Nismat e Hazret Omer ibën el-Hettabit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Nismat e Hazret Omer ibën el-Hettabit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Do të vijoj edhe sot temën për jetën e Hazret Omerit r.a..

Themelimi gjykatave në shtetin islam

Në lidhje me organin gjyqësor përmendet që Hazret Omeri është ai që nisi në mënyrë të mirëfilltë organin gjyqësor. Ai vendosi gjykata në të gjitha provincat dhe caktoi kadi (gjyqtarë) nëpër to. Vendosi edhe ligje dhe direktiva të funksionimit të tyre.

Për përzgjedhjen e gjyqtarëve merrej parasysh si kriter dija e tyre në shkencën e fikhut, por Hazret Omeri nuk mjaftohej me kaq, madje i testonte për të parë aftësitë e tyre. Kadinjve u caktoi paga shumë të larta, në mënyrë që ata të shërbenin denjësisht dhe të merrni vendime të drejta.

Disa herë për caktimin e kadiut, përveç aftësive shkencore, Hazret Omeri r.a. merrte parasysh edhe të qenët e tyre të pasur, në mënyrë që ata të mos ndikoheshin nga askush gjatë vendimmarrjes. Hazret Omeri porosiste që gjykatat të lëshonin vendime me paanësi dhe drejtësi.

“Kjo është padrejtësia juaj e parë”, i tha Hazret Omeri r.a. gjyqtarit

Njëherë vetë Hazret Omeri pati një mosmarrëveshje me Hazret Ubej ibën Ka’bin. Hazret Ubeji ngriti padi kundër Hazret Omerit në gjykatën e Zejd ibën Thabitit. Gjyqtari, pra, Zejdi thirri të dyja palët, konkretisht, Hazret Omerin dhe Ubejin. Sapo Hazret Omeri hyri në sallë, Zejdi u çua për ta nderuar.

– Kjo është padrejtësia juaj e parë gjatë këtij gjyqi, i tha Hazret Omeri gjyqtarit, dhe më pas u ul bashkë me Ubejin.

Pra, Hazret Omeri r.a. i tha gjyqtarit  që ai duhet ta trajtonte jo vetëm Ubejin, por edhe atë si palë dhe si të tillë t’i ulte që të dy në një vend, dhe jo atë në vendin e gjyqtarit, vetëm sepse ishte Kalifi i muslimanëve.

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. duke treguar këtë ngjarje thotë:

“Në historinë islame përmendet një ngjarje e Hazret Omerit kur ai ishte Kalifi i Islamit. Një herë ai pati një mosmarrëveshje me Ubej ibën Ka’bin. Çështja shkoi te kadiu, i cili e thirri Hazret Omerin. Në momentin kur Hazret Omeri hyri në sallën e gjyqit, kadiu u ngrit dhe ia lëshoi karrigen atij, duke menduar se ai është Kalifi i Kohës dhe si i tillë meriton të ulet në pozitën më të lartë. Por Hazret Omeri shkoi në anën tjetër për t’u ulur bashkë me palën kundërshtare dhe i tha gjyqtarit:

– Kjo është padrejtësia juaj e parë që keni bërë! Nuk duhet të ketë asnjë dallim mes meje dhe palës tjetër.

Themelimi i institucionit të iftasë, institucion që lëshon fetva (vendime)

Hazret Omeri nisi edhe institucionin e iftasë, institucion që lëshon fetva, pra vendime në çështjet e fesë. Që njerëzit të njiheshin me ligjet e sheriatit, ai e nisi këtë institucion dhe emëroi disa sahabë, të cilëve u dha kompetencat ekskluzive për të lëshuar fetva. Ndër këta sahabë ishin:

Myftitë e parë të Islamit

Hazret Aliu, Hazret Uthmani, Hazret Mu’adh ibën Xhebeli, Hazret Abdurrahman ibën Aufi, Hazret Ubej bin Ka’bi, Hazret Zejd ibën Thabiti, Hazret Ebu Hurejre dhe Hazret Ebu Dardau.

Nëse dikush tjetër përveç këtyre që u përmendën më sipër jepte ndonjë fetva, Hazret Omeri e ndalonte. Përveç kësaj, ai i testonte herë pas here edhe myftitë e sipërpërmendur.

Në lidhje me këtë, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. shkruan:

Ka një institucion që quhet institucioni i fetvasë. Pas kohës së Profetit Muhammed s.a.v.s., pra, gjatë periudhës së Kalifatit të Drejtë, ishte si rregull që jo çdokush kishte të drejtën për të dhënë vendime në lidhje me çështjet që kishin të bënin me sheriatin dhe me fenë. Hazret Omeri r.a. bënte kaq shumë kujdes saqë, një sahab, ndoshta ishte Abdullah ibën Mes’udi, që ishte shumë i ditur në çështjet e fesë, një njeri i madh në umetin musliman, po u shpjegonte njerëzve një çështje të caktuar. Hazret Omeri kur mori vesh, menjëherë e thirri dhe e pyeti:

– A je prijës ti, apo të ka caktuar prijësi që të jepje fetva?

Në të vërtetë, nëse çdokush fillon të japë fetva, mund të lindin shumë probleme, dhe shumë nga fetvatë e tilla do të krijojnë vështirësi dhe sprovë për njerëzit e zakonshëm. Kjo për arsye se nganjëherë, për një çështje të caktuar mund të ketë dy fetva të ndryshme në varësi të rrethanave, dhe të dyja mund të jenë të sakta. Pra, në disa raste, fetvaja jepet në bazë të rrethanave, duke matur situatën, dhe fetva e tillë ka fleksibilitet, pra në një rast të veprohet kështu, kurse në një rast tjetër të veprohet ndryshe. Por njerëzit e zakonshëm mund të kenë të vështirë të kuptojnë problematikë të tillë, dhe mund të ngrenë pyetjen – si mund të jenë të sakta të dyja njëkohësisht? Në këtë mënyrë ata bien në sprovë.

Themelimi i Institucionit të Policisë

Po kështu, për të mbajtur rendin në vend, Hazret Omeri nisi edhe institucionin e policisë. Ai i kishte dhënë këtij institucioni kompetencat për të vendosur paqen dhe sigurinë në rrugët, pazaret etj., të vendit. Po kështu, efektivi i policisë kishte kompetencat të vëzhgonin nëse njerëzit i zbatojnë ligjet siç duhet apo jo, të ndërhynin në raste padrejtësish, derisa çështja nuk do të kishte shkuar te kadiu në gjykatë. Pra, policia kishte kontrollin e sigurisë në vend.

Themelimi i burgjeve

Hazret Omeri hapi edhe burgje në mënyrë të mirëfilltë, gjë që deri më parë nuk ekzistonin. Kriminelët merrnin dënime të rrepta.

Themelimi i Thesarit

Hazret Omeri themeloi Institucionin e Thesarit. Përpara Kalifatit të tij, fondet që vinin, shpërndaheshin menjëherë. Në kohën e Hazret Ebu Bekrit u ble një godinë dhe u dedikua për t’u shërbyer si Thesar, por ajo mbeti e mbyllur, sepse sa herë që vinin paratë, shpërndaheshin menjëherë.

Në vitin 15 pas hixhretit, nga Bahraini erdhi një fond prej 500 mijë monedhë vendase. Hazret Omeri u këshillua me sahabët e tjerë se çfarë do të bënin me këto para. Njëri prej tyre sugjeroi që në Mbretërinë e Shamit funksiononte institucioni i Thesarit dhe se kështu duhet të vepronin edhe muslimanët. Hazret Omeri e pëlqeu mendimin e tij dhe kështu e themeloi në Medinë institucionin e Thesarit që quhet Bejtul-Mal. Hazret Abdullah ibën Erkemi u caktua Drejtori i Thesarit. Më vonë, u hapën degë të tij në të gjitha provincat dhe në qytetet kryesore.

Hazret Omeri ishte shumë kursimtar në ndërtimin e godinave, por për godinat e Thesarit ai nuk kurseu dhe i ndërtoi ato shumë të forta dhe madhështore. Më vonë, caktoi edhe rojë për to. Pra, vendosi një sistem të tërë të sigurisë së Thesarit.

“Ky pikërisht është ai i forti dhe i besueshmi.”

Institucionin e Thesarit Hazret Omeri vetë e ruante. Në historinë islame përmendet një ngjarje. Skllavi i liruar i Hazret Uthman ibën Affanit rrëfen:

Një ditë kur ishte pisku i vapës, unë isha me Hazret Uthmanin me bagëtitë e tij në vendin e quajtur Alije.

Alije është një vend rreth 8 milje larg Medinës në drejtim të Nexhdit. Rrëfimtari vijon:

Hazret Uthmani pa një njeri që po i çonte diku dy deve të reja, ndërkohë toka ishte jashtëzakonisht e nxehtë. – Çfarë i ndodhi këtij robi? U shpreh i habitur Hazret Uthamnani duke parë atë, – do të ishte mirë për të nëse do të qëndronte në Medinë dhe të dilte pasdite, pasi të freskohej paksa. Kur ai u afrua me ne, Hazret Uthmani më tha – Shiko pak se kush është ai?

Qenka i mbuluar me një çarçaf, i thashë, dhe ka dy deve që po i çon diku.

Më pas ai u afrua edhe më shumë drejt nesh. Hazret Uthmani sërish më porositi – Shiko tani se kush është? E pashë që ishte Hazret Omer ibën el-Hettabi. Brofa dhe thashë – Qenka Prijësi i besimtarëve! Hazret Uthmani u çua dhe nxori kokën nga dera, por një afsh i nxehtë e detyroi ta fuste prapë brenda. Ai përsëri drejtoi kokën tek Hazret Omeri dhe e pyeti:

“Çfarë të detyroi të dilje nga shtëpia në këtë të nxehtë?”

Hazret Omeri r.a. iu përgjigj:

“Kishin mbetur dy deve të sadakasë, kurse të tjerat janë çuar më herët. Desha që t’i çoja edhe këto gjer në kullotë, sepse kisha frikë se do të më iknin dhe atëherë Allahu do të më pyesë për to.

“O Prijësi i besimtarëve”, i tha Hazret Uthmani, “Futu në hije dhe pi pak ujë, ne do të të shërbejmë.”

“Futuni ju në hijen tuaj”, na tha Hazret Omeri. Atëherë unë i thashë: “Ne kemi diçka që është e mjaftueshme për ty”, por Hazret Omeri sërish na tha: “Shkoni në hije” e më pas ai vazhdoi rrugën. Atëherë Hazret Uthmani tha:

“Ai që dëshiron të shohë “të fuqishmin dhe të besueshmin” (el-kevijju el-emin), le ta shikojë këtë njeri. (Kurani Famëlartë 28:27)

Në një rrëfim tjetër që vjen nga Omer ibën Nafiut përmes Ebu Bekër Isait, kjo ngjarje përmendet sa vijon:

Unë isha me Hazret Omer ibën Httabin, Hazret Uthman ibën Affanin dhe Hazret Ali ibën Ebi Talibin, ndërkohë që ata po organizonin lëmoshat. Hazret Uthmani u ul në hije. Afër tij po qëndronte Hazret Aliu, i cili i thoshte ato fjalë që ia thoshte Hazret Omeri. Kurse Hazret Omeri pavarësisht nga vapa e madhe, po qëndronte në diell me dy çarçafë të zinj: me njërin e kishte mbuluar nga mesi deri te këmbët dhe me tjetrin kokën. Duke mbikëqyrur devetë e sadakasë, po i shënonte emrat dhe ngjyrat e tyre. Atëherë Hazret Aliu i tha Hazret Uthmanit: “Ke dëgjuar fjalën e bijes së Hazret Shuejbit në Librin e Allahut:

إِنَّ خَيْرَ مَنِ اسْتَأْجَرْتَ الْقَوِيُّ الْأَمِينُ

“Sigurisht, më i miri nga ata që merr në punë, është ai që është i fortë (dhe) i besueshëm.”

(Kurani Famëlartë 28:27)

Më pas, duke drejtuar gishtin tek Hazret Omeri, Hazret Aliu i tha Uthmanit:

“Ky pikërisht është ai i forti dhe i besueshmi.”

Kalifi i Islamit në mes të vapës duke kërkuar një deve të humbur

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. duke treguar një ngjarje të Hazret Omerit r.a., thotë:

“Hazret Uthmani r.a. thotë se njëherë unë po rrija brenda kupolës. Po bënte kaq shumë vapë saqë nuk guxoja dot as të hapja derën. Ndërkohë skllavi im më njoftoi që dikush po vërtitet përjashta. E ngrita perden, pashë që ishte një njeri që vapa ia kishte djegur fytyrën. – Mund të jetë ndonjë udhëtar, i thashë. Pas pak çastesh, ai u afrua kupolës sime dhe e pashë që ai qenkësh Hazret Omeri. Unë thjesht u trondita dhe dola përjashta.

– Ku po shkon në këtë vapë? E pyeta.

– U humb një deve e Thesarit, dola që ta kërkoja atë, m’u përgjigj Hazret Omeri.

Pra, kjo ngjarje e humbjes së devesë është tjetër, të cilën jua kam përmendur edhe më përpara.

“Omeri dhe familja e tij nuk kanë të drejtë më shumë sesa muslimanët e tjerë”

Hazret Omeri një herë po shpërndante para, ndërkohë erdhi e bija e tij dhe mori një dërhem nga paratë. Hazret Omeri u ngrit për ta marrë dërhemin. Çarçafi i tij iu rrëshqit nga shpatulla. Vajza iku duke qarë në shtëpi dhe dërhemin e futi në gojë. Hazret Omeri futi gishtin në gojën e saj, e nxori dërhemin dhe e solli për ta futur sërish në paratë e Thesarit, dhe të pranishmëve u tha:

– O njerëz! Omeri dhe të afërmit e tij, qofshin të afërt apo të largët, nuk kanë të drejtë më shumë sesa muslimanët e tjerë të zakonshëm.

Në një rrëfim tjetër përmendet edhe një ngjarje të tillë. Hazret Ebu Musai një herë po i bënte pastrim dyshemesë së Thesarit. Gjatë pastrimit ai gjeti një dërhem. Aty po kalonte një fëmijë i vogël i Hazret Omerit, të cilit Ebu Musai ia dha dërhemin. Më vonë, Hazret Omeri e pa dërhemin në dorën e fëmijës. E pyeti se ku e kishte gjetur dhe fëmija i tregoi për Ebu Musain. Pasi kuptoi që dërhemi i takonte Thesarit, ai e qortoi Ebu Musain duke thënë:

– Si nuk gjete në tërë Medinën ndonjë familje më nevojtare sesa familja e Omerit?! Ti deshe që çdo musliman i umetit të Profetit s.a.v.s. të më kërkojë llogari për këtë padrejtësi!

Më pas Hazret Omeri e dorëzoi dërhemin në Thesar.

Projekte të ndryshme për dobi të popullit

Hazret Omeri realizoi një sërë projektesh për dobi të popullit. Ndër to janë lumenjtë që ai hapi për zhvillimin e bujqësisë dhe për t’u mundësuar njerëzve ujë të pijshëm.

Lumi Ebu Musa

Lumi Ebu Musa është një lumë që ka një gjatësi prej 9 miljesh dhe që u hap prej lumit Tigris deri në qytetin Basra.

Kanali Muekkel

Lumi Muekkel نھر معقل gjithashtu është degëzuar nga lumi Tigris.

Bashkimi i Lumit Nil me Detin e Kuq

Me urdhrin e Hazret Omerit, Prijësit të besimtarëve, nëpërmjet një lumi u realizua projekti për të bashkuar lumin Nil me Detin e Kuq.

Në vitin 18 h., kur ra thatësirë, Hazret Omeri i dërgoi letër Hazret Amr ibën el-Asit, duke kërkuar ndihmë. Distanca gjeografike ngaqë ishte shumë e gjatë, ndihmat erdhën me vonesë. Hazret Omeri e takoi Amr ibën el-Asin dhe i tha:

– Nëse bashkojmë lumin Nil me detin, Arabia kurrë nuk do të ketë thatësirë.

Amri që ishte Guvernator [Emiri] atje [në Egjipt] u kthye dhe hapi një lumë nga Fustat deri në Detin e Kuq, lumë i cili krijoi mundësinë që anijet mbërrinin deri në Portin detar të Xheddasë, që ishte porti më i afërt me Medinën. Ky lumë ishte 29 milje i gjatë dhe u gërmua në gjashtë muaj.

Kanali Suez do të ishte realizuar nga duart e arabëve

Hazret Amr ibën el-Asi deshi të bashkonte edhe Detin e Kuq me Detin Mesdhe, duke hapur një kanal nga një vend që quhet Ferma, ku distanca midis të dyja deteve ishte 70 milje. Ferma ishte një qytet bregdetar në Egjipt. Por Hazret Omeri nuk ra dakord nga frika se romakët do të sulmonin haxhinjtë muslimanë. Nëse Amr ibën el-Asi do të arrinte ta merrte lejen, Kanali Suez do të ishte realizuar nga duart e arabëve.

Ndërtimi godinave të ndryshme

Hazret Omeri kishte ndërtuar shumë godina për dobinë e njerëzve, ndër to ishin xhami, gjykata, reparte ushtarake, barake që shërbenin si zyra të ndryshme gjatë projekteve ndërtimi brenda vendit, rrugë, ura, bujtina për udhëtarë, kulla roje, etj.. Në çdo stacion (menzil: udhëtim që bëhej për një ditë), përgjatë Mekës dhe Medinës, ai kishte ndërtuar burime, bujtina dhe kulla roje, në mënyrë që të ketë siguri dhe udhëtarët të kishin mundësi të pushonin.

Ndërtimi i qyteteve

Gjatë Kalifatit të tij, Hazret Omeri ndërtoi disa qytete dhe i populloi ato, duke planifikuar të gjitha nevojat sigurie, shoqërore dhe ekonomike. Vendndodhja e këtyre qyteteve tregon fuqishëm intuitën e lartë ushtarake dhe drejtuese që ka pasur Hazret Omeri r.a.. Qytetet ishin të dobishme si në kohë paqeje, ashtu edhe në kohë lufte. Hazret Omeri përpiqej të ndërtonte një qytet kudo ku Arabia kufizohej me një shtet joarab, në mënyrë që të mbrohej nga ndonjë sulm i papritur. Vendndodhja e qyteteve zgjidhej në atë mënyrë që klima e tyre të përshtatej për arabët. Kështu, arabët nga njëra anë kishin tokat arabe që ata i përdornin si kullota për bagëtitë e tyre, dhe nga ana tjetër tokat e lulëzuara joarabe, prej të cilave u vinin drithërat dhe shumë të mira të tjera bujqësore.

Ai gjithashtu mori parasysh se midis këtyre qyteteve të mos kishte ndonjë lumë apo det që kalimi mes tyre të mos bëhej i pakapërcyeshëm. Hazret Omeri ndërtoi qytete si Basra, Kufa, Fustat, etj.. I ndërtoi dhe i populloi me një plan të mirëfilltë urbanistik. Edhe rrugët i shtroi të gjera. Shkurt, ai arriti jo vetëm t’i ndërtonte këto qytete, por edhe t’i sistemonte në mënyrë të shkëlqyer. E gjithë kjo provon fuqishëm se ai ishte mjeshtër dhe i ditur edhe në këtë fushë.

Themelimi i ushtrisë së muslimanëve

Hazret Omeri themeloi në mënyrë të rregullt edhe institucionin e ushtrisë dhe e organizoi atë. Hartoi regjistra të ushtarëve në bazë të gradave të tyre dhe u caktoi paga. Ai e ndau ushtrinë Kryesisht në dy pjesë: në pjesën ku ishin ushtarët e rregullt, dhe në një pjesë tjetër që përfshinte ushtarë vullnetarë, të cilët thirreshin për shërbim në rast nevoje.

Hazret Omeri kishte shumë merak për stërvitjen dhe edukimin e ushtarëve. Ai kishte lëshuar dekrete me urdhra të rreptë që asnjë ushtar nuk duhet të përfshihej në bujqësi apo tregti në tokat që kishin fituar muslimanët gjatë luftës, pasi kjo do t’ua dëmtonte pasionin e tyre ushtarak.

Por në ditët e sotme ne shohim që ushtarët edhe në vendet islamike janë të përfshirë në tregti, madje thuhet se në një prej këtyre vendeve, ushtarët që deri më parë e ruanin me çdo çmim mjeshtërinë e tyre profesionale, tani oficerët sapo të marrin komisionin, shikojnë se ku po ndërtohet ndonjë lagje ushtarake, që të fitojnë tenderin për shpërndarjen e truajve. Dhe kjo natyrisht ua dobëson aftësitë ushtarake.

Sidoqoftë, për Hazret Omerin gjithashtu përmendet që bënte llogari të klimës kur sulmi bëhej kundër ndonjë shteti të ftohtë apo të nxehtë, në mënyrë që ushtria të mos pësojë dëmtime shëndetësore. Një prej urdhrave të rreptë të Hazret Omerit për ushtrinë ishte që të gjithë ushtarët duhet të dinin mirë notin, shigjetarinë dhe ecjen këmbëzbathur.

Pas çdo katër muajve, ushtarëve u jepej leje për të vizituar familjet e tyre.

Zhvillimi i ushtrisë dhe i armatimeve

Ushtarët të hipnin mbi kalë pa vendosur këmbën në yzengji, madje të hipin duke kërcyer në ajër. Të mos vishnin rroba të buta, por të ruheshin edhe nga dielli, të mos laheshin nëpër hamame, ku mund të pëlqenin luksin, etj..

Gjatë pranverës, Hazret Omeri dërgonte ushtrinë nëpër lëndina të lulëzuara, që ushtarët të kishin shëndet. Kur ndërtonte reparte ushtarake, ai merrte parasysh vendndodhjen, ajrin e pastër etj., për arsye shëndetësore. Qendrat ushtarake ishin në qytetet si Medina, Kufa, Basra (Busra), Mosuli, Fustat, Damaska, Humsi, Jordania, Palestina, ku ushtria gjithnjë ishte në gatishmëri. Pas çdo katër muajve, ushtarët merrnin leje. Në një qendër ushtarake gjithmonë kishte në gatishmëri katër mijë kuaj, për të cilët bëhej edhe kujdesi i duhur. Mbi kofshët e kuajve gdhendnin fjalët “xhejshu fi sebilil-lah”, që do të thotë “ushtria në rrugën e Allahut”.

Gjatë kohës së Kalifatit të Hazret Omerit, ushtria muslimane shpiku armatime të reja, ndër to ishin menxhenik, debabe, armë të cilat përdoreshin për të shpuar ose rrëzuar muret e kështjellave. Kurse debabe ishte një armë tjetër po për të rrënuar muret e kështjellës, por në të mund të uleshin edhe njerëz.

Jomuslimanët në pozicione drejtuese në shtetin islamik

Hazret Omeri r.a. caktonte në pozicione të rëndësishme drejtuese në shtetin muslimanë jo vetëm muslimanët, por edhe jomuslimanët. Në lidhje me këtë, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

Gjatë kohës së Kalifëve të Profetit Muhammed s.a.v.s., kur ende nuk ishin në paqe të gjithë popujt në vend, Kalifët e Drejtë vlerësonin aftësitë edhe të jomuslimanëve. Kështu që, historiani Allame Shibli, duke përmendur këtë fakt, shkruan:

Hazret Omeri r.a. kishte zgjeruar dhe zhvilluar institucionin e ushtrisë dhe në këtë sektor, ai nuk bëri dallime race, kombëtare, madje as fetare. Në ushtrinë vullnetare, për shembull, ishin mijëra ushtarë të fesë zoroastriane, të cilët nuk besonin në Zotin e Vetëm, por adhuronin zjarrin dhe diellin. Edhe këta merrnin paga të njëjta me muslimanët. Edhe në sistemin ushtarak të muslimanëve, gjejmë zoroastrianë.

Po kështu, ai shkruan:

Në ushtrinë muslimane kishin edhe ushtarë grekë dhe romakë. Kështu që, në betejën që rezultoi në fitore mbi Egjiptin, pesëqind grekë e romakë ishin në ushtrinë muslimane.

Tani në Pakistan, hoxhallarët nisën një fushatë për të larguar ahmedianët nga ushtria, me pretekstin se nuk duhet të jenë në pozicione kaq sensitive. Ndërkohë, nëse do ta studioni historinë e Pakistanit, sakrificën më të madhe për këtë shtet kishin dhënë pikërisht oficerët ahmedianë. Sidoqoftë, kundërshtarët e Xhematiti mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.

Në lidhje me Hazret Omerin r.a. po ju tregoja. Kur Amr ibën el-Asi populloi qytetin Fustatë, ndër ata që dhanë kontribut ishin edhe hebrenj. Në luftën e Egjiptit, një mijë hebrenj ishin në ushtrinë muslimane.

Po kështu, historia dëshmon që njerëz joarabë ishin caktuar edhe oficerë të ushtrisë, emrat e disave prej tyre janë përmendur në historinë islame. Allama Shibliu përmend gjashtë oficerë të tillë e që quheshin: Sejah, Khusro, Shehrjar, Shejrvije, Afrodin.

Më kanë shkruar në sqarim se Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar në librin e tij “Tefsir-e-Kebir” ka përmendur emrin e këtij oficeri si Afrodin, duke iu referuar Allama Shibliut. Po kështu është përmendur edhe në librin El-Faruk. Por në librat arabë ky emër vjen si Afrodhin, pra me dh e jo me d. Pra është një ndryshim shkronje në emër. Ngaqë njerëzit bëjnë komente, ndaj jua tregova edhe këtë.

Këta oficerë paguheshin nga Thesari shtetëror i muslimanëve dhe emrat e tyre ishin të regjistruar në mënyrë të rregullt në listën e rrogëtarëve.

Pas katër Kalifëve, historia tregon edhe për Hazret Muavijen që, gjatë kohës së tij, një i krishterë i quajtur Ibën Asal ishte ministër i ekonomisë.

Në treg nuk lejohet të ulësh çmimin tej mase shumë për të dëmtuar tregtarë të tjerë

Hazret Omeri ndaloi të ulnin tej mase çmimin e mallit në treg. Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar, në lidhje me uljen tej mase të çmimit, thotë:

Islami ndalon të ulësh çmimin tej mase shumë, sepse edhe kjo është një metodë për të fituar në mënyrë të paligjshme. Në këtë mënyrë, tregtarët e fuqishëm detyrojnë tregtarët e dobët ta shesin mallin e tyre tepër lirë, duke u shkaktuar deri në falimentim të tyre.

Përmendet një ngjarje e tillë e kohës së Hazret Omerit. Tek po shëtiste në treg duke mbikëqyrur, ai pa një tregtar të huaj i cili shiste rrush të thatë me çmim tepër të ulët, me një çmim që tregtarët e Medinës nuk mund ta shisnin dot. Hazret Omeri e porositi që ose ta ngrinte mallin e tij nga tregu, ose ta shiste me çmim të përafërt me tregtarët e tjerë. Tregtarët e Medinës jo se e shisnin të shtrenjtë, por çmimi ishte i arsyeshëm duke llogaritur kostot.

Kur njerëzit e pyetën Hazret Omerin për arsyen e kësaj porosie, ai tha se ky tregtar do t’u shkaktojë dëm tregtarëve të tjerë të Medinës që e shisnin mallin e tyre me çmim të arsyeshëm. Sigurisht, sahabët kundër veprimit të tij ia kujtuan porosinë e Profetit Muhammed s.a.v.s. ku ai tha: nuk duhet të ndërhysh në çmimet e tregut, por prapëseprapë kundërshtimi i sahabëve nuk ishte i drejtë, sepse porosia në fjalë e Profetit s.a.v.s. ka kuptimin që nuk duhet të ndërhysh në parimin e kërkesës dhe të ofertës. Pa dyshim, një gjë e tillë është e dëmshme dhe se shteti duhet ta ruajë veten nga ndërhyrja në këtë parim, dhe se vet tregu duhet t’i përshtatet kërkesës dhe ofertës, përndryshe dëmtohet populli, pësojnë humbje tregtarët, kurse kontrolli i çmimit siç u përmend në ngjarjen e mësipërme, është i lejuar.

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a., duke treguar po këtë ngjarje diku tjetër, thotë:

Është e drejta e qytetarëve që marrëdhëniet tregtare të jenë të sigurta. Ne vërejmë që Islami nuk e ka anashkaluar as këtë të drejtë. Kështu, Islami ndalon nga njëra anë të ngresh çmimin në mënyrë stratosferike, po kështu nga ana tjetër të ndalon edhe ta ulësh çmimin tej mase, që të mos dëmtosh tregtarët e tjerë duke i falimentuar. Njëherë në tregun e Medinës, një njeri po shiste rrush kaq lirë, sa tregtarët e tjerë nuk mund ta shisnin dot me atë çmim. Hazret Omeri kur kaloi pranë tij, e qortoi, pasi ai po i dëmtonte rëndë tregtarët e tjerë.

Shkurt, Islami ndalon edhe shtrenjtimin tej mase të çmimeve, po kështu edhe uljen tej mase të tyre që të mos dëmtohen as tregtarët e tjerë e as konsumatorët.

Sektori i arsimit

Hazret Omeri zhvilloi mjaft mirë edhe sistemin e arsimit. Ai hapi medrese në të gjitha vendet, ku muslimanët studionin Kuranin e Shenjtë, hadithin, fikhun. Dijetarët e mëdhenj u caktuan si mësues që merrnin rrogë nga shteti.

Si filloi Kalendari Hixhri?

Si filloi Kalendari Hixhri? Në lidhje me këtë ka disa rrëfime. Njëra është ajo që gjendet në Sahihun e Buhariut. Hazret Sehel ibën Sa’di rrëfen:

Sahabët nuk e llogaritën datën nga viti kur Profeti Muhammed s.a.v.s. mori profetësinë, as nga viti kur ai ndërroi jetë, por e llogaritën nga ngjarja e mërgimit (Hixhreti) të tij në Medinë.

Komentues i Buhariut, Allama Ibn Haxher el-Askalani thotë:

Sipas Imam Suhejlit, sahabët e filluan kalendarin me hixhretin nisur nga fjalët e Allahut të Madhërishëm që Ai tha:

لَّمَسْجِدٌ أُسِّسَ عَلَى التَّقْوَىٰ مِنْ أَوَّلِ يَوْمٍ

“Vetëm xhamia që u themelua mbi druajtjen (ndaj Zotit) që nga dita e parë …”

(Kurani i Shenjtë 9:108)

Pra, fjalët “nga dita e parë” nënkuptojnë hyrjen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe të sahabëve të tij në Medinë. Allahu e di më së miri.

Pse u ndiej nevoja për një kalendar islamik?

Pse u ndiej nevoja për një kalendar i islamit? Në lidhje me këtë gjithashtu ka disa rrëfime. Hazret Ebu Musa i shkroi Hazret Omerit:

– Në letrat që na dërgoni ju, nuk ka ndonjë datë.

Atëherë Hazret Omeri u këshillua me njerëzit e tjerë. Allama Ibn Haxher el-Askalani thotë:

Buhariu në Kitabul-edeb, dhe Hakimi përmes Memun ibën Mehrvanit tregon që Hazret Omerit iu paraqitën një urdhër pagesë, i cili si afat kishte muajin sha’ban. “Për cilin sha’ban bëhet fjalë?” i pyeti Hazret Omeri, “për atë që kaloi, apo atë që po kalojmë tani, apo sha’banin që do të vijë vitin tjetër.”

Pas kësaj, ai porositi të hartohej një kalendar, të cilin ta përdornin të gjithë njerëzit.

Ibni Sirini thotë:

Një njeri erdhi nga Jemeni dhe tha: “Kam parë diçka në Jemen që ata e quajnë “datë”, e shkruajnë “në filan vit e në filan muaj”. Hazret Omeri tha: “Kjo është metoda e duhur, edhe ju shkruani datë të plotë.”

Kush e filloi Kalendarin islam me vitin e Hixhretit?

Kush e filloi Kalendarin islam me vitin e Hixhretit? Ka disa mendime në lidhje me këtë. Sipas një mendimi, këtë e ka nisur vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe në muajin Rebiul-evel u shkrua data. Në librin e tij “Kitabul-eklil”, Hakimi tregon rrëfimin e Ibni Shahbaz Zuhriut:

عن النبی صلی اللہ علیہ وسلم لمّا قدم المدینۃ امر بالتاریخ فکتب فی الربیع الاول۔

“Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbërriti në Medinë, ai urdhëroi të shkruanin datën, dhe ajo u shkrua në muajin Rebiul-evel.”

Allama Ibn Haxheri thotë se ky rrëfim është muedel. Muedel quhet ai rrëfim, të cilit i mungojnë dy ose më shumë rrëfimtarë.

Një tjetër rrëfim thotë:

Data u shkrua për herë të parë ditën kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bëri hixhretin dhe mbërriti në Medinë, megjithatë, mendimi i përgjithshëm e kundërshton këtë dhe thotë se hartimi i Kalendarit të Hixhretit u bë gjatë Kalifatit të Hazret Omerit r.a..

Autori i librit “Subulul-huda verr-rreshad fi sireti khejril-‘ibad”, Muhammed ibën Jusuf Sehli thotë:

Ibën Selahu tha se ai e ka lexuar një shkrim në librin “Esh-shurut” të Ebu Tahir Mehmeshit, që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. urdhëroi të shkruanin datën, sepse kur ai porositi të shkruhej një letër drejtuar të krishterëve të Nexhranit, i tha Hazret Aliut:

بخمس من الھجرۃ

– Shkruaj: “më vitin e 5-të pas hixhretit”.

Pra, kjo tregon se i pari që ka shkruar datën (në umetin musliman) ishte vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe se Hazret Omeri r.a. e ndoqi praktikën profetike.

Sipas një rrëfimi tjetër, Hazret Ja’la ibën Umejje që ishte banor i Jemenit, ishte ai që nisi të shkruante datën. Këtë rrëfim e sjell Imam Ahmedi, por në të ka shkëputje mes rrëfimtarëve Amri dhe Ja’la.

Sipas një rrëfimi të tretë që është edhe më i famshmi, fillimi i Kalendarit të Hixhretit u bë gjatë Kalifatit të Hazret Omerit r.a..

Pse e zgjodhën pikërisht ngjarjen e Hixhretit për Kalendarin?

Pse e zgjodhën pikërisht ngjarjen e Hixhretit për Kalendarin? Në lidhje me këtë ka një shpjegim, sipas të cilit, kur Hazret Omeri u këshillua për të përcaktuar vitin e parë, dikush dha mendimin që të fillonin me vitin e lindjes së Profetit Muhammed s.a.v.s., dikush tha ta fillonin me vitin e profetësisë së tij, mendimi i tretë ishte ta fillonin me vitin e vdekjes së tij dhe mendimi i katërt sugjeronte vitin kur Profeti s.a.v.s. bëri Hixhretin. U mendua si më e përshtatshmja që të zgjidhnin vitin e Hixhretit, sepse për sa i përket vitit të lindjes dhe vitit të profetësisë, njerëzit nuk ishin të një mendimi. Kurse vitin e vdekjes nuk e zgjodhën, pasi menduan se kjo do të shkaktonte brengë tek muslimanët për shkak të dashurisë së tyre për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Andaj, sahabët ranë dakort për të filluar kalendarin me vitin e Hixhretit.

Pse e nisën Kalendarin e Hixhretit me muajin Muharrem dhe jo me Rabiul-evelin?

Sahabët pse nisën Kalendarin e Hixhretit me muajin Muharrem dhe jo me Rabiul-evelin? Përgjigja e kësaj pyetjeje është që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi të bënte Hixhretin që në muajin muharrem. Në muajin Dhul-hixhe [pra një muaj më parë] kishte ndodhur Bëjati i Dytë i Ukbasë, besëlidhje e cila i parapriu Hixhretit. Kështu që, pas Bëjatit të Dytë të Ukbasë dhe pas vendimmarrjes për Hixhretin, hëna e re që lindi, ishte ajo e muajit Muharrem. Andaj, të gjithë ranë dakord që pikërisht muajin Muharrem të llogaritnin si muaj i parë i Kalendarit islam.

Allama Ibn Haxheri thotë:

“Sipas meje, ky pikërisht është argumenti më i fortë që tregon pse nisën Kalendarin Islam me muajin muharrem.”

Në çfarë date mbërriti i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në Medinë? Ka disa mendime në lidhje me këtë. Profeti s.a.v.s. u ndal në disa vende gjatë rrugës dhe përfundimisht më 12 Rebiul-evel të vitit 14 pas profetësisë, gjegjësisht më 20 shtator të vitit 622.

Sipas disa historianëve, data ishte 8 Rebiul-evel. E sipas disave të tjerë, Profeti s.a.v.s. u nis në muajin Safer dhe mbërriti në muajin Rebiul-evel. Më 1 Rebiul-evel u nis nga Meka dhe më 12 Rebiul-evel mbërriti në Medinë.

Në cilin vit u përdor për herë të parë Kalendari Hixhri?

Në cilin vit u përdor për herë të parë Kalendari Hixhri? Edhe në lidhje me këtë ka mendime të ndryshme. Sipas disave, e filluan në vitin 16 h., disa të tjerë e përcaktojnë vitin 17 h., disa të tjerë vitin 18 h., dhe disa vitin 21 h..

Megjithatë, çështja që shumica janë të një mendimi është që Kalendari Islam për herë të parë filloi gjatë Kalifatit të Hazret Omerit r.a..

Monedha islame

Mendimi më i përgjithshëm sipas historianëve, Abdul-Melik ibën Mervani ishte ai që hodhi në qarkullim monedhën e parë në Arabi. Kurse disa historianë të Medinës pohojnë se monedha e parë islame filloi gjatë Kalifatit të Hazret Omerit. Këto monedha kishin mbishkrime si “Elhamdulil-lah”, në disa kishin “Muhammed Resulul-lah” dhe në disa kishin “La ilahe il-lellahu vehdehu”. Megjithatë, nuk u hoqën monedhat që kishin figurat e mbretërve Sasani.

Sipas një studimi, monedhat islame për herë të parë u hodhën në qarkullim në Damaskë, në vitin 17 h., gjatë Kalifatit të Hazret Omerit r.a., por edhe ato kishin figura të mbretit bizantin dhe po kështu edhe ndonjë shkrim në latinisht. Në zonat sasane, përkohësisht vijuan të qarkulloheshin monedhat vendase, të cilat kishin figura të mbretërve të tyre, por mbi to u shkrua “Bismil-lah” me llojin e shkrimit “kufi”.

Nismat e Hazret Omerit r.a.

Cilat kanë qenë nismat e Hazret Omerit? Këto nisma quhen “Evelijat-e-Farukij”. Në librin e tij “El-Faruk” Allama Shibli Nu’mani shkruan:

Historianët kanë hartuar një listë të nismave që Hazret Omeri r.a. ka marrë në ndonjë fushë të caktuar. Këto nisma quhen “Evelijat-e-Farukij”, të cilat janë:

  1. Themelimi i Thesarit
  2. Themelimi i gjykatave dhe caktimi i kadinjve
  3. Hartimi i datës dhe i Kalendarit Islam, që vijon deri më sot.
  4. Marrja e titullit “Emirul-Mu’minin” “Prijësi i Besimtarëve” për Kalifin e Kohës
  5. Organizimi i zyrave ushtarake
  6. Caktimi i pagave të vullnetarëve
  7. Themelimi i Zyrës së Financës
  8. Zhvilloi matje të ndryshme
  9. Bëri regjistrimin e popullsisë
  10. Hapi disa lumenj
  11. Ndërtoi disa qytete, si Kufa, Basra, Xhize, Fustat, Mosul, etj..
  12. Vendet e pushtuara i ndau në provinca
  13. Vendosi taksën e dhjetëpërqind që u quajt “ashurë”.

Taksën e quajtur ashurë në shtetin e musilmanëve e filloi Hazret Omeri. Kjo ndodhi për arsye se muslimanët që shkonin në shtete të tjera për tregti, u merrej një taksë dhjetëpërqind mbi vlerën që fitonin. Ebu Musa Esh’ariu r.a. e njoftoi Hazret Omerin për këtë praktikë të tyre. Atëherë Hazret Omeri r.a. dha urdhër që edhe tregtarët e atyre vendeve që vijnë në shtetin tonë, do të na paguajnë po kaq taksë.

  1. Vendosi taksë mbi prodhimin që bëhej përmes lumenjve
  2. Lejoi tregtarët e luftës të hynin në vend dhe të tregtonin.
  3. Ndërtoi burgje
  4. Përdori kamxhik
  5. Patrulloi gjatë netëve për të parë gjendjen e popullit
  6. Themeloi Institucionin e Policisë
  7. Ndërtoi reparte ushtarake në vende të ndryshme
  8. Bëri dallimin mes llojeve të kuajve duke përcaktuar si esil ose muxhennes, gjë që deri më parë arabët nuk e kishin si praktikë
  9. Caktoi historianë që shkruanin të dhënat
  10. Ndërtoi bujtina përgjatë Mekës dhe Medinës që udhëtarët të pushonin gjatë rrugës
  11. Caktoi fond dhe bursa për rritjen e fëmijëve të braktisur
  12. Ndërtoi shtëpi për mysafirë në qytete të ndryshme
  13. Vendosi rregullin për arabët që edhe sikur të ishin mohues, nuk duhet të skllavëroheshin
  14. Vendosi ndihmë sociale për të krishterët dhe hebrenjtë e varfër
  15. Ndërtoi biblioteka
  16. Caktoi paga për mësuesit dhe arsimtarët
  17. Insistoi Hazret Ebu Bekrin dhe e bindi për ta renditur Kuranin e Shenjtë dhe u angazhua personalisht për ta plotësuar këtë detyrë
  18. Hartoi parimet e shkollës së logjikës
  19. Shpiku parimin e ashtuquajtur eul (عول) në ndarjen e trashëgimisë
  20. Nisi namazin e teravive me xhemat
  21. Tri divorvcet që jepnin burrat përnjëherë, e cilësoi si divorcin e tretë. Këtë ai e kishte bërë për të ndëshkuar.
  22. Vendosi dënimin e 80 kamxhikëve për pirjen e alkoolit
  23. Vendosi të jepej zekat mbi kuajt e tregtisë
  24. Vendosi zekat për të krishterët e Benu The’lebit, në vend të xhizjes
  25. Nisi metodën e dedikimit të jetës
  26. Bashkoi të gjithë umetin mbi 4 tekbire në namazin e xhenazes. Në fakt, kjo ishte edhe praktika e përgjithshme profetike. Pas tekbirit fillestar bëhen tri tekbire të tjera përpara se të jepet selam. Kështu vijon deri më sot.
  27. Filloi vaze, pra predikime nëpër xhami. Me lejen e tij, Temim Dari mbajti vaz dhe kjo ishte vazi i parë në historinë islame
  28. Caktoi paga për imamët dhe myezinët
  29. Instaloi ndriçime nëpër xhami për natën
  30. Caktoi masë administrative kundër atij që fyente dikë
  31. Ndaloi poetët të përmendin emra të përveçëm të grave në vargjet e tyre, gjë që arabët e praktikonin prej shekujsh

Përveç këtyre, ka edhe nisma të tjera që mund të quhen si “Evelijat-e-Omerit”, por për t’u mos u zgjatur shumë, le të mjaftohemi me kaq, shkruan Allama Shibliu.

Kjo temë do të vijojë edhe në të ardhmen, inshaAllah.

(Më pas, Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, tregoi jetëshkrimin e disa xhenezeve dhe pas faljes së të xhumasë, udhëhoqi edhe namazin e xhenazes së tyre. Ju lutem ndiqeni videon për hutben e plotë)

LEXONI:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp