Udhëheqja shembullore e Hazret Omer ibn el-Hattabit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Udhëheqja shembullore e Hazret Omer ibn el-Hattabit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Përkthim në shqip i fjalimit të së xhumasë së mbajtur nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë dhe Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, më 02.07.2021 mbi jetën e Hazret Omer ibn el-Hattabit r.a.. Pas recitimit të shehadetit dhe sures el-Fatiha Hazret Kalifatul Masih [Allahu e ndihmoftë fuqimisht] tha:)

Edhe sot do të vijoj me temën mbi jetën e Hazret Omerit r.a..

Mirësjellja ndaj popujve jomuslimanë

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. ka cituar një transmetim, në të cilin përmendet se kur Hazret Omeri r.a. në bazë të një porosie të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., kishte urdhëruar largimin e popullsisë hebre dhe të krishterë nga Jemeni, ai ua kishte blerë pronat e tyre. Ai shkruan më tej:

“Në Jemen, pronat e të krishterëve dhe të hebrenjve cilësoheshin si Hiraxhi pra tokat e tyre ishin të tatueshme. Megjithatë, kur Hazret Omeri r.a. shpronësoi hebrenjtë dhe të krishterët nga tokat e tyre, dhe i detyroi të largoheshin nga gadishulli arab, ai nuk ua hoqi pronësinë mbi tokat e tyre me dhunë, edhe pse ato cilësoheshin si të tatueshme dhe shteti konsiderohej pronari i tyre, madje i shpërbleu me të holla, kundër vlerës së tyre.

Lidhur me këtë gjejmë një hadith të përmendur në Fath’ul Bari

عن يحيى بن سعيد أن عمر أجلى أهل نجران و اليهود و النصارى و اشترى بياض أرضهم و كرومهم

Hazret Jahja ibn Sa’idi transmeton se Hazret Omeri r.a. kishte dëbuar idhujtarët, hebrenjtë dhe të krishterët nga Nexhrani dhe u kishte blerë tokat dhe pemishtet.

Është e qartë se toka në pronësinë e hebrenjve nuk mund të quhej Ushuri, pasi për t’u quajtur Ushuri, ajo tokë duhet të kishte pronar musliman dhe kështu nuk mund të justifikohej blerja e tokës nga hebrenjtë. Sigurisht, ajo tokë ishte Hiraxhi njësoj siç konsiderohet toka indiane, megjithatë Hazret Omeri r.a. nuk i shtetëzoi tokat e tyre dhe as nuk i shpronësoi me dhunë, përkundrazi ua pagoi çmimin e pronave. Ndoshta dikush mund të thotë se ajo tokë nuk ishte as hiraxhi e as Ushuri por i përkiste ndonjë kategorie tjetër, megjithatë një mendim i tillë do të jetë plotësisht i pabazë dhe i gabuar, që tregon vetëm injorancën ndaj ligjit islamik. Sipas ligjit të Islamit, toka mund të ndahet vetëm në dy kategori: Hiraxhi apo Ushuri. Përveç këtyre, në Islam nuk gjejmë ndonjë kategori tjetër të pronave, veçse të jetë tokë e braktisur që nuk është në pronësinë e askujt. Në këtë mënyrë, sigurisht toka e këtyre banorëve të Nexhranit, që ishin hebrenj, të krishterë apo idhujtarë duhet të ishin gjithashtu Hiraxhi apo Ushuri, por në të dyja raste, Hazret Omeri i shpalli zaptuesit e tokave si pronarë dhe ua bleu tokat në mënyrë ligjore.

Islami kundërshton skllavopronarinë

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. ka shpjeguar se Islami ndalon skllavërimin e njerëzve, përveçse të zihen si rob lufte. Ai shkruan:

“Allahu thotë:  تُرِيدُونَ عَرَضَ الدُّنْيَا O Muslimanë! A dëshironi të shtoni fuqinë dhe pushtetin tuaj duke robëruar popujt e tjerë dhe duka ua hequr lirinë. وَاللَّهُ يُرِيدُ الْآخِرَةَ Allahu nuk dëshiron që ju të ndiqni botën, por Ai dëshiron që ju të ndiqni urdhrat e Tij, që janë të dobishme për ju për nga fundi dhe të cilët ju sigurojnë pëlqimin dhe kënaqësinë e Allahut. Pra, për sa i përket pëlqimit dhe kënaqësisë së Allahut dhe përfundimit të mirë, është më mirë për ju të mos robëroni askënd, përveç atij i cili është zënë si rob lufte gjatë një konflikti të përgjakshëm. Në këtë mënyrë, Islami nuk lejon robërimin e asnjërit, përveç atyre që zihen si rob lufte.

Në fillim, këta urdhra zbatoheshin rreptësisht. Njëherë gjatë periudhës së Hazret Omerit r.a. i erdhi një delegacion i banorëve të Jemenit. Ata u ankuan se përpara Islamit, të krishterët i kishin zënë si rob me dhunë pa bërë asnjë luftë dhe pa asnjë justifikim, ndërkohë ata ishin një fis i lirë. Kështu ata iu lutën Hazret Omerit r.a. për lirinë. Hazret Omeri r.a. u tha: Ndonëse kjo ngjarje ka ndodhur para Islamit, unë do ta hetoj atë, e nëse ju keni thënë të vërtetën, do të fitoni menjëherë lirinë.

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. krahason mësimet e Islamit me historinë europiane. Ai shkruan:

“Hazret Omeri r.a. i dëgjoi me vëmendje dhe i siguroi se do të vepronte me mësimet e Islamit. Por çfarë ka ndodhur në Europë? Për zhvillimin e industrisë dhe bujqësisë së tyre, ata përkrahën dhe vazhduan shfrytëzimin e punës së skllevërve deri në fillim të shek. XIX. Padyshim, në historinë islame, gjejmë shembuj të skllavopronarisë jo-islame, por nuk gjejmë asnjë rast kur ata të jenë shfrytëzuar për rritjen e sektorit ekonomik dhe industrial. Në Islam, nuk ekziston një koncept i tillë”.

Thatësira në Medinë

Njëherë gjatë periudhës së Hazret Omerit r.a. ra një thatësirë e madhe në Medinë dhe në periferi. Kur frynte era e tërbuar, ajo ngrinte pluhurin si hi dhe përhapte gjithandej, për këtë arsye e quajtën عام الرمادة viti i hirit.

Auf ibn Harithi transmeton nga babai i tij se viti kur kishte rënë thatësirë u quajt viti i hirit, pasi nga mungesa e shiut dhe zgjatja e thatësirës, dheu ishte bërë i zi, dhe duke u shkrifëruar ishte shndërruar në hi. Kjo gjendje kishte zgjatur për 9 muaj. Hizam ibn Harithi transmeton nga babai i tij se kur njerëzit u kthyen nga haxhi në vitin 18 hixhri, ata u gjetën përballë një mynxyre të madhe. Thatësira i kishte rënë kryq e tërthor krejt vendit. Bagëtia po ngordhej dhe njerëzit po vdisnin nga uria. Gjendja ishte kaq e rëndë, saqë njerëzit bluanin kockat dhe pluhurin e tyre e pinin duke e përzierë me ujë. Ata gjithashtu gërmonin vrimat e minjve që të gjenin diçka për të ngrënë.

Hazret Ibn Omeri rrëfen se Hazret Omeri r.a. i kishte shkruar një letër Hazret Amr ibn Asit r.a. dhe i kishte thënë:

“Në emër të Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëbërësit. Nga robi i Allahut Omeri, Prijësi i Besimtarëve drejtuar Asit ibn Asit. Paqja qoftë mbi ju! A dëshironi të gjeni mua dhe njerëzit e mi në vdekje, ndërsa ju dhe populli juaj të jetojnë. A ka dikush të na ofrojë ndihmë? Ndihmë! Ndihmë! Ndihmë!”

Si përgjigje Hazret Amr ibn Asi i shkroi:

“Në emër të Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëbërësit. Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut. Drejtuar robit të Allahut. Ndihma ju vjen shumë shpejt, ju lutem, duroni vetëm pak. Unë po nis një karvan kaq të madh drejt jush, saqë deveja e parë e të cilit nëse ndodhet pranë jush, deveja e fundit do të jetë pranë meje”.

Kështu guvernatori i Egjiptit Hazret Amr ibn Asi r.a. dërgoi menjëherë një mijë deve të ngarkuara me drithëra dhe të lashta. Veshmbathje, vajrat etj. ishin veç këtyre. Guvernatori i Irakut Hazret Sa’di dërgoi 3 mijë deve me drithëra dhe veshmbathje. Guvernatori i Sirisë Hazret Amir Muavija dërgoi 2 mijë deve, të ngarkuara me drithëra, ndërkohë veshmbathje ishin veç tyre.

Kujdes ndaj popullit beduinë

Kur mbërriti ngarkesa e parë, Hazret Omeri r.a. iu drejtua Hazret Zubejr ibn Avami r.a. dhe i tha: Ndaloni karvanin dhe drejtojeni atë drejt beduinëve dhe fshatarëve. Së pari duhet të shpërndani ndihma midis tyre. Betohem në Allah! Ndoshta pas shoqërimit me të Dërguarin e Allahut, nuk do të gëzoni asgjë më të bekuar se kjo. Bëni veshje nga trastat e tyre dhe therni devetë që të përdorin si ushqim. Le të ushqehen me mish, ndërsa yndyrat t’i ruajnë për më vonë. Ju nuk duhet të prisni, nëse ata thonë se po presin për shi. Le të bëjnë bukë dhe të ruajnë miellin, derisa Allahu t’ua lehtësojë gjendjen”.

Mensa popullore për të gjithë

Hazret Omeri r.a. porosiste për të gatuar ushqimin dhe më vonë dikush njoftonte se kushdo që dëshironte, mund të vinte në kohën kur shtrohej buka. Çdo njeri mund të hante çka i pëlqente, ose mund të merrte për veten apo për familje. Hazret Omeri r.a. përgatiste “Therid”, i cili është një gatim i veçantë që bëhet me thërrimet e bukës dhe mish. Kjo bukë shoqërohej me gjellën e ullirit, e cila përgatitej në tenxhere të mëdha. Për këtë gatim, ata i thernin devetë çdo ditë dhe Hazret Omeri r.a. gjithashtu hante bashkë me ta.

Pakënaqësi ndaj sjelljes favorizuese

Abdullah ibn Zejd ibn Eslemi transmeton nga gjyshi i tij Eslemi se gjatë kësaj periudhe Hazret Omeri r.a. agjëronte pandërprerë. Bukën që i sillnin në përgjithësi ishte e lyer me vaj ullirin. Njëherë, u therën disa deve për t’i ushqyer njerëzit, por ata e ruajtën pjesën më të mirë të mishit për Hazret Omerin. Kur i sollën gjellën që mbante pjesën e shpatullave dhe të mëlçisë. Kur Hazret Omeri i pyeti se nga kishte ardhur ai mish, ata iu përgjigjën: O prijës i besimtarëve! Këto janë nga devetë që kemi therur për mensën popullore. Hazret Omeri r.a. u shpreh: Vaj për mua! Vaj për mua! Do të jem me siguri një udhëheqës i keq, nëse ha për veten pjesën më të mirë të ushqimit, ndërsa njerëzve t’u shtroj pjesën më të thjeshtë. Largojeni këtë tas nga sofra dhe më sillni diçka tjetër për të ngrënë. Kështu, i sollën bukë të thjeshtë të lyer me vajin e ullirit. Ai theu bukën me dorë dhe bëri therid me të e pastaj i tha shërbëtorit të tij: O Jerfe! Zoti të bëftë hajr! Merrni këtë tas dhe çojeni te një familje në Semek”. Në fakt, Semeku ishte emri i një kopshti hurmash, në pronësinë e Hazret Omerit, i cili ndodhej afër Medinës. Hazret Omeri r.a. kishte dhuruar këtë kopsht në Vakëf. Ai gjithashtu tha: “Kam tri ditë që nuk u kam çuar asgjë, dhe mendoj se ata do të jenë të uritur tani.

Brengosja e Hazret Omerit për popullin e tij

Hazret Ibn Omeri r.a. ka transmetuar se gjatë ditëve të thatësirës, Hazret Omeri bënte diçka që nuk kishte bërë më parë. Ai hynte në shtëpi, pasi kishte drejtuar namazin e jacisë në xhami dhe pastaj vazhdonte të falte në shtëpi deri në fund të natës. Pastaj, ai dilte në rrugicat e Medinës dhe sillej rreth e përqark qytetit. Një ditë, në kohën e syfyrit e pashë duke bërë këtë lutje: أللهم لا تجعل هلاك أمة محمد على يدي O Allah! Mos e ço umetin e Muhammedit s.a.v.s. në shkatërrim me duart e mia.

Muhammed ibn Jahja ibn Hibani transmeton se gjatë ditëve të thatësirës, njerëzi i shtruan Hazret Omerit r.a. bukë të zhytur në gjellë me dhjamë.  Ai ftoi një beduin që ta shoqëronte në ushqim. Beduini nxitonte për të ngrënë dhjamën nga anët e tasit. Hazret Omeri i tha: Përse po hani kështu, sikur nuk keni parë dhjamën ndonjëherë? Ai u përgjigj: Po, unë kam ditë, që as nuk kam ngrënë dhjamë apo ulli dhe as nuk kam parë dikë duke u ushqyer me to. Pasi dëgjoi këto fjalë, Hazret Omeri u betua se nuk do të prekte as mishin e as vajin, derisa njerëzit të ktheheshin në gjendjen e tyre të mëparshme të rehatisë dhe mbarësisë.

Sjellja vetëmohuese e Hazret Omerit r.a.

Ibn Tausi transmeton nga babai i tij se gjatë periudhës së thatësirës Hazret Omeri nuk përdorte as mishin e as dhjamë derisa njerëzve u përmirësua mirëqenia dhe u erdhi mbarësia. Meqë ai tashmë ushqehej vetëm me vaj, barku e gërryente për bukë. Ai nganjëherë i drejtohej stomakut: Bëj zhurmë sa të duash. Pasha Allahun, s’ke për të gjetur asgjë, derisa njerëzit të kthehen në mbarësi dhe të ushqehen njësoj siç janë ushqyer më parë.

Ajaz ibn Halifa tregon se kishte parë Hazret Omerin gjatë periudhës së thatësirës. Atij i ishte errësuar ngjyra e lëkurës, ndonëse ai ka qenë i bardhë. Kur e pyetëm se si kishte ndodhur ky, transmetuesi na tregoi se duke qenë arab, Hazret Omeri gjithmonë përdorte bulmet dhe yndyrat etj. Por gjatë periudhës së thatësirës, ai e ndaloi përdorimin e tyre për veten derisa t’u kthehej njerëzve gjendja e mëparshme. Hazret Omerit iu ndryshua ngjyra e lëkurës pasi ai hante bukë me vaj. Nga mungesa e ushqimit, lëkura i ishte bërë më e errët.

Osama ibn Zejd ibn Eslemi transmeton nga gjyshi i tij se ata thoshin se nëse Allahu nuk do t’i jepte fund thatësirës, Hazret Omeri me siguri do të shuhej duke u brengosur për gjendjen e muslimanëve. Zejd ibn Eslemi ka transmetuar që gjatë kohës së thatësirës, njerëzit nga e gjithë arabia ishin vendosur në Medinë. Hazret Omeri kishte porositur për të organizuar qëndrimin dhe ushqimin e njerëzve që vërshonin në Medinë. Ai kishte caktuar njerëz në të gjitha anët e qytetit, të cilët e raportonin të gjitha zhvillimet e ditës në mbrëmje. Populli beduin ishte vendosur në lagje të ndryshme të Medinës. Një ditë pas vaktit të darkës, Hazret Omeri porositi numërimin e njerëzve që ishin ushqyer në mensën popullore. Pas numërimit, doli që 7 mijë persona ishin ushqyer atje. Ai gjithashtu porositi për të numëruar edhe ata të cilët nuk kishin ardhur në darkë, po ashtu edhe numrin e atyre që ishin të sëmurë dhe fëmijë. Pas regjistrimit të numërimit, ata arritën në përfundim se ata ishin 40 mijë.

Pas disa ditësh, ky numër u rrit ndjeshëm. Filloi edhe njëherë numërimi i atyre njerëzve, që hanin në mensën popullore dhe ata mësuan se 10 mijë njerëz ushqeheshin nga sofra e Hazret Omerit ndërsa 50 mijë rrinin në shtëpi. Kjo vazhdoi derisa Allahu zbriti shiun. Unë e pashë Hazret Omerin, i cili kishte porositur shërbëtorët e tij, që të siguronin kthimin e njerëzve në vendet e tyre dhe t’i furnizojnë me drithëra dhe kafshë për transport.

Lutje për shi dhe fundi i thatësirës

Në Tarikh Teberi, gjejmë të përshkruar fundin e thatësirës. Një njeri kishte parë në ëndërr se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i ka tërhequr vëmendje ndaj lutjes. Atëherë, Hazret Omeri r.a. urdhëroi për të lajmëruar faljen e namazit të Istikasë (për të kërkuar shi). Hazret Omeri tha: Fatkeqësia ka arritur kulmin e saj dhe në dashtë Allahu, ajo do të përfundojë shumë shpejt. Të dini, që populli i cili i drejtohet lutjes, fiton shumë shpejt lirinë nga mjerimi”. Ai gjithashtu u shkroi letra guvernatorëve të disa qyteteve dhe u tha: “Falni namazin e Istiskasë për banorët e Medinës dhe të rrethinës të saj, pasi fatkeqësia ka arritur kulm”.

Hazret Omeri tuboi njerëzit në një fushë, jashtë Medinës, për namazin e Istiskasë. Ai erdhi bashkë me Hazret Abasin, udhëhoqi namazin dhe filloi këtë dua: “أللهم اياك نعبد و اياك نستعين أللهم اغفرلنا وارحمنا وارض لناز O Allah! Ne të adhurojmë ty dhe vetëm prej teje ndihmë  kërkojmë. O Allah! Falna gabimet tona dhe bëhu i kënaqur prej nesh. Pastaj ai u kthye në Medinë. Hazret Omeri ende nuk ishte kthyer në shtëpi, dhe nga shirat e rrëmbyeshme fusha u kthye në një pellg të madh.

Sipas një transmetimi Hazret Omeri r.a. Ishte lutur kështu: O Allah! Kur na qëllonte thatësira në kohën e të Dërguarit Tënd, ne luteshim në saj të Profetit Tënd dhe Ti zbrisje shi mbi ne. Sot, ne të lutemi Ty, duke të përgjëruar në saje të xhaxhait të tij, që të shpëtosh nga kjo thatësirë dhe të na zbresësh shi”. Njerëzit akoma nuk kishin lënë vendin e tyre, dhe filloi shi i rrëmbyeshëm.

Lutje për të kërkuar shi

Shtrimi i qilimave në xhaminë e Profetit

Abdullah ibn Ibrahimi ka rrëfyer se si kishte filluar shtrimin e qilimit në xhaminë e Profetit. Në fillim, kur njerëzit faleshin në dysheme të pashtruar, u ngjitej dhe në ballë. Pastaj, nisi shtrimi i qilimave. Hazret Abdullah ibn Ibrahimi transmeton se Hazret Omer ibn Hatabi r.a. ishte i pari, i cili mendoi për shtrimin e qilimave. Përpara, sa herë të ngriheshin nga sexhdeja, njerëzit shkundnin dhe nga ballët e tyre. Atëherë, Hazret Omeri dha urdhër për shtrimin e qilimave. Këta qilima ishin prodhuar në Akik, i cili është një luginë e madhe, me një sipërfaqe prej 150 km2 dhe fillon nga jug-perëndimi dhe përfundon në veri-perëndim.

Rindërtimi dhe zgjerimi i xhamisë së Profetit

Gjatë periudhës së Hazret Omerit r.a., në vitin 17 hixhri, filloi zgjerimi i xhamisë së Profetit. Hazret Abdullah ibn Ibrahimi transmeton se në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., xhamia ishte ndërtuar me tulla të thjeshta, ndërkohë çatia përbëhej nga degët dhe gjethet e hurmës dhe shtyllat nga trungjet e tyre. Hazret Ebu Bekri r.a. e kishte lënë xhaminë në gjendjen e saj origjinale dhe nuk kishte bërë asnjë ndryshim apo zgjerim. Hazret Omeri e ndërtoi sërish dhe e zgjeroi, por nuk lejoi asnjë ndryshim në formën e saj apo në stilin e ndërtimit. Çatia mbeti prapë me gjethet e hurmës. Vetëm për shtyllat, ai zëvendësoi trungjet e hurmës me tar druri. Në vitin 17 hixhri, Hazret Omeri r.a. kishte nisur punimet e xhamisë nën mbikëqyrjen e tij. Pas këtij zgjerimi, sipërfaqja e xhamisë kishte arritur nga 100×100 zira përkatësisht 50x50m­2 në 140×120 zira ose 70x60m2.

Në bazë të këtij hadithi, arrijmë në përfundim se në periudhën e Hazret Ebu Bekrit, xhamia e Profetit nuk kishte pësuar asnjë ndryshim, ndërsa në periudhën e Hazret Omerit r.a., xhamia jo vetëm që u ndërtua nga fillimi, por ajo u zgjerua gjithashtu.

Hazret Ebu Seid el-Hudriu r.a. transmeton se Hazret Omeri r.a. porositi për rindërtimin e xhamisë si dhe për të marrë masat për mbrojtjen nga shiu. Megjithatë, ai gjithashtu ndaloi përdorimin e elementëve zbukurues, pasi stolisja dhe zbukurimi e shtyn njeriun në vështirësi. Hazret Omeri r.a. gjithashtu shpenzoi paratë me shumë kujdes dhe punimet e xhamisë, i kreu në të njëjtin stil, siç kishte qenë në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Gjatë procesit të zgjerimit, ai duhej të shpronësonte disa shtëpi të ngjitura, që ndodheshin në veri, jug dhe perëndim të xhamisë. Disa persona dhuruan pronat e tyre me kënaqësi, ndërsa për të tjerët, Hazret Omeri duhet të bisedonte dhe u bënte oferta interesante, dhe kështu i duhej të blinte disa prona për t’u përfshirë në xhami.

Regjistrimi i popullsisë

Në periudhën e Hazret Omerit r.a. nisi dhe praktika e regjistrimit të popullsisë. Në mënyrë të ngjashme u themelua për herë të parë sistemi i shpërndarjes së ushqimit. Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. ka shkruar një shënim të rëndësishëm mbi mënyrën se si funksiononte shteti dhe ndryshimet që u paraqitën në çështjet administrative. Ai shkruan:

Detyra e parë që realizoi i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në Medinë ishte vënia e lidhjes vëllazërore midis atyre që kishin prona dhe atyre që kishin mbetur pa prona. Ensarët posedonin pronat ndërsa muhaxhirët nuk kishin asgjë me vete. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i lidhi ensarët dhe muhaxhirët në lidhjen vëllazërore. Çdo person që kishte prona, ishte lidhur me një person tjetër që ishte pa prona. Disa prej tyre përmbushën këtë lidhje në mënyrë kaq shembullore, saqë nëse dikush kishte dy gra, ai ofroi që vëllai i tij muhaxhir të zgjidhte njërën prej tyre, që ai të ndahej prej saj. Ky ishte shembulli i parë i barazisë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte themeluar në Medinë, e cila ishte gjithashtu qendra themelore e pushtetit.

Në fillim, burimet e të ardhurave ishin të kufizuara, dhe e vetmja mënyrë ishte të bashkoheshin muslimanët e pasur dhe të varfër, me qëllim që secilit t’i sigurohej ushqimi. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. përdori këtë metodë edhe gjatë një lufte, por thjesht ia ndryshoi pak formën. Në një luftë, ai mësoi se disa muslimanëve nuk u kishte mbetur asnjë ushqim, ndërsa ka disa të tjerë, që i kishin ushqimet në bollëk. Duke parë këtë gjendje, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. porositi sahabët për të sjellë çdolloj ushqimi që kishin, dhe të grumbullojnë në një vend. Kur të gjithë sollën ushqimet e tyre, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. caktoi një racion, me qëllim që të gjithë furnizoheshin, për aq kohë sa ishte e mundur. Por kur gjendja u shtrëngua akoma më shumë, dhe kishte frikë që disa njerëz do të mbeten pa ushqim, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. porositi që tani e tutje nuk lejohet ushqimi i ndarë, por të gjithë do të ushqehen të barabartë në një vend.

Ky vendim nuk ishte frymëzuar nga ndonjë politikë socialiste apo komuniste, përkundrazi ishte nevoja e kohës. Sahabët kanë thënë se ata ndoqën porosinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në mënyrë kaq rigoroze, saqë nëse dikush kishte vetëm një kokërr hurme, ai nuk donte ta hante atë, përkundrazi e dorëzonte në rezervën qendrore, pasi ky veprim i dukej një shkelje e rëndë dhe abuzim i madh.

Themelimi i politikës sociale për mirëqenien e njerëzve

Pastaj në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s,. muslimanët gëzuan dhe të mirat materiale. Allahu ua dhuroi muslimanëve edhe thesaret e botës. Megjithatë, Allahu i Madhërishëm kishte dashur që një sistemi i mirëfilltë të vendosej pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., që askush të mos dyshonte se këto të mira apo udhëzime të tilla ishin lidhur vetëm me kohën e Profetit dhe asnjeri nuk mund të shpallte ato pas tij.

Ai gjithashtu shkruan:

“Nëse në një anë Allahu i Madhërishëm manifestoi një shembull të veçantë përmes të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., në anën tjetër ensarët gjithashtu ofruan pasuritë e tyre para muhaxhirëve. Por, muhaxhirët nuk pranuan të merrnin pronat e ensarëve pakusht, parandaj ata u thanë se donin të punonin në tokat e tyre dhe do t’u jepnin ensarëve pjesën e tyre nga fitimi. Megjithatë, ensarët nuk shfaqën asnjë ngurrim në dhënien e pronave. Kjo është njësoj sikur një shtet vendos të shpërndajë ushqime sipas racioneve, por një njeri nuk dëshiron ta pranojë pjesën që i takon. Mospranimi i racionit nga ana a njeriut, nuk e bën shtetin fajtor. Ne do të themi se shteti kishte caktuar racionin, por ai njeri kishte mundësi, daç ta pranonte, daç ta refuzonte. Në të njëjtën mënyrë, ensarët ofruan gjithçka që posedonin. Kjo është çështja tjetër që muhaxhirët nuk e pranuan këtë.

Në fakt, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte nisur këtë praktikë qysh në jetën e tij. Madje, kur mbreti i Behrejnit pranoi Islamin, ai e porositi që ata banorë që nuk posedonin asnjë tokë për të siguruar të ardhurat, duhet të merrnin 4 dirhamë dhe veshmbathje për mbijetesë dhe askush të mos detyrohej të jetojë pa asnjë asistencë. Më vonë, muslimanët gjithashtu filluan të gëzonin të mirat materiale. Meqë, numri i muslimanëve ishte i vogël dhe pasuritë ishin të mëdha, nuk u ndjej nevoja për hartimin e ndonjë ligji të ri.

Pra, derisa nevojat e qytetarëve po plotësohen, shteti nuk ka nevojë të hartojë ndonjë ligj të ri, dhe miratimi i ligjeve të veçanta varet nga situata të rrezikshme.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndërroi jetë dhe muslimanët filluan të shpërndaheshin në vende të ndryshme të botës. Në këtë kohë, popujt joarab gjithashtu përqafuan Islamin. Arabët kishin jetuar si një trup e një popull, dhe ata silleshin në mënyrë të barabartë me njëri-tjetrin. Me shtrirjen e Islamit në vende të ndryshme dhe hyrjen e kombeve dhe racave të reja në Islam, u ndiej nevoja për një strukturë, përmes së cilës të sigurohej nevoja e çdosecilit.

Atëherë, Hazret Omeri r.a. urdhëroi regjistrimin e popullsisë dhe themeloi sistemin e shpërndarjes së ushqimeve, i cili vijoi deri në periudhën e umejave. Historianët europianë gjithashtu kanë pranuar se Hazret Omeri r.a. kishte realizuar regjistrimin e parë të popullsisë. Ata janë shprehur gjithashtu se përmes këtij regjistrimi, ai nuk donte t’u rrëmbejë paratë dhe pronat e tyre, përkundrazi synonte t’i furnizonte me ushqim e veshmbathje. Shtetet e tjera e përdorin regjistrimin e popullsisë për të shfrytëzuar popullin e tyre për shërbimet ushtarake, ndërkohë Hazret Omeri synoi furnizimin e tyre me ushqim, duke nxjerrë numrin e njerëzve që ishin në nevojë, për të llogaritur përmasën e ndihmave.

Në këtë mënyrë, pas regjistrimit të popullsisë, çdo personi i sigurohej ushqimi sipas një sistemi të caktuar, ndërsa për nevojat e tjera i jepej çdo muaj një ndihmë financiare. Hazret Omeri kontrollonte këtë sistem personalisht me një përgjegjshmëri dhe kujdes të veçantë. Kur muslimanët shënuan fitore ndaj Sirisë dhe nisi të qarkullonte vaj ulliri në Medinë dhe tashmë të gjithë kishin mundësi ta konsumonin atë. Hazret Omeri r.a. u tregoi njerëzve se nga përdorimi i vajit të ullirit, i fryhej gjithmonë barku. Ai kërkoi leje që në vend të vajit të ullirit, të merrte sasinë e njëjtë të gjalpit nga Bejtul Mali.

Ky ishte hapi i parë në Islam, që u ndërmor për t’iu përgjigjur nevojave të njerëzve dhe për mirëqenien e tyre. Është e qartë që pas ngritjes së një sistemi të tillë, nuk mbetet më nevojë për ndonjë strukturë tjetër, pasi shteti bëhet përgjegjës për nevojat e krejt vendit. Shteti islamik bëhet përgjegjës për ushqimin, veshmbathjen, arsimin, shëndetësinë, banimin dhe për ndërtimin e banesave. Nëse një shtet arrin të përmbushë këto synime, nuk mbetet më nevojë për ndonjë ndërmarrje për sigurimin e jetës. Njerëzit bëjnë sigurimin e jetës, sepse duan të lënë diçka për fëmijët e tyre apo të plotësojnë nevojat e tyre në pleqëri, kur nuk do të kenë mundësi për të siguruar të ardhurat. Nëse shteti merr përsipër këtë detyrë, nuk do të ketë më nevojë për sigurimet. Megjithatë, më vonë kjo çështje u lidh me pëlqimin e mbretit dhe meqë akoma mësimet e Islamit nuk ishin konsoliduar plotësisht, ata u kthyen sërish te mënyrat e Cezarit dhe Kisrasë.

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. shkruan se shteti islamik është përgjegjës që t’i plotësojë të gjitha nevojat elementare si ushqim, veshmbathje etj. Ai shkruan:

“Kur shteti islamik pushtoi pasuritë, ai gjithashtu siguroi ushqimin dhe veshmbathjen për çdo qytetar. Në kohën e Hazret Omerit r.a., kur ky sistem u plotësua, sipas mësimeve të Islamit, shteti ishte përgjegjës për t’i siguruar ushqim e veshmbathje çdo qytetari dhe shteti e përmbushte këtë përgjegjësi në mënyrë të shkëlqyer. Hazret Omeri nisi dhe procesin e regjistrimit të popullsisë, dhe të gjithë emrat u shënuan nëpër fletore zyrtare. Studiuesit europianë gjithashtu kanë pranuar që regjistrimi i popullsisë ishte realizuar për herë të parë në kohën e Hazret Omerit r.a. i cili kishte nisur sistemin e fletoreve për shënimin e emrave. Me anë të këtij regjistrimi ai synonte të furnizonte çdo njeri me bukë dhe veshmbathje, dhe ishte detyra e shtetit të ishte në dijeni se sa shumë njerëz të kësaj kategorie jetojnë brenda vendit.

Sot, disa shprehen se një sistem i tillë është themeluar për herë të parë nga Bashkimi Sovjetik, ku shteti kujdeset për ushqimin dhe veshmbathjen e njerëzve të varfër. Ndërsa, një sistem i mirëfilltë ekonomik ishte themeluar nga Islami dhe në kohën e Hazret Omerit ishin regjistruar emrat e qytetarëve në çdo fshat apo qytet. Aty shënoheshin emrat e çdo kryefamiljari, bashkë me bashkëshorten dhe fëmijëve të tij. Pastaj, i caktohej një sasi të caktuar ushqimi, me qëllim që edhe ato familje që konsumojnë pak ushqim dhe ato të cilat kanë nevojë më të madhe, të ushqehen sipas dëshirës së tyre.

Sipas historianëve, në ligjet e miratuara nga Hazret Omeri r.a., në fillim nuk ishte parashikuar kategoria e fëmijëve, që ushqeheshin me gji. Këta fëmijë shtoheshin në listë vetëm kur nënat e tyre i hiqnin nga gjiri.

Siç kam përmendur në hutben e fundit, një natë Hazret Omeri po sillej në qytet për të mësuar gjendjen e njerëzve. Ai dëgjoi të qarat e një fëmije nga një tendë. Hazret Omeri u ndal pranë saj. Fëmija nuk pushonte së qari, ndërsa nëna mundohej ta vinte në gjumë. Kur kaloi shumë kohë dhe fëmija vijonte të qante, Hazret Omeri iu drejtua asaj: Përse nuk e ushqeni fëmijën? A nuk shikoni se ai po qan aq shumë? Ajo grua nuk e njohu Hazret Omerin dhe mendoi se është një njeri i thjeshtë. Ajo i tha: A nuk di se Omeri ka vendosur se fëmijët me gji nuk do të furnizohen me ushqim. Ne jemi të varfër dhe mezi arrijmë të plotësojmë shpenzime. Unë e kam hequr këtë fëmijë nga gjiri, që të marrim diçka nga bejtul Mali. Nëse prapë qan, le të qajë për Omerin, i cili ka bërë një ligj të tillë.

Hazret Omeri r.a. u kthye menjëherë dhe ishte shumë i pikëlluar. Ai po e qortonte veten dhe thoshte: O Omer! Nuk e di sa fëmijë arabë i paske dobësuar dhe i kequshqyer, duke i hequr nga gjiri. Përgjegjësia e të gjithë këtyre fëmijëve është e jotja”.

Pastaj Hazret Omeri shkoi drejt në magazinë, hapi derën dhe mbari një thes me miell. Një njeri i kërkoi leje që të shpinte thesin për të, por ai e refuzoi dhe tha: “Jo, faji është i imi, andaj unë jam obliguar ta shpaguaj dëmin”. Hazret Omeri shpuri thesin e miellit te grua dhe të nesërmen shpalli ligjin e ri sipas të cilit çdo fëmijë që lind, menjëherë i caktohet pjesë në racion, pasi nëna e fëmijës, e cila e ushqen me gji, gjithashtu kërkon ushqim.

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. tregon:

Është feja islame, e cila mbron dhe mbështet të drejtat kombëtare. Sipas Islamit, përgjegjësia e ushqimit, banimit dhe veshmbathjes i takon shtetit, prandaj Islami gjithashtu dha parime për të. Sot, edhe shtetet e tjera po e imitojnë por jo plotësisht. Njerëzit po lidhin kontratat e sigurimeve, po jepen dhe pensionet, por para Islamit, asnjë fe nuk ka dhënë këtë dispozitë që shteti duhet të mbajë përgjegjësi për ushqimin dhe veshmbathjen e çdo qytetari, si në rini po ashtu në pleqëri.

Në botë, regjistrimi i popullsisë kryhet që të vjelin më shumë taksa apo të mbledhin informacion se në rast lufte, sa shumë të rinj mund të gjejnë për shërbim. Por, regjistrimi i parë i popullsisë, i cili ishte realizuar në periudhën e Hazret Omerit r.a., kishte për qëllim që të siguronte ushqim dhe veshmbathje për çdo individ. Sigurisht, regjistrimi i popullsisë ishte realizuar edhe gjatë kohës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., por muslimanët ende nuk kishin fituar pushtetin, dhe qëllimi i atij regjistrimi ishte të mësohej numri i saktë i muslimanëve.

Regjistrimi i parë i popullsisë gjatë sundimit të muslimanëve, ishte kryer në periudhën e Hazret Omerit r.a.. Ky regjistrim i popullsisë kishte për qëllim të sigurohej furnizimi i çdo individi me ushqim dhe veshmbathje. Kjo është një detyrë madhështore dhe siguron paqe në shoqëri.

Jo çdonjëri mund të durojë përgjigjen e zakonshme që “dorëzoni kërkesën e ne do ta shqyrtojmë atë”. Prandaj Islami ka ngritur këtë parim që ushqimi dhe veshmbathja bien në përgjegjësinë e shtetit. Nga kjo skemë do të përfitojnë të gjithë, pavarësisht a janë të varfër apo milionerë, madje edhe nëse përfituesi e kalon te dikush tjetër. Në këtë mënyrë, ky parim nuk bën asnjë dallim midis askujt.

Ndarja e shteteve në provinca

Në periudhën e Hazret Omerit r.a. u realizua gjithashtu ndarja administrative e shteteve në provinca të vogla. Kështu për të lehtësuar administrimin e vendeve të pushtuara nga muslimanët, në vitin 20 hixhri, ai urdhëroi ndarjen e tyre në 8 provinca administrative.

  1. Mekë
  2. Medinë
  3. Siri
  4. Xhezira
  5. Besra
  6. Kufe
  7. Egjipt
  8. Palestinë

Themelimi i kuvendit të këshillit (Mexhlis esh-Shura)

Në periudhën e Hazret Omerit r.a. u realizua gjithashtu themelimi i kuvendit të këshillit (Mexhlis Shura). Në këtë kuvend, merrnin pjesë tradicionalisht dhe domosdosmërish anëtarë nga muhaxhirët dhe ensarët. Pastaj, ensarët ishin ndarë në dy fise: Eus dhe Hazrexh dhe këto dy fise duhet të merrnin pjesë patjetër në kuvende të tilla. Në këto kuvende, merrnin pjesë gjithashtu Hazret Osmani, Hazret Aliu, Hazret Abdurrahman ibn Aufi, Hazret Mu’adh ibn Xhebeli, Hazret Ubej ibn Ka’bi dhe Hazret Zejd ibn Thabiti.

Mënyra e thirrjes së këtij kuvendi ishte e tillë që një njeri bënte njoftimin “الصلوة جامع” d.m.th. njerëzit të tubohen në xhami. Të gjithë shkonin në xhaminë e Profetit dhe në fillim Hazret Omeri r.a. falte dy rekate namaz. Pastaj, ai ngjitej në foltore dhe mbante një hutbe dhe paraqiste çështjen që duhet të diskutohej. Të pranishmit e diskutonin dhe debatonin çështjen në fjalë. Për çështjet e zakonshme si dhe ato tregtare konsideroheshin të mjaftueshme vendimet e këtij kuvendi. Por, kur duhet shqyrtuar ndonjë çështje me rëndësi të madhe, zhvillohej një kuvend i përgjithshëm me pjesëmarrjen e muhaxhirëve dhe ensarëve, dhe çështja zgjidhej vetëm me konsensusin e të gjithë anëtarëve. Çështjet si paga e ushtarëve, sistemimi i zyrave, caktimi i administratorëve, liria tregtare për popujt e tjerë, llogaritja e taksave mbi ta si dhe çështje të shumta të ngjashme shqyrtoheshin dhe vendoseshin në këtë kuvend të këshillit. Këto kuvende ftoheshin në situata të veçanta. Përveç kësaj zhvillohej dhe takimi i një kuvendi tjetër, në të cilin diskutoheshin çështjet e përditshme administrative. Në këtë kuvend, që zhvillohej në xhaminë e Profetit, kryesisht merrnin pjesë sahaba muhaxhirë. Në këtë kuvend, Hazret Omeri r.a. rrëfente lajmet e përditshme që ai merrte çdo ditë nga provincat dhe rrethet. Nëse ndonjë çështje ishte e diskutueshme, ai u kërkonte opinionin e tyre. Përveç anëtarëve të këshillit, populli i thjeshtë gjithashtu kishte të drejtë në çështjet administrative. Në përgjithësi administratorët e provincave dhe rretheve, zgjidheshin me pëlqimin e popullit, madje disa herë zhvillohej edhe procesi i zgjedhjeve normale. Kur filluan të caktoheshin inspektorët për mbledhjen e taksave në Kufe, Besra dhe Siri, Hazret Omeri r.a. dërgoi porosi në këto tri vende që banorët e këtyre vendeve duhet të zgjedhin dikë sipas pëlqimit të tyre, i cili të jetë më i denjë, më i ndershëm dhe më i aftë në sytë e tyre.

Cilat ishin këto porosi që Hazret Omeri u kishte dhënë inspektorëve? Për këtë gjejmë këto detaj:

“Zgjedhja e zyrtarëve për detyrat e rëndësishme bëhej përmes Këshillit, duke miratuar kandidatin, për të cilin pajtoheshin të gjithë anëtarët e këshillit. Nganjëherë ai i jepte urdhër administratorit të provincave apo rretheve që të propozonin emrin e personit më të denjë për atë detyrë. Pastaj, Hazret Omeri e pranonte këtë propozim dhe i caktonte ata si administratorë. Hazret Omeri gjithashtu kishte vendosur paga të larta për inspektorët. Kjo është gjithashtu një veprim i urtë, që ata të bënin ndershmërisht detyrën e tyre dhe të mos lakmohen për gjërat materiale.

Porositë për zyrtarë dhe administratorë

Hazret Omeri r.a. shpesh i këshillonte zyrtarët dhe përgjegjësit dhe u thoshte:

“Të dini se nuk ju kam caktuar mbi njerëz as si kryetar e as tiran, përkundrazi si imam që njerëzit t’ju ndjekin shembullin dhe t’ju imitojnë. Përmbushni të drejtat e muslimanëve dhe mos ushtroni trysni mbi ta. Mos i ndëshkoni ata, dhe mundoheni ti përmbushni të drejtat e tyre. Mos lëvdoni askënd pa të drejtë, që ai të bjerë në sprovë e ngatërresë. Mos i mbyllni kurrë dyert tuaja për të dobëtit, që të fortët t’i marrin nëpër këmbë. Mos e konsideroni veten superior mbi dikë, pasi kjo është shenjë prej mizorisë.”

Në kohën e Hazret Omerit r.a. inspektorëve u kërkohet be se nuk do të hipin kurrë në kuaj turk, nuk do vishen me copë të hollë, nuk do të ushqehen me miell të imët, nuk do të vendosin rojë nëpër shtëpitë e tyre dhe dyert e tyre duhet të jenë gjithmonë të çelura për hallexhinjtë. Këto udhëzime vlenin njësoj për të gjithë inspektorët dhe lexoheshin me zë të lartë në publik.

Pas caktimit të inspektorëve, u kontrollohej pasuri dhe prona që posedonin. Nëse vihet re një rritje e jashtëzakonshme në gjendjen financiare të ndonjë inspektori, të cilën ai nuk e justifikonte dot, atëherë ai u nënshtrohej masave disiplinore dhe i duhej të dorëzonte pasurinë e tepërme në thesarin e shtetit. Inspektorët e kishin për detyrë të mblidheshin në kohën e haxhit dhe merrte pjesë në gjyqin popullor. Nëse dikush kishte ndonjë ankesë apo pakënaqësi ndaj inspektorit, kërkesa e tij zgjidhej aty në vend. Për të hetuar dhe shqyrtuar këto kërkesa, ekzistonte një zyrë e veçantë. Në përgjithësi, sahabët e mëdhenj i përgjigjeshin kësaj detyre dhe kontrollonin me përpikëri kërkesat kundër inspektorëve. Nëse kërkesa ishte e drejtë, merreshin masat disiplinore ndaj tyre.

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. ka përshkruar reagimin e Hazret Omerit r.a. për ankesat ndaj inspektorëve. Ai shkruan:

“Në kohën e Hazret Omerit r.a. banorët e Kufës shfaqnin rebelizëm dhe nuk i bindeshin. Ata vazhdimisht çonin ankesa dhe kërkesa kundër përgjegjësve të tyre se filan gjykatës vepron kështu, filani ka këtë ves a filani ka këtë të metë. Hazret Omeri, sipas kërkesave të tyre, menjëherë e zëvendësonte zyrtarin në fjalë me ndonjë zyrtarin tjetër. Disa persona e këshilluan Hazret Omerin se kjo mënyrë e zëvendësimit nuk ishte mënyra e duhur, pasi banorët gjithmonë do të gjejnë ndonjë arsye për t’u ankuar dhe ju gjithmonë do të lëvizni nga pozitat e tyre. Ata e këshilluan se Hazret Omeri nuk duhet t’i lëvizte banorët kaq shpejt. Por Hazret Omeri u këmbëngul dhe tha: Unë do vazhdoj të zëvendësoj zyrtarët e mi, derisa banorët e Kufës të lodhen vetë dhe të heqin dorë nga praktika e tyre. Kur kjo vazhdoi për një farë kohe, dhe nuk u ndërprenë ankesat e banorëve, Hazret Omeri tha: Tani do t’u dërgoj banorëve të Kufës një guvernator, i cili do t’i drejtojë ata dhe do t’u heq shtrembërimin e tyre.

Ky guvernator ishte një djalë 19 vjeç, i cili quhej Abdurrahman ibn Ebi Lejla. Kur banorët e Kufës mësuan se guvernatori i ardhshëm është vetëm 19 vjeç, ata vendosën të talleshin me të. Ata ishin mjaft mistrec e provokues, andaj mblodhën krejt pleq të vendit, të moshës 70, 80 apo 90 vjeçare. Të veshur në xhybe, këta pleq bashkë me banorët e qytetit dolën për të pritur Abdurrahmanin në hyrjen e qytetit. Ata u morën vesh me njëri-tjetrin se së pari do ta pyesin guvernatorin e ri se sa vjeç ishte? Kur ai do të përgjigjej, ne do të tallemi me të se tani guvernatori ynë i ri qenka një djalë i papjekur.

Sipas këtij plani, ata dolën 2-3 milje jashtë qytetit për mikpritjen e guvernatorit. Abdurrahman ibn Ebi Lejla gjithashtu mbërriti i hipur në një mushkë. Banorët e Kufës qëndronin të rreshtuar dhe në fillim qëndronin pleqtë e tyre. Kur Abdurrahman ibn Ebi Lejlja iu afrua, ata e pyetën: a mos jeni ju guvernatori i ri mbi ne dhe quheni Abdurrahman? Kur ai u përgjigj pozitivisht, doli një plak i moçëm nga radha e tyre dhe e pyeti: Zotëri sa vjeç jeni ju? Aburrahmani iu përgjigj: Pyesni për moshën time? Për të llogaritur moshën time, duhet të dini se unë një vit më i madh se Hazret Osama ibn Zejdi, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte caktuar kryekomandant të ushtrisë muslimane, që përbëhej nga 10 mijë ushtarë, në të cilën bënin pjesë sahabë si Ebu Bekrir.a. dhe Omerir.a.”. Përgjigjja ishte kaq e drejtpërdrejtë dhe beftë, saqë të gjithë u nxinë dhe u larguan të turpëruar. Madje, ata i thoshin njëri-tjetrin: Kini kujdes derisa ky djalosh qëndron këtu dhe mos e nxirrni asnjë fjalë nga goja, ndryshe ai do t’ju çjerrë lëkurën”. Kështu Hazret Abdurrahman ibn Ebi Lejla sundoi për një kohë të gjatë, dhe banorët e Kufës nuk guxonin të flisnin kundër tij.

Reforma në grumbullimin e taksave

Pas fitores në Irak dhe Siri, Hazret Omerir.a. kushtoi vëmendje për të organizuar strukturën e grumbullimit të taksave. Tokat e qytetarëve vendase, të cilat mbretërit e mëparshëm u kishin rrëmbyer dhunshëm pronarëve legjitim dhe u kishin dhuruar feudalëve dhe oborrtarëve, Hazret Omeri r.a. ua ktheu qytetarëve vendas. Hazret Omeri gjithashtu dha urdhër që qytetarët arabë të cilët tashmë ishin vendosur në këto vende, nuk duhet të merreshin me bujqësi. Arsyeja pas këtij vendimi ishte që arabët nuk kishin përvojë të mjaftueshme në krahasim me banorët vendas, pasi çdo vend ka mënyra të veta të bujqësisë. Kështu, ai nuk i lejoi të ardhurit të merren me bujqësi.

Përpara, shteti mblidhte taksa me dhunë. Hazret Omerir.a. e reformoi këtë sistem dhe jo vetëm hartoi ligjet për taksat por gjithashtu lehtësoi mënyrën e grumbullimit të taksave. Ai i kushtonte një vëmendje të veçantë popullsisë jomuslimane dhe gjatë mbledhjes së taksave, gjithmonë i pyeste për ndonjë keqtrajtim gjatë procesit të pagimit të taksave. Ai vazhdimisht i kërkonte mendimin popullit “Dhimi” pra banorëve jo-musilmanë si persianë, të krishterë dhe i respektonte mendimet e tyre. Në lidhje me toka të braktisura e papunuara, të cilat kishin mbetur djerr, Hazret Omeri nxori ligjin se çdokush që i kthente tokat e papunuara në tokë bujqësore, do të fitonte pronësinë e tyre. Për këtë qëllim, ishte caktuar një periudhë 3 vjeçare.

Hazret Omeri r.a. solli ndryshime të ndjeshme në fushën e kanalizimit të ujërave. U themelua një drejtori e posaçme që kujdesej për çështjen e ujitjes dhe hapte liqene dhe rezervoire etj.

Këto janë disa nga veprat konkrete që janë realizuar në periudhën e Hazret Omerit r.a.. Kjo temë vijon edhe në të ardhmen. Insha-Allah

Publikimi i Enciklopedisë ahmediane

Dua t’ju bëj me dijeni se është hartuar një enciklopedi ahmediane, e cila do të publikohet sot zyrtarisht. Kjo enciklopedi është fryti i bashkëpunimit midis Drejtorisë Qendrore të Arkivit dhe Qendrës Kërkimore. Ata kishin nisur punë për këtë projekt para pak kohe dhe me mirësinë e Allahut sot kjo uebfaqe po bëhet online për të gjithë anëtarë të xhematit. Kjo uebfaqe mund të arrihet duke klikuar në adresën www.ahmadipedia.org, e cila do të shërbejë si një lokomotivë-kërkimi për të paraqitur materialin në faqen kryesore.

Kjo uebfaqe është mjaft e thjeshtë dhe e lehtë për t’u përdorur dhe është mundësuar informacion themelor në lidhje me librat, personalitetet, ngjarjet dhe ndërtesat e xhematit. Për çdo zë, janë dhënë adresat (linqet) e uebfaqeve, videove dhe të shkrimeve të ngjashme nëpër gazetat e xhematit, me qëllim që lexuesi të ketë informacion të detajuar nga burime të ndryshme. Vënia e këtyre linqeve, do të mundësojë përdoruesin të lundrojë edhe në uebfaqe të tjera të xhematit, dhe ata mund të kenë qasje në të gjitha gazetat dhe revistat e xhematit.

Anëtarët e xhematit që janë përhapur anembanë botës kanë informacione shumë të rëndësishme, të cilat akoma nuk janë ruajtur askund. Kështu uebfaqja www.ahmadipedia.org gjithashtu do të ketë një opsion me titullin “Kontribuo”, në të cilin ju mund të kontribuoni për pasurimin e ndonjë teme duke paraqitur dokumente, dorëshkrime dhe informacione të tjera. Sigurisht, ju nuk do të keni të drejtë të bëni këto ndryshime, por ata që menaxhojnë këtë faqe do kontrollojnë burime dhe materiale të tjera mbi atë temë dhe pas verifikimit do t’i shtojnë ato në zërat përkatëse.

Në këtë mënyrë, kjo uebfaqe do të kthehet në një projekt që do të pasurohet me kontributin e mbarë xhematin dhe insha-Allah do të bëhet i dobiprurës për çdo ahmedian.

Nëse dikush nuk gjen asnjë rezultat për ndonjë temë të kërkuar, ai mund të kontaktojë ahmadipedia.org, me qëllim që administrata e këtij projektit të mundësojë materialin e munguar. Ndonëse, të gjitha të dhëna që janë publikuar në uebfaqe, janë kontrolluar dhe verifikuar nga burimet origjinale. Megjithatë, nëse një përdorues posedon prova që nuk përputhen me ato të publikuara në uebfaqe, ai mund të kontaktojë adminin me provat e tij, që të ruhet historia e xhematit në mënyrë të sigurtë.

Për krijimin e kësaj uebfaqeje, departamenti qëndror i IT-së ka kontribuar në të gjitha e fazat e zhvillimit. Për krijimin e përmbajtjes, misionarët dhe vullnetarët e departamentit qëndror të Arkivës gjithashtu kanë punuar me përkushtim të madh. Për pasurimin e përmbajtjes, nga përkhtimi i materialit nga gjuha urdu deri në publikimin e tyre, në të gjitha fazat, ata kanë punuar me profesionalizëm të lartë. Allahu i shpërbleftë të gjitha ata, që kanë kontribuuar në këtë faqe. Insha-Allah unë do ta publikoj zyrtarisht këtë faqe pas namazit të së xhumasë.

LEXONI:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp