"Pendimi i sinqertë"- Rrëfimi rrëqethës i Ka’ab ibn Malikut r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

“Pendimi i sinqertë”- Rrëfimi rrëqethës i Ka’ab ibn Malikut r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Hilal ibn Umeje el-Ensariu r.a. | هلاَل بن أُمَيّة

Sot, do t’ju rrëfej jetën e Hazret Hilal ibn Umeje Vakifiut r.a.. Ai i përkiste familjes Benu Vakif të fisit Eus të ensarëve. Umeje ibn Amiri ishte i ati i tij, ndërsa e ëma quhej Enise bint Hidm. Nëna e Hilalit ishte motra e Kulthum ibn Hidmit, sahabiu i njohur, në shtëpinë e të cilit në Kuba kishte qëndruar i Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjatë hixhretit drejt Medinës.

Sipas burimeve historike, Hilal ibn Umeje r.a. kishte bërë dy martesa. Dy gratë e tij quheshin Ferih bint Malik ibn Dehshem dhe Mulejke bint Abdillah. Ato të dy kishin pranuar Islamin dhe kishin bërë bejtin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

Hilal ibn Umeje r.a. renditet ndër ata persona që kishin pranuar Islamin qysh në fillim. Ishte ai që kishte rrëzuar idhujt e fisit Benu Vakif, ndërsa në ditën e fitores së Mekës, mbante krenarisht flamurin e popullit të tij.

Hilal ibn Umeje r.a. luftoi përkrah të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në Bedr, Uhud dhe beteja të tjera, por ai nuk kishte marrë pjesë në luftën e Tebukut. Sipas listës që gjendet në veprën e Ibni Hishamit, emri i tij nuk figuron në listën e ushtarëve muslimanë. Megjithatë Imam Buhariu e ka përfshirë në pjesëmarrësit e Bedrit.

Hilal ibn Umeje r.a. ishte prej atyre tre sahabëve që kishin munguar në betejën e Tebukut pa ndonjë arsye të mirëfilltë. Dy sahabë të tjerë ishin Ka’b ibn Maliku r.a. dhe Murara ibn Rub’i r.a. Rreth këtyre tre sahabëve u zbrit një ajet i posaçëm në Kuranin Famëlartë:

Edhe atyre treve që mbetën mbrapa, derisa toka, pavarësisht nga gjerësia e saj, iu bë e ngushtë dhe atyre iu ngushtuan shpirtrat, gjersa kuptuan se nuk ka strehë nga Allahu, përveç Atij. Pastaj, Ai i mëshiroi që ata të pendoheshin. Pikërisht Allahu është Pendimpranuesi, Mëshirëbërësi. (Et-Teube 9:119)

Rrëfimi rrëqethës i Ka’ab ibn Malikut r.a.

Lufta e Tebukut u zhvillua në vitin 9 pas hixhretit. Ka’b ibn Maliku r.a. tregon:

Kur u përhap lajmi në Medinë se i Dërguari i Allahut po kthehej bashkë me ushtrinë muslimane, u trishtova pamasë dhe nga hidhërimi nisa të sajoj gjithfarë gjërash të paqena, që të shpëtoja zemërimin e Profetit s.a.v.s.. U këshillova me familjen time dhe u kërkova mendim njerëzve të mëdhenj. Por, kur mbërriti i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në Medinë, m’u zhdukën të gjitha mendimet e sajuara, dhe kuptova që nuk mund t’i shpëtoja zemërimin nëpërmjet fjalëve të rrena. Kisha vendosur se do t’ia rrëfeja vetëm të vërtetën. Teksa Profeti a.s. ishte ulur në xhami, iu afruan ata njerëz që kishin mbetur në Medinë dhe nuk kishin marrë pjesë në betejë. Ata ishin afërsisht 80 veta, të cilët bënin gjithfarë betimesh dhe gënjenin lloj-lloj historish si arsye për mungesë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ua pranoi të gjitha arsyetimesh që i kishin sajuar. Ai ua mori besëlidhjen, iu lut Allahut që t’i falte ata dhe fshehtësinë që kishin në brendësi ia dorëzoi Allahut.

Pastaj iu afrova edhe unë dhe e përshëndeta. Ai më vështroi me një buzëqeshje, që mbante dhe pakënaqësi e zemërim. Profeti a.s. m’u drejtua dhe tha: “Eja përpara!” Unë u ula para tij. Ai më pyeti: “Ç’të pengoi ty që të mos vije në luftë? Unë u përgjigja: “Betohem në Allah, me të vërtetë, nuk kam pasur asnjë arsye të mirëqenë për t’u munguar”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha vetëm kaq: “Ti ke treguar të vërtetën. Ngrihu derisa Allahut të gjykojë çështjen tënde”.

Unë u ngrita nga vendi dhe disa burra nga fisi Benu Selima më ndoqën nga pas dhe thanë: “Betohemi në Allah, kurrë nuk ke bërë diçka kaq të mbrapshtë. Pse nuk trillove ndonjë gjë para të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ndërkohë të gjithë ata që kishin mbetur mbrapa kanë treguar lloj-lloj arsyesh? Me të vërtetë, të mjaftonte vetëm lutja e Profetit dhe Zoti ta falte këtë gjynah”.

Betohem në Allah, ata nuk pushonin së qortuari, por u thashë: “A ka dikush tjetër që ka rrëfyer të vërtetën dhe ka marrë të njëjtën përgjigje si unë?” Ata më thanë: “Murara ibn Rub’i el-Amriu dhe Hilal ibn Umeje el-Vakifiu”. Ata më përmendën dy burra të mirë që kishin marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe ishin shembull të lartë për mua në jetë. Me të dëgjuar këta emra, unë u largova prej tyre.

Ndërkohë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dha urdhër që asnjëri të mos bisedonte me ne të tre dhe kështu u nis bojkotimi ndaj nesh që zgjati 50 ditë.

Dy shokët e mi Hilal ibn Umeje r.a. dhe Murara ibn Rub’i nga turpi, kishin ngujuar veten brenda katër mureve të shtëpisë dhe qanin tërë kohën. Pasi kishin kaluar dyzet net nga pesëdhjetë të tilla, më erdhi lajmëtari i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ai më tha se Profeti s.a.v.s. ka thënë që të rrija larg prej bashkëshortes sime. Unë e pyeta: “A të ndahem?” Ai më tha: “Jo, vetëm të rrish larg prej saj dhe mos iu afro!” Po të njëjtin urdhër Pejgamberi s.a.v.s. u kishte dhënë dy shokëve të mi. Ndërkohë gruaja e Hilal ibn Umejes r.a. shkoi tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut! Hilali është një plak i vjetër dhe nuk ka kush që t’i shërbejë atij. A do të mbeteni i pakënaqur nëse i bëj hyzmet atij”. I Dërguar i Allahut s.a.v.s. tha: “Në rregull, por ai nuk duhet të të afrohet ty”. Ajo i tha: “Pasha Allahun! Ai ka hequr dorë nga çdolloj dëshire. Betohem në Allah, që prej ditës që i është shpallur dënimi, ai nuk ka pushuar së qari”. Kur kaloi nata e pesëdhjetë, dhe kisha falur namazin e mëngjesit, isha ulur në çatinë e njërës prej shtëpive tona.

Isha pikërisht në atë gjendje emocionale, që ka përshkruar Kurani Famëlartë se toka me gjithë gjerësinë e saj, më ishte bërë e ngushtë. Dëgjova thirrjen e dikujt, që ishte ngjitur në kodrën Sala’ dhe thirrje me zë të lartë: “O Ka’b ibn Malik! Gëzohu!” Sa i dëgjova fjalët, rashë menjëherë në sexhde, sepse dija se kishte ardhur çlirimi dhe ora e sprovës kishte përfunduar. Pasi që kishte mbaruar namazin e sabahut, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. njoftoi sahabët se Allahu kishte pranuar pendimin tonë dhe kishte falur gabimin tonë. Pastaj, dolën njerëzit që të më uronin, dhe disa prej tyre shkuan për të përgëzuar dy shokë të mi.

Më në fund mbërrita në xhami dhe pashë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., të ulur mes njerëzve. Kur e përshëndeta atë, ai m’u përgjigj me një fytyrë ngazëlluese dhe tha: “Gëzohu për ditën më të mirë që ke jetuar qysh prej kohës kur të ka lindur nëna!” Unë e pyeta: “O i Dërguar i Allahut! A është ky lajmë i gëzueshëm prej jush apo prej Allahut?” Ai më tha: “Kjo falje është prej Allahut”. Sa herë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ngazëllehej, fytyra i ndrinte sikur të ishte pjesë e hënës. Pastaj i thashë: “O i Dërguar i Allahut! Në të vërtetë, Allahu më ka shpëtuar për shkak të sinqeritetit tim. Si pjesë e pendimit, derisa jam i gjallë, do të flas vetëm të vërtetën”.

Qysh prej kohës, kur kisha dhënë dëshmi para të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., nuk kam gënjyer kurrë dhe shpresoj se Allahu do të më ruajë prej gënjeshtrës, derisa të jem i gjallë.

Pasha Allahun! Kurrë nuk më ka dhuruar Allahu mirësi më të madhe, pas udhëzimit drejt Islamit, sesa ta ketë shfaqur sinqeritetin tim para të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. I jam mirënjohës Allahut se nuk isha prej atyre që kishin gënjyer para tij, përndryshe do të shkatërrohesha njësoj si u shkatërruan ata që gënjyen.

Allahu i ka përshkruar gënjeshtarët me epitete më ulëta dhe të liga, që nuk i ka dhënë askujt tjetër. Ai përshkruan gënjeshtarin me këto fjalë:

Pa dyshim, kur ju të ktheheni te ta, ata do t’ju betohen për Allahun që t’i lini mënjanë. Andaj, lërini ata! Deri tek ajeti: Sigurisht, Allahu nuk kënaqet me njerëzit e ligj. (Et-Teube 9:95-96)

Hazret Ka’abi tregon: Profeti s.a.v.s. kishte lënë çështjen tonë pezull, derisa vetë Allahu gjykoi për të. Allahu ka folur pikërisht për këtë kohë duke thënë:

“وَعَلَى الثَّلَاثَةِ الَّذِينَ خُلِّفُوا

“Edhe atyre treve që mbetën mbrapa”. (et-Teube 9:118)

Këtu nuk bëhet fjalë për faktin se nuk kishim marrë pjesë në luftë dhe kishim mbetur mbrapa, por e ka fjalën se fati ynë ishte vendosur mbrapa atyre që i kishin dhënë besë të Dërguarit të Allahut dhe i kishin dhënë arsyet për mosparaqitje në luftë dhe Profeti s.a.v.s. ua kishte pranuar arsyet.

Hilal ibn Umeje kishte ndërruar jetë në kohën e Amir Muajvijes.

Lufta e Tebukut dhe sakrificat shembullore të sahabëve 

Huzuri tha: Tebuku është një qytet, që ndodhet midis Vadiul Kura dhe Sirisë. Ky qytet shtrihet mbi rrugën kryesore që e lidh Medinën me Sirinë. Beteja e Tebukut përmendet edhe me emra të tjerë, p.sh. Gazvatul ‘Usra (d.m.th. beteja e ngushtë) apo Xhejshul ‘Usra (d.m.th. ushtria e ngushtë). Ajo gjithashtu është përmendur si Ghezvetul Fadiha d.m.th. beteja që poshtëroi hipokritët.

Menjëherë pas deklarimit të Profetit s.a.v.s. për të nisur përgatitje për këtë luftë, qyteti i Medinës dëshmoi një angazhim të dendur. Ata sahabë që gëzonin mjetet financiare, sakrifikuan bujarisht dhe kontribuuan duke vepruar përtej mundësisë. Ndërsa, sahabët e tjerë që nuk kishin mundësi financiare, ishin mbushur me frymëzim dhe në një gjendje të fuqishme shpirtërore, ishin të gatshëm për të udhëtuar qindra kilometra më këmbë. Në këtë kohë të brishtë, çdo musliman ishte i gatshëm për të ofruar gjënë më të shtrenjtë të tij, pra jetën.

Omeri r.a. mendoi se kishte pasuri të mjaftueshme dhe që ishte mundësia e artë për të lënë mbrapa Ebu Bekrin r.a. në sakrificë e bujari. Ai mori gjysmën e pasurisë dhe e vendosi para Profetit s.a.v.s.. Ai e pyeti: “O Omer! Çfarë ke lënë për familjen tënde?” Omeri iu përgjigj: “O i Dërguar i Allahut! Kam sjellë gjysmën e pasurisë dhe pjesën tjetër e kam ruajtur për familje”. Ndërsa, Ebu Bekri r.a. kishte sakrifikuar gjithë pasurinë për hir të Allahut. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pyeti dhe atë: “Çfarë ke lënë për familjen tënde?” Ai i tha: “I kam lënë familjes Allahun dhe të Dërguarin e Tij”. Omeri r.a. kur dëgjoi përgjigjen e Ebu Bekrit r.a., shprehu lakminë për shkallën e sakrificës dhe tha: “Betohem në Allahun! Kurrsesi nuk mund të parakaloj Ebu Bekrin në asnjë çështje?” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: Dallimi që ekziston në veprat e tyre përbën dallimin në pozitat e tyre”. Ndërsa Osmani r.a. përveç mjeteve financiare, kishte siguruar deve dhe kuaj.

Duke vlerësuar sakrificën e Osmanit r.a., i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë se “Pas kësaj vepre, Osmanit nuk do t’i kërkohet llogari për asnjë vepër tjetër”. Sipas një hadithi tjetër, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë se “Pas kësaj dite, asnjë vepër e Osmanit nuk do t’i sjellë zarar”.

Ebu Akili r.a. ishte një sahab i varfër, i cili nuk posedonte asgjë, me të cilën mund ta ndihmonte këtë ekspeditë. Por, ai gjeti një zgjidhje dhe bëri një marrëveshje me dikë që të punonte gjatë natës për t’ia vaditur arrën. Ai tërë natën, nxirrte ujë nga pusi dhe ujiste fushën. Në këmbim të kësaj pune të lodhshme, ai merrte 4-5 kile hurma., Gjysmën prej saj ai e ruante për familje, ndërsa pjesën tjetër jepte për hir të Allahut.

Gjatë kësaj periudhe, Abdurrahman ibn Aufi r.a. i dha të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. gjysmën e pasurisë, e cila në atë kohë kishte një vlerë prej katër mijë e pesëqind dirhamesh.

Kur Asim ibn Adi r.a. kontribuoi një qind visk hurma për këtë kauzë, hipokritët e akuzuan se gjoja ai e kishte bërë këtë për sy e faqe dhe për reklamë. Por, Allahu e zbriti një ajet të posaçëm dhe shfajësoi atë nga akuza:

Ata që i akuzojnë vullnetarët prej besimtarëve në lidhje me lëmoshat si dhe (i akuzojnë) ata që nuk kanë asgjë tjetër përveç përpjekjes së tyre, pra tallen me ta; Allahu do të tallet me ta dhe ata do të kenë ndëshkim të dhimbshëm. (et-Teube 9:80)

Një njoftim për lëvizjen “Vekfi Nau

Tani dua të bëj një njoftim nga departamenti “Vekfi Nau” se ata kanë lançuar një vebfaqe të re https://www.waqfenauintl.org/ . Huzuri u bëri thirrje fëmijëve Vekf-e-Nau dhe prindërve të tyre që të përfitojnë prej saj.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp