Jeta e Abdullah ibn Revâhas r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Abdullah ibn Revâhas r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Abdullah ibn Revâha el-Hazrexhi r.a. | عبد الله بن رَوَاحة

Sot, do të trajtohet jeta e sahabiut të njohur, Abdullah ibn Revaha r.a.. Babai i tij quhej Tha’lebe ndërsa nëna quhej Kebsha bint Vakid ibn Amru, dhe vinte prej familjes Benu Harith të fisit Hazrexh të ensarëve. Abdullah ibn Revaha r.a. ishte kryetari i fisit Benu Harith ibn Hazrexh dhe kishte marrë pjesë në besëlidhjen e Ukabasë. Ai njihet me nofkën Ebu Muhammed, por në disa burime përmenden nofkat Ebu Revaha dhe Ebu Amru.

Sipas rrëfimit të një ensariu, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte vendosur lidhjet vëllazërore midis Abdullah ibn Revahes r.a. dhe Mikdadit r.a.. Sipas Ibn Sa’dit r.a. Abdullah ibn Revaha r.a. i shërbente të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. si shkrues. Ai gjithashtu shoqëroi Profetin s.a.v.s. në të gjitha betejat dhe ngjarjet e rëndësishme të asaj kohe, p.sh. në betejën e Bedrit, Uhudit, Hendekut, në marrëveshjen e Hudejbijes, në luftën e Hajberit dhe të Umratul Kadasë. Ai ishte një prej komandantëve të ushtrisë muslimane në luftën e Mutasë, në të cilën ai kishte rënë dëshmor.

Bindja ndaj Profetit s.a.v.s.

Sipas një transmetimi, Abdullah ibn Revaha r.a. shkoi për të takuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., ndërsa ai po mbante një hutbe. Gjatë hutbes, Profeti s.a.v.s. u tha të pranishmëve për t’u ulur. Këto fjalë i dëgjoi edhe Abdullahu, i cili akoma nuk kishte hyrë në xhami. Ai menjëherë u ul në vend, dhe nuk lëvizi derisa nuk kishte përfunduar Profeti s.a.v.s. së foluri. Dikush prej sahabëve njoftoi Profetin s.a.v.s. për veprimin e Abdullahut dhe ai iu drejtua atij dhe tha:

زادك الله حرصاً على طواعية الله وطواعية رسوله

“Allahu të shtoftë në bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij!”

Në librat e hadithit, një ngjarje e ngjashme i referohet sahabiut tjetër, Abdullah ibn Mes’ud r.a., të cilën kam rrëfyer në një hutbe të mëparshme mbi jetën e tij. Sipas këtij transmetimi, Abdullah ibn Mes’udi r.a. qëndronte jashtë xhamisë, kur dëgjoi porosinë e Profetit s.a.v.s. për t’u ulur. Ai u ul sakaq me vrull dhe nuk u ngrit nga vendi, dhe hyri në xhami duke u hequr gjunjas.

Ulu për një çast, që të freskojmë besimin!

Abdullah ibn Revaha r.a. gjithmonë ishte i pari që dilte për të bërë xhihad, ndërsa kthehej i fundit. Ebu Derdaja r.a. ka thënë: “Kërkoj mbrojtjen e Allahut prej asaj dite, kur nuk më vjen ndërmend Abdullah ibn Revaha. Çdo ditë ai dilte përpara meje, dhe më vinte dorë në kraharor. Ndërsa kur largohej, më fërkonte në shpinë, mes supeve, dhe më thoshte:

اجلس يا عويمر فلنؤمن ساعة

“O Uvejmir! Ulu për një çast, që të freskojmë besimin”. Kështu ne uleshin bashkë dhe kujtonim Allahun. Në fund Abdullah ibn Revaha më thoshte: “O Uvejmir! Këto janë kuvendet e besimit”.

Imam Ahmed ibn Hanbeli në “Musnedin” e tij, në kapitullin me titullin “Kitabuz-Zuhud” ka shkruar se kur Abdullah ibn Revaha takohej me ndonjë shok, ai i thoshte: Eja të freskojmë pakëz kujtimin e Zotit tonë”. Aty përmendej dhe lutja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për të: “O Allah! Mëshiroje Ibn Revahan, sepse ai i do ato kuvende, për të cilat krenohen engjëjt”.

Ebu Hurejra r.a. ka transmetuar se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

نعم الرجل عبد الله بن رواحة

“Sa i mirë është Abdullah ibn Revaha”.

Pas fitores së Hajberit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte dërguar për vlerësimin e frutave dhe drithërave.

Lutja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për të

Njëherë Abdullah ibn Revaha r.a. u sëmur rëndë dhe i ra të fikët. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i erdhi për ta vizituar dhe bëri këtë lutje: O Allah! Lehtësoji gjendjen atij, nëse me të vërtetë i ka ardhur ora e caktuar, por nëse ai çast është ende larg, atëherë jepja shërim të plotë!”. Pas kësaj lutjeje, iu larguan ethet, dhe ai foli me Profetin s.a.v.s. dhe tha: “O i Dërguar i Allahut! Pashë nënën time, e cila fliste me pikëllim të madh “Rrofsh sa malet! O mbështetja ime!” Gjatë sëmundjes, kisha parë një engjëll, i cili mbante një shtizë hekuri me thumba në njërën anë. Ai më tha: “A qenke me të vërtetë ashtu”? Kur i thashë po, ai më qëlloi me shtizë. Sipas një transmetimi të ngjashëm, engjëlli mbante një shtizë hekuri dhe e pyeti: A qenke me të vërtetë ashtu siç të përshkruaka nëna jote? Sepse të qenit mal apo mbështetje për dikë, janë fjalë prej shirkut. Abdullah ibn Revaha r.a. i tha engjëllit që nëse me të vërtetë, i kishte thënë ato fjalë, le ta qëllonte me shtizë.

Abdullah ibn Revaha r.a. si një poet elokuent

Abdullah ibn Revaha r.a. ishte një poet i shquar. Ai ishte prej atyre poetëve, të cilët u kundërpërgjigjeshin shpifjeve dhe akuzave të shëmtuara të kundërshtarëve.

Disa prej vargjeve të tij të njohura janë kështu:

إِنّي تَفَرَّستُ فيكَ الخَيرَ أَعرِفُهُ ** وَاللَهُ يَعلَمُ أَن ما خانَني البَصَرُ

أَنتَ النَبِيُّ وَمَن يُحرَم شَفاعَتَهُ ** يَومَ الحِسابِ فَقَد أَزرى بِهِ القَدَرُ

فَثَبَّتَ اللَهُ ما آتاكَ مِن حَسَنٍ ** تَثبيتَ موسى وَنصراً كَالَّذي نُصِروا

“Unë e kisha zbuluar mirësinë në të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe betohem në Allah se sytë nuk më kanë gabuar. Ju jeni Profet dhe ai që do të privohet nga ndërmjetësimi juaj në Ditën e Kiametit, përnjëmend ka përligjur veten si të pavlerë e të humbur. Allahu ju bëftë të qëndrueshëm në mirësitë tuaja dhe ju ndihmoftë, ashtu siç e ndihmoi Musain dhe u dhuroi qëndrueshmëri të dërguarve të mëparshëm!”

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dëgjoi këto vargje, ai i tha: O Ibn Revaha! Allahu të dhuroftë forcë dhe qëndrueshmëri!

Hisham ibn Urva ka thënë që falë kësaj lutjeje, Zoti e bëri Abdullah ibn Revahan gjithmonë të qëndrueshëm në besim, derisa ra dëshmor në luftë dhe iu çelën portat e Xhenetit.

Sipas Ibn Sa’dit r.a., kur zbriti ajeti:

“… dhe poetët ndiqen vetëm nga njerëzit e humbur”. (esh-Shu’ara 26:225)

Abdullah ibn Revaha r.a. u shpreh që Allahu e di më së miri që unë jam nga soji i tyre. Pas kësaj zbriti një ajet tjetër:

“Përveç atyre që besuan dhe bënë vepra të mira”. (esh-Shu’ara 26:228)

Autori i veprës “Mu’xhamus Shu’ara” ka shkruar që Abdullah ibn Revaha r.a. gëzonte pozitë e famë në kohën e injorancës, por edhe në kohën e Islamit, ai shquhej e dallohej për aftësinë e tij krijuese.

Abdullah ibn Revaha r.a. ka shkruar një varg, i cili mund të konsiderohej vargu më i shkëlqyeshëm për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Në këtë varg, ai i drejtohet Profetit s.a.v.s. dhe i shpreh gjendjen e tij të brendshme:

لَو لَم تَكُن فيهِ آياتٌ مُبَيَّنَةٌ      كانَت بَداهَتُهُ تُنبيكَ بِالخَبَرِ

“Po të mos shoqërohej me shenjat e qarta dhe argumente të pamohueshme, ai vetë do të mjaftonte për të rrezatuar vërtetësinë e tij”.

Abdullah ibn Revaha r.a. kishte mësuar këndim e shkrim qysh në kohën e injorancës, kur të shkruarit ishte mjaft i rrallë në Arabi. Pas përfundimit të luftës së Bedrit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte dërguar Zejd ibn Haritha në drejtim të Medinës dhe Abdullah ibn Revahan në drejtim të Avalisë, për të shpallur fitoren e Muslimanëve.

Avali quhej vendi i cili përfshin pjesën e ngritur të Medinës dhe shtrihet nga 4 deri në 8 milje vend. Në këtë vend, ndodhej qyteza Kuba si dhe fise të tjera.

Sa’id ibn Xhubejri ka transmetuar se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte hyrë në Xhaminë e Shenjtë, teksa ishte hipur në deve. Ai preku gurin e zi, me anë të shkopit të tij. Abdullah ibn Revaha mbante litarin e devesë së Profetit dhe këndonte këto vargje:

خَلّوا بَني الكُفّارِ عَن سَبيلِهِ

نَحنُ ضَرَبناكُم عَلى تَأويلِهِ

ضَرباً يُزيلُ الهامَ عَن مَقيلِهِ

“O mosbesimtarë! Hiquni prej rrugës së (kësaj deveje). Duke pranuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., ne ju kemi dhënë një goditje aq të fortë në krye, saqë nuk jeni në gjendje të rehatoni veten”.

Kejs ibn Hazimi rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e porositi Abdullah ibn Revahan të zbriste dhe të shtynte devetë për të ecur më shpejt (d.m.th. të thurte disa vargje). Ai iu përgjigj: O Profet! Unë kam lënë poezinë”. Omeri r.a. e kujtoi: “Dëgjo dhe bindju!” Abdullah ibn Revaha e kuptoi këtë dhe zbriti sakaq nga deveja dhe këndoi këto vargje:

اللهمَّ لولا أنت ما اهتدينا      ولا تصدَّقنا ولا صلَّينا

فأَنْزِلَنْ سَكِينةً علينا                              وثبِّت الأقدام إن لاقينا

إنَّ الأعداءَ قد بغوا علينا

“O Allah! Po të mos ishe, nuk mund të kishin gjetur kurrë udhëzimin. Nuk do të kishim dhënë kurrë lëmoshë, nuk do të kishim bërë kurrë falje. Mbështillna me qetësi e prehje, kur të ballafaqohemi me armiq dhe na bëftë të qëndrueshëm përballë sulmeve të mohuesve”.

Vakiu, i cili gjithashtu ka transmetuar këtë ngjarje, i ka shtuar një varg kësaj strofe:

إذا أرادوا فتنةً أبينا

“Por, nëse ata duan të mbjellin pështjellim e trazirë, ne me siguri do të refuzojmë me vendosmëri, e nuk do t’i lejojmë ata që arrijnë qëllimin e tyre”.

Sipas transmetuesit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u lut për Abdullah ibn Revaha dhe tha: “O Allah! Ki mëshirë ndaj tij”. Omeri r.a. komentoi që kjo çështje është tashmë dekretuar, derisa vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s është lutur për të.

Cilët janë dëshmorë në umetin e Profetit s.a.v.s.?

Ubade ibn es-Samiti r.a. transmeton se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shkoi tek Abdullah ibn Revaha gjatë sëmundjes së tij, ai nuk mundi të ngrihej për të. Profeti s.a.v.s. e pyeti: “A dini se cilët janë dëshmorë në umetin tim?” Sahabët iu përgjigjën: “Dëshmori është ai musliman të cilin e qëllojnë për vdekje”. Profeti s.a.v.s. tha: “… në këtë mënyrë numri i dëshmorëve të umetit tim, do të jetë më i vogël”. Pastaj shtoi: “Kur vritet një musliman, bëhet dëshmor. Por gjithashtu kur vdes një musliman nga sëmundja e barkut, quhet dëshmor. Kur mbytet një musliman në ujë, quhet dëshmor. Po ashtu, ajo grua që vdes gjatë lindjes, quhet dëshmore. Të gjithë këta hyjnë në kategorinë e dëshmorit”.

Lufta e M’utasë dhe porosia e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

‘Urve ibn Zejdi rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e caktoi Zejd ibn Harithen kryekomandant për ushtrinë muslimane në luftën e Mutasë. Pak më vonë, ai shtoi që nëse ai bie dëshmor, Xhafer ibn Ebi Talibi do ta zëvendësonte atë. Nëse Xhaferi bie dëshmor, do ta zëvendësonte Abdullah ibn Revaha, dhe nëse ai gjithashtu do të binte dëshmor, muslimanët le të zgjedhin vetë kryetarin e tyre. Kur ushtria zuri të marshonte, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. përcolli komandantët e forcave muslimane dhe u lut për ta. Teksa Profeti s.a.v.s. e përcillte ushtrinë muslimane, Abdullah ibn Revaha, i cili ishte një prej komandantëve nisi të qante. Njerëzit e pyetën shkakun që e shtyu të emocionohej. Ai u përgjigj: Për Zotin, nuk është se e dua më shumë këtë dynja, por kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s duke recituar këtë ajet:

“Nuk ka asnjëri prej jush, që të mos bjerë në të (në xhehenem). Kjo është një çështje që është vendosur prej Zotit tënd në mënyrë të prerë”. (Merjem 19:72)

“Unë nuk di se si do të jem duke u ngjitur dhe duke kaluar urën e Siratit”.

A do të hyjë çdo besimtar në xhehenem?

Meqë ajeti i mëparshëm përshkruan xhehenemin, prandaj e kishte zënë frika. Megjithatë, ajete të tjera të Kuranit qartësojnë që besimtarët dhe ata që bëjnë xhihad në rrugën e Tij, nuk janë përmendur në këtë ajet. Sahabët i dhanë zemër dhe i tregun se Zoti është me ta, dhe Ai do t’i sjellë ata mirë e shëndoshë nga fusha e luftës.

Në “Tefsirin Kebir” si dhe në fusnotën e “Tefsir Sagirit”, Kalifi II r.a. ka shtjelluar se ajeti në fjalë u referohet mohuesve dhe jobesimtarëve. Mesihu i Premtuar a.s. gjithashtu duke u bazuar në thëniet profetike është shprehur se janë dy lloj xhehenemesh. Një xhehenem ekziston në këtë dynja, ndërsa xhehenemi tjetër i përket jetës së ahiretit. Fjalët “nuk ka asnjëri që të mos hyjë në xhehenem” nuk tregojnë që edhe besimtarët do të hyjnë në xhehenem. Kuptimi i vërtetë është që besimtarët, duke hequr lloj-lloj vuajtjesh dhe mundimesh nga ana e mosbesimtarëve, marrin pjesën e tyre të xhehenemit po në këtë botë. Ndryshe, Kurani Famëlartë bën të qartë se besimtarët kurrë nuk do të preken nga flakët e xhehenemit. Për shembull, ai deklaron shprehimisht që:

“(Besimtarët) nuk do të dëgjojnë fërshëllimën e tij”. (el-Enbija 21:103)

Në këtë mënyrë, nga hyrja e besimtarëve në xhehenem, nënkuptohet heqja e vuajtjeve në jetën e kësaj bote. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i ka përshkruar ethet si një pjesë e xhehenemit. Ai ka thënë se:

الحمى حظ المؤمن من النار

“Ethet janë një pjesë e zjarrit flakërues të xhehenemit për besimtarin”.

Pas këtij shpjegimi, i kthehem ngjarjes së Abdullah ibn Revahas r.a.. Kur sahabët i uruan me lutje “Zoti të ruajttë nga intrigat e armikut” ai këndoi vargje të mëposhtme:

لَكِنَّني أَسأَلُ الرَحمَنَ مَغفِرَةً

وَضَربَةً ذاتَ فَرغٍ تَقذِفُ الزَبَدا

أَو طَعنَةً بِيَدَي حَرّانَ مُجهِزَةً

بِحَربَةٍ تُنفِذُ الأَحشاءَ وَالكَبِدا

حَتّى يُقالَ إِذا مَرّوا عَلى جَدَثي

أَرشَدَهُ اللَهُ مِن غازٍ وَقَد رَشَدا

Por i përgjërohem të Gjithëmëshirshmit për falje dhe i kërkoj fuqinë për goditje të tilla me shpata, që hap plagë të thella, prej të cilave gufon gjaku i freskët me shkumë. Ose i kërkoj ato goditje shtizash, që bëhen nga dikush që është i etur për gjak, dhe përshkon zorrët dhe mëlçinë. O Zot! Më bëj që kur njerëzit kalojnë pranë varrit tim, dikush prej tyre të lutet duke thënë “Zoti e faltë dhe e udhëzoftë atë!” dhe Ti ta pranosh këtë lutje.

Pastaj Abdullah ibn Revaha r.a. shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s., i cili e përcolli atë. Ushtria nisi marshimin derisa mbërriti në Me’an, një qytet në Siri në drejtim të Hixhazit dhe që ndodhej në afërsi të Belkait.

Me të mbërritur në Me’an, muslimanët mësuan se Herakliu ndodhej në Meab, me njëqind mijë ushtarë romakë dhe njëqind mijë ushtarë arabë. Edhe ky qytet ndodhej pranë Belkait të Sirisë.

Për dy ditë muslimanët qëndruan në Me’an dhe u këshilluan për t’i dërguar një korrier të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për ta njoftuar atë për numrin jashtëzakonisht të madh të kundërshtarëve. Ata kërkonin forcimin e ushtrisë apo një urdhër të ri.

Ndërkohë, Abdullah ibn Revaha r.a. u ngjalli trimëri ushtarëve muslimanë dhe i mbushi me vetëbesim. Muslimanët edhe pse ishin vetëm 3 mijë, marshuan përpara për t’u ndeshur me 200 mijë ushtarë të Herakliut. Ata u ndeshën me romakët në Musharif, një qytezë të Belkait.

Në Siri, gjendeshin disa vendbanime me shumicë muslimane. Këta ndodheshin në afërsi të qyteteve Faran, Damask dhe Belkai.  Muslimanët dhe jomuslimanët u ndeshën me njëri tjetrin dhe në M’uta u shfaq beteja e ashpër.

Enesi r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. njoftoi sahabët për martirizimin e Zejdit, Xhaferit dhe Abdullah ibn Revahas r.a., edhe pse në Medinë nuk kishte mbërritur asnjë lajm nga fushëbeteja. Ai tregoi se Zejd ibn Haritha r.a. mbante flamurin e muslimanëve dhe kishte rënë dëshmor. Pastaj flamurin e siguroi Xhafer ibn Ebi Talibi, i cili luftoi trimërisht, derisa ra dëshmor. Pastaj Abdullah ibn Revaha mori flamurin dhe ra dëshmor duke luftuar. Lotët po derdhnin nga faqja e Profetit s.a.v.s., teksa përshkruante gjendjen e luftës. Pastaj tha: Në fund, flamurin e Islamit e mori një prej shpatave të Allahut dhe muslimanët arritën një fitore heroike.

Kur mori lajmin e martirizimit të Zejd ibn Harithes, Xhafer ibn Talibit dhe Abdullah ibn Revahas, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbajti një fjalim. Ai nisi fjalën duke përmendur Zejdin dhe tha:

اللھم اغفر لزید اللھم اغفر لزید اللھم اغفر لزید اللھم اغفر لجعفر ولعبداللہ الرواحة

O Allah! Mëshiroje Zejdin! O Allah! Mëshiroje Zejdin! O Allah! Mëshiroje Zejdin! O Allah! Mëshiroje Xhaferin! O Allah! Mëshiroje Abdullah ibn Revahan!

Aisheja r.a. ka transmetuar se kur Zejd ibn Haritha, Xhafer ibn Ebi Talibi dhe Abdullah ibn Revaha ranë dëshmorë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shkoi në xhami në një gjendje të pikëlluar.

Hazret Kalifi II r.a. ka përshkruar luftën e M’utasë në këto fjalë. Ndonëse, këtë përshkrim e kam përmendur njëherë në lidhje me Zejdin r.a., po e përsëris një pjesë të tij. Ai shkruan:

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte caktuar Zejdin si kryekomandant të kësaj ekspedite. Megjithatë, ai shtoi: Unë po caktoj tani Zejdin si kryekomandant i ushtrisë muslimane. Por nëse ai bie dëshmor, Xhaferi do të udhëheqë ushtrinë në vend të tij. Nëse martirizohet Xhaferi, ushtrinë muslimane do të drejtojë Abdullah ibn Revaha dhe nëse vritet dhe ai, muslimanët le të zgjedhin vetë komandantin e tyre.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. jepte këto porosi, një hebre që ulej atje, ia dëgjoi fjalët dhe u shpreh: Unë nuk ju pranoj si profet, por në qoftë se jeni me të vërtetë prej Zotit, nuk do të kthehet i gjallë, asnjëri nga këta tre persona.

Pastaj, ky hebre shkoi te Zejdi dhe ia tregoi që nëse profeti i tyre është prej Zotit, ai nuk do të kthehej i gjallë nga fushëbeteja. Zejdi iu përgjigj: Vetëm Zoti e di se a do kthehem i gjallë apo jo, por Profeti ynë gjithmonë tregon të vërtetën.

Ndonëse ky hebre nuk e besonte të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., por ishte i bindur se fjalët e tij do të dilnin të vërteta.

Kjo ngjarje u përmbush fill e për pe, pa asnjë ndryshim. Në fillim Zejd ibn Haritha r.a. kishte rënë dëshmor. Pastaj Xhafer ibn Ebi Talibi mori përsipër drejtimin e ushtrisë. Por edhe ai ra dëshmor. Pastaj Abdullah ibn Revaha mori udhëheqje, por edhe ai u martirizua. Për pak muslimanët do të pësonin disfatë e përçarje, kur pas kërkesës së disa muslimanëve, Halit ibn Velidi r.a. ngriti flamurin e Islamit dhe u dha muslimanëve një fitore historike.

Sinqeriteti dhe besnikëria e Abdullah ibn Revahas r.a.

Tani do t’ju rrëfej një ngjarje, të cilën e kam përmendur edhe më parë në hutbet e mia. E konsideroj të rëndësishme këtë ngjarje, sepse tregon sinqeritetin dhe besnikërinë e Abdullah ibn Revahas, si dhe nxjerr në pah dashurinë e tij ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe Islamit.

‘Urva r.a. transmeton se ka dëgjuar nga Usama ibn Zejdi r.a. se i Dërguari i Allahut i hipi një gomari, në kurrizin e të cilit, ishte vënë një copë pëlhure të punuar në Fadak. Ai e porositi Usamën të ulej mbrapa tij. Gjatë udhëtimit, ata kaluan pranë kuvendit të Abdullah ibn Ubejj ibn Selulit. Ai akoma nuk e kishte pranuar Islamin. Në këtë kuvend, ai rrethohej nga disa idhujtarë, hebrenj dhe muslimanë. Aty gjendej gjithashtu Abdullah ibn Ravaha r.a.. Lëvizja e gomarit ngriti pluhur që u përhap në vendin ku uleshin ata njerëz. Abdullah ibn Ubejj i vuri fytyrës pëlhurën dhe iu drejtua të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. që të mos ngrinte pluhur. Profeti s.a.v.s. u ndal, zbriti nga gomari dhe e përshëndeti. Ai i bëri thirrje për Islam dhe u lexoi ajete nga Kurani. Abdullah ibn Ubejj iu përgjigj Profetit s.a.v.s. se “Janë të vërteta këto fjalë që keni thënë. Këto fjalë mund t’i predikoni atij që ju viziton, por mos na bezdisni në kuvendet tona. Është e udhës të ktheheni në vendet tuaja”.

Abdullah ibn Ravaha r.a. dëgjonte këtë bisedë. Ai ndërhyri dhe tha: O i Dërguar i Allahut s.a.v.s.! Përkundrazi, neve na pëlqen që të zbukuroni kuvendet tona dhe të na përcillni këto fjalë”. Ai nuk u tremb aspak dhe foli të vërtetën, edhe pse që dinte se fjalët e tij mund të ngjallnin polemikë të fortë.

Rëndësia dhe vlera e bindjes ndaj porosisë së Profetit s.a.v.s.

Ibn Abbasi r.a. ka transmetuar se njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nisi një ekspeditë nën drejtimin e Abdullah ibn Revahas r.a.. Meqë ishte dita e xhumasë, prandaj sahabët e tjerë nisën rrugëtim, ndërsa Abdullah ibn Revaha u shpreh se do të falte namazin e xhumasë pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe më vonë do t’u bashkohej sahabëve të tjerë.

Kur ai falte namazin e xhumasë, e dalloi i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe ai e pyeti: Çfarë të kishte penguar për t’u nisur bashkë me sahabë të tjerë?” Ai i tha: “O i Dërguar i Allahut! Kisha dëshirë të falja namazin e xhumasë pas jush dhe pastaj t’u bashkohesha shokëve të mi të ekspeditës”. Profeti iu përgjigj: “Po të kishe harxhuar gjithçka që gjendet në tokë, përsëri nuk mund të kishe arritur pozitën dhe gradën e atyre, që janë nisur në ekspeditë. Ky mision që kam dërguar, në këtë moment, mban më shumë rëndësi, sesa namazi i Xhumasë. Ju mund të kishit falur xhumanë, edhe gjatë rrugës”.

Ebu Derdaja r.a. rrëfen se njëherë ne dolëm bashkë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në piskun e vapës, në muajin e Ramazanit. Ishte aq nxehtë, saqë disa prej nesh i ruanin kokat me duar e tyre. Asnjëri prej nesh, nuk ishte i agjërueshëm, përveç të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe Abdullah ibn Revahas.

Ngarkesa e dëlirësisë dhe pastërtisë

Mirza Beshir Ahmedi r.a. ka shkruar që detyra e parë që e realizoi i Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjatë qëndrimit të tij në Medinë, qe ndërtimi i xhamisë së tij. Vendi ku ishte ndenjur deveja e tij, u përkiste dy fëmijëve jetimë Sehl dhe Suhejl, të cilët ishin nën kujdesin e Esed ibn Zerara. Ky ishte vend i gjerë, rreth e përqark të cilit, gjendeshin disa pemë të hurmës, ndërsa në një anë ndodheshin disa gërmadha të vjetra. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e zgjodhi këtë vend për ndërtimin e xhamisë dhe disa banesave të tij.

Toka u ble kundrejt një pagese prej 10 dinarësh. Për të zgjeruar vendin, sahabët e sheshuan tokën dhe prenë pemët e hurmës. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. hodhi bazat e xhamisë me lutje. Sahabët vetë punuan si muratorë dhe punëtorë, siç kishin vepruar në ndërtimin e xhamisë në Kuba. Nganjëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu i bashkohej aksionit të muslimanëve.

Disa herë duke ngritur blloqet, sahabët këndonin këtë varg të Abdullah ibn Revahas r.a.:

“هَذَا الْحِمَالُ لا حِمَالَ خَيْبَرْ .. هَذَا أَبَرُّ رَبَّنَا وَأَطْهَرْ

Kjo barrë nuk është si barra e ndonjë karvanit tregtar, që u ngarkohet kafshëve. Kjo është ngarkesa e dëlirësisë dhe pastërtisë, që ne e mbartim për hirin Tënd.

Sahabët gjithashtu këndonin këtë varg të Abdullah ibn Revahas:

” اللَّهُمَّ إِنَّ الْأَجْرَ أَجْرُ الْآخِرَهْ

فَارْحَمْ الْأَنْصَارَ وَالْمُهَاجِرَهْ” [ البخاري : 3616 ]

O Zoti ynë! Shpërblimi i vërtetë është ai që jepet në ahiret, andaj ki mëshirë ndaj Ensarëve dhe Muhaxhirëve!

Kur sahabët këndonin këto strofa, nganjëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu i bashkohej me zërin e tij. Kështu kjo xhami përfundoi pas një pune të lodhshme që zgjati për një kohë të gjatë. Me këtë mbyllim historinë e Abdullah ibn Revahas r.a..

Namazi i xhenazes të dr. Latif Ahmed Kurejshi

Pas namazit të xhumasë, do të udhëheq namazin e xhenazes së një anëtari, dhe do t’ju rrëfej jetëshkrimin e tij. Do t’ju rrëfej diçka për të nderuar dr. Latif Ahmed Kurejshi, i cili ka ndërruar jetë më 19 janar 2020  në orën 13 në Rabvah, Pakistan në moshën 80 vjeçare. إِنَّا لِلَّـهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ (Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi. El-Bekare 2:157). Babai i tij quhej Manzur Ahmed Kurejshi. I ndjeri ishte anëtar i sistemit të Testamentit. Ishte lindur në Axhmer të Indisë. Babai i tij kishte pranuar xhematin në 1937 duke bërë bejt me Kalifiin II r.a.. Nëna e të ndjerit quhet Mensura Bushra, e cila është mbesa e Munshi Fajaz Ali sahibi, Sahabiut të Mesihut të Premtuar a.s. nga qyteti Kapurtala nga ana e nënës, dhe është mbesa e Sheik Abdur Rashid, të qytetit Merath, nga ana e babait. Ajo jeton ende.

Pas themelimit të shtetit Pakistan, prindërit e të ndjerit dr. Latif Ahmed Kurejshi, ishin shpërngulur në Lahore. Ai kreu këtu shkollën e mesme me nota të shkëlqyera. Pastaj, u regjistrua në Kinder Medical College dhe ishte studenti më i ri në këtë institut. Këtu ai kreu MBBS me rezultate të larta, dhe dekani gjithashtu e vlerësoi atë.

Në 1961, për studime të larta, ai erdhi në Angli. Ai kreu diplomë në pediatri dhe mbrojti titullin MRCP. Ai gjeti një vend pune si mjek konsulent në Yeovil, Somerset. Gjatë kohës që ai punonte në Angli, ai fitoi përvojë në fushën e kardiologjisë.

Në 1968 Hazret Kalifi III r.a. e pyeti se kur do të vendosej në Rabvah, Pakistan. I ndjeri i tha që është i gatshëm në çdo moment, dhe pret vetëm urdhrin e tij. Kështu ai u kthye nga Anglia dhe më 11 juli 1983 u caktua drejtor mjekësor në Spitalin Fazl-e-Umar në Rabvah, Pakistan. Ai shërbeu në këtë detyrë për një kohë të gjatë.

Më 20 gusht 1998 ai doli në pension, por më 6 shtator ai përsëri filloi shërbim në spitalin Fazl-e-Umar dhe e vazhdoi deri në 10 shtator 2000. Periudha e shërbimit të tij në këtë spital është shtrirë në 30 vjet.

I ndjeri jo vetëm që një mjek që kishte dedikuar jetë, por ai gjithashtu shërbeu në organizata Khudamul Ahmedia dhe Ensarullah në cilësi e përgjegjësi të ndryshme. Së fundmi, shërbente si zëvendëskryetar i organizatës Ensarullah. Ishte anëtar i Këshillit të Jurisprudencës islame për dy vjet. Ai ka shkruar dy libra të dobishëm që titullohen “Parimet e kujdesit shëndetësor” dhe “Jeta e shëndetshme”.

Bashkëshortja e tij kishte ndërruar jetë para disa ditësh. Ajo qe e bija e Abdul Malik Khan sahibi. Kisha udhëhequr xhenazen e saj xhumanë e kaluar, dhe vetëm dy ditë më vonë ka ndërruar jetë dhe ai. Ai ka ndërruar jetë 15 ditë pas vdekjes së bashkëshortes së tij. Ai ka lënë pas tre djem dhe dy vajza.

Djali i tij dr. Ataul Malik ka shkraur: “Me sa mbaj mend, nuk di nëse babai im kishte lënë namazin e tehexhudit pa falur. Nëna jonë na tregonte se babai ynë e falte rregullisht tehexhudin, që nga dita e parë e martesës, dhe kjo periudhë zgjatet deri pesëdhjetë vjet. Edhe gjatë sëmundjes së fundit të nënës, babai im u kujdes për shëndetin e saj në mënyrë të veçantë. Atij i duhej ta sillte atë në spital për dializë e të priste për orë të tëra. Pavarësisht lodhjes fizike, ai kurrë nuk e ndërpreu tehexhudin. Ai sillej gjithmonë me dhembshuri e dashuri me pacientët e tij. Shprehte dashuri e mëshirë për pacientë të varfër dhe u kushtonte vëmendje të veçantë për ilaçet e tyre. Disa pacientë merrnin shërbimin mjekësor pa para prej tij, madje u jepte diçka xhepi.

Ai gjithmonë u thoshte fëmijëve të tij se shërimi është në dorën e Zotit, prandaj ata gjithmonë duhet të luten për pacientët e tyre”.

Djali i tij gjithashtu ka shkruar që disa herë kur i thosha babait që të lutej për ndonjë të sëmurë, të nesërmen ai më merrte në telefon dhe pyeste për gjendjen e atij pacienti.

Ai kishte një punë të mirë dhe rrogë të majme në Angli, por në 1969 ai erdhi në Rabva. Pakistan, duke iu mbështetur vetëm Allahut dhe duke sakrifikuar të gjitha të mirat materiale. Kishte besim të palëkundshëm se Zoti do të kujdeset për të gjitha çështjet e tij. Allahu bëri mirësi ndaj tyre dhe kurrë nuk kanë ndjerë mungesën e mjeteve materiale. Fëmijët e tij kanë kryer shkollën e lartë dhe punojnë si mjekë në Amerikë.

I ndjeri u shërbente prindërve të tij me përkushtim të madh. E ushqente nënën e tij deri në momentin e fundit. Nëna e të ndjerit është ende e gjallë, dhe jetonte bashkë me të.

Djali i tij ka shkruar se babai i tij e ka asistuar rregullisht në përgatitjen e provimeve në Amerikë dhe gjithmonë u jepte forcë e kurajë. I ndjeri e urrente shtirësinë dhe bëri një jetë të thjeshtë. I shkruante Kalifit para çdo çështje, të vogël apo të madhe, dhe i kërkonte udhëzim.

Djali i dytë dr. Ahmed Mahmud Kurejshi ka shkruar që Hazret Kalifi III r.a. kishte thënë rreth të ndjerit se ai nuk është vetëm mjek por një mjek shpirtëror që lutet për pacientët e tij. Para se të shkruante recetë, shënonte bismillahir-Rrahmanirr-Rrahim dhe më poshtë Huvesh-Shafi (Ai është Shëruesi).. U thoshte mjekëve të tjerë që të luten për pacientët e tyre, sepse shërimi i vërtetë i përket vetëm Allahut të Madhërishëm.

“Kohën kur ndërroi jetë nëna jonë, babai po shkonte diku në makinë. Në atë moment, i erdhi një pacient nga Shorkot. Ai zbriti nga makina, i bëri diagnozën dhe i shkoi një recetë. Shpeshherë, babai u jepte pacientëve të tij ilaçe nga xhepi”.

Vajza e tij ka shkruar që “një grua më tregoi se babai i saj kishte pësuar infarktin e zemrës, kur ishte i vetëm në shtëpi. Ai shkoi menjëherë për ta kontrolluar pacientin. Mori në telefon fëmijët e tij dhe nuk u largua nga shtëpia derisa ata nuk ishin kthyer në shtëpi”.

Ai shkonte rregullisht në Xhelsa Salanën e Anglisë dhe Kadijanit. Ishte njeri që e donte punën dhe e kryente detyrën me përpikëri e përkushtim. Pas vdekjes së nënës, më kërkoi ta ndihmoja atë për të rregulluar sendet e saj. Kur e përfunduam punën, ai më falënderonte aq shumë, saqë më vinte turp. Ai vazhdimisht më thoshte: “O bija ime! Mbaro këtë punë shpejt e shpejt që sot, sepse nuk kam shumë kohë”. Unë nuk ia kisha kushtuar vëmendje kësaj fjale dhe as nuk e pyeta, sepse nuk na tregonte ëndrrat e tij. Por, vëllai më tregoi se kishte parë një ëndërr dhe i kishte thënë atij se nuk kishte kohë të mjaftueshme.

Një orë para se të ndërronte jetë, ai kontrollonte pacientë në klinikë, që ndodhej ngjitur me shtëpinë e tij. Në orën 13, ai erdhi në shtëpi dhe kishte ndërmend të merrte avdes dhe të shkonte në xhaminë Mubarek për të falur namazin e drekës. Ai qëndronte në krevat e hiqte këpucët, kur pësoi një infarkt miokardial dhe brenda pak çasteve u nda nga jeta.

Kishte raporte të mira me të gjithë fqinjët. Ai pëlqente poezinë dhe letërsinë. Recitonte poezitë nga Durre Thamini, Kalami Mahmud dhe Durre Aden me melodi. Ai gjithashtu ka incizuar disa kaseta me zërin e tij. Ishte njeri intelektual.

Sjed Husejn Ahmedi, i cili është murabi në xhemat dhe është baxhanaku i tij, ka shkruar: Kur ai u kthye nga Londra, zbriti nga treni në Rabva. Ai shkoi direkt në zyrën e sekretarit personal të Kalifit. Hazret Kalifi III r.a. e thirri brenda. Ai e njoftoi se ka mbërritur për të nisur shërbim në xhemat. Shtëpinë që kam zgjedhur për ju, sapo është lyer. Mund t’ia merrni çelësat Nazir Ala sahibit dhe jetoni atje. Kur ai hyri në shtëpi, aty gjendeshin vetëm dy krevate. Ai shkoi në Pazar dhe bleu sende të tjera të nevojshme. Por, nuk tregoi pakënaqësi se ishte kthyer nga Londra dhe shtëpia ishte krejtësisht boshë. Ato ishin ditët e xhelsës dhe i erdhën mysafirë në shtëpi. Ai vetë flinte mbi kashta, ndërsa krevatet u kishte dhënë mysafirëve.

Ai gjithashtu shërbente Abdul Malik Khan sahibin, i cili ishte vjehrri i tij, po ashtu dhe vjehrrën.

I ndjeri tregonte se kolegët e tij që shërbenin në detyra të rëndësishme, shpeshherë e pyesnin se sa para fitonte ai, meqë punonte në një qytezë të vogël si Rabva. Ai u përgjigjej se ata nuk mund të llogarisnin se sa para fitonte ai. Lutjet nuk mund të blihen me para.

Ai gjithashtu shërbeu Nevab Mubarika Begum sahiba dhe Syeda Amatul Hafeez Begum sahiba, si dhe sahabë të Mesihut të Premtuar a.s.. Ai ishte pranë Hazret Kalifit III r.a. kur ai ndërroi jetë në Islamabad.

Dr. Abdul Khalik sahibi ka shkruar që nuk është ekzagjerim nëse them se doktori i të varfërve është ndarë përgjithmonë nga ky qytet. Ai u shërbeu pacientëve të varfër më shumë se gjysmë shekulli, pa marrë parasysh bindjet e tyre fetare apo përkatësinë racore. Ai qe drejtor mjekësor i spitalit, prandaj blerjet e ndryshme për spitalin e bënte me shumë kujdes. Nganjëherë harxhonte tërë ditën në Lahor, duke krahasuar çmimet dhe duke siguruar mallin më cilësor, por mundohej të shpenzonte çdo qindarkë me përgjegjshmëri e ndershmëri.

Ai themeloi degët e Ultrasound dhe endoskopisë në spital. Në fillim ai shkonte në këmbë dhe më vonë në biçikletë, për të vizituar njerëz të moshuar dhe sahabë të Mesihut të Premuar a.s. dhe u jepte këshillat mjekësore. Lidhur me spitalin Fazli Umar, shpeshherë thoshte se kalifët janë lutur për të dhe që ka parë mrekullitë e Allahut me pacientë.

Dr. Sultan Mubashar sb ka shkruar se gjatë shërbimit në spitalin Fazle Umar, e cila shtrihet në periudhën kohore 30 vjeçare, ai u përballua me sprova të ndryshme. Por, si një rob i përulur i Zotit, ai e përballoi çdo sprovë e çdo sfilitje me dinjitet, pa nxjerrë asnjë fjalë ankese. Ai kurrë nuk u shpreh me askënd kundër eprorëve apo kolegëve të tij dhe Allahu gjithashtu i dhuroi mbarësi në çdo çështje.

Ai shkruan më tej që doktori i ndjerë sillej me çdokënd me të njëjtën dhembshuri e kujdes. Njëherë, e sollën bashkëshorten e Z. Rahmet Ali shofer, në urgjencë dhe unë iu luta që të vinte sa më shpejtë në spital. I ndjeri doktor brenda pak minutave mbërriti në spital nga shtëpia e tij në lagjen Darul Ulum Lindor. Ndonëse, shtëpia e tij ndodhej në anën tjetër të qytetit, ai menjëherë iu përgjigj thirrjes. Ai ishte besnik ndaj xhematit. Disa herë ne mjekë të rinj, për shkak të normave të rrepta të administratës dhe masave të tejkaluara disiplinore të zyrtarëve të lartë, shprehnim pakënaqësi me njëri-tjetrin. Por, i ndjeri, na këshillonte plot dashuri e dhembshuri që të respektonim sistemin e xhematit dhe t’i përmbaheshim durimit e vetëpërmbajtjes.

Atë ditë, kur bashkëshortja e tij ndërroi jetë, të nesërmen do të zhvillohej banket në lidhje me dasmën e dy nipave të tij. Ai shkoi në shtëpinë e njërit prej dhëndurëve dhe e lajmëroi për vdekjen e bashkëshortes së tij. Ai gjithashtu iu lut që të vazhdonin sipas programit të planifikuar. Këta ishin djem të Sjed Husejn sahibit, dhe e ndjera ishte tezja e tyre. Ai insistoi për të mos ndërprerë asnjë program.

Djali i të ndjerit ishte shprehur se nuk donte të merrte pjesë në këtë gëzim familjar, por i ndjeri e porositi që për t’iu bindur vullnetit të Zotit. Ai gjithashtu tha që njeriu sprovohet në kësisoj situatash, dhe i matet durimi dhe pëlqyeshmëria ndaj Allahut. Pastaj, mori pjesë në banket me gjithë djalin. Përveç kësaj, ai siguroi që deri në përfundimit të banketit të dasmës, njerëzit të mos mësojnë për vdekje. Allahu e mëshiroftë dhe e faltë të ndjerin! Allahu u dhëntë sabër dhe kurajë fëmijëve të tij, pasi që kanë humbur prindërit e tyre njëri pas tjetrit.

Allahu u mundësoftë fëmijëve të vijojnë të përjetësojnë mirësitë dhe virtytet e prindërve të tyre. Nëna e të ndjerit ende jeton, edhe pse është e sëmurë. Allahu e mëshiroftë dhe bekoftë atë!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp