Ngjarje emocionuese nga Jeta e Hazret Omer ibën Hetabit r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Ngjarje emocionuese nga Jeta e Hazret Omer ibën Hetabit r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Përkthim në shqip i fjalimit të së xhumasë së mbajtur nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë dhe Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, më 25.06.2021.)

Ju tregoja rreth Hazret Omerit r.a. dhe të njëjtën temë do ta vijoj edhe sot.

Kujdesi ndaj nevojtarit

Zejd ibën Eslemi thotë se babai i tij ka thënë:

“Njëherë unë udhëtova bashkë me Hazret Omer ibën Hatabin në drejtim të Harra Vakim-it.

Ky vend gjendet mes dy Harrave. Harrah në arabisht i thonë një toke të zezë e të gurtë. Harra Vakim ndodhet në Lindje të Medinës dhe ky vend gjithashtu quhet Harra Benu Kurejze. Harra e dytë është Harratul-Vebra që ndodhet tri milje në Perëndim të Medinës. Sidoqoftë, rrëfimtari thotë:

“Kur mbërritëm në vendin e quajtur Serrar, pamë që në një vend ishte ndezur zjarr.”

Edhe ky vend që quhet Serrar ndodhet tri milje larg Medinës.

Hazret Omeri tha: “O Eslem! Mendoj se është ndonjë udhëtar të cilin e ka penguar nata dhe ftohti. Eja me mua. Nxitohu, të shohim se kush është.”

Kur iu afruam, pamë që ishte një grua me fëmijët e saj. Kishte ndezur zjarr, në të cilin kishte lënë një poç. Fëmijët po qanin pa pushim nga uria.

Es-selamalejkum, o njerëzit e dritës, i përshëndeti Hazret Omeri.

Është interesante që ai nuk pëlqeu t’u thoshte “o njerëzit e zjarrit”, por tha “o njerëzit e dritës”.

Valejkum selam, gruaja i ktheu përgjigje.

A mund t’ju afrohem? E pyeti Hazret Omeri.

Dhe gruaja iu përgjigj: Afrohu nëse ke mirësi, përndryshe ktheu.

Hazret Omeri shkoi pranë tyre dhe pyeti se çfarë halli kishin.

– U detyruam nga nata dhe ftohti që të mbetemi këtu, i tha gruaja.

– Po fëmijët, pse po qajnë? E pyeti Hazret Omeri.

– Nga uria. Iu përgjigj ajo.

– Çfarë po zien në poç? E pyeti ai.

– Vetëm ujë. Iu përgjigj ajo dhe tha: “që t’i mbaj fëmijët me shpresë se ushqimi po gatuhet dhe në ndërkohë t’i zërë gjumi. Allahu do të gjykojë mes nesh dhe Omerit.

Hazret Omeri e pyeti i habitur: Moj grua, Allahu të mëshiroftë, si mund të dijë Omeri gjendjen tënde?

“Ai është mbikëqyrësi ynë, por është i pavëmendshëm ndaj nesh”, iu përgjigj gruaja.

Eslemi, pra shoqëruesi i Hazret Omerit, thotë: Omeri erdhi tek unë dhe më tha.

– Le të nxitohemi.

“Ne shkuam me shpejtësi në Darud-Dekik.”

Hazret Omeri gjatë periudhës së Kalifatit të tij kishte ndërtuar një ndërtesë të cilën e quajti Darud-Dekik në të cilën mbaheshin të magazinuara ushqime të ndryshme si miell, bulmet, hurma, rrush i thatë, dhe e gjithë kjo për t’u ardhur në ndihmë udhëtarëve dhe njerëzve në nevojë. Në fakt, Hazret Omeri kishte ndërtuar për udhëtarët disa bujtina për gjatë rrugëve midis Mekës dhe Medinës. Sidoqoftë, Eslemi, pra shërbyesi i tij vijon:

Edhe atë natë, Hazret Omeri mori një thes miell, një kuti gjalpë dhe më tha:

– Ma ngarko thesin në shpinën time!

“Unë do ta mbart, o Prijësi i besimtarëve”, i kërkova.

“Qofsh i mirë! A mund ta mbash barrën time në Ditën e Gjykimit?!”, m’u përgjigj ai.

Atëherë ia ngarkova thesin dhe Hazret Omeri duke e mbartur atë në shpinë, filloi të ecte me hapa të shpejt, dhe edhe unë bashkë me të, gersa mbërritëm te gruaja me fëmijët. Hazret Omeri e shkarkoi thesin, nxori pak miell dhe i tha gruas:

– Hidhe miellin ngadalë-ngadalë në poç, dhe unë do ta trazoj me lug, që të të bëj muhalebi.

Hazret Omeri vazhdimisht i frynte zjarrit duke ulur kokën. Eslemi thotë:

Hazret Omeri kishte mjekër të dendur dhe unë e mbaj mend pamjen sesi tymi kishte përfshirë gjithë mjekrën e tij. Kur ushqimi ishte gati, ai e zbriti poçin nga zjarri dhe e porositi gruan të sillte ndonjë enë. Grauja solli një tepsi, në të cilën Hazret Omeri e transferoi muhalebinë dhe i tha:

– Ushqeji fëmijët, ndërkohë unë po e hap në tepsi që të ftohet.

Hazret Omeri vazhdimisht e ftohte, derisa të gjithë fëmijët u ushqyen dhe u ngopën. Duke e lënë aty pjesën e mbetur, Hazret Omeri u çua dhe bashkë me të, edhe unë.

“Allahu të shpërbleftë me të mira”, U lut gruaja për Hazret Omerin, “je më i denjë për t’u shpërblyer sesa Prijësi i besimtarëve.”

– Fol për të mira, moj grua. Kur të shkosh te Prijësi i besimtarëve, inshaAllah, aty do të më gjesh. Iu përgjigj Hazret Omeri.

Eslemi thotë Hazret Omeri u largua pak sa por u ul duke parë këtë familje. “A kemi ndonjë punë tjetër përveç kësaj? E pyeta. Por ai nuk më ktheu përgjigje. Pashë që fëmijët po loznin me njëri-tjetrin, po qeshnin dhe kishin rënë për gjumë me qetësi, vetëm atëherë Hazret Omeri e falënderoi Zotin dhe u çua dhe më tha:

– O Eslem! Këta fëmijë ishin të zgjuar për shkak të urisë dhe po qanin. Desha të mos largohesha nga këtu derisa ta shikoja me sy këtë qetësi të tyre.

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. duke e treguar po këtë ngjarje, shkruan:

“Është detyrë e një shteti musliman që t’u sigurojë njerëzve nevojat e tyre jetike që ata nuk mund t’i sugurojnë dot me forcat e tyre. Një ngjarje e Hazret Omerit r.a. në lidhje me këtë e shpjegon mjaft mirë këtë temë. Njëherë Hazret Omeri, Kalifi i Dytë i Islamit, kishte dalë nëpër rrugë për të hulumtuar se mos ishte në nevojë ndonjë musliman. Gjersa ai mbërriti në një fshat që ndodhet tri milje larg Medinës e që quhet Merrar. [Studiuesit tanë thonë se emri i fshatit është Serrar, ndoshta shkruesi gabimisht e ka shkruar Merrar]. Aty ai dëgjoi të qarat e fëmijëve. Pa andej këtej, dhe gjeti një grua që kishte dy a tre fëmijë e që po qanin, ndërkohë gruaja po gatuante diçka në zjarr.

– Çfarë ju ndodhi? E pyeti Hazret Omeri.

– Kemi dy tri ditë pa bukë, iu përgjigj gruaja, dhe fëmijët janë të shqetësuar. Unë e vura poçin bosh në zjarr, që ata të qetësohen dhe ndërkohë t’i zërë gjumi.

Hazret Omeri kur e dëgjoi këtë, menjëherë u kthye në Medinë. Mori miell, gjalpë dhe hurma, i futi në një thes dhe e porositi shërbyesin që t’ia ngarkonte në shpinë.

– Unë do ta mbart, o Prijësi i besimtarëve! I tha shërbyesi.

– Ti sot mund të ma mbartësh këtë, por Ditën e Gjykimit, si do ta mbartësh barrën time?!

Pra, me fjalë të tjera Hazret Omeri i thoshte se unë e kam për detyrë të kujdesem për ushqimin e tyre dhe diku nuk e kam arritur ta përmbush siç duhet këtë detyrë, andaj, shlyerja e këtij gabimi është që unë vetë ta mbart këtë thes dhe t’ia çoj asaj familjeje.”

Neveri ndaj përtacisë

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. vijon:

“Kjo ngjarje nuk nënkupton që duke i ndihmuar nevojëtarët në këtë mënyrë, Hazret Omeri i bënte përtacë njerëzit. Islami nga njëra anë jep porosi për kujdesin e nevojtarëve dhe të varfërve, nga ana tjetër, largon edhe përtacinë dhe dembelinë. Me ndihmat sociale Islami nuk synonte që njerëzit të linin punën e të bëheshin përtacë, përkundrazi, këto u jepeshin vetëm njerëzve në nevojë. Dhe nga ana tjetër, vazhdimisht predikohej që njerëzit nuk duhet të lypnin. Hazret Omeri mori masa të rrepta që njerëzit të mos lypnin. Nëse ai shikonte që lypësi është një njeri i shëndetshëm, e qortonte dhe merrte masa kundër tij.

Njëherë Hazret Omeri pa një lypës, i cili e kishte të mbushur thesin me miell, por prapëseprapë ai lypte. Hazret Omeri ia mori miellin dhe ua hodhi deveve, dhe duke ia kthyer thesin bosh, i tha:

– Tani mund të lypësh.

Pra, ai detyronte lypësarët të punonin. U thoshte – Je njeri i fortë, i shëndetshëm, çfarë nevoje ke të lypësh. Dil dhe puno, dhe po të të shoh prapë duke lypur, do të merren masa kundër teje.

Shumë njerëz që e kanë bërë shprehi lypjen, e tregojnë ngjarjen e bamirësisë së Hazret Omerit që u përmend më sipër dhe thonë se shikoni si kujdesej ai për të varfrit. Por Islami nga ana tjetër i ndalon njerëzit edhe nga lypja, dhe këtë porosi e ka zbatuar jo vetëm Hazret Omeri r.a., por edhe Profeti Muhammed s.a.v.s..”

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. duke treguar po këtë ngjarje, diku tjetër thotë:

“Shikoni Hazret Omerin r.a. sesa i fortë ishte që edhe mbretërit më të mëdhenj të kohës i trembeshin. Mbretëritë si ajo e Kejserit dhe të Kisrasë ishin në frikë ndaj tij. Por nga ana tjetër, po ky Omer i fortë u tremb duke parë një grua beduine vetëm sepse ajo dhe fëmijët e saj ishin të uritur. Me të ngarkuar në shpinë një thes miell, një kuti gjalpë, Hazret Omeri menjëherë mbërriti te ajo për t’i shërbyer, dhe nuk u kthye nga atje, derisa ia ushqeu fëmijët me duart e vet dhe derisa ata nuk ranë qetësisht në gjumë.”

Hazret Omeri dhe kujdesi për fëmijët

Skllavi i liruar i Hazret Omerit r.a., pikërisht Eslemi që ju përmenda më sipër, thotë:

Njëherë në Medinë erdhi një karvan tregtarësh, të cilët u vendosën në fushën ku falej namazi i Bajramit. Hazret Omeri i tha Hazret ‘Abdurrahman ibën ‘Aufit r.a. – A dëshiron t’u qëndrojmë rojë. Po, iu përgjigj ai. Kështu që, të dy u qëndruan rojë gjithë natën dhe njëkohësisht adhuruan Zotin e Madhërishëm. Gjatë kësaj nate, Hazret Omeri dëgjoi të qarat e një fëmije. Ai shkoi atje dhe i tha nënës së fëmijës:

– Ki frikë ndaj Allahut dhe kujdesu mirë për fëmijën!

Më pas, Hazret Omeri u kthye te vendi i tij. Pas pak kohe, ai sërish dëgjoi të qarat e fëmijës, dhe ai sërish shkoi pranë nënës së tij dhe i tha të njëjtën gjë dhe u kthye prapë. Kur ra pjesa e fundit e natës, ai prapë dëgjoi fëmijën që po qante. Hazret Omeri prapë shkoi te nëna e tij dhe i tha:

– Qenke një nënë e pakujdesshme! Gjithë natën po të qante fëmija. Çfarë halli ke?

– O rob i Allahut, iu përgjigj nëna e fëmijës, unë doja t’i jepja ndonjë ushqim në vend të qumështit, por ai nuk ma pranon.

– Pse doje ta ndaje nga gjiri? E pyeti Hazret Omeri.

– Sepse Omeri jep ndihmë sociale vetëm për fëmijët që ndahen nga gjiri, iu përgjigj nëna e fëmijës.

– Çfarë moshe ka fëmija yt? E pyeti Hazret Omeri.

Nëna i tregoi se fëmija është kaq muajsh.

– Po, mos u nxito t’ia presh qumështin fëmijës kaq herët, i tha Hazret Omeri.

Më pas, kur ai drejtoi namazin e sabahut, njerëzit nuk po e kuptonin dot çfarë sure kishte recituar ai për shkak të ngashërimeve të tij. Pas namazit ai tha:

– U shkatërroftë Omeri! Sa shumë fëmijë mund të kem lënduar!

Më pas, urdhëroi njoftuesit që të njoftonin gjithkund që nënat të mos nxitoheshin për të ndarë fëmijët nga gjiri dhe tani e tutje çdo fëmijë sapo të lindë, do të merrte bonusin social. Hazret Omeri e shpalli këtë dekret në të gjithë vendin.

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. duke treguar këtë ngjarje në fjalët e tij thotë:

Në fillim Hazret Omeri nuk e kishte vendosur ndonjë bonus për fëmijët që mbaheshin me gji, por më vonë ua dha edhe atyre këtë të drejtë, duke thënë se pjesa e tyre t’u jepe nënave të tyre. Kjo për shkak se më përpara Hazret Omeri mendonte se fëmija për sa kohë që nuk ushqehet, dhe mbahet nga nëna e tij, shteti nuk ka nevojë të shqetësohet për të dhe se nëna e tij është përgjegjëse për të. Por një herë Hazret Omeri kishte dalë përjashta, ku kishte ardhur një karvan beduinësh, të cilët ishin vendosur nëpër çadra. Gjatë natës, Hazret Omeri dëgjoi të qarat e një fëmije nga një çadër. Pa që nëna e tij përpiqej ta qetësonte duke e tundur dhe duke e fërkuar, por fëmija nuk pushonte. Një herë ajo e qëlloi fëmijën dhe i bërtiti – Qafsh për Omerin!

Hazret Omeri, kur e dëgjoi këtë fjalë, u habit se çfarë lidhje kishte kjo me të. Ai shkoi pranë çadrës dhe i kërkoi leje për të hyrë brenda. Pasi nëna e fëmijës i dha leje, ai e pyeti për problemin që kishte. Ngaqë ajo nuk e njihte Hazret Omerin, ia tregoi hallin duke thënë:

– Omeri caktoi ndihmë për të gjithë, por jo për foshnjat që mbahen me gji. Ai nuk ditka që edhe foshnjat qumështorë kanë nevojë për ushqim. Unë nuk kam qumështin e mjaftueshëm dhe ia preva qumështin fëmijës, që edhe ai të fillojë të marrë ndihmë sociale.

Hazret Omeri menjëherë u kthye dhe mbushi ushqime në një thes dhe e ngarkoi në shpinë. Roja që qëndronte aty, doli përpara dhe i tha: – Unë do ta mbaj. Por Hazret Omeri i tha:

– Më lër mua, sepse dua ta mbaj vet. Ditën e Gjykimit kur do të dënohem, a mund të marrësh përgjegjësinë në vendin tim?! Nuk e di sa fëmijë mund të kenë vdekur për shkakun tim!

Më pas Hazret Omeri lëshoi urdhrin që edhe fëmijët që janë me gji të ndihmohen nga shteti.

Mos rri papunë!

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Në një hadith rrëfehet nga ‘Amar bin Khazime: Hazret Omeri i tha babait tim – Çfarë të ndaloi ty të mos mbillje pemë në tokën tënde? Dhe babai im iu përgjigj – Unë tashmë jam plakur, do të vdes nesër, çfarë dobie do të kem prej pemëve? Duke thënë se ky nuk është argument, Hazret Omeri i dha urdhër që ai të vijojë të mbillte pemë në tokën e tij. Rrëfimtari thotë: Pas kësaj e kam parë Hazret Omerin i cili bashkë me babain tim po mbillnin pemë në tokën tonë.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e tregoi këtë ngjarje për të theksuar se duhet të ruheni nga përtacia dhe gjithashtu që ne hamë frutat e pemëve që kanë mbjellë të parët tanë, dhe edhe ne duhet të mbjellim për brezat e ardhshëm.

Burrat nuk duhet të qëndrojnë larg grave të tyre për një kohë të gjatë

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

Hazret Omeri r.a. dilte gjatë natës për të vëzhguar situatën e vendit. Një natë duke shëtitur në qytet, dëgjoi një grua që po këndonte vargje dashurie. Të nesërmen gjatë ditës, ai bëri hulmutime dhe mësoi që burri i saj prej shumë kohe ishte jashtë shtetit sepse kishte shkuar ushtar. Pas kësaj ngjarjeje, Hazret Omeri lëshoi vendimin që asnjë ushtar nuk duhet të qëndrojë larg familjes më shumë se katër muaj. Dhe nëse do t’i duhet të qëndrojë për më shumë se kaq, ai që para se të niset, duhet ta marrë gruan me vete, ose oficeri i tij ta detyrojë atë të kthehet në shtëpi pranë familjes.

Diku tjetër kjo ngjarje përmendet edhe me një detaje të vogël. Hazret Omeri e takoi atë grua dhe e pyeti – Mos ke dashur diçka të keqe? – Kërkoj mbrojtjen e Allahut nga një mendim i tillë, iu përgjigj, zonja. – Duro edhe pak, i tha Hazret Omeri, po i dërgoj një letër bashkëshortit tënd që të kthehet sa më shpejt. Dhe Hazret Omeri kështu veproi. Pas kësaj, siç ju thashë më sipër, vendosi ligjin që burri nuk duhet të mbetet larg familjes për më shumë se katër muaj, ose duhet ta marrë familjen me vete.

Hazret Omeri dhe gruaja e tij ndihmojnë një grua shtatzënë gjatë lindjes

Sërish, Eslemi, skllavi i liruar i Hazret Omerit, thotë:

Njëherë bashkë me Hazret Omerin, ne dolëm në periferi të Medinës. Rrugës pamë një çadër. Deshëm ta shikonim nga më afër. Aty gjetëm një grua shtatzënë që po qante nga dhimbjet e lindjes. Hazret Omeri e pyeti për gjendjen e saj. Ajo tha – Jemi udhëtarë dhe nuk kemi asgjë me vete.

Pashë që edhe Hazret Omeri filloi të qante. Me vrap u kthye në shtëpi. Umi Kulthumit, pra bashkëshortes së tij, e pyeti – A dëshiron të marrësh shpërblimin që Allahu ta ka sjellë te dera? Dhe ia tregoi gjithë ngjarjen. Ajo menjëherë iu përgjigj me pohim. Hazret Omeri ngarkoi mbi shpinën e vet një thes me miell, gjalpë dhe ushqime të tjera, dhe gruaja e tij mori mjetet që do t’i duheshin për lindje, dhe të dy mbërritën te gruaja shtatzënë.

Gruaja e Hazret Omerit iu afrua asaj, kurse Hazret Omeri u ul bashkë me burrin e saj. Burri i saj nuk e njihte Hazret Omerin. Ata filluan të bisedonin me njëri-tjetrin. Ndërkohë, gruaja lindi djalë. Hazret Umi Kulthumja, pra gruaja e Hazret Omerit r.a. doli përjashta dhe tha:

– O Prijësi i besimtarëve, shokut tuaj jepini lajmin e mirë se i ka lindur djalë.

Kur ai i dëgjoi fjalët e gruas së Hazret Omerit r.a., atëherë e kuptoi se me çfarë njeriu të madh po bisedonte deri më tani. Ai filloi t’i kërkonte falje Hazret Omerit. E Hazret Omeri e qetësoi, i dha ushqime dhe mjete të tjera dhe bashkë me gruan e vet, u kthye në shtëpi.

Hazret Omeri r.a. duke ndihmuar gratë që jetonin larg bashkëshortëve të tyre

Se’id ibën Musejbi dhe Ebu Selma ibën Abdurrahmani pohojnë:

Betohem në Allah, Hazret Omeri e përmbushi gjithçka që tha. Ai shkëlqu në butësi atëherë kur butësia ishte e nevojshme dhe shkëlqeu në rreptësi atëherë kur rreptësia ishte e nevojshme. Ai u bë prind për njerëzit dhe familjet e tyre. Ai vizitonte shtëpitë e grave që jetonin larg burrave të tyre. U afrohej dyerve, u jepte selam, i pyeste – “A keni nevojë për ndonjë gjë, që unë t’jua blej nga tregu? Më vjen rëndë nëse dikush ju mashtron në treg.” Atëherë ato gra i dërgonin fëmijët e tyre. Hazret Omeri shpesh dukej në treg në atë mënyrë që mbrapa tij vinin plot fëmijë djem e vajza, që nuk numëroheshin. Ai secilit ia blinte ushqimet. Kurse për gratë që nuk kishin ndonjë fëmijë, ai vetë u blinte ushqime.

Kur vinte ndonjë postier, mblidhte letrat e bashkëshortëve të këtyre grave dhe shkonte te to për t’ua dorëzuar. U thoshte – Burri yt ka shkuar në rrugë të Allahut, kurse ti jeton në qytetin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Nëse ke dikë që di të lexojë, merre këtë letër, ose afrohu te dera që unë ta lexoj ty.

Po kështu, kur ndonjë postier bëhej gati për të shkuar atje, sërish shkonte te këto gra për t’i njoftuar se në çfarë dite postieri do të nisej. Ato që dinin shkrim e këndim, ua merrte letrat, kurse ato që nuk dinin, u thoshte: Afrohuni te dera, unë kam letër dhe bojë dhe më thuaj çfarë dëshiron t’i shkruaj burrit tënd. Më pas të gjitha këto letra përmes postierit ua dërgonte bashkëshortëve të tyre.

“Paske vënë standarde të vështira për Kalifët e ardhshëm!”

Hazret Aliu thotë:

Pashë Hazret Omerin me samarin e devesë në shpatulla dhe po shkonte me nxitim në drejtim të Ebtisë.

Ebti është një vend në afërsi të Mekës dhe të Minasë.

– O Prijësi i besimtarëve, e thirra unë, ku po shkon?

– Na është larguar një deve e sadakasë, po shkoj ta kërkoj, m’u përgjigj ai.

I thashë – Paske vënë standarde të vështira për Kalifët e ardhshëm!

– O babai i Hasanit, më tha Hazret Omeri, të lutem mos më qorto për këtë. Për Atë Zot që dërgoi Muhammedin me profetësinë, edhe një kec nëse dëmtohet në bregun e lumit të Eufratit, ditën e gjykimit Omeri do të përgjigjet për të.

Besimtari nuk duhet të shikojë se çfarë ka humbur ai, por duhet të shikojë se për kë ka humbur

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

“Njëherë, gjatë kohës së Kalifatit të Hazret Omerit, një musliman po ecte kokëvarur. Ndoshta ishte i mërzitur për shkak të ndonjë fatkeqësie. Kur e pa Hazret Omeri atë, iu afrua dhe e qëlloi me grusht në mjekrën e tij dhe tha:

– Islami po gëzon suksese të mëdha, kurse ti po ecën kokëvarur!

Me fjalë të tjera Hazret Omeri i thoshte se edhe sikur të ka goditur ndonjë brengë, nuk duhet të shqetësohesh dhe nuk duhet të rrish kokëvarur, sepse Allahu i Madhërishëm po e bekon Islamin me suksese të jashtëzakonshme. Allauh i Madhërishëm i ka dhënë fitore dhe pushtet Islamit. Nëse ti beson se Islami do të triumfojë, nuk duhet të mërzitesh për gjëra të vogla personale. Nëse dëgjon që ndonjë musliman u lëndua në ndonjë pjesë të botës, mos qaj.”

Këtë fjalim Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. e mbajti menjëherë pas mërgimit nga Kadijani. Ai theksoi se besimtari nuk duhet të shikojë se çfarë ka humbur ai, por duhet të shikojë se për kë ka humbur, nëse me të vërtetë ka humbur diçka. Nëse ai ka humbur diçka për hir të Zotit të Madhërishëm dhe për hir të zhvillimit të Islamit, Allahu i Madhërishëm patjetër do ta shpërblejë me më të mirën. Andaj, besimtari nuk duhet të shqetësohet për humbje të vogla që janë të përkohëshme.

Barazia pa dallime e Hazret Omerit r.a.

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a., duke treguar një ngjarje të famshme të Hazret Omerit r.a. nxjerr përfundimin se për të vendosur barazinë në mesin e muslimanëve, Hazret Omeri nuk ngurroi të pranonte vështirësinë. Kjo ngjau atëherë kur Xheble ibën Ejhem, i cili ishte prijësi i një fisi të madh të krishterë e pranoi fenë Islame, gjatë kohës kur muslimanët sulmuan nga drejtimi i Shamit. Prijësi në fjalë e kishte pranuar Islamin me gjithë fisin e tij. Ai shkoi për të bërë haxh në Mekë, ku ishin grumbulluar një numër i madh besimtarësh. Një musliman pa dashe ia shkeli këmbën Xhebelës, pra prijësit në fjalë. Në disa rrëfime thuhet se këmba e muslimanit ngeci në rrobat e tij.

Xhebela e kujtonte veten mbret dhe besonte se gjashtëdhjetë mijë veta të popullit të tij janë ndjekës të tij. Në disa rrëfime të historisë thuhet se gjashtëdhjetë mijë ishin vetëm ushtarët e tij. Sidoqiftë, kur një musliman i rëndomtë dhe i leckosu ia shkeli këmbën atij, ai u zemërua tej mase dhe menjëherë i ra me shpullë si hakmarrje duke i bërtitur – Kë ke fyer ti?! A nuk di se kush jam unë?! Sipas tij, pavarësisht nga grumbullimi kaq i madh i njerëzve, muslimani duhet të kishte mbajtur distancë të mjaftueshme me të në shenjë respekti.

Muslimani në fjalë e mori shpullën dhe heshti, por një musliman tjetër që ishte aty pranë, iu drejtua drejtëpërdrejt Xhebelës duke thënë – Ti nuk di se çfarë feje ke hyrë; kjo është feja Islame ku nuk ka dallim midis të madhit e të voglit, sidomos këtu në Qabe ku po bëjmë tavaf të gjithë ne.

– Nuk më intereson kjo që thua, iu përgjigj Xhebela.

– Po iu ankua dikush Omerit për ty, ai do të hakmerret me ty për këtë musliman, i tha muslimani Xhebelës.

Xhebela ibën Ejhemi u trondit kur e dëgjoi këtë dhe tha – A ka ndonjë që mund ta qëllojë Xhebelën me shpullë?!

– Nuk di për të tjerët, por Omeri mund ta bëjë këtë, i tha muslimani.

Me të dëgjuar këtë, Xhebela përfundoi tavafin shpejt e shpejt, dhe shkoi te Hazret Omeri dhe e pyeti:

– Çfarë bëni ju nëse një njeri me ndikim e qëllon me shupllë një njeri të thjeshtë?

– I jap të drejtën njeriut të thjeshtë të hakmerret duke i rënë me shpullë njeriut me ndikim, iu përgjigj Hazret Omeri r.a..

Xhebela përsëriti – Ndoshta nuk më keni kuptuar; nëse një njeri shumë i madh në pozitë i jep shpullë dikujt, çfarë bëni ju?

Hazret Omeri r.a. e sqaroi duke thënë – Islami nuk bën dallime mes të madhit e të voglit.

Më pas Hazret Omeri e pyeti – O Xhebele, mos e ke bërë ti këtë gabim?

Ai e gënjeu duke thënë – Jo jo, nuk kam bërë diçka të tillë; thjesht ju pyeta për këtë çështje.

Por Xhebela sapo mbaroi takimin me Hazretin Omerin, mori shokët e tij dhe u largua në drejtim të vendit të vet, dhe me gjithë fisin e tij e braktisi fenë Islame duke u bërë renegatë. Jo vetëm kaq, iu bashkua bizantinëve në luftën kundër muslimanëve, por Hazret Omeri nuk u merakos fare për këtë.

Kjo ishte barazia që kishte vendur shteti musliman në atë kohë, një barazi e cila është mësim për shtetet islamike të sotme.

(Më pas, Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, tregoi jetëshkrimin e disa xhenezeve dhe pas faljes së të xhumasë, udhëhoqi edhe namazin e xhenazes së tyre. Ju lutem ndiqeni videon për hutben e plotë)

LEXONI:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp