Jeta e Hazret Bilalit r.a. (Pjesa 3)
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Hazret Bilalit r.a. (Pjesa 3)

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Vijon edhe sot përmendja e Hazret Bilalit r.a..

Profeti s.a.v.s. dëgjoi hapat e Bilalit në xhenet që ecte përpara tij

Ka një rrëfim që vjen nga ‘Abdullah bin Berire, i cili rrëfen përmes babait të tij dhe thotë:

Një mëngjes i Dërguari i Allahut s.a.v.s. thirri Hazret Bilalin dhe e pyeti:

O Bilal! Cila është arsyeja që ty të shoh në xhenet përpara meje, sepse mbrëmë kur kam hyrë në xhenet, dëgjova hapat e tu përpara meje?

Hazret Bilali iu përgjigj:

Sa herë që këndoj ezanin, fal dy rekate nafil dhe sa herë që më prishet abdesi, e marr sërish abdesin. E ndiej të obliguar për veten time nga Allahu i Madhërishëm faljen e dy rekateve.

Atëherë ky qenka shkaku, iu përgjigj Profeti Muhammed s.a.v.s..

Kjo ngjarje përmendet në një rrëfim tjetër me ca ndryshime. Hazret Ebu Hurejre r.a. tregon:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. pyeti Hazret Bilalin në kohën e namazit të sabahut:

Cila është vepra jote më shpresëdhënëse, o Bilal, pasi ke pranuar Islamin, sepse në xhenet kam dëgjuar hapat e tu përpara meje?

Nuk gjej ndonjë vepër timen kaq shpresëdhënëse, o i Dërguari i Allahut, përveçse sa herë që kam marrë abdes gjatë natës apo gjatë ditës, kam falur namaz nafil aq sa kisha mundësi.

Rrëfimi i mësipërm gjendet në Buhari.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë se Hazret Bilali të kishte parakaluar në pozitë edhe Profetin Muhammed s.a.v.s., por tregon vetëm pastërtinë shpirtërore të Hazret Bilalit r.a. dhe adhurimin e veçantë që ai bënte ndaj Allahut të Madhërishëm dhe për këtë shkak, Allahu i Madhërishëm e lartësoi kaq shumë saqë, edhe në xhenet e solli bashkë me Profetin Muhammed s.a.v.s., siç ai qe bashkë me të në këtë dynja.

Ju kam treguar në një hutbe të kaluar se ditën e Bajramit, Hazret Bilali r.a. merrte një shtizë dhe ecte përpara Profetit s.a.v.s. dhe e ngulte në tokë në drejtim të Qabes para Profetit s.a.v.s.. Aty Profeti s.a.v.s. drejtonte namazin e Bajramit. Kështu që, Allahu i Madhërishëm këtë pozitë të tij të nderuar ia rezervoi edhe në xhenet për shkak të pastërtisë shpirtërore të tij dhe të adhurimit të veçantë që ai bënte ndaj Allahut të Madhërishëm dhe një pamje të kësaj Allahu i Madhërishëm ia tregoi Profetit Muhammed s.a.v.s..

Në një rrëfim tjetër thuhet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

Kur Zoti më mori drejt xhenetit, dëgjova hapat e dikujt. – Kush ecën aty, o Xhibrail? E pyeta.

– Është Bilali, m’u përgjigj ai.

Duke dëgjuar këtë, Hazret Ebu Bekri r.a. tha:

Ah sikur të më kishte lindur nëna e Bilalit! Ah sikur babai i Bilalit të ishte babai im dhe unë të isha Bilali!

Çfarë pozite të lartë ka pasur Hazret Bilali, i cili dikur konsiderohej kaq i pavlerë dhe i urryer, saqë zvarritej nëpër rrugë të Mekës, kurse tani Hazret Ebu Bekri donte të ishte në vendin e Bilalit.

Ezani i Bilalit pas vdekjes së Pofetit s.a.v.s.

Duke përmendur sahabët e parë të Profetit s.a.v.s., Hazret Mirza Bashir Ahmed sahibi shkruan:

Bilal bin Rebahu që qe një skllav etiopian i Umejje bin Khalefit, pas hixhretit ishte caktuar si myezin në Medinë. Por pas vdekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s., ai hoqi dorë nga këndimi i ezanit. Megjithatë, gjatë Kalifatit të Hazret Omerit r.a., kur Shami ra në duart e muslimanëve, njëherë Hazret Omeri e insistoi Hazret Bilalin të këndonte ezanin. Hazret Bilali r.a. ia plotësoi dëshirën. Të gjithëve iu kujtua koha e Profetit s.a.v.s.. Vetë Bilali, Hazret Omeri dhe sahabët e tjerë të pranishëm qanë kaq shumë saqë nuk i mbanin dot ngashërimet.

“Sot u shua prijësi i muslimanëve!”

Hazret Omeri e donte Bilalin kaq shumë saqë kur ai ndërroi jetë, Hazret Omeri tha:

– Sot u shua prijësi i muslimanëve!

Pra, kështu u shpreh mbreti (Kalifi) i kohës për një që qe një skllav afrikan.

Ezani i Bilalit fitoi përjetësinë

Njëherë duke iu drejtuar grave ahmediane, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. shpjegoi një ajet të Kuranit dhe tha:

“Ajeti i Kuranit që është:

bilali sahabi i profetit“Pasuria dhe fëmijët janë bukuria e jetës së kësaj bote dhe veprat e mira që mbeten janë më të mira në shpërblim pranë Zotit tënd dhe më të mira në shpresë.”

(Kurani i Shenjtë 18:47)

Pra, ka vetëm një gjë që do të mbetet dhe ato janë: el-bakijatus-salihat, pra veprat që do të bëni për hir të Zotit.”

Më tej, Hazret Kalifi i Dytë r.a. tha:

Ku janë sot pasardhësit e Ebu Hurejrasë? Ku gjendet shtëpia e tij? Ne nuk dimë as për pasardhësit e tij e as për pronat e tij. Megjithatë, kur ia përmendim emrin themi “Hazret Ebu Hurejre radijallu ‘anhu (Allahu qoftë i kënaqur me të).

Para pak ditësh më erdhi një arab dhe më tha – Jam pasardhës i Bilalit. Sakaq, më deshi zemra ta përqafoja fort atë, pa e ditur nëse thoshte të vërtetën apo jo, sepse pretendonte të ishte pasardhësi i atij që këndonte ezanin në xhaminë e Profetit Muhammed s.a.v.s.. Sot ku janë pasardhësit e Bilalit? Madje, nuk dimë edhe nëse ka pasardhës të tij apo jo dhe nëse po, ku janë, ku banojnë, cila ishte shtëpia e Bilalit. Por ajo që e kujtojmë me nderime është ezani i tij që ai thërriste në xhaminë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Kjo mbeti deri më sot dhe do të vazhdojë të qëndrojë përgjithmonë. Vepra të tilla janë të destinuara të qëndrojnë përjetësisht.

Hadithe nga Hazret Bilali dhe rreth Hazret Bilalit r.a.

Hazret Bilali rrëfeu 44 hadithe. 4 prej tyre përmenden në Sahihejn (Sahih Buhari dhe Sahih Muslim).

Në një rrëfim thuhet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

– Janë tre njerëz, të cilët xheneti i pret me padurim, që janë: Aliu, Amari dhe Bilali.

Njëherë Hazret Omeri r.a. duke treguar cilësitë e larta të Hazret Ebu Bekrit r.a., dhe shenjoi Hazret Bilalin që ishte i pranishëm aty dhe tha:

– Ky është Bilali, prijësi ynë, një prej mirësive të Ebu Bekrit r.a..

Kjo sepse pikërisht Hazret Ebu Bekri e liroi Hazret Bilalin nga skllavëria duke i paguar një çmim të madh pronarit të tij.

‘Aiez bin ‘Amri rrëfen:

Një ditë kur Hazret Selmani, Hazret Suhejbi dhe Hazret Bilali ishin me disa shokë të tjerë, erdhi Ebu Sufjani. Njerëzit thanë:

– Për Allahun! Shpatat e Allahut nuk ranë në vendin e duhur në qafat e armiqve të Tij.

Rrëfimtari thotë se aty reagoi Hazret Ebu Bekri duke thënë:

– A po thoni kështu për prijësin e nderuar të Kurejshëve?!

Pastaj, Hazret Ebu Bekri r.a. shkoi tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe ia tregoi gjithë ngjarjen.

– O Ebu Bekr, iu përgjigj Profeti s.a.v.s., mos vallë i ke mërzitur shokët? Nëse i ke bërë të pakënaqur ata, dije se ke bërë të pakënaqur Zotin tënd!

Pra, Hazret Ebu Bekri kishte shkuar te Profeti s.a.v.s. me këtë ankesë duke menduar se ai do t’i qortonte sahabët për komentin e tyre, por ndodhi e kundërta. Profeti s.a.v.s. i tërhoqi vërejtjen vetë Ebu Bekrit se mos i kishte mërzitur sahabët me komentin e tij. Shohim edhe pastërtinë e Hazret Ebu Bekrit r.a.. Ai menjëherë u kthye te sahabët dhe u tha:

– A ju kam bërë të pakënaqur, o vëllezërit e mi?

– Jo, o vëlla, Allahu të faltë! i thanë ata.

Hazret Ebu Musai rrëfen:

Isha pranë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. kur ai ndodhej në Xhe’rane, një vend midis Mekës dhe Medinës, dhe atë e shoqëronte edhe Hazret Bilali. Një beduin erdhi te Profeti s.a.v.s. dhe tha:

– O Muhammed! A nuk do ta plotësosh premtimin që më bëre mua?

– Po të jap lajmin e mirë, iu përgjigj Profeti s.a.v.s.

– Shumë herë më ke thënë “të jap lajmin e mirë!”, i ktheu beduini.

Profetit s.a.v.s. nuk i erdhi mirë, ktheu kokën nga ai dhe duke iu drejtuar Ebu Musait dhe Bilalit tha:

– Doja t’i jepja lajmin e mirë atij, por ai e refuzoi. A e pranoni ju lajmin e mirë?

– E pranojmë, o i Dërguari i Allahut! Iu përgjigjën të dy sahabë.

Profeti s.a.v.s. kërkoi një enë me ujë. Lau duart dhe fytyrën dhe bëri edhe gargarë. Më pas u tha:

– Ju të dy pijeni këtë ujë, hidhni edhe mbi fytyrat dhe kraharorët dhe gëzohuni!

Ata kështu vepruan. Prapa perdes ishte Hazret Umi Selma që i thirri:

– Ruani pak ujë edhe për nënën tuaj (ngaqë ajo ishte bashkëshortja e Profetit dhe konsiderohej si nëna e besimtarëve).

Ata edhe asaj i ruajtën pak ujë.

Hazret Ali bin Ebu Talibi thotë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

– Zoti i Madhërishëm i dhuroi çdo Profeti nga shtatë prijës (nekibë), kurse mua më dha katërmbëdhjetë prijës.

– Kush janë ata? Pyetën muslimanët Hazret Aliun.

Hazret Aliu iu përgjigj:

– Unë, të dy djemtë e mi, Xhaferi, Hamzai, Ebu Bekri, Omeri, Mus’ab bin Omejri, Bilali, Selmani, Mikdadi, Ebu Dheri, ‘Amari dhe ‘Abdullah bin Mesudi. (r.a.)

Hazret Zejd bin Erkemi rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

– Sa njeri i mirë është Bilali! Ai është prijësi i myezinëve dhe ditën e kiametit gjithë myezinët atë do ta ndjekin dhe që do të jenë kryelartë.

Përsëri Hazret Zejd bin Erkemi rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

– Sa njeri i mirë është Bilali! Ai është prijësi i myezinëve dhe i dëshmorëve. Ditën e kiametit Bilali do të ketë kokën më të lartë.

Në një hadith thuhet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

– Në xhenet Bilalit do t’i jepet një deve në të cilën ai do të hipë dhe do të udhëtojë.

Porosia e Profetit s.a.v.s. për bashkëshorten e Bilalit r.a.

Bashkëshortja e Hazret Bilalit rrëfen:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. erdhi tek unë, më dha selam dhe tha:

– A është Bilali në shtëpi?

– Jo nuk erdhi në shtëpi, i thashë.

– Mos je e mërzitur nga Bilali? Më pyeti Profeti s.a.v.s.

I thashë:

– Ai më do shumë dhe për çdo gjë më thotë: Kështu tha i Dërguari i Allahut dhe kështu tha i Dërguari i Allahut.

Profeti s.a.v.s. më tha:

– Çdo gjë që do të të thotë Bilali duke m’u referuar mua, pa dyshim do të jetë e vërtetë, sepse Bilali nuk të gënjen. Prandaj, kurrë mos u bë e pakënaqur ndaj tij, se përndryshe ty nuk do të pranohet asnjë vepër prej Zotit, për aq kohë sa ai do të mbetet i pakënaqur nga ti.

Shembulli i Hazret Bilalit r.a.

Hazret Ebu Hruejre r.a. tha se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. pohoi:

– Shembulli i Bilalit është si i bletës, që thith edhe lulet e ëmbla, edhe bimë të hidhura, por gjithë nektarin e kthen në mjaltë të ëmbël.

Lutja e Hazret Bilalit r.a.

Bashkëshortja e Hazret Bilalit r.a. thotë se Hazret Bilali r.a. kur shtrihej në krevat, bënte këtë lutje:

اللھم تجاوز عن سیِّاٰتی و احزرنی بعلّاتی

O Allah! Tolero gjynahet e mia dhe mos më kap për dobësitë e mia!

Porosia e Profetit s.a.v.s. për Hazret Bilalin r.a.

Vetë Hazret Bilali r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. një ditë i tha:

– O Bilal! Vdis kur je i varfër dhe jo i pasur.

– Si mund ta bëj këtë, o i Dërguari i Allahut?, e pyeta unë

– Kur gjen pasuri, mos e grumbullo dhe kur të kërkohet diçka, mos e refuzo. M’u përgjigj Profeti s.a.v.s..

– Po sikur nuk arrij ta bëj këtë, çfarë do të ndodhë o i Dërguari i Allahut? E pyeta.

Dhe Profeti s.a.v.s. më tha – Kështu duhet të bësh, se përndryshe zjarri do jetë streha e fundit.

Pra, Profeti s.a.v.s. e porosit të mos përzinte lypësin dhe të mos jetonte duke grumbulluar pasuri.

Vdekja e Hazret Bilalit r.a.

Hazret Bilali r.a. ndërroi jetë në vitin 20 h, në Damask të Shamit, në kohën e Kalifatit të Hazret Omerit r.a..

Sipas disave ai vdiq në Haleb dhe mosha e tij ishte mbi gjashtëdhjetë vjeç. Kurse disa të tjerë pohojnë se Hazret Bilali ndërroi jetë në vitin 18 h. Ai u varros në varrezën e Damaskut pranë Babus-Segirit.

Dashuria e Profetit s.a. për Hazret Bilalin r.a. – një analizë mbresëlënëse

Në një fjalim të tij, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar a.s. përshkruan pozitën e lartë të Hazret Bilalit r.a.. Ky citim ka disa detaje që ndoshta ju kam përmendur edhe më përpara, por për shkak të rrjedhës së temës, do ia vlejnë t’i dëgjojmë edhe një herë. Ai thotë:

Hazret Bilali vinte nga Abisinia dhe nuk dinte mirë gjuhën arabe. Bënte shumë gabime kur fliste arabisht. Për shembull, njerëzit e Abisinisë nuk shqiptonin dot tingullin -sh, dhe e thoshin -s. Kështu që, kur Bilali thërriste ezanin, në vend të fjalëve “esh-hedu”, thoshte “es-hedu”. Arabët që ishin shumë etnocentrikë, qeshnin kur e dëgjonin.

Ndërkohë që vetë arabët nuk shqiptojnë dot shumë tinguj të tjerë që kanë gjuhë të tjera. Për shembull, ata nuk shqiptojnë dot tingullin t-në e fortë të indishtes. Po kështu, ata nuk shqiptojnë dot ç-në dhe atë e thonë xh.

Pra, ashtu siç joarabët nuk shqiptojnë dot disa tinguj arabë, edhe arabët nuk shqiptojnë dot disa tinguj të gjuhëve të tjera. Por mania e etnocentrizmit nuk i lejonte që ata ta shihnin këtë dobësi të tyre.

Një ditë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vetë pa disa arabë që po përqeshnin Bilalin për shqiptimin e tij Es-hedu.

– Ju po qeshni nga ezani i Bilalit, kurse Zoti gëzohet në Arsh kur e dëgjon atë! U tha i Dërguari i Allahut s.a.v.s..

Pra, Profeti Muhammed s.a.v.s. u thoshte: Zoti e pëlqen më shumë Es-hedunë e tij sesa Esh-hedunë tuaj.

Bilali ishte njeri me ngjyrë dhe nejrëzit me ngjyrë në atë kohë skllavëroheshin. Madje ata janë bërë skllevër edhe deri vonë. Ka raste që kjo ndodh edhe sot.

Por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk ishte prej atyre të cilët nënçmojnë popujt e huaj. Tek Profeti Muhammed s.a.v.s. të gjithë ishin njësoj, robër të Allahut të Madhërishëm.

Ai kishte të njëjtën dashuri edhe ndaj grekëve dhe afrikanëve, siç kishte ndaj arabëve. Ishte dashuria e tij e paanshme e cila i bëri njerëzit e popujve të tjerë të ushqenin dashuri të skajshme edhe për Profetin Muhammed s.a.v.s.. Dhe këtë shumë arabë nuk e kuptonin dot. Profeti Muhammed s.a.v.s. lindi në Mekë, në popullin arab, madje në fisin më të lartë të arabëve, fisi i cili përçmonte edhe fise të tjera arabe.

Pra, Profeti Muhammed s.a.v.s. vinte nga një fis që njihej si fisi më i lartë i gjithë popullit të tyre. Po, çfarë lidhje kishin afrikanët me të! Nëse ndonjë popull duhej të ushqente dashuri ndaj Profetit s.a.v.s. mbi baza etnike, duhet të ishte fisi Beni Hashim, për shembull. Ose njerëzit e tjerë kurejshë duhet të kishin dashuri për Profetin s.a.v.s..

Pra, si ka mundësi që popujt e tjerë do të kishin kaq shumë dashuri ndaj Profetit s.a.v.s.?! Sidomos ata që erdhën më vonë, kur ushtritë e tij do t’ua rrëzonin mbretëritë dhe mbretëria islame do t’ua shkatërronte perandoritë atyre. Përkundrazi, ata duhet të ushqenin armiqësi ndaj Profetit. Por çfarë ngjau vallë që ndodhi e kundërta?

Për këtë le të analizojmë së pari popullin e Hazret Isait a.s. për të parë se çfarë dashurie kishte populli i tij me udhëheqësin e tyre. Policia romake erdhi dhe e kapi Hazret Isain a.s.. Atëherë, Pjetri i ndoqi ata deri larg. [Marku 14:54] Pjetrin Hazret Mesihu a.s. e kishte caktuar edhe si Kalif të tij. Por kur e pa një nga autoritetet e policisë, e pyeti – Çfarë bën ti këtu? Edhe ti je me Jezusin apo jo? Ai u frikësua dhe menjëherë tha:

– Nuk e njoh fare atë.

Pastaj, ai edhe e mallkoi Jezusin a.s. [Marku 14 67 – 71]

Pra, jo vetëm që e mohoi, por edhe e mallkoi atë. Nuk ka dyshim që dishepujt e Hazret Isait a.s. e donin atë. Më vonë, Pjetri do të kryqëzohej në Romë, ku ai me guxim të madh pranoi vdekjen dhe nuk e mohoi dashurinë dhe bindjen ndaj Hazret Isait a.s., por në momentin kur Hazret Isai a.s. do të vihej në kryq, Pjetri nuk ishte kaq i fortë në besim. Me dy tre shuplaka u tremb. Por më vonë u bë kaq i fortë, saqë me gëzim e pranoi edhe kryqëzimin.

Sidoqoftë, ky episod tregon një pamje të asaj dashurie që populli i Hazret Isait a.s. kishte ndaj tij. Nëse ballafaqojmë këtë dashuri me dashurinë që kanë pasur shërbëtorët e Profetit Muhammed s.a.v.s. për të, do të habitemi. Këta e besuan Profetin s.a.v.s. dhe qëndruan përgjithmonë tek ai. Ne mund të shohim se si ndikoi dashuria e Profetit s.a.v.s. tek Bilali, për shembull, i cili qe një afrikan, pra një njeri me ngjyrë.

Disa njerëz shprehin dashuri të madhe ndaj të dashurit të tyre, por thellë-thellë dashuria e tyre mbetet shumë e kufizuar. Edhe në rastin konkret duhet të shohim nëse dashuria e Profetit Muhammed s.a.v.s. për Bilalin, ishte thjesht për t’i treguar botës një barazi mes njerëzve apo Profeti s.a.v.s. me të vërtetë e donte Bilalin, të cilin jo vetëm kurejshët por të gjithë arabët e urrenin për shkak të etnisë së tij. Kjo dashuri nëse ishte reale apo ishte thjesht për t’ia treguar botës, këtë mund ta analizonte më së miri vetë Bilali.

Pra, ne duhet të shkojmë ta pyesim Bilalin. Ne që jetojmë 13 shekuj pas gjithë asaj që ndodhi, si mund të bëjmë analizë të saktë të kësaj dashurie. Po, ne mund të shohim se si e ndjeu Bilali dashurinë e Profetit Muhammed s.a.v.s., të vërtetë apo të pavërtetë. Pyetja nuk është që si e kemi kuptuar ne këtë dashuri. Pyetja as nuk është se si kanë kuptuar këtë dashuri njerëzit që ishin një shekull përpara nesh, ose ata që ishin para tyre. Pyetja as nuk është se si e kanë kuptuar sahabët këtë dashuri mes Profetit s.a.v.s. dhe Bilalit.

Pyetja është se ajo fjali e shkurtër e Profetit që “Zoti gëzohet në Arsh nga Es-hedu i Bilalit dhe es-hedu i tij është shumë më i mirë sesa esh-hedu i arabëve të tjerë”, nëse ishte sa për t’ia qetësuar zemrën Bilalit, apo buronte nga dashuria e vërtetë e Profetit s.a.v.s. për Bilalin. Duhet të shohim se çfarë ndjeu vetë Bilali nga kjo fjali e shkurtër.

Nga ky pohim i Profetit s.a.v.s., Bilali kuptoi që ai e donte shumë atë, edhe kur nuk konsiderohej një njeri i zakonshëm, madje dikush që nuk vlerësohej si njeri fare, por skllav.

Le të zhvendosemi pak vite më vonë nga kjo ngjarje. Profeti Muhammed s.a.v.s. ishte i tillë që edhe vdekje e tij ishte për hir të Zotit, siç Zoti e porosit të deklarojë në Kuran “… vdekja ime është për Allahun, Zotin e botëve”. Pra, ai ndërron jetë. Rrethanat ndryshojnë. Vijnë njerëzit e tjerë në rolin e sundimtarëve. Disa sahabë largohen qindra kilometra larg Arabisë. Njëri prej tyre ishte edhe Bilali. Pra, pas vdekjes së Profetit s.a.v.s., ai shkon në Sham për të jetuar në Damask.

Një ditë u mblodhën disa njerëz dhe thanë se Bilali këndonte ezanin gjatë kohës së Profetit. T’i kërkojmë atij që të na këndojë edhe një herë. Shkuan te ai dhe ia bënë kërkesën. Por Bilali e refuzoi duke thënë: Nuk këndoj ezanin pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., sepse kur e këndoj, më kujtohet Profeti s.a.v.s. dhe unë nuk përmbahem dot.

Ato ditë edhe Hazret Omeri r.a. kishte ardhur në Damask. Njerëzit atij i thanë që ta porosiste Bilalin. Mes tyre ishin edhe sahabë, që kishin parë kohën e Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe që e kujtonin me mall ezanin e Bilalit, sepse edhe atyre u kujtoheshin shumë gjëra të jetës profetike me ezanin e Bilalit. Mes tyre ishin edhe ata që nuk ishin sahabë dhe që nuk e kishin parë kohën e Profetit Muhammed s.a.v.s., por vetëm kishin dëgjuar shumë për të. Edhe ata donin ta dëgjonin me veshët e tyre ezanin e atij që e dëgjonte vetë i Dërguari i Allahut s.a.vs..

Hazret Omeri r.a. thirri Bilalin dhe i tha se njerëzit kështu donin prej tij. Ai tha – Jeni Kalifi i kohës, do ta zbatoj porosinë. Por nuk më duron zemra.

Hazret Bilali u ngrit dhe thirri ezanin, ashtu siç e thërriste në kohën e Profetit s.a.v.s.. Të gjithë sahabëve të pranishëm që ishin arabë, fillon t’u lotonin sytë nga malli për Profetin s.a.v.s. Disa shpërthyen me ngashërime. Sa vijonte ezani, sahabët emocionoheshin thellë. Por duhet parë se si e ndjeu këtë moment vetë Hazret Bilali që ishte një etiopian dhe që punoi si skllav pranë arabëve dhe me të cilin arabët jo vetëm që nuk ishin vëllezër, por nuk kishin asnjë lidhje gjaku me të.

Bilali kur e përfundoi ezanin, humbi ndjenjat. Dhe pas pak kohe ndërroi jetë. Kjo qe dëshmia nga njerëzit e racave të tjera për vërtetësinë e deklaratës së Profetit s.a.v.s. kur ai tha se tek ai nuk ka asnjë dallim mes një arabi dhe joarabi. Kjo ishte një dëshmi e fuqishme që kur popujt e tjerë qëndruan pranë Profetit Muhammed s.a.v.s., panë dhe përjetuan se ai i donte kaq shumë sa edhe vetë njerëzit e tyre nuk i donin.

Ky ishte prijësi ynë Hazret Bilali, i cili vendosi standarde kaq të larta të pohimit me zemër dhe me vepra të Njëshmërisë Zotit, si dhe të dashurisë dhe të besnikërisë ndaj prijësit të tij Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s., dhe pikërisht këto standarde janë modele për ne. Këto ishin një copëz të historive të mrekullueshme dashurie dhe dhembshurie të Profetit Muhammed s.a.v.s. ndaj një skllavi të dikurshëm zezak, së cilës nuk mund t’ia gjejmë shembullin askund në botë.

Pikërisht ky model sot mund të vendosë dashuri dhe paqe në botën mbarë, duke çarë prangat e skllavërisë. Sot edhe shpëtimi ynë varet nga vendosja e tillë e njëshmërisë së Zotit dhe nga dashuria kaq e madhe për të Dërguarin arab, Muhammedin s.a.v.s.. Allahu na mundësoftë ta realizojmë këtë detyrë.

Me këtë hutbe kam përfunduar përmendjen e Hazret Bilalit (që vijonte nga dy hutbet e mëparshme)

Xhenaze

[Pas kësaj, Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, njoftoi se pas namazit të së xhumasë, do të udhëhiqte disa xhenaze. Gjithashtu, ai tregoi cilësitë e larta të këtyre të ndjerëve, të cilët ishin besimtarë jashtëzakonisht të përkushtuar. Xhenazet që u falën sot ishin:

  1. I ndjeri Mevlana Talib Jakub, i biri i të nderuarit Tejjib Jakub, misionar i Xhematit në Trinidad, që ndërroi jetë më 8 shtator 2020 në moshën 63 vjeçare.
  2. I ndjeri inxhinier Iftikhar Ali Kurjeshi nga pakistani, që ndërroi jetë më 3 qershor 2020, në moshën 99 vjeçare.
  3. E ndjera Razije Sultana, bashkëshortja e Meulvi Khurshid Hakim Khurshidit. Ndërro jetë në moshën 81 vjeçare.
  4. I ndjeri Muhammed Tahir Ahmed, i biri i të nderuarit Muhammed Mensur Ahmedit, Naim Nazir Bejtul-Mal i Kadijanit. Ndërroi jetë më 28 maj 2020 në moshën 57 vjeçare nga kanceri në mëlçi.
  5. Djaloshi Akil Ahmed, i biri Mirza Khalil Ahmed Begut që ndërroi jetë në moshën 13 vjeçare.

Për të ditur ngjarje interesante nga jeta e këtyre besimtarëve të ndjerë, ju lutem ndiqni videon]

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp