"As mishi e as gjaku i kurbaneve nuk arrin tek Allahu, por tek Ai arrin druajtja juaj"
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

“As mishi e as gjaku i kurbaneve nuk arrin tek Allahu, por tek Ai arrin druajtja juaj”

Teolog, gjuhëtar dhe përkthyes

Elhamdulillah, sot tek ne mbërriti Kurban Bajrami. Kurani na kumton për sakrificën e Ibrahimit duke thënë se Ibrahimi alejhiselam pa ëndërr që po flijonte djalin e vet. Atëherë djali i tij, Ismaili, ishte i vogël. Kur fëmija u rrit aq sa ta ndihmonte të atin në punë, Ibrahimi a.s. iu drejtua: “O biri im, shoh në ëndërr se po të flijoj”.

Ai e kishte plotësuar ëndrrën, fjalë për fjalë, duke çuar djalin dhe gruan e vet në një shkretëtirë që s’kishte jetë e gjallëri. Sepse kur e çoi familjen në një vend të shkretë, ishte njësoj sikurse ta kishte therur me dorën e vet. Por ngaqë deri atëherë, nuk kishte dalë ndalimi i kurbanit të njeriut, Hazret Ibrahimi a.s. donte ta realizonte ashtu siç ia kishte treguar Zoti i Madhërishëm. Për këtë, ai e rriti dhe e edukoi Ismailin aq mirë, saqë ia tregoi ëndrrën të birit dhe e pyeti se ç’mendonte ai?

“O ati im!”, tha i biri, “Vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, do të jem i durueshëm!” Atëherë në çastin kur Ibrahimi e vuri Ismailin me ballë për tokë, Zoti iu drejtua dhe tha: “Ti e përmbushe ëndrrën, o Ibrahim!”.

Kjo ishte sakrifica e Hazret Ibrahimit a.s., që për hir të dashurisë së Allahut, braktisi gruan e dashur dhe djalin e vogël në vuajtje e rreziqe dhe më pas u bë gati edhe për ta flijuar të birin. E gjithë familja u tregua e durueshme për hir të Zotit. Nuk ishte vetëm sakrifica e Ibrahimit, por edhe e Haxhires dhe Ismailit që treguan besimin e plotë ndaj Zotit dhe Zoti e pëlqeu kaq shumë sakrificën e tyre, saqë i premtoi Ibrahimit se pasardhësit e tij do të shtohen sa yjet. Sot jemi dëshmitarë të përmbushjes së këtij parashikimi.

Në një hytbe të Kurban Bajramit, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

 “Ky Bajram na jep mesazhin që, për të arritur pëlqimin dhe kënaqësinë e Zotit të Madhërishëm, është e nevojshme të sakrifikohemi dhe të sakrifikojmë edhe fëmijët tanë. Sa herë që u dërguan profetë në këtë botë, figurativisht atyre u desh të bënin sakrifica të tilla. Pas sakrificës që bëri Hazret Ibrahimi a.s., pa dyshim që u ndalua kurbani i njeriut, por u hodhën themelet e kurbanit të nefsit.

E vërteta është që pa sakrificë të nefsit, është e pamundur të arrish pëlqimin e Zotit të Madhërishëm. Kurbani fizik ka mbetur vetëm i bagëtive, por edhe për ata që bëjnë kurbanin e bagëtive, Allahu i Madhërishëm u thotë që nuk duhet të gëzohen duke menduar se mishi dhe gjaku i kurbanit do të arrijnë te Zoti, por shprehimisht u thotë:

لَنۡ یَّنَالَ اللہَ  لُحُوۡمُہَا وَلَا دِمَآؤُہَا وَلٰکِنۡ یَّنَالُہُ التَّقْوٰی مِنۡكُمْ

“As gjaku e as mishi i kurbaneve tuaja nuk arrin tek Allahu, por tek Ai arrin druajtja juaj”.[1]

Pra, Allahu thotë se vetëm mirësia dhe pastërtia e shpirtit tuaj arrin tek Allahu.

Shumë njerëz, duke bërë kurban ndonjë dash, deve apo lopë, mendojnë se kanë arritur tek Allahu i Madhërishëm, ndërkohë, Allahu i Madhërishëm thotë se ata nuk kanë bërë asgjë. Çfarë i duhet Zotit që njerëzit vetë të bëjnë një kurban dhe vetë ta hanë atë?! Por pikërisht ky veprim në gjuhën metaforike ka një kuptim krejtësisht tjetër. A keni parë piktorët se si bëjnë piktura të ndryshme. Ata herë vizatojnë hallkat e zinxhirit, për të treguar bashkimin kombëtar. Herë vizatojnë lindjen e diellit, për të treguar zhvillimin e kombit. Në të njëjtën mënyrë, ky kurban i bagëtive është një gjuhë metaforike dhe që do të thotë se ai që ther kurban, është i gatshëm të ther nefsin e vet.

Kështu, ai që bën kurban, me fjalë të tjera tregohet i gatshëm për të sakrifikuar gjithçka në rrugën e Zotit të Madhërishëm. Dhe ai që ha mishin e kurbanit, me fjalë të tjera beson dhe pohon që sakrificat e popullit do të krijojnë lehtësi për të dhe për të gjithë umetin. Ditën e Bajramit, mishi i kurbanit që ju vjen si dhuratë, nuk është mishi i dashit apo i viçit, por është një simbol që tregon se sakrificat e vëllezërve tuaj që ata po bëjnë në rrugën e Zotit, do të pranohen dhe ato do t’i sjellin përparim Islamit.

Pra, ky mish në kuptimin metaforik është një shenjë e përparimit të Islamit. Prandaj, një gjë që ne bëjmë në mënyrë metaforike, duhet ta realizojmë atë edhe praktikisht, sepse vetëm aktrimi që nuk përmban realitet, nuk na sjell aspak nder. Keni vënë re se shumë njerëz të ndershëm, nuk u japin ndonjë vlerë atyre që vetëm aktrojnë. Njerëzit e ndershëm nderojnë mbretin e vërtetë, e jo aktorin që bëhet mbret vetëm në teatër. Cila është arsyeja? Për sa kohë që mbreti nderohet, përse nuk nderohet ai që bëhet mbret në teatër?

Arsyeja është që ky i fundit vetëm aktron, ndërsa mbreti i vërtetë bën çdo gjë për t’i sjellë dobi popullit. Nëse aktori që bëhet mbret në teatër, fillon të bëjë përpjekje të mira edhe në jetën personale, edhe ai respektohet, por vetëm aktrimi nuk i sjell nder aspak. Në të njëjtën mënyrë, edhe ai që bën sakrificën e nefsit të tij, bashkë me sakrificën e kurbanit, konsiderohet i ndershëm para njerëzve të ndershëm. Por, ai që mjaftohet vetëm duke bërë kurban një dash, ai është aktor, prandaj nuk mund të fitojë aspak nder.

Po ashtu, ai që bëhet gati për të ngrënë mishin e kurbanit, por nuk merr pjesë në gëzimin e përparimit të Islamit, edhe ai nuk bën më shumë sesa një aktor. Në të vërtetë, veprat janë ato që i sjellin nder njeriut dhe jo thjesht aktrimi. Prandaj, miq, merrni mësim nga dita e sotme dhe gjithmonë të keni parasysh atë sakrificë që kishte parasysh Hazret Ibrahimi a.s. dhe Hazret Haxhira r.a.”.[2]

Mësimi i këtij kurbani është se ne si pasardhës të Hazret Ibrahimit dhe të Profetit Muhammed s.a. duhet ta ripërtërijmë shpirtin e sakrificës, të jemi të gatshëm të sakrifikojmë jetën tonë, nderin tonë e  pasurinë tonë për të përfituar kënaqësinë e Zotit të Gjithëmëshirshëm.

Kur shohim jetën e Profetit tonë të dashur, Hazret Muhammedit s.a.s., vërejmë që edhe, ai pikërisht këtë ditë, lutej për t’u bërë vetëmohues për hir të Zotit dhe për të arritur pëlqimin e Tij, më shumë sesa në ditët e tjera.

Hazret Xhabir Ibni Abdullahu r.a. ditën e kurbanit (më 10 dhulhaxha) ka parë të Dërguarin e Allahut s.a. duke qëndruar në vendin e quajtur Kernuth-Thaleb dhe duke bërë lutjen:

یَا حَیُّ یَا قَیُّومُ لاَ اِلٰہَ اِلَّا اَنتَ بِرَحمَتِکَ اَستَغِیثُ فَاکفِنِی شَانِی کُلَّہٗ وَلَا تَکِلنِی اِلی نَفسِی طُرفَۃَ عَینٍ۔

O i Gjallë! O i Qëndrueshëm! Nuk ka të adhuruar tjetër, përveç Teje. Me mëshirën Tënde Të lyp. Bëhu i Mjaftueshëm për gjithë gjendjen time dhe as edhe për një çast të vetëm mos më dorëzo mua te vetja ime.[3]

Hazret Abdullah Ibni Mesudi r.a. tregon se gjatë bajrameve i Dërguari i Allahut s.a. bënte lutjen e mëposhtme:

اَللّٰھُمَّ اِنَّا نَسْئَلُکَ عِیْشَۃً تَقِیَّۃً، وَمِیْتَۃً سَوِیَّۃً، وَمَرَدًّا غَیْرَ مُخْزٍ وَلَا فَاضِحٍ،اَللّٰھُمَّ لَا تُھْلِکْنَا فَجْأَۃً، وَلَا تَأْخُذْنَا بَغْتَۃً ، وَلَا تُعْجِلْنَا عَنْ حَقٍّ وَلَا وَصِیَّۃٍ، اَللّٰھُمَّ اِنَّا نَسْأَلُکَ العَفَافَ وَالغِنٰی وَالتُّقٰی وَالْھُدٰی وَحُسْنَ عَاقِبَۃِ الْآخِرَۃِ وَالدُّنْیَا، وَنُعُوذُبِکَ مِنَ الشَکِّ وَالشِّقَاقِ وَالرِّیَائِ وَالسُّمْعَۃِ فِیْ دِیْنِکَ، یَامُقَلِّبَ القُلُوْبِ لَاتُزِغْ قُلُوْبَنَابَعْدَ اِذْھَدَیْتَنَا وَھَبْ لَنَا مِنْ لَّدُنْکَ رَحْمَۃً ، اِنَّکَ اَنْتَ الْوَھَّابُ۔

O Allah! Të kërkojmë jetë me takua, vdekje të pastër, vendkthim jo poshtërues dhe jo turpërues. O Allah! Mos na shkatërro me ndonjë aksident, mos na kap papritmas, mos na merr nxitimthi përpara se ta përmbushim detyrën dhe testamentin tonë. O Allah! Të kërkojmë dëlirësinë, vetëmjaftueshmërinë, takvanë, udhëzimin, përfundimin e mirë në përtejbotën dhe në këtë botë dhe Të kërkojmë mbrojtje nga dyshimi, përçarja, dukja dhe vetëpëlqimi në besimin ndaj Teje. O Kontrollues i zemrave! Mos na shtrembëro zemrat, pasi na ke udhëzuar dhe na dhuro mëshirë prej Teje! Me të vërtetë Ti je Dhuruesi i madh![4]

Përveç kësaj, dita e sotme na kujton të madhërojmë shpesh Allahun dhe, gjithashtu, të shpërndajmë dashuri e dhembshuri në shoqëri, duke uruar njerëzit dhe duke u lutur për ta.

Hazret Uathila r.a. rrëfen: Takova të Dërguarin e Allahut s.a. ditën e Bajramit. E urova: تَقَبَّلَ اللہُ مِنَّاوَمِنْکَ Allahu na e pranoftë neve dhe juve! Të Dërguarit të Allahut s.a. i pëlqyen këto fjalë urimi dhe, edhe ai i përsëriti duke thënë: Po, Allahu na e pranoftë neve dhe juve! Amin![5]

Pra, shembulli i Profetit Muhammed s.a. na mëson të shpërndajmë paqe, dashuri dhe të kemi dhembshuri ndaj të tjerëve.

Në Kuran Allahu thotë se Ai i ka krijuar njerëzit për të mëshiruar. Andaj, kushdo që tregon apo bën mëshirë, pa dyshim, tërheq mëshirën e Zotit. Sa i madh është Zoti ynë që i mësoi Profetit s.a. se nëse dikush përshëndet me buzëqeshje dikë tjetër, i falet një mëkat dhe i shkruhet një shpërblim. Fakti që feja jonë u ka dhënë rëndësi kaq të madhe veprimeve që ne kujtojmë se janë të rëndomta, tregon se Islami na porosit të përhapim dashuri me gjithë përkushtimin e mundshëm, me çdo fjalë që themi dhe me çdo gjest që bëjmë. Allahu na mundësoftë të sjellim kuptimin e vërtetë të Kurban Bajramit në jetën tonë! Allahu na mundësoftë pëlqimin e Tij! Allahu i mundësoftë paqe të gjithë muslimanëve dhe të gjithë njerëzve të botës! Amin!

Ju uroj përzemërsisht gëzuar Kurban Bajramin! Paçi shëndet, paqe dhe pëlqimin e Zotit! Amin!


[1] Kurani Famëlartë 22:38.
[2] “Khutbat-e-Mahmud” vëll. 2 “Khutbat-e-Eidul-Ad’ha”, Hytbeja 9 janar 1941, f. 257-259.
[3] Tibrani, Kitabud-dua, vëll. 2, Bejrut, f. 1209.
[4] Maxhmauz-zavaid, vëll. 6, f. 201
[5] Maxhmauz-zavaid, vëll. 2, f. 206.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp