Fragmente nga jeta e sahabëve të Bedrit | alislam.al
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Fragmente nga jeta e sahabëve të Bedrit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Fragmente nga jeta e sahabëve të Bedrit

Përkthim në shqip i fjalimit të së xhumasë së mbajtur nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë dhe Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, më 17.08.2018.

Âmir ibn Rebia | عَامِرُ بْنُ رَبِيعَةَ

Edhe sot, kam zgjedhur t’ju rrëfej jetën e disa sahabëve të Bedrit. Sahabiu i parë, të cilin do ta përmend është Âmir ibn Rebia el-Muhaxhiri r.a. i cili i përkiste fisit Unus. Në kohën e injorancës, ai kishte bërë aleancë me Hatab bin Nefilin, babanë e Omerit r.a. Hatabi e kishte birësuar Âmirin, prandaj atë e quanin dhe Âmir bin Hatab, por kur zbriti shpallja sipas së cilës më tutje çdo musliman, për të treguar prejardhjen e vet, duhet t’u referohej prindërve biologjik, edhe Âmiri në vend të nofkës Ibn Hatab, tashmë njihej si Âmir bin Rebia, nga babai i tij Rebia.

Këtu kemi një porosi të qartë për ata që adoptojnë fëmijë nga të afërmit apo farefisi i tyre, dhe nëpër dokumente apo kartët e identitetit, në vend të babait biologjik, shënohej emri i personit që i ka birësuar. Fëmijët e tillë mësojnë për prindërit e tyre të vërtetë, vetëm kur arrijnë moshën e pjekurisë, dhe kur shfaqen problemet, ata më shkruajnë duke sugjeruar disa zgjidhje të ndryshme. Përveç atyre fëmijëve, që adoptohen nga institucione përkatëse, dhe emri i prindërve të tyre mbahet i fshehur, në të gjitha rastet e tjera, duhet vepruar gjithmonë në bazë të kësaj dispozite kuranore.

Meqë Âmiri r.a. ishte aleat i Hatabit, prandaj Omeri r.a. dhe Âmiri r.a. ruajtën raportet e ngushta miqësore deri në fund të jetës. Âmiri pranoi Islamin qysh në zanafillën e tij, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ende nuk qe strehuar në Dare Erkem. Âmir ibn Rebia r.a. ishte mërguar bashkë me bashkëshorten e tij Lejla bint Hathma r.a. drejt Abisinisë, dhe më vonë u kthye në Medinë. Pastaj, ai mërgoi drejt Medines. Bashkëshortja e tij Lejla bint Hathma r.a. shquhej në historinë e Islamit si gruaja e parë që emigroi në Medinë. Âmir ibn Rebia r.a. mori pjesë në të gjitha betejat e Profetit s.a.v.s. Ai ndërroi jetë në vitin 32 pas hixhretit.

Âmir ibn Rebia ka transmetuar këtë thënie profetike: “Nëse shikoni një xhenaze që kalon para jush, dhe ju nuk dëshironi ta pasoni atë, atëherë duhet të qëndroni në këmbë derisa ajo të kalojë apo të vendoset në tokë”.

Periudha e kalifatit të Hazret Osmanit r.a. shënoi edhe fillimin e trazirave të rrëmujshme dhe njerëzit filluan t’ia përbuzin punën e ta kundërshtojnë atë. Abdullah bin Âmiri ka transmetuar që babai i tij Âmir bin Rebia gjatë kësaj periudhe të trazuar, u zgjua një natë për ibadet. Pas namazit, ai u shtri në shtrat për të pushuar dhe pa një ëndërr. Ai dëgjoi fjalët: Ngrihu dhe lutu Zotit që Ai ta shpëtojë ty nga këto ngatërresa ashtu siç ka shpëtuar robërit e Tij të sinqertë. Kështu Âmir bin Rebia u ngrit për falje dhe bëri lutje ashtu siç kishte parë në ëndërr. Pas kësaj, ai u sëmur rëndë dhe derisa qe i gjallë, nuk doli dot nga shtëpia. Ai ndërroi jetë në këtë gjendje, dhe në këtë mënyrë Allahu e shpëtoi atë nga trazirat e rrezikshme.

Âmir ibn Rebia ka rrëfyer se në haxh ai po e shoqëronte të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe gjatë ritualit të tavafit, Profetit iu këput lidhësja e këpucës. Âmiri i tha: O Profet! Më lejoni ta rregullojë këtë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu përgjigj: Po më bën privilegj, dhe mua nuk më pëlqen të privilegjohem ndaj të tjerëve. Kjo tregon se sa shumë kujdesej i Dërguari i Allahut s.a.v.s. për të ruajtur thjeshtësinë e tij, dhe i pëlqente t’i kryente punët vetë.

Njëherë, Âmir ibn Rebia r.a. pranoi dikë si mysafir. Ai u kujdes për të gjitha nevojat e tij dhe e nderoi me një pritje të ngrohtë. Ai gjithashtu rekomandoi këtë mysafir te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. lidhur me kërkesën e tij. Kur mysafiri u kthye nga takimi me Profetin s.a.v.s., e njoftoi Âmirin se ai i kishte kërkuar të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. pronësinë e një lugine, e cila nga vlera konsiderohej më e mira në Arabi, dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia kishte falur atë luginë. Mysafiri kishte dëshirë t’i dhuronte Âmirit një pjesë të kësaj lugine, që t’i shërbente atij dhe më pas fëmijëve të tij. Âmir ibn Rebia r.a. refuzoi me mirësjellje dhe i tha: Unë nuk kam nevojë për këtë copë toke sepse sot është shpallur një sure, e cila na ka larguar mendjen nga dynjaja. Allahu ka thënë:

اقْتَرَبَ لِلنَّاسِ حِسَابُهُمْ وَهُمْ فِي غَفْلَةٍ مُّعْرِضُونَ ﴿﴾

d.m.th. njerëzve u është afruar koha për të dhënë llogari, por ata vazhdojnë të jenë të shkujdesur e të shmangur.[1]

Druajta dhe frika ndaj Zotit te këta yje të ndritshëm gjendej në një shkallë shumë të lartë. Me të vërtetë, ata kishin refuzuar dynjanë dhe kishin përqafuar ahiretin.

Âmir ibn Rebia r.a. ka transmetuar se Zejd bin Amru i kishte thënë: Unë kam ndjekur fenë e Ibrahimit dhe kam kundërshtuar popullin tim. Po pres me padurim ardhjen e një profeti në pasardhësit e Ismailit alejhiselam, i cili do të quhet Ahmed. Druhem që nuk do ia gjej kohën por unë i bindem atij dhe dëshmoj që ai është i vërtetë dhe është i dërguari i Zotit. Nëse ti gëzon epokën e këtij profeti madhor, përcillja selamin tim. Unë do të të tregoj shenjat e tij që ta njohësh atë lehtësisht. Ai nuk është as i gjatë e as i shkurtër. Flokët e tij nuk janë as të dendur e as të rrallë. Sytë do t’i ketë gjithmonë të skuqur, ndërsa në mes të shpatullave do të ketë një nishan si shenjë e profetësisë. Ai do të quhej Ahmed dhe ky qytet i Mekës do të jetë vendlindja e tij, ku ai do themelojë bashkësinë e tij. Por, populli i tij do t’ia refuzojë mesazhin dhe do ta detyrojë atë të largohej nga këtu. Ai do të shpërngulet në Jethreb (Medinë) por më vonë misioni i tij do të mbizotërojë katërçipërisht. Mos u bjer pre e mashtrimit! Unë kam shkelur të gjitha qytetet për të gjetur fenë e Ibrahimit. Unë i kam pyetur hebrenjtë, të krishterët dhe ithtarët e zjarrit, dhe ata që të gjithë më kanë treguar se kjo fe është pas nesh. Ata më kanë treguar po këto shenja, që unë të kam thënë. Pas tij, s’do të ketë më asnjë profet.

Âmir ibn Rebia r.a. ka thënë: Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shpalli deklaratën e tij, unë i tregova rastin e Zejd bin Amrusë. Ai më tha: Unë e kam parë në xhenet, teksa ecte duke zvarritur veshje.

Nga fjalët “nuk do të ketë më profet pas tij”, nuk duhet kuptuar që kjo thënie përgënjeshtron profecinë profetike për ardhjen e një profeti të nënshtruar. Kjo thënie tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është profeti i fundit me ligj, dhe pas tij nuk do të ketë më asnjë sheriat i ri. Kurani Famëlartë dhe thëniet profetike na bëjnë me dijeni se tani mund të vijë vetëm ai profet, i cili do t’i nënshtrohet dhe t’i bindet të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

I Dërguari Allahut s.a.v.s. kishte vendosur lidhjen vëllazërore të Âmir ibn Rebias me Jezid ibn Mundhirin r.a. Âmir ibn Rebia r.a. ndërroi jetë vetëm pak ditë pas martirizimit të Osmanit r.a.

Harâm ibn Milhan r.a. | حرام بن ملحان رضي الله عنه

Hazret Harâm ibn Milhani r.a. i përkiste fisit Beni Nexharit të Ensarëve. I ati i tij quhej Malik bin Khalid ndërsa e ëma Melika bint Malik. Një ndër motrat e tij Umi Selim ishte martuar me Ebu Telha el-Ensariu r.a. dhe nëna e Enes bin Malikut. Motra tjetër quhej Umi Harâm dhe qe martuar me Ubâde ibn es-Sâmitin r.a. Harâm ibn Milhani r.a. ishte daja i Enes bin Malikut r.a. Ai kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe Uhudit, e kishte rënë dëshmor në ngjarjen e Bir El-Ma’unasë.

Enes bin Maliku r.a. ka transmetuar që disa persona e takuan të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe i kërkuan për të dërguar disa muslimanë që t’ua mësonin Kuranin e sunetin. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. nisi një grup prej shtatëdhjetë ensarësh të cilët e dinin mirë Kuranin bashkë me këta persona. Ndër këta persona qe edhe daja im Harâm ibn Milhani r.a. Këta njerëz studionin e mësonin Kuranin e predikonin ndërmjet njëri-tjetrit gjatë natës, ndërsa gjatë ditës sillnin ujë në xhami, grumbullonin dru në pyll dhe e shishin në treg, për të furnizuar sahabët e Sufasë dhe njerëz të varfër. Kam rrëfyer ngjarjen e Bir Ma’unës para disa muajsh në lidhje me historinë e Harâm ibn Milhanit r.a. po ashtu disa herë të tjera. Tani do t’ju tregoj disa transmetime të Buhariut, që nuk janë përmendur më parë.

Enes bin Maliku r.a. ka transmetuar se kur u godit Hazret Harâm ibn Milhani r.a. nga shtiza, ai mori gjakun lagu fytyrën e kokën dhe u shpreh: فزت برب الكعبة  pasha Zotin e Qabesë! Kam triumfuar.

Enes bin Maliku r.a. ka transmetuar që disa persona nga fiset Re’il, Dhekvan, ‘Usejah dhe Benu-Lihjan erdhën te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i thanë që kishin pranuar Islamin. Ata kërkuan që Profeti s.a.v.s. t’i ndihmonte ata kundër popullit të tyre. Për t’i mbështetur ata, i Dërguari i Allahut s.a.v.s dërgoi shtatëdhjetë sahabë ensarë. Enes r.a. shton që ne i quanim lexues të Kuranit. Ata gjatë ditës mblidhnin dru, kurse gjatë natës faleshin. Këta vizitorë i shoqëruan ensarët deri në Birin Ma’una, dhe atje i masakruan ma tradhti.

Enes bin Maliku r.a. ka gjithashtu transmetuar që pas martirizimit të këtyre hafizave, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. qe lutur tridhjetë ditë rregullisht me mallëngjim të thellë. Në një transmetim tjetër ai rrëfen se kurrë nuk kishte parë Profetin s.a.v.s. kaq të trishtuar siç qe pas ngjarjes së Biri Ma’unës. Në një transmetim Enes bin Maliku r.a. është shprehur që pas kësaj ngjarjeje i Dërguari i Allahut s.av.s. për një muaj rresht, lutej kundër disa fiseve të Benu Sulejmit. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte dërguar dyzet apo shtatëdhjetë persona te idhujtarët për t’ua mësuar fenë, këto fise i rrethuan ata dhe i ekzekutuan, edhe pse ata kishin nënshkruar një marrëveshje me Profetin s.a.v.s.

Ibni Hishami në historinë e tij ka shënuar këtë ngjarje duke cituar dëshminë e Xhebar bin Selmasë i cili ndodhej aty bashkë me ‘Amru bin Tufejlin dhe më vonë kishin pranuar Islamin. Ai rrëfen: Arsyeja që më nxiti drejt Islamit ishte që në birin Ma’una kisha qëlluar një person me shtizë mu në mes krahëve, e cila ia përshkoi tejendanë. Pastaj e dëgjova teksa thoshte: فزت برب الكعبة   Pasha Zotin e Qabesë! Kam triumfuar. Unë i thashë vetes: Si paska triumfuar ai? A mos e kam martirizuar? Xhebari pyeti të tjerët për këtë shprehje, dhe ata më thanë se kjo do të thotë se ai ka arritur martirizimin. Atëherë kuptova se me të vërtetë ai kishte triumfuar në sy të Allahut.

Janë ngjarje të ngjashme nga historia e disa sahabëve, të cilët synonin vetëm kënaqësinë e Allahut dhe arritjet e kësaj bote nuk u bënin asnjë përshtypje. Për shkak të synimit dhe sakrificës së tyre, Allahu gjithashtu shprehu pëlqimin e Tij ndaj tyre.

Teksa martirizoheshin, këta sahabë u lutën me këto fjalë:

اللَّهُمَّ بَلِّغْ عَنَّا نَبِيَّنَا أَنَّا قَدْ لَقِينَاكَ فَرَضِينَا عَنْكَ وَرَضِيتَ عَنَّا ”

O Allah! Lajmëroje të Dërguarin për gjendjen tonë, që ne jemi bashkuar me Ty, duke qenë të kënaqur prej Teje dhe Ti je kënaqur prej nesh.[2] Hazret Enes r.a. ka transmetuar që Xhibrili alejhiselam zbriti te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i njoftoi që ata sahabë i janë bashkuar Allahut dhe Ai është i kënaqur prej tyre.

Hazret Mirza Bashir Ahmed sahibi r.a. ka përshkruar këtë ngjarje me këto fjalë:

“Ngjarja e Birit të Ma’unasë dhe Rexhi’it shfaqën indinjatën dhe urrejtjen që fiset arabe mbanin ndaj Islamit dhe muslimanëve. Kjo mëri i nxinte për të përdorur çdo gënjeshtër, shpifje apo tradhti sado të poshtër ndaj Isalmit, ndërsa muslimanët pavarësisht mençurisë dhe vigjilencës së tyre, për shkak të mirëdashjes së tyre prej besimtarëve binin pre të mashtrimit të tyre. Ata muslimanë që u ftuan dinakërisht nga armiku zullumqar, gjoja për të mësuar fenë, qenë hafiza të Kuranit, xhematlinjtë e rregullt, të cilët e kujtonin Zotin në një qoshe të xhamisë dhe kalonin jetën në skamje e mjerim. Kur ata mbërritën në vendin e tyre si mysafirë, u masakruan barbarisht. Ndonëse, dhimbja e këtyre ngjarjeve ishte shumë e madhe, por i Dërguari i Allahut s.av.s. nuk ndërmori asnjë aksion ushtarak ndaj katilëve gjakatarë të Rebi’ut dhe Biri Ma’unasë. Për tridhjetë ditë, çdo ditë në namazin e sabahut, ai rregullisht lutej kundër fiseve Re’il, Dhekvan, ‘Usejah dhe Benu-Lihjan, duke përmendur emrat e tyre duke thënë: O Allah! Ki mëshirë ndaj nesh dhe ndaloje dorën e armiqve të Islamit, të cilët, për të asgjësuar fenë Tënde, po derdhin barbarisht e mizorisht gjakun e muslimanëve të pafajshëm.

Për të ndaluar dorën vrastare të armikut dhe për të tërhequr ndihmën e Zotit, edhe neve na nevojiten këto lutje. Vetëm Allahu mund t’i ndëshkojë ata dhe mund të lehtësojë gjendjen tonë.

Sa’d ibn Khaulah r.a. | سعد بن خَوْلة

Sipas disa historianëve Hazret Sa’d ibn Khaulah r.a. qe një skllav, të cilin e kishte liruar Ebi Ruhem ibn ‘Abdul ‘Uzej el-‘Amiriji أبي رُهم بن عبد العُزَّي العامريّ. Ai pranoi Islamin në fillim dhe ishte prej muslimanëve të parë. Po ashtu, duke mërguar drejt Abisinisë me grupin e dytë të muslimanëve, ai iu bashkua muhaxhirëve të parë. Kur mërgoi drejt Medinës, Sa’d ibn Khaulah r.a. u strehua te Kulthum ibn Hidem r.a.. Sipas Ibn Is’hakut, ai kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit. Ai qe vetëm 25 vjeç, kur luftoi në Bedr. Përveç kësaj, ai ishte i pranishëm në luftën e Uhudit, Handekut dhe marrëveshjen e Hudejbijes. Ai u martua me Sebi’a el-Eslemija r.a. سبيعة الأسلميّة. Sa’d ibn Khaulah r.a. ndërroi jetë në kohën e Haxhit të lamtumirës. Gruaja e tij kishte lindur fëmijë pas vdekjes së Sa’dit r.a. Pas lindjes së fëmijës, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha gruas së tij: ‏”قَدْ حَلَلْتِ فَانْكِحي مَنْ شِئْتِ‏”‏‏ Tashëm je lejuar të martohesh me kë të duash. Përveç Muhammed Ibn Xherir el-Tabariut të gjithë janë të mendimit që Sa’di ibn Khaulah r.a. kishte ndërruar jetë në kohën e Haxhit të Lamtumirës. Tabariu ka thënë që ai ndërroi jetë në vitin e shtatë të hixhretit, pra para haxhit të Lamtumirës.

Ebu’l-Hejthem Mâlik ibn et-Tejjihâni el-Evsi r.a. | أَبُو الهَيْثَم مَالِكُ بنُ التَّيَّهانَ

Emri i tij i vërtetë ishte Malik, por ai njihej me nofkën Ebu’l Hejthem. Nëna e tij Lejla bint ‘Atik kishte prejardhje nga fisi Beleja. Shumica e studiuesve, e kanë lidhur Eb’ul Hejthemin me degën Beleja të fisit Eus. Ai ishte aleat me Beni ‘Abdul Esh’hel. Muhammed bin Omeri ka shkruar që Ebu’l Hejthemi qysh në kohën e injorancës e urrente idhujtarinë dhe shprehej kundër tyre. Esed bin Dararah dhe Eb’ul Hejthemi besonin në Teuhid dhe këta të dy sahabë ensarë përqafuan Islamin në Mekë qysh në fillim. Sipas disa historianëve, kur Esed Bin Dararah u kthye në Medinë pasi që kishte pranuar Islamin bashkë me gjashtë persona të tjerë në Mekë para besëlidhjes së parë, ai ia përcolli këtë mesazh Eb’ul Hejthemit. Meqë Eb’ul Hejthemi po kërkonte fenë e vërtetë, ai menjëherë pranoi Islamin. Ai iu bashkua delegacionit të dytë prej 12 personave, i cili kishte pranuar të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në Mekë në besëlidhjen e parë.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. ka shkruar:

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i takoi këta persona në një luginë, larg njerëzve të tjerë. Ata e njoftuan për gjendjen e Medinës, pastaj që të gjithë bënë besëlidhje në dorën e Profetit në mënyrë të rregullt. Kjo besëlidhje do të vendoste gurthemelin e Islamit në Medinë. Përderisa, nuk ishte shpallur lejimi i xhihadit të armatosur, i Dërguari i Allahut u mori zotim me po ato fjalë, me të cilat ai merrte zotim nga gratë, që të besonin në një Zot, kurrë nuk do t’i bënin shok Allahut, nuk do të vidhnin, nuk do të bënin kurvëri, do t’i shmangeshin vrasjes, nuk do të bënin shpifje dhe që do t’i bindeshin Profetit në të gjitha veprat e mira. Pas këtij zotimi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha: “Nëse do t’i qëndroni besnik këtij zotimi, do të fitoni xhenetin, por nëse shfaqni lëkundje e dobësi, atëherë çështja juaj i takon Zotit, dhe Ai do të veprojë me ju, ashtu siç e do.

Në historinë Islame, kjo besëlidhje njihet si Besëlidhja e parë të ‘Ukbasë, sepse ai vend quhej ‘Ukba dhe ndodhej midis Mekës dhe Minasë. Fjala ‘Ukba do të thotë rruga malore. Eb’ul Hejthemi r.a. qe prej atyre gjashtë personave të atij populli, të cilët pranuan Islamin në Mekë, dhe këtë mesazh ua përcolli të tjerëve në Medinë. Sipas një transmetimi, ai qe Ensariu i parë që takoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në Mekë. Sipas të gjithë studiuesve, Eb’ul Hejthemi r.a. ishte i pranishëm në Besëlidhjen e dytë të ‘Ukbasë, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. zgjodhi dymbëdhjetë Nekibë nga 70 ensarë. Eb’ul Hejthemi ishte një prej këtyre nekibëve. Nekib do të thotë i ditur, i përgatitur dhe ishin caktuar si udhëheqës apo mbikëqyrës.

Sipas një hadithi, në kohën e Besëlidhjes së parë, Eb’ul Hejthemi u shpreh: O i Dërguari i Allahut! Ne kemi nënshkruar disa marrëveshje me fise të tjera. Kur ne do të pranojmë Islamin dhe do të bëjmë besëlidhje me ju, atëherë ju do të vendosni për fatin e këtyre marrëveshjeve. Eb’ul Hejthemi gjithashtu i tha: O i Dërguari i Allahut! Tani ne lidhemi me ju. Kur Allahu do t’ju ndihmojë e ju do të triumfoni mbi popullin tuaj, mos u ktheni te populli juaj, duke u ndarë nga ne. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. buzëqeshi dhe tha: Tashmë gjaku juaj është bërë gjaku im. Tani unë jam prej jush dhe ju jeni prej meje. Ai që shpall luftë ndaj jush, lufton me mua, ndërsa ai që shtron dorën e pajtimit me ju, pajtohet me mua.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. pas mbërritjes në Medinë, vendosi vëllazëri midis Osman bin Madh’unin dhe Eb’ul Hejthem el-Ensariu r.a.

Hazret Xhabir bin ‘Abdullah r.a. ka transmetuar në Buhari që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vizitoi një ensar, i cili shoqërohej me shokun e tij. Profeti u tha: na jep pak ujë nga shakull, ose do të pimë këtu nga burimi. Ensariu iu përgjigj: O i Dërguari i Allahut! Unë kam ujë, që kisha ruajtur mbrëmë. Ejani drejt kasolles. Ky ensar ishte Eb’ul Hejthemi, i cili shoqëroi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe shokun e tij. Ai u solli ujë e pastaj qumësht të freskët dhie, që ai sapo kishte mjelë dhe ata e pinë.

Në një transmetim të Xhabir bin ‘Abdullahut, Eb’ul Hejthem et-Tejjihâni përgatiti një gosti për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe shokët e tij dhe i ftoi ata. Pasi që përfunduan së ngrëni, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha sahabëve: Kthejani të mirën vëllait tuaj! Ata e pyetën: O i Dërguar i Allahut! Si mund t’ia kthejmë atë? Ai u përgjigj: Kur njeriu shkon në gosti te dikush, pasi që ka përfunduar së ngrëni dhe ka pirë ujë, i duhet të lutet për të. Ky është shpërblim për atë person. Këto janë veti të çmuara, që mbajnë vlerë për muslimanët.

Ebu Hurejra r.a. ka transmetuar se njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. doli nga shtëpia në një kohë, kur njerëzit në përgjithësi rrinin në shtëpi. Atëherë, e takoi Ebu Bekri r.a. dhe Profeti e pyeti: O Ebu Bekr! Çfarë të shtyju të vije këtu? Ai u përgjigj: خرجت للقاءِ رسول الله صَلَّى الله عليه وسلم والنظر في وجهه، والسلام عليه. Kam dalë të takoj të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. e t’ia shikoj fytyrën dhe ta përshëndes. Nuk kaloi shumë dhe iu bashkua edhe Omeri. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pyeti edhe atë: O Omer! Çfarë të ka sjellë këtu? Omeri u përgjigj: O Profet! Kam uri. Profeti s.a.v.s. i tha: Edhe unë jam i uritur. Pastaj, ata të gjithë u nisën drejt shtëpisë së Eb’ul Hejthem Ennsariut. Ai kishte shumë bagëti dhe rrënja hurme. Duke mos e gjetur në shtëpi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pyeti bashkëshorten e tij: Ku është burri yt? Ajo tha që ai kishte shkuar për të sjellë ujë të pijshëm. Pas pak,  u kthye edhe Eb’ul Hejthemi duke mbartur shakullin me ujë. Ai e vuri në një qoshe dhe përqafoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe përshëndeti atë. Eb’ul Hejthemi i shoqëroi këta tre miq deri në kopsht dhe shtroi një çarçaf. Pastaj, nxitoi drejt kopshtit dhe solli një tufë të mbushur hurmash. Ai tha: O i Dërguar i Allahut! Desha që të zgjidhni kokrra të pjekura sipas dëshirës suaj. Atëherë Profeti s.a.v.s., Ebu Bekri r.a. dhe Omeri r.a. hëngrën hurma dhe pinë ujë. Pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: Pasha Allahun! Hija e lehtë, ujë i ftohtë dhe hurma të freskëta; këto janë mirësitë e Allahut, për të cilat do të jepni llogari në ditën e kiametit. Kur Eb’ul Hejthemi u ngrit nga vendi që të përgatiste ushqim për ta, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e porositi: Mos therni dhi qumështore! Atëherë Eb’ul Hejthemi theri një kec, dhe mishin e pjekur shtroi para Profetit s.a.v.s. dhe të gjithë hëngrën prej tij. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. pyeti: A ke ndonjë shërbëtor? Eb’ul Hejthemi u përgjigj: Jo. Profeti i tha: Kur të kemi rob lufte, ejani te ne. Pastaj, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte dy rob lufte, i erdhi Eb’ul Hejthemi. Profeti s.a.v.s. e porositi për të zgjedhur njërin prej tyre. Eb’ul Hejthemi i tha: O Profet! Ju lutem, zgjidhni ju për mua. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: الْمُسْتَشَار مُؤْتَمَنٌ Njeriu të cilit i kërkohet këshillë është i besueshëm.

Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje ndaj këtij parimi të rëndësishëm, sepse kujtdo që i kërkohet këshillë, duhet të japë këshillën më të mirë. Pastaj Profeti i zgjodhi dhe tha: Unë e kam parë duke u falur dhe i përmendi edhe disa veti të tjera siç ishin sinqeriteti dhe përmendja e Zotit. Ai gjithashtu e porositi Eb’ul Hejthemin se duhet të sillej mirë me të.

Eb’ul Hejthemi u kthye në shtëpi dhe ia tregoi bashkëshortes porosinë e Profetit s.a.v.s. Ajo i tha: Ti nuk mund të plotësosh porosinë e Profetit të mirësjelljes. Kjo tregon shembullin e lartë të karakterit të kësaj familjeje. Ajo qe grua, kishte punë të rënda dhe nuk kishte asnjë shërbëtor. Tani kur i vjen mundësia, ajo i thotë bashkëshortit që e vetmja mënyrë për të ndjekur porosinë e Profetit është që ai ta lironte këtë shërbëtor. Eb’ul Hejthemi veproi sipas këshillës së gruas dhe menjëherë e liroi atë. Ky ishte sjellja e lartë të këtyre besimtarëve.

Eb’ul Hejthemi r.a. qëndroi krah për krah me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në luftërat e Bedrit, Uhudit, Handekut etj. Pas martirizimit të Abdullah bin Ravahas në luftën e Motasë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte dërguar Eb’ul Hejthemin në Hajber për të llogaritur prodhimin e hurmave. Pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., Ebu Bekri r.a. deshi ta dërgonte Eb’ul Hejthemin me këtë mision, por ai nuk pranoi. Ebu Bekri r.a. e pyeti: Por, në kohën e Profetit s.a.v.s. ju keni udhëtuar për të llogaritur prodhimin e hurmave. Eb’ul Hejthemi u përgjigj me mallëngjim: Sigurisht, kam shkuar për këtë detyrë, por kur kthehesha nga misioni, ai lutej për mua. Ai kërkoi ndjesë sepse ishte në gjendje emocionale dhe kujtonte me mall kohën e Profetit s.a.v.s. Këta sahabë ishin njerëz besnikë që shfaqnin bindje në çdo situatë. Nuk kishte asnjë mundësi që ai ta kundërshtonte Ebu Bekrin r.a. nëse ai i kërkonte përsëri. Mospërsëritja e urdhrit nga Ebu Bekri r.a. tregon që ai mirëkuptoi gjendjen e tij emocionale.

Kur Hazret Omeri r.a. dëboi hebrenjtë e Hajberit, ai gjithashtu dërgoi një ekspeditë për të llogaritur vlerën e pronave të tyre. Për këtë qëllim, ai dërgoi Eb’ul Hejthemin, Ferve ibn Amr dhe Zejd bin Thabitin r.a. të cilët llogaritën vlerëntë  tokës dhe hurmave të banorëve të Hajberit. Hazret Omeri r.a. urdhëroi për t’ua paguar gjysmën e kësaj vlere që ishte më shumë se pesëdhjetë mijë dirham.

Shikoni, tani Eb’ul Hejthemi ndoqi porosinë e Kalifit dhe bëri një udhëtim të gjatë. Kjo tregon që me kalimin e kohës, ai nuk kishte më atë gjendje emocionale, e cila mund ta pengonte në këtë detyrë.

Eb’ul Hejthemi r.a. ka transmetuar që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“مَنْ قَالَ السَّلَامُ عَلَيْكُمْ كُتِبَ لَهُ عَشْرُ حَسَنَاتٍ، وَمَنْ قَالَ: “السَّلَامُ عَلَيْكُمْ وَرَحْمَةُ اللهِ كُتِبَ لَهْ عِشْرُونَ حَسَنةً، وَمَنْ قَالَ السَّلَامُ: عَلَيْكُمْ وَرَحْمَةُ اللهِ وَبَرَكاتُهُ كُتِبَ لَهُ ثَلَاثُونَ حَسَنَةً”

Ai që përshëndet duke thënë Es-Selamu alejkum (d.m.th. Paqja qoftë mbi ju) i shkruhen në llogari dhjetë vepra të mira. Ai që përshëndet duke thënë Es-Selamu alejkum va rahmatullah, (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ju) i shkruhen njëzet vepra të mira. Ndërsa ai që përshëndet me fjalët Es-Selamu alejekum va rahmatullah va brakatuhu (Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju) i shkruhen tridhjetë vepra të mira.[3]

Lidhur me datën e vdekjes së tij ekzistojnë mendime të ndryshme. Sipas disave, ai kishte ndërruar jetë në kohën e Omerit r.a., ose në vitin e 20 apo 21 të hixhretit ose në vitin 27-të të hixhretit duke luftuar në luftën Saffejn në krah të Aliut r.a.

Kjo është historia e disa sahabëve të shkëlqyer të Profetit s.a.v.s., të cilët na lanë një jetë shembullore dhe na ndriçuan aspekte të ndryshme të besimit. Allahu ua lartësoftë gradat shpirtërore.

(Në fund, Huzuri njoftoi se ai do të udhëheqë dy xhenaze në mungesë. Xhenazja e parë ishte e Sahibzadës Mirza Mexhid Ahmed sahib, i biri i Hazret Mirza Bashir Ahmed sahibit r.a. i cili kishte ndërruar jetë më 14 gusht 2018 në moshën 94 vjeçare. Ndërsa xhenazja e dytë isthe e znj. Sjeda Nesim Akhtar, bashkëshortes së Muhammed Jusuf sahibit, e cila kishte ndërruar më 27 korrik 2018. Ina lil-lahi ua ina ilejhi raxhiun. Huzuri gjithashtu tregoi për jetën dhe vlerat e të ndjerëve. Allahu i mëshiroftë të ndjerët dhe ua lartësoftë gradat shpirtërore. Amin)

 

[1] Kurani Famëlartë 21:2
[2] Muslimi, numri i hadithit 3529
[3] Tirmidhiu, numri i hadithit 2689

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp