Kontributi i Hazret Osmanit në përgatitjen e kopjeve të para të Kuranit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Virtyte të Hazret Uthmanit dhe kontributi i tij në përgatitjen e kopjeve të para të Kuranit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Para dy të xhumave, ju tregoja rreth Hazret Uthmanit r.a.. Edhe sot do ta vijoj të njëjtën temë.

Osman ibën Afani r.a., njeriu më i turpshëm në umetin e Profetit

Hazret Uthmani r.a. dëlirësin dhe turpin e kishte shumë në karakterin e tij. Hazret Enesi r.a. rrëfen se I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

Në umetin tim, më i mëshirshmi për umetin tim është Ebu Bekri. Më i forti prej tyre në besimin e Allahut është Omeri. Më i turpshmi prej tyre është Uthmani. Më i miri në gjykim është Aliu bin Ebi Talibi. Më i dituri për Librin e Allahut, pra për Kuranin e Shenjtë, është Ubej bin Ka’bi. Më i informuari për çështjet për hallall dhe haram, është M’uadh bin Xhebeli. Më i informuari për obligimet është Zejd bin Thabiti. Dëgjoni! Çdo umet e ka një njeri të besueshëm. I besueshmi i këtij umeti është Ebu Ubejde bin el-Xherrahu.

Hazret Enesi bin Maliku rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

 Në umetin tim, më i mëshirshmi për umetin tim është Ebu Bekri. Më i forti prej tyre në praktikumin e porosive të Allahut është Omeri. Më i turpshmi prej tyre është Uthmani.

Hazret Uthman ibën Afani r.a. thotë:

Unë asnjëherë nuk kam qenë neglizhent. Asnjëherë nuk kam dashur të jem Kalif dhe as të kem ndonjë përgjegjësi tjetër.

Se shumë i turpshëm ishte Hazret Uthmani r.a., një rrëfim i Hazret Aishes r.a. e tregon këtë. Ajo thotë:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte në shtëpinë time. Ishte i shtrirë dhe këmbët deri te kofshët i kishte të zbuluara. Ndërkohë erdhi Ebu Bekri dhe kërkoi lejen për të hyrë. Profeti s.a.v.s. e lejoi dhe vetë qëndroi ashtu siç ishte. Filloi të bisedonte me të. Ndërkohë erdhi Omeri dhe kërkoi leje për të hyrë. Profeti e lejoi edhe atë dhe vetë qëndroi ashtu siç ishte. Tek po bisedonte me ta, erdhi Uthmani dhe kërkoi leje për të hyrë. Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u çua dhe rregulloi rrobat e tij.

Rrëfimtari (që quhet Muhammed), thotë – Nuk them dot nëse e gjithë kjo ndodhi brenda ditës. Mundet që kjo të ketë ndodhur në kohë të ndryshme.

Sidoqoftë, ata erdhën, diskutuan me Profetin s.a.v.s. atë që deshën dhe u larguan. Më pas, Hazret Aishja r.a. e pyeti Profetin s.a.v.s.:

Kur erdhi Ebu Bekri, ke qëndruar në vendin tënd. Po kështu, kur erdhi Omeri, sërish nuk ke bërë ndonjë lëvizje. Por kur erdhi Uthmani, pse u çove dhe rregullove rrobat?

– A nuk duhet të kem konsideratë për atë, përpara të cilit edhe engjëjt kanë turp?! Iu përgjigj Profeti s.a.v.s..

Në një rrëfim tjetër thuhet se kur Hazret Aishja e pyeti Profetin s.a.v.s. se pse kishte treguar një sjellje të veçantë për Hazret Uthmanin, Profeti s.a.v.s. i qe përgjigjur:

– A nuk duhet të kem turp nga ai, prej të cilit edhe engjëjt kanë turp?! Për Atë Zot në dorën e të cilit është jeta e Muhammedit! Engjëjt kanë kaq shumë turp përpara Uthmanit, siç kanë turp përpara Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Nëse Uthmani hyn brenda dhe ti qëndron pranë meje, ai rri kokulur gjatë gjithë kohës deri sa të largohet.

Pra, nuk ngrinte shikimin dhe as nuk fliste vetë, për shkak të turpit.

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a., duke komentuar emrin El-Kerim (i Nderuari, Bujari) të Allahut, tregon pikërisht këtë ngjarje dhe thotë:

Ka një ngjarje nga jeta e Profetit Muhammed s.a.v.s., e cila tregon se njeriu ka turp përpara atij që zotëron cilësinë e Kerimit. Në hadithe thuhet se një herë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte i shtrirë në shtëpinë e tij. Një pjesë e këmbëve të tij ishte e zbuluar. Ndërkohë erdhi Hazret Ebu Bekri dhe u ul përpara Profetit. Më pas erdhi Hazret Omeri dhe u ul atje. Profeti s.a.v.s. nuk u merakos aspak për këta të dy. Pas pak çastesh trokiti në derë Hazret Uthmani. Profeti menjëherë u çua (u ul) dhe rregulloi rrobat e tij te këmbët dhe tha – Uthmani është shumë i turpshëm dhe kam turp të jem në këtë gjendje përpara tij. Fjalët e hadithit janë (ju kam treguar edhe më lart), që Hazret Aishja rrëfen:

Njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte në shtëpinë time. Ishte i shtrirë dhe këmbët i kishte të zbuluara. Ndërkohë erdhi Ebu Bekri dhe kërkoi lejen për të hyrë. Profeti s.a.v.s. e lejoi dhe vetë qëndroi i shtrirë ashtu siç ishte. Filloi të bisedonte me të. Ndërkohë erdhi Omeri dhe kërkoi leje për të hyrë. Profeti e lejoi edhe atë dhe vetë qëndroi ashtu siç ishte. Tek po bisedonte me ta, erdhi Uthmani dhe kërkoi leje për të hyrë. Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u çua dhe rregulloi rrobat e tij dhe pastaj i dha leje për të hyrë.

Kur të gjithë u larguan, Hazret Aishja r.a. e pyeti:

O i Dërguari i Allahut! Kur erdhi Ebu Bekri, ke qëndruar në vendin tënd. Po kështu, kur erdhi Omeri, sërish nuk ke bërë ndonjë lëvizje. Por kur erdhi Uthmani, pse u çove dhe rregullove rrobat?

– A nuk duhet të kem konsideratë për atë, përpara të cilit edhe engjëjt kanë turp?! Iu përgjigj Profeti s.a.v.s..

Shikoni pra se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. pati konsideratë për karakterin e Hazret Uthmanit të të qenit i turpshëm, dhe edhe ai kishte turp përpara tij.

Duke e treguar këtë ngjarje, Hazret Kalifi i Dytë r.a. vijon:

Kjo tregon se fakti që Zoti i Madhërishëm është El-Kerim (I Nderuari, Bujari), njerëzit duhet të përpiqen të ruhen nga mëkatet përpara Tij, të kenë turp përpara Tij. Allahu është El-Kerim, andaj Ai do të tregohet Bujar ndaj nesh dhe do të na falë, por nëse ne e kemi parasysh këtë cilësi të Tij, do të kemi turp përpara Tij dhe do të përpiqemi të ruhemi nga mëkatet.

Përulësia dhe thjeshtësia e Hazret Uthmanit

Në lidhje me përulësinë dhe thjeshtësinë e Hazret Uthmanit, Abdullah Rumi tregon:

Hazret Uthmani vetë rregullonte mjetet për të marrë abdes gjatë natës. Dikush i tha – Mund të keni një shërbëtor që t’jua sjellë ujë gjatë natës. Atëherë ai tha:

– Nata është që ata të pushojnë dhe jo të më shërbejnë mua.

‘Alkeme bin Vekasi tregon:

Hazret Uthmani ishte në minber duke ligjëruar dhe u dha disa porosi musilmanëve. Atëherë ‘Amri bin el-‘Asi e ndërpreu dhe i tha:

– Atëherë pendohu edhe ti, edhe ata bashkë me ty.

Hazret Uthmani menjëherë ktheu fytyrën drejt Qabes, ngriti duart dhe u lut:

اللھم انی استغفرک و اتوب الیک

– O Allah! Të kërkoj falje dhe kthehem i penduar te Ti!

Edhe të pranishmit ngritën duart dhe bënë të njëjtën lutje.

Pra, aq i përulur dhe i druajtur ndaj Allahut ishte Hazret Uthmani që nuk u mor fare duke kritikuar tjetrin dhe filloi të bënte dua për veten dhe për umetin.

Bujaria e Hazert Uthman ibën Afanit

Ka një rrëfim në lidhje me bujarinë dhe të shpenzuarit e tij në rrugën e Allahut, në të cilin Hazret Uthmani vetë pohon:

Kam dhjetë gjëra që i kam mbajtur të fshehtë për Zotin tim. Jam i katërti nga ata që të parët e pranuan Islamin. Asnjëherë në jetën time nuk jam përfshirë në dëfrime dhe asnjëherë nuk kam gënjyer. Që kur e kam pranuar Islamin duke bërë bejatin e Profetit s.a.v.s., kurrë nuk kam prekur organin tim gjenital me dorën e djathtë. Pasi e kam pranuar Islamin, nuk kam kaluar asnjë të xhuma, kur të mos e kam liruar një skllav, përveç atyre të xhumave kur unë nuk kam pasur asnjë skllav për të liruar. Dhe në ato raste, kam liruar skllavin në ndonjë ditë tjetër. Kurrë nuk kam bërë kurvëri, as para Islamit e as pasi e pranova Islamin.

Ebu Sa’idi, skllavi i liruar nga Hazret Uthmani, rrëfen:

Hazret Uthmani liroi njëzet skllevër gjatë ditëve kur rebelët e kishin rrethuar shtëpinë e tij.

Hazret Abdullah bin Mes’udi rrëfen:

Ne ishim në një betejë bashkë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Njerëzit ishin të uritur dhe unë i shikoja muslimanët të shqetësuar, kurse hipokritët të gëzuar. Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

– Për Allahun! Sot dielli nuk do të perëndojë përpara se Allahu t’ju ushqejë!

Hazret Uthmani kur e mori lajmin se kështu ishte shprehur Profeti, tha:

– Allahu dhe i Dërguari i Tij thonë të vërtetën.

Ai menjëherë bleu 14 deve me gjithë drithërat e ngarkuara mbi to dhe ia dërgoi Profetit s.a.v.s..

– Çfarë janë këto? Pyeti Profeti s.a.v.s., kur i pa devetë.

Njerëzit i thanë:

– Uthmani jua ka dërguar si dhuratë, o i Dërguari i Allahut!

Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u gëzua shumë, kurse hipokritët u telendisën. E pashë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. që kishte ngritur duart, aq sa filloi të na dukej bardhësia e sqetullave të tij, dhe u lut për Uthmanin. As më përpara dhe as më vonë nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. të lutej për dikë tjetër në këtë mënyrë, përveçse për Uthmanin. Duaja e tij ishte:

اللھم اٰت عثمان۔ اللھم افضل عثمان

O Allah! Begatoje Uthmanin! O Allah! Bekoje Uthmanin!

Hazret Aishja r.a. rrëfen:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. erdhi tek unë. Pa mish në shtëpi dhe më pyeti – Kush e dërgoi këtë?

– Uthmani, iu përgjigja. Atëherë, ai ngriti duart dhe u lut për Uthmanin.

Muhammed bin Hilali tregon që gjyshja e tij shkonte te Hazret Uthmani në ditët kur rebelët ia kishin rrethuar shtëpinë. Gjyshja e tij thotë se gjatë atyre ditëve asaj i kishte lindur djali, që u quajt Hilal. Një ditë kur Hazret Uthmani nuk e pa atë, pyeti për shëndetin e saj dhe u njoftua që ajo kishte lindur djalë. Vetë gjyshja e rrëfimtarit thotë:

Atëherë Uthmani më dërgoi përmes dikujt pesëdhjetë dirhemë, një çarçaf të madh dhe më tha:

– Ky është shpërblimi për beben dhe ky është çarçafi që t’i bësh rroba, dhe kur djali do të bëhet një vjeç, do t’i japim shpërblimin dyfish, pra njëqind dirhemë.

Ibni Se’id bin Jerbu’u tregon:

Në fëmijërinë time, një mesditë, dola nga shtëpia. Kisha një zog me vete me të cilin po lozja në xhami. Aty pashë një njeri të moshuar por shumë të bukur që po flinte. Në vend të jastëkut kishte vënë një tullë nën kokë. Iu afrova dhe e shikoja i magjepsur. Ai hapi sytë dhe më pyeti – Kush je ti? I thashë se jam filani. Ai thirri një djalë i cili gjithashtu po pushonte diku aty afër, por ai nuk iu përgjigj. Atëherë i moshuari mua më tha që ta zgjoja atë dhe ta thirrja. Unë e solla djalin. I moshuari dërgoi djalin diku me një porosi, kurse mua më tha të ulesha pranë tij. Djali u kthye dhe solli me vete një palë rrobash dhe një mijë dirhemë. I moshuari më tha t’i ndërroja rrobat dhe t’i vishja ato që kishte sjellë djali. Më pas një mijë dirhemët m’i futi nëpër rroba. Kur u ktheva në shtëpi dhe ia tregova babait gjithë ngjarjen, ai më pyeti – A e di se kush ishte ai, o biri im? – Jo, i thashë, por po flinte në xhami dhe nuk kam parë njeri më të bukur se ai.

– Ai është Prijësi i besimtarëve, Uthman ibën Affani, bir. Më tha babai.

Ibni Xheriri tregon:

Njëherë Hazret Talha takoi Hazret Uthmanin në kohën kur ai po shkonte në xhami.

– I mblodha pesëdhjetë mijë dirhemë që ju kisha borxh, i thashë, dërgomëni dikë që t’jua kthej borxhin.

– Për shkak të mirësjelljes sate, o Talha, ato t’i kam falur, iu përgjigj Hazret Uthmani.

Esm’ei thotë:

Ibni ‘Amiri caktoi Keten bin Auf Hilalin drejtues të rajonit Kirman. Ai doli me një ushtri që përbëhej nga katër mijë muslimanë. Rrugës, për shkak të përmbytjeve, një grykë ishte kthyer në lumë. Nuk kalonin dot më tej dhe Kateni, pra drejtuesi, pati frikë se nuk do të mbërrinin në kohë aty ku duheshin. Ai shpalli njoftimin:

– Kushdo që do ta kapërcejë grykën, do të fitojë çmimin e një mijë dirhemëve!

Ushtarët filluan të hidheshin. Sa herë që një ushtar e kapërcente lumin, drejtuesi jepte urdhër:

– Jepjani shpërblimin!

Përfundimisht, e gjithë ushtria e tejkaloi lumin. Të gjithëve do t’u jepeshin gjithsej katër milionë dirhemë. Por Ibni ‘Amiri refuzoi drejtuesin duke thënë se nuk do t’ia lëshonte kaq shumë fonde. Çështja shkoi te Hazret Uthmani, i cili dha urdhër:

– Jepjani fondet drejtuesit, sepse ai i ndihmoi muslimanët në rrugë të Allahut!

Kështu që, shuma që u shpërnda atë ditë për shkak të kapërcimit të grykës, u quajt xhevaiz (shumësi i fjalës xhaize).

Sëmundja e Hazret Uthmanit

Njëherë kur Hazret Uthmani qe i sëmurë, njerëzit i kërkuan të caktonte dikë Kalif pas tij. Këtë ngjarje e tregon Hishami përmes babait të tij, i cili thotë se Mervan bin Hakemi i tha:

Vitin kur u përhap sëmundja e gjakderdhjes nga hunda, ajo preku edhe Hazret Uthmanin, Kalifin e kohës. Sëmundja iu rëndua, saqë ai anuloi udhëtimin e tij për në Haxh dhe përgatiti testamentin. Atëherë një njeri nga kurejshët shkoi tek ai dhe tha:

– Caktoni dikë Kalif pas jush.

– A kështu po thonë njerëzit? E pyeti Hazret Uthmani.

– Po, i tha ai.

– Kë duan të bëjnë Kalif ata? E pyeti Hazret Uthmani, por ai nuk iu përgjigj dhe heshti.

Ndërkohë erdhi edhe një tjetër. Rrëfimtari pohon se ndoshta ishte Harithi. Tha – Caktoni dikë Kalif pas jush. – A kështu po kërkojnë njerëzit? E pyeti Hazret Uthmani. Po, i tha ai. – Kush do të jetë ai që do të jetë Kalif? E pyeti Hazret Uthmani. Por edhe ky person i dytë heshti. Por Hazret Uthmani sërish e pyeti:

– A mos e duan Zubejrin?

Po, i tha ai.

– Për Atë Zot në dorën e të cilit është jeta ime! Sipas dijenisë sime, ai pikërisht është më i miri dhe më i dashuri tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s., u shpreh Hazret Uthmani.

Hazret Uthmani, shkruesi i shpalljeve Kuranore

Hazret Uthmani gjithashtu pati mundësinë të shkruante shpalljet Kuranore. Transmetohet se me rastin e shpalljes së sures El-Muzzemmil, Hazret Uthmani pati bekimin për ta shkruar atë.

Umm Kulthum ibn Thamama tregon se e kishte pyetur Hazret Aishen në lidhje me Hazret Uthmanin. Hazret Aishja i tha:

“Unë pashë Osmanin me të Dërguarin e Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) në këtë shtëpi në një natë shumë të nxehtë, ndërsa Xhibrili po i sillte zbulesën (shpalljen). Kur i vinte shpallja, dukej sikur një barrë e rëndë po mbinte mbi të. Allahu i Madhërishëm ka thënë:

اِنَّا سَنُلۡقِیۡ عَلَیۡکَ قَوۡلًا ثَقِیۡلًا ﴿۶﴾

“Ne do të të zbresim një urdhëresë shumë të rëndë.”[1]

Hazret Osmani ishte ulur para Profetit s.a.v.s. dhe vijonte ta shkruante shpalljen. Profeti s.a.v.s. i thoshte:

– O Uthman, shkruaj!

Hazret Aishja r.a. shtoi:

Një afërsi të tillë me të Dërguarin e Allahut, Allahu i Madhërishëm i jep vetëm atij që është shumë i nderuar.

Kopjet e para të Kuranit nga Hazret Uthmani r.a.

Në kohën e Kalifatit të tij, Ebu Bekri r.a., mblodhi dorëshkrimet e Kuranit Famëlartë, të cilat ai i ka mbajtur me vete. Më pas ato i mbajti Hazret Omeri, Kalifi i Dytë i Profetit s.a.v.s.. Pas tij, ato kaluan te Hazret Hafsa, e bija e Hazret Omerit. Ka një rrëfim që si këto dorëshkrime mbërritën te Hazret Uthmani, pasi ai u bë Kalif.

Hazret Hudhejfe bin Jemani tregon se ai po luftonte kundër Shamit, duke u bashkuar me popullin e Irakut, për të fituar Armeninë dhe Azerbajxhanin. Pasi u kthye nga beteja, shkoi te Hazreti Uthmanit. Hazret Hudhejfe kishte frikë nga ndryshimet në leximin e Kuranit Famëlartë nga njerëzit e zonave të në cilat ishte para pak kohe. Ndaj, i kërkoi Hazret Osmanit:

Merrni përgjegjësinë e umetit, o Prijësi besimtarëve, para se ai të fillojë të ketë mospajtime në Librin e Allahut, njësoj si hebrenjtë dhe të krishterët!

Atëherë Hazret Uthmani i dërgoi mesazh Hazret Hafsasë që t’ia niste dorëshkrimet e Kuranit Famëlartë, në mënyrë që të mund të përgatisnin kopjet e tyre, dhe pastaj ato ai t’ia rikthente asaj.

Kështu që, Hazret Hafsa ia dërgoi dorëshkrimet e shenjta Hazret Osmanit. Pas kësaj, Hazret Uthmani urdhëroi Hazret Zejd bin Thabitin, Hazret Abdullah bin Zubejrin, Hazret Said bin ‘Aasin dhe Hazret Abdurrahman bin Harith bin Hishamin të përgatisnin kopjet e tyre.

Hazret Uthmani u tha tre sahabëve të fundit që ishin nga kurejshët:

– Kur ju dhe Zejdi nuk bini dakord për një pjesë të Kuranit, shkruajeni atë në të folmen e kurejshëve, sepse Kurani i Shenjtë u shpall në të folmen e kurejshëve.

Këta sahabë e zbatuan porosinë e Kalifit. Kur kopjet ishin gati, dorëshkrimet origjinale Hazret Uthmani ia ktheu Hazret Hafsasë, kurse kopjet e të sapopërgatitura dërgoi në vende të ndryshme dhe urdhëroi që çdo dorëshkrim tjetër përveç tyre të digjej e të asgjësohej.

Pse Hazret Uthmani zgjodhi vetëm të folmen e kurejshëve për kopjen përfundimtare të Kuranit?

Allama Ibn el-Tini thotë:

Ka një ndryshimi midis mbledhjes së shpalljeve të Kuranit nga ana e Hazret Ebu Bekrit dhe midis përpilimit të dorëshkrimeve nga ana e Hazret Uthmanit. Hazret Ebu Bakri e mblodhi Kuranin nga frika e vdekjes së hafizëve të Kuranit, sepse deri atëherë, Kurani nuk ishte mbledhur në një kopje. Për këtë arsye, Hazret Ebu Bekri i mblodhi dorëshkrimet siaps renditjes që atij ia kishte mësuar i Dërguari i Allahut s.a.v.s..

Kurse Hazret Uthmani bëri kopjet e Kuranit atëherë kur muslimanët e lexonin në të folme të ndryshme. Madje, filluan të quanin të gabuara leximet e njëri-tjetrit. Atëherë Hazret Uthmani pati frikë që mos kjo çështje do të bëhej më serioze. Andaj, ai bëri kopjet e dorëshkrimeve që Hazret Ebu Bekri i kishte mbledhur dhe duke respektuar renditjen e tyre, mori parasysh vetëm të folmen e kurjeshëve. Për këtë ai dha argumentin që Kurani i Shenjtë ishte zbritur pikërisht në të folmen e tyre. Pra, ndonëse në fillim u lejua që Kurani të lexohej në të folme të ndryshme, për shkak të lehtësisë së njerëzve, por kur ai pa që më nuk kishte nevojë për diçka të tillë, u mjaftua vetëm me leximin që i përkiste vetëm një të folmeje.

Allama Kurtubiji thotë:

Nëse shtrohet pyetja se pse Hazret Uthmani u mundua të mblidhte muslimanët në një kopje të vetme të Kuranit që ai kishte përgatitur, kurse përpara tij, një gjë të tillë e kishte bërë Hazret Ebu Bekri r.a., përgjigjja e saj është se Hazret Uthmani nuk u dha njerëzve një kopje të re të Kuranit. Argumenti i këtij fakti është që ai ia kërkoi Hazret Hafsasë dorëshkrimet e Kuranit që atyre t’u bënte disa kopje e më pas origjinalet t’ia kthente prapë asaj. Hazret Uthmani i përgatiti kopjet vetëm për arsye se njerëzit kishin filluar të kundërshtonin njëri-tjetrin në lidhje me lexime të ndryshme të Kuranit. Sahabët ishin të shpërndarë nëpër qytete të ndryshme dhe ndryshimet në lexime sa vinin shtoheshin. Muslimanët e Irakut dhe ata të Shamit e lexonin Kuranin ndryshe nga njëri-tjetri, siç e ka përshkruar Hazret Hudhejfe.

Kurani i Shenjtë është libri më autentik dha i pandryshuar

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a., duke komentuar ajetin e mëposhtëm të sures El-A’la:

سَنُقۡرِئُکَ فَلَا تَنۡسٰۤی ۙ﴿۷﴾

“Ne do të të mësojmë ty (Kuranin), atëherë nuk do ta harrosh”,[2] thotë:

Kuptimi i këtij ajeti është: Ne do të ta mësojmë Kuranin që ti nuk do ta harrosh deri në ditën e kiametit, madje, ky libër do të mbetet i sigurt në të njëjtën formë siç ekziston sot.

Prova e kësaj deklarate është që sot edhe armiqtë më të përbetuar të Islamit e pranojnë haptas që Kurani i Shenjtë vijon të jetë në të njëjtën formë, siç Profeti Muhammed s.a.v.s. e kishte paraqitur përpara botës. Noldeke, Springer dhe William Muir etj., që të gjithë pranuan në veprat e tyre që përveç Kuranit të Shenjtë, për asnjë libër tjetër nuk mund të pohojnë me bindje të plotë se ekziston në të njëjtën formë siç e kishte sjellë atë Profeti i fesë së tij. Pra, vetëm Kurani i Shenjtë është ai libër, për të cilin me bindje të plotë mund të pohosh se ashtu siç Profeti Muhammed s.a.v.s. ua dha atë sahabëve të tij, ai ekziston në të njëjtën formë edhe sot e kësaj dite.

Këta studiues ngaqë nuk besonin se Kurani i Shenjtë është fjala e Zotit të Madhërishëm, përkundrazi, thoshin se Muhammedi s.a.v.s. vetë e shpiku atë, andaj, nuk mund të presësh që ata të thoshin se Kurani i Shenjtë edhe sot është në të njëjtën formë siç e kishte zbritur atë Zoti i Madhërishëm, por u detyruan të pohonin të paktën kaq që ashtu siç Profeti Muhammed s.a.v.s. ia paraqiti botës, ky libër edhe sot ekziston në të njëjtën formë. Kështu që, William Muir në librin e tij “The Qur’an” shkruan:

“Argumentet e parashtruara na bëjnë të besojmë me bindje se Kurani që ne e lexojmë sot, fjalë për fjalë është identik me atë që Muhammedi (s.a.v.s.) ua lexoi njerëzve.”

Mandej, në librin e tij “Life of Mohamed” Sir William Muir shkruan:

“Kurani që është në dorën tonë sot, pavarësisht se është plotësisht e mundur që këtë libër e ka sajuar vetë Muhammedi (s.a.v.s.) gjatë kohës së tij, dhe nganjëherë mund të ketë bërë edhe ndryshime në të, nuk ka aspak dyshim që është i njëjti që solli Muhammedi (s.a.v.s.).”

Po kështu, ai shkruan:

“Bazuar në prova të forta, mund të pohojmë që çdo varg i Kuranit është autentik dhe është fjalë e pandryshuar e Muhammedit (s.a.v.s.).”

Studiuesi gjerman Noldeke pohon:

“Mundet që të ketë gabime të vogla gjuhësore, por Kurani që e përhapi Uthmani nëpër botë, është identik ai që kishte sjellë Muhammedi (s.a.v.s.), ndonëse renditja e tij është e çuditshme.”

Studiuesit perëndimorë bënë përpjekjet maksimale për të provuar ndryshime në Kuran, por vetëm dështuan. Përfundimisht, njëzëri pohuan se mbrojtja e fjalës së Kuranit është e vërtetë deri në shkallën që çdo fjalë dhe çdo shkronjë e tij, është ajo që Profeti Muhammed s.a.v.s. ua lexoi njerëzve në kohën e vet.

Hazret Kalifi i Parë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

Njerëzit titullojnë Hazret Uthmanin si ‘Mbledhës i Kuranit’, por gabojnë. Ata i ngjitën këtë nofkë vetëm për shkak të rimës (Uthmani, xhamiul-Kurani). Po, mund ta titulloni atë deri diku si ‘Botues i Kuranit’. Në Hilafetin e tij Islami ishte përhapur anekënd, ndaj, ai bëri disa kopje të Kuranit dhe i shpërndau ato në Mekë, Medinë, Sham, Basra, Kufa dhe në shtete të tjera. Për sa i përket mbledhjes së Kuranit, këtë e bëri vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. me pëlqimin e Allahut të Madhërishëm. Dhe neve na erdhi Kurani me të njëjtën renditje të pëlqyer nga Allahu. Po, tani e kemi për detyrë ne që ta studiojmë dhe ta mbledhim në zemrat tona.

Hazret Kalifi i Dytë i Imam Mehdiut r.a. shkruan:

Deri më parë mekasit jetonin në Mekë, medinasit në Medinë, nexhditë në Nexhd, taifitë në Taif, jemenitë në Jemen, dhe këta nuk ishin kaq të njohur me të folmet dhe idiomat e njëri-tjetrit.

Më pas, Medina u bë kryeqytet dhe, deri në kohën e Hazret Uthmanit, të gjithë këta popuj u bashkuan. Atëherë medinasit ishin kryeqytetas, dhe si të tillë, drejtues të muslimanëve. Ndër ta një numër i madh ishin muhaxhirët e Mekës, dhe shumë të tjerë banorët autoktonë të Medinës. Medinasit tanimë kishin mësuar dialektin e Hixhazit.

Nga ky qytet krijoheshin ligjet dhe lëshoheshin urdhrat për zbatimin e tyre. Këta e kishin edhe kontrollin financiar të shteteve, sepse ishin drejtues të muslimanëve të mbarë botës. Bota i shikonte ata për njoftime të reja. Njerëzit nga Taifi, nga Nexhdi, nga Meka, nga Jemeni dhe nga shumë vende të tjera vazhdimisht e vizitonin Medinën, takonin muhaxhirët dhe ensarët, mësonin fenë prej tyre, dhe kështu gjuha akademike e të gjithë këtyre u njësua.

Përveç tyre, kishin edhe nga ata që kishin ardhur nga këto zona dhe që ishin vendosur përfundimisht në Medinë, rrjedhimisht, kishin filluar të flisnin thuajse tërësisht dialektin e Hixhazit. Këta kur ktheheshin në vendlindjet e tyre, ngaqë shkonin si dijetarë ose mësues, patjetër lëshonin ndikimin e tyre gjuhësor.

Po kështu, për shkak të luftërave, fise të ndryshme arabe shpesh detyroheshin të jetonin bashkë. Oficerët shpesh ishin nga sahabët kryesorë dhe njerëzit duhet të kenë pasur një dëshirë të natyrshme për t’i imituar sahabët, qoftë në gjuhë, qoftë në sjellje. E gjithë kjo tregon që pavarësisht se në fillim njerëzit mund të kenë pasur vështirësi për të kuptuar të folmen e Kuranit të Shenjtë, por pasi Medina ishte bërë kryeqendra e Islamit, dhe fise dhe popuj të ndryshëm vazhdimisht e vizitonin atë, nuk kishte më mundësi që të haseshin vështirësi të tilla. Sepse deri atëherë, të gjithë njerëzit e dijes ishin mësuar tashmë me të folmen e Kuranit.

Vetëm atëherë kur njerëzit e mësuan mjaft mirë gjuhën e Kuranit, Hazret Uthmani r.a. urdhëroi që tani e tutje Kurani të lexohej në asnjë të folme tjetër, përveçse në dialektin e Hixhazit, i cili tashmë kishte marrë pozitën e gjuhës standarde. Ai e dinte se tanimë muslimanët mbarë e kishin mësuar dialektin e Hixhazit, ndaj, nuk kishte më nevojë që në vend të fjalëve të këtij dialekti, në Kuran të shqiptoheshin fjalët e dialekteve ose të folmeve të tjera.

Akuza e shiitëve ndaj Osman ibën Afanit në lidhje me kopjen e Kuranit

Për shkak të këtij urdhri të Hazret Osmanit që u përmend më lart, shiitët janë kundër sunitëve. Sipas tyre, Kurani aktual është kopje e ndryshuar e Uthmanit, kurse kjo është tërësisht e pavërtetë.

Deri në kohën e Hazret Uthmanit kishte kaluar një kohë e mjaftueshme kur arabët e zonave të ndryshme kishin krijuar lidhje me njëri-tjetrin. Ata tashmë ishin në dijeni për ndryshimet e dialekteve të tyre. Andaj, nga kjo kohë nuk kishte më nevoja që ata ta lexonin Kuranin në dialektet e tyre. Lejimi për të lexuar Kuranin në dialekte të ndryshme ishte për arsye se në fillim njerëzit nuk kishin krijuar kontakt kaq të afërt me njëri-tjetrin dhe ata nuk ishin mësuar me dialekte të njëri-tjetrit. Njerëzit e një zone të caktuar, me një ndryshim të vogël në fjali, e kuptonte ndryshe mesazhin.

Për këtë arsye, në fillim, lejohej që në vend të fjalëve të shpallura, disa fjalë të lexoheshin sipas dialekteve përkatëse. Dhe kjo ndodhi në mënyrë që njerëzit ta kuptonin siç duhej mesazhin e porosive që gjenden në Kuranin e Shenjtë dhe, pa ndonjë pengesë, të njiheshin me mësimet e tij.

Kur kaluan njëzet vjet duke përfituar nga ky lejim, bota kishte ndryshuar, fiset ishin asimiluar, dhe arabët që deri më parë jetonin të veçuar, dolën në horizont si një popull i vetëm dhe i fuqishëm, madje një komb shtetformues që kishte një kushtetutë të tij, me një sistem të konsoliduar të arsimit, të gjykatave, të lejimeve dhe të ndalimeve. Në këtë kohë, ata nuk kishin më vështirësi për të kuptuar dialektin e Kuranit. Vetëm kur u përftuan këto rrethana, Hazret Uthmani r.a. e shfuqizoi lejimin e përkohshëm të leximit të Kuranit në dialekte të ndryshme. Dhe ky pikërisht ishte edhe Vullneti i Allahut të Madhërishëm.

E megjithatë, nëse shiitët kanë ndonjë akuzë më të rëndë ndaj Hazret Uthmanit, ajo është pikërisht kjo që, ai i shfuqizoi leximet e tjera të Kuranit duke lënë një lexim të vetëm të tij.

Shiitët po të kishin reflektuar, do të kuptonin shumë lehtë që Zoti i Madhërishëm lejoi leximin e Kuranit në dialekte të ndryshme në periudhën e dytë të Islamit [pas mërgimit të Profetit a.s.] dhe jo në periudhën e parë të tij.

Kjo tregon shumë qartë që Kurani që ishte zbritur në dialektin e Hixhazit, por pasi fise të ndryshme filluan të pranon Islamin, u lejua që të lexohej edhe në dialekte të tjera. Dialektet ndryshonin nga fisi në fis. Ndryshimi ishte edhe në shqiptimin e fjalëve të caktuara, por nganjëherë edhe në kuptimin e tyre. Andaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., me lejen e Allahut, lejoi leximin e Kuranit në disa dialekte. Por ky ndryshim nuk ndikonte aspak në kuptimet e Kuranit, përkundrazi, në rast mos lejimi, kishte rrezik për keqkuptime.

Mund të sjellim disa ngjarje si provë të këtij fakti. Për shembull, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i mësoi Abdullah bin Mes’udit një sure të caktuar të Kuranit dhe të njëjtën sure i mësoi edhe Hazret Omerit, por në një formë tjetër. Hazret Omeri ishte vinte nga qyteti, kurse Hazret Abdullah bin Mes’udi ishte çoban dhe si i tillë më shumë kontakt kishte me beduinët. Andaj, të folmet e të dyve kishte shumë ndryshime me njëra-tjetrën.

Një ditë, Abdullah bin Mes’udi po e recitonte të njëjtën sure të Kuranit, ndërkohë, pranë tij kaloi Hazret Omeri. Prej tij ai dëgjoi këtë sure në një formë tjetër. I befasuar e pyeti:

– Pse e lexon këtë sure në këtë mënyrë, kur ajo në të vërtetë nuk është kështu?

Hazret Omeri i hodhi Abdullah bin Mes’udit një rrobë në qafë dhe tha – Duhet të vish me mua tek i Dërguari i Allahut, që t’ia tregoj edhe atij gjendjen tënde.

Të dy mbërritën te Profeti s.a.v.s.. Hazret Omeri tha:

– O i Dërguari i Allahut! Më ke mësuar ndryshe këtë sure, por Abdullah bin Mes’udi po e lexonte ndryshe.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha Abdullahut ta lexonte suren siç e dinte ai. Ai po dridhej nga frika në mos kishte bërë ndonjë gabim të rëndë. – Mos ki frikë, ma lexo suren, i tha Profeti s.a.v.s., duke e qetësuar. Ai ia lexoi.

– Saktë e ka lexuar, tha i Dërguari i Allahut s.a.v.s..

– Por, o i Dërguari i Allahut, ju ma keni mësuar kështu këtë sure, pohoi Hazret Omeri duke e lexuar suren edhe ai.

– Edhe kjo është e saktë, i tha Profeti s.a.v.s.. Dhe tha:

– Kurani i Shenjtë është zbritur në shtatë lexime të ndryshme, andaj, ju mos u grindni për këto gjëra të vogla.

Pra, kjo tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e dinte që Abdullah bin Mes’udi ishte një çoban dhe që kishte një të folme tjetër, dhe edhe Kuranin atij ia mësoi në të folmen e tij, dhe për Hazret Omerin gjithashtu, ai e dinte që vinte nga qyteti, andaj atij ia mësoi në dialektin e pastër të Mekës. Kështu që, ai e lejoi Hazret Abdullah bin Mes’udin të lexonte Kuranin në të folmen e tij, kurse Hazret Omerin në dialektin e pastër të qytetit të Mekës. Të tilla ishin këto ndryshme, që janë shumë të vogla, të cilat kishin lindur për shkak të të folmeve të ndryshme, por që nuk krijonin ndonjë ndryshim në thelbin e temës. Atëherë, çdokush e dinte se këto ndryshime ishin për shkak të nivelit gjuhësor dhe të ndryshimit të të folmeve.

Por kur muslimanët krijuan një civilizim të tyre, këto fise të ndryshme u shndërruan në një komb të vetëm, me një gjuhë standarde, e cila ishte pikërisht e folmja ose dialekti i Hixhazit. Atëherë Hazret Uthmani arsyetoi me të drejtë që nuk kishte më nevoja që Kurani të kishte disa lexime, pasi në të ardhmen, për popujt e tjerë kjo do të sillte kundërshti të tjera. Andaj, shfuqizoi leximin e Kuranit në dialekte të tjera, pavarësisht se edhe ato u ruajtën në disa libra. Përfundimisht, pasi zgjodhi dialektin e Hixhazit, në të cilin ishte zbritur Kurani i Shenjtë, ai i bëri kopje të ndryshme dhe ato i përhapi midis arabëve dhe joarabëve, duke i bashkuar në këtë mënyrë të gjithë muslimanët në një lexim të vetëm të Kuranit.

Ka mbetur edhe një pjesë të vogël të Hazret Uthmanit për të përmendur. inshaAllah do t’ju sjell të xhumanë tjetër.

LEXONI:


[1] Kurani i Shenjtë 73:6.
[2] Kurani i Shenjtë 87:7.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp