Historia e Bilalit r.a., sahab i shquar i Profetit a.s. | Pjesa II
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Historia e Bilalit r.a., sahab i shquar i Profetit a.s. | Pjesa II

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Në vazhdë të ciklit të hutbeve mbi historinë e sahabëve të Bedrit, javën e fundit po rrëfeja jetën e Hazret Bilalit r.a.. Sot, do t’ju rrëfej pjesën e mbetur nga jeta e tij.

Hazret Ebu Hurejra r.a. transmeton se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. po kthehej nga lufta e Hajberit, sahabët kishin ecur gjithë natën. Kur ata u ndalën për të pushuar, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. porositi Bilalin që t’u ruante atyre kohën e namazit të sabahut. Nga ruajtja e kohës së namazit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte dashur t’i thoshte që Hazret Bilali r.a. t’i zgjonte ata në kohën e namazit të sabahut. Pas kësaj porosie, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bashkë me sahabët e tjerë, ranë në gjumë, ndërsa Hazret Bilali r.a. nisi të falte nafile.
Meqë nuk kishte ardhur ende koha e sabahut, Hazret Bilali u drejtua nga lindja, dhe u ul duke mbështetur në devenë e tij. Hazret Bilali priste që të zbardhej pak qielli, por në këtë pritje e zuri gjumi. Kështu nuk u zgjua as Bilali dhe as dikush nga sahabët e Profetit s.a.v.s. derisa u përhapën rrezet e diellit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte i pari prej të gjithëve, që u ngrit nga gjumi. Ai u bë merak dhe e thirri Bilalin, i cili i tha: O i Dërguari i Allahut! Prindërit e mi u bëfshin kurban për ju! Edhe mua më ka penguar ai, i cili ju ka penguar ju (d.m.th. gjumi). I Dërguari i Allahut s.a.v.s. porositi sahabët për t’u nisur dhe sahabët kalëruan njëfarë rrugë derisa ndaluan sërish me porosinë e tij. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. mori abdes, e mandej porositi Bilalin r.a. për të thënë ikametin dhe kështu i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u priu sahabëve në namazin e sabahut, ndërkohë dielli kishte ngritur në qiell.

Pas përfundimit të namazit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha:

“Nëse dikush harron të falë namazin, i duhet ta kryejë atë kurdo që i kujtohet sepse Allahu i Madhërishëm ka porositur që të kryejmë namazin për ta kujtuar Atë”.

Flamuri i Hazret Bilalit r.a.

Në ditën e fitores së Mekës, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. hyri në Qabe, Hazret Bilali isthe bashkë me të.
Hazret Ibn Omeri r.a. transmeton se në ditën e fitores së Mekës, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbërriti në qytet dhe thirri Hazret Osman Ibn Talhain r.a., i cili i çeli derën e Qabes. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. hyri në Qabe bashkë me Hazret Bilalin, Hazret Osama ibn Zejdin dhe Osman ibn Talhain dhe mbylli derën nga brenda. Profeti ndenji për disa çaste brenda, e pastaj doli jashtë. Hazret Ibn Omeri transmeton se unë nxitova te Hazret Bilali r.a. dhe e pyeta se çfarë kishte bërë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Ai më tregoi se Profeti kishte falur namaz në Qabe. Unë e pyeta: Në cilin vend? Ai më bëri me dorë dhe tha midis atyre shtyllave. Hazret Ibn Omeri r.a. ka shtuar: Atë ditë harrova të pyesja Bilalin se sa rekate kishte falur i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Hazret Bilali r.a. u tregonte sahabëve vendin ku i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte falur namaz në Qabe.

Hazret Ibn Mulejka transmeton se në ditën e fitores së Mekës, Hazret Bilali r.a. sipas porosisë së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ishte ngjitur në çatinë e Qabes dhe kishte thirrur ezanin.

Hazret Kalifi II r.a. ka përshkruar ngjarjen e fitores së Mekës. Ai shkruan:

“Hazret Abasi r.a. shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. së bashku me Ebu Sufjanin. Sapo e pa Ebu Sufjanin, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha “A nuk besuake akoma se Zoti është vetëm një?” Ebu Sufjani iu përgjigj: “Jeni shumë përdëllimtar, shumë fisnik dhe shumë i mëshirshëm ndaj farefisit. Sigurisht tashmë jam plotësisht i bindur që po të ekzistonte ndonjë zot tjetër, ai me siguri do të na ndihmonte”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: “A nuk besuake akoma se Muhammedi është i Dërguari i Allahut?” Ai iu përgjigj: “Për këtë kam akoma disa dyshime”. Hazre Abasi i tha: “Bëje bejatin sepse ti dhe populli yt keni fituar falje”.

Ebu Sufjani, në atë moment, bëri bejat vetëm për sy e faqe, por më vonë ai u bë një musliman i sinqertë dhe besnik. Megjithatë, Hazret Abasi i tha: “Tani, kërko për popullin tënd, në të kundërtën, ai do të pësojë keq”. Muhaxhirët ishin të frikësuar, sepse duke qenë banorët e Mekës, ata kujtonin se nëse u baltos njëherë emri i Mekës, zor t’i kthehej fama dhe madhështia e mëparshme. Ndonëse, kishin hequr vuajtje dhe shtypje prej mekasve, ata luteshin për një marrëveshje me mohuesit. Ndërsa, ensarët po tregoheshin më të ashpër.

Pas lejes së Profetit s.a.v.s., Ebu Sufjani i tha: “O i Dërguar i Allahut! Ju jeni aq bujar dhe i mëshirshëm, A nuk do të keni mëshirë për popullin tuaj? Ne jemi gjak me ju. A nuk do të bëni asnjë nder, pasi që jam bërë musliman?” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: “Në rregull, shko dhe lajmëro se atij që hyn në shtëpinë e Ebu Sufjanit, do t’i jepet paqja”. Ai i tha Profetit s.a.v.s.: “O i Dërguar i Allahut! Shtëpia ime është e vogël dhe s’mund të mbajë shumë njerëz. Meka është e madhe, e si mund të hynë gjithë banorët e Mekës në shtëpinë time?” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Mirë, lajmëro që edhe atij që hyn në Qabe, do t’i jepet paqja”. Ebu Sufjani i tha: “O i Dërguar i Allahut! Prapë do të mbeten disa njerëz?” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Mirë, edhe atij që do të dorëzojë armët, do t’i jepet paqja”. Ebu Sufjani tha: “Mirëpo, do të mbeten prapë disa njerëz”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Atëherë, edhe atij që mbyll derën dhe nuk del nga shtëpia e tij, do t’i jepet paqja”. Ebu Sufjani tha: “O i Dërguari i Allahut! Si do të jetë fati i atyre, që kanë mbetur rrugicave. Ata të shkretë, do të mbyten kot”.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. porositi për të përgatitur një flamur për Bilalin. Por më vonë, ai vetë bëri këtë flamur për të, dhe meqë Bilali në atë moment nuk ndodhej atje, ai ia dorëzoi Ebu Ruvejhaut, një sahab ensar, të cilin Profeti e kishte bërë vëlla të Bilalit në Medinë. Ai i dha porosinë që flamuri i përkiste Bilalit, i cili duhet ta mbajë në sheshin kryesor dhe të njoftojë se ai që vjen nën flamurin e Bilalit, atij do t’i jepet paqja. Ebu Sufjani iu drejtua Profetit s.a.v.s.: “Tani do të shpëtojë krejt Meka. Më jepni leje, që të largohem”.

Në këtë mënyrë, prijësi i mekasve tashmë kishte lëshuar armët. Pas marrjes së lejes, ai shkoi menjëherë në Mekë dhe nisi të lajmëronte banorët: “O njerëz! Mbyllni dyert dhe qëndroni në shtëpi! Lëshojini armët dhe shkoni në Qabe! Në shesh valëvitet flamuri i Bilalit. Nëse doni paqe, shkoni dhe qëndroni nën flamurin e tij!” Njerëzit menjëherë mbyllën dyert, ndërsa disa nxituan drejt Qabes. Ata nisën të hidhnin armët përjashta.

Për pak çaste, ushtria muslimane hyri në qytet dhe banorët u mblodhën nën flamurin e Bilalit. Sipas Hazret Kalifit II r.a., ngjarja më madhështore në fitoren e Mekës është flamuri i Bilalit. Ai shkruan:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. me duart e tij përgatit një flamur dhe pastaj thotë që atij i cili qëndron nën flamurin e Bilalit, do t’i jepet paqja. Ndonëse, Muhammedi s.a.v.s. ishte udhëheqësi i muslimanëve, por nuk u ngrit asnjë flamur në nderin e tij. Pas Profetit s.a.v.s., vinte radha e Hazret Ebu Bekrit, sahabiut më besnik dhe më të përkushtuar, por atij nuk iu  ngrit asnjë flamur. Pas tij, vinte radha e Omerit, por as ai nuk u nderua me ndonjë flamur. Pas tij, ishte pozita e Osmanit, i cili ishte gjithashtu dhëndri i tij, por as atij nuk iu besua ndonjë flamur. Më pas, vinte pozita e Aliut, i cili kishte lidhje gjaku me Profetin dhe ishte kushëriri dhe dhëndri i tij, por as ai nuk gëzoi këtë nder. Për Abdurrahman ibn ‘Aufin, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë që deri sa ishte i gjallë, nuk mund të përçaheshin muslimanët, por as atij nuk i ishte dhënë ndonjë flamur. Abasi ishte xhaxhai i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Për shkak të kësaj lidhjeje, ai nganjëherë fjalosej me të, por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kurrë nuk zemërohej prej tij, por Profeti as atij nuk i besoi ndonjë flamur.

Aty gjendeshin mjaft luftëtarë dhe besimtarë të shquar. Halit ibn Velidi ishte një luftëtar i dalluar dhe ishte djali i një kryetari po ashtu Amr ibn Asi ishte djali i një prijësi. Si ata, nuk mungonin aspak njerëz të shquar dhe kryetarë fisesh, megjithatë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. zgjodhi pikërisht Bilalin. Përse ndodhi kjo? Arsyeja e vetme ishte që kur ushtria muslimane mbërriti në Mekë, Ebu Bekri shikonte se përballë tij ishin bashkëkombës dhe vëllezër të tij. Madje, ai i kishte thënë Profetit: O i Dërguar i Allahut! A do të luftonin kundër vëllezërve të tyre? Ai kishte harruar zullumet dhe shtypjet e tyre, dhe dinte që banorët e Mekës ishin vëllezërit e tij. Ndonëse Omeri në fillim ishte shprehur për hakmarrje, por kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shpalli amnisti për të gjithë kundërshtarët, ai me siguri do të ishte më i lumtur sepse thellë në zemër do të kishte ndjerë që mirë u bë, fundja, ata ishin vëllezërit e tij. Osmani dhe Aliu gjithashtu do të kishin shprehur gëzimin që vëllezërit e tyre janë falur. Çfarë ka, nëse kishin ushtruar dhunë ndaj muslimanëve. Ndoshta edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. pas shpalljes së faljes për banorët e Mekës, do të kishte menduar që ndër ata ishin xhaxhallarët, kushërinjtë, dhëndurët, të afërmit dhe farefiset e tij. Me këtë falje, kanë përfituar edhe të afërmit e tij.

Por, ndër ata, ishte vetëm një person, të cilin nuk e lidhte asnjë lidhje farefisnore me mekasit. Ai nuk gëzonte asnjë pozicion në jetën shoqërore mekase. Ai nuk kishte asnjë shok në këtë qytet. Në këtë gjendje të vetmisë dhe mjerimit, i ushtrohej dhuna që nuk përjetuan as Ebu Bekri, as Aliu, as Osmani e as Omeri, madje as i Dërguari i Allahut s.a.v.s..

Javën e kaluar ju kisha përcjellë një rrëfim, sipas të cilit i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe Ebu Bekri r.a. i kishin shpëtuar dhunës dhe zullumit të mekasve, për shkak të lidhjeve gjaku që ata ndanin me mohuesit. Unë kisha shpjeguar që jo vetëm Bilali por edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe Hazret Ebu Bekri r.a. kishin hequr vuajtje dhe dhunë nga mekasit, por edhe kjo është e vërtetë që dhuna dhe vuajtja që kishte përjetuar Bilali, nuk kishin duruar asnjë musliman tjetër.

Hazret Kalifi II r.a. ka përshkruar vuajtjen e Bilalit me këto fjalë. Ai shkruan:

“Bilalin e shtrinin në rërë përvëluese dhe i vinin përsipër gurë të mëdhenj e të nxehtë. Njeriu ka të pamundur të ecë këmbëzbathur gjatë ditëve të nxehta në maj e qershor, ndërsa pronari i tij e nxirrte Bilalin në pikë të zhegut dhe e shtronte të zhveshur në rërë përvëluese, dhe lëshonte ca çapkënë t’i gjuanin në fytyrë nga këpucët me gozhdë.
Ata i thoshin: “Pranoje Latin dhe Uzzanë si zota dhe distancohu nga Muhammedi!” Por ai si përgjigje u thoshte vetëm “Es-hedu el-la ilahe il-lallah, Es-hedu el-la ilahe il-lallah” domethënë bëni çfarë të doni, derisa kam parë se Zoti është një, si mund të them që janë dy. Kur kam kuptuar që me të vërtetë Muhammedi është i Dërguari i Allahut, si mund të guxoj ta përgënjeshtroj atë”.
Nga përgjigja e Bilalit, ata plasnin nga inati dhe e rrihnim akoma më shumë. Ai duronte të njëjtën sjellje si në muajt e verës, po ashtu në dimër. I vinin litar në këmbë dhe e tërhiqnin zvarrë nëpër rrugicat e Mekës, të shtruara me kalldrëm. Gurët e mprehta i rripnin lëkurën, dhe vagabondët e shtynin për të përgënjeshtruar Muhammedin dhe për të pranuar idhujt e tyre për zot, por ai vazhdonte të përgjigjej në të mënyrë:

أَسْهَدُ أَنْ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ۔ أَسْهَدُ أَنْ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut.

Kur Bilali do të kishte kujtuar për hyrjen e ushtrisë muslimane, që përbëhej nga 10 mijë ushtarësh, ai me siguri do të kishte menduar se atë ditë do të hakmerrej për ato shkelma që i bëheshin në gjoks si dhe për goditje dhe rrahje që i pësonte nëpër rrugicat e Mekës. Por, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. njoftoi se atij që do të hynte në shtëpinë e Ebu Sufjanit, do t’i jepej paqja, atij që do të hynte në Qabe, do t’i jepej paqja, atij që do të lëshonte armët, do t’i jepej paqja, atij që do të mbyllte derën e shtëpisë, do t’i jepej paqja, ai me siguri duhet të kishte menduar se Profeti po falte vëllezërit e tij, dhe po bënte shumë mirë, por atij i ishte mohuar drejtësia dhe ai nuk ishte hakmarrë për krimet e kryera ndaj tij.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu duhet të kishte menduar se shpallja e faljes, mund të lëndonte vetëm një person, dhe ai ishte Bilali. Atyre që u ishte dhënë falje, nuk ishin vëllezërit e tij dhe vuajtja dhe dhimbja e tij nuk mund të krahasohej me askënd. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi të hakmerrej për Bilalin, në një mënyrë e cila jo vetëm t’i përshtatej madhështisë së profetësisë të tij, por edhe të çlironte Bilalin nga barra e hakmarrjes. Profeti s.a.v.s. porositi sahabët për të ngritur flamurin e Bilalit dhe për t’i lajmëruar ata krerë mekasë, të cilët kërcenin me këpucë mbi gjoksin e Bilalit, të cilët i vinin litar në këmbë dhe e tërhiqnin zvarrë dhe të cilët e shtrinin në rërë përvëluese që nëse donin të shpëtonin jetën e familjes së tyre, të nxitonin për t’u strehuar nën flamurin e tij.

Unë besoj se qëkur ka ekzistuar kjo botë dhe qëkur njeriu ka arritur të hakmerret për krimet e kryera ndaj tij, asnjëri nuk ka arritur të hakmerret në mënyrë kaq madhështore.

Më parë, krerët e Mekës e kishin nëpërkëmbur Bilalin me shpërfillje dhe e kishin detyruar të përgënjeshtronte Muhammedin s.a.v.s.. Por, tani kur ngrihej flamuri i Bilalit në sheshin para Qabes, ishte ndryshuar situata. Tashmë, ata sillnin gratë dhe fëmijët e tyre dhe i vinin nën flamurin e Bilalit dhe shpresonin që të shpëtonin. Duke parë këtë pamje madhështore, zemra dhe shpirti i Bilalit me siguri do të flijohej për Muhammedin s.a.v.s.. Ndoshta, ai thoshte me vetveten se vallë si do të kishte marrë hakun. Ata që kërcenin duke ia gjuajtur gjoksin me këpucët e tyre, sot kokat e tyre janë bërë t’u përkulen këpucëve të Bilalit.

Kjo hakmarrje ishte më e bukur se ajo e Jusufit a.s.. Sepse ata që i kishte falur Jusufi, ishin vëllezërit e tij, dhe ai për të cilin kishte treguar këtë gjest, ishte babai i tij. Ndërsa, Muhammedi s.a.v.s. kishte falur xhaxhallarët dhe vëllezërit e tij, falë këpucëve të shërbëtorit të tij. Nuk barazohet aspak hakmarrja e Jusufit a.s. me atë të Bilalit.

Ngjarja e lartpërmendur është marrë nga libri “Sejri Ruhani” të Hazret Kalifit II r.a., ndërsa ai ka përmendur këtë ngjarje në mënyrë të përmbledhur në hyrjen e komentimit të Kuranit.

Unë po them këtë, sepse disa njerëz më shkruajnë se filan ngjarje ishte përmendur në filan libër me këto detaje. Në të vërtetë, edhe këto ngjarje, si në versionin e përmbledhur apo atë me hollësi, nuk kanë asnjë kontradiktë. Në këtë libër, kjo ngjarje është shënuar me këto fjalë:

Pastaj, Ebu Sufjani pyeti: “O i Dërguar i Allahut, nëse mekasit nuk do të ngrenë shpatën, a do të jenë në paqe?” Profeti tha: “Po. Çdokush që mbyll derën e shtëpisë së tij, atij do t’i jepet paqja”. Abasi r.a. i sqaroi Profetit s.a.v.s. “O i Dërguar i Allahut, Ebu Sufjani është një njeri që dëshiron ta ketë krenarinë e tij dhe ju pyet nëse do t’i ruani ndonjë nder”. Profeti tha: “Mirë, edhe atij që hyn në shtëpinë e Ebu Sufjanit, do t’i jepet paqja. Edhe atij që futet në Qabe, në Xhaminë e Shenjtë, do t’i jepet paqja. Edhe atij që lëshon armën e tij, do t’i jepet paqja. Edhe atij që qëndron i mbyllur në shtëpinë e tij, do t’i jepet paqja. Edhe atij që futet në shtëpinë e Hekim ibni Hezamit, do t’i jepet paqja”.

Pastaj, duke iu drejtuar Ebu Ruvejhaut r.a., të cilin Profeti e kishte bërë vëlla të Bilalit, skllavit zezak, tha: “Flamurin tonë, do t’ia japim Ebu Ruvejhaut. Nuk do t’i themi gjë as atij që vjen nën flamurin e Ebu Ruvejhaut”. Kurse Bilalit r.a. i tha: “Vazhdo të njoftosh që atij që vjen nën flamurin e Ruvejhaut, do t’i jepet paqja”. Vallë, me ç’urtësi të madhe e kishte dhënë këtë porosi Profeti! Njerëzit e Mekës, Bilalit dikur ia lidhnin këmbët me litar dhe e zvarritnin nëpër rrugica. Për Bilalin, rrugicat dhe fushat e Mekës nuk ishin vende paqësore, por ndëshkuese, poshtëruese dhe tallëse.

Profeti Muhammed s.a.v.s. e mori me mend që Bilali tani do të ishte i pushtuar nga ndjenjat e hakmarrjes, andaj, ndjeu të domosdoshme që të kujdesej për hakmarrjen e shokut të tij besnik, por, ishte e domosdoshme edhe diçka tjetër: hakmarrja t’i përshtatej madhështisë së Islamit. Prandaj, Profeti s.a.v.s. për Bilalin r.a. nuk u hakmor duke u prerë kokat armiqve të Bilalit me shpatë, por duke i dhënë vëllait të tij një flamur të madh dhe duke e caktuar atë vetë për të njoftuar: “Çdokush që vjen nën flamurin e vëllait tim, i mundësohet paqja”. Ç’hakmarrje madhështore dhe e shkëlqyeshme qe kjo, kur Bilali r.a. me zë të lartë njoftonte: “O njerëzit e Mekës, ejani dhe qëndroni nën flamurin e vëllait tim, se do t’ju jepet paqja”! Kjo, me siguri, ia zbrazte zemrën nga dëshira e hakmarrjes dhe ai ndiente se nuk mund të kishte hakmarrje më madhështore dhe më të bukur sesa ajo që i kishte mundësuar Profeti Muhammed s.a.v.s..

Hazret Kalifi II r.a. ka përshkruar durimin e Hazret Bilalit dhe gjendjen e tij emocionale në ditën e fitore së Mekës. Ai shkruan:

“A dini që si i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte hakmarrë në kohën e fitores së Mekës, kundër atyre mohueseve, të cilët kërcenin mbi gjoksin e Bilalit, një skllav prej Abisinisë? I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e nderoi atë, duke i besuar një flamur dhe deklaroi: O krerët e Mekës! Nëse doni të shpëtoni jetën tuaj, qëndroni nën flamurin e Bilalit”. Ndonëse, Bilali ishte një skllav, ndërsa ata ishin feudalë të fuqishëm, por sot, ata mund të shpëtonin vetëm duke iu nënshtruar atij.

Këto referenca që përshkruajnë ngjarjen e flamurit të Bilalit, mund të kenë disa dallime të vogla, por thelbi dhe përfundimi i tyre është i njëjtë.

Nexhashi, mbreti i Abisinisë i kishte dërguar Profetit s.a.v.s. tri shtiza si dhuratë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte mbajtur një për veten, një i kishte dhënë Hazret Ali ibn Ebu Talibit dhe një i kishte dhënë Hazret Omer ibn Hatabit r.a.. Hazret Abdullah ibn Omeri r.a. transmeton se në ditën e bajramit, Hazret Bilali ecte përpara të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., duke mbajtur atë shtizë. Muhammed ibn Omeri ka thënë që në atë kohë, namazi i bajramit falej në një fushë, dhe Hazret Bilali e ngulte atë para Profetit s.a.v.s., që të udhëhiqte namazin.

Pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., në çdo bajram, Hazret Bilali r.a. ecte njësoj edhe para Hazret Ebu Bekrit r.a., duke mbajtur atë shtizë.

Dëshira e tij për të mbrojtur Islamin

Sipas disa transmetimeve, pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., Hazret Bilali kishte shkuar drejt Sirisë, për të marrë pjesë në xhihad. Sipas një transmetimi, Hazret Bilali kishte shkuar tek Ebu Bekri r.a. dhe i kishte thënë: O Kalifi i Profetit! Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë që vepra më e pëlqyer e një besimtari është bërja e xhihadit në rrugën e Allahut. Hazret Ebu Bekri r.a. e pyeti për qëllimin e tij. Hazret Bilali iu përgjigj: Dua që të më dërgoni në xhihad, dhe kam dëshirë të vdes në rrugën e Allahut. Hazret Ebu Bekri i tha: O Bilal! Të betohem në Allah! Unë jam plakur dhe jam dobësuar tani. Po afrohet koha e vdekjes sime. Prandaj, unë të kujtoj të drejtën time, dhe të kërkoj të qëndrosh pranë meje.

Në këtë mënyrë, Hazret Bilali e shoqëroi Hazret Ebu Bekrin r.a. derisa ai u nda nga jeta. Pas vdekjes së Hazret Ebu Bekrit, Hazret Bilali takoi Hazret Omerin r.a. i kërkoi leje për të shkuar në Siri, ashtu siç i kishte kërkuar Hazret Ebu Bekrit. Hazret Omeri r.a. gjithashtu i dha të njëjtën përgjigje, por kësaj here Hazret Bilali nuk pranoi dhe u këmbëngul për të shkuar në xhihad. Hazret Omeri e pyeti se kujt do t’i besohej detyra e thirrjes së ezanit pas tij. Hazret Bilali e sugjeroi emrin e Hazret Sa’adit, sepse ai kishte thirrur ezan gjatë kohës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Në këtë mënyrë, Hazret Omeri r.a. i dha këtë detyrë Hazret Sa’adit, dhe pas tij, djemve të tij. Ai gjithashtu dërgoi Hazret Bilalin në xhihad, pas këmbënguljes së tij.

Në një transmetim tjetër, na është përcjellë dialogu midis Hazret BIalit dhe Hazret Ebu Bekrit lidhur me thirrjen e Ezanit. Musa ibn Muhammedi transmeton nga babai i tij që ditën kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte ndërruar jetë, Hazret Bilali r.a. thirri ezanin, kur nuk e kishin varrosur ende. Kur Hazret Bilali këndoi fjalët  أَسْهَدُ ان محمداً رسول الله‎ dëshmoj se Muhammedi është i Dërguari i Allahut, njerëzit u emocionuan dhe nisën të çanin me dënesë.

Pas varrimit, Hazret Ebu Bekri r.a. e porositi Hazret Bilalin r.a. për të thirrur ezanin, por ai iu përgjigj: “Nëse më keni liruar që t’ju shoqëroj në çdo moment, atëherë do t’ju bindem për çdo gjë. Por, nëse më keni liruar për hir të Allahut, ju lutem, më lëshoni për hir të Tij”. Hazret Ebu Bekri r.a. tha: “Unë të kam liruar vetëm për hir të Allahut”. Hazret Bilali r.a. i tha: “Atëherë, pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., unë nuk dua të thërras më ezanin, për dikë tjetër”. Hazret Ebu Bekri r.a. pranoi dëshirën e tij. Kështu, Hazret Bilali r.a. vazhdoi të jetonte në Medinë. Më vonë, në periudhën e Kalifatit të Hazret Omerit r.a., kur ai kishte dërguar ushtrinë muslimane drejt Sirisë, Hazret Bilali gjithashtu iu bashkua ushtarëve musliamanë.

Sipas një transmetimi në veprën “Esedul Ghabba”, Hazret Bilali i kishte thënë Hazret Ebu Bekrit: “Nëse më keni liruar për veten tuaj, atëherë më mbani këtu. Por, nëse më keni liruar për hir të Allahut, më lejoni të shkoj në Siri e të bëj xhihad në rrugën e Allahut”. Hazret Ebu Bekri i dha leje dhe Hazret Bilali shkoi në Siri dhe nuk u kthye më kurrë.

Megjithatë, shumica e transmetimeve mbështetin idenë që Hazret Bilali nuk kishte shkuar në kohën e Hazret Ebu Bekrit, madje në periudhën e Hazret Omerit r.a. Po ashtu, sipas një transmetimi, Hazret Bilali r.a. kishte thirrur ezanin edhe gjatë periudhës së Hazret Ebu Bekrit r.a..

Një ëndërr dhe mall për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.

Në një transmetim përcillet:

Njëherë Hazret Bilali kishte takuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në ëndërr. Profeti s.a.v.s. i kishte thënë: “O Bilal! Mos u bëj zemërgur! A nuk ka ardhur koha akoma që të më vizitosh?” Bilali u ngrit i shqetësuar me një gjendje të rëndë shpirtërore dhe menjëherë u nis nga Siria drejt Medinës. Kur mbërriti te varri i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., e pushtuan të qarat dhe ai shpërtheu në dënesë. Shpirti po i përpëlitej me mall për Profetin s.a.v.s.. Pak më vonë, aty erdhën nipat e Profetit s.a.v.s., Hazret Hasani dhe Husejni. Hazret Bilali r.a. i puthi në ballë dhe përqafoi me përzemërsi. Ata i shprehën dëshirë që ai të këndonte ezanin e sabahut.
Të nesërmen, Hazret Bilali hipi në çatinë e xhamisë. Kur kumbuan fjalët “Allahu Ekber, Allahu Ekber”, u trondit e gjithë Medina. Kur shqiptoi fjalët “Esh-hedu el-la ilahe il-lallah”, i dha qytetit një hov të ri dhe e përtëriu atë. Kur këndoi fjalët “Esh-hedu enna Muhammader-Rasulullah”, gratë dolën nga dhomat e tyre. Transmetuesi i kësaj ngjarje ka thënë që nuk kishte parë kurrë në Medinë burrat dhe gratë që qanin me kaq dënesë. Duke dëgjuar ezanin e Bialit r.a., atyre u ishte kujtuar koha e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Kur në periudhën e kalifatit të Hazret Omerit r.a., Hazret Bilali i shtroi kërkesën për t’u nisur në xhihad, Hazret Omeri r.a. e pyeti: Çfarë të pengon që nuk dëshiron të thërrasësh më ezanin? Hazret Bilali iu përgjigj: Unë kam thirrur ezanin me porosinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., derisa ai ndërroi jetë. Pastaj, kam thirrur ezanin me porosinë e Hazret Ebu Bekrit r.a., derisa edhe ai ndërroi jetë. Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., duke më thënë mua: O Bilal! Asnjë adhurim nuk mund të krahasohet me xhihad në rrugën e Allahut. Kështu Hazret Bilali r.a. kishte udhëtuar në Siri dhe kur Hazret Omeri r.a. mbërriti në Siri, ai kishte thirrur ezanin, me urdhrin e tij. Sipas transmetuesit, ai nuk kishte parë kurrë një pamje të tillë, që njerëzit po qanin me kaq mallëngjim.

Jeta e Hazret Bilalit r.a. në Siri

Në pjesën e fundit të jetës së tij, Hazret Bilali r.a. kishte shkuar në Siri. Këtu duhet të sqaroj që sipas disa transmetimeve, asnjëri nuk pranonte të martonte vajzën me të. Por, në hutben e fundit, kam treguar që ai kishte bërë disa martesa. Sipas disa rrëfimeve, ai kishte bërë më shumë se një martesë, qysh në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Hazret Kalifi II r.a. ka shkruar: “Hazret Bilali r.a. kishte çuar fjalë për martesë në një familje në Siri dhe u kishte thënë: Unë jam prej Abisinisë dhe nëse nuk doni, mund të më refuzoni. Por, nëse ma pranoni kërkesën, sepse jam sahabiu i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., do të jem mirënjohës ndaj jush”. Ajo familje pranoi kërkesën dhe kështu Hazret Bilali r.a. u martua dhe mbeti në Siri.

Ndoshta, bashkëshortet e tij kishin ndërruar jetë, ose ato nuk donin t’i bashkoheshin në Siri, ose ai thjesht dëshironte të martohej atje.

Hazret Kalifi II r.a. gjithashtu ka përshkruar ngjarjen e mëparshme të ëndrrës. Ai shkruan që njëherë e vizitoi i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në ëndërr dhe e pyeti: O Bilal! Ti më ke harruar fare dhe kurrë nuk ke ardhur të vizitosh varrin tim”. Hazret Bilali u ngrit menjëherë dhe bëri gati për udhëtimin drejt Medinës. Kur mbërriti në Medinë, iu afruan me vrap Hazret Hasani dhe Hazret Husejni, të cilët tashmë ishin rritur. Ata kërkuan që ai të këndonte ezanin, ashtu siç bënte në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Hazret Omeri r.a. në periudhën e Kalifatit të tij, kishte nisur regjistrimin e banorëve për shpërndarjen e ndihmës ekonomike. Kur përfundoi procesi i përpilimit të llogarive, Hazret Bilali r.a. u nis për në Siri dhe u vendos atje bashkë me muhaxhirë të tjerë. Hazret Omeri r.a. e pyeti Bilalin se kujt do t’i jepte të drejtën e përfaqësimit për të tërhequr ndihmën ekonomike. Hazret Bilali r.a. u përgjigj: Ebu Ruvejha. Unë nuk do ta prish kurrë këtë lidhje vëllazërore, që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka vendosur midis nesh”.

Sinqeriteti i Hazret Bilalit r.a.

Amr ibn Mejmuni ka transmetuar nga babai i tij:

“Vëllezërit e Hazret Bilalit tregonin origjinën e tyre si arabe dhe kujtonin gjoja ishin arabë. Njëherë, njëri prej tyre kishte lypur dorën e një vajze arabe, Familja e saj ishte përgjigjur se do ta pranonin këtë kërkesë, vetëm nëse Hazret Bilali r.a. të vizitonte shtëpinë e tyre. Hazret Bilali shkoi në shtëpinë e tyre dhe u tha: “Unë jam Bilal ibn Rebah. Ky është vëllai im, por nuk është njeri i mirë nga aspekti moral apo fetar. Nëse doni, ju mund ta martoni vajzën tuaj me të, e nëse doni mund të refuzoni”. Megjithatë, ata pranuan këtë martesë, duke thënë: “Ne do ta martojmë vajzën tonë me të, sepse na mjafton që është vëllai juaj”.

Zejd ibn Eslemi ka transmetuar që

“Disa anëtarë të Benu Ebu Bukejrit erdhën te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe iu lutën për kurorëzimin e motrës së tyre me dikë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha: “Çfarë mendim keni ju për Bilalin?” Ata nuk iu përgjigjën dhe u kthyen. Pastaj, ata erdhën prapë dhe i thanë: O i Dërguar i Allahut! Ju lutemi, shpallni nikahun e motrës sonë me filanin”. Profeti s.a.v.s. u bëri të njëjtën pyetje: Çfarë mendoni ju për Bilalin? Ata u larguan pa asnjë përgjigje. Pak më vonë, ata erdhën sërish dhe iu lutën që shpallej martesa e motrës së tyre me dikë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha: Çfarë mendimi keni ju për Bilalin? Çfarë mendoni për dikë që është prej banorëve të Xhenetit?” Ata pranuan dëshirën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe martuan motrën e tyre me Hazret Bilalin r.a..

Një ngjarje emocionuese

Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. shkruan:

“Njëherë, gjatë periudhës së Hazret Omerit r.a., Ebu Sufjani dhe disa krerë të shquar mekasë, të cilët kishin pranuar Islamin pas fitores së Mekës, erdhën për ta takuar Kalifin. Rastësisht, në atë moment, erdhën edhe Bilali, Amari dhe Suhejbi për ta takuar Hazret Omerin r.a.. Këta kishin kaluar një pjesë të jetës në skllavëri e vobektësi, megjithatë kishin pranuar Islamin qysh në fillim. Kur u lajmërua Hazret Omeri r.a. për ardhjen e Bilalit etj., ai menjëherë i ftoi brenda.

Ebu Sufjani, i cili kishte akoma disa vese të kohës së injorancës, po shikonte gjithçka. Ai u nevrikos dhe u xhindos nga inati dhe tha: “A duhet ta duronim edhe këtë poshtërim e fyerje që ne të presim këtu jashtë, ndërsa këta skllevër të hyjnë direkt brenda për takim?” Suhejli ndërhyri menjëherë dhe tha: “Kush ka faj për këtë?” Muhammedi s.a.v.s. u kishte bërë thirrje të gjithëve për të besuar në Allah dhe ata iu bindën menjëherë, ndërsa ne vonuam.

Hazret Kalifi II r.a. ka përshkruar këtë ngjarje me këto fjalë:

“Kur Hazret Omeri r.a. gjatë periudhës së kalifaitit të tij, mbërriti njëherë në Mekë, i erdhën për të përshëndetur njëri pas tjetrit ata skllevër, të cilët më parë tërhiqeshin zvarrë nëpër rrugicat e Mekës. Ajo ishte ditë bajrami, dhe para atyre, kishin ardhur dhe djemtë e disa krerëve të Mekës. Ndërkohë ata ishin ndenjur dhe prisnin për radhën e tyre, erdhi Hazret Bilali. Ishte po ai Bilal, i cili kishte jetuar si skllav, të cilin e kishin goditur dhe rrahur mosbesimtarët, të cilin e tërhiqnin zvarrë nëpër rrugicat e shtruara me gurë të mprehtë, mbi të cilin ata vinin gurë të rëndë dhe e detyronin për të dëshmuar bindje në Lat dhe Uzza, por ai gjithmonë përgjigjej duke dëshmuar njëshmërinë e Zotit “Esh-hedu el-la ilahe il-lallah”.

Kur Hazret Omeri r.a. e pa Bilalin, ai menjëherë iu drejtua atyre prijësve, që të tërhiqeshin dhe të lironin vendin për Bilalin. Pas pak kohe, erdhi një tjetër sahab skllav. Sipas traditës, Hazret Omeri r.a. i porosit për t’u tërhequr dhe për të krijuar vend për të.

Meqë Allahu i Madhërishëm, donte t’i bënte ata të ndiheshin të poshtëruar, ndodhi ashtu që erdhën njëri pas tjetrit 8-10 skllevër, dhe Hazret Omeri r.a. u thoshte atyre feudalëve vazhdimisht për t’u tërhequr dhe për të liruar vendin. Në atë kohë, nuk ndërtoheshin salla të mëdha, por ekzistonin vetëm dhoma të vogla, ku mund të uleshin shumë pak njerëz. Kur u mbush vendi me sahabë skllevër, ata feudalë u shtyjnë deri aty, ku liheshin këpucët. Kjo ishte një fyerje e rëndë, të cilën ata nuk mund të duronin. Prandaj, ata u ngritën menjëherë dhe dolën jashtë. Ata i thanë njëri-tjetrit: Ja shiko, si na kanë fyer. Këta skllevër, që dikur na shërbenin, sot po nderohen, ndërsa neve na kanë fyer rëndë, e na kanë shtyrë deri te këpucët, dhe na kanë bërë gazin e botës”.

Një djalosh, që ishte më i mençur prej tyre, po i dëgjonte me vëmendje. Ai tha “Pa dyshim, jemi poshtëruar, por pyetja është që kush mban përgjegjësi për këtë gjendje? Kur baballarët tanë dhunonin dhe shtypnin Muhammedin s.a.v.s. dhe ndjekësit e tij, këta skllevër i bindeshin atij me besnikëri të plotë. Sot sundon i Dërguari i Allahut s.a.v.s., andaj mendoni vetë se pasuesit e tij, kujt do t’u kushtojnë më shumë respekt e nder? Juve, që i dhunonit apo atyre, që nuk kursenin as jetën për hir të Islamit. Nëse, vetëm ata meritojnë këtë nder e respekt, atëherë përse ju vjen keq për sjelljen e sotme. Kjo është pasoja e veprimeve të baballarëve tuaj, që nuk gëzojmë të njëjtin respekt, që gëzojnë skllevërit”.
Ata kuptuan menjëherë këtë realitet. Njëri prej tyre tha: Sigurisht ne e kemi kuptuar këtë realitet, por a ka vallë ndonjë derman apo zgjidhje për këtë poshtërim. Nëse baballarët tanë kanë qenë fajtorë, duhet të kemi edhe ndonjë ilaç, që të heqim këtë njollë të turpshme”. Meqë, nuk po gjenin dot ndonjë zgjidhje, për largimin e kësaj të mete, ata vendosën të bisedonin me Hazret Omerin r.a..

Kur shkuan prapë në kuvendin e Hazret Omerit r.a., takimi ishte mbyllur dhe sahabët tashmë ishin larguar. Ata iu drejtuan Hazret Omerit r.a. dhe i thanë: “Sot kemi ndjerë veten të fyer dhe kemi ardhur t’ju kërkojmë ndonjë këshillë”. Hazret Omeri r.a. u tha: “Nuk duhet të ndieni të ofenduar. Këta ishin sahabët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhe meqë në kuvendin e tij, ata gjithmonë qëndronin në rreshtin e parë, isha i detyruar t’u jepja vendin që u takonte. Ndonëse, jeni prekur nga gjesti im, por nuk kisha mundësi tjetër”. Ata i thanë: “Ne ju mirëkuptojmë gjestin tuaj. Por, në fakt duam të dimë, se ka ndonjë zgjidhje për këtë mospërfillje e përbuzje. A ka ndonjë ilaç, që ta fshijmë këtë njollë të zezë?”
Hazret Omeri r.a. kishte parë madhështinë dhe lavdinë e baballarëve të tyre. Andaj, i mbushën sytë me lot, duke dëgjuar brengën e këtyre djelmoshave. I pushtuar nga emocione të fuqishme, sesi vuanin ata nga barra e rëndë e mëkateve të baballarëve të tyre, Hazret Omeri r.a. nuk mundi t’u përgjigjej me fjalë. Ai mundi të ngrinte dorën dhe bëri me shenjë nga Siria, ku ushtritë muslimane po ballafaqoheshin me ushtrinë e Cezarit. Ai donte të thoshte se e vetmja mënyrë për ta larguar këtë njollë për njëherë e gjithmonë, është të rreshtoheni në çetat muslimane, dhe jepni jetë si martirë.
Ata dolën nga takimi dhe hipën në deve, dhe nisën me vrull drejt Sirisë. Sipas historisë, asnjëri prej tyre nuk u kthye i gjallë nga ky mision. Duke rënë si martirë, ata arritën ta zhduknin përgjithmonë këtë njollë të përbuzjes, që kishin pësuar nga sjellja e baballarëve të tyre.

Nga kjo ngjarje, mësojmë që sakrificat janë të domosdoshme për të arritur synime e lavdishme. Sipas mësimeve të Islamit, pozita e atyre, të cilët kanë dhënë sakrifica vetëmohuese dhe kanë treguar besnikërinë e tyre qysh në fillim, gëzojnë statusin më të lartë, në krahasim me mëvonshmit. Qoftë ai një skllav me ngjyrë, apo një rob me një përkatësi tjetër, Islami i ka kushtuar një status të veçantë dhe një meritë të lartë. Nëse ai bën sakrifica  dhe është besnik dhe i përkushtuar, Islami i jep një status të veçantë, dhe nuk i jep asnjë vlerë pasurisë së tij. InshAllah, do ta vijoj këtë temë mbi jetën e Hazret Bilalit r.a. edhe në hutben e ardhshme.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp