Martesa e Hazret Aliut me Hazret Fatimen r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Martesa e Hazret Aliut me Hazret Fatimen r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Edhe sot, do t’ju përmend disa ngjarje nga jeta e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., që u zhvilluan fill pas luftës së Bedrit.

Pranimi i Islamit nga Ebul Asi, dhëndri i Profetit s.a.v.s.

Në lidhje me pranimin e Islamit nga Ebul Asi, i cili ishte dhëndri i të Dërguari i Allahut s.a.v.s., gjejmë këto të dhëna:

“Në muajin Xhemadiul Ula, të vitit 6 pas hixhretit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dërgoi një trupë ushtarake nën drejtimin e Zejd ibn Haritha drejt vendit ‘Is (عيص). ‘Isi gjendet në një distancë prej katër ditësh nga Medina”

Këtu duhet sqaruar se kur përmendet distanca në ditë udhëtimi, historianët kanë llogaritur një ditë udhëtimi në 12 milje (ose 19.3 kilometra). Në këtë mënyrë 4 ditë udhëtimi nënkupton 48 milje (ose 77 km).

“Në muajin Xhemadiul Ula, 6 hixhri, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nisi një ekspeditë ushtarake prej 70 sahabësh, nën udhëheqjen e Zejd ibn Harithes nga Medina. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte mësuar se një karvan tregtar i kurejshve të Mekës po kthehej nga Siria, prandaj ai urdhëroi këtë operacion ushtarak për ndalimin e këtij karvani, pasi fitimet e këtij karvani do të përdoreshin në përgatitjen ushtarake kundër muslimanëve. Ekspedita ushtarake e muslimanëve arriti ta ndalonte karvanin dhe të mbizotëronte sasinë e mallrave si dhe plaçkat e tjera. Ata gjithashtu mbajtën disa prej tyre si rob lufte, prej të cilëve ishte dhe Ebul Asi.”[1]

Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. ka përshkruar këtë ngjarje me këto fjalë:

“Një prej atyre, të cilët ishin zënë si rob lufte, ishte Ebul ‘As ibn Rebi’u. Ai qe dhëndri i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe prej të afërmve të Hazret Hatixhes r.a.. Ai ishte zënë si rob lufte edhe në betejën e Bedrit, dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte lënë të lirë me kushtin që do të dërgonte vajzën e Profetit Hazret Zejnepen në Medinë. Ndonëse, Ebul ‘Asi kishte mbajtur fjalën dhe e kishte dërguar bashkëshorten e tij në Medinë, ai vetë qëndronte akoma në fenë idhujtare.

Kur Hazret Zejd ibn Haritha e solli në Medinë si rob lufte, kishte rënë nata, megjithatë Ebul ‘Asi arriti t’i çonte mesazh Hazret Zejenepes se ai ka përfunduar sërish në Medinë si rob lufte, dhe nëse ajo mund të bënte diçka për lirimin e tij. Kështu, pikërisht në kohën kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe sahabët e tjerë ishin zënë në namazin e sabahut, Hazret Zejnejpja lajmëroi me zë të lartë nga shtëpia e saj: “O muslimanë! Unë i jap mbrojtje Ebul ‘Asit”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbaroi namazin dhe iu drejtua sahabëve: ‘Keni dëgjuar atë që sapo tha Zejnepja. Pasha Allahun! Unë nuk jam në dijeni për këtë çështje. Megjithatë, besimtarët i ngjajnë një shpirti. Nëse njëri prej besimtarëve i jep mbrojtje ndonjë jobesimtari, ata janë të detyruar ta respektojnë këtë fjalë’.

Më vonë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kthye në shtëpi dhe i tha vajzës së tij Zejnepe: ‘Silluni mirë me Ebul ‘Asin, por mos u tako me të në vetmi, sepse në këto rrethana nuk është e mirë që ta takosh atë’. Ebul ‘Asi qëndroi edhe disa ditë në Medinë, e pastaj u nis për në Mekë. Por, kësaj here ai nuk kishte shkuar në Mekë, për të mbetur atje, por ai mbylli të gjitha çështjet e tij tregtare dhe me të mbaruar ato, recitoi shehadetin dhe u nis drejt Medinës. Ai shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe përqafoi Islamin, dhe kështu pa ndonjë kurorëzim apo nikah të ri, ai u bashkua me bashkëshorten e tij.

Sipas disa rrëfimeve, ishte shpallur edhe njëherë martesa e Hazret Zejnepes me Ebul ‘Asin, por është më e besueshme se ata nuk kishin nevojë për nikah të ri”.[2]

Nga kjo ngjarje mësojmë edhe këtë gjykim fetar se nëse një grua ndahet nga bashkëshorti i saj, sepse ai nuk është besimtar, nëse ai pranon Islamin, nuk i duhet të bëjë nikah tjetër. Hazret Zejnepja nuk jetoi shumë pas pranimit të Islamit nga bashkëshorti i saj, dhe ndërroi jetë në vitin 8 pas hixhretit. Hazret Umi Ejmene, Hazret Sodaja, Hazret Umi Selemeja dhe Hazret Umi Atija kishin larë trupin e saj, sipas porosive të Profetit s.a.v.s..[3]

Hazret Umi Atija r.a. ka përcjellë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kishte thënë se para se të fillonin t’ia lanin trupin vajzës së tij, ato duhet të fillonin nga krahu i djathtë dhe fillimisht nga pjesët që lahen edhe gjatë abdesit. Sipas një rrëfimi tjetër, të përcjellë nga Hazret Umi Atija r.a., kur ndërroi jetë Hazret Zejnepeja r.a., vajza e Profetit s.a.v.s., ai na porositi që t’ia lanim trupin në numrat teke, d.m.th. tri herë ose pesë herë. Ai gjithashtu na tha që të përdornim kamfurin herën e fundit dhe pastaj ta njoftonim atë. Kur e lajmëruan, ai na dha veshjen e tij të poshtme, të cilën e përdorëm si “Shi’ar”[4] dhe ia mbështollëm trupin si qefin. Më pas, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. drejtoi namazin e xhenazes, zbriti në varr dhe e shtiu vetë bijën e tij në dhe.

Hazret Zejenepja kishte lënë dy fëmijë: Ali dhe Umame. Sipas një rrëfimi, Aliu kishte vdekur që në vogëli, dhe sipas një burimi tjetër, ai jetoi deri në moshë të pjekur. Ibn Asakiri ka shkruar që Aliu kishte rënë shehit në luftën e Jermukut. Në fitoren e Mekës, ai ishte ndenjur mbrapa të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në deve.[5] Në lidhje me Hazret Umi Umamen أمامة بنت أبي العاص بن الربيع, është shkruar që pas vdekjes së Hazret Fatimes, Hazret Aliu e kishte marrë për grua.[6]

Meqë tregtia e Hazret Ebul Asit ishte përqendruar në Mekë, andaj ai nuk mund të jetonte në Medinë. Pas pranimit të Islamit, ai i kërkoi leje të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe u kthye në Mekë. Për shkak të banimit në Mekë, ai nuk mundi të merrte pjesë në ekspeditat luftarake. Ai mundi të merrte pjesë vetëm në një fushatë luftarake, e cila u zhvillua në vitin 10 pas hixhretit, nën drejtimin e Hazret Aliut. Pas kthimit nga Jemeni, Hazret Aliu e kishte emëruar administrator të Jemenit. Hazret Ebul Asi nuk jetoi shumë pas vdekjes së Hazret Zejnepes dhe ndërroi jetë në 12 hixhri.[7]

Hazret Mirza Bashir Ahmedi ka shkruar një shënim në lidhje me Ebul Asin. Ai shkruan:

“Ebul As ibn Er-Rabiu ishte dhëndri i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe i afërmi pra nipi i Hazret Hatixhes r.a.. Edhe pse nuk kishte pranuar Islamin, ai sillej mirë me bashkëshorten e tij, dhe këto marrëdhënie bashkëshortore vazhduan të shkëlqenin edhe pas pranimit të Islamit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithmonë lavdëronte Ebul Asin se ai sillej gjithmonë me dashamirësi ndaj vajzës së tij. Ebul Asi ndërroi jetë në 12 hixhri, gjatë periudhës së Kalifatit të Hazret Ebu Bekrit r.a., por bashkëshortja e tij kishte ndërruar jetë, gjatë jetës së Profetit s.a.v.s.. Ky detaj e bën të dyshimtë, rrëfimin ku përmendej se Hazret Aliu e kishte caktuar Ebul Asin administrator në Jemen. Megjithatë, vajza e tij Umame, të cilën e donte shumë i Dërguari i Allahut s.a.v.s., u martua me Hazret Aliun, pas vdekjes së Hazret Fatimes, por nuk pati ndonjë fëmijë”.[8]

Beteja e Sevikut غَزْوَةُ السَّوِيق

Kjo betejë u zhvillua më 2 hixhri. Kur idhujtarët e Mekës u kthyen në Mekë, të mundur dhe të mposhtur në luftë e në një gjendje dëshpërimi, Ebu Sufjani u betua se nuk do të lahet e as lyhet në vaj, derisa nuk hakmerret kundër të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe muslimanëve të tjerë, për humbjen e Bedrit. Sipas një rrëfimi, Ebu Sufjani ishte nisur me dyqind kalorës (dhe sipas një burimi tjetër, tok me katërqind kalorës) për ta përmbushur këtë zotim për hakmarrje. Në vend të rrugës kryesore që të çonte në Medinë, ai u nis nga Nexhdi. Kur mbërriti pranë luginës Kinad, ai i fushoi trupat afër malit Jetib, i cili ndodhej në një distancë prej 12 miljesh nga Medina. Kinadi është një ndër tri luginat e njohura, që ndodhen midis Medinës dhe Uhudit.

Pastaj, Ebu Sufjani u nis drejt fisit Benu Nezir dhe trokiti në derën e Hujej ibn Akhtebit, por ai refuzoi të çelte derën. Ebu Sufjani shkoi te Sellem ibn Meshkemi, i cili në atë kohë ishte kryetari i Benu Nezirit dhe arkëtari i tij. Ebu Sufjani i kërkoi leje për të hyrë dhe ai e lejoi. Sellemi e priti Ebu Sufjanin me bujari dhe i shtroi bukë për të ngrënë. Ai gjithashtu i tregoi disa sekrete të njerëzve si dhe të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., pra veprimtarinë e tij të përditshme dhe vendndodhjen e tij. Në pjesën e fundit të natës, Ebu Sufjani u largua prej tij dhe u bashkua me trupat e tij ushtarake.

Më pas, ai dërgoi disa ushtarë kurejshë drejt vendit ‘Arid, në periferi të Medinës, i cili ishte një oazë, në një largësi prej 3 miljesh. Këta ushtarë dogjën një mori rrënjash prej hurme dhe vranë një musliman ensar dhe shokun e tij. Sipas një burimi, ky ensar quhej Ma’bed ibn Amri. Kur Ebu Sufjani u bind se ishte hakmarrë mjaftueshëm për humbjen e tyre, iu shua zjarri i hakmarrjes dhe ai bashkë me kalorësit e tij, u kthye në Mekë. Sipas një burimi, Ebu Sufjani kishte ndërmarrë këtë aksion, kur ai ishte kthyer nga takimi me Sellam ibn Meshkemi.

Të nesërmen, kur mësoi aksionin ushtarak të kurjeshëve, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e emëroi Ebu Lebabe Beshir ibn Abdul Mundhirin zëvendësin e tij në Medinë dhe të dielën, më 5 dhul Hixhe të 22 hixhretit, ai u nis bashkë me 200 sahabë ensarë dhe muhaxhirë në ndjekjen e ushtrisë mekase, derisa mbërritën në Karkara el-Kudr. Ky vend d.m.th. Karkara el-Kudr është një vend, në Makden, në afërsi të el-Hadjes. Ky vend ndodhet 96 milje larg nga Medina dhe gjithashtu dallohet nga burimi i Benu Sulejmit.

Në anën tjetër, Ebu Sufjani dhe trupat e tij ushtarake ia mbathën me të katra, dhe duke u larguar ata linin edhe thasët e miellit, të cilin e kishin përdorur si uhsqim. Muslimanët i mblidhnin ato thasë dhe për këtë arsye, kjo ekspeditë mori titullin Lufta e Savikut غَزْوَةُ السَّوِيق pra të miellit. Në gjuhën arabe, Saviku do të thotë mielli.

Ebu Sufjani dhe ushtria e tij tashmë ishte tërhequr plotësisht dhe muslimanët nuk arritën t’i kapnin ata dhe ata u kthyen në Medinë. Teksa po ktheheshin, ata e pyetën të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.: “A ju pëlqen që kjo operacion ushtarak, të konsideohret si luftë”. Profeti s.a.v.s. i mbështeti këtë mendim dhe pavarësisht se nuk ishte zhvilluar ndonjë ndeshje ushtarake, ai e cilësoi këtë operacion si betejë.[9]

Kjo ngjarje është përshkruar në veprën historike “Siret Khatemun-Nebijjin” me këto fjalë:

“Pas luftë së Bedrit, Ebu Sufjani ishte zotuar se derisa nuk do të hakmerrej për vrasjet e Bedrit, ai as nuk do t’i afrohej gruas dhe as nuk do t’i lyejë flokët (d.m.th. nuk do të lahet). Kështu, dy apo tre muaj pas ngjarjes së Bedrit, Ebu Sufjani së bashku me dyqind kalorës kurejshë të armatosur, u nis në muajin Dhul Hixha nga Meka. Ai ndoqi rrugën e Nexhdit dhe mbërriti afër Medinës.

Ai la trupat e tij ushtarake të fushonin në pak distancë nga Medina, dhe vetë në atë terrin e natës, u nis për të takuar kryetarin e fisit Benu Nezir Hujej ibn Akhteb. Ebu Sufjani i kërkoi Hujejit përkrahje kundër muslimanëve, por ky i fundit nuk pranoi të shkelte besën që u kishte dhënë muslimanëve, dhe refuzoi të jepte ndonjë përkrahje. Ai i tha: ‘Ne jemi në marrëveshje, prandaj as nuk mund të të tregoj sekretet tona ushtarake dhe as nuk mund të të jap strehim’.

Ebu Sufjani e mori këtë përgjigje, dhe pastaj fshehurazi shkoi te kryetari tjetër i këtij fisi, Selam ibn Meshkemi dhe iu lut për mbështetje kundër muslimanëve. Ky njeri i pabesë, harroi atë marrëveshje, dhe e priti mirë Ebu Sufjanin dhe e lejoi për të bujtur si mysafir në shtëpinë e tij. Ebu Sufjani ia mori të gjitha informacionet dhe para se tëgdhihej, u nis prej shtëpisë së tij dhe u kthye te ushtarët e tij. Ai formoi një njësi ushtarake dhe e nisi për të bërë një sulm të rrufeshëm në luginën ‘Arid afër Medinës, e cila ndodhej vetëm 3 milje larg Medinës. Muslimanët në atë kohë, e shfrytëzonin këtë luginë si kullotë për bagëtitë e tyre dhe ndoshta Ebu Sufjani kishte mësuar për të nga Selam ibn Meshkemi.

Kur kjo njësi e kurjeshëve mbërriti në luginë, për fat përpos një muslimani ensar dhe shokut të tij, aty nuk gjendej asnjë bagëti e muslimanëve. Kurejshët i kapën ata dhe i vranë mizorisht. Më pas, i dogjën rrënjët e hurmës, shtëpitë, kasollet etj. dhe u kthyen menjëherë te vendi ku qëndronte Ebu Sufjani me shokët e tij. Ai e quajti këtë operacion një fitore dhe urdhëroi për t’u kthyer në Mekë.

Në anën tjetër, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mësoi për këtë sulm të befasishëm, ai tok me sahabët, doli në ndjekjen e tyre. Ebu Sufjani nuk donte të mbante të fshehur përmbushjen e zotimit, prandaj ata morën vrull dhe kalëruan me kaq shpejtësi, saqë muslimanët nuk arritën t’i gjenin. Pas një mungese disa ditore, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kthye sërish në Medinë”.

Përpos këtij përshkrimi, autori gjithashtu ka shpjeguar arsyen pse kjo ekspeditë quhej “Lufta e Sevikut” غَزْوَةُ السَّوِيق. Ai ka shkruar që nga frika që mos i gjenin muslimanët, Ebu Sufjani u kthye me kaq vrull në Mekë, saqë për të liruar barrën e tyre, ata hodhën edhe ushqimin e tyre që përbëhej nga drithi i tharë dhe i bluar që quhej السَّوِيق në arabisht.”[10]

Ne gjithashtu mësojmë një luftë me të njëjtin emër, ishte zhvilluar edhe në 4 hixhri, pas luftës së Uhudit. Teberiu ka shkruar për dy luftëra të tilla, njëra pas luftës së Bedrit, e cila është përshkruar këtu dhe tjetra duhet të ishte zhvilluar pas luftës së Uhudit. Megjithatë librat e tjerë të historisë p.sh. Siret Ibn Hisham, Subulul-Huda etj. kanë quajtur këtë luftë të dytë “Bedr el-Mau’id”.

Përshkimi i luftës “Bedr el-Mau’id”

Unë dua t’ju rrëfej shkurtimisht disa të dhëna nga kjo luftë. Para se të largohej nga fusha e betejës në Uhud, Ebu Sufjani bëri një thirrje dhe iu drejtua të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe tha: “Ne betohemi se do të ndeshemi sërish pas një viti në “Bedr es-Sufra”. Ky ishte vend ku zhvillohej tregu i famshëm i arabëve. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e porositi Omerin r.a. që të shprehte miratimin e muslimanëve.

Me këtë marrëveshje të dyja palët u larguan nga fusha e betejës. Në vjetorin e Uhudit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe muslimanët në përputhje me zotimin me Ebu Sufjanin, u nisën drejt Bedrit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe muslimanët bujtën atje për 8 net duke pritur për Ebu Sufjanin. Në anën tjetër, Ebu Sufjani bashkë me banorët e Mekës fushoi në Mexhenna, në afërsi me Merr edh-Dhehran, i cili është në rrëzë të malit Xhebel el-Esfer. Por më vonë, duke arsyetuar për thatësirën, ai u kthye mbrapsht në Mekë. Banorët e Mekës e quanin ushtrinë e tyre Xhejshus-Savik جیش السویق pasi ata ishin ushqeheshin me drithë të bluar që quhej Savik.[11]

Kurban Bajrami i parë në Medinë

Në lidhje me faljen e parë të Kurban Bajramit, ne gjejmë se pas kthimit nga lufta e Savikut, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishe falur namazin e Kurban bajramit dhe kjo ishte gjithashtu hera e parë që muslimanët kishin festuar Kurban Bajramin. Më 10 dhul Hixha, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. së bashku me muslimanët doli nga Medina, i udhëhoqi besimtarët në namaz dhe pastaj theri kurbanin.[12]

Në një burim tjetër, përmendet se dita e Kurban Bajramit kishte rënë, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte kthyer në Medinë nga lufta e Benu Kajnukaut بنو قینقاع. Profeti s.a.v.s. dhe ata sahabë që kishin mundësi, therën kurbanin më 10 dhul Hixha. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. shkoi në Idgah dhe udhëhoqi namazin e bajramit. Kjo qe hera e parë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. udhëhoqi sahabët në namazin e kurban bajramit dhe po aty në Idgah, theri një apo dy dhi si kurban.

Hazret Xhabir ibn Abdullahu ka përcjellë se ata kishin bërë kurban më 10 Dhul Hixha, duke u kthyer nga Benu Kajnukau. Ishte hera e parë që muslimanët kishin bërë kurban. Ne therëm kurbanet në Benu Seleme. I numërova kurbanet dhe ishin therur 17 kurbane në atë vend.[13]

Hazret Mirza Bashir Ahmedi ka një shënim në lidhje me festën e Kurban Bajramit. Ai shkruan:

“Këtë vit, në muajin Dhul Hixha, u mbajt për herë të parë festa e dytë islame, d.m.th. Kurban Bajrami. Kjo ditë festohet më 10 dhul Hixha në të gjithë botën islame. Çdo musliman i sinqertë fal namazin e bajramit dhe më pas, ata që kanë mundësi, duhet të therin ndonjë bagëti si kurban, dhe mishin e kurbanit duhet të ndajnë mes të afërmve, miqve dhe fqinjëve, si dhe ta përdorin edhe për nevojat e tyre”.

Ky është stili i Mirza Bashir Ahmed sahibit, dhe përveç përshkrimit të ngjarjeve historike, ai e ka pajisur veprën e tij me shënime sqaruese për çështjet fetare. Prandaj, ai shkruan:

“Në ditën e Kurban Bajramit dhe gjatë dy ditëve të tjera të ngjitura, në botën islame, theren miliona bagëti si kurban për hir të Allahut. Kjo është simbolika e asaj sakrifice madhështore që dhanë Hazret Ibrahimi, Hazret Ismaili dhe Hazret Haxhira. Shembulli më i përkryer i kësaj sakrifice është jeta e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe kështu muslimanit i bëhet thirrje që të jetë i gatshëm për të sakrifikuar jetën, pasurinë dhe çdo gjë tjetër për hir të Zotit të tij. I ngjashëm me festën e Fitër Bajramit, edhe ky bajram festohet për kryerjen e një adhurimi madhështor, i cili është haxhi.”[14]

Martesa e Hazret Fatimes

Në 2 hixhri u martua edhe Hazret Fatimeja r.a. e bija e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Hazret Aliu i çoi fjalën të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. duke i kërkuar dorën e Hazret Fatimes, të cilin e pranoi Profeti me kënaqësi.

Hazret Enesi ka përcjellë: “Në fillim Hazret Ebu Bekri e pastaj Hazret Omeri erdhën te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i kërkuan martesën me Hazret Fatimen, por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk u tha asgjë.”

Hazret Aliu gjithashtu ka thënë: “Unë shkova te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i thashë: ‘A lejoni të martohem me Fatimen?’ Ai më pyeti: ‘A ke diçka që mund të japësh si mehr?” (Mehri është pasuri e caktuar që bashkëshorti ia jep bashkëshortes së tij) Unë i thashë: “Kam një kalë dhe një mburojë”. Ai më tha: “Kali të duhet, por mburojën mund të shesësh”. Kështu, unë e shita mburojën time për 480 dirham dhe sigurova paratë që mund të jepja si mehr.

Sipas një rrëfimi, Hazret Aliu i kishte shitur mburojën Hazret Osmanit, i cili i pagoi vlerën dhe ia ktheu edhe mburojën. Hazret Aliu vijon rrëfimin dhe thotë: Unë i mora paratë dhe i lashë para të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ai mori një grusht prej tyre dhe i dha Bilalit duke i thënë që të blinte parfum etj.. Po ashtu, ai u tha të tjerëve për të përgatitur prikën e saj. Kështu, ata siguruan një shtrat dhe një jastëk prej lëkure, të mbushur me lëvore hurme”. Ky rrëfim na tregon se si mund të përdorim paratë e mehrit. Disa thonë se derisa është bërë dasma, nuk kemi pse të paguajmë mehrin, por në këtë rast, mehri ishte përdorur për të plotësuar shpenzimet e dasmës.

Sipas një rrëfimi tjetër, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte thënë Hazret Aliut: “Zoti im më ka porositur të veproj kështu”. Pas ceremonisë së përcjelljes, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha Hazret Aliut që t’i mos thoshte diçka Hazret Fatimes, dhe të priste për të. Hazret Fatimeja r.a. erdhi me Umi Ejmen dhe u vendos në një qoshe. Hazret Aliu gjithashtu u ul në një vend. Kur erdhi i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ai pyeti: “Ku është vëllai im?” Umi Ajmen pyeti: “Vëllai juaj?! A keni martuar bijën tuaj me vëllain tuaj?” Profeti s.a.v.s. iu përgjigj: “Po. Në këtë rast, martesat janë lejuar”. Hazret Aliu r.a. ishte kushëriri i Profetit s.a.v.s. dhe jo vëllai i tij biologjik.

Pastaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. hyri brenda dhe i kërkoi ujë Hazret Fatimes. Ai u ngrit dhe i solli ujë në një tas. Profeti e mori dhe piu diçka prej tasi. Ai e mbajti ujin në gojë dhe e pastaj e ktheu sërish në tas. Pastaj ai e porositi Fatimen që t’i afrohej. Profeti s.a.v.s. spërkati pak ujë dhe bëri lutje për të. أللهم إِنِّي أُعِيذُهَا بِكَ وَذُرِّيَّتَهَا مِنَ الشَّيْطَانِ الرَّجِيمِ d.m.th. O Allah! Unë të kërkoj mbrojtjen Tënde për të dhe për pasardhësit e saj nga djalli i mallkuar. Pastaj ai tha: “Kthehuni nga ana tjetër”. Kur ata u kthyen nga krahu tjetër, Profeti s.a.v.s. spërkati pak ujë midis supeve të saj, dhe të njëjtën gjë bëri edhe me Hazret Aliun r.a.. Ai gjithashtu i tha Aliut r.a. “Shkoni te bashkëshortja jote me emrin dhe bekimin e Allahut”. Sipas një rrëfimi tjetër, të përcjellë nga vetë Hazret Aliu r.a., i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mori abdes me ujë nga një enë, dhe pastaj spërkati ujin e mbetur mbi të dhe Hazret Fatimen r.a. dhe tha:

 اَللّٰهُمَّ بَارِکْ فِيْھِمَا وَبَارِکْ لَھُمَا فِيْ شَمْلِھِمَا۔

O Allah! Bekoji këta dy dhe bekoje bashkimin e tyre.

Hazret Aisheja dhe Hazret Umi Selema r.a. ka përcjellë këtë ngjarje me këto fjalë. Ato thonë: “I Dërguari i Allahut s.a.v.s. na porositi për të përgatitur Fatimen dhe për ta përcjellë atë tek Hazret Aliu. Në fillim menduam për shtëpinë dhe e lyemë me dheun e butë të periferisë së Bet’hasë. Pastaj, mbushëm dy jastëkë me pushin e palmës dhe i torëm me dorë. Pastaj, për të ngrënë hurmat dhe rrush të thatë, lamë ujë të ëmbël. Vendosëm një varëse prej druri në dhomë, për t’i varur rrobat si dhe qesen prej lëkure për të mbajtur ujë. Nuk kemi parë asnjë martesë më të bukur se ajo e Hazret Fatimes r.a.. Për gostinë e dasmës (velime) kishim shtruar hurmat, bukë elbi, gjizë dhe hejs. (Hejsi është ai gatim që përgatitet me hurma, gjalpë, gjizë etj). Hazret Asma bint Umejsi gjithashtu thoshte se nuk ka qenë në atë kohë, ndonjë dasmë, më mirë se kjo.[15]

Kjo martesë dhe gosti e dasmës (velime) është shembull i shkëlqyer i thjeshtësisë. Në Siret Khatemun Nebijin, ne gjejmë përshkrimin e kësaj martese me disa të dhëna shtesë, të cilat gjithashtu unë dua t’i ndaj me ju. Aty shkruhet: “Hazret Fatimeja ishte më e vogla nga fëmijët që i ishin lindur Profetit s.a.v.s. nga Hazret Hatixheja r.a. dhe ai gjithashtu e donte më shumë se çdo fëmijë tjetër. Për shkak të cilësive dhe vetive të saj, ajo gjithashtu e meritonte këtë dashuri të veçantë. Tashmë, ajo ishte 15 vjeçe, dhe kishin filluar të vinin kërkesa për martesën e saj. Në fillim, Hazret Ebu Bekri r.a. i kërkoi Profetit s.a.v.s. dorën e saj, por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk ia pranoi këtë lidhje. Pastaj, Hazret Omeri r.a. gjithashtu i shprehu dëshirën për t’u martuar me Fatimen r.a., por edhe atij, nuk iu pranua kërkesa. Atëherë, ata të dy kuptuan se ndoshta i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është interesuar ta martojë vajzën me Hazret Aliun r.a.. Ata e inkurajuan Aliun që të lypte dorën e Fatimes. Ndoshta Hazret Aliu r.a. vetë kishte dëshirë të tillë, por nga turpi nuk e shprehte dot, ai shkoi menjëherë tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe ia shprehu kërkesën. Në anën tjetër, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu kishte mësuar nga shpallja hyjnore se Hazret Fatimeja duhet të martohet me Hazret Aliun r.a..

Kur Hazret Aliu r.a. i bëri kërkesën, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha se ai tashmë e dinte për këtë kërkesë. Pastaj, ai e pyeti Hazret Fatimen r.a., por ajo për shkak të turpit, nuk tha asnjë fjalë. Edhe kjo, në një farë mënyre, ishte shprehja e pëlqimit të saj.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ftoi disa njerëz nga muhaxhirët dhe ensarët e pastaj shpalli nikahun (martesën) e Hazret Aliut r.a. dhe Fatimes r.a.. Kjo ceremoni u zhvillua në vitin e dytë pas hixhretit, dhe kur përfundoi lufta e Bedrit, në muajin dhul hixha të po atij viti u planifikua ceremonia e dasmës. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ftoi Hazret Aliun dhe e pyeti se çfarë kishte që mund të jepte si mehr (pajë)? Hazret Aliu iu përgjigj se nuk posedonte asgjë që mund t’i jepte bashkëshortes së tij si mehr. Atëherë Profeti s.a.v.s. e pyeti: “Çfarë bëre me atë mburojë që të kam dhënë, kur shpërndaja plaçkat nga Bedri?” Hazret Aliu r.a. i tha: “Unë e kam atë”. Profeti e porositi për ta sjellë atë. Kështu, ai e shiti atë mburojë për 480 dirhamë, dhe me këto para, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbuloi të gjitha shpenzimet e dasmës. Pajën që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i dha Fatimes përfshinte një pëlhurë e endur, një jastëk lëkure i mbushur me gjethe të thata hurme dhe një qese lëkure për uji. Sipas një rrëfimi i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte dhënë Hazret Fatimes edhe një mulli.

Kur përfunduan me këto sende a orendi, doli çështja e shtëpisë. Deri në atë kohë, Hazret Aliu r.a. jetonte me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në një dhomë të xhamisë. Por, pas martesës, atij i duhet të siguronte një banesë ku mund të jetonte ky çift. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu e porositi Aliun r.a. për të gjetur një banesë. Hazret Aliu r.a. siguroi një banesë të përkohshme, në të cilën u përcoll Hazret Fatimeja r.a.. Po atë ditë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. erdhi në shtëpinë e tyre dhe kërkoi pak ujë. Ai bëri lutje dhe fryju në atë ujë, dhe pastaj e spërkati atë me dorë mbi Hazret Fatimen dhe Hazret Aliun dhe bëri këtë dua:

اللهم بارك فيهما وبارك عليهما وبارك لهما في نسلهما

Prindërit e çiftit të sapormartuar, gjithashtu duhet ta bëjnë këtë lutje. Këto ditë, po shohim rritje në probleme midis bashkërshorteve, dhe e vetmja arsye që po nxit këto mosmarrëveshje është lakmia e tepruar e kësaj dynjaje dhe materializmi, ndërkohë po vihet re mungesa e vëmendjes ndaj fesë dhe urdhrave hyjnore. Nëse i japim epërsi çështjes së fesë dhe lutemi në këtë mënyrë, si dhe prindërit përmbushin detyrat e tyre, mund të dëshmojmë mbrojtjen e këtyre lidhjeve.

Kjo lutje ka këtë kuptim: “O Allah! Bekoji lidhjet e tyre të ndërsjella, bekoji lidhje e tyre shoqërore me njerëzit e tjerë dhe bekoji pasardhësit e tyre”.

Pastaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e la këtë çift të ri dhe u kthye në shtëpi. Disa ditë më vonë, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vizitoi Hazret Fatimen r.a., ajo iu lut Profetit s.a.v.s. që t’i kërkonte Harithe ibn Numan el-Ensariut, i cili kishte në pronësi disa banesa, që të lironte ndonjë shtëpi për ta. Në këtë mënyrë, ata mund të gjenin një banesë më afër banesës së Profetit s.a.v.s.. Por, Profeti s.a.v.s. tha se Haritha tashmë kishte liruar aq shumë banesa për ta, saqë i vinte marre për të bërë një kërkesë të tillë. Megjithatë, Haritha mësoi këtë rast dhe ai erdhi te Profeti s.a.v.s. me nxitim dhe tha: “O i Dërguar i Allahut! Gjithçka që është e imja, është e juaja. Pasha Allahun! Kur ju pranoni diçka prej meje, ajo më kënaq më shumë se ajo që mbetet me mua”. Në këtë mënyrë, ky sahab i sinqertë me ngulm, liroi një banesë të tij dhe Hazret Aliu r.a. dhe Hazret Fatimeja r.a. u vendosën atje”.[16]

Hazret Aliu r.a. dhe Hazret Fatimeja r.a. pavarësisht nga kushtet e vështira ekonomike, i përmbaheshin parimit të thjeshtësisë, dinjitetit dhe pastërtisë. Në një hadith, Hazret Aliu ka përcjellë se njëherë Hazret Fatimeja shprehu vështirësinë që haste gjatë përdorimit të mullirit dhe që kishte dhimbje në dorë. Në atë kohë, pas një lufte, i kishin zënë muslimanët disa robër lufte. Kur Hazret Fatimeja mësoi këtë, ajo shkoi te shtëpia e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., por nuk e gjeti atje. Atëherë, ajo i rrëfeu Hazret Aishes kërkesën e saj. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. erdhi në shtëpi, Hazret Aisheja e njoftoi për vizitën e Fatimes dhe i përcolli gjithashtu kërkesën e saj. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. shkoi menjëherë në banesën e tyre, ndërkohë ata kishin rënë në shtrat për të fjetur. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha për të mos u ngritur dhe u ul midis tyre e tha: “A mos ju tregoj diçka, që është më e mirë se ajo që keni kërkuar. Kur bini në shtrat, recitoni 34 herë Allahu-Ekber, 33 herë Subhan-Allah, dhe 33 herë Elhamdulilah. Kjo praktikë është më e dobishme për ju sesa shërbëtorin që keni kërkuar.

Hazret Ebu Hurejra r.a. ka gjithashtu përcjellë se njëherë Hazret Fatimeja shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i shprehu vështirësitë në punët e shtëpisë dhe i kërkoi një shërbëtor. Profeti s.a.v.s. e dëgjoi atë me vëmendje e pastaj tha: “A mos të të tregoj diçka që është më e mirë për ty se ai shërbëtor? Para se të flini, recitoni 33 herë Subhan-Allah, 33 herë el-Hamdulilah dhe 34 herë Allahu Ekber”. Këtë e ka përcjellë Imam Muslimi.[17]

Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi r.a. gjithashtu ka përcjellë këtë ngjarje në biografinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ai ka përshkruar këtë ngjarje duke iu referuar Imam Buhariut dhe ka shkruar kështu:

“Hazret Fatimeja r.a. ishte ankuar se gurët e mullirit i shkaktonin dhimbje. Në këtë kohë, erdhën disa robër lufte në Medinë, dhe Hazret Fatimeja mësoi këtë, ajo shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s., por nuk e gjeti në shtëpi. Ajo i tregoi Hazret Aishes r.a. arsyen e ardhjes së saj dhe u kthye në shtëpi. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kthye në shtëpi, dhe mësoi nga Hazret Aisheja r.a. për vizitën e Fatimes r.a., ai shkoi menjëherë në shtëpinë e saj. Në atë kohë, Hazret Aliu dhe Hazret Fatimeja kishin rënë në shtrat për të fjetur. Duke parë Profetin s.a.v.s., ata u matën të ngrihen, por Profeti s.a.v.s. u tha që të qëndronin në vendet e tyre. Ai zuri vendin midis tyre dhe u tha: “A mos t’ju tregoj diçka, që është më e mirë se ajo që më keni kërkuar? Kur shkoni në shtrat për të fjetur, recitoni 34 herë Allahu Ekber, 33 herë Subhan-Allah dhe 33 herë Elhamdulilah. Ky veprim ju sjell më shumë dobi se ai shërbëtor që më keni kërkuar”.

Hazret Musleh Mau‘udi r.a. shkruan më tej: “Kjo ngjarje na tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte aq i kujdesshëm në ndarjen e plaçkës, saqë edhe nëse Hazret Fatimeja kishte nevojë për një shërbëtor, dhe përdorimi i mullirit po i jepte dhimbje, por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk ia pranoi kërkesën, përkundrazi ai i këshilloi për të bërë lutje dhe për të kthyer vëmendjen tek Allahu. Po të kishte dashur, ai mund t’i jepte një shërbëtor Fatimes r.a., sepse plaçkat e luftës që i vinin, kishin për qëllim që të ndaheshin midis sahabëve. Sigurisht, Hazret Aliu dhe Hazret Fatimeja të dy kishin të drejtë, por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. veproi me përgjegjshmëri dhe nuk deshi të kalonte plaçkat e luftës në dobi të të afërmve të tij. Nëse ai do të vepronte në këtë mënyrë, brezat e ardhshme mund të nxirrnin përfundim të gabuar dhe mbretërit i quanin të lejuar përdorimin e paratë publike për nevojat personale”.

Megjithatë, për fat të keq, mbretërit dhe liderët e sotëm muslimanë i konsiderojnë të lejuar për nevojat e tyre.

“Kështu si masat parandaluese, ai nuk kaloi asnjë nga shërbëtorët që ishin për shpërndarje, në shërbim të Hazret Fatimes r.a..

Këtu nuk duhet harruar se pasurinë në të cilën Allahu i Madhërishëm ka caktuar pjesë për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe atë afërmve të tij, ai e ka përdorur për veten dhe të afërmit e tij. Megjithatë, derisa nuk caktohej diçka vetëm për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., ai nuk e shfrytëzonte as për veten e as për të afërmit e tij. A mund të nxjerrë bota një shembull nga mbretërit dhe udhëheqësit, i cili të ketë mbrojtur paratë publike në këtë mënyrë. Nëse arrijmë të gjejmë një shembull, ai gjithashtu do të jetë nga ndjekësit besnikë të këtij Personi të dëlirë, dhe fetë e tjera do të jenë të privuara të nxjerrin shembuj të tillë”.[18]

Ngjarje të tjera, lidhur me  këtë temë, do t’ju rrëfej në hutben e ardhshme.

Thirrje për lutje për gjendjen e botës

Tani, dua t’ju kujtoj sërish për lutje për gjendjen e botës. Tashmë edhe shkrimtarët perëndimorë madje edhe disa amerikanë kanë filluar të thonë se lufta hakmarrëse gjithashtu duhet të ketë ndonjë kufi dhe ShBA-të dhe vendet perëndimore duhet të luajnë rolin e tyre në luftën midis Hamasit dhe Izraelit dhe të bëjnë përpjekje për paqen dhe armëpushimin. Por, autorët shkruajnë gjithashtu se mesa duket, ata janë vendosur, që në vend të armëpushimit, të ndezin flakët e luftës. Vetëm dje, një nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shteteve të Bashkuara dha dorëheqje duke shprehur pakënaqësinë mbi situatën aktuale. Palestinezët e pafajshëm po heqin më shumë zullume e dhunë, dhe fuqitë e mëdha duhet të jenë të vëmendshëm për këtë gjendje. Ka akoma njerëz që flasin me ndershmëri, dhe zëra të tillë ende shfaqen në media. Disa Rabbai hebrenj gjithashtu kanë folur për palestinezët dhe kanë protestuar padrejtësinë.

Ministri i Punëve të Jashtme Rus ka deklaruar që nëse vendet perëndimore nuk ndryshojnë kursin e tyre, ky konflikt do ta gllabërojë gjithë rajonin, madje mendoj se do të shtrihet në të gjithë botën. Prandaj, këto njerëz duhet të punojnë me mendje.

Po kështu, vendet muslimane duhet të flasin me një zë. Në botë ka 53-54 vendet muslimane dhe nëse ata flasin me një zë, kjo do të ishte një fuqi e madhe dhe me një ndikim të madh. Në të kundërt, zërat e rrallë nuk kanë asnjë ndikim dhe kjo është e vetmja mënyrë për të vendosur paqe në botë dhe për t’i dhënë fund kësaj lufte.

Vendet muslimane duhet të luajnë rolin e tyre në mënyrë të bindshme që të mbrojnë botën nga shkatërrimi. Allahu ua mundësoftë atyre!

Po ashtu, duhet të shtojmë lutjet tona. Allahu i dhëntë fund, këtsaj lufte dhe i ruajte palestinezët e pafajshëm! Allahu i dhëntë fund zullumit, kudo në botë dhe na mundësoftë të lutemi me përkushtim të plotë![19]


Referencat

[1] I marrë nga Sherh ez-Zerkani ‘alel-Mevahibul-ludnije, vëll. III, Darul Kutub el-‘Ilmije, Bejrut, 1996, f. 124-125.
[2] Mirza Bashir Ahmedi, Siret Khatem un-Nebijin, f. 670-671.
[3] Sijerus-Sahaba, vëll. VI, Darul ‘Isha’at, Karachi, 2004, f. 90.
[4] Sahihu i Muslimit, kitab: el-Xhenaiz, bab: Fi ghuslil-mejiti, hadith nr. 2173,2176.
[5] Sijerus-Sahaba, vëll. VI, Darul ‘Isha’at, Karachi, 2004, f. 90.
[6] Ibn Sa’ad, Et-Tabakatul Kubra, vëll. VIII, Darul Kutub el-‘Ilmije, Bejrut, 1990, f. 25.
[7] Sijerus-Sahaba, vëll. VII, Darul ‘Isha’at, Karachi, 2004, f. 491., Ali ibn el-Athir, Usd ul-Ghaba fi marifat al-Saḥabah, vëll. VI, Darul Kutub el-‘ilmije, Bejrut, f. 182-183.
[8] Mirza Bashir Ahmedi, Siret Khatem un-Nebijin, f. 674.
[9] Ibn Sa’ad, Et-Tabakatul Kubra, vëll. II, Darul Kutub el-‘Ilmije, Bejrut, 1990, f. 22-23; Alama Shibli Nomani, Siretun Nebi s.a.v.s., vëll. I, f. 211; Siret Encylopaedia, vëll. VI, f. 65-66.
[10] Mirza Bashir Ahmedi, Siret Khatem un-Nebijin, f. 453-454.
[11] Tarikh Taberi, vëll. II, Darul Kutub el-‘ilmije, Bejrut, 2012, f. 87; Subul Huda uer-Rishad, vëll. IV, Darul Kutub el-‘ilmije, Bejrut, 1993, f. 337.
[12] Daira Me’arif Siret Muhammed Rasuslullah s.a.v.s., vëll. VI, Darul Ma’arif, Lahor, 2022, f. 362-363,
[13] Tarikh Teberi, vëll. II, Darul Kutub el-‘ilmije, Bejrut, 2012, f. 49.
[14] Mirza Bashir Ahmedi, Siret Khatem un-Nebijin, f. 454-455.
[15] Sherh el-Alama ez-Zurkani ‘ala el-Mevahib el-Ludunije, vëll. II, f. 357-366, Dhikru Tezvixhe Alijin bi-Fatimete, Darul Kutub el-Ilmeije, 1996; Tarikh el-Khamis, fil Veka’ii min Eveli Hixhretihi s.a.v.s. ila Vefatihi, vëll. II, f. 77, Darul Kutub el-Ilmija, 2009; Sunen Ibn Maxha, kitab: en-Nikahu, bab: el-Velimetu, hadith nr. 1911; Tebekat el-Kubra, vëll. VIII, f. 19, Darul Kutub el-Ilmija, Bejrut, 1990; Lugat el-Hadith, vëll. I, f. 542, Nu’mani Kutub Khana, Lahore, 2005.
[16] Mirza Bashir Ahmedi, Siret Khatemun Nebijin, f. 455-456.
[17] Sahihu i Muslimit, kitab: edh-Dhikru, ved-Du‘a, bab: et-Tesbihu ev-velen-Nehar ve ‘inden-Naum, hadith nr. 6915,6918.
[18] Mirza Bashirudin Mahmud Ahmedi, Siretun Nebi, Envarul ‘Ulum. vëll. I, f. 544-545.
[19] Gazeta e përditshme urdu, Alfazl International, 10 nëntor 2023, f. 2-7.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp