E vërteta rreth vrasjes së hebreut Ebu Afek
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

E vërteta rreth vrasjes së hebreut Ebu Afek

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Në xhumanë e kaluar kisha folur për vrasjen e Asmasë, dhe kisha thënë se ekziston edhe një ngjarje e ngjashme, e cila gjithashtu duket si një histori e trilluar. Kjo ngjarje e dytë lidhet me vrasjen e një hebreu që quhej Ebu Afek. Veprat e historisë përmendin ngjarjen e trilluar të vrasjes së hebreut Ebu Afek.

Ngjarja e trilluar e vrasjes së Ebu Afekut

Është përmendur se një ditë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu drejtua sahabëve dhe u tha: “Kush do të hakmerret kundër këtij ligu (d.m.th. Ebu Afek) për mua?” Me këtë thirrje, ai sikur kërkonte vrasjen dhe ekzekutimin e Ebu Afekut.

“Ebu Afeku ishte një plak i moçëm dhe sipas të dhënave historike, për të thuhej se ishte 120 vjeç. Ai i nxiste njerëzit kundër të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe përmes vargjeve të thurura, përbuzte dhe njolloste figurën e tij. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bëri këtë thirrje, u ngrit Salim ibn Umejri, i cili njihej si një njeri i ndjeshëm që ngashërehej në adhurim dhe qante shpesh në namaze. Salim ibn Umejri kishte marrë pjesë edhe në luftën e Bedrit. Ai u ngrit dhe tha: “I jap besën se o do të vras Ebu Afekun ose do të jap jetën në këtë përpjekje”. Pas këtij zotimi, Salim ibn Umejri nisi të kërkonte kohën e duhur për këtë sulm.

Një natë, kur koha ishte mjaft e nxehtë, Hazret Salimi mësoi se Ebu Afeku po flinte në oborrin e shtëpisë.  Ai menjëherë u nis drejt banesës së tij dhe me të hyrë në shtëpi, iu afrua Ebu Afekut dhe i nguli shpatën në gjoks dhe pastaj e shtyju me gjithë fuqinë. Shpata ia përshkoi trupin tejendanë dhe ngeci në shtrat. Ebu Afeku lëshoi një klithmë të ngjirur e të frikshme. Hazret Salimi e la atë në këtë gjendje dhe ia mbathi me të katra. Me të dëgjuar britmën e Ebu Afekut, njerëzit nxituan drejt tij dhe disa shokë e sollën nga oborri brenda në shtëpi. Megjithatë, ky armik i Zotit nuk i mbijetoi plagët e marra dhe vdiq.”[1]

6 librat standard të hadithit nuk e përmendin

Kështu përshkruan një libër historie ngjarjen e vrasjes së tij. Sikur në rastin tjetër, edhe kjo ngjarje nuk përmendet në asnjë nga transmetime të besueshme dhe nuk e përmendin as gjashtë veprat kryesore të Hadithit (Sihah es-Sitta). Ndonëse librat e biografisë së Profetit s.a.v.s. si “Siret el-Halbijeh” السيرة الحلبية, Sherh Zerkani شرح الزرقاني, Tebekat el-Kubra الطبقات الكبرى të Muhammed ibn Sa’dit, Siretun Nebevije السيرة النبوية të Ibn Hishamit, el-Bidajetu uen-Nihajitu البِدَايَةُ وَالنِهَايَة të Ibn Kethirit, Kitabul Magazi المغازي të Vakidiut, Subulul Huda uer-Rishad سبل الهدى والرشاد في سيرة خير العباد  etj. të gjithë këta libra të Siretit përmendin këtë ngjarje, por shumica e veprave të historisë nuk e përmendin këtë. Ndër këto vepra përmenden el-Kamilu fit-Tarikh الكامل في التاريخ të Ibn Ethirit,  Tarikh et-Teberiu تاريخ الأمم والملوك أو تاريخ الرسل والملوك, Tarikh Ibn Halduni كتاب تاريخ ابن خلدون si dhe disa të tjerë.

Në analogjinë e plotë me ngjarjen e Asmasë, edhe në këtë rast jepet dëshmia se Ebu Afeku i nxiste njerëzit në armiqësi dhe urrejtje ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Lufta e Bedrit ia kishte shtuar urrejtje dhe smirë Ebu Afekut dhe tashmë ai villte këtë helm e vrer publikisht.

Kontradiktat në rrëfimin e Ebu Afekut

Elementet kontradiktore dhe mospërputhje në rrëfimin e vrasjes së Ebu Afekut e bëjnë këtë ngjarje të dyshimtë. Këto kontradikta janë si në vijim:

  1. Mospërputhje në emrin e vrasësit

Sipas Ibn Sa’dit dhe Vakidiut, vrasësi i tij quhej Salim ibn Umjeri, ndërsa sipas rrëfimeve të tjera përmendet emri i Salim ibn Omerit. Pastaj, sipas Ibn Ukbasë autori i vrasjes qe Salim ibn Abdullah ibn Thabit el-Ensariut.[2]

  1. Kontradiktat në motivin e vrasjes

Ibh Hishami dhe Vakidiu besojnë se Salimi ishte shtyrë vetë për këtë vrasje, ndërsa sipas rrëfimeve të tjera ai kreu vrasjen për shkak të një urdhri që kishte marrë nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s., dhe ashtu ka arsyetuar edhe Ibn Hishami.[3]

  1. Mospërputhja në përkatësinë fetare

Sipas Ibn Sa’dit Ebu Afeku ishte një hebre, ndërsa Vakidiu nuk pajtohet me këtë mendim dhe shprehet se ai nuk qe hebre.

  1. Mospërputhja në kohën e vrasjes

Sipas Vakidiut dhe Ibn Sa’dit, kjo ngjarje kishte ndodhur pas vrasjes së Asma bint Mervanit, kurse Ibn Is’haku dhe Ibn Hishamit janë të mendimit se ngjarja kishte ndodhur para vrasjes së Asmasë.[4]

Të gjitha kontradikta të dukshme na çojnë te përfundimi se kjo ngjarje nuk është veçse një trillim dhe fantazi imagjinare që nuk bazohet në asnjë realitet. Megjithatë, edhe nëse pranojmë që Ebu Afeku në të vërtetë ishte vrarë, akuzat kundër tij si p.sh. nxitja e njerëzve kundër udhëheqësit të shtetit, thurja e vargjeve përbuzëse, tentativa për të përmbysur rendin shoqëror dhe ndezja e zjarrit të luftës, të gjitha këto përbëjnë arsye të mjaftueshme, madje edhe sot veprat penale sikur nxitja e luftës dhe rreziku ndaj rendit shoqëror dhe organizimi i puçit kundër shtetit mund të dënohen me vdekje. Megjithatë, përdorimi i një gjuhe të ashpër dhe përbuzëse nuk është arsyeja që të dënohet me vdekje.

Njësoj si në rastin e Asmasë, hebrenjtë nuk protestuan as në rastin e Ebu Afekut

Përveç kësaj, sikur në rastin e Asmasë, edhe në rastin e vdekjes së Ebu Afekut, nuk kemi asnjë provë që mund të mbështesë ndonjë reagim të hebrenjve. Heshtja e plotë në kampin e hebrenjve, përbën një arsye bindëse se e gjithë kjo ngjarje është një sajim i kotë. Këtu duhet të nënvizojmë se në përgjithësi besohet se këto ngjarje duhet të ishin zhvilluar pak kohë para ose pas luftës së Bedrit, ndërsa historianët kanë pajtim të plotë se mosmarrëveshja e parë midis muslimanëve dhe hebrenjve është lufta e Benu Kejnukaut. Po të ishin ngjarë këto ngjarje para luftës së Bedrit, hebrenjtë me të drejtë mund të akuzonin palën muslimane se ata kanë nxitur luftën duke bërë veprimet ngacmuese, por asnjëherë nuk gjejmë asnjë provë në histori se hebrenjtë kishin protestuar kundër këtyre ngjarjeve dhe të kishin ngritur ndonjë pyetje.

Tani ju citoj shkrimin e Hazret Mirza  Bashir Ahmedit r.a. në veprën “Siret Khatemun Nebijin” në lidhje me natyrën imagjinare e sajuese të vrasjes e Asmasë dhe Ebu Afekut. Ai shkruan:

“Vakidiu dhe Ibn Hishami kanë shënuar disa nga vargjet e Asmasë dhe Ebu Afekut, të cilat nxisnin urrejtje dhe dhunë kundër të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Orientalistët si Sir William Mure kanë zbukuruar librat e tyre me këto dy ngjarje në mënyrë mjaft të pahijshme, dhe janë munduar të përshkruajnë ato si raste dhune e padrejtësie. Por, fakti është se ngjarje të tilla nuk e kalojnë dot përballjen me një diskutim shqyrtues apo analizë kritike, pasi nuk dalin se ngjarje të mirëfillta, që me të vërtetë kanë ndodhur.

Argumenti i parë që ngjall dyshime rreth besueshmërisë së tyre është që këto ngjarje nuk gjenden kurrkund në veprat e hadithit. Nuk kemi asnjë hadith që rrëfen ndonjë ngjarje të ngjashme me to, në të cilat si protagonistët të jenë shënuar emrat e autorit apo viktimës. Madje, jo vetëm hadithet, edhe historianët i janë shmangur këtij rrëfimi. Po të kishin ndodhur vërtetë ngjarjet e kësaj natyre, është e pamundur që librat e hadithit dhe të historisë të mos i shënonin ato. Këtu nuk mund të pranohet si i mirëqenë arsyetimi që historianët dhe hadithologët duhet t’u ishin shmangur këtyre ngjarjeve, pasi shënimi i tyre nëpër këta libra, hapte rrugë për kritika dhe akuza ndaj figurës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe sahabëve të tij.

Kjo sepse, edhe nëse vështrohen në rrethanat specifike kur u zhvilluan këto ngjarje, ato nuk përbëjnë asgjë dyshuese apo që të tërheqin vëmendjen dhe vërejtjen e kritikëve. Çdo njeri i cili ka studiuar sadopak hadithin dhe historinë e Islamit, është një dijeni se dijetarët e hadithit si dhe historianët nuk kanë shmangur asnjë transmetim, vetëm se ajo përbënte një akuzë kundër të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Kjo ishte arsyeja që në praktikën e tyre të përgjithshme, ata nuk ngurronin aspak të ruanin çfarëdo transmetimi që i mbërrinte, duke shqyrtuar vetëm kriterin e rivajetit, pra zinxhiri i transmetuesve duhet të ishte i drejtë. Madje, disa nga muhadithinët dhe shumica nga historianët kanë vepruar me parimin që çfarëdo që i ka mbërritur rreth të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe sahabëve të tij, edhe nëse mund të ishte i dobët për nga rivajeti (d.m.th. në bazë të kritereve të zinxhirit të transmetuesve) dhe nga dirajeti (në bazë të kritereve që lidhen me përmbajtjen e transmetimit), dhe ata e shënonin atë transmetim me ndershmëri dhe paanshmëri intelektuale në koleksionin e tyre. A ishte i besueshëm ky transmetim, këtë të drejtë ata u linin dijetarëve dhe studiuesve të mëvonshmëve, që të vendosnin në bazë të parimeve dhe kritereve të rivajetit (formës) dhe dirajetit (përmbajtjes) se ai transmetim qe i besueshëm apo jo.

Qëllimi pas kësaj praktike ishte që çdo gjë që i referohet të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe sahabëve të tij, pavarësisht a duket i vërtetë apo i trilluar, të përfshihet në koleksionin e tyre, dhe të mos mbetet jashtë tij. Kjo është arsyeja, pse në vepra të hershme të historisë, gjejmë të shënuar gjithçka, të vërteta apo të pavërteta, por kjo nuk do të thotë se të gjitha ato janë të besueshme, përkundrazi kemi për detyrë të ndajmë shapin nga sheqeri dhe të dallojmë të vërtetën nga e pavërteta.

Megjithatë, nuk ekziston asnjë hapësirë, për të mbështetur pretendimin se një muhadith apo historian musliman të ketë përjashtuar ndonjë transmetim vetëm se ai i kundërvihej të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. apo sahabëve të tij, ose mbështeste akuzën kundër Profetit s.a.v.s. dhe Islamit. P.sh. ngjarjet e Ka’b ibn Eshrefit dhe Ebu Rafi Hebreut, të cilat ngjajnë plotësisht me rrëfime të trilluara të Asmasë dhe Ebu Afekut, janë shënuar hollësisht dhe imtësisht në librat e hadithit dhe të historisë islame, dhe asnjë nga transmetuesit, muhadethinët dhe historianët nuk i kanë përjashtuar këto ngjarje.

Në bazë të këtyre rrethanave, kur shqyrtojmë mospërmendjen e Asmasë dhe të hebreut Ebu Afek në asnjë nga librat e hadithit, dhe shohim se disa historianë mbajnë heshtje të plotë në lidhje me këto ngjarje, na bën pothuaj të sigurt se këto ngjarje janë fantazi dhe trillime të sajuara, të cilat dosido kanë hyrë në disa transmetime dhe kështu janë futur në histori.

Pastaj, kur i shqyrtojmë këto ngjarje në mënyrë të hollësishme, del e qartë se ato janë shpifje dhe trillime imagjinare. P.sh. në lidhje me ngjarjen e Asmasë, në transmetimin e Ibn Sa’dit etj. emri i vrasësit është Umejr ibn Adij, ndërsa në transmetimin e Ibn Durejdit, vrasësi është quajtur غِشْمِيْر Ghishmir. Ndërsa Suhejliu i përjashton këta dy emra dhe pretendon se Asmanë e kishte vrarë bashkëshorti i vet, i cili është përshkruar si Jezid ibn Zejdi. Në disa transmetime të tjera, asnjë nga emra të përmendur, nuk është cilësuar si vrasësi i Asmasë, përkundrazi është përshkruar si një person anonim që i përkiste fisit të saj. Ibn Sa’di ka shkruar emrin e viktimës si Asma bint Mervani, por Alama Abdul Barri është i mendimit se viktima nuk qe Asma bint Mervani, por Bint Adi, të cilën e kishte vrarë vëllai i saj Umejri. Në lidhje me kohën e vrasjes, Ibn Sa’di e ka përshkruar si mesi i natës, por Zerkaniu e cilëson si ditë apo fillimi i natës, sepse aty thuhet se viktima po shiste hurmat në atë kohë. Unë i kam paraqitur tashmë këto të dhëna.

Ngjarja e dytë lidhet me vrasjen e Ebu Afekut. Ibn Sa’di dhe Vakidiu kanë përshkruar emrin e vrasësit si Salim ibn Umejri, ndërsa në transmetime të tjera ai është quajtur Salim ibn Amr. Ibn Ukbaja e cilëson vrasësin si Salim ibn Abdullah. Ibn Sa’di gjithashtu ka shkruar që viktima Ebu Afeku ishte hebre, por Vakidiu nuk pajtohet me këtë detaj. Pastaj Ibn Sa’di dhe Vakidiu pajtohen se i shtyrë nga emocionet Salimi kishte vendosur vetë për të vrarë Ebu Afekun, por një transmetim tregon se ai e kishte vrarë Ebu Afekun në bazë të porosisë që kishte marrë direkt nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Në lidhje me kohën kur ishte vrarë Ebu Afeku, Ibn Sa’di dhe Vakidiu janë të mendimit se kjo ngjarje kishte ndodhur pas vrasjes së Asmasë, por Ibn Is’haku dhe Ebu Err-Rebiu besojnë se ngjarja e Ebu Afekut kishte ndodhur para se të vritej Asmaja. Këto kontradikta dhe mospajtime të dukshme na çojnë te besimi se këto ngjarje janë trillime dhe shpikje imagjinare dhe edhe nëse përmbajnë ndonjë realitet, ai është kaq i fshehur saqë nuk mund të themi bindshëm se çfarë është ai dhe kujt i përket.

Një tjetër argument që përgënjeshtron këto ngjarje lidhet me kohën, për të cilën historianët pajtohen se këto ngjarje kishin ndodhur. Në atë kohë, muslimanët dhe hebrenjtë nuk kishin pasur akoma ndonjë mosmarrëveshje apo konflikt. Historia tregon që lufta ndaj fisit Benu Kajnuka ishte konflikti i parë ushtarak midis muslimanëve dhe hebrenjve. Hebrenjtë e fisit Benu Kajnuka ishin të parët nga çifutët që ndoqën një politikë armiqësore ndaj muslimanëve. Derisa këto janë fakte të pamohueshme historike, nuk kemi pse të pranojmë se muslimanët dhe hebrenjtë kanë pasur gjakderdhje të tilla edhe më herët. Përveç kësaj, nëse ngjarje të tilla me të vërtetë kishin ndodhur para luftës së Benu Kajnukasë, historianët duhet t’i shënonin këto ngjarje ndër shkaqet e luftës, por kudo që renditen shkaqet e këtij konflikti ushtarak, nuk përmenden asnjëherë këto ngjarje që rezultuan gjoja me vrasjen e dy hebrenjve.

Hebrenjtë të paktën mund të akuzonin muslimanët se ishin ata që kishin hedhur hapin e parë për të nxitur dhunën kundër tyre, dhe ata duhet të vajtonin të vdekurit e tyre në këto ngjarje, por librat e historisë nuk e përmendin absolutisht asgjë për protestën e hebrenjve. Madje edhe ata historianë, të cilët kanë shënuar këto dy ngjarje në veprat e tyre, nuk e përmendin kurrkund se hebrenjtë e Medinës kishin ngritur zërin kundër këtyre dy vrasjeve.

Atyre që pohojnë se ndoshta hebrenjtë e Medinë kishin shprehur kundërshtimin e tyre, por historianët muslimanë qëllimisht nuk i kanë shkruar ato, duhet t’u themi se kjo është nuk akuzë e pabazë dhe ashtu siç e kemi thënë më lartë, asnjë nga dijetarët e hadithit apo historianët muslimanë kurrë nuk kanë fshehur akuzat e kundërshtarëve. Madje, kur idhujtarët mekasë akuzuan palën muslimane në lidhje me ekspeditën e Nekhles se ata qëllimisht kishin shkelur nderin e muajve të shenjtë, dijetarët dhe historianët muslimanë e përmendën këtë akuzë në librat e tyre, me një ndershmëri dhe paanshmëri intelektuale. Prandaj, në të njëjtën mënyrë, nëse do të ishte ngritur ndonjë akuzë nga hebrenjtë, kundër muslimanëve, ajo me siguri duhet të kishte gjetur vend në librat e historisë.

Shkurt, në çfarëdo aspekti të shqyrtohen këto “ngjarje”, ato nuk dalin të vërteta, madje kemi prova të mjaftueshme për të besuar se ndonjë kundërshtar keqdashës i ka referuar këto te një musliman, dhe kështu ato janë përfshirë më vonë në veprat e muslimanëve. Mundet edhe kjo që ndonjë musliman i dobët apo pjesëtarët e një fisi ta caktuar, për të shpallur këtë krenari të rreme te fisi i vetë, kanë dhënë këtë dëshmi të rreme se ata gjoja kanë vrarë disa persona të rrezikshëm dhe kështu këto pretendime kanë gjetur vend në faqet e historisë.

Sipas nesh, ky duhet të jetë realiteti i këtyre “ngjarjeve”. Por, siç e kam theksuar edhe më lartë, që edhe nëse këto rrëfime të jenë të vërteta, ato nuk mund të vihen në pikëpyetje nga gjykimi moral, pasi në ato rrethana dhe kontekstin historik, nuk mund të vihen në pyetje apo të paditen si akte agresioni. Ne sapo kemi përmendur situata të rrezikshme me të cilat ballafaqoheshin muslimanët. Shembulli i tyre, i ngjante atij njeriu, i cili të jetë i rrethuar në të katër anët, nga flakët e zjarrit bubulak, dhe ai nuk gjen asnjë rrugëshpëtimi, madje atë të shoqërojnë personat të cilët janë armiq të përbetuar kundër tij. Në të njëjtën mënyrë, në atë kohë, kur muslimanët gjendeshin në rrethana kaq të rrezikshme dhe rënduese, dhe nëse ndonjë keqdashës i lig ndez urrejtjen dhe ndjenjat armiqësore kundër prijësit dhe udhëheqësit të tyre përmes poezisë propagandiste me gënjeshtra dhe shpifje të ndyra, dhe nxit masat për vrasjen e tij, atëherë si mund të parandalohet veprimtaria e tij në ato rrethana specifike përveçse të ekzekutohej ai. Madje, kjo vrasje ishte bërë në rrethanat ekstreme, kur propaganda armiqësore kishte mbërritur në kulm, kur as vrasjet e vogla, nuk mund të konsiderohen për hakmarrje. David Samuel Margoliouth (1858–1940) është një orientalist i njohur, i cili në përgjithësi ka mbajtur qëndrime të kundërta pothuaj në çdo çështje, por në lidhje me këto ngjarje, ai nuk i fajëson muslimanët, dhe shkruan:

“Nëse me të vërtetë Asmaja ka thurur ato vargje kundër Muhammedit (s.a.v.s.), ato padyshim i nxisnin kundërshtarët për vrasjen e tij. Prandaj, vrasja e Asmasë, pavarësisht nga cili kriter i drejtësisë gjykohet, nuk mund të konsiderohet si një akt kriminal e i kundërligjshëm. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu faktin historik, se nxitja e urrejtjes dhe luftës armiqësore përmes propagandës së poezisë shpifëse, helmuese dhe demagogjike në kontekstin historik të arabisë mund të sillte pasojat jashtëzakonisht të rrezikshme në krahasim me vendet e tjera. Po ashtu, fakti se vetëm autorët e këtij akti dhe askush tjetër nuk ishte ekzekutuar, përbënte një hap gjigand në reformën e të drejtës ligjore, në krahasim me normat kanunore që zbatoheshin në shoqërinë arabe të asaj kohe, pasi si rrjedhojë e vargjeve të tilla të shëmtuara e shpifëse, arabët nuk kufizonin agresionin e tyre vetëm kundër personit të qortuar në atë poezi, por nganjëherë fise të tëra përfshiheshin në luftë të përgjakshme. Islami solli një normë të re ligjore, e cila kufiztonte dhe ngushtonte ndikimin e aktit vetëm te fajtori dhe jo te farefisi dhe mbështetësit e tij.”

Nëse Margoliouth-i ngre ndonjë akuzë kundër këtyre vrasjeve, ajo kufizohet vetëm me mënyrën që u përdor në atë kohë. Sipas tij, muslimanët duhet të kishin shpallur publikisht krimet e tyre, dhe fajtorët të dënoheshin zyrtarisht sipas normave ligjore.

Në këtë mënyrë, mund të themi që:

  1. edhe nëse të merren si fakt historik, ato vrasje ishin aktet individuale të muslimanëve, të cilat ishin kryer në rrethanat e një agresioni të ashpër dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk kishte dhënë asnjë urdhër për këto akte. Shkrimet e Ibn Sa’dit e mbështesin plotësisht këtë analizë.

  2. Nëse e pranojmë në mënyrë hiptetike se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vërtetë vetë kishte dhënë urdhrin e vrasjeve, prapë situata dhe rrethanat aktuale ishin të tilla që nëse masat e dënimit të shpalleshin publikisht dhe zyrtarisht kundër Asmasë dhe Ebu Afekut, dhe mbështetësit e fajtorëve do të ishin në dijeni për dënimin me vrasje të personave të tyre para kohe, kjo me siguri do të krijonte rrethanat jashtëzakonisht të rrezikshme, dhe kishte të ngjarë që këto veprime përshkallëzonin tensionin midis muslimanëve dhe hebrenjve si dhe mes muslimanëve dhe idhujtarëve të Medinës dhe të nxisnin një luftë të përgjakshme e shkatërruese.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi shkruan: “Unë çuditem që Margoliouth-i në njërën anë justifikon vetëm aktin e vrasjes në ato rrethana specifike në kontekstin arab, por nuk arrin të analizojë edhe mënyrën e këtij dënimi, në ato rrethana të veçanta. Po të përdorte të njëjtin kriter dhe të merrte parasysh rrethanat specifike të asaj kohe edhe në këtë aspekt, ai ndoshta do të bindej se mënyra sesi ishin ekzekutuar këta persona, ishte gjithashtu plotësisht e drejtë, pasi ajo ishte e vetmja mënyrë për të mbrojtur rendin shoqëror dhe siguri në vend.

Në mënyrë të përmbledhur ne arrijmë të këtë përfundim:

  1. Nëse i shqyrtojmë rrëfimet rreth vrasjeve të Asmasë dhe të Ebu Afekut, në përputhje me kriteret e rivajetit (d.m.th. analiza e mënyrës së transmetimit) dhe dirajetit (d.m.th. analiza e përmbajtjes së mesazhit), ato nuk vërtetohen.

  2. Nëse i marrim këto rrëfime të mirëqena, në mënyrë hipotetike, ato sërish nuk mund të paditen, në ato rrethana specifike.

  3. Ato vrasje ishin gjithashtu aktet individuale të muslimanëve, të cilat ishin kryer në rrethanat e një agresioni ekstrem dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk kishte lëshuar asnjë urdhër për kryerjen e tyre. Akuza që Profeti s.a.v.s. kishte dhënë një urdhër të tillë, është plotësisht e bazë, e pavërtetë dhe një shpifje e ndyrë.[5]

Pavarësisht, çfarë kanë përmendur historianët në veprat e tyre, dijetarët e mëvonshëm duhet të kishin analizuar saktësinë e këtyre ngjarjeve. Ne jemi mirënjohës ndaj Allahut, që Ai na ka mundësuar të besojmë Imamin e kësaj kohe dhe mundohemi të rrëfejmë çdo ngjarje, pasi e kemi shqyrtuar mirë dhe e kemi vërtetuar saktësinë e tyre. Ne gjithashtu mundohemi t’i kundërvihemi çdo akuze që ngrihet kundër të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. si dhe i kundërpërgjigjemi me argumente e dëshmi historike. Allahu i ndriçoftë dhe udhëzoftë ata dijetarë dhe studiuesi, të cilët përhapin këto çështje për interesat e tyre të ulëta, dhe në këtë mënyrë po shërbejnë vetëm për të njollosur Islamin. Edhe pse ata gjoja po i shërbejnë kauzës islame, por sjelljet e tyre i ngjallin më shumë ekstremizëm e fanatizëm. Allahu ua ndriçoftë mendjen dhe u dhëntë mend!

Përmendja e disa rasteve të vdekjes

  1. Nasir Ahmed Khan (Pervez Pervejzi), Kanada 87 vjeç.
  2. Sherif Ahmed Bhatti Rabwah, Pakistan 88 vjeç
  3. Abdulkadir Dahri, ish-kryetari i xhematit në Nevabshah, Pakistan, 92 vjeç
  4. dr. Muhammad Sherif Khan, Amerikë, 84 vjeç[6]

Referencat

[1] Es-Siretul Halbije, vëll. III, Darul M’arife, Bejrut, 2012, f. 300.
[2] Sherh Zerkani, vëll. II, Darul Kutub el-‘Ilmije, Bejrut, 1996, f. 347.
Ibn Hisham, Es-siret en-Nebevije, Darul Kutub el-‘Ilmije, Bejrut, 2001, f. 887.
Wakidi, Kitabul Magazi, vëll. I, Darul Kutub el-‘Ilmije, Bejrut, 2013, f. 163.
Subul Huda uer-Rishad fi-Sire Khajrul ‘Ibad, vëll. VI, Darul Kutub el-‘Ilmije, Bejrut, 1993, f. 23.
[3] Ibn Sa’d, Et-Tabakatul Kubra, vëll II, Darul Kutub el-‘Ilmije, Bejrut, 1990, f. 21.
Wakidi, Kitabul Magazi, vëll. I, Darul Kutub el-‘Ilmije, Bejrut, 2013, f. 163.
[4] Ibn Sa’d, Et-Tabakatul Kubra, vëll II, Darul Kutub el-‘Ilmije, Bejrut, 1990, f. 20-21.
Wakidi, Kitabul Magazi, vëll. I, Darul Kutub el-‘Ilmije, Bejrut, 2013, f. 161-163.
Ibn Hisham, Es-siret en-Nebevije, Darul Kutub el-‘Ilmije, Bejrut, 2001, f. 886-7.
[5] Mirza Bashir Ahmedi, Siret Khatem un-Nebijin, f. 446-451.
[6] Gazeta e përditshme Alfazl (Urdu), 27 tetor 2023, f. 2-7.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem