Jeta e Ebu Talha el-Ensariut (Zejd ibn Sehl) r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Ebu Talha el-Ensariut (Zejd ibn Sehl) r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Ebu Talha Zejd ibn Sehl el-Evsi r.a. | عَبْدُ اللّهِ بنُ أَبي طَلْحَة زَيْدِ بنِ سَهْل

Sot, do t’ju rrëfej jetën e sahabiut të shquar Ebu Talha el-Ensariu r.a.. Emri i tij i vërtetë ishte Zejd. Ai i përkiste fisit Hazrexh dhe ishte kryetar i këtij fisi. A përmendet dhe njihet në histori me nofkën Ebu Talha. Emri i babait të tij ishte Sehl ibn Esved dhe nëna quhej ‘Ubade bint Malik. Ebu Telha kishte bërë bejt në kohën e besëlidhjes së dytë të Akabasë. Ai shoqëroi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në të gjitha betejat e rëndësishme si Bedr etj.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte vendosur lidhjen e tij vëllazërore me Ebu ‘Ubejdeh ibn Xherrah r.a. kur ky i fundit kishte mbërritur në Medinë pas hixhretit nga Meka.

Ebu Telha kishte ngjyrë gështenje dhe shtat mesatar. Ai kurrë nuk u intereusa për t’i lyer flokët a mjekrën gjatë gjithë jetës.

Enesi ishte djali i gruas së Ebu Talhait, me burrin e parë. Më parë Umi Sulejm ishte e martuar me Malik ibn Nedhr, dhe pas vdekjes së tij, ajo u kurorëzua me Ebu Talhain. Nga kjo martesë, lindën Abdullahu dhe Umejri.

Sipas Enesit r.a. Ebu Talhai kishte lypur dorën e Umi Sulejmes, por ajo iu përgjigj: Pasha Allahun! Unë nuk mund t’ju refuzoj martesën, veçse jeni idhujtar, ndërsa unë jam muslimane. Unë nuk ju kërkoj asgjë në Mehr, por që të pranoni Islamin. Ky transmetim gjendet në Sunen en-Nesāʾī. Ebu Talhai përqafoi Islamin. Thabiti r.a. kishte thënë që nuk kishte njohur asnjë grua, e cila kishte marrë një mehr kaq të çmuar e të ndershëm, siç ishte mehri i Umi Sulejmes.

Ebu Talhai mori pjesë në betejën e Bedrit me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Ai ka rrëfyer se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. na kishte porositur ditën e Bedrit, që të shtinim 24 kufomat e prijësve të Kurejshve në një pus të ndyrë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte praktikë se pas fitores mbi kundërshtarin në luftë, ai qëndronte në fushëbetejë për tri net. Në ditën e tretë pas luftës së Bedrit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. porositi për t’i vënë samar devesë së tij. Pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u ngrit për të shkuar diku. Sahabët gjithashtu e shoqëruan, ngaqë mendonin se ai duhet të kishte një qëllim të caktuar. Profeti s.a.v.s. eci derisa mbërriti te muri që e rrethonte pusin, në të cilin gjendeshin trupat e 24 mosbesimtarëve. Profeti zuri të thërriste ata një e nga një me emrat e tyre se: “O filan biri i filanit! O filan i biri i filanit! A nuk do të ishit të lumtur nëse i bindeshit Allahut dhe të Dërguarit të Tij? Lavdi Allahut se na ka përmbushur premtimin që na kishte bërë. A ju ka përmbushur gjithashtu premtimin që ju kishte bërë?” Omeri r.a. e pyeti: O i Dërguar i Allahut! A po u drejtoheni trupave të pajetë? Ai i tha: Pasha Allahun, në dorën e të Cilit gjendet shpirti i Muhammedit! Ju nuk po dëgjoni më tepër se çfarë po u them atyre. Pra, fjalët e mia, po u përcjell Allahu dhe i njofton për përfundimin e tyre të keq.

Enesi r.a. transmeton se në luftën e Uhudit, pas sulmit të papritur të mosbesimtarëve, muslimanët ishin shpërndarë dhe ishin larguar nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Në këtë gjendje të rrezikshme, Ebu Talhai e mbronte Profetin s.a.v.s. mbrapa mburojës së tij. Atë ditë, Ebu Talhai qëllonte me shigjeta dhe ai ngrehte harkun aq shumë, saqë nga tendosja e madhe i thyheshin harqet. Sa herë që kalonin ushtarët muslimanë me mbajtëse shigjetash, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u jepte porosi për t’i lënë ato te Ebu Talhai. Sa herë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ngrinte kokën për të parë rreth e qark, Ebu Talhai i thoshte:

بأبى انت وامى يا رسولَ الله لا تشرِف يُصِبكَ سَھمٌ نَحرِى دُونَ نَحرِکَ

Ju u flijofshin babai dhe nëna ime! Ju lutem, mos e ngrini kokën, se do t’ju godasë ndonjë shigjetë. Gjoksi im qëndron para gjoksit tuaj.

Enesi ibn Maliku rrëfen se Ebu Talhai e mbronte të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. mbrapa mburojës së tij, ndërsa kur qëllonte me shigjetë, Profeti s.a.v.s. ngrinte kokën, për të parë se a kishte goditur qëllimin. Këtë hadith, e ka shënuar Imam Buhariu në sahihun e tij.

Sipas një transmetimi tjetër, Ebu Talhai po recitonte këto vargje në luftën e Uhudit:

نفسي لنفسك الفداء ووجهي لوجهك الوقاء

U flijoftë jeta ime për jetën tuaj dhe fytyra ime për fytyrën tuaj të ndritur.

Enes ibn Maliku rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte thënë Ebu Talhait, për t’ia gjetur dikë prej djemve të tij, i cili mund ta shoqëronte gjatë udhës së Hajberit. Ebu Talhai më bëri të ulesha pas tij mbi deve dhe më solli te i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Atëherë isha ende i mitur, dhe po i afrohesha moshës madhore. Unë i shërbeja të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Sa herë që zbriste nga

اللَّهُمَّ إِنِّي أَعُوذُ بِكَ مِنَ الْهَمِّ وَالْحَزَنِ، وَالْعَجْزِ وَالْكَسَلِ،

وَالْبُخْلِ وَالْجُبْنِ ، وَضَلَعِ الدَّيْنِ، وَغَلَبَةِ الرِّجَالِ

O Allah! Më mbro nga brenga e shqetësimi! Më mbro nga paaftësia e përtacia! Më mbro nga frika e koprracia! Më mbro nga ngarkesa e borxhit dhe nga pushtimi i njerëzve!”

Në Buhari gjendet një transmetim tjetër, të cilin e ka rrëfyer po Enes ibn Maliku r.a.. Ai ka thënë se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbërriti në Medinë, nuk kishte askënd që mund t’i shërbente atij. Ebu Talhai më mori përdore dhe dolëm para tij dhe i tha: O i Dërguar i Allahut! Enesi është një djalë i zgjuar dhe ai do t’ju shërbejë. Kështu, unë e shoqëroja të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në udhëtim e në qëndrim. Profeti s.a.v.s. kurrë nuk më ka pyetur për ndonjë punë që kisha bërë, se përse e bëra në atë mënyrë, po ashtu nuk më qortoi asnjëherë për ndonjë detyrë të pakryer se përse nuk e kisha realizuar.

Enes ibn Maliku gjithashtu ka rrëfyer se njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. po kthehej nga Usfani. Ai ishte hipur në deve, kurse bashkëshortja e tij Sefije bint Hujje ishte ulur mbrapa tij. Duke ecur deveja hasi një pengesë dhe u rrëzua përtokë, bashkë me ata dy. Ebu Talhai i cili gjithashtu po udhëtonte, zbriti menjëherë nga deveja dhe tha: O i Dërguar i Allahut! U bëfsha kurban për ju! Profeti e porositi: Së pari kujdesu për gruan! Ebu Talhai mbështolli fytyrën e vet dhe iu afrua Sefijes dhe pastaj atë copë pëlhure vuri mbi të. Pastaj, ia rregulloi devenë dhe ata i hipën sërish. Pas kësaj ngjarjeje, ne krijuam një hallkë rreth e qark të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. derisa mbërritëm në kodrën afër Medinës. Në atë moment, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u shpreh:

آيِبونَ تائِبُونَ عَابِدُونَ لِرَبِّنَا حَامِدُونَ

“Ne jemi ata që kthehen, që pendohen, e adhurojnë Allahun dhe Zotin tonë e lavdërojmë”. A vazhdoi të recitonte këto fjalë, derisa mbërriti në Medinë.

Kalifi II r.a. gjithashtu ka përshkruar këtë ngjarje, në vazhdë të një teme, në të cilën ai ka argumentuar për të drejtat e gruas në Islam. Ai shkruan:

“Njëherë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. po kthehej nga lufta e Hajberit. Ai ishte hipur në një deve, ndërsa bashkëshortja e tij Sefije ishte ulur pas tij. Gjatë rrugës, deveja kërciti dhe Profeti dhe Sefeja të dy u rrëzuan përtokë. Deveja e Ebu Talhait qëndronte mbrapa tyre, andaj ai menjëherë zbriti dhe shkoi me vrull afër tyre. Ai i tha Profetit: O i Dërguar i Allahut! U bëfsha kurban për ju! A mos jeni vrarë? I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: Ebu Talhai! Shko dhe kujdesu për gruan! Ai i përsëriti dy herë këto fjalë.

Ebu Talhai ishte besniku dhe i dashuri i Profetit s.a.v.s., dhe shpirti i tij brengosej vetëm për atë dhe në atë moment, nuk i shkoi ndërmend askush tjetër.

Enesi r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. udhëhoqi sulmin ushtarak në Hajber. Atë ditë kemi falur namazin e Sabahut, pasi që erdhëm fare pranë, kur akoma ishte errësirë. Pas namazit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kalëroi në rrugicat e Hajberit. Ebu Talhai gjithashtu i hipi kalit ndërsa unë ulesha pas tij. Ne po kalëronim aq pranë, saqë gjuri im takonte me kofshën e Profetit s.a.v.s.. Pastaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. për shkak të nxehtësisë ose thjeshtë për t’u rehatuar, ngriti pak veshjen e tij të poshtme nga gjuri, derisa pashë bardhësinë e kofshëve të tij. Kur hyri në fshat, ai deklaroi:

اللَّهُ أَكْبَرُ، خَرِبَتْ خَيْبَرُ، إِنَّا إِذَا نَزَلْنَا بِسَاحَةِ قَوْمٍ فساء صباح المنذرين

Allahu është më i Madhi. U shkretua Hajberi. Kur ne vendosemi në oborrin e një populli, i cili është paralajmëruar për dënimin prej Zotit, me siguri ata gdhijnë në gjendje shumë të keqe. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. përsëriti këto fjalë tri herë. Enesi r.a. ka shtuar se kur njerëzit dolën nga shtëpitë e tyre për të punuar, ata thanë se Muhammedi (a.s. ka ardhur) dhe disa shokë të tyre thoshin fjalën Hamis (خميس) d.m.th. me ushtrinë e tij.

Enesi r.a. ka thënë se ne fituam Hajberin pas një lufte të ashpër dhe u tubuan robërit e luftës. Dahja Kalbi doli përpara dhe i tha Profetit: O i Dërguar i Allahut! Ju lutem, më dhuroni një robëreshë nga këta robër të luftës. Ai i tha: Shko dhe merre një vajzë prej tyre. Dahja zgjodhi Sefijen, vajzën e Hujjejit. Një person shkoi te Profeti dhe i tha: O i Dërguar i Allahut! Ju i keni falur Dahjes Sefijen bint Hujjej, e cila është vajza e kryetarit të Kurejdhës dhe Nedirit. Ajo është e denjë vetëm për ju. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e urdhëroi që Dahja me gjithë Sefijen të paraqitej para tij. Ata i sollën Dahjen dhe Sefijen para tij. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha Dahjes që në vend të Sefijes, i duhet të zgjidhte ndonjë vajzë tjetër. Pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e liroi Sefijen dhe e mori për gruan.

Thabiti r.a. e pyeti Enesin: O Ebu Hamza! Çfarë i kishte dhënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Sefijes si Mehr? (Mehri ose prika është dhurata e kurorës që burri i jep gruas). Ai i tha: “Lirinë e saj. Ai e liroi atë dhe pastaj u martua me të”. Enesi gjithashtu tha: “Gjatë udhës, Umi Sulejmeja e veshi dhe e përgatiti atë për martesë dhe në darkë ia dërgoi atë si nuse”. Të nesërmen i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ftoi çdokënd që kishte diçka për të ngrënë, ta sillte atë me vete. Ai shtroi një mbulesë prej lëkure (për të vënë në të ushqimet e ndryshme). Dikush kishte sjellë hurma, gjalpë të kthjelluar dhe miell drithërash etj. Ata duke përzierë të gjitha këto, përgatitën brumë dhe gatuan diçka prej saj. Kjo ishte Valima (banketi i dasmës) së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Në një transmetim tjetër, përmendet që pas fitores së kështjellës, në bazë të shortit, Sefija bint Hujjej i takonte Dahjes. Atëherë disa sahabë shkuan te Profeti s.a.v.s. dhe thanë fjalë të mira dhe lëvduan Sefijen para tij. Ata gjithashtu i thanë se në bazë të pozitës dhe gradës, është e udhës që Profeti ta zgjidhte atë për veten. Pastaj, Profeti s.a.v.s. i dërgoi një mesazh Dahjes dhe e bleu Sefijen në këmbim të shtatë skllevërve. Ai ia dorëzoi atë Umi Sulejmes që të kujdesej për të, dhe më vonë u martua me të.

Enes ibn Maliku r.a. ka thënë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në ditën e luftës së Hunejnit kishte thënë se çdokush që do të mbyste ndonjë jobesimtar, do të fitonte të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e atij jobesimtari. Atë ditë Ebu Talhai kishte vrarë 20 jobesimtarë dhe pronësoi pasurinë e tyre. Duke parë një hanxhar te Umi Sulejmeja, Ebu Talhai e pyeti: O Umi Sulejm! Çfarë është kjo? Ajo i tha: Pasha Allahun! Kam ndërmend që me këtë hanxhar, t’i çaj barkun jobesimtarit nëse ai del para meje. Këto fjalë, Ebu Talhai ia përcolli të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ky hadith gjendet në Sunen Ebu Davud.

Enesi r.a. ka rrëfyer se zëri i Ebu Talhait në ushtri mbizotëronte një xhemat të tërë. Në transmetime të tjera, në vend të xhematit, janë përdorur fjalët مأة رجل  njëqind veta ose الف رجل një mijë veta.

Ebu Talhai r.a. ndërroi jetë në Medinë vitin 34 të hixhretit në moshën 70 vjeçare. Osmani r.a. kishte udhëhequr xhenazen e tij. Sipas banorëve të Basrasë, Ebu Talhai kishte ndërruar jetë gjatë një udhëtimi në det dhe që ishte varrosur në një ishull.

Agjërimi

Enesi r.a. ka thënë se në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., për shkak të pjesëmarrjes në ekspeditat ushtarake, Ebu Talhai nuk agjëronte vullnetarisht. Enesi r.a. gjithashtu ka thënë që kur ndërroi jetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s., unë gjithmonë e kam gjetur në gjendje të agjërimit, përveç ditëve të bajrameve.

Mikpritja e tij

Ebu Hurejra r.a. ka thënë që njëherë një person erdhi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Profeti s.a.v.s. pyeti që nëse bashkëshortet e tij kishin ndonjë ushqim për mysafirin, por ato u përgjigjën se përveç ujit nuk kishin asgjë në shtëpi. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. pyeti sahabët se kush do ta pranonte atë mysafir në shtëpi. Një sahab prej ensarëve ngriti dorën dhe e mori mysafirin në shtëpi. Kur mbërriti në shtëpi, ai i tha bashkëshortes për të gostitur bujarisht mysafirin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ajo i tha se nuk kishin asgjë në shtëpi, përveç asaj që mezi do t’u mjaftonte fëmijëve. Ai i tha gruas që kur fëmijët i kërkojnë për të ngrënë darkë, ajo t’i vinte në gjumë. Ai gjithashtu i tha për ta përgatitur atë ushqim për mysafirin dhe për të ndezur një qiri. Gruaja e rregulloi çdo gjë sipas porosisë së bashkëshortit dhe shtroi ushqim në sofër. Mysafiri tashmë ishte ulur në sofër dhe ajo u ngrit kinse e rregullonte fitilin e qiririt dhe e shoi atë. Pastaj të dy burri e gruaja u shtirën gjoja po hanin bashkë me mysafirin, por me të vërtetë kaluan gjithë natën pabukë. Kur ky sahabi takoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në sabah, Profeti i tha: “Sonte edhe Zoti ka qeshur për punën tuaj dhe më ka shpallur këtë ajet:

وَيُؤْثِرُونَ عَلَى أَنْفُسِهِمْ وَلَوْ كَانَ بِهِمْ خَصَاصَةٌ وَمَنْ يُوقَ شُحَّ نَفْسِهِ فَأُولَئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ

Ata u jepnin epërsi të tjerëve sesa vetes, edhe pse ata vetë janë nevojtarë. Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues. (el-Hashr 59:10)

Enesi r.a. ka thënë se njëherë kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i shkurtoi flokët, Ebu Talhai i kërkoi që të ruante një pjesë prej saj për veten. Ai ishte i pari që ruajti flokët e Profetit s.a.v.s..

Njëherë Ebu Talhai i tha bashkëshortes së tij Umi Sulejme se kishte dëgjuar zërin e ulët të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe i dukej se ai është i uritur. A e pyeti se a kishte diçka për të ngrënë, që ai mund t’i jepte Profetit. Ajo i solli disa bukë të grunjtë dhe i dha atij duke i mbështjellë me një shami. Pastaj ai më dërgoi mua në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Enesi r.a. rrëfen më tej: Unë dola nga shtëpia dhe e gjeta Profetin s.a.v.s. në xhami. Ai ishte me disa sahabë të tjerë. Duke më parë mua, ai pyeti: A të dërguar Ebu Talhai? Unë i thashë: Po. Pastaj më pyeti: A të ka dërguar me bukë? Unë sërish iu përgjigja me pohim. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i porositi të tjerët për t’u çuar dhe ai u nis drejt shtëpisë sonë. Unë dola para tyre dhe e lajmërova Ebu Talhain se Profeti s.a.v.s. po vinte në shtëpinë tonë. Ai menjëherë i tha Umi Sulejmes se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. po vjen në shtëpinë bashkë me sahabë të tjerë, ndërsa nuk kemi ushqim të mjaftueshëm për të gjithë. Bukë që kishim, i patëm dërguar, dhe tani ato kthehen mbrapsht”. Ajo i tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij dinë më së miri”. Ebu Talhai doli përpara dhe e takoi Profetin dhe bashkë me të erdhi në shtëpi. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha Umi Sulejmes: “Më sillni bukë që keni në shtëpi”. Pastaj ai porositi për t’i thyer ato në pjesë të vogla. Pastaj Umi Sulejmja i dha Profetit s.a.v.s. gjalpë të kthjelluar në një tas që të përdoret si gjellë.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. bëri lutje mbi ato bukë dhe pastaj porositi që të lejohen 10 persona që të hyjnë për të ngrënë. Ata erdhën dhe hëngrën derisa u ngopën. Pasi që dolën, Profeti s.a.v.s. porositi për të lejuar 10 persona të tjerë. Ata gjithashtu erdhën dhe hëngrën derisa nuk kishin më urinë. Kur dolën ata, ai porositi për të lejuar brenda 10 persona të tjerë. Ata erdhën dhe hëngrën derisa u nginë. Ata vinin dhe hanin derisa ngopeshin. Atë ditë 70 apo 80 njerëz erdhën dhe hëngrën. Kjo ngjarje tregon bekimin e lutjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Enes ibn Maliku r.a. ka rrëfyer se Ebu Talhai kishte kopshte hurme më shumë se çdo musliman tjetër ensar. Ndër të gjitha kopshtet i pëlqente më së shumti kopshti Beraha. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. shpesh i vinte për të vizituar dhe pinte nga uji i tij i pastër dhe i kulluar.

Kur zbriti ajeti لَن تَنَالُوا الْبِرَّ حَتَّىٰ تُنفِقُوا مِمَّا تُحِبُّونَ ۚ وَمَا تُنفِقُوا مِن شَيْءٍ فَإِنَّ اللَّـهَ بِهِ عَلِيمٌ

Kurrsesi nuk mund të arrini mirësinë, derisa të shpenzoni nga ato që i doni. Çfarëdo gjëje që të shpenzoni, Allahu është i Dijshëm për të. (Ali Imran 3:93)

Ebu Talhai u ngrit dhe iu drejtua Profetit duke thënë: O i Dërguar i Allahut! Allahu ka thënë: لَن تَنَالُوا الْبِرَّ حَتَّىٰ تُنفِقُوا مِمَّا تُحِبُّونَ se kurrsesi nuk mund të arrini mirësinë, derisa të shpenzoni nga ato që i doni. Prona më e shtrenjtë dhe më e pëlqyer për mua është kopshti Beraha, dhe unë e jap atë si sadaka për hir të Allahut. Unë shpresoj se kjo do të konsiderohet një vepër e pranuar tek Allahu dhe do të mbetet si furnizim pranë Tij. Ju mund ta shpenzoni atë, për çfarëdo qëllimi, që Zoti ju udhëzon. Profeti i tha: Të lumtë! Kjo është një pasuri e dobishme ose e pashtershme. Ai gjithashtu i tha: Unë e kam dëgjuar atë që ke thënë. Unë mendoj se duhet ta ndani atë midis të afërmve tuaj. Ebu Talhai iu bind porosisë së Profetit s.a.v.s. dhe e ndau atë kopsht midis të afërmve dhe kushërinjve të tij.

Ebu Talhai gjithashtu shquhej për një arsye tjetër. Kur ndërroi jetë një vajzë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ai sipas porosisë së Profetit, kishte zbritur në varrin e saj, dhe kishte ulur kufomën e saj brenda.

Enes ibn Maliku r.a. ka thënë se njëherë banorët e Medinës u frikësuan nga zhurma që vinte nga periferia. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i hipi kalit të Ebu Talhait, i cili ecte shumë ngadalë. Kur ai u kthye, i tha atij: O Ebu Talha! Kam gjetur kalin tënd si një rrëke të vrullshme. Pas asaj dite, askush nuk mund ta parakalonte atë kalë.

Enesi r.a. ka rrëfyer se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shoqërohej me ne dhe mbante një lidhje të ngrohtë.  Ai shpesh i thoshte vëllait tim të vogël: O Ebu ‘Umejr! Çfarë ka bërë Nuvejeri? Vëllai im mbante një harabel, i cili në gjuhën arabe quhej Nuvejr. Kur ngordhi harabel, vëllai im gjithmonë pikëllohej për të. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. për t’ia lehtësuar dhimbjen e pyeste: A ka fluturuar ai apo ka ngordhur?

Shpeshherë, koha e namazit e gjente të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në shtëpinë tonë. Ai na thoshte për të shtruar dyshekun, mbi të cilin ai ulej. Kështu, ne e shtronim dhe e pastronim, kur ai çohej për namazin, ndërsa ne faleshim pas tij.

Enes ibn Maliku r.a. ka transmetuar se kur lindi Abdullah ibn Ebi Talhai, pra vëllai im nga ana e nënës, unë e mora te i Dërguar i Allahut s.a.v.s.. Profeti kishte veshur mantelin dhe e lyente devenë e tij me katran. Ai më pyeti se a kisha hurma e vete. Unë iu përgjigja me pohim. I dhashë disa kokrra hurme, të cilat ai i shtiu në gojë, i përtypi mirë, pastaj ia hapi gojën fëmijës dhe i dha për të thithur. Fëmija menjëherë nisi t’i thithte ato. Profeti s.a.v.s. tha: Shikoni sa shumë e duan Ensarët hurmën, saqë i pëlqen dhe një fëmije. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia vuri emrin Abdullah.

Enes ibn Maliku r.a. ka thënë se një fëmijë i Ebu Talhait ishte i sëmurë. Një ditë, kur Ebu Talhai nuk ndodhej në shtëpi, fëmija ndërroi jetë. Kur u kthye në shtëpi, ai e pyeti bashkëshorten për gjendjen e fëmijës. Umi Sulejmija i tha se është më qetë tani. Ajo ia shtroi darkën dhe kështu kaloi nata. Të nesërmen, ajo e njoftoi se fëmija kishte ndërruar jetë dhe i tha për ta varrosur atë. Ebu Talhai shkoi në mëngjes te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i dha lajmin e dhimbshëm. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u lut për të, e pastaj i lindi një djalë.

Hazret Kalifi II r.a. ka rrëfyer këtë ngjarje duke thënë që për besimtarin sakrifica e jetës nuk vlen aspak. Njerëzit kanë bërë polemikë lidhur me poetin indian Ghalib, se a pinte alkool apo jo. Unë e kam lidhje farefisnore me të, dhe kam dëgjuar nga gjyshet dhe halat e mia se ai pinte alkool. Ndonëse pinte alkool, ai ka thënë:

جان دی دی ہوئی اسی کی تھی

حق تو یہ ہے کہ حق ادا نہ ہوا

Jetën që i patëm dhënë, na ishte dhuruar prej Tij.

Me të vërtetë, nuk është përmbushur detyra siç duhej.

Prandaj, nëse dikush sakrifikon jetën duke e zbatuar porosinë e Tij, me të vërtetë, nuk paska bërë ndonjë sakrificë të jashtëzakonshme, sepse jeta i takon Zotit, dhe kthimi mbrapsht i një amaneti që i takon atij, nuk përbën ndonjë sakrificë të dalluar.

Në librat e Hadithit, ne gjejmë historinë e një sahabije. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte dërguar bashkëshortin e saj Ebu Talhain me një detyrë të rëndësishme fetare. Fëmija i tij ishte i sëmurë dhe natyrisht ai ishte i shqetësuar lidhur me gjendjen e tij. Por fëmija e tij kishte ndërruar jetë, gjatë kohës që ai shërbente jashtë. Nëna vuri një copë pëlhure mbi trupin e pajetë, ndërsa vetë u la, u përgatit dhe u parfumua për të pritur bashkëshortin me një kurajë të madhe. Bashkëshorti sa hyri në shtëpi, e pyeti për gjendjen e fëmijës. Ajo iu përgjigj se ai po prehet me qetësi. Ai hëngri bukë, u shtri në krevat dhe kreu marrëdhëniet bashkëshortore. Pastaj, gruaja i tha bashkëshortit se donte ta pyeste diçka. Nëse dikush i jep dikujt diçka për të ruajtur si amanet, dhe i kërkon pas një kohe të caktuar, a i duhet t’ia kthejë atij atë send apo të refuzojë? Burri u përgjigj se vetëm një budalla mund të ngurrojë në kthimin e një amaneti. Gruaja e pyeti prapë: Por a nuk do të ketë keqardhje se po kthen amanetin? Burri tha: Përse duhet të brengoset ai, kur ajo gjë nuk i takonte atij? Gruaja i tha: atëherë, dua të them se fëmija ynë që ishte një amanet prej Zotit, Ai na ka marrë.

E tillë ishte forca dhe kuraja e grave të asokohe. Prandaj, sakrifica e jetës nuk mban ndonjë vlerë të madhe në sy të besimtarit.

Pastaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u lut për të dhe Allahu e bekoi me një djalë. Zoti i dhuroi kaq shumë mirësi saqë sipas rrëfimit të një sahabiu ensar, Ebu Talhai kishte nëntë djem dhe të gjithë ishin hafizët e Kuranit.

Asimi Ahvali ka rrëfyer se kishte parë tasin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. te Enesi. Tasi ishte i gjerë e i bukur prej drurit. Ai ishte i krisur, prandaj Enesi e kishte ngjitur me argjend. Ai rrëfente se i kishte dhënë shpesh të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ujë në atë tas. Ibni Sirini ka thënë që tasi ishte lidhur me tel hekuri. Enesi r.a. kishte dëshirë për ta zëvendësuar atë me tel argjendi apo floriri, por Ebu Talhai r.a. e ndaloi për ndonjë ndryshim dhe e porositi për ta atë në gjendjen e tij origjinal, siç e kishte bërë i Dërguari i Allahut s.a.v.s..

Enesi ibn Maliku r.a. ka rrëfyer se njëherë po u shërbeja Ebu Talhait, Ebu ‘Ubejda ibn Xherra dhe Ubej ibn Kabit me alkoolin prej hurmës. Ndërkohë, dikush lajmëroi se pirja e alkoolit tashmë është e ndaluar. Sa e dëgjoi lajmërimin, Ebu Talhai i dha urdhër Enesit për të thyer shtambat e alkoolit. Ai menjëherë zbatoi urdhrin dhe i theu shtambat duke i goditur me nj gur.

Enes ibn Maliku r.a. ka thënë që në Medinë jetonin dy persona që merreshin me varrim. Njëri hapte varr, duke hapur një kanal anësor, ndërsa tjetri bënte varr të thjeshtë. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndërroi jetë, sahabët thanë se do të bëjmë ishtihare dhe do të njoftojmë të dy. Këtë detyrë do t’i japim atij që vjen i pari. Kështu ata i dërguan mesazh të dyve. Ai që bënte varrë si lehd, erdhi i pari, andaj sahabët hapën varr si lehd. Në komentimin e këtij hadithi, shtohet se personi i cili bënte varr si Lehd, ishte Ebu Talhai, ndërsa ai që e bënte drejtë ishte Ebu ‘Ubejda ibn Xherra.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp