërve mirënjohës (أميرُ الشَّاكِرِين Emir esh-Shakirin)

Një titull tjetër është Emir esh-Shakirin. Kjo do të thotë “prijësi i robërve mirënjohës”. Hazret Ebu Bekri r.a. përmendej si “prijësi i njerëzve mirënjohës”, sepse ai shpesh e falënderonte Allahun. Në veprën “Umdetul Kari” thuhet: “Hazret Ebu Bekr es-Siddik r.a. drejtohej me titullin “Prijësi i popullit mirënjohës”.

Njëri prej dyve (ثَانِيَ اثْنَيْنِ Thani-uthnejn)

Një titull tjetër ishte Thani-uthnejn. Allahu e ka quajtur Hazret Ebu Bekr es-Siddikun r.a. me titullin Thani-uthnejn. Allahu thotë:

إِلَّا تَنْصُرُوهُ فَقَدْ نَصَرَهُ اللَّهُ إِذْ أَخْرَجَهُ الَّذِينَ كَفَرُوا ثَانِيَ اثْنَيْنِ إِذْ هُمَا فِي الْغَارِ إِذْ يَقُولُ لِصَاحِبِهِ لَا تَحْزَنْ إِنَّ اللَّهَ مَعَنَا ۖ

Nëse ju nuk ndihmoni atë (të dërguarin), Allahu (vetëm) e ka ndihmuar atë (edhe më parë), kur atë e dëbuan mohuesit, kur ai ishte njëri prej dyve, kur ata të dy ishin në shpellë, kur ai i thoshte shokut të vet: “Mos u brengos, Allahu është me ne”.  (Kurani Famëlartë 9:40)

Hazret Mesihu i Premtuar (a.s.) thotë:

“Në një kohë të mundimshme dhe në rrethana të vështira, Allahu e mbështeti të Dërguarin e Tij s.a.v.s. nëpërmjet tij (Hazret Ebu Bekrit r.a.). Allahu e quajti atë “Es-Sidik” dhe i dhuroi praninë e Profetit Thekalejn. Po kështu, Allahu e nderoi me kurorën e titullit “i dyti prej dyve” dhe e bëri një prej robërve të Tij të zgjedhur. A njihni ndonjë person tjetër, të cilit i është dhuruar titulli “Thani-uthnejn”, është quajtur miku i ngushtë i Profetit të të dy botëve dhe është përfshirë në nderimin që është përmendur në ajetin: إِنَّ اللَّهَ مَعَنَا “Mos u brengos, Allahu është me ne” (9:40) Ai është përshkruar të ishte një prej atyre dyve që fituan mbështetje. A njihni ndonjë person të tillë, i cili është lavdëruar në këtë mënyrë në Kuran dhe të cilit i janë larguar një sërë dyshimesh rreth gjendjes së tij të brendshme. Ai është prej robërve të pranuar në oborrin e Zotit, dhe kjo buron nga shkrimet autentike dhe jo me hamendje apo fjalë të dyshimta. Betohem në Allah! Një përmendje kaq e qartë, që e vërteton studimi, është e veçantë vetëm për Hazret Ebu Bekr es-Siddikun r.a.. Unë nuk kam parë një vlerësim të tillë në shkrimet e Zotit të shtëpisë së lashtë. Nëse jeni në dyshim për këtë deklaratë timen ose nëse mendoni se i jam shmangur të vërtetës, ndërsa ju jeni i drejtë, atëherë nxirrni ndonjë shembull nga Kurani dhe na tregoni se ai të ketë folur kaq qartë për dikë tjetër.”

Hazret Mesihu i Premtuar (a.s.) ka shkruar këtë në librin “Sirrul-Khilafah”.

Shoku i të Dërguarit (صَاحِبُ الرَّسُول Sahib-ur-Rresul)

Një titull tjetër i Hazret Ebu Bekrit r.a. është “Sahib-ur-Rresul” që do të thotë “shoku i të Dërguarit”. Hazret Ebu Bekri r.a. përcjell se njëherë ai i tha një grup njerëzish për të recituar një pjesë nga surja et-Teuba. Një person iu përgjigj thirrjes së Kalifit dhe nisi të recitonte. Kur ai recitoi ajetin

إِذْ يَقُولُ لِصَاحِبِهِ لَا تَحْزَنْ إِنَّ اللَّهَ مَعَنَا

kur ai i thoshte shokut të vet: “Mos u brengos, Allahu është me ne”.  (Kurani Famëlartë 9:40)

Hazret Ebu Bekri r.a. u emocionua dhe me sytë të përlotur tha: “Pasha Allahun! Ky shoku i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. isha unë.”

Ademi i dytë

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e ka quajtur Hazret Ebu Bekrin r.a. “Adem-eth-Thani” (Ademi i dytë). Ai e ka përmendur këtë titull të Hazret Ebu Bekrit r.a. në një nga shkrimet e tij. Ai shkruan:

“Ebu Bekri r.a. është Ademi i dytë i Islamit, si dhe Hazret Omer Faruku r.a. dhe Hazret Osmani r.a.. Po të mos kishim njerëz kaq të drejtë e të përkushtuar në besim, do të ishte e vështirë për ne sot, të quanim qoftë edhe një ajet të Kuranit se ishte në të vërtetë i shpallur nga Allahu”.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkruan në “Sirrul-Khilafeh”:

“Pasha Zotin! Ai ishte Ademi i dytë për Islamin dhe ishte manifestimi i parë i më të mirit të njerëzve, pra të Hazret Muhammedit s.a.v.s..”

Miku i të Dërguarit (خَلِيلُ الرَّسُول Khalil-ur-Rresul)

خَلِيلُ الرَّسُول “Khalil-ur-Rresul” është gjithashtu një prej titujve të Hazret Ebu Bekrit r.a.. Ky titull i është referuar Hazret Ebu Bekrit r.a. në librat e biografisë. Ky titull bazohet në një hadith, që gjendet në Sahihun e Imam Buhariut dhe është përcjellë nga Hazret Ibn Abasi se gjatë sëmundjes së fundit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë: “Nëse do të quaja dikë nga njerëzit si mik, unë sigurisht do ta zgjidhja Ebu Bekrin për mik (Khalil), megjithatë miqësia e Islamit peshon më shumë se çdo gjë tjetër. Mbyllni të gjitha dritaret e xhamisë përveç asaj të Ebu Bekrit.”

Qendra jonë e Studimit ka ngritur këtu një pyetje e cila qëndron me të drejtë. Nga ky hadith del vetëm se nëse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. do të quante dikë si mik, ai me siguri do të zgjidhte Hazret Ebu Bekrin r.a., por ai nuk e bëri këtë. Vetë Mesihu i Premtuar a.s. e ka shtjelluar këtë çështje. Ai shkruan:

Thënia e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. se nëse do të emëronte dikë si mik në këtë botë, do të zgjidhte Ebu Bekrin, kërkon një sqarim, pasi ai e kishte Ebu Bekrin si mik. Çfarë do të thotë kjo? Ne mund të shpjegojmë këtë thënie në këtë mënyrë. Në të vërtetë “خُلَة” (miqësia), lidhja dhe dashamirësia e ndërsjellë të jetë e tillë që kaplon çdo grimcë të qenies njerëzore. Megjithatë, kjo lidhje i takon vetëm Allahut dhe i kushtohet vetëm atij. Me të tjerët, mund të kemi vetëm një lidhje vëllazërie apo shoqërore. Fjala “خُلَة” nënkupton atë lidhje që depërton thellë në shpirt dhe një shembull i arrirë i kësaj lidhjeje ishte pozita e Jusufit në zemër të Zulejhasë. Ky është pikërisht kuptimi i fjalëve të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. se asnjë lidhje nuk mund të barazohet me dashurinë e Zotit, por nëse ai do të zgjidhte dikë si mik nga banorët e dynjasë në jetën shoqërore, ai me siguri, do të zgjidhte Ebu Bekrin.

Pozita e Allahut është kaq e lartë saqë ajo nuk mund t’i jepet askujt tjetër. Mirëpo, nëse ka një miqësi tokësore, ajo është me Ebu Bekrin. Kjo do të thotë se edhe pse ishte një miqësi, ajo nuk mund të cilësohej si e tillë në krahasim me miqësinë e Allahut.

Nuk ishte e mundur që një profet dhe veçanërisht i Dërguari i Allahut s.a.v.s. të krijonte një miqësi me njerëzit në botë, që mund të barazohej me miqësinë e Allahut. Megjithatë, nëse ishte e mundur një lidhje në aspektin e jetës shoqërore, ai vetë e tha se Ebu Bekri ishte më i denjë për atë pozitë.

Cila ishte nofka e tij?

Nofka e tij ishte Ebu Bekri dhe janë përmendur një sërë arsyesh pas vënies së kësaj nofke.

  1. Sipas disave, fjala بَكر Bekr do të thotë deve e re. Meqenëse ai zotëronte njohuri të thellë në kujdesin, rritjen dhe në trajtimin e deveve dhe ishte i zellshëm pas kësaj pune, njerëzit filluan ta thërrisnin atë Ebu Bekr.
  2. Një nga kuptimet e fjalës بكَّرَ është të nxitosh ose të fillosh. Sipas disa studiuesve, ai u quajt kështu sepse أنَّهُ بكَّرَ إِلَي الْإِسلَامِ  pra ai nxitoi dhe ishte i pari që pranoi Islamin para çdokujt tjetër. Allama el-Zemekhshari shkruan se ai u quajt Ebu Bekr për shkak të ibtikarit d.m.th. gatishmërisë dhe përparimit të tij në virtyte dhe cilësi të dëlira.

Tiparet fizike

Hazret Aisheja ka përshkruar paraqitjen e jashtme të Hazret Ebu Bekrit në një rrëfim. Një herë ajo kishte parë një arab duke ecur ndërsa ajo ishte në ndenjëse në deve. Ajo tha: “Unë nuk kam parë dikë që i ngjan aq shumë Hazret Ebu Bekrit r.a. sesa ky njeri.” Transmetuesi përcjell se ne i kërkuam Hazret Aishes r.a. të na përshkruante pamjen e Hazret Ebu Bekrit r.a.. Ajo tha: “Hazret Ebu Bekri r.a. ishte një burrë me lëkurë të bardhë, i hollë dhe me trup të hajthëm. Ai nuk kishte fytyrë të mbushur, dhe mesi i tij ishte pak e lakuar, prandaj kur ai mbështillte brezin rreth e rreth, ai nuk qëndronte dhe rrëshqitej poshtë. Fytyra e tij ishte e hollë, sytë e tij ishin të harkuar nga brenda dhe balli i tij ishte i gjerë”.

Në Sahih Buhari, Hazret Abdullah ibn Omeri ka përcjellë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Ai që tërheq rrobat e tij zvarrë në tokë për shkak të mendjemadhësisë, Allahu nuk do ta shikojë në ditën e Gjykimit.” Hazret Ebu Bekri r.a. e pyeti: “Një anë e rrobave të mi është gjithmonë e lirshme dhe i tërheq zvarrë, nëse nuk kujdesem veçanërisht për të”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Ju nuk e bëni këtë për shkak të mendjemadhësisë. Prandaj lejohet dhe nuk ka rëndësi”.

Hazret Ebu Bekri r.a. e lyente mjekrën me këna dhe ketem. Ketemi është një bimë që rritet nëpër bjeshka në lartësi, dhe aplikohet së bashku me një bojë flokësh për t’u dhënë flokëve ngjyrë të errët.

Zanati dhe pozita në shoqëri

Në lidhje me zanatin dhe pozitën e tij në shoqërinë mekase para Islamit, ka një transmetim  në “Tarikh et-Tabari” se Hazret Ebu Bekri r.a. ishte një figurë e dashur dhe e pëlqyer në popullin e tij. Ai njihej si një njeri i butë dhe i njihte më së miri trungun familjar të kurejshëve si dhe cilësitë e tyre të mira dhe të këqija. Ai ishte tregtar dhe njeri plot cilësi dhe vepra të mira. Njerëzit i vinin për shkak të dijes, përvojës dhe kuvendit të tij si dhe për arsye të tjera dhe ata e donin atë.

Muhammed Husejn Haikali shkruan se pothuaj i gjithë fisi kurejsh merrej me tregti dhe çdo person ishte angazhuar në veprimtarinë tregtare. Kur u rrit Hazret Ebu Bekri r.a., ai nisi të tregtonte rroba. Ai arriti shumë sukses në këtë punë dhe shpejt u bë një nga tregtarët më të suksesshëm në Mekë. Në suksesin e tij, kishte kontribuuar edhe karakteri i tij tërheqës dhe virtytet e larta. Në kohën kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shpalli profetësinë e tij, kapitali i Hazret Ebu Bekrit r.a. kishte një vlerë prej 40 mijë dirhamësh. Me anë të kësaj pasurie, ai i lironte skllevërit dhe i ndihmonte muslimanët. Në kohën e hixhretit i kishin mbetur vetëm 5000 dirhemë.

Jeta para Islamit

Ka disa ngjarje nga jeta e tij para kohës së Islamit. Për shkak të gjendjes së tij ekonomike dhe karakterit të tij të lartë, Hazret Ebu Bekri r.a. gëzonte një pozitë të veçantë në shoqërinë mekase. Ai ishte një nga krerët e Kurejshëve dhe ishte figura kryesore në mbledhjet e këshillit të tyre. Ai ishte një nga njerëzit më të pastër dhe më të sinqertë. Ai ishte një prijës i nderuar, një bamirës bujar, i cili shpenzonte bujarisht dhe gëzonte një respekt dhe nderim të gjithanshëm. Kuvendet e tij ishin gjithashtu të mira dhe të nderuara.

Interpretimi i ëndrrave

Ai zotëronte njohuri të gjerë për interpretimin e ëndrrave. Një dijetar i madh i interpretimit të ëndrrave Ibn Sirini ka thënë: “Pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. njohësi dhe dijetari më i madh i interpretimit të ëndrrave në këtë umet është Hazret Ebu Bekri r.a..

Njohësi i trungut familjar

Ai qe gjithashtu njohësi më i mirë i trungut familjar të arabëve. Xhubejr ibn Mutimi, i cili vetë ishte njohës i shkëlqyer i kësaj fushe, ka thënë se kishte mësuar shkencën e prejardhjes familjare nga Hazret Ebu Bekri r.a.. Ai në veçanti njihte trungun familjar të kurejshëve, sepse ai vetë ishte nga ky fis. Ai i dinte mirë edhe virtytet si dhe të metat e tyre. Ndonëse zotëronte një njohuri të gjerë, ai nuk përmendte dobësitë apo të metat e këtyre njerëzve. Kjo ishte arsyeja, që kurejshët e vlerësonin dhe e donin më shumë. Pas Hazret Ebu Bekrit r.a. Hazret Akil ibn Ebu Talibi ishte njohësi më i mirë i prejardhjes familjare. Megjithatë, kurejshët  nuk e pëlqenin Hazret Akilin, sepse ai u kallëzonte edhe dobësitë dhe të metat e tyre. Hazret Akili qëndronte pranë Hazret Ebu Bekrit r.a. në xhaminë e Profetit për të mësuar trungun familjar të arabëve, ngjarjet kryesore si dhe biografinë e paraardhësve të tyre.

Sipas banorëve të Mekës, Hazret Ebu Bekri r.a. ishte një nga njerëzit më të mirë. Sa herë që kishin ndonjë problem ata i kërkonin ndihmë. Të gjitha fiset që jetonin në Mekë, në varësi të pozitës në shoqëri, kishin një detyrë që u ishte caktuar. Benu Abd Menaf ishin përgjegjës për të furnizuar haxinjë me ujë të pijshëm dhe për t’u siguruar mjetet e nevojshme.

Benu Abdud-dar kishin për detyrë të mbanin flamurin gjatë luftës, të ruanin portat e Qabesë dhe të siguronin Dar en-Nedva (Qendra e këshillit). Udhëheqja e ushtrive ishte përgjegjësia e fisit Benu Makhzum të Hazret Halit ibn Velidit. Mbledhja e parave të gjakut dhe të shpagimit ishte detyra e “Taim ibn Murrasë”, fisit të Hazret Ebu Bekrit (r.a). Kur Hazret Ebu Bekri r.a. u rrit, këtë detyrë iu besua atij. Kur Hazret Ebu Bekri merrte vendimin për vlerësimin e shpagimit për ndonjë gjë, kurejshët e pranonin vendimin dhe i bindeshin atij. Por nëse dikush tjetër përveç Ebu Bekrit, caktonte vlerën e shpagimit, kurejshët e shpërfillnin atë dhe nuk e vërtetonin.

Pjesëmarrja në shoqërinë Hilful-Fudul

Hazreti Ebu Bekri r.a. ishte pjesëmarrës edhe në shoqërinë Hilful-Fudul, e cila ishte një marrëveshje e veçantë në ndihmë të njerëzve në nevojë dhe në dobi të të shtypurve. Në kohët e vjetra, disa njerëzve të mirë arabë u lindi dëshira për të themeluar bashkërisht një aleancë, duke u zotuar se gjithmonë do të përpiqeshin të ndihmonin njerëzit për të siguruar të drejtën e tyre si dhe do të ndalonin mizorin nga mizoria e tij. Meqë në gjuhën arabe, fjala Fadl do të thotë e drejtë dhe shumësi i saj është fudul, prandaj, kjo aleancë u bë e njohur me emrin “Hilful-Fudul”. Sipas disa burimeve të tjera, anëtarët themelues të kësaj aleance ishin njerëz, në emrat e të cilëve kishin fjalën Fadl, prandaj kjo aleancë u bë e njohur si Hilful-Fudul.

Pas luftës së Fuxharit, e ndoshta edhe i prekur nga pasojat e saj, në zemrën e xhaxhait të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Zubeir ibn Abdul Muttalibit i lindi dëshira për të ripërtërirë këtë zotim. Kështu, përfaqësuesit e disa fiseve iu përgjigjën thirrjes së tij dhe u mblodhën në shtëpinë e Abdullah ibn Xhudanit, ku Abdullahu u kishte shtruar një gosti. Të gjithë u pajtuan dhe u zotuan bashkërisht se do të ngrihen gjithmonë kundër padrejtësisë dhe do të mbrojnë të shtypurit. Ndër fiset që morën pjesë në këtë zotim ishin: Benu Hashim, Benu Muttalib, Benu Esed, Benu Zuhra dhe Benu Taim. Në këtë zotim, ishte i pranishëm edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe mori pjesë në këtë besëlidhje.

Një herë gjatë kohës së profetësisë ai tha: “Njëherë në shtëpinë e Abdullah ibn Xhudanit, kisha marrë pjesë në një zotim të tillë, që nëse dikush do të më bënte thirrje edhe sot në kohën e Islamit, unë akoma do t’i përgjigjesha atij”.

Në lidhje me pjesëmarrjen e Hazret Ebu Bekrit r.a. në Hilful-Fudul, një autor ka shkruar se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte marrë pjesë në këtë takim së bashkë me Hazret Ebu Bekr es-Sidikun r.a..

Miqësia e tij me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. para profetësisë

Thuhet se para deklaratës së profetësisë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s.) kishte marrëdhënie dhe miqësi me Hazret Ebu Bekrin r.a.. Ibn Is’haku dhe disa shkrimtarë të tjerë gjithashtu kanë shkruar që Hazret Ebu Bekri r.a. ishte miku i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. para profetësisë. Ai i njihte mirë vërtetësinë, besueshmërinë, ndërgjegjen e pastër dhe virtytet e larta të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Në një transmetim përcillet se Hazret Ebu Bekri r.a. ishte mik i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. edhe në kohët para-islame.

Në “Sijarus-Sahaba” shkruhet se që nga fëmijëria, Hazret Ebu Bekri r.a. ushqente një dashuri dhe lidhje të sinqertë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe bënte pjesë në rrethin e miqve të Profetit s.a.v.s.. Ai gjithashtu kishte nderin ta shoqëronte të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në udhëtime tregtare.

Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahibi r.a. ka përshkruar rrethin e miqve të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. para deklaratës së profetësisë me këto fjalë:

“Rrethi shoqëror i miqve të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. para deklaratës së profetësisë ka qenë mjaft e kufizuar. Në fakt, që nga fillimi atij i pëlqente të rrinte në vetmi. Në asnjë periudhë të jetës së tij, ai nuk ishte i përfshirë në marrëdhëniet shoqërore me njerëzit e Mekës. Megjithatë, ka pasur edhe disa persona me të cilët ai ka pasur marrëdhënie miqësore. Hazret Ebu Bekri r.a., d.m.th. Abdullah ibn Ebi Kahafa, ishte më i shquar në mesin e tyre, i cili vinte nga një familje e pasur kurejshe dhe vlerësohej me respekt e nderim nga populli për mirësjelljen dhe aftësinë e tij. I dyti ishte Hakim bin Hizami, i cili qe nipi i Hazret Hatixhes r.a.. Ai ishte një person jashtëzakonisht i pastër dhe i ndershëm. Në fillim ai nuk e kishte pranuar Islamin, megjithatë kishte një lidhje të sinqertë dashurie e besnikërie ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Në fund, natyra e pastër e nxiti atë drejt Islamit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte lidhje edhe me Zejd ibn Amrin. Ky zotëri ishte një i afërm i Hazret Omerit r.a. dhe prej atyre njerëzve të cilët kishin mohuar idhujtarinë qysh në kohën e xhahilijes (koha paraislame). Megjithatë, ai vdiq pak para ardhjes së Islamit. Sidoqoftë, Hazret Ebu Bekri r.a. ishte i pari në lidhje me marrëdhëniet me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s..

Urrejtja ndaj idhujtarisë 

Hazret Ebu Bekri r.a. e urrente idhujtarinë dhe i shmangej asaj qysh nga periudha paraislame. Hazret Ebu Bekri r.a. as në kohën para Islamit, kurrë nuk i bëri shirk dhe as nuk u përkul para një idhulli. Në “Siret el-Halbija” gjejmë këtë dëshmi se padyshim, Hazret Ebu Bekri r.a. kurrë nuk i bëri sexhde një idhulli.”

Dijetari Ibn El-Xhauzi e ka përfshirë Hazret Ebu Bekrin r.a. në mesin e atyre njerëzve që kishin refuzuar idhujtarinë qysh në periudhën para-islame. Ai kurrë nuk u afrohej idhujve. Ai e urrente alkoolin edhe para Islamit. Hazret Aisheja r.a. përcjell: “Hazret Ebu Bekri r.a. ia kishte ndaluar vetes alkoolin në kohën paraislame. Ai r.a. kurrë nuk ka pirë alkoolin as në kohën e injorancës e as në Islam.”

Në një transmetim përmendet se njëherë në kuvendin e sahabëve, Hazret Ebu Bekri r.a. u pyet nëse ai r.a. kishte pirë ndonjëherë alkool në periudhën paraislame. Hazret Ebu Bekri r.a. u përgjigj: A’udhu billah (Kërkoj mbrojtje tek Allahu). Ata e pyetën për arsyen. Hazret Ebu Bekri r.a. u përgjigj se ai gjithmonë e ka ruajtur nderin dhe e ka mbrojtur pastërtinë e tij, sepse kush pi alkool e humb respektin dhe pastërtinë e tij. Transmetuesi thotë: “Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u informua për këtë çështje, ai tha: Sadaka Ebu Bekru, (Ebu Bekri ka thënë të vërtetën).” Ai e tha këtë dy herë.

Si e pranoi Islamin?

Ka transmetime të ndryshme rreth pranimit të Islamit nga Hazret Ebu Bekr es-Sidiku r.a., disa janë të detajuara kurse të tjera janë të shkurta. Sidoqoftë, unë do t’ju përcjell disa prej tyre.

Hazret Aisheja r.a. transmeton: “Që nga koha që më kujtohet, i kam parë prindërit e mi në këtë fe (Islam) dhe nuk na kaloi asnjë ditë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. të mos na kishte vizituar në mëngjes e mbrëmje.”

Prindërit e mi kanë qenë me këtë fe (Islam) për aq kohë sa më kujtohet, dhe nuk ka kaluar asnjë ditë kur Profeti i Shenjtë s.a.v.s. nuk ka ardhur tek ne në mëngjes dhe në shek. mbrëmja në të dyja kohët është.”

Janë disa transmetime të ndryshme, që hedhin dritë mbi ngjarjen e pranimit të Islamit nga Hazret Ebu Bekri r.a.. Në “Sherhe Zerkani” ngjarja se si ai e pranoi Islamin përshkruhet si vijon:

“Një ditë Hazret Ebu Bekri r.a. ishte në shtëpinë e Hakim ibn Hizamit. Në atë moment, erdhi shërbëtorja e Hakimit dhe i tha: “Halla juaj (nga ana e babait) Hatixheja r.a. ka thënë se bashkëshorti i saj, është dërguar si profet njësoj si Musai (a.s.).” Hazret Ebu Bekri doli fshehurazi prej andej dhe takoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe e pranoi Islamin.

Në “er-Raudul Unf” الروض الأنف في تفسير السيرة النبوية لابن هشام i cili është komentimi i veprës “Siret ibn Hisham” ngjarja e pranimit të Islamit nga Hazret Ebu Bekri r.a. është përshkruar kështu: “Njëherë para shpalljes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Hazret Ebu Bekri kishte parë një ëndërr. Në këtë ëndërr ai pa se hëna kishte zbritur në Mekë. Pastaj pa se ajo ishte bërë copa-copa dhe pjesët e saj ishin shpërndarë në çdo vend dhe në çdo shtëpi të Mekës. Pastaj, copat e saj u bashkuan sërish në prehrin e Hazret Ebu Bekrit r.a.. Hazret Ebu Bekri r.a. ua rrëfeu këtë ëndërr disa dijetarëve nga Ithtarët e Librit. Ata i thanë se Profeti që pritej, i ka ardhur koha dhe që ai (Ebu Bekri) do t’i bindej atij Profeti dhe kështu do të jetë më me fat ndër gjithë njerëzi e tjetër. Pastaj, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i bëri thirrje Hazret Ebu Bekrit r.a. për në Islam, ai nuk ngurroi aspak.

Në “Subulul Huda ver-Rreshad” سبل الهدى والرشاد في سيرة خير العباد صلى الله عليه وسلم, ngjarja e pranimit të Islamit nga Hazret Ebu Bekri r.a. është përshkruar si më poshtë:

“Ka’abi ka përcjellë se arsyeja që e shtyju Hazret Ebu Bekrin për të pranuar Islamin ishte një shpallje të zbritur nga qielli. Përshkimi i detajuar i kësaj ngjarjeje është se Hazret Ebu Bekri r.a. kishte udhëtuar në Siri për tregti. Një natë, ai pa një ëndërr, që i rrëfeu murgut Behira. Ai e pyeti Hazret Ebu Bekrin: “Nga je?” Ai iu përgjigj: “Nga Meka”. Murgu e pyeti: “Nga cili fis i Mekës?” Ai u përgjigj: “Nga Kurejshët”. Ai e pyeti: “Me çfarë merresh?” Hazret Ebu Bekri i tha: “Unë jam tregtar”. Më pas, murgu Behira i tha: “Nëse Allahu i Madhërishëm përmbush ëndrrën tënde, një profet do të shfaqet në popullin tuaj. Ti do të jesh këshilltari i këtij profeti gjatë jetës së tij, dhe pas vdekjes të tij do të jesh kalifi i tij.” Hazret Ebu Bekri r.a. nuk ia përmendi këtë ëndërr askujt, derisa u shfaq i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Hazret Ebu Bekri r.a. e pyeti: “O Muhammed! Cili është argumenti për atë që keni shpallur?”

Në transmetimet e tjera, Hazret Ebu Bekri r.a. nuk i kishte kërkuar Profetit s.a.v.s. asnjë provë, por sipas këtij rrëfimi, Hazret Ebu Bekri ia kërkuar provat.

Megjithatë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Ëndrrën që keni parë në Siri, më mjafton si argument”. Pastaj Hazret Ebu Bekri r.a. e përqafoi Profetin (a.s) dhe e puthi mes syve dhe i tha: “Dëshmoj se jeni i Dërguari i Allahut”.

Në këtë rrëfim, përmendet se Hazret Ebu Bekri r.a. i ka treguar murgut një ëndërr, por nuk është përmendur saktësisht se çfarë e kishte parë në ëndërr. Megjithatë, sipas “Siret el-Halbija” Hazret Ebu Bekri ishte referuar ëndrrës, në të cilën ai kishte parë që hëna ishte copëtuar dhe pjesët e saj ishin rrëzuar në Mekë. Hazret Ebu Bekri r.a. i kishte rrëfyer të njëjtën ëndërr murgut Behira.

Historianët kanë përmendur edhe disa transmetime të tjera, në lidhje me këtë ngjarje. Këto do të përmenden në të ardhmen. Ins-sha-Allah

Lexoni:

Jeta e Hazret Ebu Bekrit r.a.
Si u zgjodh Hazret Ebu Bekri r.a. Kalif?

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp