Çfarë është xhihadi?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
shpata xhihadi

Xhihadi – kuptimi dhe llojet e tij

Xhihadi është një fjalë arabe që do thotë: përpjekje palodhur për një kauzë madhore.[1]

Nga Kurani Famëlartë dhe hadithet e Profetit s.a.s. mësojmë 3 xhihade kryesore:

  1. Së pari, xhihadi ose përpjekja kundër shejtanit dhe nefsit.
  2. Së dyti, xhihadi ose përpjekja me anë të argumenteve të Kuranit për të përhapur Islamin.
  3. Së treti, xhihadi ose përpjekja për t’u mbrojtur nga ata që ju sulmojnë për shkak të besimit tuaj.

Sipas Kuranit dhe thënieve të Profetit s.a.s., është e qartë se dy të parat njihen si xhihadet më të mëdha kurse ai i fundit si xhihadi më i vogël. Veç kësaj, dy të parat janë të obligueshme për çdo musliman, në çdo kohë e në çdo vend, ndërsa ai i fundit është krejtësisht i kufizuar nga rrethanat specifike dhe është i obliguar vetëm kur ka nevojë. Nëse shohim jetën e Profetit Muhammed s.a., kjo nevojë lindi pas sfilitjesh të skaterrshme shumëvjeçare që ia bënë armiqtë muslimanëve: së pari muslimanëve iu hoq e drejta për të adhuruar Allahun, Zotin e Vetëm për një kohë të gjatë shumë prej tyre u përndoqën dhe u vranë, pastaj, muslimanët mërguan në një vend tjetër ku kishte paqe, por kundërshtarët i ndoqën edhe aty për t’i sulmuar vetëm për shkak të besimit.

Xhihad, sipas Islamit, nuk përbëhet nga vrasjet apo nga vetëvrasjet, por nga përpjekjet maksimale për të gjetur pëlqimin e Zotit. Kështu, qoftë individualisht, qoftë kolektivisht, xhihadi është i nevojshëm për avancimin e shpirtit të njeriut. Në realitet, xhihadi në asnjë mënyrë nuk ka të bëjë fare me agresionin dhe çrregullimin. Islam do të thotë paqe, prandaj si muslimanë, ne duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për të vendosur paqe dhe harmoni me veten tonë, në shoqërinë tonë dhe më gjerë. Fatkeqësisht, shpesh xhihadi përkthehet si “Lufta e shenjtë që bëhet për ta mbrojtur Islamin ose për ta përhapur atë në një shoqëri jomuslimane”. Luftë dhe e shenjtë janë fjalët që pa dyshim nuk mund të jenë sinonime të njëra-tjetrës. Nuk ka asgjë të shenjtë në pasojat e në tmerret e luftës. Është për të ardhur keq se si fjala xhihad interpretohet nga Perëndimi dhe nga Media si “lufta e shenjtë”, por akoma më e dhimbshëm është fakti që nuk mund të hidhet poshtë se në shekujt e fundit vetë bota muslimane praktikisht po këtë kuptim ia ka veshur fjalës xhihad, duke ndërmarrë luftëra gjakderdhëse, të cilat i bënë dhe vijojnë të bëjnë për arsye politike, ekonomike apo edhe për ekspansionin e territoreve të veta. Si rezultat i kësaj veprimtarie barbare, fjala xhihad u kufizua dhe u përkufizua vetëm me konotacionin e luftës me armë.

(Fatkeqësisht , pjesën më të madhe të këtij shkrimi, duhet t’ia kushtoj xhihadit të kufizuar, duke mos folur gjerësisht për atë kryesorin. Arsyeja e kësaj, dihet që i gjithë njerëzimi është i shqetësuar nga përshkallëzimi i zhvillimeve politike në vendet islamike, me të cilat tashmë janë pleksur keqas edhe shumë vende të tjera të botës.)

Pyetjet që u përgjigjen në këtë temë

Por çfarë është xhihadi më i vogël? Përse Islami pati nevojë për të? A ka ndonjë kufi të paraqitur vetë nga Kurani se deri ku mund të zgjerohet xhihadi me armë? Ata muslimanë që janë të angazhuar në këtë xhihad, a kanë ndonjë bazë islame? Nëse jo, si ka mundësi që ata përfunduan në një gjendje kaq të devijuar?

Këto janë disa pyetje, të cilave do t’u përgjigjem shkurtimisht në rreshtat në vazhdim.

Përse iu desh Islamit të ndërmerrte xhihadin me armë?

Kur Profeti Muhammed s.a., me urdhrin e Zotit, deklaroi të jetë Profet, atë e pranuan bashkëshortja dhe disa shokë të tij, disa prej tyre ishin edhe skllav. Mekasit fillimisht e përqeshën Profetin dhe Islamin. Por, si mund të qëndronte paradoksi i idhujtarisë përballë njëshmërisë së Zotit! “Duke e parë këtë, njerëzit e sinqertë filluan të anojnë nga Islami. Vëllai iu nda vëllait, biri babait. Atëherë, për ta shpëtuar idhujtarinë e tyre, arabët nuk gjetën asnjë taktikë tjetër përveçse t’i ndalonin njerëzit nga Islami me ndëshkime nga më të ashprat. Krerët e Mekës si Ebu Xhehli, Ebu Lehbi e të tjerë, praktikisht vepruan në këtë mënyrë”. “Gratë i vranë në mënyrën më të pahijshme, burrave ua shqyen këmbët më dysh, skllevërit i tërhoqën zvarrë nëpër rërë e zhavorr përvëlues dhe çjerrës, saqë lëkurat e tyre u ishin bërë si ato të kafshëve” dhe e gjithë kjo vetëm për një arsye: sepse muslimanët thoshin se Zoti ynë është vetëm Një, Zoti ynë është Allahu. Por pavarësisht nga masakrat dhe internimet, njerëzit nuk reshtnin së pranuari Islamin. “Sa shtohej kundërshtimi, shtohej edhe besimi. Mizoria arriti kulmin e saj, por edhe sinqeriteti kapërceu të gjitha modelet e deriatëhershme”. Idhujtarët kur nuk e arritën suksesin që deshën edhe përmes dhunës dhe torturave sfilitëse për 13 vite me radhë, vendosën që përfundimisht ta vrisnin Profetin Muhammed s.a.. Zoti e shpëtoi Profetin s.a. dhe e çoi në Medinë, por kundërshtarët e ndoqën për ta vrarë dhe kurrsesi nuk donin të hiqnin dorë nga plani i tyre. Më pas i kërcënuan edhe banorët e Medinës duke thënë se

“… ju banorët e Medinës duhet ta luftoni atë, ose ta dëboni nga qyteti juaj, përndryshe, ne të gjithë do t’ju sulmojmë dhe do të vrasim gjithë burrat tuaj që kanë aftësi për të luftuar dhe gratë tuaja do t’i bëjmë skllave”.[2]

Urdhri i parë i Kuranit për xhihadin me armë

Pra, mekasit me çdo kusht dhe në çdo mënyrë donin ta zhduknin Islamin. Për muslimanët ishte mungesë totale e lirisë fetare. E vetmja fe që lejohej të ekzistonte, ishte ajo e krijuar dhe e propaganduar nga njeriu arrogant i asaj kohe. Në këto rrethana, më datën 12 safer, të vitit të dytë pas mërgimit (15 gusht të vitit 623), Profeti Muhammed s.a. për herë të parë mori lejen e vetëmbrojtjes. Kjo leje, edhe pse e para e këtij lloji, është e qartë si drita e diellit, që Islami i lejoi muslimanët të ndërmerrnin vetëm përpjekje vetëmbrojtëse, kur atyre totalisht u mungonte liria fetare, u ishte ofruar të zgjidhnin vetëm njërën prej dy alternativave: të ktheheshin në idhujtari ose të vriteshin. Kurani thotë:

xhihadi xhihadi“Atyre që janë sulmuar, u lejohet (që të mbrohen), sepse u është bërë padrejtësi. Njëmend, Allahu është i Plotëfuqishëm që t’i ndihmojë ata, që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre padrejtësisht, vetëm sepse thanë: “Zoti ynë është Allahu”. Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njeri-tjetri, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut. Allahu patjetër do ta ndihmojë atë që do të ndihmojë Allahun. Sigurisht, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm”.[3]

Pra, muslimanëve u ishte imponuar lufta dhe përpjekjet ushtarake të tyre ishin tërësisht për vetëmbrojtjen dhe lirinë fetare. Pikërisht këto përpjekje u quajtën nga Profeti Muhammed s.a. si xhihadi më i vogël.

Islami, feja e parë në botë që mbrojti fuqimisht lirinë fetare

Mjerisht, sot Kuranit dhe themeluesit të Islamit u janë veshur akuza të rënda si nxitës të ekstremizmit dhe të përdorimit të dhunës për të përhapur mesazhin e Islamit. Por e vërteta është krejtësisht e kundërt. Është Islami, feja e parë në botë që bëri deklaratën më të shkoqur për lirinë fetare duke thënë:

xhihadi“Nuk ka imponim në fe”.[4]

Allahu i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë i tërheq vëmendje çdo muslimani duke thënë:

xhihadi“Po të donte Zoti yt, do të besonin të gjithë ata që banojnë në tokë. Ti, a do t’i detyrosh vallë njerëzit derisa të bëhen besimtarë?!”[5]

Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, një kampion i paqes, Hazret Mirza Masrur Ahmedi komenton:

“Ky ajet thotë shkoqur se Zoti, që zotëron të gjitha fuqitë, shumë lehtë mund t’i detyronte gjithë njerëzit të ndiqnin një fe të vetme, por në vend të kësaj, Ai u ka dhënë të gjithë popujve të botës lirinë e zgjedhjes, që të besojnë apo të mos besojnë”.[6]

Shkaqet kryesore të kalimit të një pjese të muslimanëve në bindje terroriste

Shtrohet pyetja: Përse atëherë një pjesë e muslimanëve kanë kaluar në ekstremizëm, në emër të Allahut dhe të Dërguarit të Tij?

  • Një ndër shkaqet kryesore e kësaj gjendjeje është kequdhëzimi prej një pjese të konsiderueshme të ashtuquajtur dijetarësh në lidhje me xhihadin dhe nxitja e urrejtjes prej tyre për fetë dhe popujt e tjerë.

Duke parë situatën aktuale të grupeve ekstremiste, çdo i mençur mund të arrijë në përfundim, se kështu papritmas ata nuk mund të kenë rënë deri në këtë gjendje. Kjo në asnjë mënyrë nuk mund të ndodhte pa pasur një indoktrinim të gjatë me frymë urrejtjeje dhe arrogance, prej dekadash e shekujsh.

Realisht, ka plot dijetarë, të ashtuquajtur komentues të Kuranit që edhe sot mbahen si më të mirët nga një pjesë dërrmuese muslimanësh, të cilët nxinë faqe të tëra duke deformuar kuptimin e xhihadit dhe duke ngjallur frymë egërsie te lexuesit e tyre. Ky është shkaku që edhe sot shumë dijetarë të shquar të botës Islame, haptas lëshojnë vendimin se edhe ai që kthehet nga Islami, të dënohet me vdekje (Video të tyre janë të publikuara në YouTube). Pra, dënimi i apostazisë në Islam, sipas tyre, është me vdekje, ndërkohë, nuk mund të gjeni dot as edhe një ajet në Kuran që shpreh një gjë të tillë. Kjo tregon se sa e pamatur është treguar elita e dijetarëve të muslimanëve.

  • Një tjetër shkak është që muslimanët në përgjithësi besojnë në ardhjen e një reformatori kryesor i cili në parashikime është quajtur Imam Mehdi. Komentues të Kuranit dhe dijetarë të vjetër e të rinj e përshkruajnë si reformator gjakatar, i cili, sipas tyre do t’u sjellë fitoren përfundimtare nëpërmjet luftërave të përgjakshme. Pritja për këtë lloj Mehdiu, i ka fryrë akoma më shumë zjarrit të ekstremizmit.

Imagjinoni, kur një popull i tërë, shtete të tëra, edukohen me libra të tillë, me dijetarë të tillë dhe me premtime të tilla, si mund ta ruajnë zemërgjerësinë e pakufishme që kishte mbjellë Kurani dhe Profeti i Islamit s.a.?!

  • Sikur të mos mjaftonin këta faktorë, edhe kundërshtarët e Islamit, pasi gjetën “terrenin e duhur”, pra, mendësinë e “përshtatshme”, nuk ngihen duke bërë punën e tyre për të përçarë umetin, që dikur kishte dalë për dobi të mbarë njerëzimit.

Situata aktuale e muslimanëve e parashikuar nga vetë Profeti Muhammed s.a.s.

Sado zhgënjyese mund t’ju duket e gjithë kjo, por për një musliman të sinqertë nuk është e tillë.  Realisht, kjo ishte parashikuar vetë nga Profeti Muhammed s.a.. Fjalët e tij nuk kërkojnë asnjë sqarim. Ai tha:

“Do të vijë një kohë kur Islamit do t’i mbetet vetëm emri. Kuranit do t’i mbetet vetëm shkrimi. Xhamitë e tyre do të jenë të populluara me njerëz, por të zbrazëta nga udhëzimi. Dijetarët e tyre do të jenë krijesa më të këqija që mund të gjallojnë poshtë qiellit. Çrregullimi do të dalë prej tyre dhe te ta do të kthehet”. (“Mishkat”, kitabul-Ilm.)

Mesihu i Premtuar, sipas Profetit Muhammed s.a.s., ndalues i luftërave fetare

Profeti Muhammed s.a. gjithashtu na dha lajmin e gëzueshëm të ardhjes së Mesihut të Premtuar dhe të Imam Mehdiut, i cili, kurrsesi nuk do të vinte si gjakatar, siç e presin shumë të ashtuquajtur dijetarë, por do të vinte pikërisht për t’i dhënë fund luftërave fetare. Ai thotë:

عن ابی ھریرۃ رضی اللہ عنہ عَنِ النَّبِیِّ ‏ ‏ صَلّى اللہُ عَلَیْہِ وَسَلَّمَ ‏ ‏قَالَ :‏ ‏ یوشك من عاش منكم أن یلقى ‏ ‏عیسى ابن مریم ‏ ‏إماما مھدیا وحكما عدلا فیكسر الصلیب ویقتل الخنزیر ویضع ‏ ‏الجزیۃ ‏ ‏وتضع الحرب ‏ ‏أوزارھا  .مسند احمد جلد 2 رقم الصفحۃ 411

“Çdokush që do të jetojë prej jush, do ta gjejë Isain birin e Merjemes si Imam Mehdi, si vendimtar, gjyqtar … që do të heqë xhizjen (taksën që paguante një jo muslimani në një shtet islamik) dhe lufta do të dorëzojë armët e saj.”[7]

Ai Mesih i Premtuar dhe Imam Mehdi sipas parashikimeve të Kuranit dhe të Profetit s.a. erdhi në kohën e tij dhe themeloi këtë Xhemat. Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, të cilin ne e besojmë si Mesih i Premtuar dhe Imam Mehdi, para një shekulli nga sot, u bëri thirrje gjithë muslimanëve të botës të heqin dorë nga mendimi i xhihadit me armë.

“Dëgjoni! Unë kam ardhur te ju me një urdhër dhe ai është që, tani e tutje, t’i jepet fund xhihadit me armë, kurse xhihadi kundër nefsit të vazhdojë. Këtë nuk po e them nga vetja, por kjo është dëshira e Zotit. Mendoni për hadithin e “Sahih Buhariut”, i cili, në lidhje me Mesihun e Premtuar, thotë::

یضع الحرب

“Kur do të vijë Mesihu, do t’u japë fund luftërave fetare””.[8]

Në poezinë e tij të famshme rreth xhihadit, ai thotë:

Le të harrohet o miq mendimi mbi xhihadin
Se luftërat e betejat tashmë kanë marrë fund për besimin.

Ta dini se ka ardhë kohë e Mesihut, Imamit të besimit
Gjakrave në emër të tij i ka ardhur mbarimi.

Armik i Zotit është ai që në këtë kohë xhihadon
Mohues i Profetit ai që këtë kotësi në kokë arnon

Çdokush që do të shkojë për luftë edhe pas këtij urdhri
Le ta dijë se do të turpërohet rëndë nga mohuesit

(Lexoni më shumë vargje të kësaj poezie) 

Ai jo vetëm që e bëri këtë thirrje, por u dha muslimanëve kuptime të ndritura edhe për ato ajete, të cilat sipas komentuesve të mëparshëm ishin shkak i vazhdimit të xhihadit me armë. Ju sjell vetëm një shembull:

Ajeti 40 i suresë 8 (el-Anfal) thotë:

“Luftoni kundër atyre (që kanë luftuar kundër jush), derisa të mos mbetet asnjë çrregullim dhe feja e gjitha të bëhet e Allahut”.[9]

Sipas shumë komentuesve të mëparshëm, në këtë ajet Kurani i porositka muslimanët që të vijojnë xhihadin me armë, derisa të zhduket idhujtaria dhe të gjithë të bëhen besimtarët e Allahut”. Neudhubillah. Duke lexuar komentime të tilla, kur një prift ngren këtë si akuzë, Reformatori i kohës Mesihu i Premtuar a.s. i jep këtë përgjigje:

“Ky ajet vetëm thotë se lufta e nisur tashmë të vijohet derisa të zhduket çrregullimi (derisa të zhduket mungesa e lirisë së besimit) dhe disa njerëz që ishin bërë muslimanë fshehtas, të gëzojnë lirinë dhe ta praktikojnë Islamin edhe haptas”.[10]

Pra, ky ajet pohon të kundërtën asaj që kanë thënë komentues të mëparshëm. Lufta ndaj dhunuesve të vijohej, derisa të mos mbetej çrregullimi, feja të mbetet tërësisht në dorën e Allahut, e jo në dorën e njeriut.

Dy xhihadet e mëdha, të harruara nga muslimanët

Mjerisht, në emër të xhihadit një pjesë e madhe e muslimanëve u dhanë kaq shumë pas ekstremizmit, saqë e harruan krejtësisht xhihadin kryesor për të cilin kishte ardhur jo vetëm Profeti Muhammed s.a., por edhe të gjithë profetët para tij, i cili është xhihadi që besimtari duhet të bëjë kundër shejtanit të vet. Vetëm ky i mundëson rrugën e Zotit. Nëse bën gjithçka tjetër përveç kësaj, është njësoj sikur të kesh bërë asgjë. Vetëm atyre që bëjnë këtë xhihad, Allahu i Madhërishëm në Kuran u jep lajm të gëzueshëm duke thënë:

وَالَّذِيْنَ جَاهَدُوْا فِيْنَا لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا

“Ata që përpiqen për Ne, Ne patjetër do t’ua tregojmë rrugët Tona”[11]

Pikërisht ky xhihad u quajt në Islam si xhihadi më i madh. Raportohet se duke u kthyer nga një betejë Profeti Muhammed s.a. tha:

“Po kthehemi nga xhihadi më i vogël, për të shkuar drejt xhihadit më të madh”[12]

Po ashtu, Kurani e porosit Profetin për xhihadin e madh me këto fjalë:

وَ جَاہِدْہُمۡ بِہٖ جِہَادًا کَبِیۡرًا

“Bëj xhihad me ta, një xhihad madhor përmes Kuranit!”[13]

Në fakt, po të bëjmë një llogaritje të thjeshtë duke marrë parasysh betejat në të cilat Profeti mori pjesë, në 63 vitet e jetës së tij, vetëm 126 ditë bëri xhihadin më të vogël, dhe në të gjithë pjesën tjetër të jetës, ai na shfaqet tërësisht i angazhuar në xhihadin më të madh.

Ky është ai xhihad që Profeti Muhammed s.a. e bënte ditë e natë në shpellën Hira, duke u shkëputur krejtësisht nga bota e ligë dhe duke iu përkushtuar tërësisht Zotit të Madhërishëm. Ky është ai xhihad që Profeti Muhammed s.a. bënte duke shkuar në Qabe e duke rënë në sexhde të gjata pranë Zotit, ndërkohë, krerët e Mekës e pengonin, herë duke vënë zorrët e devesë e herë duke i shtrënguar fytin me litar. Profetin s.a. e shohim duke bërë pikërisht këtë xhihad me namaze të gjata gjatë netëve, saqë i ënjteshin këmbët, ose me sexhde të përgjëruara duke u lutur: “O Zot dhuromë pastërtinë e nefsit tim, sepse Ti je Ai që mund të më pastrosh më së miri”. Ky xhihad gjëmonte jo diku tjetër, por pikërisht në gjoksin e Profetit s.a., të cilin mund ta dëgjonin sahabët që faleshin pranë tij: sipas tyre, dënesat e Profetit u dukeshin sikur të ziente ndonjë enë uji. Po, ishte ky xhihad që ai bëri edhe atë ditë, kur u gjakos i tëri nga gurët që i vërshuan banorët e Taifit, por si përgjigje të tyre, ai vetëm u lut: “O Zot, fali këta njerëz, se nuk dinë se çfarë po bëjnë”.[14] Sapo gjeti paqen pas mërgimit, Profeti Muhammed s.a. e bëri këtë xhihad nga shkretëtira e Medinës, duke u bërë thirrje mbretërve të fuqishëm të kohës që të adhurojnë një Zot të Vetëm. Edhe ditën kur ai u kthye ngadhënjimtar në Mekë dhe atyre që i kishin vrarë të afërmit, shokët dhe që e kishin dëbuar duke ia hequr të gjitha mundësitë e mbijetesës, u dha amnisti të përgjithshme duke thënë: “Sot nuk do të keni asnjë qortim! Jeni të lirë!” Xhihad ishte edhe ky! Kështu mund të shohim pamje pambarim të xhihadit të madh që bëri Profeti s.a. gjatë gjithë jetës së tij, i cili duhet të ketë kulmuar në grahmat e fundit të tij, kur ai tha:

الی الرفیق الاعلی۔

“Po shkoj te Miku im i Mëshirshëm që gjendet lart në fron”.[15]

Sot, muslimanët nuk kanë asnjë rrugë tjetër, përveçse të pranojnë thirrjen e Imamit të kohës, i cili para 120 vitesh u kishte tërhequr vëmendjen të hiqnin dorë nga xhihadi me armë. Duke i dhënë zgjidhje çështjes së këtij xhihadi, Mesihu i Premtuar a.s. në vitin 1902, tha:

“Tani është koha dhe ora kur duhet ta shporrim këtë mendim të gabuar nga zemrat e njerëzve, e jo ta lejomë që të rrënjoset akoma më shumë. Nëse dijetarët muslimanë bien në ujdi që të punojnë për ta larguar këtë mendim nga zemrat e atyre muslimanëve që vuajnë nga egërsia, do t’i bëjnë një favor shumë të madh popullit dhe jo vetëm kaq, por falë tyre do të zbulohen mirësi të shumta të Islamit para botës. Rrjedhimisht, gjithë nervozizmi që kanë kundërshtarët e Islamit për shkak të keqkuptimeve të tyre, do të largohet dhe ata do të fillojnë ta shohin Islamin me një sy të pastër dhe kështu shumë shpejt do të përfitojnë nga ky burim i dritës”.[16]


[1] Fjalori “Taxhul Urus”.

[2]  Abu Daud, Kitabul-kharaxh uel-fi, bab fi khebrin-nefir.

[3] Kurani Famëlartë 22:40-41.

[4] Kurani Famëlartë 2:257.

[5] Kurani Famëlartë 10:100.

[6] Mirza Masrur Ahmedi “Kriza botërore dhe rruga drejt paqes”, Tiranë, 2014, f. 148-149.

[7] “Musnad Ahmed”, vol. 2, f. 411.

[8] Mirza Ghulam Ahmadas,“Mexhmua Ishtiharat”, vëll. 3, f. 233.

[9] Kurani Famëlartë 8:40.

[10] “Xhange Mukedes”, debati më 3 qershor 1893, f. 7.

[11] Kurani Famëlartë 29:70.

[12] Kenzul Umal, Kitabul-xhihad fil-xhihadil-ekber minel-a’mal, vëll. 4, hadithi 11260, botuar nga shtypshkronja “Mekteba Et-turathul Islamiji”, Halab.

[13] Kurani Famëlartë 25:53.

[14] Buhariu, Kitab bedaul-khelk, bab hadithil-gar.

[15] Buhariu, Kitabul-magazi, bab merdin-Nebijisa.

[16] Mirza Ghulam Ahmed “Si mund të gjendet shpëtimi nga mëkati?” Tiranë, 2014, f. 23.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp