Historia e Bilalit r.a., sahab i shquar i Profetit a.s.
Në vazhdë të përmendjes së sahabëve të Betejës së Bedrit, sahabi që do të përmend në hutben e sotme është Hazret Bilal bin Rebah حضرت بلال بن رَباح رضی اللہ تعالیٰ عنہ. Babai i Hazret Bilalit quhej Rebah dhe nëna Hamame. Hazret Bilali ishte skllavi i Umejje bin Khalefit. Nofka e Hazret Bilalit ishte Ebu ‘Abdullahi. Në disa rrëfime të tjera nofka e tij përmendet edhe Ebu ‘Abdurrahmani ose Ebu ‘Abdul-Kerimi dhe Ebu ‘Amri.
Prejardhja e Hazret Bilalit r.a.
Nëna e Hazret Bilalit ishte nga Abisinia (Etiopia), por babai ishte arab. Studiuesit kanë shkruar që Hazret Bilali vinte nga një fisi Sami i Abisinisë. Pra në kohën e lashtë, disa nga fiset arabe kishin mërguar në Abisini dhe për këtë shkak, me kalimin e brezave, ata u bënë me ngjyrë, megjithatë, nuk i kishin zakonet e veçanta të atij vendi. Më vonë, disa prej tyre u kthyen në Arabi, por si skllevër. Hazret Bilali ngaqë ishte zeshkan, njerëzit në përgjithësi e njihnin si banor të Abisinisë.
Sipas një rrëfimi, Hazret Bilali lindi në Mekë dhe ishte nga Muvel-lidinët, dhe muvel-lidinë quheshin ata të cilët nuk ishin tërësisht racë arabe.
Sipas një rrëfimi tjetër, Hazret Bilali lindi në Surat, që ishte një zonë e afërt me Jemenin dhe Abisininë, ku shumica ishin njerëz të racave të ndryshme.[1]
Shtati i Hazret Bilalit r.a.
Hazret Bilali ishte ngjyrë gruri të errët, shtathollë, me flokë të dendur dhe kishte shumë pak mish në faqet.
Familja e Hazret Bilalit r.a.
Hazret Bilali ishte martuar disa herë. Disa nga gratë e tij ishin nga fise të rëndësishme arabe. Njëra prej tyre ishte Hala binti Auf, e cila ishte e motra e Hazret Abdurrahman bin Aufit. Një tjetër gruaja e tij ishte Hind Kheule. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. martoi Hazret Bililain edhe në fisin Benu Bekir. Hazret Bilali ishte martuar edhe në fisin e Abu Dardaut r.a.. Por, ai nuk pati fëmijë nga asnjëra prej grave të tij.[2]
Hazret Bilalit kishte një vëlla të quajtur Khalid dhe një motër që quhej Gafire.[3]
Dhuna ndaj Hazret Bilalit
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:
“Bilali është i pari nga banorët e Abisinisë që pranoi Islamin.”[4]
Hazret Enesi r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:
Katër njerëz janë ata që parakaluan të tjerët në pranimin e Islamit. Prej arabëve jam unë. Prej persëve është Selmani. Prej banorëve të Abisinisë është Bilali dhe prej romakëve është Suhejbi.[5]
Urvah bin Zubejri rrëfen:
Hazret Bilal bin Rebah ishte nga ata të cilët kur e pranuan Islamin, persekutoheshin ashpër, në mënyrë që ata të hiqnin dorë nga Islami, por që asnjëherë të vetme nuk shqiptuan atë që persekutuesit e tyre i detyronin ta shqiptonin, pra mohimin e Allahut të Madhërishëm. Hazret Bilalin e ndëshkonte Umejje bin Khalefi.[6]
Hazret Bilali kur e pranoi Profetin Muhammed s.a.v.s. ndëshkohej nga mekasit në mënyra të ndryshme. Ata e ashpërsonin ndëshkimin, kurse Hazret Bilali thoshte:
– “Ehad! Ehad!”
Njerëzit i thoshin:
Thuaj ashtu siç themi ne!
– “Nuk di të shqiptoj atë që thoni ju”, iu përgjigjej Hazret Bilali r.a.
Në një rrëfim tjetër thuhet se kur Hazret Bilali persekutohej fizikisht dhe idhujtarët e Mekës donin ta largonin atë nga Islami, ai thotshte: Allah! Allah![7]
Si e liroi Hazret Ebu Bekri r.a. Hazret Bilalin r.a.?
Kur Hazret Bilali u bë musliman, padronët e tij e kapën, e shtrinë në tokë, hodhën gurë të nxehtë dhe lëkurën e lopës mbi të dhe i thanë:
– “Zotat e tu janë Lati dhe Uzza!”
Por ai thoshte vetëm:
– “Ehad! Ehad!”
Atëherë Hazret Ebu Bekri shkoi te padronët e tij dhe tha:
Deri kur do ta sfilitni këtë njeri?!
Përfundismisht Hazret Ebu Bekri ua bleu Bilalin në këmbim të 7 eukijash dhe më pas e liroi atë.
7 eukije ishin 280 dirhamë, pasi një eukije është baras me dyzet dirhamë. Më pas, Hazret Ebu Bekri këtë ngjarje ia tregoi Profetit Muhammed s.a.v.s.
– Më përfshi edhe mua në këtë mirësi, o Ebu Bekr!, i kërkoi Profeti s.a.v.s.
– Unë e kam liruar atë, o i Dërguari i Allahut, iu përgjigj Hazret Ebu Bekri.[8]
Pak më parë ju tregova se Hazret Ebu Bekri e liroi Hazret Bilalin në këmbim të 280 dirhamësh. Ka rrëfime të ndryshme që tregojnë shuma të ndryshme që kishte paguar Hazret Ebu Bekri për këtë punë. Sipas disa rrëfimeve të tjera, për shembull, ai pagoi 5 eukije, që do të thotë 200 dirhamë. Sipas disa rrëfimeve të tjera pagoi 9 eukije, pra 360 dirhamë.[9]
Një rrëfim thotë:
Kur Hazret Ebu Bekri bleu Hazret Bilalin, sipër tij ishin vendosur gurë të mëdhenj. Hazret Ebu Bekri u dha pronarëve 5 ejkije floriri dhe ua bleu Bilalin. Ata i thanë Hazret Ebu Bekrit:
– Po të na kishe dhënë vetëm 1 eukije, pra 40 dirhamë, ne edhe me kaq do ta lironim Bilalin.
– E po të më kishit kërkuar 100 eukije (4000 dirhamë) për ta liruar Bilalin, unë do t’jua blija me 100 eukije, iu përgjigj Hazret Ebu Bekri pronarëve të Bilalit.[10]
Hazret Ajshja r.a. rrëfen:
– Hazret Ebu Bekri liroi shtatë skllevër të tillë, të cilët dhunoheshin nga mekasit në mënyrë barbare. Prej tyre ishin Hazret Bilali dhe Hazret Amir bin Fehira.[11]
Hazret Xhabiri bin Abdullah thotë:
– Hazret Omeri r.a. thoshte: “Ebu Bekri është prijësi ynë, i cili mundësoi lirimin e prijësit tonë tjetër, pra të Bilalit.”[12]
Es–hadu i Bilalit më i mirë sesa esh–hedu i muslimanëve të tjerë
Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a., duke treguar persekutimet që i bëheshin Hazret Bilalit dhe ngjarjen sesi Hazret Ebu Bekri e liroi atë, thotë:
“Skllevërit që e besuan Profetin Muhammed s.a.v.s. ishin nga popuj të ndryshëm. Ndër ta kishte edhe njerëz afrikanë, siç ishte Bilali r.a., edhe romak, siç ishte Suhejbi r.a.. Pastaj, ata nuk ishin vetëm nga një fe, por nga fe të ndryshme.
Për shembull, ishin edhe të krishterë si Xheberi r.a. dhe Suhejbi r.a., ishin edhe nga idhujtarët si Bilali r.a. dhe Amari r.a.. Bilalin r.a. pronarët e tij e shtrinin në rërë përvëluese dhe i vendosnin gur ose lëshonin ca çapkënë t’i shtypnin gjoksin. Bilali r.a. qe një zezak dhe ishte skllav i një pasaniku të Mekës, të quajtur Umeja bin Helef. Gjatë verës, ai e nxirrte Bilalin jashtë Mekës në pikë të zhegut dhe e shtronte të zhveshur në rërë përvëluese, i vinte përsipër gurë të mëdhenj e të nxehtë dhe i thoshte:
“Pranoje Latin dhe Uzzanë si zota dhe distancohu nga Muhammedi!”
Por ai thoshte vetëm
“Ahad! Ahad!”,
domethënë Allahu është vetëm një, Allahu është vetëm një. Umeja zemërohej edhe më shumë. I vinte litar në qafë dhe ia dorëzonte vagabondëve, të cilët i porosiste që ta tërhiqnin zvarrë nëpër rrugicat e Mekës. Ai bëhej gjak nga koka gjer në këmbë, por vazhdonte të thoshte “Ahad! Ahad!”, “Zoti është një, Zoti është një”.
Shumë vonë kur Zoti i Lartësuar u mundësoi paqe muslimanëve në Medinë, kur ata gjetën lirinë për të adhuruar Zotin, Profeti s.a.v.s. Bilalin e caktoi për të thirrur ezanin. Skllavi i dikurshëm afrikan, në vend të fjalëve “Esh-heduanla ilaha il-lallah”, shqiptonte “Es-heduanla ilaha il-lallah”, atëherë disa njerëz medinas që nuk dinin se çfarë kishte hequr ai, qeshnin.
Një herë Profeti s.a.v.s. e pa vetë sesi njerëzit qeshnin për ezanin e Bilalit. Ai iu drejtua atyre duke thënë: “Juve ju vjen për të qeshur nga ezani i Bilalit, por Zoti i Lartësuar gëzohet në Arsh kur e dëgjon atë”. Padyshim, Profeti s.a.v.s. donte t’u shpjegonte se ata mund të vinin re që ai nuk mund të shqiptonte dot sh-në dhe në vend të saj thoshte s-në. Ç’rëndësi kishte sh-ja dhe s-ja? Zoti i Madhërishëm e shihte Bilalin edhe atëherë kur mekasit e shtrinin me kurriz të zhveshur në rërë përvëluese, ndërsa mbi gjoksin e tij hidheshin me gjithë opingat dhe e pyesnin: “Hë, a je në rregull tashti?!”, por ai vetëm murmuriste “Ahad! Ahad!” dhe në këtë mënyrë vazhdonte të lëshonte parullat e njëshmërisë së Zotit duke dëshmuar besnikërinë e tij ndaj Zotit të Vetëm dhe duke treguar vendosmërinë e tij në këtë besim. Prandaj, shqiptimi i tij “Es-hedu”, padyshim që ishte shumë më i çmueshëm sesa shqiptimi i rregullt “Esh-hadu” i shumëkujt.
Ebu Bekri r.a. nuk qëndroi dot heshtur kur e pa mizorinë që i bëhej Bilalit. Ai ia pagoi pronarit të tij çmimin që kërkonte dhe e liroi atë.
Në të njëjtën mënyrë, Ebu Bekri r.a. liroi me paratë e tij shumë skllevër të tjerë.”[13]
(“Jeta e Muhammedit s.a.”, Tiranë, 2013, f. 38 – 39.)
Hazret Bilali në grupin “Es–sabikun el–evvelun”
Hazret Bilali renditet në grupin e shquar “Es-sabikun el-evvelun” السابقون الأوّلون (Fitimtarët e parë, dmth ata që pranuan të parët Islamin, duke i parakaluar të gjithë). Ai e pranoi Islamin në atë kohë, kur gjithsej ishin 7 veta që kishin deklaruar të ishin muslimanë.[14]
Hazret Abdullah bin Mes’udi r.a. thotë:
“Të parët që pranuan Islamin janë shtatë veta: I Dërguari i Allahut s.a.v.s., Ebu Bekri, Amari dhe nëna e tij Sumejje, Suhejbi, Bilali dhe Mikdadi. Allahu e ruajti Profetin Muhammed s.a.v.s. përmes xhaxhait të tij, Ebu Talibi; Ebu Bekrin përmes fisit të tij.”
Siç ju kam thënë në një hutbe të kaluar se as i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe as Hazret Ebu Bekri r.a. nuk ishin të mbrojtur nga dhuna e mekasve, pra edhe atyre të dyve u janë bërë persekutime të ashpra. Fillimisht patën një periudhë lehtësie, por më vonë edhe këta u përballën me dhunën sfilitëse të mekasve. Sidoqoftë, rrëfimtari i këtij pohimi e shpjegon situatën në mënyrën e vet dhe vijon:
“Këta kishin ndonjë mbështetës nga arabët deri në njëfarë kohe, por të tjerët ishin të dobët dhe skllevër. Këtyre të fundit iu vunë pranga hekuri, detyroheshin të ecnin në piskun e vapës. Asnjëri prej tyre nuk u qëndroi dot i palëkundur torturave të skajshme të mekasve, përveç Bilalit. Sepse Bilali ishte bërë tërësisht vetëmohues për hir të Allahut. Hazret Bilali gjithmonë u tregua i palëkundur në besim. Dhe ai ishte aq i parëndësishëm për padronët e tij, saqë e kapnin dhe ua dorëzonin vagabondëve, të cilët e rrotullonin nëpër rrugicat e Mekës, kurse Bilali ishte që vazhdon të thoshte vetëm “Ehad! Ehad!””
Ky rrëfim i lartpërmendur është në Sunen Ibni Maxha.[15]
Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a., duke treguar sesi Hazret Bilali pranoi Islamin në fillimet e Islamit, thotë:
“Hazret Khabbabi r.a. që ishte “Es-sabikun el-evvelun” السابقون الأوّلون (Fitimtarët e parë, dmth ata që pranuan të parët Islamin, duke i parakaluar të gjithë) dhe rreth të cilit ka një mospërputhje te historianët se ishte ai i pari që pranoi Islamin apo Bilali, sepse Profeti Muhammed s.a.v.s. njëherë tha:
– Prej të parëve që pranuan Islamin njëri ishte skllav dhe tjetri i lirë.
Disa historianë thonë se bëhet fjalë për Hazret Bilalin dhe Hazret Ebu Bekrin, kurse të tjerët thonë se ishin Hazret Khabbabi dhe Hazret Ebu Bekri r.a.”[16]
Në librin e tij të titulluar “Siret Khatemun-nebijjin”, duke përshkruar mizoritë që i bëheshin Hazret Bilalit r.a., Hazret Mirza Bashir Ahmedi shkruan:
Bilal bin Rebah ishte skllav etiopian i Umejje bin Khalefit. Umejja nxirrte Hazret Bilalin në mesditë, kur Meka e rrethuar me kodra shkëmbinjsh kthehej në një furrë, e shtrinte të zhveshur në tokë, vendoste gurë të mëdhenj në gjoksin e tij dhe i kërkonte:
– Adhuro Latin dhe Uzzanë dhe distancohu nga Muhammedi, përndryshe do të të vras duke ndëshkuar edhe më rëndë.
Bilali nuk dinte mirë arabisht. Ndaj, vetëm thoshte:
– Ehad! Ehad!
Domethënë, Allahu është i Vetëm! Allahu është i Vetëm!
Duke dëgjuar përgjigjen e tij, Umejja acarohej edhe më shumë. I vinte litar në fyt dhe ua dorëzonte vagabondëve, të cilët e zvarritnin nëpër rrugët e vrazhda dhe të gurta të Mekës. Hazret Belali gjakosej këmbë e krye, por prapëseprapë nuk thoshte gjë tjetër veçse:
– Ehad! Ehad!
Hazret Ebu Bekri r.a. kur e pa këtë mizori të skajshme, e liroi Hazret Bilalin duke u paguar një shumë të madhe pronarëve të tij.[17]
Vëllazëria e Bilalit r.a.
Hazret Bilali kur bëri hixhretin në Medinë, qëndroi në shtëpinë e Hazret Sa’d bin Khejthemasë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi vëllazërinë mes Hazret Bilalit dhe Hazret Obejda bin Harithit. Sipas një rrëfimi tjetër ai vendosi vëllazërinë e Hazret Bilalit me Hazret Ebu Ruvjeha Kheth’aminë.[18]
Sëmundja muhaxhirëve të Mekës në Medinë dhe shërimi i tyre
Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbërriti në Medinë, disa sahabë të Mekës filluan të sëmureshin, ndër ta ishin Hazret Ebu Bekri, Hazret Bilali dhe Hazret Amir bin Fahira. Duke treguar këtë ngjarje, Hazret Ajshja r.a. thotë
“Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. erdhi në Medinë, Hazret Ebu Bekri dhe Hazret Bilali u sëmurën dhe patën temperaturë. Kur Hazret Ebu Bekri sëmurej, thoshte këto vargje:
Janë vargje në arabisht, dhe unë do t’jua lexoj vetëm përkthimin.
Çdonjëri që gdhihet në shtëpinë e vet
E ka vdekjen kaq afër sa lidhëza e këpucësE Hazret Bilali që gjithashtu sëmurej shpesh me temperaturë, kur merrte pak veten, me zë të lartë thoshte këto vargje:
Ah sikur të dija nëse do të gdhihesha ndonjëherë në Mekë
Rreth e përqark të kisha barin idhkhir dhe xhelilAh sikur të pija ndonjëherë ujin e pusit Mexhena
Dhe t’i kisha përballë kodrat Tufejl dhe Shama
Mexhena ndodhet pak milje larg nga Meka afër Merruz–zehranit. Në kohën e xhahilijetit, në Mexhena zhvillohej një panair i rëndësishëm i arabëve, që bëhej pas mbledhjes së tyre në Okaz. Pra, pasi mbaronin takimin në Okaz, ata grumbulloheshin në Mexhena, ku qëndronin për 20 ditë.
Pas këtyre vargjeve, Hazret Bilali thoshte:
– Allahu e mallkoftë Shube bin Rebijanë, Atba bin Rebijanë dhe Umejje bin Khalefin, se ata na nxorën nga vendi ynë i shëndetshëm dhe na kaluan në një vend që na sëmur.
Kur Profeti Muhammed s.a.v.s. mori vesh shqetësimet e Hazret Ebu Bekrit dhe të Hazret Bilalit, bëri duanë:
“O Allah! Na bëje Medinën po kaq të dashuri si Meka ose edhe më shumë! O Allah beko enët dhe matëset tona! Bëje Medinën të shëndetshme për ne dhe temperaturën e saj largoje drejt Xhuhfasë!”
Ishin disa enë të famshme që quheshin sa’a dhe mûdd. Kurse Xhuhfa qe një qytet në drejtim të Mekës.
Hazret Ajshja r.a. tregon:
“Kur erdhëm në Medinë, ajo për ne ishte toka më e pashëndetshme në të gjithë botën. Në Bet’han ishte një përrua që kishte shumë pak ujë dhe edhe atë, tejet të hidhur dhe mbante dhe erë.”
Edhe Bet’hani është një luginë e Medinës. Ky rrëfim përmendet në Buhari.[19]
Disa këshilla për muhaxhirët ahmedianë nga Kalifi i tyre
Në Xhematin tonë kur u bë hixhreti nga Kadijani në Rabvah, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a., duke iu referuar pikërisht kësaj ngjarjeje të hixhretit të Medinës, iu drejtua ahmedianëve muhaxhirë dhe tha se nuk duhet të shqetësoheshin nga hixhreti. Duke treguar këtë ngjarje të Hazret Bilalit dhe më pas porosinë e Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s., Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. anëtarëve të Xhematit u tha:
“Nuk di për të tjerët dhe as nuk mund t’u them diçka atyre [pra atyre që kishin mërguar nga India në Pakistan, por që nuk ishin anëtarë të Xhematit], por ju them ju ahmedianëve. Mos mendoni se jeni shkatërruar apo keni pësuar humbje të mëdha për shkak të hixhretit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. shprehte keqardhje për ata muhaxhirë të cilët shqetësoheshin për shkak se kishin humbur vendin dhe pasurinë për shkak të hixhretit.
Kur Profeti Muhammed s.a.v.s. mërgoi në Medinë, Medina në atë kohë quhej Jethreb. Aty muslimanët i zinte shpesh malaria. Muhaxhirët muslimanë filluan të sëmureshin shpesh. Kishin temperaturë. Brenga e largimit nga vendi ishte ende e freskët. Atëherë disa prej tyre filluan të qanin, të ulërinin nga malli dhe thoshin: Eh moj Mekë! Eh moj Mekë!
Një ditë edhe Hazret Bilalin e zuri temperatura. Ai thurte vargje në gjuhën arabe dhe i thoshte me zë të lartë. Të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. i erdhi keq kur e pa këtë gjendje, ai nuk e pëlqeu dhe u tha, – a për këtë punë keni ardhur në Medinë?! – Kur bëtë hixhretin, duhet të duroni!”
Hazret Kalifi i Dytë i Imam Mehdiut alejhiselam vijon:
“Edhe juve që keni bërë hixhretin nga India në Pakistan ju them: Jini të gëzuar! Mos shikoni se çfarë keni humbur, por shikoni për kë keni humbur. Nëse atë që keni humbur, e keni humbur për Allahun dhe për ngritjen e Islamit, atëherë gëzohuni dhe mos e lejoni veten të dobësoheni në asnjë rrethanë. Mos lejoni që fytyrat tuaja të zverdhen, përkundrazi, shfaqni gëzimin tuaj.”[20]
Pra, i tillë duhet të jetë qëndrimi ynë që jemi ahmedianë dhe porosi të tilla na ka dhënë neve Kalifi i asaj kohe dhe na tha se hixhreti ynë është për hir të Allahut dhe për t’i shërbyer Islamit.
Ata njerëz që në atë kohë ishin kundër ndërtimit të Pakistanit, sot janë bërë pronarë të tij, pretendojnë të jenë themelues të tij dhe me gënjeshtrat dhe mashtrimet e tyre privojnë ahmedianët nga të drejtat qytetare më elementare në atë vend, për të cilin pikërisht ahmedianët kishin dhënë sakrificat më të mëdha.
Drejtuesit e Pakistanit për interesat e tyre politike na vendosën kufizimin të mos i drejtohemi asaj feje, për hir të së cilës kishim bërë hixhretin duke bërë sakrifica të mëdha. Sidoqoftë, neve nuk na duhet fare certifikimi i tyre se çfarë feje i përkasim, por pa dyshim që na vjen keq që këta të ashtuquajtur “kujdestarë të shtetit” duke i persekutuar ahmedianët dhe u bëjnë mizori jo vetëm ahmedianëve por edhe gjithë Pakistanit. Po bëhen pengesë në rrugën e zhvillimit të vendit dhe shkak i diskreditimit të tij në të gjithë botën. Po të mos ishin këta njerëz të padrejtë, vendi sot të ishte shumë përpara. Por këta po e hanë shtetin sikur tenja që ha drurin nga brenda.
Por megjithatë, detyra e ahmedianëve pakistanezë është të luten për zhvillimin e vendit dhe t’i shërbejnë me të gjitha aftësitë e tyre dhe t’i luten Allahut se Ai ta çlirojë vendin nga njerëzit e padrejtë! Sidoqoftë, këtë e thashë në parantezë ngaqë po flisja për hixhretin dhe gjendjen e muslimanëve të Mekës në Medinë.
Hazret Bilali r.a. mori pjesë në të gjitha betejat bashkë me Profetin a.s.
Rikthem sërish përmendjes së Hazret Bilalit.
Në Tabakatul–Kubra shkruhet:
Hazret Bilali mori pjesë në të gjitha betejat bashkë me Profetin Muhammed s.a.v.s., duke përfshirë Bedrin, Uhudin dhe Hendekun.[21]
Si e vrau Hazret Bilali ishpadronin e tij persekutues?
Në betejën e Bedrit Hazret Bilali r.a. vrau Umejje bin Khalefin, i cili ishte një prej armiqve të përbetuar të Islamit dhe ishte pikërisht ai që i ushtronte Hazret Bilalit dhunë sfilitëse në Mekë.[22]
Ngjarja e vrasjes së Umejje bin Khalefit përmendet në Buhari, të cilën unë ju kam treguar më parë në një hutbe në lidhje me Khubejb bin Esafin. Megjithatë, edhe këtu do të përmend disa detaje të saj, pasi ajo lidhet drejtpërdrejt me Hazret Bilalin.
Hazret Abdurrahman bin Aufi rrëfen:
“Unë i shkrova një letër Umejje bin Khalefit që ai të më ruante familjen dhe pronën në Mekë, që në atë kohë ishte vendi i luftës, kurse unë do të kujdesesha për pasurinë dhe pronat e tij në Medinë.”
Hazret Abdurrahman bin Aufi e kishte shok të vjetër Umejje bin Khalefin dhe Umejja bin Khelefi mori pjesë në betejën e Bedrit nga radhët e mohuesve dhe këtë e dinte Hazret Abdurrahman bin Aufi r.a.. Për shkak të miqësisë së vjetër, natën pas betejës së Bedrit, ai donte ta shpëtonte shokun e vjetër duke i bërë nder atij. Duke treguar këtë ngjarje, Hazret Abdurrahman bin Aufi r.a. vijon:
Pas betejës së Bedrit, natën kur njerëzit kishin rënë në gjumë, unë u nisa në drejtim të një kodre për të mbrojtur Umejje bin Khalefin, pasi e dija se ai ndodhej atje. Hazret Bilali arriti ta dallonte atë nga larg. Atëherë Hazret Bilali shkoi te ensarët dhe u tha:
– Ja ku qenka Umejje bin Khalefi! Po shpëtoi ky, nuk shpëtoj dot unë!
Menjëherë disa njerëz bashkë me Bilalin filluan të na ndiqnin. Pata frikë se do të na zinin, ndaj, lashë djalin e Umejje bin Khalefit, në mënyrë që ata të merreshin me djalin kurse ne, të fitonim kohën, për të ecur përpara.
Por strategjia ime nuk pati sukses, pasi shumë shpejt ata ia vranë djalin dhe sërish filluan të na ndiqnin ne. Umejja ngaqë ishte njeri i shëndoshë, nuk arrinte të vraponte shpejt. Më në fund, ata arritën pranë nesh.
Ulu! I thashë Umejjasë
Ai u ul dhe unë me trupin tim e mbulova atë, që ta shpëtoja nga sulmet e tyre. Por e shpuan me shpatat e tyre duke gjetur hapësira poshtë trupit tim dhe e vranë. Edhe mua më plagosën këmbën.”[23]
E njëjta ngjarje vjen në një rrëfim tjetër me disa detaje të ndryshme. Hazret Abdurrahman bin Aufi r.a. rrëfen:
Tek po ecja me shpejtësi duke marrë me vete Umejje bin Khalefin dhe djalin e tij, papritmas Hazret Bilali e pa Umejjen që po më shoqëronte. Pikërisht Umejja e ndëshkonte Bilalin në Mekë. Sakaq, Hazret Bilali filloi të thoshte me zë të lartë:
Ja ku është prijësi i mohuesve Umejje bin Khalefi! Po shpëtoi ky sot, nuk shpëtoj dot unë!
– Pse thua fjalë të tilla për të burgosurit e mi, o Bilal?, e pyeta.
Por Hazret Bilali vazhdonte të thoshte të njëjtat fjalë, edhe unë po i bëja pyeten time vazhdimisht. Përfundimitsh ai bërtiti me të madhe:
– O Ensarë (ndihmëtarë) të Allahut! Ja ku qenka prijësi i mohuesve Umejje bin Khalefi! Po shpëtoi ky sot, nuk shpëtoj dot unë!
Me të dëgjuar këtë, ensarët (muslimanët e Medinës) na u vërsulën dhe na rrethuan nga të gjitha anët. Më pas, Hazret Bilali ngrehu shpatën dhe sulmoi djalin e Umejje bin Khalefit dhe e rrëzoi atë. Duke e parë këtë, nga frika Umejja lëshoi një klithmë që nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë në jetën time. Më pas, ensarët i vranë të dy me shpatat e tyre.[24]
Detyra e Hazret Bilalit r.a. pranë Profetit Muhammed s.a.v.s.
Në një rrëfim thuhet se Hazret Bilali ishte thesarmbajtësi i Islamit pranë Profetit Muhammed s.a.v.s..[25]
Njëherë dikush pyeti Hazret Ibni Abasin r.a.:
– A ke shoqëruar ndonjëherë Profetin s.a.v.s. në ndonjë udhëtim?
– Po të mos kisha lidhje me Profetin s.a.v.s., nuk do të shoqëroja dot me të.
Pra, me fjalë të tjera ai tha se ngaqë ishte edhe i vogël në moshë dhe kishte lidhje farefisnore me Profetin s.a.v.s., pati mundësi të shoqëronte Profetin në udhëtime. Hazret Ibni Abasi r.a. vijon:
– I Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbërriti pranë asaj shenjeje që ndodhet afër shtëpisë së Hazret Kethir bin Saletit e më pas iu drejtua sahabëve. Më pas shkoi te gratë dhe u dha këshilla edhe atyre. I porositi të bënin sadaka në rrugën e Zotit. Atëherë gratë i ulnin duart dhe hiqnin unazat e tyre dhe i hidhnin në çarçafin e Hazret Bilalit. Hazret Bilali aty qëndronte. Pastaj, ai dhe Hazret Bilali u kthyen në shtëpi.
Ky rrëfim vjen nga Hazret Ibni Abasi r.a..[26]
Ditë të vështira bashkë me Profetin s.a.v.s.
Hazret Enes bin Maliku r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:
– Mua më kanë ushtruar dhunë në rrugën e Zotit aq shumë saqë nuk i është ushtruar ndokujt tjetër. Më kanë bërë kërcënime në rrugën e Zotit që nuk i janë bërë tjetërkujt. Unë dhe Bilali nuk kalonin tre ditë rresht pa ngrënë një ushqim të tillë që asnjë njeri nuk e ha dot dhe që ishte kaq pak sa Bilali mund ta fshihte nën sqetull.[27]
Ezani i Bilalit – Si filloi Ezani në Islam?
Hazret Bilali r.a. gëzoi fatin për t’u bërë myezini i parë në Islam. Hazret Bilali shërbeu si myezin gjatë gjithë jetës së Profetit s.a.v.s., si në udhëtimet e tij ashtu edhe në ditët kur ai jetoi në Medinë. Hazret Bilali ishte njeriu i parë që thirri ezanin në gjithë historinë e Islamit.[28]
Muhammed bin Abdullah rrëfen përmes babait të tij, i cili thotë:
“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. mendonte për mënyrën e thirrjes, që njerëzit të mblidheshin për faljen e namazit me xhemat. Së pari mendoi për borinë. Pastaj mendoi për kambanën.”
Sipas një hadithi tjetër të Buhariut, këshillat për borinë ose kambanën ishin të sahabëve dhe më pas Hazret Abdullah bin Zejdi r.a. pa një ëndërr që gjendet në një rrëfim.
“Ai thotë se Hazret Abdullah bin Zejdi tha:
Pashë një njeri në ëndërr i cili kishte veshur dy rroba të gjelbërta dhe po mbante në dorë një kambanë. I thashë
– O robi i Zotit, a do të më shesësh atë kambanë?
– Ç’do të bësh me këtë? Pyeti ai.
– Duke i rënë kambanës, ne do të lajmërojmë për faljen e namazit me xhemat.
– A të tregoj diçka më të mirë se kjo? – tha ai.
– Sigurisht – iu përgjigja.
Atëherë ai më shqiptoi: “Allahu ekber, Allahu ekber (gjithë ezanin)
Esh-hedu en-la ilahe il-lal-llah! esh-hedu en-la ilahe il-lal-llah!
Esh-hedu enne Muhamederr resulullah!Esh-hedu enne Muhamederr resulullah!
Hajje eles selah!Hajje eles selah!
Hejje elel felah!Hejje elel felah!
Allahu ekber, Allahu ekber
La ilahe il-lall-llah.
Rrëfimtari tregon:
Hazret Abdullah bin Zejdi shkoi tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe tha se kishte parë në ëndërr një njeri me veshje të gjelbërta dhe që mbante në dorë një kambanë dhe i tregoi gjithë ëndrrën.
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu drejtua sahabëve duke thënë:
– Shoku juaj paska parë këtë ëndërr.
Më pas, porositi pikërisht Abdullah bin Zejdin:
– Shko bashkë me Bilalin te xhamia dhe mësoji këto fjalë Bilalit që ai t’i shqiptojë me zë të lartë, sepse ka zërin më të fortë se ti.
Hazret Abdullah bin Zejdi konfirmon:
Shkova me Bilalin te xhamia dhe i mësoja fjalët një nga një, dhe ai i thoshte me zë të lartë. Hazret Omer bin Hattabi r.a. kur e dëgjoi ezanin, doli nga shtëpia dhe tha:
– O i Dërguari i Allahut! Për Zotin! Kam parë në ëndërr pikërisht këtë që pa Abdullah bin Zejdi.”[29]
Në librin e tij të titulluar “Siret Khatemun-nebijjin”, duke treguar këtë ngjarje, Hazret Mirza Bashir Ahmedi shkruan:
Nuk kishte ende ndonjë metodë për të grumbulluar muslimanët për namaz. Sahabët në përgjithësi vetë matnin kohën dhe vinin në xhami. Por kjo metodë nuk ishte aq praktike. Sidomos pasi u ndërtua xhamia, u ndie nevoja për të pasur një mjet që muslimanët të mblidheshin në kohë.
Një sahab këshilloi të përdornin kambanën siç e përdorin të krishterët. Dikush tjetër këshilloi të përdornin borinë sikur hebrenjtë. Por Hazret Omeri r.a. tha:
– Pse të mos caktojmë një njeri që të ftojë për namaz.
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pëlqeu këtë këshillë dhe porositi Hazret Bilalin që ta kryejë këtë detyrë. Kështu që, pas asaj, kur vinte koha e namazit, Hazret Bilali me lajmëronte me zë të lartë:
– Es-salatu xhami’a
Dhe njerëzit grumbulloheshin. Madje, edhe për raste të tjera përveç namazit, Hazret Bilali thoshte me zë të lartë:
– Es-salatu xhami’a
Dhe muslimanët mblidheshin në xhami.
Pas një farë kohe, sahabi i Profetit Abdullah bin Zejd Ensariu r.a. mësoi në ëndërr fjalët e ezanit siç e praktikojmë sot. Ai shkoi te Profeti s.a.v.s. dhe i tregoi se pa në ëndërr një njeri i cili ia mësoi fjalët e ezanit.
Profeti Muhammed s.a.v.s. tha:
– Kjo ëndërr është prej Zotit
Dhe porositi Abdullahun që t’ia mësonte këto fjalë Bilalit. Sado e çuditshme mund të duket, por kur Bilali e thërriste ezanin për herë të parë, Hazret Omeri doli nga shtëpia nxitimthi dhe shkoi te Profeti s.a.v.s. dhe tha:
– O i Dërguari i Allahut! Fjalët që shqiptoi sot Bilali, të njëjtat i kam parë në ëndërr.
Në një rrëfim tjetër përmendet, që kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dëgjoi fjalët e ezanit, tha:
– Zoti më dërgoi shpallje duke treguar pikërisht këto fjalë të ezanit.
Kështu filloi metoda e ezanit që vazhdon deri më sot! Sa e bekuar dhe sa e bukur është kjo metodë! Asnjë metodë tjetër nuk mund të ishte kaq e bukur sa kjo. Me një fjalë, pesë herë në çdo ditë nga çdo xhami e botës musilmane, në qytete dhe në fshatra, ngrihet fuqishëm zëri i Njëshmërisë së Zotit dhe mesazhi i Profetit Muhammed s.a.v.s. në një formë që në mënyrë të përsosur u tregon njerëzve edhe thelbin e gjithë mësimeve të Islamit.[30]
Musai bin Muhammedi rrëfen nga babai i tij:
Hazret Bilali r.a. pak kohë pasi e thërriste ezanin, shkonte te dera e Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe e lajmëronte për namazin duke thënë:
– Hajje eles selah! Hejje elel felah! Es-salatu ja Rasulallah!
Ejani për namz! Ejani për sukses! Namaz, o i Dërguari i Allahut!
Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dilte për namaz dhe Hazret Bilali e shikonte atë duke ardhur, ai fillonte ikametin.[31]
Por kjo nuk është e qartë. Ikameti duhet thirrur në momentin kur Imami mbërrin në Mihrab. Nuk e kam përpara ndonjë rrëfim tjetër për ikametin për momentin, por koha më e përshtatshme për të thënë ikamet është momenti kur imami mbërrin në Mihrab.
Si u shtuan në Ezanin e sabahut fjalët Es-salatu khajrun minen-neum?
Në Sunen Ibni Maxha thuhet se Hazret Bilali tha se një ditë ai shkoi te dera e Profetit Muhammed s.a.v.s. për të njoftuar atë për namazin e sabahut. I thanë se Profetin e kishte zënë gjumi. Atëherë Hazret Bilali tha:
Es-salatu khajrum minen-neum! (Namazi është më i mirë se gjumi) Es-salatu khajrum minen-neum!
Më vonë këto fjalë iu shtuan ezanit të sabahut dhe vazhdojnë të thuhen gjer më sot.[32]
Sipas një rrëfimi tjetër, Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. iu përgjigj Bilalit duke thënë:
– Sa të mira qenkan këto fjalë o Bilal! Shtoji në ezanin e sabahut![33]
Tre myezinët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte tre myezinë, të cilët ishin:
- Hazret Bilali r.a.
- Hazret Ebu Mahdhura r.a.
- Hazret ‘Amr bin Umi Mektumi r.a.[34]
Ka edhe disa detaje rreth Hazret Bilalit, të cilat do të përmend në një hutbe të ardhshme inshaAllah.
[Pas kësaj, Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, njoftoi se pas namazit të së xhumasë, do të udhëhiqte disa xhenaze. Gjithashtu, ai tregoi cilësitë e larta të këtyre të ndjerëve, të cilët ishin besimtarë jashtëzakonisht të përkushtuar. Xhenazet që u falën sot ishin:
- I ndjeri Rauf bin Meksud nga Beligjika,
- I ndjeri Zafar Iqbal Kurejshi nga Islamabadi
- Hon. Kabine Kabaja Kate nga Senigali
- I ndjeri Mubashir Letif, avokat i Gjykatës Supreme të Pakistanit.
Për të ditur ngjarje interesante nga jeta e këtyre besimtarëve të ndjerë, ju lutem ndiqni videon]
Bibliografi
[1] Ibn Sa’d, “Et-Tabakat el-kubra”, vëllimi III, kreu “Bilal bin Rebah”, shtëpia botuese “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2017, fq. 174-175; Ibn Ethir, “Usdul-gabeh fi ma’rifetus-sahabeh”, vëllimi I, kreu “Bilal bin Rebah”, shtëpia botuese “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut, Liban 2008, fq. 415; Ghulam Bari Sajf Sahib, “Roshan Sitari”, vëllimi I, fq. 145.
[2] Maulana Mu’inuddin Nadvi, “Sijerus-Sahabeh”, vëllimi II, shtëpia botuese “Urdu Bazar”, Karaçi 2004, fq. 159; Ibn Haxher el-‘Askalani, “El-Isabeh fi temjiz es-sahabeh”, vëllimi VIII, kreu “Hala bint Awf”, shtëpia botuese “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2005, fq. 339; Ibn ‘Asakir, “Tarikh Dimeshk el-kebir”, vëllimi 10, kreu “Dhikru men ismuhu Bilah ibn Rebah?”, shtëpia botuese “Ihjaut-turath el-‘arabijje”, Bejrut 2001, fq. 334.
[3] Ibn Ethir, “Usdul-gabeh fi ma’rifetus-sahabeh”, vëllimi I, kreu “Bilal bin Rebah”, shtëpia botuese “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2016, fq. 418.
[4] Ibn Sa’d, “Et-Tabakat el-kubra”, vëllimi III, kreu “Bilal bin Rebah”, shtëpia botuese “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2017, fq. 175.
[5] Imam edh-Dhehebi, “Sijer a’lam en-nubela”, vëllimi I, kreu “Bilal bin Rebah”, shtëpia botuese “Mues-sesetur-risaleh”, Bejrut 2014, fq. 349.
[6] Ibn Sa’d, “Et-Tabakat el-kubra”, vëllimi III, kreu “Bilal bin Rebah”, shtëpia botuese “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2017, fq. 175.
[7] Ibn Sa’d, “Et-Tabakat el-kubra”, vëllimi III, kreu “Bilal bin Rebah”, shtëpia botuese “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2017, fq. 175; Ibn Ethir, “Usdul-gabeh fi ma’rifetus-sahabeh”, vëllimi I, kreu “Bilal bin Rebah”, shtëpia botuese “Fikr”, Bejrut 2003, fq. 283.
[8] Ibn Sa’d, “Et-Tabakat el-kubra”, vëllimi III, kreu “Bilal bin Rebah”, shtëpia botuese “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2017, fq. 175; “Lugatul-hadith”, vëllimi IV, botues “‘Ali Asif Printers”, fq. 527.
[9] Ibn Ethir, “Usdul-gabeh fi ma’rifetus-sahabeh”, vëllimi I, kreu “Bilal bin Rebah”, shtëpia botuese “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut, Liban 2016, fq. 415.
[10] Imam edh-Dhehebi, “Sijer a’lam en-nubela”, vëllimi I, kreu “Bilal bin Rebah”, shtëpia botuese “Mues-sesetur-risaleh”, Bejrut 2014, fq. 353.
[11] Hakim en-Nisaburi, “El-mustedrek ‘ala es-sahihajn”, vëllimi III, kreu “Dhikru Bilan bin Rebah”, shtëpia botuese “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2002, fq. 321, hadithi nr. 5241.
[12] Imam Bukhari, “Sahih”, kitab “Fedail as’hab en-Nebijj s.a.v.s., bab “Menakib Bilal bin Rebah mevla Ebi Bekr radiAll-llahu ‘anhuma”, hadithi nr. 3754.
[13] Hazret Mirza Beshiruddin Mahmud Ahmed, “Debaça Tefsirul-Kuran”, “Envarul-‘Ulum”, vëllimi XX, fq. 193-194.
[14] Ibn Sa’d, “Et-Tabakat el-kubra”, vëllimi III, kreu “Bilal bin Rebah”, shtëpia botuese “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2017, fq. 176.
[15] Ibn Maxheh, “Sunen”, kitab “El-mukaddimeh”, kreu “Fedail Bilal bin Rebah”, hadithi nr. 150.
[16] Hazret Mirza Beshiruddin Mahmud Ahmed, “Misri sahib ke Khilafat se inhiraf ke mutallik takrir”, “Envarul-‘Ulum”, vëllimi XIV, fq. 598.
[17] Hazret Mirza Beshir Ahmed, “Siret Khatemun-nebijjin”, fq. 140.
[18] Ibn Sa’d, “Et-Tabakat el-kubra”, vëllimi III, kreu “Bilal bin Rebah”, shtëpia botuese “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2017, fq. 176.
[19] Imam Bukhari, “Sahih”, kitab “Fedailul-Medineti”, bab “Kerahijetun-Nebijji s.a.v.s. en tu’rel-Medineti”, hadithi nr. 1889; Sejjid Fazlurr-rrahman, “Farhang-e-Siret”, botues “Zevvar Academy Publications”, Karaçi 2003, fq. 58, 180, 259; “Shemailun-Nebijj s.a.v.s.”, fq. 76 (Hashijeh / margjina); Muhammed ez-Zurkani, “Sherh el-‘Al-lameh ez-Zurkani ‘alel-mevahibul-ledunnijeh”, vëllimi II, shtëpia botuese “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 1996, fq. 172.
[20] Hazret Mirza Beshiruddin Mahmud Ahmed, “Kadijan se hamari hixhret ek asmani takdir t’hi”, “Envarul-‘Ulum”, vëllimi XXI, fq. 379.
[21] Ibn Sa’d, “Et-Tabakat el-kubra”, vëllimi III, kreu “Bilal bin Rebah”, shtëpia botuese “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2017, fq. 180.
[22] Maulana Mu’inuddin Nadvi, “Sijerus-Sahabeh”, vëllimi II, kreu “Bilal bin Rebah”, shtëpia botuese “Urdu Bazar”, Karaçi 2004, fq. 156.
[23] Imam Bukhari, “Sahih”, kitab “El-Vekaleh”, bab “Idha vekkelel-muslimu harbijjen fi daril-harbi ev fi daril-islami”, hadithi nr. 2301.
[24] ‘Ali Burhabuddin el-Halebi, “Es-Siretu el-Halebijjeh”, vëllimi II, kreu “Dhikru Megazijjihi s.a.v.s. / Gazvetu Bedr el-Kubra”, shtëpia botuese “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2006, fq. 232-233.
[25] Ibn Ethir, “Usdul-gabeh fi ma’rifetus-sahabeh”, vëllimi I, kreu “Bilal bin Rebah”, shtëpia botuese “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut, Liban 2016, fq. 415.
[26] Imam Bukhari, “Sahih”, kitab “El-Edhan”, bab “Vuduis-sibjan ve meta jexhibu alejhimul-guslu vet-tuhuru ve hudhurihimil-xhema’ate vel-‘idejni vel-xhenaize ve sufufihim”, hadithi nr. 863.
[27] Ibn Maxheh, “Sunen”, kitab “El-mukaddimeh”, kreu “Fedail Bilal bin Rebah”, hadithi nr. 151.
[28] Ibn Ethir, “Usdul-gabeh fi ma’rifetus-sahabeh”, vëllimi I, kreu “Bilal bin Rebah”, shtëpia botuese “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut, Liban 2016, fq. 416.
[29] Ibn Maxheh, “Sunen”, kitab “El-Edhan”, bab “Bedeul-edhan”, hadithi nr. 706; Imam Bukhari, “Sahih”, kitab “El-Edhan”, bab “Bedeul-edhan”, hadithi nr. 604.
[30] Hazret Mirza Beshir Ahmed, “Siret Khatemun-nebijjin”, fq. 271-272.
[31] Ibn Sa’d, “Et-Tabakat el-kubra”, vëllimi III, kreu “Bilal bin Rebah”, shtëpia botuese “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2017, fq. 176-177.
[32] Ibn Maxheh, “Sunen”, kitab “El-Edhan”, bab “Es-sunnetu fil-edhan”, hadithi nr. 716.
[33] Et-Taberani, “El-Mu’xhemul-Kebir”, bab “Bilal bin Rebah muedh-dhinu Resulull-llahi s.a.v.s.”, vëllimi I, shtëpia botuese “Ihjaut-turath el-‘arabijjeh”, Bejrut 2002, fq. 355, hadithi nr. 1081.[34] Ibn Sa’d, “Et-Tabakat el-kubra”, vëllimi III, kreu “Bilal bin Rebah”, shtëpia botuese “Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2017, fq. 177.