Përshkrimi i luftës së Bedrit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Përshkrimi i luftës së Bedrit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Lufta e Bedrit

Në hutben e fundit, duke iu referuar frikës së muslimanëve ndaj jobesimtarëve të Mekës, kisha folur për një mosmarrëveshje që u shfaq midis Ebu Xhehlit dhe Utbes në lidhje me pjesëmarrjen në luftën e Bedrit. Pastaj për shkak të talljes së Ebu Xhehlit, Utba gjithashtu shpalli nisjen e luftës, dhe kështu nisi lufta. Në përshkrimin e luftës, është shkruar se Utba ibn Rabi’a, bashkë me vëllain e tij Shejba ibn Rabi’a dhe djalin e tij Velid ibn Utba, dolën përpara nga radhët e mekasve dhe kërkuan dyluftim.

Dyluftim midis muslimanëve dhe mosbesimtarëve

Hazret Aliu r.a. ka përcjellë se Utba ibn Rabi’a, i ndjekur nga djali dhe vëllai i tij dolën përpara dhe lëshuan thirrje: “Kush del përpara për dyluftim?” Disa djem nga ensarët iu përgjigjën thirrjes dhe dolën përpara për ndeshje, por Utba pyeti: “Kush jeni ju?” Kur ata treguan për veten, Utba u tha: “Ne nuk kemi asnjë punë me ju. Ne kemi ardhur këtu për të luftuar me kushërinjtë tanë, dhe do të ndeshemi me njerëzit tanë nga fisi Kurejsh i Mekës, e jo me popullin medinas”. Pastaj, ai thirri me zë të lartë: “O Muhammed! Dërgo njerëz prej fisit tonë, që janë të barabartë me ne për këtë ballafaqim”. Atëherë i Dërguari Allahut s.a.v.s. dha urdhër: “O Hamza! Çohu. O Ali! Çohu. O Ubejda ibn Harith! Çohu”.  Hazret Hamzai ishte xhaxhai i Profetit s.a.v.s., ndërsa të dy Aliu dhe Ubejda ishin kushërinjtë e tij. Hamzai vrapoi drejt Utbasë dhe unë (d.m.th. Aliu) drejt Shebës. Midis Ubejdes dhe Velidit u zhvilluan dy përleshje të ashpra, dhe secili prej tyre plagosi tjetrin”. Meqë, Hazret Hamzai dhe Hazret Aliu kishin vrarë kundërshtarët e tyre, prandaj ata iu vërsulën Velidit dhe e vranë atë, ndërsa Ubejden, i cili kishte mbetur i plagosur, e sollën prapë në kampin e tyre.

Kur Hazret Hamzai dhe Hazret Aliu e sollën Hazret Ubejde bin Harithin sërish në kampin e tyre, atij i ishte vrarë këmba. Kur erdhën te Profeti s.a.v.s., Ubejda i tha: “O i Dërguar i Allahut! A nuk jam unë martir?” Profeti i tha: “Sigurisht, ti je një martir.” Megjithatë, Hazret Ubejda, i cili qe gjithashtu kushëriri i Profetit s.a.v.s., nuk mundi t’i mbijetonte plagët e marra dhe ndërroi jetë gjatë rrugës në kthim nga Bedri për në Medinë.

Sipas një transmetimi, kur Hazret Ubejde bin Harithit i ishte vrarë këmba nga goditja e shpatës, shokët e tij e morën me vete dhe e sollën në kamp. Kur erdhën te Profeti s.a.v.s., ata e lanë të shtrirë pranë tij. Profeti s.a.v.s. vendosi këmbën e Ubejdes mbi këmbën e tij. Ubejda sodiste Profetin s.a.v.s. me dashuri dhe i tha: “Sikur të jetonte Ebu Talibi sot, ai me siguri do të kishte parë se unë me të drejtë e meritoj fjalët e tij”. Pastaj recitoi disa vargje të Ebu Talibit, që përkthehen kështu: “Pasha shtëpinë e Allahut! Ju keni gënjyer duke thënë se Muhammedi s.a.v.s. do të mbetet vetëm. Ne nuk kemi qëlluar akoma as shtiza, e as nuk kemi ngrehur harqet për ta mbrojtur atë. Keni bërë shpifje se ne do ta dorëzojmë atë te ju. Ne nuk do të lejojmë kurrë të ndodhë një gjë të tillë, derisa trupat tanë të biejnë rreth tij apo jemi bërë të pavetëdijshëm për bijtë dhe bijat tona”. Profeti s.a.v.s. i tha: “O Ubejde! Unë dëshmoj se je një martir.”

Lutja e Ebu Xhehlit

Me këtë rast, Ebu Xhehli kishte bërë një lutje, përmendet se kur dy ushtritë u ndeshën, dhe shpërtheu një luftë e ashpër, Ebu Xhehli u lut: “O Zot! Shkatërroje atë prej nesh, i cili prish lidhjet farefisnore dhe shpik fjalët që nuk i kemi dëgjuar kurrë më parë”. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkruan për këtë:

“Në kohën e betejës së Bedrit, një njeri i quajtur Amr ibn Hishami, i cili më vonë u njoh me nofkën Ebu Xhehl, i cili ishte udhëheqësi dhe kryekomandanti i mosbesimtarëve kurejshë, bëri këtë lutje:

اللَّهُمَّ مَن كان مِنَّا أَفسدُ فى القَوم و أقطعُ لِلرَّحمِ، فأحْنِه اليَوم”

O Allah! Merrja jetën atij prej nesh, i cili është njeriu më sherrxhi ndër njerëzit, që mbjell ndasi e prish lidhjet farefisnore”. Me fjalët “prej nesh” ai nënkuptonte veten e tij dhe të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Me këto fjalë, Ebu Xhehli kishte ndërmend të tregonte se meazAllah Profeti i Shenjtë s.a.v.s. qe njeriu përçarës, i cili po shkaktonte padrejtësisht ndarje e mosmarrëveshje në fenë e kurejshëve. Sipas tij, ai kishte shkelur të gjitha të drejtat fisnore dhe tashmë po mbillte ndarje e përçarje midis tyre. Nga kjo lutje e Ebu Xhehlit, na duket sikur ai besonte se jeta e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. nuk ishte e pastër, prandaj ai ishte lutur me kaq ngashërim e përmallim. Megjithatë, mezi kishte kaluar ndoshta vetëm një orë nga kjo lutje, e zuri vdekja. Zemërimi i Zotit bëri që koka e Ebu Xhehlit u pre mu në atë vend, ku ai kishte bërë këtë lutje, ndërsa ai, jetën e të cilit Ebu Xhehli tentonte të njolloste, u kthye si triumfues i pathyeshëm nga fusha e betejës.

Përshkrimi i luftës

Në përshkrimin e luftës, është përmendur se të dyja palët po ndesheshin ashpër me njëra-tjetrën dhe po bëhej gjakderdhje e madhe. Ushtria që qëndronte para muslimanëve, ishte tri herë më e madhe në numër. Ata ishin pajisur me lloj-lloj armësh, dhe kishin zbritur në fushëbetejë me të vetmin qëllim për të shfarosur emrin e Islamit, ndërsa muslimanët të cilët gjendeshin në tokën e huaj, ishin më pak në sasi dhe më të dobët në pajisje e armë. Atë të gjorë, ishin pre të dobët para armikut, i cili mund t’i masakronte brenda disa minutave, por dashuria ndaj njëshmërisë së Zotit dhe të Dërguarit të Tij i kishte bërë aq besnikë saqë nuk mund të përulej as nga forca më e madhe e botës. Besimi i gjallë, u kishte ngjallur fuqi të jashtëzakonshme. Ata dhanë sakrifica të pashembullta për hir të fesë. Secili prej tyre mundohej të kalonte tjetrin në këto sakrifica dhe çdonjëri prej tyre përpiqej të jepte jetë në rrugën e Zotit. Hamzai, Aliu dhe Zubejri kishin prerë radhët e armikut.

Dëshmori i parë musliman

Muslimani i parë, i cili ra dëshmor ishte Hazret Mehxhai, skllavi i liruar i Hazret Omer bin Hatabit. Atë e kishte goditur shigjeta e armiqve. Ai ishte personi i parë musliman që arriti martirizimin. Pas kësaj, Hazret Harithe bin Suraka, një anëtar i fisit Beni Adi bin Nexhar, arriti martirizimin. Ai po pinte ujë, kur një shigjetë e armikut, ia shpoi qafën.

Hazret Enesi r.a. ka përcjellë se Haritha ibn Suraka r.a. ishte martirizuar në luftën e Bedrit, kur ai ishte në lule të rinisë. Nëna e tij Rabia bint Nezer, e cila ishte gjithashtu halla e Hazret Enesit, erdhi te Profeti s.a.v.s. dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Ju e dini pozitën e Harithes për mua, andaj nëse është në xhenet, unë do të mundohem të duroj dhe do të shpresoj të shpërblehem tek Allahu. Por, nëse ndodh të kundërtën, do të mësoni vetë se çfarë kam bërë”. Profeti s.a.v.s. tha: “Më vjen keq. A ke luajtur nga mendtë? A qenka vetëm një xhenet? A nuk di se ka shumë xhenete dhe djali yt është në Xhenetul el-Firdous” (d.m.th. në xhenetin më të lartë).

Në lidhje me gjendjen emocionale të sahabëve dhe për dëshirën e tyre të zellshme në këtë luftë, është përmendur se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Ai që lufton me qëndrueshmëri të madhe në këtë ditë, beson në shpërblimin tek Allahu, dhe nuk ia mbath nga frika duke treguar shpinën, Allahu do ta shpërblejë atë me xhenet.”

Zubejr ibn Hamami i cili vinte nga fisi Beni Selema gjithashtu dëgjoi këto fjalë të Profetit. Në atë moment, ai kishte disa hurma në dorë, të cilat po i hante. Kur dëgjoi fjalët e Profetit, ai tha: “Vërtet! Unë jam vetëm kaq larg xhenetit, derisa të vdes duke luftuar me armikun”. Ai u hodh menjëherë në luftë dhe vringëlloi shpatën kundër armikut derisa ra dëshmor.

Hazret Auf ibn Haritha, i biri i Afrasë, e pyeti Profetin e Shenjtë s.a.v.s. se çfarë e bën Allahun të kënaqur prej robit të Tij. Profeti s.a.v.s. i tha: “Kur robi ndeshet me armikun dhe lufton pa mburojë dhe e vret kundërshtarin”. Mbi këtë, ai menjëherë e hoqi shqytin dhe e hodhi tutje, pastaj vrau shumë kundërshtarë në luftë, dhe në fund ra edhe vetë martir.

Vrasja e Ebu Xhehlit

Sipas rrëfimit për vrasjen e Ebu Xhehlit, të përmendur në Buhari, Hazret Abdurrahman ibn Aufi ka përcjellë si në vijim: “Ditën e betejës së Bedrit, unë qëndroja në rreshtin ushtarak. Kur hodha një vështrim djathtas e majtas, pashë se isha i rrethuar nga dy djelmosha me një moshë të vogël. Në praninë e tyre, unë nuk ndieja aspak i sigurt. Kujtova se ata nuk janë aspak në gjendje të më mbrojnë mua. Teksa isha zhytur në këto mendime, njëri prej tyre, më pëshpëriti në vesh, sikur nuk donte t’i tregonte kolegut të tij dhe tha: “O Xhaxhi! Më trego, kush është Ebu Xhehli?” Unë i thashë, “O nipi im! Ç’të duhet ty me Ebu Xhehlin?” Ai u përgjigj: “I kam dhënë zotim Allahut se po e pashë, ose do ta vras ose do të vritem në këtë përpjekje.” Pastaj djaloshi tjetër, më bëri fshehurazi të njëjtën pyetje sikur nuk donte të zbulohej nga shoku i tij. Hazret Abdurrahmani thotë se në atë çast kam ndjerë kaq shumë gëzim e krenari, saqë nuk do të kisha përjetuar, edhe nëse do të gjendesha mes dy burrave. Pavarësisht dëshirave të tyre të zellshme, Hazret Abdurrahmani kishte frikë dhe ai prapë donte të rrethohej nga dy burra të fortë Pastaj, u kam treguar me dorë se kush ishte Ebu Xhehli. Sa e dëgjuan këtë, ata e mësyjnë Ebu Xhehlin, sikur një shqiponjë i vërsulet presë së saj. Ata iu vërsulën me vrap dhe e vranë në vend.” Këta dy djelmosha ishin Mua’dh e Mu’avaz dhe ishin bijtë e Afrasë.

Hazret Muadhi r.a. thotë: “Dëgjova njerëz që flisnin se askush nuk do të ishte në gjendje t’i afrohej Ebul-Hakamit, kështu që vendosa ta sulmoj dhe momentin e parë, që iu afrova, iu versula menjëherë. Unë ia preva këmbën dhe ia godita kërcirin me shpatë. Por, djali i tij Ikrama më goditi në sup dhe më preu krahun, i cili mbeti i varur vetëm nga lëkura. Unë vazhdova të luftoj në këtë gjendje, por kur dhimbja u bë e padurueshme, unë vura këmbën mbi të dhe e ndava nga trupi.”

Në fund të luftës, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. qëndroi mes të vrarëve, dhe filloi të kërkonte Ebu Xhehlin. Kur nuk e gjeti mes kufomave, ai bëri një lutje dhe tha: “اللهم لا تؤجزنى فرعون هذه الأمة O Allah! Mos më bëj të dobët kundër Faraonit të këtij ummeti. O Allah! Mos e lër t’i shpëtojë dënimit”. Pastaj njerëzit filluan ta kërkonin dhe Hazret Abdullah bin Masudi r.a. e gjeti atë. Është përcjellë se Profeti s.a.v.s. gjithashtu ishte lutur: “O Allah! Mos e lejo, t’i shmanget rrethimit Tënd.” Kur Profeti i Shenjtë s.a.v.s. dha urdhër për të gjetur trupin e Ebu Xhehlit, Hazret Abdullah bin Mas’ud iu afrua atij mes të vdekurve. Profeti i Shenjtë s.a.v.s. kishte thënë gjithashtu: “Nëse nuk e dalloni dot, shquajeni nga të tjerët, nga një plagë në gju. Një herë e kam ndeshur Ebu Xhehlin, në një gosti te Abdullah bin Xhed’ani, dhe unë e kisha shtyrë fort, dhe ai u rrëzua gjunjazi dhe vrau keq gjurin e tij. Shenjat e kësaj plage janë ende të dukshme”. Hazret Ibn Mas’udi thotë: “Unë e dallova, pikërisht nga kjo plagë, ndërsa i kishte mbetur ende shenja jete. Unë ia vura këmbën në qafë, sepse ai më kishte torturuar shumë në Mekë. I thashë: O armik i Zotit! A e pe se si të ka poshtëruar Zoti. Ai tha: “Çfarë poshtërimi? S’keni bërë asgjë më shumë se e keni vrarë një person. A keni vrarë ndonjëherë dikë më të nderuar dhe më fisnik se unë? Pastaj, ai më pyeti se cila palë kishte fituar luftën.

Hazret Abdullah bin Mas’ud ka thënë gjithashtu: “Kur vura këmbën mbi qafën e tij, Ebu Xhehli më tha: “O çoban i poshtër! Ke guxuar të shkelësh diçka, që nuk kishe të drejtë”. Hazret Abdullahu tha: “Pastaj, ia preva kokën dhe e solla para Profetit s.a.v.s. dhe e vura në këmbët e tij. Pastaj, i thashë: “O i Dërguar i Allahut! Kjo është koka e Ebu Xhehlit, armiku i Allahut.” Profeti s.a.v.s. falënderoi Zotin dhe tha: ألله الذى لا إله غيره Është vetëm Allahu dhe nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij.

Këtë rrëfim e ka përcjellë Ibn Hishami.

Sipas një rrëfimi, kur Hazret Abdullah ibn Mas’udi kishte vrarë Ebu Xhehlin, ai shkoi te Profeti s.a.v.s. dhe i rrëfeu për vrasjen tij. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e shoqëroi atë deri në atë vend dhe tha: ‘Pasha Allahun! Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij’. Hazret Abdullah ibn Mes’udi r.a. gjithashtu përsëriti këto fjalë. Profeti s.a.v.s. qëndroi pranë trupit të Ebu Xhehlit për disa çaste e tha: ‘O armik i Allahut! Çdo lavdërim i takon vetëm Allahut i Cili të ka poshtëruar’.

Hazret Katada ka përcjellë se Profeti i Shenjtë s.a.v.s. ka thënë: ‘Çdo umet (popull) ka një faraon, ndërsa Faraoni i këtij ummeti është Ebu Xhehli. Zoti e ndëshkoi atë dhe djemtë e Afrasë dhe engjëjt e vranë atë ndërsa Abdullah bin Mes’udi e çoi në fund’.

Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

“Ndonëse në disa rrëfime, Ebu Xhehli është quajtur faraon, për mendimin tim ai është më i madh se Faraoni. Sepse, kur i erdhi fundi, Faraoni tha:

آمَنتُ أَنَّهُ لَا إِلَٰهَ إِلَّا الَّذِي آمَنَتْ بِهِ بَنُو إِسْرَائِيلَ وَأَنَا مِنَ الْمُسْلِمِينَ

“Besova se nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Atij që besuan bijtë e Izraelit dhe (edhe) unë bëhem ndër të nënshtruarit”. (Kurani 10:91) Ndërsa, Ebu Xhehli nuk besoi deri në fund, edhe pse ishte shkaktari i gjithë trazirës që bëhej në Makë dhe ishte arrogant, egoist, që synonte vetëm pozitë dhe nderim”.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

“Ashtu si Musai a.s., edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i çliroi njerëzit e drejtë nga populli i tij nga tiranët dhe vrasësit, dhe ashtu si Musai a.s., ai i tërhoqi nga Meka në Medinë dhe vrau Ebu Xhehlin, Faraonin e këtij ummeti, në fushëbetejën e Bedrit”.

Hazret Kalifi i dytë r.a. shkruan:

“Kur mosbesimtarët e Mekës erdhën në rastin e Bedrit, ata menduan se ata i kanë vrarë muslimanët dhe Ebu Xhehli deklaroi për një festë të madhe, ku do të rrëkëllejnë gotat e rakisë. Ata kishin menduar se nuk do të tërheqin derisa i kanë kërdisur muslimanët, por i njëjti Ebu Xhehli u vra nga dy djem të Medinës. Jobesimtarët e Mekës i përbuznin medinasit, dhe i quanin arainë. Ata mendonin se populli që merret me bujqësinë dhe kultivon perime, ku merr vesh nga lufta. Megjithatë, këta djem e vranë Ebu Xhehlin, i cili vdiq me një pikëllim dhe trishtim të madh, sepse nuk iu plotësua as dëshira e fundit.

Ishte zakoni i arabëve, që nëse do të vritej ndonëj prijës në betejë, ata ia prisnin kokën, duke i lënë qafë të gjatë që të dallohej se ishte një udhëheqës. Kur Hazret Abdullah ibn Masudi e gjeti atë, ai ishte në grahmat e fundit. Ai e pyeti: “Si është gjendja jote?” Ai tha: “Nuk kam asnjë keqardhje, veçse më vranë dy fëmijë të Medinës.” Kur Abdullahu e pyeti nëse kishe ndonjë dëshirë, ai tha se donte që t’i presin qafën më gjatë. Ai i tha: “Nuk do të lejoj kurrë që të plotësohet kjo dëshirë e jotja”. Pastaj, ai ia preu qafën afër mjekrës. Ebu Xhehli donte të dëfrente, por festa e tij u shndërrua në mort, dhe nuk u tret as rakia që kishte pirë”.

Hedhja e një grusht rëre në drejtim të mosbesimtarëve

Në lidhje me hedhjen e guralecëve nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në drejtim të idhujtarëve, është përcjellë një transmetim në Sahih El-Buhari. Aty thuhet: Kur Profeti i Shenjtë s.a.v.s. po lutej në tendën e tij, Hazret Ebu Bekri ia shtrëngoi dorën dhe tha: “O i Dërguar i Allahut! Mjafton, ju keni treguar shumë këmbëngulje në lutje”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte veshur parzmoren. Ai doli nga çadra dhe recitoi:

سَيُهْزَمُ الْجَمْعُ وَيُوَلُّونَ الدُّبُرَ ‎⭘‏ بَلِ السَّاعَةُ مَوْعِدُهُمْ وَالسَّاعَةُ أَدْهَىٰ وَأَمَرُّ⭘

Sigurisht, shumica do të shpartallohet dhe do të arratiset! Madje, atyre u është premtuar Ora (e ndryshimit), dhe Ora do të jetë shumë e rëndë dhe shumë e hidhur. (Kurani 54:46-47)

Hazret Mirza Beshir Ahmad Sahibi në librin e tij “Siret Khatemun Nebijjin” shkruan:

Si muhaxhirët edhe ensarët, pra të gjithë muslimanët luftuan dhëmb për dhëmb me armikun me ashpërsi e trimëri të pashembullt. Megjithatë, numri i madh i armikut dhe epërsia e tyre në pajisjet ushtarake nuk lejonin të ndodhte diçka dhe për një kohë të gjatë rezultati mbeti pezull dhe nuk dihej nga anohej peshorja. Profeti i Shenjtë s.a.v.s. po bënte vazhdimisht lutje dhe qante me ngashëri. Dhimbja dhe ankthi i shtoheshin në çdo çast, por pas një kohe të gjatë, ai u ngrit nga sexhdeja dhe doli nga tenda duke u dhënë muslimanëve sihariqin hyjnor سَيُهْزَمُ الْجَمْعُ وَيُوَلُّونَ الدُّبُرَ se me siguri, shumica do të shpartallohet dhe do të arratiset.

Në komentimin e ajetit وَمَا رَمَيْتَ إِذْ رَمَيْتَ وَلَٰكِنَّ اللَّهَ رَمَىٰ ۚ të sures el-Enfal, Imam Raziu ka shkruar që:

“Kur Kurejshët sulmuan, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bëri lutje: ‘O Allah! Ky fis kurejsh ka ardhur me kuajt dhe mjetet e tyre të krenarisë, për të përgënjeshtruar e për të poshtëruar të Dërguarin Tënd. O Allah! Unë ta kërkoj vetëm atë që Ti vetë më ke premtuar”. Atëherë iu shfaq engjëlli Xhibril a.s. dhe i tha: ‘O i Dërguar i Allahut! Merrni një grusht rërë dhe gjuajini jobesimtarët me të’. Pastaj, kur u ndeshën dy ushtritë, Profeti s.a.v.s. i tha ‘Aliut për t’i sjellë një grusht rërë me guralecë nga lugina, të cilën ai e hodhi drejt fytyrave të mosbesimtarëve dhe شاهتِ الوجوه d.m.th. kur fytyrat do të shtrembërohen, dhe idhujtarët do të fillojnë të fërkojnë sytë e tyre dhe si rrjedhojë do të pësojnë një humbje të thellë. Pastaj Allahu thotë: وَمَا رَمَيْتَ إِذْ رَمَيْتَ وَلَٰكِنَّ اللَّهَ رَمَىٰ kur ti gjuajte gurë (në drejtim të tyre), nuk i gjuajte ti, por i gjuajti Allahu. Pra, grushtin plot me guralecë që hodhe, në fakt atë e hodhi Allahu, sepse gjuajtja jote mund të sillte po aq rezultat sa arrinte gjuajtja e një njeriu tjetër, por meqë e gjuajti Allahu, ato grimca hyjnë në sytë e tyre. Pra, nëse veprimi i gjuajtjes e realizoi i Dërguari i Allahut s.a.v.s., rezultatin dhe pasojën e saj i shkaktoi Allahu.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. ka përshkruar gjendjen e fushëbetejës me këto fjalë. Ai shkruan:

“Duke dalë nga tenda, Profeti i Shenjtë s.a.v.s. hodhi një shikim përreth dhe gjeti gjithandej vetëm gjakderdhje. Atëherë, ai mori një grusht rërë dhe guralecë dhe e hodhi atë drejt mosbesimtarëve. Ai gjithashtu tha me bindje: شاهَتِ الوُجُوه ‘Janë shëmtuar fytyrat e kundërshtarëve’. Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje muslimanëve: ‘Sulmoni përnjëherë.’ Sa dëgjuan thirrjen e prijësit e tyre të dashur, muslimanët brohoritën me patos parullat e tekbirit dhe bënë një sulm të befasishëm. Nga ana tjetër, menjëherë pas hedhjes së një grusht rëre prej tij, u ngrit një stuhi e tillë, saqë rëra dhe guralecët iu vërshuan sytë, goja dhe hunda e jobesimtarëve. Pejgamberi s.a.v.s. tha: ‘Kjo është ushtria e engjëjve të Zotit, e cila ka ardhur të na ndihmojë. Sipas një transmetimi, në atë kohë disa sahabë i kishin parë ata engjëj. Prijësit kurejshë si Utba, Sheba dhe Ebu Xhehli tashmë ishin rrëzuar në tokë. Sulmi i befasishëm i muslimanëve dhe vrulli i fuqishëm i stuhisë të rërës, shkuli këmbët e Kurejshëve, dhe shumë shpejt gjendja e tyre u bë kaotike dhe brenda pak çasteve fusha ishte zbrazur nga kurejshët”.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. Shkruan:

Në këtë gradë të zhvillimit shpirtëror, ndonjëherë njeriut i shfaqen disa veprime, të cilat në pamje duken sikur të jenë përtej fuqisë njerëzore, dhe madje mbartin ngjyrat e madhështisë hyjnore. P.sh. rasti kur prijësi dhe udhëheqësi ynë dhe vula e krejt pejgamberëve Hazret Muhammed s.a.v.s. gjuajti një grusht guralecësh ndaj mosbesimtarëve në betejën e Bedrit dhe ai grusht nuk u shoqërua nga ndonjë lutje, por vetëm nga fuqia e tij shpirtërore. Ky grusht shfaqi fuqinë hyjnore dhe shkaktoi një ndikim të tillë të jashtëzakonshëm në ushtrinë kundërshtare, saqë nuk mbeti asnjë prej tyre, që t’i mos ketë prekur syri i tij, dhe sikur të jetë verbëruar prej tij. Ky veprim shkaktoi një turbullirë dhe pështjellim të plotë në radhët e tyre, saqë ushtarët kishin luajtur mendsh dhe në këtë marrëzi nisën të vraponin kuturu. Allahu ka përshkruar këtë mrekulli në ajetin vijues:

وَمَا رَمَيْتَ إِذْ رَمَيْتَ وَلَٰكِنَّ اللَّهَ رَمَىٰ kur ti gjuajte gurë (në drejtim të tyre), nuk i gjuajte ti, por i gjuajti Allahu. Domethënë, në prapaskenë vepronte fuqia hyjnore dhe ajo nuk ishte aspak rezultati i përpjekjes njerëzore.

Megjithatë, pas një kohe shumë të shkurtër, dështimi dhe gjendja kaotike mbizotëroi ushtrinë politeiste. Radhët e tyre u shpartalluan nga sulmet njëpasnjëshme të muslimanëve dhe në radhët e armikut kishte shfaqur pështjellimi i madh. Muslimanët i ndoqën dhe u shkaktuan një humbje të thellë.

Në një transmetim është përcjellë rasti i Hazret Sa’dit dhe për dëshirën e tij të zellshme kundër jobesimtarëve. Ky rrëfim tregon se pas humbjes së thellë, armiku dorëzoi armët dhe sahabët filluan t’i ndalonin ata. Pikërisht në këtë moment, Profeti i Shenjtë s.a.v.s. vuri re shenja pakënaqësie në fytyrën e Sadit. Ai s.a.v.s. e pyeti: “O Sa’d! Duket se nuk të pëlqen ky veprim i popullit, pra arrestimi i politeistëve.” Ai tha: “O i Dërguari i Allahut! Kjo është lufta jonë e parë dhe më e suksesshme kundër idhujtarëve. Unë jam i mendimit, që më mirë t’i vrasim se sa t’i ndalojmë dhe t’i mbajmë të gjallë ata..” Pra, ai shprehu pakënaqësinë e tij ndaj burgosjes, dhe kërkoi ekzekutimin e tyre.”

Zbritja e engjëjve

Në lidhje me zbritjen e engjëjve në luftën e Bedrit, Allahu ka thënë në Kuranin Famëlartë:

إِذْ تَسْتَغِيثُونَ رَبَّكُمْ فَاسْتَجَابَ لَكُمْ أَنِّي مُمِدُّكُم بِأَلْفٍ مِّنَ الْمَلَائِكَةِ مُرْدِفِينَ 

Kur ju i luteshit për ndihmë Zotit tuaj dhe Ai jua pranoi (lutjen me premtimin): Unë sigurisht do t’ju përforcoj me një mijë engjëj të rreshtuar. (Kurani Famëlartë 8:10) Profeti i Shenjtë s.a.v.s. ka konfirmuar gjithashtu zbritjen e engjëjve në betejën e Bedrit. Në ditën e Bedrit, Profeti s.a.v.s. kishte thënë: “Ky qenka Xhibrili, i cili mban frerët e kalit të tij dhe është i pajisur me mjetet luftarake.”

Në Siret Ibn Hisham, rrëfimet e shumta, të përcjella nga sahabët gjithashtu flasin për praninë e engjëjve në ditën e Bedrit. Sipas një rrëfimi, Hazret Xhibrili erdhi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe e pyeti: “Çfarë pozicioni u jepni muslimanëve që luftuan në ditën e Bedrit?” Ai iu përgjigj: “I konsideroj në gradën më të lartë” apo tha diçka të ngjashme. Atëherë, Hazret Xhibrili shtoi që edhe engjëjt që morën pjesë në luftën e Bedrit, gëzojnë një gradë të lartë.

Sipas një historiani, Hazret Ibn ‘Abbasi ka përcjellë që njëri nga Beni Gafarit i tregoi se ai dhe kushëriri i tij kishin ardhur në ditën e Bedrit dhe ishin ngjitur në një kodër për të parë se si po zhvillohej lufta nga lartësia. Ata ishin idhujtarë dhe kishin kureshtje të mësonin se cila palë do të pësonte humbje atë ditë dhe kur të përfundonte lufta, të zbriteshin vetëm për të plaçkitur bashkë me palën fituese. Teksa ishin në pritë, doli një re e vogël afër tyre. Ata dëgjuan hingëllimat që vinin nga reja dhe dëgjuan thirrjen “هَزِّموا” hidhuni përpara. Zëri ishte aq i fuqishëm, saqë kushëriri im pësoi infarktin dhe ai vdiq në vend. Unë gjithashtu isha trembur dhe më kishte zënë frika, por arrita t’i përmbaj emocionet.

Suhejl ibn Amri ishte prej atyre njerëzve, që ende nuk kishte pranuar Islamin. Ai gjithashtu ka rrëfyer se në ditën e Bedrit, ai kishte parë njerëz të bardhë, të hipur mbi kuajt laramanë, që gjendeshin pezull në ajër, midis tokës dhe qiellit. Ata vrisnin kurejshët dhe i merrnin robë.

Këto rrëfime tregojnë se jo vetëm muslimanët, por edhe idhujtarët dhe mosbesimtarët kishin parë engjëjt në luftën e Bedrit.

Ebu Usejd Malik ibn Rabi’a, i cili ishte i pranishëm në betejën e Bedrit, ka rrëfyer një ngjarje, e cila i përket kohës, kur ai tashmë kishte humbur shikimin. Ai rrëfen: “Po të isha sot në vendin e Bedrit dhe të kisha ende shikimin, do t’ju kisha shoqëruar në luginën, ku ishin shfaqur engjëjt. Unë nuk kam asnjë dyshim për këtë ngjarje”.

Ebu Davud El-Mu’azni ishte gjithashtu i pranishëm në betejën e Bedrit, dhe ka përcjellë një rrëfim. Ai thotë: “Ditën e Bedrit, po ndiqja një idhujtar, që ta mbizotëroja dhe ta sulmoja, por e kam parë që papritur koka e tij ra përtokë, kurse shpata ime ende nuk e kishte arritur. E kuptova që e kishte vrarë dikush tjetër përveç meje”.

Hazret Abdullah ibn Abasi ka përcjellë se në ditën e Bedrit, engjëjt dalloheshin nga çallmat e tyre të bardha, pjesët e zgjatura të të cilave, i kishin varur në shpinë, ndërsa në luftën e Hunejnit, ata kishin vënë çallmë të kuqe. Hazret Aliu r.a. ka përcjellë se për arabët, çallmat janë si kurorë dhe në ditën e Bedrit, engjëjt dalloheshin nga çallmat e tyre të bardha, të varura në shpinat e tyre, ndërsa Hazret Xhibrili kishte mbajtur një çallmë të verdhë.

Hazret Ibn ‘Abasi ka përcjellë se engjëjt nuk kanë bërë gjakderdhje në asnjë luftë, përveç Bedrit. Ata merrnin pjesë në luftëra të tjera, për të shtuar numrin ose për të dhënë mbështetjen e tyre, por nuk vrisnin askënd. Këtë rrëfim e ka cituar Ibn Hishami në Siretin e tij.

Disa njerëz besojnë se zbritja e engjëjve për besimtarët nënkupton vetëm dhënien e sihariqit apo ngjalljen e guximit në zemrat e tyre, përndryshe ata nuk morën pjesë aktive në luftë. Megjithatë, këtij mendimi, i kundërvihet disa hadithe të sakta, të cilat tregojnë se engjëjt në të vërtetë morën pjesë në luftë. Por, këtu lind një pyetje se për të dhënë mbështetje, do të mjaftonte vetëm një engjëll, përse kishte nevojë për zbritjen e mijëra engjëjve? Imam Ibn Kathiri, pasi që citon të gjitha hadithet nga Buhariu dhe Muslimi, të cilat përshkruajnë zbritjen e engjëjve gjatë zhvillimit të luftës, shkruan: Allahu dërgoi engjëjt dhe i njoftoi muslimanët për zbritjen e tyre, për t’u dhënë lajmë të gëzueshëm, përndryshe Allahu i Plotfuqishëm mund t’i përkrahë muslimanë edhe pa praninë e tyre. Kjo është arsyeja, pse Ai tha se ndihma vjen vetëm prej Allahut, ndërsa në suren Muhammed Ai tha “Nëse do Allahu, Ai mund të hakmerret vetë me mosbesimtarët, por Ai dëshiron t’ju sprovojë”.

Hazret Kalifi II r.a. ka thënë:

“Në betejën e Bedrit, Allahu zbuloi fytyrën e Tij përmes reve, domethënë kur ende nuk kishte nisur lufta, filloi të binte shi, gjë që u shkaktoi dëme të mëdha jobesimtarëve dhe u solli avantazhe të mëdha besimtarëve në aspektin ushtarak. Pastj, për të mbështetur besimtarët dhe për t’u ngjallur frikë mosbesimtarëve, engjëjt u shfaqën edhe në zemrat e njerëzve, madje disa nga mosbesimtarët dëshmuan se kishin parë engjëjt me sytë e tre. Sipas dekretit të Zotit, prijësit kurejshë u vranë një nga një në mënyrë selektive.

Në mënyrë të ngjashme, në komentimin e ajetit 127 të sures Ali-Imran, Hazret Kalifi i Dytë r.a. shkruan:

Rasti i engjëjve është përmendur vetëm sepse marrja e sihariqit përmes ëndrrave apo keshfeve, i shton guxim njeriut, përndryshe qëllimi kryesor ishte që ata do të gëzonin Përkrahjen e fuqishme të Zotit. Sidoqoftë, ai ishte një përjetim dhe ngjarje shpirtërore, të cilën e kishin dëshmuar edhe të tjerët.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në librin e tij të famëmadh “Aine Kemalate Islam” ka shkruar në arabisht:

’’وَ قَدْ جَرَتْ عَادَتُہٗ وَ سُنَّتُہٗ اَنَّہٗ یَخْتَارُ الْاِخْفَاءَ وَالْکَتْمَ فِیْ وَاقِعَاتٍ قَضَتْ حِکْمَتُہٗ اِخَفَاءَ ھَا وَ یَخْلُقُ الْاَھْوَاءَ فَتَحْشُرُ الْآرَاءُ اِلٰی جِھَاتٍ أُخْرٰی۔ وَ إِذَا أَرَادَ اِخْفَاءَ صُوْرَۃِ نَفْسٍ وَاقِعَۃٍ فَرُبَّمَا یَرٰی فِیْ تِلْکَ الْمَوَاضِعِ الْوَاقِعَۃَ الْکَبِیْرَۃَ صَغِیْرَۃً مَھُوْنَۃً ‘ وَالْوَاقِعَۃَ الصَّغِیْرَۃَ الْمَسْنُوْنَۃَ کَبِیْرَۃً نَادِرَۃً وَالْوَاقِعَۃَ الْمُبَشَّرَۃَ مُخَوَّفَۃً وَالْوَاقِعَۃَ الْمُخَوَّفَۃَ مُبَشَّرَۃً۔ فَھٰذِہٖ أَرْبَعَۃُ أَقْسَامٍ مِنَ الْوَاقِعَاتِ مِنْ سُنَنِ اللّٰہِ کَمَا مَضٰی۔ أَمَّا الْوَاقِعَۃُ الْکَبِیْرَۃُ الْعَظِیْمَۃُ الَّتِیْ اَرَادَ اللّٰہُ اَنْ یُّرِیَھَا صَغِیْرَۃً حَقِیْرَۃً فَنَظِیْرُھَا فِی الْقُرْآنِ وَاقِعَۃُ بَدْرٍ لِمَنْ یَتَدَبَّرُ وَ یَرٰی۔ فَاِنَّ اللّٰہَ قَلَّلَ اَعْدَاءَ الْاِسْلَامِ بِبِدْرٍ فِیْ مَنَامِ رَسُوْلِہٖ لِیُذْھِبَ الرَّوْعَ عَنْ قُلُوْبِ الْمُسْلِمِیْنَ وَ یَقْضِیَ مَا أَرَادَ مِنْ الْقَضَاءِ۔ وَ أَمَّا الْوَاقِعَۃُ الَّتِیْ اَرَادَ اللّٰہُ اَنْ یُّرِیَھَا کَبِیْرَۃً نَادِرَۃً فَنَظِیْرُھَا فِی الْقُرْآنِ بِشَارَۃُ مَدَدِ الْمَلَائِکَۃِ کَیْ تَقَرَّ قُلُوْبُ الْمُؤْمِنِیْنَ وَ لَا تَأْخُذَھُمْ خِیَفَۃٌ فِیْ ذَالِکَ الْمَأْوٰی۔ فَاِنَّہٗ تَعَالٰی وَعَدَ فِی الْقُرْآنِ لِلْمُؤْمِنِیْنَ وَبَشَّرَھُمْ بِأَنَّہٗ یُمِدُّھُمْ بِخَمْسَۃِ آلَافٍ مِنَ الْمَلَائِکَۃِ وَ مَا جَعَلَ ھٰذَا الْعَدَدَ الْکَثِیْرَ إِلَّا لَھُمْ بُشْرٰی۔ لِاَنَّ فَرْدًا مِنَ الْمَلَائِکَۃِ یَقْدِرُ بِاِذْنِ رَبِّہٖ عَلٰی اَنْ یَّجْعَلَ عَالِی الْاَرْضِ سَافِلَھَا فَمَا کَانَ حَاجَۃٌ اِلٰی خَمْسَۃِ آلَافٍ بَلْ اِلٰی خَمْسَۃٍ وَلٰکِنَّ اللّٰہَ شَاءَ اَنْ یُّرِیَھُمْ نُصْرَۃً عَظِیْمَۃً فَاخْتَارَ لَفْظًا یَفْھَمُ مِنْ ظَاھِرِہٖ کَثْرَۃُ الْمُمِدِّیْنَ وَ اَرَادَ مَا اَرَادَ مِنْ الْمَعْنِیْ۔ ثُمَّ نَبَّہَ الْمُؤْمِنِیْنَ بَعْدَ فَتْحِ بَدْرٍ اَنَّ عِدَّۃَ الْمَلَائِکَۃِ مَا کَانَتْ مَحْمُوْلَۃٌ عَلٰی ظَاھِرِ اَلْفَاظِھَا بَلْ کَانَتْ مُؤَوَّلَۃً بِتَأْوِیْلٍ یَعْلَمُہُ اللّٰہُ بِعِلْمِہِ الْأَرْفَعِ وَالْاَعْلٰی۔ وَ فَعَلَ کَذَالِکَ لِتَطْمَئِنَّ قُلُوْبُھُمْ بِھٰذِہِ الْبُشْرٰی وَیَزِیْدَھُمْ حُسْنَ الظَّنِّ وَالرِّجَاءِ۔‘‘

(Et-Tabligh, Ruhani Khazain, v. 5, f. 447-449)

D.m.th. Është zakoni dhe praktika e përhershme e Allahut që Ai i mban të fshehur dhe nuk i zbulon ato ngjarje, fshehtësinë e të cilave kërkojnë edhe urtësia dhe largpamësia, aq më tepër kur dëshira dhe opinioni i njerëzve gjithashtu i kundërvihet realitetit. Ndonjëherë, Ai përshkruan një ngjarje të madhe si një ndodhi të zakonshme dhe të papërfillshme dhe nganjëherë Ai e cilëson një ngjarje të vogël si një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe të rrallë. Po ashtu, ndonjëherë Ai përshkruan një lajm të gëzueshëm si një kërcënim të llahtarshëm dhe anasjelltas e përshkruan një ndodhi kërcënuese si një ngjarje të gëzueshme dhe ogurmirë. Pra, këto janë katër lloje ngjarjesh që ndodhin sipas praktikës së Allahut.

Ngjarjen e madhe dhe të rëndësishme, të cilën Allahu deshi ta përshkruante si një ndodhi krejtësisht të zakonshme dhe të papërfillshme ishte beteja e Bedrit. (Aty ka mësime) për atë që dëshiron të hapë mendjen dhe të reflektojë. Prandaj, në rastin e Bedrit, Allahu ia tregoi të Dërguarit të Tij përmes ëndrrës numrin më të vogël të armiqve të Islamit, në mënyrë që të largonte frikën nga zemrat e muslimanëve, dhe të përmbushte vullnetin dhe pëlqimin e Tij.

Dukurinë të cilën Allahu e ka përshkruar si një ngjarje të rrallë dhe madhështore, ka të bëjë me lajmin që përshkruan Kurani për ardhjen e ndihmës përmes engjëjve. Përmes këtij lajmi, Allahu synonte t’i qetësonte zemrat e besimtarëve dhe t’ua largonte frikën e luftës. Prandaj, Allahu u premtoi besimtarëve në Kuran dhe u dha sihariqin se Ai do të vinte për ndihmën e tyre, përmes 5.000 engjëjve. Ai ua tregoi atyre një numër kaq të lartë të engjëjve që t’u shërbente si një lajm ogurmirë për besimtarët. Për ndryshe, nuk kishte nevojë për zbritjen e 5000 engjëjve, kur një engjëll i vetëm, do të mjaftonte për të përmbysur tokën me urdhër të Zotit. Meqë, Allahu kishte vendosur të manifestonte mbështetjen e Tij madhështore, Ai zgjodhi fjalën që tregonte numrin e madh të përkrahësve. Pas fitores në luftën e Bedrit, Allahu i njoftoi besimtarët se numri i engjëjve nuk i referohej një numri konkret, por kishte një domethënie, të cilën e njeh Allahu i Madhërishëm. Në të vërtetë, Allahu veproi në këtë mënyrë, që përmes këtij lajmi të gëzueshëm, t’u qetësonte zemrat besimtarëve dhe t’u ngjallte shpresë dhe besim në vetvete”.

Humbja e idhujtarëve

Në lidhje me humbjen e idhujtarëve, është shkruar që menjëherë pas shpërthimit të plotë të luftës, filluan të shfaqen shenjat e para të pështjellimit dhe dëshpërimit në ushtrinë idhujtare. Sulmet e njëpasnjëshme të muslimanëve përmbysën radhët e armikut dhe kur beteja iu afrua fundit, njësitë ushtarake të politeistëve u tërhoqën në mënyrë kaotike, dhe pësuan një çrregullim të plotë. Muslimanët e ndoqën armikun e demoralizuar, e mbizotëruan dhe e nënshtruan, derisa i shkaktuan një humbje të thellë.

(Er-Rahikul Makhtum, f. 299, el-Mektebetul es-Selefija, Lahore 2000)

Kështu kjo betejë përfundoi me humbjen e idhujtarëve dhe me një fitore madhështore të muslimanëve. Numri i muslimanëve të martirizuar në luftën e Bedrit, ishte 14, prej të cilëve 6 ishin muhaxhirë dhe 8 ensarë. Por humbjet më të thella, i pësuan politeistët. 70 prej tyre u vranë dhe po aq ishin zënë si robë lufte dhe shumica prej tyre ishin krerë, udhëheqës dhe njerëz të shquar.

(Er-Rahikul Makhtum, f. 306, el-Mektebetul es-Selefija, Lahore 2000)

Prej 14 muslimanëve të cilët ranë dëshmorë në betejën e Bedrit, 6 ishin muhaxhirë dhe 8 ishin ensarë. Ndër muhaxhirë të rënë përmendet këta emra:

  1. Ubejda ibn Harith ibn Muttalib
  2. Umejr ibn Ebi Vekas
  3. Dhush-Shumalejn Umejr ibn Amri
  4. Akil ibn Bukejri
  5. Mehxha Maula Omer bin Hattab
  6. Safvan ibn Bejda

Ndërsa, në radhët e ensarëve përmendet këta emra:

  1. Sa’ad ibn Khajthama
  2. Mubashir ibn ‘Abd al-Mundhir
  3. Jezid ibn Harithi
  4. Umejr ibn Hammam
  5. Raf’i ibn Mu’alla
  6. Haritha ibn Saraka

Numri i idhujtarëve të vrarë në këtë luftë është rreth 70. Shumica ishin udhëheqës të Kurejshit. Ja emrat e disa prej viktimave më të rëndësishme dhe më të shquara:

  1. Hanzla bin Ebu Sufjan
  2. Harith bin Hadrami,
  3. Amir bin Hadrami,
  4. Ubejdeh bin Sa’id bin As
  5. ‘As bin Sa’id bin As
  6. Ukba bin Ebi Mu’ajt,
  7. Utba bin Rabi’a
  8. Shejba bin Rabi’a
  9. Valid ibn Utba bin Rabia
  10. Harith ibn Amir
  11. Ebu el-Bakhtiari As bin Hisham
  12. Nadar ibn Harith
  13. As bin Hisham
  14. As bin Hisham
  15. Abu’l-As bin Kajs
  16. Umaja bin Khalaf
  17. Ebu Xhehl, emri i vërtetë i të cilit ishte ‘As bin Hisham

Shumica prej tyre ishin ata të cilët përndiqnin muslimanët e Mekës përfshirë të Dërguarin e Akllahut s.a.v.s..

(Siret ibn Hisham, f. 476-480, Daraul Kutub el-Ilmija, Bejrut 2001)

Thirrje për t’u lutur për muslimanët në Palestinë, Francë e Pakistan

Unë dua t’ju tërheq vëmendjen për t’u lutur për muslimanët palestinezë. Allahu ua lehtësoftë gjendjen dhe ua largoftë vështirësinë të shtypurve! Allahu u dhëntë atyre udhëheqës dhe prijës të tillë, të cilët i udhëheqin drejt, i udhëzojnë në çdo udhëkryq dhe i çlirojnë nga zgjedha e rendë! Gjendja e mjerueshme e muslimanëve palestinezë është mjaft e rëndë, dhe nuk shohim askënd që mund t’i udhëheqë apo t’i shpëtojë ata.

Nëse muslimanët bashkohen dhe bëhen një, ata mund t’i kapërcejnë këto vështirësi. Në mënyrë të ngjashme, në emër të lirisë së shprehjes, në Suedi dhe në disa vende të tjera, disa elementë keqdashës kanë gjetur liri të plotë dhe në pretekstin e lirisë, ata po lëndojnë ndjenjat e muslimanëve. Nuk kalon asnjë ditë, që këta keqbërës të mos bëjnë veprime më të neveritshme për t’i prekur ndjenjat e muslimanëve. Qoftë fyerja ndaj Kuranit të Shenjtë ose fjalë të pahijshme për të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s., vetëm Allahu i Plotfuqishëm do t’u kërkojë llogari. Shtetet muslimane gjithashtu nuk mund të shfajësohen për këtë situatë, pasi përçarja e tyre, u ka dhënë shkas forcave anti-islame për të vazhduar sjelljen e tyre të shëmtuar. Edhe nëse shohim ndonjë reagim nga vendet muslimane, ai është i përkohshëm apo i papërfillshëm.

Prandaj, është shumë e nevojshme që të luteni për udhëheqësit muslimanë dhe umetin në tërësi. Situata në Francë përbën gjithashtu një skenar të ngjashëm, ku muslimanët janë vënë në shënjestër. Ndërsa reagimi i muslimanëve dhe përfshirja e popullsisë tjetër në protestat e dhunshme reaksionare janë gjithashtu të gabuara. Përmes vandalizmit dhe sabotimit, ata nuk do të arrijnë asgjë. Ata duhet të dinë se nuk mund të arrijnë asnjë sukses, derisa sjellja e tyre nuk përputhet me mësimet islame. Gjithsesi, ne vetëm mund të lutemi për gjendjen e tyre.

Bëni lutje të veçanta për botën muslimane në veçanti dhe për të gjithë botën në përgjithësi që Allahu i Plotfuqishëm të mbrojë çdo secilin nga shtypja dhe padrejtësia dhe të krijojë atmosferën e paqes e të sigurisë në botë. Të gjithë duhet të kuptojnë rëndësinë e përmbushjes së detyrave reciproke, përndryshe siç e kam thënë shumë herë se bota po shkon me shpejtësi drejt një katastrofe të madhe. Allahu pastë mëshirë!

Në të njëjtën mënyrë, lutuni shumë për ahmedianët që jetojnë në Pakistan. Allahu i Plotfuqishëm i mbrojttë ata nga çdo e keqe! Në Francë janë shpërthyer protesta të mëdha tashmë prej disa ditësh dhe duket sikur e gjithë kjo trazirë është rezultati i vrasjes së një djaloshi. Megjithatë, sjellja e publikut tregon se ata kanë mbledhur fondet për të dyja palët, pra edhe për policin që është arrestuar për vrasjen e atij djaloshi, si dhe për djaloshin që ka humbur jetë. Në favor të djaloshit janë mbledhur deri më tani 2 qind mijë euro, ndërsa në favor të policit të akuzuar, kundër të cilit ka folur edhe qeveria, janë mbledhur më shumë se 1 milion euro.

Allahu pastë mëshirë për këta njerëz dhe i mundësoftë të veprojnë me drejtësi dhe të bashkohen e të bëhen një! amin

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp