Çlirimi i Egjiptit dhe e vërteta e djegies së Bibliotekës së Aleksandrisë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Çlirimi i Egjiptit dhe e vërteta e djegies së Bibliotekës së Aleksandrisë

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

أَشْھَدُ أَنْ لَّا إِلٰہَ اِلَّا اللّٰہُ وَحْدَہٗ لَا شَرِیْکَ لَہٗ وَأَشْھَدُ أَنَّ مُحَمَّدًا عَبْدُہٗ وَ رَسُوْلُہٗ۔أَمَّا بَعْدُ فَأَعُوْذُ بِاللّٰہِ مِنَ الشَّیْطٰنِ الرَّجِیْمِ۔

بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ (١)  ٱلۡحَمۡدُ لِلَّهِ رَبِّ ٱلۡعَٰلَمِينَ(٢) ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ (٣) مَٰلِكِ يَوۡمِ ٱلدِّينِ (٤) إِيَّاكَ نَعۡبُدُ وَإِيَّاكَ نَسۡتَعِينُ (٥) ٱهۡدِنَا ٱلصِّرَٰطَ ٱلۡمُسۡتَقِيمَ (٦) صِرَٰطَ ٱلَّذِينَ أَنۡعَمۡتَ عَلَيۡهِمۡ غَيۡرِ ٱلۡمَغۡضُوبِ عَلَيۡهِمۡ وَلَا ٱلضَّآلِّينَ (٧)

Një njëri i vetëm i barabartë me tre mijë kundërshtarë

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a., duke përmendur rreth tabligës [da’vasë] në një fjalim të tij, iu referua ngjarjeve të kohës së Hazret Omerit r.a. dhe tha:

“Betejat që u zhvilluan pas vdekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s., në shumicën prej tyre, muslimanët kanë qenë të paktë në numër. Në betejën e Shamit, ushtarët dilnin shumë të mangët. Hazret Ebu Ubejdeja r.a. i shkroi Hazret Omerit r.a. duke thënë se armiku është shumë i madh në numër, ndaj, na dërgoni përforcime.

Hazret Omeri r.a. pasi analizoi situatën, mësoi që dërgimi i përforcimeve të reja dukej një gjë e pamundur, sepse djemtë e fiseve që ishin përreth Arabisë ose ishin vrarë, ose gjendeshin në luftë. Ai thirri një mbledhje për t’u këshilluar. Ftoi prijësit e fiseve të ndryshme dhe ua parashtroi problemin. Ata thanë se ka një fis ku mund të gjenin disa burra. Hazret Omeri r.a. porositi një oficer që të mblidhte sa më shpejt burra prej atij fisi.

Më pas i shkroi Hazret Ebu Ubejdesë r.a.:

– Po ju dërgoj për ndihmën tuaj gjashtë mijë ushtarë, të cilët së shpejti do t’ju bashkohen. Tre mijë prej tyre do të jenë nga këto këto fise, dhe po ju dërgoj ‘Amr bin Ma’di Keribin, i cili është i barabartë me tre mijë të tjerë.”

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. vijon:

“Po të dërgojmë ndonjë djalë tonin për një ndeshje, duke thënë se do të luftosh me tre mijë veta, ai do të thotë:

– Çfarë budallallëku është ky! Ku e ka mendjen Kalifi! A mund të luftojë një njeri kundër tre mijave?!

Por sahabët sa të fuqishëm e kishin besimin! Në momentin kur Hazret Ebu Ubejdeja mori letrën e Hazret Omerit, ai ua lexoi ushtarëve dhe tha:

– Urime! Nesër po ju vjen ‘Amr bin Ma’di Keribi!

Të nesërmen ushtarët e pritën aq potershëm ‘Amr bin Ma’di Keribin, saqë armiku mendoi që muslimanëve iu erdhën njëqind mijë apo dyqind mijë përforcime, por në të vërtetë, ai ishte vetëm një ushtar. Pas tij mbërriti edhe ushtria prej tre mijë ushtarësh. Përfundimisht, muslimanët e mundën armikun.

Në luftën me gojë një njeri i vetëm edhe mund t’ua kumtojë mesazhin e tij mijëra njerëzve, por në një luftë me shpatë, vallë, si mund të ketë luftuar një njeri përballë tre mijave?! Por, muslimanët i jepnin kaq shumë rëndësi fjalës së Kalifit të kohës saqë kur Hazret Omeri r.a. tha se ‘Amr bin Ma’di Keribi është sa tre mijë ushtarë, ata nuk e kundërshtuan dhe nuk ngritën pyetjen – Si mund të luftojë një njeri i vetëm me tre mijë ushtarë? Përkundrazi, ata e morën të mirëqenë pohimin e Kalifit të kohës dhe e pritën ushtarin e vetëm me madhështi të plotë.

Zemrat e armiqve u drodhën duke parë këtë vendosmëri të muslimanëve, dhe ata menduan se muslimanëve mund t’u kenë ardhur njëqind mijë ose dyqind mijë përforcime. Rrjedhimisht, atyre iu lëkundën këmbët në fushëbetejë dhe u arratisën të mundur.”

Hazret Kalifi i Dytë, Biri i Premtuar r.a. pohon:

“Tani për tani edhe ne kështu duhet të qetësojmë zemrat tona.”[1]

Pra, ai e tregoi këtë ngjarje duke treguar sesi duhet të bënim tabligë (da’ve) në Europë, në Spanjë dhe në Sicili.

Beteja në Faramë

Në vijim do t’ju tregoj rreth fitoreve në Egjipt. Njëra prej betejave ishte Beteja e Faramasë. Farama (Farama) [Pelusium] ishte një qytet i njohur i Egjiptit, i vendosur në një mal, afër Detit Mesdhe dhe në dalje të Paluzit, që ishte njëra prej shtatë degëve të Nilit.[2]

Sipas ‘Allame Shibli Nu’manit, pas çlirimit të Bejtul Mekdesit [Jerusalem], me insistimin e Hazret ‘Amr bin el-Asit, Hazret Omeri r.a. i dërgoi atij një ushtri prej 4000 ushtarësh drejt Egjiptit, por njëkohësisht, i porositi që ata duhet të kthehen nëse do ta merrnin letrën e tij përpara se të arrinin në Egjipt.

Ata kishin arritur në Arish kur atyre u mbërriti letra e Hazret Omerit r.a.. Megjithatë, duke e parë se urdhri ishte i kushtëzuar, Hazret ‘Amri r.a. vlerësoi – Ne tashmë kemi hyrë në kufijtë e Egjiptit, andaj, do të marshojmë përpara. Atëherë nga Arishi ata erdhën në Faramë.[3]

Ka një libër i quajtur El-Iktifa, i cili përshkruan betejat e muslimanëve. Aty shkruhet se Hazret ‘Amr bin el-‘Asit r.a. i erdhi letra e Hazret Omerit r.a. në kohën kur ai kishte arritur në një vend të quajtur Rafah, por ai nuk e mori nga lajmëtari nga frika se ajo do të kishte pikërisht urdhrin e Hazret Omerit r.a. për të mos e vijuar më tej marshimin. Pra, ai vazhdoi përpara, derisa arriti në një fshat të vogël që gjendej mes Rafahut dhe Arishit, ku kërkoi informacion për fshatin. U njoftua se ishte brenda kufijve të Egjiptit. Vetëm atëherë kërkoi që t’ia sillnin letrën dhe e lexoi. Në të shkruhej që ai dhe muslimanët që e shoqëronin të ktheheshin të gjithë.

– A nuk është ky Egjipti? I pyeti muslimanët. – Po, i thanë ata. Më pas ai tha:

– Emiri i Besimtarëve më urdhëroi që nëse letra e tij më gjen përpara se të arrij në tokën e Egjiptit, unë duhet të kthehem. Por letrën e kam marrë pasi kam hyrë në tokën e Egjiptit. Andaj, me bismil-lah, le të vazhdojmë përpara.

Në një rrëfim tjetër përmendet se Hazret ‘Amr bin el-‘Asi r.a. ishte në Palestinë dhe ai përparoi me shokët e tij në Egjipt pa marrë leje. Hazret Omerit r.a. nuk i erdhi mirë nga veprimi i tij. Kështu që, i shkroi një letër Hazret ‘Amr bin el-Asit r.a., të cilën ai e mori kur ishte afër Arishit. Atëherë, ai nuk e lexoi letrën derisa arriti në Arish. Në letër shkruhej si më poshtë:

Emmā ba‘ad, ju keni shkuar në Egjipt me shokët tuaj, por aty bizantinët janë shumë në numër, kurse ju jeni shumë të paktë. Për moshën time! Allahu ju përmirësoftë! Do të ishte mirë nëse nuk do t’i kishit marrë me vete. Andaj, nëse nuk keni arritur në Egjipt, kthehuni![4]

Gjatë rrugës për në Faramë, ushtria muslimane nuk hasi asnjë ushtar bizantin, madje vende-vende egjiptianët i mirëpritën dhe pikërisht në Faramë ndodhi përballja e parë.

Ka rrëfime të ndryshme [duke iu referuar Hazret ‘Amr bin el-‘Asit r.a.], por i sakti duket ai që thotë se atij i erdhi letra pasi kishte mbërritur në Arish, i cili ndodhet brenda kufirit egjiptian. Nuk mund të ndodhte që ai të sajonte justifikime dhe ta hapte letrën vetëm pasi të kishte arritur në Egjipt. Sidoqoftë, tani që kishin arritur në Egjipt, do të marshonin përpara, pasi besimtarët nuk zmbrapsen.

Bizantinët morën lajmin se Hazret ‘Amri r.a. po u vinte me një ushtri por që qe e papërfillshme si në numër, ashtu edhe në pajime ushtarake. Sipas tyre, ushtria muslimane nuk do të mund të mbante dot rrethimin për shumë gjatë dhe do të thyhej shumë shpejt, andaj, vendosën të mbylleshin brenda ledheve të tyre.

Këtej, Hazret ‘Amr bin el-‘Asi kishte marrë informacione për fuqinë dhe ushtrinë e bizantinëve, si dhe për faktin që ata ishin jashtëzakonisht shumë në numër sesa muslimanët. Atëherë, ai bëri një plan për të pushtuar Faramën. Do të bënte një sulm të beftë për të tentuar hapjen e portave të ledhit, ose do ta vijonte rrethimin këmbëngulshëm, derisa banorëve brenda t’u kishte mbaruar ushqimi dhe ata të detyroheshin nga uria t’i hapnin portat.

Muslimanët e rrethuan qytetin. E shtrëngonin rrethimin çdo ditë e më shumë, kurse edhe bizantinët brenda qytetit nuk po lëkundeshin. Rrethimi vijoi për disa muaj. Nganjëherë ushtria bizantine dilte jashtë dhe pas një përleshjeje të vogël, kthehej sërish brenda. Muslimanët dilnin mbizotërues në këto përleshje.

Një ditë, një batalion i ushtrisë bizantine doli për të luftuar me ushtrinë muslimane. Edhe këtë herë muslimanët e fituan përballjen, kurse bizantinët ikën të mundur te qyteti. Muslimanët i ndoqën dhe u treguan aq të shkathët sa disa prej tyre i parakaluan ushtarët bizantinë, për të arritur te porta përpara tyre. E hapën portën, dhe kështu edhe rrugën drejt fitores.

Çlirimi i Belbeisit

Pas Faramës, Hazret ‘Amr bin el-‘Asi iu drejtua qytetit Belbeis (Bilbeis). Belbeisi është një qytet afërsisht tridhjetë milje larg nga Fustati, në rrugën e Shamit. Ushtria bizantine ua bllokoi rrugën muslimanëve që ata të mos i afroheshin fortesës së Babilonisë.

Egjipti në antikitet quhej Babiloni, sidomos pjesa ku ndodhet Fustati. Bizantinët donin të luftonin me muslimanët duke qëndruar pikërisht këtu, por Hazret ‘Amr bin el-‘Asi r.a. u tha – Mos u nxitoni të na sulmoni, përpara se t’ju parashtrojmë këshillën tonë, në mënyrë që të mos ketë justifikime më vonë. Më pas ai u tha – Na dërgoni  Ebu Marjamin si emisar tuajin.

Profecia e Profetit Muhammed s.a.v.s. për çlirimin e Egjiptit

Bizantinët e bënë armëpushimin dhe dërguan dy emisarë te muslimanët. Të dy emisarët ishin priftërinj të banorëve të Belbeisit. Hazret ‘Amri r.a. u propozoi të pranonin Islamin ose të jepnin xhizjen. Ai gjithashtu ua kumtoi profecinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për muslimanët që thotë:

– ‘Ju do të çlironi Egjiptin. Ai është një vend ku mbizotëron Kirati. Andaj, kur ta keni çliruar atë, duhet t’i silleni me mirësi popullit të Egjiptit, sepse ata e kanë një të drejtë ndaj jush dhe janë farefisi juaj’,[5] ose tha ‘ata kanë të drejtën ndaj jush dhe janë farefisi i etërve tuaj të parë’.

– “Gjë shumë e largët”, i thanë priftërinjtë pasi e dëgjuan profecinë dhe thanë:

– Këtë mund ta përmbushin vetëm Profetët. Na lini të kthehemi, do t’ju përgjigjemi kur të vijmë sërish.

Beteja e Belbeisit

Hazret ‘Amr bin el-‘Asi r.a. tha:

– Nuk mund të më mashtroni dot. Deri në tri ditë ju jap afat. Mendohuni mirë.

– Na shtoni edhe një ditë tjetër, i kërkuan priftërinjtë.

Ai ua shtoi edhe një ditë në afatin e tyre. Të dy priftërinjtë u kthyen te udhëheqësi i koptëve, Mukaukis, dhe te Artabuni [Aretion], guvernatori i Egjiptit i emëruar nga Perandori Bizantin, dhe ua kumtuan propozimin e muslimanëve.

Artabuni e kundërshtoi dhe vendosi këmbëngulshëm për të luftuar dhe, brenda natës bëri sulmin kundër muslimanëve. Burimet thonë se numri i kësaj ushtrie të Artabunit ishte dymbëdhjetë mijë ushtarë.

Një numër i konsiderueshëm i ushtarëve muslimanë u martirizuan në këtë betejë, kurse bizantinëve iu vranë një mijë ushtarë dhe tre mijë të tjerë u robëruan. Artabuni mori rrugën e arratisë. Sipas disave, ai u vra në këtë betejë.

Muslimanët vijuan t’i mposhtnin forcat e Artabunit derisa arritën në Aleksandri. Historianët unanimisht pohojnë që muslimanët qëndruan në Bilbeis deri në një muaj. Gjatë kësaj periudhe lufta vijoi, por përfundimisht muslimanët e fituan. Historianët kanë mendime të ndryshme nëse kjo luftë ishte shumë e ashpër apo e lehtë.[6]

Urtësia dhe morali i lartë i muslimanëve në Betejën e Bilbeisit

Gjatë kësaj beteje ndodhi një ngjarje, e cila hedh dritë mbi urtësinë dhe moralin e lartë të muslimanëve. Kur Allahu i Madhërishëm u dha fitore muslimanëve në Bilbeis, ndër të burgosurit ishte edhe e bija e Mukaukisit, Armanuse. Mukaukisi e donte shumë vajzën e tij, dhe donte ta martonte atë me Konstandinin, birin e Herakliut. Por vetë vajza nuk donte të martohej me të. Andaj, ajo me gjithë shërbëtoret e saj kishte dalë për shëtitje në Bilbeis.

Sidoqoftë, kur muslimanët e prangosën bijën e Mukaukisit, Hazret ‘Amr bin el-‘Asi r.a. thirri një mbledhje të sahabëve dhe ua kumtoi porosinë e Allahut të Madhërishëm të përmendur në Kuranin e Shenjtë:

هَلۡ جَزَآءُ ٱلۡإِحۡسَٰنِ إِلَّا ٱلۡإِحۡسَٰنُ

“Shpërblimi i mirësisë a mund të jetë gjë tjetër përveç mirësisë?!”[7]

Dhe tha:

– Mukaukisi i kishte dërguar dhurata Profetit tonë s.a.v.s.. Mendoj që vajzën dhe shërbëtoret e saj dhe gjithë pasurinë që ato kanë me vete, t’ia kthejmë Mukaukisit.

Të gjithë e quajtën të drejtë mendimin e ‘Amr bin el-‘Asit. Më pas, ‘Amri ia nisi Mukaukisit bijën e tij, Armanusen, bashkë me bizhuteritë, shërbëtoret dhe shërbëtorët e saj me nderim të madh. Në rrugën për kthim, shërbëtorja e saj i tha princeshës Armanuse:

– Ne jemi të rrethuar nga arabët!

– E ndiej më të sigurt jetën dhe nderin tim në çadrën e arabëve, sesa në pallatin e tim at, iu përgjigj Armanusja. Pasi mbërriti te babai i saj, ajo ia tregoi sjelljen e muslimanëve. Mbreti u gëzua shumë.[8]

Pushtimi i Um Dunejnit [Tendunyas]

Në histori përmendet edhe pushtimi i një vendi të quajtur Um Dunejn [Tendunyas]. Pas pushtimit të Bilbeist, Hazret ‘Amr bin el-‘Asi r.a. po përparonte përgjatë perimetrit të shkretëtirës, dhe arriti në një vend afër um Dunejnit, që ndodhej në bregun e Nilit, pranë burimit të Kanalit të Trajanit. Ky kanal ishte afër Suezit dhe bashkohej me qytetin e Egjiptit dhe me Detin Mesdhe, ku ndodhet sot Azbakeja, një nga lagjet e Kajros. Gjatë asaj kohe, Um Dunejni gjendej pikërisht në këtë vend, të cilin bizantinët e kishin fortifikuar. Në afërsi ishin brigjet e Nilit, ku ankoroheshin varka me shumicë. Kjo zonë ishte në veri të Babilonisë dhe ishte kalaja më e madhe e qytetit të Egjiptit.

Për këtë arsye, Um Dunejni mund të konsiderohet si posti më kryesor mbrojtës për ruajtjen e këtij rajoni të çmuar, të cilin egjiptianët e vlerësonin si kryeqendër të shumë Faraonëve të kaluar.

Muslimanët ngritën kampin pranë Um Dunejnit. Bizantinët kishin dërguar paraprakisht ushtrinë e tyre më të mirë në fortesën e tyre në Babiloni, duke e përforcuar fortesën e Um Dunejnit. Ishin gati për betejë. Sipas informacioneve që i sollën zbuluesit, Hazret ‘Amr bin el-‘Asi r.a.  vlerësoi se forcat e tij nuk ishin të mjaftueshme për ta rrëzuar kështjellën e Babilonisë ose qoftë për ta rrethuar atë. Ai dërgoi një lajmëtar me një letër në Medinë me mesazhin ku përshkruante rrethanat e udhëtimit të tij në Egjipt, informacionet mbi kalatë e kundërshtarëve dhe nevojën për përforcime të reja për t’i sulmuar ato. Ai gjithashtu i njoftoi forcat e tij se përforcimet do t’i bashkoheshin së shpejti.

Më pas, ata përparuan në drejtim të Um Dunejnit dhe e rrethuan kalanë, duke ia ndalur rrugët nëpërmjet të cilave ushtria e tyre furnizohej me nevojat e ushtarake. Bizantinët që gjendeshin brenda kalasë në Babiloni, as nuk tentuan të dilnin, sepse e kishin parë çfarë i kishte ndodhur Artabunit në Bilbeis. Ata e dinin se nuk kishin takat të luftonin me arabët në fushëbetejë. Megjithatë, forcat e Um Dunejnit dilnin herë pas here, por ktheheshin të dështuara pas përleshjeve. Kaluan shumë javë në këtë gjendje. Ndërkohë, erdhi lajmi nga Kalifi i kohës që përforcimet e para ishin nisur tashmë, dhe që do të mbërrinin nga dita në ditë. Lajmi ua shtoi muslimanëve forcën dhe guximin.[9]

Hazret Omeri r.a. dërgoi 4000 ushtarë për ndihmën e ushtrisë muslimane. Ai caktoi nga një komandant mbi çdo njësi të 1000 ushtarëve. Këta komandantë ishin:

  • Hazret Zubejr bin ‘Avvami r.a.
  • Hazret Mikdad bin Esvedi r.a.
  • Hazret ‘Ubade bin Samiti r.a.
  • Hazret Mesleme bin Mukhal-ledi r.a.

Sipas një rrëfimi tjetër, në vend të Hazret Mesleme bin Mukhal-ledit, komandanti ishte Kharixhe bin Hudhafe. Bashkë me përforcimet, Hazret Omeri i shkroi Hazret ‘Amr bin el-‘Asit:

– Tashmë keni 12,000 ushtarë, dhe kjo ushtri nuk do të mposhtet kurrë vetëm për shkak të numrit të saj të vogël.

Strategjia e Hazret ‘Amr bin el-‘Asit në betejë

Bizantinët morën me vete luftëtarët koptë të paepur dhe dolën për t’u përballur me muslimanët. Lufta midis tyre qe shumë e fortë. Hazret ‘Amr bin el-‘Asi përdori një strategji duke ndarë ushtrinë e tij në tri pjesë. Njërën pjesë e vendosi në afërsi të Xhebel Ahmerit, pjesën e dytë në afërsi të Um Dunejnit, në bregun e Nilit, kurse pjesën e tretë të mbetur e mori me vete për ta pritur ushtrinë kundërshtare.

Në kohën kur të dyja ushtritë po luftonin me zjarr e me hekur, ushtria e vendosur në Xhebel Ahmer doli nga mbrapa dhe bëri një sulm të beftë, duke çorientuar krejt organizimin e ushtrisë kundërshtare. Ata morën rrugën e arratisë drejt Um Dunejnit, ku po qëndronte në gatishmëri të plotë pjesa e tretë e ushtrisë muslimane. Nuk kishin si ta kapërcenin pengesën e ngritur nga muslimanët. Në këtë mënyrë, ushtria bizantine ngeci në mënyrë të pazgjidhshme midis tri ushtrive të muslimanëve dhe përfundimisht u mund.[10]

Pushtimi i Fajumit

Duke iu referuar pushtimeve të ndryshme përmendet që pas pushtimit të Um Dunejnit, fitoren e parë Hazret ‘Amr bin el-‘Asi arriti në Fajum [Faiyum]. Prijësi i këtij vendi u vra në këtë betejë.[11]

Beteja në Ajnush-Shems

Pas kësaj, muslimanët u ndeshën me bizantinët në Ajnush-Shems. Përpara kësaj, Hazret ‘Amr bin el-‘Asit i erdhën përforcimet prej 8000 ushtarësh, nën komandën e Hazret Zubejr bin ‘Avvamit r.a. dhe në këtë ushtri qenë edhe Hazret ‘Ubade bin Samiti r.a., Hazret Mikdad bin Esvedi r.a., Hazret Mesleme bin Mukhal-ledi r.a. etj.. Musilmanët e fituan edhe këtë betejë. Pas kësaj, muslimanët e pushtuan të gjithë provincën e Fajumit. Gjithashtu, një pjesë e ushtrisë së muslimanëve arriti të pushtonte edhe Ithribin dhe Menufin që ishin dy qytete të provincës Menufije.[12]

Çlirimi i fortesës së Babilonisë ose i Fustatit

Pas pushtimit mbi Um Dunejnin, Hazret ‘Amr bin el-‘Asi r.a. përparoi drejt fortesës së Babilonisë dhe e vuri në unazën e hekurt të rrethimit të tij.

Ngjarje interesante e emërtimit të qytetit Fustat

Ky vend tani quhet Fustat dhe ka një arsye të emërtimit të tij. Në arabisht fustat u thonë çadrave. Pas çlirimit të fortesës, Hazret ‘Amri r.a. i lëshoi ushtrisë së vet urdhrin për t’u larguar nga ky vend. Rastësisht një pëllumb kishte ndërtuar fole pikërisht në çadrën e Hazret ‘Amrit. Kur ai e pa folenë, porositi – Këtë çadër mos e hiqni. Pasi u kthye nga Aleksandria, Hazret ‘Amri r.a. ndërtoi një qytet në këtë vend, andaj qyteti e mori emrin Fustat, pra çadër.[13]

Rrethimi shtatë mujor i kështjellës, por pa një rezultat përfundimtar

Ushtria mbrojtëse e kalasë, sipas historianëve, përbëhej afërisht nga 5000 – 6000 ushtarë, të armatosur gjer në dhëmbë. Hazret ‘Amri r.a. e filloi rrethimin e kështjellës. Pas kështjellës së Aleksandrisë, kjo ishte kështjella më e fortë, e ndërtuar me tulla të plota, e rrethuar nga ujërat e Nilit. Ngaqë varkat mund të vinin deri te porta e kështjellës, ajo konsiderohej një pikë e volitshme për nevojat e shtetit. Arabët nuk kishin mjetet e nevojshme për ta sulmuar atë dhe as nuk ishin të përgatitur.[14]

Megjithatë, si fillim Hazret ‘Amr bin el-‘Asi r.a. bëri përgatitjet e rrethimit. Mukaukisi, mbreti i Egjiptit, kishte mbërritur në kështjellë, përpara se Hazret ‘Amri ta rrethonte atë. Mbreti bënte përgatitje për përballje. Hazret Zubejri r.a. hipur në kalin e tij, i bëri një survejim kështjellës rreth e përqark, për të pozicionuar ushtarët këmbësorë dhe kalorësit në vende ku kishte nevojë. Rrethimi zgjati deri në 7 muaj pandërprerë, megjithatë, nuk u vendos dot për fituesin dhe humbësin.[15]

Gjatë kësaj periudhe, ushtria bizantine dilte nga kështjella herë pas here dhe edhe ndeshej me muslimanët, për t’u rikthyer sërish brenda. Mukaukisi disa herë dërgoi edhe emisarë të tij drejt Hazret ‘Amr bin el-‘Asit r.a. edhe për negociata, edhe për të kërcënuar. Hazret ‘Amri dërgoi ‘Ubade bin Samitin r.a., duke vendosur vetëm tri alternativa: të bëheshin muslimanë, të jepnin xhizjen, ose të luftonin. Tha se nuk kishte asnjë alternativë tjetër që mund ta hapte rrugën e pajtimit.

Mukaukisi pranoi të paguante xhizjen dhe vetë shkoi për të takuar Herakliun për t’i marrë leje për këtë çështje. Por Herakliu e refuzoi propozimin, madje, u zemërua aq shumë prej Mukaukisit sa e ndëshkoi duke e dëbuar nga vendi.[16]

Rrëzimi i kështjellës së Babilonisë kur u vonua tej mase shumë, Hazret Zubejr bin ‘Avvami r.a. tha

– Unë po shkoj të flijohem në rrugën e Allahut, dhe shpresoj se Allahu i Madhërishëm nëpërmjet kësaj do t’u japë fitore muslimanëve!

Me të thënë këtë, me shpatë të zhveshur iu afrua kështjellës. Vendosi shkallë në ledhin e saj dhe u ngjit sipër. Atë e ndoqën edhe disa sahabë të tjerë. Sapo hipën në ledh, të gjithë brohoritën. Pas tyre e gjithë ushtria ngriti sloganin me zë kaq të lartë saqë u dridh toka. Të krishterët e kuptuan që muslimanët tashmë kishin hyrë në kështjellë. Krejt të çorientuar vrapuan në drejtime të ndryshme. Hazret Zubejri r.a. zbriti nga muri i kështjellës dhe arriti ta hapte portën. Brenda pak çastesh e gjithë ushtria muslimane ishte brenda. Duke luftuar e fituan kështjellën.[17]

Hazret ‘Amr bin el-‘Asi u dha garancinë e paqes me kushtin që ushtria bizantine të largohej duke marrë me vete ushqimin disa ditor, pa prekur magazinat dhe armët që gjendeshin në kështjellë, pasi ato ishin plaçkë lufte për muslimanët. Pas kësaj, Hazret ‘Amr bin el-‘Asi rrëzoi kupolat dhe muret e gjata dhe të forta të kështjellës së Babilonisë.[18]

Pas fitores mbi kështjellën e Babilonisë, ushtria muslimane pushtoi vende dhe kështjella të ndryshme të Egjiptit, më të rëndësishmet prej tyre ishin Tarnuti, Nakjusi, Sultejsi, Kirjuni, etj..[19]

Çlirimi i Aleksandrisë

Si ndodhi Çlirimi i Aleksandrisë? Në lidhje me këtë, historianët shkruajnë që pas fitores në Fustat, Hazret Omeri r.a. lejoi të bënin përpjekje edhe për çlirimin e Aleksandrisë.

Në Kirjun që ndodhet mes Aleksandrisë dhe Fustatit, pati një betejë e ashpër me bizantinët, në të cilën muslimanë fituan. Pas kësaj, bizantinët deri në Aleksandri nuk u përballën me muslimanët. Mukaukisi donte të bënte pajtimin duke paguar xhizjen, pavarësisht se bizantinët vijuan t’i bënin trysni për luftë. Përfundimisht, ai i dërgoi mesazh Hazret ‘Amr bin el-‘Asit që ai dhe populli kopt nuk po merrnin pjesë në këtë luftë, andaj, ata nuk duhet të dëmtoheshin.

Koptët u distancuan nga përballja me musilmanët, madje e ndihmuan ushtrinë muslimane, duke ua rregulluar rrugën dhe urët. Edhe në betejën e Aleksandrisë, koptët i furnizuan muslimanët me ushqime.

Për të kuptuar se sa e rëndësishme ishte fitorja mbi Aleksandrinë, mjafton vetëm një fakt që në kohën kur muslimanët e pushtuan Aleksandrinë, ajo shërbente si kryeqyteti i shtetit. Pas Kostandinopojës, ajo konsiderohej qyteti më i madh i Perandorisë Bizantine. Përveç kësaj, Aleksandria ishte qyteti i parë në botë për sa i përket tregtisë ndërkombëtare.

Bizantinët e dinin shumë mirë se nëse muslimanët do ta pushtonin edhe Aleksandrinë, kjo do t’u sillte pasoja të rënda. Të shqetësuar nga këto rrethana, Herakliu një herë kishte pohuar deri këtu që nëse arabët do ta rrëzonin Aleksandrinë, do të shkatërroheshin bizantinët.

Në Aleksandri Herakliu personalisht kishte bërë përgatitje për të luftuar me muslimanët, por vdiq gjatë përgatitjeve. I biri mori fronin e Kostandinopojës. Për shkak të ledheve të saj të drejta dhe madhështore, dhe për shkak të vendndodhjes strategjike si dhe për numrin e madh të rojtarëve që kishte, Aleksandria zinte një vend unik në të gjitha kështjellat e tjera.

I shqetësuar nga rrethimi i gjatë i Aleksandrisë që vijoi deri në 9 muaj, Hazret Omeri r.a. i shkroi një letër [Hazret ‘Amr bin el-‘Asit r.a.] duke thënë:

– Ndoshta jeni bërë të prirë për qejf, se fitorja nuk duhej vonuar kaq gjatë. Nxitni muslimanët për xhihad duke ua lexuar mesazhin tim dhe bëni sulmin!

Pasi ua lexoi letrën, Hazret ‘Amr bin el-‘Asi r.a. thirri Hazret Ubade bin Samitin r.a. dhe ia dorëzoi flamurin. Më pas, muslimanët bënë një sulm të fuqishëm dhe e rrëzuan qytetin. Hazret ‘Amri menjëherë dërgoi lajmëtar drejt Medinës duke porositur të shkonte sa më shpejt të ishte e mundur për t’i dhënë Emirit të Besimtarëve lajmin e madh të fitores.

“Si mund të mendoje që unë të flija gjatë ditës?!”

Lajmëtari hipi në deve dhe duke kaluar qytet pas qytetesh, në kohën e drekës mbërriti në Medinë. Mendoi se mund të ishte kohë pushimi për Kalifin e kohës. Andaj, në vend të shkonte në zyrën e Kalifit, iu drejtua xhamisë së Profetit. Rastësisht aty kaloi një shërbëtore e Hazret Omerit dhe e pyeti se kush ishte dhe prej nga vinte.

– Po vij nga Aleksandria, iu përgjigj lajmëtari.

Shërbëtorja shkoi dhe e njoftoi Hazret Omerin dhe, pa vonesë, u kthye dhe i tha

– Të kërkon Emiri i Besimtarëve.

Edhe vetë Hazret Omeri r.a. duke mos pritur po bëhej gati për të dalë, ndërkohë mbërriti lajmëtari. Sapo e dëgjoi lajmin e fitores, ra në sexhde për të falënderuar Allahun. Më pas, shkoi në xhami dhe bëri njoftimin:

Es-salatu xhami’e!

E gjithë Medina u mblodh. Lajmëtari u dha të gjitha lajmet e fitores. Më pas, Hazret Omeri r.a. e mori lajmëtarin në shtëpinë e tij për të ngrënë bukë.

– Pse nuk erdhe direkt tek unë? E pyeti Hazret Omeri lajmëtarin.

– Mendova se jeni duke pushuar, iu përgjigj ai.

– Si mund të mendoje që unë të flija gjatë ditës, duke pasur barrën e Kalifatit mbi supe?! I tha Hazret Omeri r.a..

Liria fetare e vendosur në Aleksandri nga muslimanët

Çlirimi i Aleksandrisë shkaktoi fitoren e të gjithë Egjiptit. Në këto beteja një numër i madh të kundërshtarëve ranë rob. Hazret Omeri r.a. përmes një letre e porositi Hazret ‘Amrin:

– Thuajuni të gjithë të robëruarve në daç të pranojnë fenë islame, në daç të qëndrojnë në fenë e tyre. Nëse e pranojnë fenë islame, do të trajtohen njësoj si muslimanët e tjerë, nëse jo, do të japin xhizjen siç japin të tjerët.

Kur iu lexua ky udhëzim i Hazret Omerit të burgosurve, një pjesë e tyre e pranuan Islamin, dhe një pjesë tjetër qëndruan në fenë e tyre. Çdo herë kur dikush prej tyre shprehte dëshirën për të pranuar Islamin, musilmanët brohorisnin duke thënë – Allahu Ekber! Dhe çdo herë kur dikush shprehte dëshirën për të qenë i krishterë, të krishterët që të gjithë e përgëzonin, kurse muslimanët shprehnin keqardhje.[20]

Shkatërrimi i Bibliotekës së Aleksandrisë

Incidenti i djegies së Bibliotekës së Aleksandrisë përmendet shpesh me tone të ndezura nga orientalistë të ndryshëm. Cili është realiteti i kësaj ngjarjeje? Duke iu referuar fitores së muslimanëve mbi Aleksandrinë, kundërshtarët, sidomos historianë të krishterë ngrenë akuzën se gjoja Hazret Omeri r.a. urdhëroi të digjnin një bibliotekë të madhe që gjendej në Aleksandri, duke krijuar përshtypjen se sa shumë armiq të dijes dhe të logjikës ishin muslimanët, neudhubil-lah.[21] Sipas tyre, muslimanët e kanë djegur Bibliotekën e Aleksandrisë, zjarri i së cilës vijoi të digjej për gjashtë muaj. Ndërkohë, edhe logjika, edhe argumentet historike tregojnë hapët se akuza në fjalë është tërësisht e sajuar, sepse muslimanët janë populli, të cilin Zoti dhe Udhëheqësi i tyre s.a.v.s. e kanë porositur:

طَلَبُ الْعِلْمِ فَرِیْضَۃٌ عَلٰى کُلِّ مُسْلِمٍ

Kërkimi i dijes është i detyrueshëm për çdo musliman.[22]

Kurse Kurani i Shenjtë në dhjetëra ajete i ka urdhëruar të thellohen, të arsyetojnë, të logjikojnë, të mësojnë dhe të fitojnë dijen. Duhet të jesh tërësisht kundër logjikës të ngresh një akuzë të tillë ndaj muslimanëve.

Përveç kësaj, shumë nga historianët, ndër të cilët ka edhe të krishterë dhe europianë, e hodhën poshtë këtë akuzë, duke dhënë prova që incidenti i djegies së bibliotekës së Aleksandrisë është tërësisht i sajuar.

Një dijetar i Egjiptit, Muhammed Rada, në librin e tij “Siretu Omer Faruk r.a.”, duke e përmendur këtë ngjarje, shkruan:

Incidentin e djegies së bibliotekës së Aleksandrisë e përmend Ebul-Ferxh Mulettij, në një libër historie të titulluar “Muhteserut-Duvel”. Historiani në fjalë lindi në vitin 1226 dhe vdiq më 1286. Ai shkruan që në kohën kur muslimanët fituan Aleksandrinë, kishte një prift të quajtur Juhena en-Nehvi, të cilin muslimanët e quanin Jahja, që i përkiste sektit Jekubije të të krishterëve por që më vonë u tërhoq nga doktrina e trinitetit, një herë i kërkoi ‘Amr bin el-‘Asit librat e mjekësisë nga Khazainul-melukijje [Biblioteka e Aleksandrisë].

(Kjo histori është tërësisht e pavërtetë dhe e sajuar, megjithatë, për ta rrëzuar akuzën, po jua paraqes siç e tregojnë ata.)

Atëherë Hazret ‘Amr bin el-‘Asi r.a. iu përgjigj që mund të vepronte vetëm pasi të këshillohej me Hazret Omerin r.a.. Hazret Omeri r.a., sipas tij, i shkroi: “Librat që ju keni përmendur, nëse dija e tyre përputhet me Librin e Allahut, neve na mjafton ajo që është e shkruar në Librin e Allahut. Dhe nëse ajo nuk përputhet me Librin e Allahut, nuk na duhen fare libra të tillë. Andaj, asgjësoni librat e tillë.” Atëherë, sipas këtij rrëfimi, Hazret ‘Amr bin el-‘Asi filloi të seleksiononte librat në Aleksandri dhe i dogji në furrat e saj, dhe u deshën gjashtë muaj që të digjeshin të gjithë librat.

Ky rrëfim nuk përmendet as në Tarikh Tabari, as në Ibni Ethir, as në Ja’kubi e Kindi, as në Ibni ‘Abdil-Hakem, as në Biladheri dhe as në Ibni Kheldun. Atë e përmend vetëm Ebul-Ferxhi në mesin e shekullit XIII e.s. ose në fillim të shekullit VII h., pa dhënë asnjë burim.

Profesor Butler bëri hulumtime rreth Juhenna Nehviut dhe shkroi që në vitin 642 ku pretendohet që të ketë ndodhur incidenti i djegies së bibliotekës, Juhenna Nehviu nuk ishte i gjallë fare.

Enciklopedia Britannica pohon që Juhenna jetoi në periudhën mes fundit të shek. V dhe fillimit të shek. VI, kurse pushtimi i Egjiptit ndodhi në fillim të shekullit VII. Bazuar në këtë fakt, Prof. Butler thotë me të drejtë që deri atëherë Juhenna kishte vdekur.

Pra, të dhënat historike tregojnë hapët që personi kyç që përmendet në këtë incident të sajuar, kishte vdekur përpara pushtimit të Egjiptit.

Po kështu, Dr. Hassan Ibrahim Hassan me referencën e Prof. Ismailit, në librin e tij “Historia e ‘Amr bin el-‘Asit” shkruan ‘Biblioteka e Aleksandrisë as nuk ekzistonte në atë kohë, sepse njërës prej dy pjesëve kryesore të saj, ushtarët e Julius Cezarit në vitin 47 p.e.s., i kishin vënë zjarr pa arsye. Jo shumë vonë, edhe pjesa e dytë e saj ishte asgjësuar. Kjo ndodhi me urdhër të peshkopit Theophlius në shekullin IV e.s..

“Historia e djegies së Bibliotekës së Aleksandrisë është krejtësisht e pabazë dhe qesharake”

Profesor Butler shkruan:

Historia e Ebul-Ferxhit është krejtësisht e pabazë dhe qesharake. Nëse do t’u duhej të digjnin librat, ata mund t’i digjnin në një kohë të shkurtër. Nëse do t’i kishin djegur për gjashtë muaj, shumë prej tyre edhe mund të vidheshin. Gjithashtu, arabët nuk shquhen për shkatërrimin e sendeve të ndonjë vendi.

Gibboni shkruan: Mësimet islame e kundërshtojnë një histori të tillë, sepse mësimet e tij janë që muslimanët nuk duhet të djegin librat e hebrenjve e të krishterëve në luftë. Për sa i përket përfitimit nga shkenca, filozofia, poezia dhe mësimet e tjera fetare, Islami ua lejon muslimanëve. Në zonat e pushtuara, muslimanët ndaluan shembjen e kishave dhe dëmtimin e sendeve të tyre, madje ata u jepnin lirinë fetare jo-muslimanëve. Atëherë, a mund të pranojë një që ka logjikë të shëndoshë që Kalifi i muslimanëve të mund të ketë urdhëruar djegien e bibliotekës së Aleksandrisë?![23]

Në librin e tij “Tesdik Berahin-e-Ahmedia”, Hazret Kalifi i Parë i Mesihut të Premtuar r.a. i përgjigjet kësaj akuze. Ai thotë:

“[Pretendohet se] me kërkesën e mjekut Philoponus dhe Fazil Exhelit, Komandanti i përgjithshëm musliman, ‘Amri bin el-‘Asi pyeti Hazret Omerin, Emirin e Besimtarëve, Kalifin e Dytë të Islamit, se çfarë të bënte me bibliotekën, dhe që Kalifi iu përgjigj që ajo duhet të digjej menjëherë dhe për këtë arsye, furrat u ngrohën vazhdimisht për gjashtë muaj. Ky pretendim i priftërinjve është si rezultat i inatit dhe që nuk ka asnjë të vërtetë.

Mendoni pak, nëse kjo do të ishte praktikë e Islamit, Kalifi i tij, pra Hazret Omeri r.a., më së pari do të digjte librat e shenjtë të hebrenjve dhe të krishterëve, pasi ata ishin popujt e parë të cilëve u drejtohet Islami. Më pas, do të digjnin edhe librat e magistëve, sepse muslimanët patën sundim të plotë mbi ta, por asnjë historian nuk tregon qoftë një ngjarje të vogël që muslimanët t’ua kenë djegur librat. Nëse kjo praktikë do të ishte pjesë e Islamit, Islami patjetër do të kishte ndonjë udhëzim konkret në lidhje me këtë, pasi asgjë nuk e pengonte fenë Islame nga një gjë e tillë.

Së dyti, djegia e librave të shenjtë po të ishte praktikë e mbretërve muslimanë ose qoftë edhe e popullit musliman, kurrë nuk do të gjendeshin përkthimet në arabisht të librave të filozofisë dhe të mjekësisë greke dhe të shkencave të tjera.

Së treti, [e thotë duke iu drejtuar akuzuesit që pretendonte ta hidhte poshtë librin “Berahin-e-Ahmedia”] nëse djegia e librave do të ishte praktikë te muslimanët, autori i “Tekdhib Berahin-e-Ahmedia” duhet të sillte qoftë një shembull nga vetë vendi i tij, dhe nuk kishte nevojë të shkonte matanë detit deri në Aleksandri. Pra, muslimanët a kanë djegur libra në Indi?!

Së katërti, muslimanët sunduan në Indi për më shumë se 700 vjet. Dhe hindutë kanë librat e tyre të shenjtë si  Bhagavad Gita, Ramajana, Mahabharata dhe libra të tjerë të njohur fetarë si Linga Puran dhe Markandeja, të cilët ekzistojnë edhe sot e gjithë ditën dhe konsiderohen si shkrimet e shenjta të hinduve. A ka dëgjuar dikush ndonjëherë që ndonjë musliman të ketë djegur ndonjë libër të tyre?! Përkundrazi, muslimanët kanë përkthyer disa prej këtyre librave. Prandaj, është për t’u habitur, pra, se hindutë si mund të supozuan se muslimanët ua kanë djegur librat? Mendoni për këtë me drejtësi.”[24]

Hazret Mevlana Abdul-Kerimi r.a. gjithashtu në librin “Tesdik Berahin-e-Ahmedia” ka lënë një shënim duke iu përgjigjur pikërisht akuzës në fjalë. Ai thotë:

Ndonëse deri në kohën kur kjo ngjarje nuk ishte hulumtuar në dritën e fakteve, muslimanët akuzoheshin për djegien e bibliotekës së Aleksandrisë, por tani ka shumë pak studiues që edhe të përkrahin drejtësinë dhe të vërtetën, edhe akuzën ndaj muslimanëve. Akuza në fjalë u ngrit për shkak të mërisë dhe disa herë për shkak të padijenisë.

Madje, për herë të parë kjo akuzë u ngrit 580 vjet pas “incidentit”, dhe dy historianë që përmendën këtë ngjarje, nuk kanë dhënë asnjë referencë autentike. Saint Croix që është autor i shumë librave për hulumtimin e Bibliotekës së Aleksandrisë, e hedh poshtë këtë rrëfim.

Është zbuluar që këta libra u dogjën gjatë luftës së Julius Cezarit. Kështu që, Plutarch shkruan në “Life of Caesar” që Julius Cezari dogji anijet e veta nga frika që ato do të binin në duart e armikut, dhe pikërisht ky zjarr duke u përhapur përpiu edhe bibliotekën e famshme dhe madhështore të Aleksandrisë.

Në librin e tij “Dictionary of Dates Relating to all Ages” Haydn pasi e citoi këtë rrëfim të rremë, arsyetoi që “kjo histori është shumë e dyshimtë. Muslimanët nuk e pranuan transmetimin, në të cilin raportohet Omeri (r.a.) ka urdhëruar djegien e librave që ishin në kundërshtim me Islamin. Disa ia atribuojnë këtë ngjarje Theophilusit të Aleksandrisë, i cili jetoi rreth vitit 391 të e.s., dhe të tjerë ia atribuojnë kardinalit Jimenez, i cili jetoi rreth shekullit XV e.s..”

Haydn më tej shkruan: “Personaliteti ynë i shquar, Dr Leitner e ka përmendur këtë rrëfim të gabuar në librin e tij “Sinnin El-Islam”, dhe për fat të keq, mjeku i nderuar ka gabuar në kërkimet e tij.”

Në librin e tij të famshëm, John William Draper e ka përmendur këtë incident me transmetuesit e rremë, por më vonë pranon se kjo ngjarje ishte e sajuar. Ai shkruan:

“Në të vërtetë, këta libra u dogjën gjatë një beteje të Jul Cezarit. Tanimë mund të thuhet me bindje të plotë se ky incident [që e kanë djegur muslimanët bibliotekën] është i pabazë dhe vetëm përrallë. Nëse ka një incident për të cilin ia vlen të qajmë, ai është kur kardinali fanatik Jimenez dogji 80,000 dorëshkrime arabe në fushat e Granadës”.

Kur të krishterët morën kontrollin e Spanjës nga muslimanët, ata dogjën 80,000 libra nga Biblioteka e Granadës. Kjo është diçka për të cilën me të vërtetë duhet të pikëllohesh, në krahasim me akuzën e rreme kundër Islamit.

“Shih “Conflict Between Religion and Science””.[25]

Kjo pra ishte historia e djegies së bibliotekës së Aleksandrisë, që ua atribuojnë rrejshëm muslimanëve.

Çlirimi i Berkasë dhe i Tripolit

Pas kësaj vjen çlirimi i Berkasë [Cyrenaica], i Tripolit [Tarabulluzi] etj.. Pas fitores në Egjipt dhe pas vendosjes së paqes atje, ‘Amr bin el-‘Asi marshoi në drejtim të Magrebit, në mënyrë që vendet e pushtuara të mos kenë ndonjë rrezik nga kjo anë, pasi në Berka dhe Tripoli bizantinët kishin ushtri brenda kështjellës së tyre, e cila mund të bënin ndonjë sulm të beftë kundër muslimanëve në Egjipt.

Berka [Cyrenaica] është zona që ndodhet mes Aleksandrisë dhe Marokut. Në këtë zonë ka shumë qytete dhe fshatra. Në vitin 22 h., ‘Amr bin el-‘Asi u nis me ushtrinë e tij drejt Berkasë. Kjo rrugë ishte jashtëzakonisht e lulëzuar dhe me popullsi të dendur. Andaj, gjatë rrugës ai nuk hasi ndonjë komplot të armikut. Dhe kur mbërriti në destinacion, njerëzit u pajtuan për të dhënë xhizjen. Më pas, banorët e Berkasë shkonin vetë te guvernatori i Egjiptit dhe paguanin taksën e tyre. Muslimanëve as nuk iu desh të shkonin te ta e t’ua kërkonin. Këta ishin njerëzit më të thjeshtë në Magreb. Ata nuk përfshiheshin në asnjë sherr a trazirë.

Pas kësaj zone, ‘Amr bin el-‘Asi iu drejtua Tripolit, i cili ishte një qytet me kështjella të fortifikuara, dhe ku gjendej një ushtri e madhe e bizantinëve. Me të dëgjuar lajmin e ardhjes së muslimanëve, ata i mbyllën portat e kështjellave të tyre dhe zgjodhën të duronin rrethimin e muslimanëve.

Rrethimi vijoi për një muaj, por muslimanët nuk patën ndonjë sukses. Mbrapa qytetit të Tripolit ishte deti dhe nuk kishte ndonjë ledh midis detit dhe qytetit. Një çetë e muslimanëve pasi e kuptuan këtë sekret, u futën në qytet nga ana e detit. Me zë të lartë brohoritën Allahu Ekber!.

Ushtria bizantine nuk kishte asnjë rrugë tjetër përveçse të vraponin drejt anijeve për të shpëtuar. Sa shkuan andej, ‘Amr bin el-‘Asi i priti me ushtrinë e tij me një sulm të fuqishëm. Shumica prej tyre u vranë, me përjashtim të atyre që arritën të arratiseshin me anije. Mjetet dhe pasuritë që gjendeshin në qytet musilmanët i morën si plaçkë lufte.

Pas Tripolit, ‘Amr bin el-‘Asi e shpërndau ushtrinë e tij nëpër rrethina. Ai dëshironte që pas fitoreve në Magreb, të vijonte drejt Tunizisë dhe Afrikës. Për këtë ai i dërgoi një letër Hazret Omer bin el-Hettabit r.a.. Por Hazret Omeri r.a. ngurronte të lejonte ushtrinë muslimane për marshimet e mëtejshme, sidomos në rrethana kur musilmanët patën fitore pas fitoreje nga Shami deri në Tripoli dhe nuk mund të ishin ende të qetë nga zonat e pushtuara deri më tani. Për këtë arsye, ai urdhëroi që ushtria muslimane të ndalej në Tripoli.

Shteti islamik gjatë Kalifatit të Hazret Omer bin el-Hettabit r.a.

Shteti islamik gjatë Kalifatit të Hazret Omer Farukut r.a. arriti të prekte zonat më të largëta në hartën botërore. Në Lindje ajo kishte arritur deri në lumin Gihon dhe lumin Indus, kurse në Perëndim deri në shkretëtirën Sahara të Afrikës. Në Veri fillonte nga malet e Anadollit dhe Armenia dhe për të ardhur në Jug deri në Nube dhe në Oqeanin Paqësor. E gjithë perandoria muslimane po shfaqej në formën e një shteti ndërkombëtar.

Nubeja është zona jugore e Egjiptit, e cila është shumë e gjerë, dhe në të cilën popuj të ndryshëm dhe fe të ndryshme krijuan civilizimet e tyre. Pra, njerëzit e kombeve, feve dhe kulturave të ndryshme jetonin të gjithë në paqe dhe siguri në saje të drejtësisë dhe mëshirës së vendosur nga muslimanët. Feja Islame u dha njerëzve të drejtat e tyre të plota dhe nderoi shenjtërinë e jetës së tyre, pavarësisht se pati kundërshtime nga më të ndryshmet.[26]

Si ishte adhurimi i Zotit nga muslimanët gjatë luftërave?

Si ishte adhurimi i Zotit nga muslimanët gjatë luftërave? Duke përmendur këtë, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. pohon:

“Në botë, çdo gjë zhvillohet hap pas hapi. Punët e mëdha nuk bëhen brenda ditës, por gradualisht. Në kohën e Profetit Muhammed s.a.v.s. jo të gjithë muslimanët falnin namazin e tehexhudit [namazi i natës]. Ata e mësuan gradualisht. Derisa erdhi koha kur në kohën e Hazret Omerit r.a., edhe në ditë lufte muslimanët e falnin namazin e tehexhudit, ndonëse në kohën e Profetit s.a.v.s. nganjëherë nuk e falnin.

Pra, është e vërtetuar që gjatë Kalifatit të Hazret Omerit r.a. muslimanët e falnin namazin e natës edhe në kohë lufte. Kështu, një herë Herakliu vendosi t’i sulmonte gjatë natës. Por kjo u diskutua shumë në oborrin e tij mbretëror dhe përfundimisht u vendos të mos e bënin sulmin gjatë natës, pasi muslimanët nuk flinin, por falnin namazin edhe në atë kohë. Pra, kjo është një shenjë e përparimit të tyre, gjë që në fillim ata nuk e kishin. Në ditët e para, të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. iu desh të bënte shumë përpjekje dhe shumë nxitje që muslimanët ta falnin tehexhudin. Gradualisht erdhi një kohë kur edhe të dobëtit ishin mësuar me namazin e natës.”[27]

Zoti na dërgon vështirësitë për të bërë vetëpërmirësimin dhe zhvillimin shpirtëror

Duke përshkruar betejat që u zhvilluan gjatë kohës së Kalifëve të Drejtë, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

“Islami porositi jo vetëm të luftosh të keqën, por në disa raste edhe të durosh padrejtësinë. Kur dikush ju qëllon një shuplakë, Allahu i Madhërishëm në një ajet ju lejon t’i përgjigjeni me të njëjtën monedhë, por po aty ju porosit që nëse shikoni se hakmarrja është kundër parimeve të urtësisë, duhet të duroni duke mos iu përgjigjur shuplakës me shuplakë.

Andaj, argumenti që zakonisht u japim kundërshtarëve në lidhje me luftërat e muslimanëve, parimisht e kryen mbrojtjen e Hazret Ebu Bekrit r.a., të Hazret Omerit r.a dhe të Hazret Uthmanit r.a.. Pra, mësojmë që nuk ishte Hazret Ebu Bekri r.a. që bëri padrejtësinë, por Perandoria Bizantine; nuk ishte Hazret Omeri r.a. që bëri padrejtësinë, por Kisra [e Persisë], nuk e bëri padrejtësinë Hazret Uthmani r.a., por fiset që jetonin në zonat kufitare të Afganistanit, të Bukharasë, kurdët etj., por nuk gjejmë ndonjë arsye se pse Hazret Ebu Bekri nuk i fali ata? Pse Hazret Omeri r.a. nuk i fali ata? Pse Hazret Uthmani r.a. nuk i fali ata? Kur ata dolën për t’u përballur, mund t’i kishin thënë Cezarit:

– Ushtria juaj ka bërë këtë gabim, andaj, nëse shteti juaj na kërkon falje për gabimin e bërë, ne do t’jua falim; dhe nëse nuk do të na kërkoni falje, ne do të luftojmë me ju.

Pra, ata nuk i dhanë Cezarit opsionin e faljes duke thënë se ushtria juaj na ka shkaktuar këtë dëm, por mësimet tona na udhëzojnë që të falim armikun, andaj, nëse na kërkoni falje, jemi gati t’ju falim. Pra nuk ndodhi kështu. Përkundrazi, kur ata bënë padrejtësinë, muslimanët menjëherë u ngritën për të luftuar dhe më pas e vijuan luftën.

Kur ushtarët e Kisrasë i sulmuan muslimanët në kufirin e Irakut, në aspektin politikë sahabët kishin gjithë të drejtën për të luftuar kundër Kisrasë, por moralisht Hazret Omeri r.a. edhe mund t’i thoshte Kisrasë [pra, mbretit] – Ndoshta ju vetë nuk e keni dhënë urdhrin e këtij sulmi dhe mundet që ushtarët tuaj mund ta kenë bërë vetë sulmin, andaj, ne jemi gati ta tolerojmë gabimin tuaj, me kushtin që ju të na kërkoni falje duke u penduar për veprimin e bërë. Por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Po kështu, Hazret Uthmani r.a. nuk u tha kundërshtarëve të kohës së tij – Ju na keni bërë padrejtësi, por ngaqë feja jonë na jep edhe mësimin e faljes, andaj, jemi gati t’jua falim. Përkundrazi, ai menjëherë u ngrit, dërgoi ushtrinë për t’iu përgjigjur mizorisë dhe ushtria muslimane luftoi dhe më pas edhe e vijoi luftën. Cila ishte arsyeja e kësaj sjelljeje?

Hazret Musleh Maudi [Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar] r.a. vijon:

Nëse mendojmë më thellë, do të kuptojmë që arsyeja e kësaj nuk ishte tjetër gjë veçse që Hazret Ebu Bekri r.a. dinte që në momentin kur rreziku i jashtëm do të ulej, do të fillonin trazirat e brendshme. Andaj, ai nuk e shikonte sulmin si sulm nga Cezari, por nga caktimi i Zotit, në mënyrë që muslimanët të hynin në këtë vështirësi për të përmirësuar veten, për të sjellë në vete një jetë të re dhe një botë të re të ndryshimit. Hazret Omeri r.a. e dinte që sulmi nuk kishte ardhur thjesht prej Kisrasë, por prej caktimit të Zotit, që muslimanët të mos mbeteshin të shkujdesur, dhe duke jetuar në paqe, të mos bëheshin dembelë, por të ishin të zgjuar në çdo kohë. Po kështu, kur disa fise i sulmuan muslimanët, Hazret Uthmani r.a. e dinte që ky sulm nuk ishte prej tyre, por prej caktimit të Zotit, që muslimanët të zgjoheshin dhe të krijonin një shpirt të ri dhe një jetë të re brenda vetes.”[28]

Hazret Musleh Maudi [Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar] r.a. këtë e kishte thënë në një hutbe të tij, duke këshilluar anëtarët e Xhematit që vështirësitë vijnë për të na sjellë zhvillimin shpirtëror. Këtë parim duhet ta kemi parasysh edhe sot. Andaj, vështirësitë në të cilat gjendemi sot, duhet të na afrojmë me Zotin e Madhërishëm. Dhe ky pikërisht është mjet i suksesit.

Nëse ne frikësohemi nga vështirësitë dhe duke ngelur mbrapa, nuk i kushtojmë rëndësi vetëpërmirësimit, atëherë nuk do të kemi asnjë përparim. Po, kur t’i gëzojmë sukseset, kur të na largohen vështirësitë, edhe atëherë ne duhet të kemi lidhje të fortë me Zotin e Madhërishëm, por në këto ditë lidhjen me Zotin duhet ta forcojmë në mënyrë të veçantë dhe t’i kushtojmë rëndësi të veçantë zhvillimit dhe përmirësimit tonë shpirtëror. Duke e shpjeguar këtë temë, Hazret Musleh Maudi r.a. pohon

– Po nuk e kuptuam këtë, nuk kemi kuptuar asgjë.

Dhe pikërisht këtë mësim sot duhet ta kuptojë çdo ahmedian.

(Gazeta “Al-Fazl International”, 26 tetor 2021, fq. 5-10.)

Referencat

[1] Hazret Mirza Beshiruddin Mahmud Ahmed r.a., “Spain aur Sicily main tablighe-e-Islam aur Xhema’at-e-Ahmedijja”, “Envarul-‘ulum”, vëllimi XVIII, fq. 359-360.
[2] Muhammed Husejn Hejkel, “Hazret ‘Umer Faruk A’dham”, përkthyes: Habib Esh’ar, botues: “Islami kutubhane”, Lahore, fq. 556-557.
[3] Shibli Nu’mani, “El-Faruk”, botues: “Darul-isha’at”, Karaçi 1991, fq. 160.
[4] Ebur-Rebi’ el-Kel-la’i, “El-Iktifau bima tadam-menehu megazi Resulull-llahi veth-thelathetul-khulefai”, kapitulli: “Istikhlaf ‘Umer bin el-Khattab”, vëllimi II, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 1420 h. / 1999, fq. 324-325.
[5] Shikoni, Sahih Muslim, Bab vesijetin-Nebij s.a. bi ehli Misr, nr. i hadithit 2543.
[6] Dr. ‘Ali Muhammed Sal-labi, “Siret Emirul-Mu’minin ‘Umer bin Khattab”, përkthim, botues: “El-Furkan Trust”, Khangarh, fq. 757-758. Muhammed Husejn Hejkel, “Hazret ‘Umer Faruk A’dham”, përkthyes: Habib Esh’ar, botues: “Islami kutubhane”, Lahore, fq. 564-565. Ebur-Rebi’ el-Kel-la’i, “El-Iktifau bima tadam-menehu megazi Resulull-llahi veth-thelathetul-khulefai”, vëllimi II, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 1420 h. / 1999, fq. 324-325. Jakut el-Hamavi, “Mu’xhemul-Buldan”, vëllimi I, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, zëri: (Bilbeis – بِلْبِيس), Bejrut, fq. 567. Ahmed Adil Kemal, “Atlas futuhat-e-islamijje”, vëllimi II, botues: “Darus-Selam”, Rijad 1428 h. / 2007, fq. 225.
[7] Kurani i Shenjtë 55:61.
[8] Dr. ‘Ali Muhammed Sal-labi, “Siret Emirul-Mu’minin ‘Umer bin Khattab”, përkthimi urdu, botues: “El-Furkan Trust”, Khangarh, fq. 758-759.
[9] Muhammed Husejn Hejkel, “Hazret ‘Umer Faruk A’dham”, përkthyes: Habib Esh’ar, botues: “Islami kutubhane”, Lahore, fq. 567-570.
[10] Dr. ‘Ali Muhammed Sal-labi, “Siret Emirul-Mu’minin ‘Umer bin Khattab”, përkthim, botues: “El-Furkan Trust”, Khangarh, fq. 759.
[11] Muhammed Husejn Hejkel, “Hazret ‘Umer Faruk A’dham”, përkthyes: Habib Esh’ar, botues: “Islami kutubhane”, Lahore, fq. 571-572.
[12] Muhammed Husejn Hejkel, “Hazret ‘Umer Faruk A’dham”, përkthyes: Habib Esh’ar, botues: “Islami kutubhane”, Lahore, fq. 573, 579. Ahmed Adil Kemal, “Atlas futuhat-e-islamijje”, vëllimi II, botues: “Darus-Selam”, Rijad 1428 h. / 2007, fq. 229.
[13] Shibli Nu’mani, “El-Faruk”, botues: “Darul-isha’at”, Karaçi 2004, fq. 150-151.
[14] Muhammed Rida, “Siret ‘Umer Faruk r.a.”, botues: “Mektebe Islamijje”, Lahore 2010, fq. 264-265.
[15] Shibli Nu’mani, “El-Faruk”, botues: “Darul-isha’at”, Karaçi 2004, fq. 150.
[16] Dr. ‘Ali Muhammed Sal-labi, “Sejjiduna ‘Umer bin Khattab shakhsijjet aur kar namaj”, përkthimi në urdu, botues: “El-Furkan Trust”, Khangarh, fq. 760. Muhammed Husejn Hejkel, “Hazret ‘Umer Faruk A’dham”, përkthyes: Habib Esh’ar, botues: “Islami kutubhane”, Lahore, fq. 582, 584, 590.
[17] Dr. ‘Ali Muhammed Sal-labi, “Sejjiduna ‘Umer bin Khattab shakhsijjet aur kar namaj”, përkthimi në urdu, botues: “El-Furkan Trust”, Khangarh, fq. 760. Shibli Nu’mani, “El-Faruk”, botues: “Darul-isha’at”, Karaçi 2004, fq. 150.
[18] Dr. ‘Ali Muhammed Sal-labi, “Sejjiduna ‘Umer bin Khattab shakhsijjet aur kar namaj”, përkthimi në urdu, botues: “El-Furkan Trust”, Khangarh, fq. 760.
[19] Muhammed Husejn Hejkel, “Hazret ‘Umer Faruk A’dham”, përkthyes: Habib Esh’ar, botues: “Islami kutubhane”, Lahore, fq. 602-603, 605, 608.
[20] Shibli Nu’mani, “El-Faruk”, botues: “Darul-isha’at”, Karaçi 1991, fq. 162-165. Dr. ‘Ali Muhammed Sal-labi, “Sejjiduna ‘Umer bin Khattab shakhsijjet aur kar namaj”, përkthimi në urdu, botues: “El-Furkan Trust”, Khangarh, fq. 760-764.
[21] Neudhubil-lah ose me’adhaAllah do të thotë “Kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga ky mendim!”
[22] Ibn Maxheh, “Sunen”, kitab: “El-Mukaddime”, bab: “Fadlul-‘ulemai vel-hath-thi ‘ala talebil-‘ilmi”, hadithi nr. 224.
[23] Muhammed Rida, “Siret ‘Umer Faruk r.a.”, botues: “Mektebe Islamijje”, Lahore 2010, fq. 294-297.
[24] Hazret Maulana Hakim Nuruddin r.a., “Tasdik Berahin-e-Ahmedijja”, vëllimi I, fq. 203-204.
[25] Hazret Maulana Hakim Nuruddin r.a., “Tasdik Berahin-e-Ahmedijja”, vëllimi I, fq. 203, fusnota.
[26] Dr. ‘Ali Muhammed Sal-labi, “Sejjiduna ‘Umer bin Khattab shakhsijjet aur kar namaj”, përkthimi në urdu, botues: “El-Furkan Trust”, Khangarh, pa vit botimi, fq. 765-766. Jakut el-Hamavi, “Mu’xhemul-Buldan”, vëllimi I, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, zëri: (Berka – بَرْقَة), Bejrut, pa vit botimi, fq. 462. Jakut el-Hamavi, “Mu’xhemul-Buldan”, vëllimi V, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, zëri: (Nube – نُوبَة), Bejrut, pa vit botimi, fq. 357.
[27] Hazret Mirza Beshiruddin Mahmud Ahmed r.a., “Khutubat-e-Mahmud”, vëllimi XIII, fq. 189.
[28] Hazret Mirza Beshiruddin Mahmud Ahmed r.a., “Khutubat-e-Mahmud”, vëllimi XXX, fq. 175-176.

LEXONI:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp