Kush është Imam Mehdiu, njeriu që pritjet të vijë?! Cili është qëllimi i ardhjes së tij?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Kush është Imam Mehdiu, njeriu që pritjet të vijë?! Cili është qëllimi i ardhjes së tij?

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Mesihu i Premtuar | Nevoja për një reformator

Pas recitimit të ta‘avudhit, bismilahut dhe sures el-Fatiha Hazret Kalifatul Masih V (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) tha:

هُوَ الَّذِي بَعَثَ فِي الْأُمِّيِّينَ رَسُولًا مِّنْهُمْ يَتْلُو عَلَيْهِمْ آيَاتِهِ وَيُزَكِّيهِمْ وَيُعَلِّمُهُمُ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ وَإِن كَانُوا مِن قَبْلُ لَفِي ضَلَالٍ مُّبِينٍ

Është Ai i Cili në mesin e analfabetëve dërgoi një Profet nga mesi i tyre, që t’u lexojë ajetet e Tij dhe t’i pastrojë dhe t’u mësojë Librin dhe urtësinë, edhe pse ata më parë ishin në një gabim të hapët. (Kurani Famëlartë 62:3)

وَآخَرِينَ مِنْهُمْ لَمَّا يَلْحَقُوا بِهِمْ ۚ وَهُوَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ

Dhe Ai do ta dërgojë atë edhe te tjerët nga ata që akoma nuk u janë bashkuar. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti. (Kurani Famëlartë 62:4)

Çfarë na kujton data 23 mars?

Para 2-3 ditësh ka kaluar data 23 mars, e cila është një ditë e shënuar në Xhematin Musliman Ahmedia dhe kremtohet si dita në të cilën ishte themeluar ky xhemat dhe Mesihu i Premtuar a.s. kishte lidhur besëlidhje me anëtarët. Kjo ditë duhet të shërbejë për të na kujtuar se qëllimi i ardhjes së Mesihut të Premtuar a.s., në bazë të profecive të Kuranit dhe thënieve të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ishte ripërtëritja e fesë dhe rrënjosja e mësimeve islame në botë. Ne që dëshmojmë se kemi lidhur besëlidhje me të, gjithashtu duhet të kontribuojmë në përmbushjen e kësaj detyre, sipas aftësive dhe mundësive tona. Ne duhet të lidhim njerëzimin e çorientuar me Zotin e Madhërishëm dhe t’i nxisim njerëzit për të përmbushur të drejtat reciproke. Sigurisht, para se t’i përveshim mëngët, ne duhet të ndreqim gjendjen tonë.

Sot, dua të ndaj me ju disa nga shkrimet e Mesihut të Premtuar a.s., në të cilat ai ka përshkruar nevojën dhe qëllimin e ardhjes së tij. Ai gjithashtu ka përmendur disa nga profecitë e Kuranit Famëlartë dhe të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. që janë përmbushur në qenien e tij. Këto profeci që vazhdojnë të përmbushen edhe sot, përbëjnë dëshmi dhe prova për vërtetësinë e Mesihut të Premtuar a.s.. Unë gjithashtu do t’ju rrëfej disa citate, në të cilat, ai ka përmendur ndryshime të çiltra që anëtarët e xhematit të tij, sollën në jetën e tyre. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka krahasuar gjendjen e tyre me gjendjen e sahabëve të Profetit s.a.v.s., si dhe ka shkruar që ndjekësit e tij po heqin të njëjtën vuajtje e sakrifica, të cilat i kishin dhënë sahabët. Ne gjithmonë duhet t’i kemi parasysh këto fjalë, që të jemi të përqendruar si xhemat në rrugën e përparimit dhe jo që të pësojmë rënie e dobësi.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka përmendur Zotin si dëshmitar për ardhjen dhe vërtetësinë e tij, dhe kjo na fuqizon besimin. Nëse ne u kthehemi herë pas here këtyre çështjeve, dhe u kushtojmë vëmendjen tonë, me siguri, kjo jo vetëm që do të na fuqizojë besimin, por do të na mbajë të përqendruar në objektivin tonë. Tani, do t’ju rrëfej disa citate, përmes të cilave, Hazret Mesihu i Premtuar u drejtohet ndjekësve të tij, por u lëshon një thirrje të fuqishme edhe të tjerëve dhe përmes argumenteve të pamohueshme, vërteton deklaratën e tij. Ajetin që ju kam recituar në fillim, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e ka shpjeguar me këto fjalë.

Dy grupe që kanë ngjashmëri me njëri-tjetrin

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkraun:

“Kuptimi thelbësor i këtij ajeti është që Zoti ëshët Ai i Cili çoi të Dërguarin e Tij, në një kohë, kur njerëzit ishin zbrazur nga dija dhe urtësia dhe ishin kapluar nga injoranca e mosdija, pra gjendeshin shumë larg Zotit dhe rrugës së drejtë. Në një kohë të tillë, Zoti i Madhërishëm çoi të Dërguarin e Tij që nuk dinte shkrim e lexim. Ky Profet u pastroi shpirtrat njerëzve dhe u mbushi zemrën me dijen e Librit dhe urtësinë, pra me anë të shenjave dhe mrekullive, ai ua ngriti shkallën e besimit deri në bindje të plotë. Ai ua ndriçoi zemrën me njohjen e Zotit. Por Zoti gjithashtu lajmëroi për një grup tjetër, i cili do të shfaqej në kohë të mëvonshme, i cili në fillim rrokullisej në errësirën e paudhësisë dhe i shkiste dalëngadalë rrugës së dijes, urtësisë dhe bindjes, mirëpo Zoti do t’i mbështeste ata dhe do t’i bënte të ngjashëm me sahabët, pasi besnikëria dhe bindja e tyre i ngjanin nivelit të sahabëve”.

Kjo është ajo shkallë bindjeje, që ne duhet të arrijmë, pasi kemi lidhur bejat me të dhe i tillë duhet të jetë besimi ynë. Bindja jonë në Zot, në të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe në vërtetësinë e Islamit duhet t’i shëmbëllejë shkallës së sahabëve, jetën dhe shembujt e të cilëve po ju rrëfej në hutbet e mia.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

“Në shpjegimin e këtij ajeti në hadith, ne lexojmë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vuri dorë mbi supin e Hazret Selman el-Farisiut dhe tha

‏لَوْ كَانَ الإِيمَانُ مَنُوطًا بِالثُّرَيَّا لَتَنَاوَلَهُ رِجَالٌ مِنْ فَارِسَ ‏”‏

d.m.th. kur do të zhduket besimi nga toka dhe të vendoset deri në plejadat, atë do ta gjejë një njeri apo disa njerëz të origjinës perse. Kjo thënie paralajmëron për një njeri persian, ardhja e të cilit përkon me kohën kur Kurani do të ngrihet në qiell dhe kjo do të jetë koha e Mesihut të Premtuar. Njerëzit do të kenë harruar mësimet e Islamit dhe dispozitat e Kuranit. Ky njeri i cili është quajtur gjithashtu Isai biri i Merjemes, sepse Mesihu i Premtuar duhet të mbronte besimin nga sulmet e krishterimit. Sipas përshkrimit të haditheve, këto sulme do t’i sjellin pasojë të rënda besimit të njerëzve. Ky përshkrim përputhet plotësisht me kohën e Mesihut të Premtuar a.s. dhe ndonëse këto sulme vijojnë edhe sot, gjatë jetës së tij ato ishin më të përqendruara. Janë këto sulme, të cilat në librat e haditheve janë përshkruar si sulmet e dexhallit. Sipas përshkrimeve, në kohën e sulmeve të dexhallit, shumë njerëz do të mohojnë Zotin e Vetëm dhe shumëkujt do t’i venitet dashuria e besimit. Një ndër detyrat kryesore të Mesihut të Premtuar do të jetë ripërtëritja e besimit, pasi besimi do të jetë në shënjestër të këtyre sulmeve, dhe sipas përshkrimit të hadithit “Lo kanel-imanu” që i referohet një njeriu me origjinën perse, dalim në përfundim që ai do të vijë për të rivendosur besimin.

Meqenëse, koha e Mesihut të Premtuar dhe njeriut me origjinë perse është e njëjte si dhe detyra e rivendosjes së besimit në tokë, prandaj u vërtetua me siguri që Mesihu i Premtuar është me origjinën perse dhe ajeti وَآخَرِينَ مِنْهُمْ لَمَّا يَلْحَقُوا بِهِمْ . Ky ajet nënkupton që janë dy grupe, të cilat do të gjejnë udhëzimin dhe urtësinë pasi gjendeshin në injorancën e plotë dhe do të dëshmojnë shenjat dhe bekimet e të Dërguarit të Allahut.

Grupi i parë është i atyre sahabëve të të Dërguarit të Allahut, të cilët para ardhjes së tij gjendeshin në një errësirë të rëndë. Megjithatë, ata gjetën kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe dëshmuan me sytë e tyre mrekullitë. Ata vërtetuan profecitë dhe përmes bindjes iu nënshtruan një ndryshimi thelbësor, sikur u bënë një.

Grupi i dytë, në bazë të ajetit në fjalë, përbën nga njerëzit që kanë ngjashmëri me sahabët, dhe pikërisht ky është grupi i Mesihut të Premtuar. Ky grup gjithashtu duhet të dëshmonte shenjat e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ashtu siç dëshmuan sahabët, dhe pas errësirës së injorancës, do të ndriçohej nga udhëzimi. Fjalët مِنْهُمْ  në pjesënوَآخَرِينَ مِنْهُمْ , përshkruajnë qartë që ky grup do të gëzojë ngjashmëri me sahabët.

Shenjat që u shfaqën me ardhjen e tij

Në përputhje me fjalët e Kuranit, 1300 vjet pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. u çel sërish dera e shenjave të tij, dhe njerëzit u bënë dëshmitarë të ngjarjeve të jashtëzakonshme. Ata panë se në përputhje me hadithin e Dare Kutniut dhe Fetava Ibn Haxhrin u eklipsuan hëna dhe dielli në muajin e Ramazanit. Ashtu siç ishte përshkruar në fjalët e hadithit, hëna u eklipsua në natën e parë prej netëve të eklipsit, ndërsa dielli u eklipsua në ditën e mesme prej ditëve të eklipsit. Kjo ngjarje ndodhi pikërisht kur deklaruesi i të qenit Mehdi ishte i pranishëm, dhe një fenomen i tillë nuk kishte ngjarë kurrë në historinë e njerëzimit, qëkur janë krijuar qiejt dhe toka. Kjo ishte shenja e të Dërguari të Allahut s.a.v.s. të cilën njerëzit tashmë e kishin dëshmuar me sy.

Pastaj, dalja e kometës, e cila duhet të shfaqej në kohën e Imam Mehdiut dhe Mesihut të Premtuar, u dëshmua nga mijëra njerëz. Zjarri i madh që ra në Xhave gjithashtu u pa qindra mijëra njerëz. Në të njëjtën mënyrë, të gjithë dëshmuan përhapjen e murtajës dhe pezullimin e haxhit me sytë e tyre. Përveç tyre, shpikja e trenit në vend dhe braktisja e deveve gjithashtu bëjnë pjesë në shenjat e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., të cilat janë parë në këtë kohë, ashtu sikur sahabët kishin parë shenjat në kohën e tyre. Kjo është arsyeja që Allahu xh.sh. i është referuar këtij grupi të fundit me fjalën ‘minhum’ për të treguar ngjashmërinë e tyre me sahabët, në aspektin e shqyrtimit të shenjave”.

Pastaj ai shkruan:

“Mendoni pak, a ka gjetur dikush këtë rrugë profetike, gjatë 13 shekujve të kaluar. Xhemati ynë i cili është themeluar në këtë kohë, ka ngjashmëri me xhematin e sahabëve në shumë aspekte. Ata dëshmojnë mrekulli dhe shenja, njësoj siç kishin dëshmuar sahabët. Përmes shenjave të Zotit të Madhërishëm dhe përkrahjeve të freskëta, ata fitojnë dritë dhe bindje, njësoj si sahabët. Për hir të Allahut, ata durojnë përbuzje, tallje, mallkime, lloj-lloj lëndimesh dhe ndërprerje marrëdhëniesh, njësoj siç kishin duruar sahabët. Falë shenjave të qarta të Zotit, ndihmës hyjnore dhe mësimeve të urtiplota, ata po fitojnë një jetë të pastër, njësoj siç fituan sahabët”.

Ne gjithashtu duhet t’i kushtojmë vëmendje kësaj pike të rëndësishme që jeta e pastër dhe e dëlirë arrihet përmes atij mësimi që bazohet në urtësi dhe arsye, prandaj thellimi në botëkuptimin e Kuranit është shumë i rëndësishëm.

Shembulli i pasuesve të Mesihut të Premtuar është një argument

Mesihu i Premtuar a.s. shkruan më tej:

“Shumica prej tyre janë të tillë që qajnë në namazet e tyre dhe vendin e sexhdes së tyre e bëjnë me lot, njësoj si sahabët. Pjesa më e madhe e tyre gëzon ëndrra të vërteta dhe janë bekuar me shpalljen e Zotit, njësoj si sahabët. Shumica prej tyre harxhojnë paratë e tyre, që i kanë fituar me djersën e ballit, në xhematin tonë, vetëm për hir të pëlqimit të Zotit, njësoj siç harxhonin sahabët. Do të shikoni se shumë prej tyre gjithmonë mbajnë në vëmendje vdekjen dhe janë të butë nga zemra dhe ndjekin rrugën e druajtjes së vërtetë.

Ne gjithashtu duhet t’u kushtojmë vëmendje këtyre çështjeve, ashtu siç qe sjellja e sahabëve. Mesihu i Premtuar a.s. shkruan më tej:

“Ky grup i përket Zotit, për të cilin Ai kujdeset. Çdo ditë, Ai ua pastron zemrat dhe mbush urtësinë shpirtërore në gjokset e tyre”.

Ne gjithashtu duhet të kontrollojmë gjendjen tonë se vallë a kemi përvetësuar këto veti. Ai shkruan më tej:

“Përmes shenjave qiellore, Ai po i tërheq ata drejt vetes, njësoj siç i kishte tërhequr sahabët. Shkurt, të gjitha cilësitë të cilave u referoheshin fjalët وَآخَرِينَ مِنْهُمْ shfaqen në këtë xhemat. Kjo ishte e paracaktuar, pasi duhet të përmbushej fjala e Zotit të Madhërishëm”.

(Ejjamus Suleh, Ruhani Khezain, vëll. 14, f. 304, 305)

Ripërtëritja e Islamit dhe bashkimi i popujve në një fe të vetme

Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

“Kjo është koha, në të cilën Zoti i Madhërishëm ka vendosur t’i bashkojë grupe të ndryshme në një popull të vetëm dhe t’i kthejë ata në një fe të vetme, duke u dhënë fund këtyre mosmarrëveshjeve fetare. Kurani Famëlartë gjithashtu ka përshkruar këtë epokë, si përplasje dallgësh, siç ka thënë:

وَنُفِخَ فِي الصُّورِ فَجَمَعْنَاهُمْ جَمْعًا

Kur do të vijë premtimi i Zotit tim, do ta bëjë copë-copë. (el-Kehf 18:99) Kur ky ajet lidhet me ajete të mëparshme, del kuptimi që në kohën kur do të bëhet zallahi e madhe në arenën fetare, dhe një fe do t’i vërsulet fesë tjetër ashtu sikur një dallgë hidhet mbi dallgën tjetër, dhe ato do të synojnë ta asgjësojnë njëra-tjetrën, atëherë në një kohë të tillë përplasje dallgësh, Zoti përmes duarve të Tij, pa asnjë mjet tokësor, do të themelojë një bashkësi të re. Ai do të tubojë të gjithë ata që kanë aftësi të njëjta dhe të cilët i përshtaten asaj.

Atëherë, ata do të kuptojnë se çka është feja. Ata do të mbushen me frymën e jetës dhe të drejtësisë së vërtetë. Ata do të pinë nga kupa e njohjes së Zotit. Nuk mundet që kjo botë të shkatërrohet, derisa nuk përmbushet profecia e Kuranit Famëlartë, që ai ka shpallur para 1300 vjetësh.

Për këtë kohë të mëvonshme, në të cilën popujt do të bashkoheshin në një fe të vetme, Zoti nuk ka përmendur vetëm një shenjë. Përkundrazi Kurani Famëlartë ka shpallur edhe shumë shenja të tjera. Njëra prej tyre është që në atë kohë do të hapen kanalet nga lumenjtë si dhe do të zbulohen miniera të nëndheshme dhe kështu do të shfaqen mjaft shkenca tokësore. Po ashtu, do të shpiken mjete, me anë të të cilave do të shtypen libra në sasi të mëdha. Një prej këtyre shenjave është shpikja e një mjeti për transport, i cili do të linte jashtë përdorimit devetë. Kjo do t’ua lehtësonte njerëzve mënyrën e takimit, do t’u përmirësonte raporte të ndërsjella dhe kështu ata arrinin t’u përcillnin lajme njëri-tjetrit, (Në këtë aspekt, po zbulohen vazhdimisht mjetet më efikase e të dobishme). Përpos shenjave të tilla, përmendet se do të eklipsoheshin hëna dhe dielli brenda të njëjtit muaji. Është përmendur gjithashtu se do të shpërthehej flama e rëndë e murtajës. Nuk do të mbetej asnjë qyet apo fshat në tokë, i cili të mos ishte i prekur prej saj dhe ajo do të shkaktonte një kërdi të madhe dhe do të shkretonte vendbanime të tëra. Disa qytete do të rrënoheshin aq keq, saqë nuk do t’u mbetej as nam e as nishan, ndërkohë disa vendbanime do të kapeshin nga ndëshkimi i Zotit dhe pastaj ato do të shpëtoheshin. Këto do të ishin ditët e shfaqjes së zemërimit të Zotit, pasi banorët nuk u ishin bindur shenjave të Zotit, të cilat Ai i kishte manifestuar për të dërguarin e Tij në këtë kohë. Ata jo vetëm që e refuzuan profetin e Zotit, i cili kishte ardhur për të reformuar njerëzit, madje e quajtën si gënjeshtar e shpifës.

Të gjitha këto shenja u përmbushën në këtë kohë, që ne po përjetojmë. Për çdo njeri të mençur, kjo është rruga e vetme e ndritur që Zoti më ka dërguar në një kohë, kur të gjitha shenjat e paraqitura në Kuranin Famëlartë, për ardhjen time, tashmë janë përmbushur”.

Historia vërteton këtë deklaratë të Mesihut të Premtuar a.s. dhe këto shenja janë shfaqur edhe në kohën e Mesihut të Premtuar a.s. dhe vijojnë të shfaqen edhe sot.

Deklaratat e Mesihut të Premtuar a.s.

Pastaj ai shkruan:

Duke parë gjendjen e kësaj kohe dhe duke gjetur tokën mbushur me lloj-lloj ligësish, shkeljesh dhe paudhësish, Zoti më caktoi mua për përhapjen e së vërtetës dhe ndreqjen e gjendjes në tokë. Kjo kohë ishte e tillë, që njerëzit e kësaj bote gjendeshin në vigjilje të shekullit 14 hixhri dhe po i thoshin lamtumirë shekullit 13. Për t’iu përgjigjur këtij urdhri, fillova me anë të njoftimeve të shtypura dhe ligjërimeve, që t’u bëj thirrje njerëzve të thjeshtë se ai i cili duhet të vinte prej Zotit për të ripërtërirë besimin, jam unë. Kam ardhur që të rivendos besimin në tokë, i cili tashmë ishte zhdukur, dhe duke u fuqizuar prej Zotit dhe përmes forcës tërheqëse të dorës së Tij, ta shtyj botën drejt paqes, druajtjes dhe drejtësisë dhe t’u largojë njerëzve dobësitë në besim e në veprim.

Kur i kaluan disa vjet kësaj ngjarjeje, me anë të shpalljes hyjnore, m’u sqarua që Mesihu i cili ishte premtuar për këtë umet si dhe Mehdiu i fundit, i cili do të udhëzohej drejt prej Zotit, në kohën e rënies së Islamit dhe të mbizotërimit të injorancës, dhe që do t’i ushqente njerëzit edhe njëherë nga sofra qiellore, ardhja e të cilit ishte paralajmëruar 1300 vjet përpara nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s., (pra këto profeci përmbushen në qenien time). Shpalljet hyjnore dhe fjalët e Gjithëmëshirshmit më zbritën me kaq qartësi dhe vazhdimësi se nuk më mbeti asnjë pikë dyshimi.

Çdo shpallje ngulej në zemrën time si një gozhdë hekuri. Të gjitha këto shpallje hyjnore përmbanin profeci kaq madhështore të cilat shfaqeshin si ditë me diell. Vazhdimësia, sasia dhe fuqia e mrekullueshme të këtyre shpalljeve më detyruan të dëshmoja se padyshim, ajo është fjala e të njëjtit Zotit të Vetëm, i Cili ka zbritur Kuranin e Madhërishëm. Unë po e përmend këtu Teuratin dhe Unxhillin, pasi ata të dy janë ndryshuar aq shumë nga dora e njeriut, saqë nuk mund të cilësohen si fjala e Zotit.

Shkurt, shpallja e Zotit, që mua është zbritur është aq e kthjellët dhe e sigurt, saqë përmes saj, kam zbuluar Zotin tim. Me anë të shenjave qiellore, kjo shpallje jo vetëm që ka arritur shkallën Hakul Jekin (d.m.th. të bindjes së plotë), madje, kur u krahasua me fjalën e Zotit Kuranin Famëlartë, çdo pjesë e saj u përputh me të, ndërsa shenjat qiellore u dyndën për ta vërtetuar atë.

Gjatë këtyre ditëve, në muajin e Ramazanit, u eklipsuan dielli dhe hëna, në përputhje me profecinë, sipas së cilës në kohën e Mehdiut, ato do të eklipsoheshin në muajin e Ramazanit. Po ashtu, u përhap murtaja në mbarë Penxhabin, në përputhje me profecinë e Kuranit dhe të profetëve të mëparshëm se në ditët e mëvonshme do të ndodheshin fatkeqësi dhe kërdi të mëdha, dhe asnjë fshat apo qytet nuk do t’i shpëtojë murtajës. Pikërisht ashtu ngjau dhe vijon të ndodhë kështu. Zoti më kishte njoftuar për përhapjen e murtajës para 22 vjetësh, kur nuk ekzistonte asnjë gjurmë për të.

Në lidhje me deklaratën e tij, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

Unë jam ai njeri, i cili u shfaq në kohën e duhur, për të cilin dielli dhe hëna u eklipsuan në muajin e Ramazanit, sipas paralajmërimeve të Kuranit, hadithit, ungjillit si dhe të profetëve të tjerë. Unë jam ai njeri, në kohën e të cilit, u përhap murtaja në mënyrë të pabesueshme në këtë vend, në përputhje me profecitë e të gjithë të dërguarve dhe të Kuranit të Madhërishëm. Unë jam po ai njeri, gjatë kohës së të cilit, u ndërpre haxhi, ashtu siç parashikonte hadithi i saktë. Unë jam i njëjti person, gjatë periudhës së të cilit, doli ai yll, i cili kishte dalë në kohën e Mesihut birit të Merjemes. Unë jam ai njeri, në kohën e të cilit nisi treni dhe i nxori devetë jashtë loje. Madje, nuk është larg kur do të ecë treni midis Mekës dhe Medinës, duke lënë jashtë pune të gjitha devetë. Përpara, këto qytete lidheshin me rrugën tokësore, por së shpejti do të lidhen edhe me linjën hekurudhore. Atëherë, devetë që realizonin këtë udhë të bekuar, do të dalin jashtë pune, dhe kështu do të përmbushet hadithi i Sahihut të Imam Muslimit وَلَتُتْرَكَنَّ الْقِلاَصُ فَلاَ يُسْعَى عَلَيْهَا (Sahihu i Muslimit, nr. 155c) d.m.th. në kohën e ardhjes së Mesihut, do të braktisen devetë dhe askush nuk do të udhëtojë më me to.

Unë jam po ai person, për të cilin janë plotësuar qindra shenja të tjera. A ekzistuaka dikush në tokë, që mund të mbizotërojë mua në shfaqjen e shenjave. Betohem në Atë Zot, i Cili zotëron shpirtin tim, deri tani janë shfaqur më shumë se dyqind mijë shenja përmes meje dhe ndoshta rreth dhjetë mijë njerëz kanë parë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në ëndërr dhe ai dëshmoi për vërtetësinë time. Në këtë vend, disa njerëzve të shquar, të cilët gëzonin vizionin dhe kishin deri në 3 apo 4 qind mijë pasues, u është treguar në ëndërr, dhe ky njeri është prej Zotit. Disa prej tyre kishin ndërruar jetë 30 vjet para meje. Një zotëri i tillë i nderuar ishte Gulab Shah, i cili ka jetuar në krahinën Ludiana dhe e kishte rrëfyer të ndjerin Mijan Karim Baksh, banor të Xhemalpurit që Isai do të lindë në Kadijan dhe do të vijë në Ludijana.

I ndjeri Mijan Karim Baksh ishte njeri i drejtë që besonte në njëshmërinë e Allahut. Ky njeri i moçëm më takoi në Ludijana dhe ma rrëfeu këtë profeci të plotë. Hoxhallarët e futën në shumë zahmet, por ai nuk u frikësua aspak. Ai më tregoi se Gulab Shahu i thoshte se Isai biri i Merjemes nuk është i gjallë, por ka ndërruar jetë, dhe si i tillë nuk do të kthehet kurrë në këtë tokë. Mirza Ghulam Ahmedi është Isai i këtij umeti, të cilin fuqia dhe vullneti i Zotit kanë bërë shëmbëlltyrën e Isait dhe atij i është vënë emri Isa në qiell. Madje, Gulab Shahu i dha porosi: O Karim Baksh! Kur të shfaqet ky Isa, do të shikosh se hoxhallarët do t’i kundërvihen atij, por pavarësisht mundimeve të tyre, ata nuk do të arrijnë asnjë sukses dhe do të pësojnë vetëm disfatë e dështim të plotë. Mesihu do të shfaqet, për t’i larguar sqarimet e pavërteta, që i janë shtuar Kuranit, dhe për t’i treguar botës fytyrën e vërtetë të Kuranit.

Në këtë profeci, ky njeri i shenjtë gjithashtu kishte parashikuar që Karim Bakshi do të gëzonte aq shumë jetë, derisa të shikonte Isain”.

(Tedhkeretush-Shehadetejn, Ruhani Khezain, vëll. 20, f. 35-37)

Çështja e xhihadit dhe ardhja e një Imam Mehdiu “gjakatar”

Pra, kjo profeci përbente një lidhje edhe me nxënësin e tij. Mesihu i Premtuar a.s. shkruan më tej:

“Përderisa një prej emrave të Zotit të Madhërishëm është “Ghafur” (Falësi), atëherë përse t’i mos falë ata që i pendohen sinqerisht? Një prej gabimeve të tilla, që i ka ndodhur popullit tonë është gabimi i Xhihadit. Më vjen çudi që sa herë u them se xhihadi është ndaluar tani, ata më japim vështrim përbuzës e qortues, ndërkohë ata vetë besojnë se të gjitha hadithet për ardhjen e një mehdiu gjakatar janë të trilluara. Molvi Muhammed Husejn nga Betala gjithashtu ka shkruar disa broshura mbi këtë çështje”. Pra, ai gjithashtu ka pranuar se hadithe të tilla janë të shpikura. “Mijan Nedhir Husejn i Delhit gjithashtu pajtohej me këtë mendim”. Edhe sot, disa dijetarë bashkëkohorë e mbështesin këtë mendim. “Derisa, ata nuk i quajnë të sakta këto hadithe, përse më quajnë gënjeshtar. Me të vërtetë detyra kryesore e Mesihut të Premtuar dhe të Mehdiut është që t’i japë fund luftës fetare dhe t’i sigurojë Islamit fitore me anë të pendës, lutjes dhe meditimit”.

Përmbushja e kësaj detyre me anë të pendës, lutjes dhe meditimit u takon edhe pasuesve të tij. Ai shkruan më tej:

“Është për t’u ardhur keq se njerëzit nuk arrijnë ta kuptojnë këtë, sepse nuk janë aq të vëmendshëm ndaj besimit siç janë ata ndaj botës”. Ne gjithashtu duhet të kontrollojmë gjendjen tonë, a mos vallë tërhiqemi më shumë pas botës, edhe pse e kemi pranuar Mesihun e Premtuar a.s.. Ai shkruan: “Si mund të presin se do t’u zbulohen dijet e Kuranit, edhe pse janë mbuluar në ndyrësitë dhe ligësitë e botës. Ai deklaron qartësisht:  لَّا يَمَسُّهُ إِلَّا الْمُطَهَّرُونَ ‎(Atë nuk mund të prekë asnjeri, përpos të pastërve. Kurani Famëlartë 56:80)

Dëgjoni me vëmendje qëllimin themelor të ardhjes sime. Arsyeja dhe qëllimi i ardhjes sime është vetëm për të ripërtërirë dhe për të mbështetur Islamin. Kjo nuk do të thotë se kam ardhur që të mësoj ndonjë ligj të ri, të shpall urdhra të rinj apo të nxjerr ndonjë Libër të ri. Jo, në asnjë mënyrë. Nëse dikush mendon ashtu, ai sipas meje, është humbur krejtësisht dhe ka dalë nga feja. Ligji dhe profetësia kanë përfunduar me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe nuk mund të zbresë ndonjë ligj tjetër. Kurani i Madhërishëm është vula e të gjithë librave të shenjtë, të cilit nuk i mungon as ndonjë grimcë apo pikësim.

Pa dyshim, bekimet dhe favoret e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe frytet e mësimit dhe udhëzimit të Kuranit Famëlartë janë të pashtershme dhe nuk mund të sosen. Ato shfaqen në çdo kohë. Zoti ka caktuar edhe mua për të dëshmuar praninë e këtyre bekimeve dhe favoreve. Gjendja e Islamit nuk është e fshehur prej askujt dhe tashmë është pranuar unanimisht që muslimanët kanë shfaqur çdolloj rënie e dobësie dhe kanë pësuar rënie në çdo aspekt”.

Sot, gjendja e tyre e katandisur është më së e dukshme.

“Nëse ata mbështesin gojarisht, mungon bindja dhe si pasojë Islami ka mbetur plotësisht i papërkrahur. Allahu i Madhërishëm më ka dërguar në një kohë të tillë që ta përkrah atë dhe të kujdesem për të. Ai më ka çuar sipas premtimit të Tij që ‏ إِنَّا نَحْنُ نَزَّلْنَا الذِّكْرَ وَإِنَّا لَهُ لَحَافِظُونَ (ne e kemi zbritur këshillën dhe ne do ta mbrojmë atë (Kurani Famëlartë 15:10) Nëse nuk do t’i ofrohet Islamit mbështetje, përkrahje dhe mbrojte tani, kur do t’i ofrohet? Gjendja në shekullin 14 është e njëjtë sikur ishte në luftën e Bedrit, siç ka thënë Allahu: وَلَقَدْ نَصَرَكُمُ اللَّهُ بِبَدْرٍ وَأَنتُمْ أَذِلَّةٌ ۖ (Kurani Famëlartë 3:124) Ky ajet përmban një profeci se në shekullin XIV, kur Islami do të bëhet i dobët dhe i papërkrahur, Allahu i madhërishëm do ta mbështesë atë, në përputhje me premtimin e Tij, për mbrojtjen e tij, Përse ju vjen çudi se Ai ka përkrahur Islamin?”

Çdo i dërguar i Zotit përballet me kundërshtim të ashpër

Hazret Mesihu i Premtuar komenton mbi përgojimin e kundërshtarëve të tij dhe shkruan:

“Nuk më vjen keq se më quajnë dexhall, gënjeshtar dhe bëjnë shpifje ndaj meje, pasi kjo ishte e pashmangshme që të sillesha njësoj sikur janë trajtuar të dërguarit para meje. Ishte e natyrshme që të merrja pjesë në një praktikë të lashtë. Me të vërtetë, nuk kam marrë asgjë nga vuajtjet dhe mundimet që i kanë dalë përpara prijësit dhe zotërisë sonë, të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., madje të tillat mundimet nuk i gjejmë as te të dërguarit e tjerë. Ai hoqi vuajte të tilla për hir të Islamit, saqë nuk mund të përshkruhen nga penda e as të shprehen me gojë. E gjithë kjo tregon madhështinë dhe lartësinë e këtij Profeti madhor. Po t’i mungonin atij mbështetja dhe ndihma e Zotit, do t’i kishte të pamundur t’i përballonte këto mundime të rënda dhe kjo punë nuk do të kryhej, nëse në vend të tij, do të ishte ndonjë profet tjetër. Megjithatë, si të përshkruaj gjendjen e mjerueshme të këtij Islami, të cilin ai e kishte përhapur me aq shumë mundime e sakrfica”.

(Lecture Ludhiana, Ruhani Khazain, vëll. 20, f. 279-80)

Gënjeshtari nuk gëzon kurrë mbështetjen e Zotit

Muslimanët e kanë çuar Islamin në këtë gjendje të katandisur, por nuk duan ta pranojnë në asnjë mënyrë atë, që ka ardhur për ripërtëritjen e fesë. Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

“Përmes shkrimeve të mia, e kam bërë të qartë rrugën që do t’i mundësojë Islamit fitore dhe do t’i japë epërsi ndaj feve të tjera. Librat e mi arrijnë deri në Amerikë e Europë. Këta popuj, për shkak të aftësisë së tyre intelektuale që u ka dhuruar Zoti, kanë kuptuar këtë çështje, ndërkohë, kur ia tregoj këtë një muslimani, ai tërbohet fare, sikur ka luajtur nga mendtë ose do të më vrasë”. Kjo sjellje vazhdon edhe sot ndaj ahemdianëve. “Ndërkohë, Kurani Famëlartë na mëson ادْفَعْ بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ ktheje të keqen me të mirë! (Kurani 41:35). Qëllimi i një mësimi të tillë është që me anë të tolerancës dhe mirësjelljes edhe kundërshtari të bëhet mik dhe arrin të dëgjojë këto fjalë me qetësi dhe vëmendje. Betohem në Allah se jam prej Tij dhe Ai di mirë se nuk jam gënjeshtar apo shpifës. Nëse ju ende më quani gënjeshtar dhe shpifës, edhe pse jam betuar në Allah dhe Ai ka shfaqur shenja për vërtetësinë time, atëherë ju bëj thirrje në emër të Allahut, që të tregoni shembullin e ndonjë gënjeshtari tjetër, i cili në një anë përhap përditë gënjeshtra dhe shpifje në emër të Zotit, mirëpo Zoti vazhdon ta mbështesë dhe ta përkahë”.

Tregoni qoftë një shembull të vetëm, në të cilin një gënjeshtar bën shpifje në emër të Zotit, dhe në anën tjetër vijon të gëzojë mbështetjet e Tij. A nuk është Xhemati Musliman Ahmedia një dëshmi e qartë se Allahu vijon të mbështesë misionin e Mesihut të Premtuar a.s.? Mesihu i Premtuar a.s. shkruan: “Zoti duhet ta kishte shkatërruar atë, por Ai është sjellë me të në mënyrë krejtësisht të kundërt. Unë betohem në Zotin e Madhërishëm se jam i vërtetë dhe kam ardhur prej Tij, ndonëse mua më quajnë gënjeshtar dhe shpifës. Allahu më mbështet në çdo padi që ngrihet ndaj meje dhe më mbron në çdo kurth që populli sajon kundër meje. Kjo mbështetje është e tillë që Ai ka frymëzuar dashurinë time në zemrën e qindra mijëra njerëzve”.

Përpara kjo dashuri ishte kufizuar vetëm në Indi, por Zoti e përhapi atë dhe nguliti në qindra mjera zemrat në Europë, Amerikë, Afrikë, Amerikën e Jugut, në ishuj, në Australi, në vendet arabe etj. Është e çuditshme që një gënjeshtar po gëzuaka një mbështetje kaq madhështore që provon vërtetësinë e tij. “Nëse mundeni, nxirrni shembullin e ndonjë gënjeshtari, i cili ta ketë përgënjeshtruar Zotin dhe të ketë trilluar të pavërtetat në emër të Tij, ndërkohë Ai ta ketë mbështetur fuqishëm, t’i ketë shtuar moshën dhe t’i ketë përmbushur dëshirat. Ë, tregoni ndonjë emër”.

(Lecture Ludhiana, Ruhani Khezain, vëll. 20, f. 275,276)

Pastaj, ai shkruan:

“Muslimanët duhet të vlerësojnë mirësitë dhe bekimet që po zbresin tani nga qielli. Ata duhet të falënderojnë Allahun e Madhërishëm se Ai i mbështeti në kohën e duhur dhe i ndihmoi sipas premtimit të Tij mu në këtë kohë krize. Por, nëse nuk arrijnë ta vlerësojnë këtë favor të Zotit, Ai gjithashtu nuk do t’i përfillë ta, dhe do të çojë misionin deri në përfundim. Unë them me plot bindje dhe vetëdijë se Allahu i Madhërishëm ka vendosur që t’i zhdukë fetë e tjera, ndërsa Islamit do t’i dhurojë mbizotërim e fuqi. Nuk ka asnjë dorë apo forcë që të ballafaqohet me Zotin kundër vullnetit të Tij. Ai është mishërimi i ajetit فَعَّالٌ لِّمَا يُرِيدُ “Vepruesi i asaj çfarë dëshiron” (Kurani Famëlartë 85:17)

O Muslimanë! Të dini se Allahu i Madhërishëm ju ka përcjellë këtë lajm  përmes meje dhe unë kam kryer detyrën time. Pranimi apo refuzimi tashmë është në dorën tuaj. Është e vëretë që Isai a.s. ka ndërruar jetë dhe unë betohem në Allah se i premtuari që duhet të vinte jam unë. Kjo është gjithashthu një çështje e paracaktuar që jeta e Islamit varet nga vdekja e Isait a.s.”.

(Lecture Ludhiana, Ruhani Khezain, vëll. 20, f. 290)

Të gjitha bekimet burojnë nga ndjekja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

Pastaj ai shkruan:

“Çdo ditë Zoti shfaq lloj-lloj shenjash dhe kështu turpëron kundërshtarët e mi. Unë betohem në emër të Tij, se ashtu sikur Ai ka folur me Ibrahimin, e pastaj me Is’hakun, Ismailin, Jakubin, Isufin, me Musain dhe me Isain birin e Merjemes dhe në fund iu drejtua të Dërguarit tonë s.a.v.s. në një mënyrë kaq madhështore, saqë i dha shpalljen më të ndriçur dhe më të pastër. Ai më bekoi edhe mua me komunikim dhe shpallje, mirëpo këtë nder e kam fituar vetëm duke ndjekur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Po të mos isha nga umeti i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhe mos isha ndjekësi i tij, edhe nëse veprat e mia të ishin sa të gjitha malet e kësaj bote, nuk do të gëzoja kurrë këtë nder, sepse tashmë të gjitha profetësitë, përveç profetësisë së Muhammedit s.a.v.s. janë mbyllur. Tani nuk mund të vijë asnjë profet me ligj, por mund të vijë një profet pa ligj, me kushtin që të jetë ndjekësi dhe pasuesi (i Muhammedit s.a.v.s.). Sipas kësaj, unë jam hem pasuesi dhe hem profet. Profetësia ime, d.m.th. komunikimi dhe shpallja hyjnore të gjitha këto janë pasqyrim i profetësisë së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Profetësia ime nuk ka asnjë kuptim jashtë saj dhe është vetëm profetësia e Muhammedit s.a.v.s. që është shfaqur përmes meje. Meqë, unë jam vetëm një shëmbëlltyrë dhe pasues i tij, kjo nuk ul aspak gradën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Shpallja hyjnore që më zbret mua, është e qartë dhe bindëse. Nëse do të kem dyshim për të, qoftë për një çast, do të bëhesha mohues, dhe do të më prishej jeta e ahiretit.

Shpallja që më zbret është e sigurtë dhe e vërtetë. Ashtu sikur njeriu nuk dyshon në ekzistencën e diellit, kur i ka parë rrezet e tij, po ashtu nuk mund të dyshoj në shpallje që më zbresin prej Zotit të Madhërishëm. Unë i besoj njësoj, sikur besoj në librin e Zotit”.

(Texhelijat Ilahije, Ruhani Khezain, vëll. 20, f. 411,412)

Detyra e Mesihut të Premtuar a.s.

Pastaj ai shkruan:

“Detyra për të cilën Zoti më ka caktuar është të largoj shtrembërinë që gjendet në lidhjen midis Zotit dhe krijesës së Tij dhe ta zvendësoj atë me një lidhje dashurie dhe sinqeriteti, po ashtu duke treguar të vërtetën, t’u jap fund konflikteve fetare dhe të hedh themelet e paqes dhe pajtimit. Ai më ka dërguar për të manifestuar ato të vërteta shpirtërore, që janë fshehur nga shikimi i botës, dhe ta shfaq atë spiritualitet që është fundosur nga errësirat e nefsit. Ai më ka dërguar gjithashtu për t’i përshkruar si përjetim e jo vetëm si rrëfim, fuqitë e Zotit, të cilat hyjnë brenda njeriut, dhe manifestohen pas meditimit dhe lutjes. Ai më ka dërguar, me qëllimin themelor, që të hedh edhe njëherë farën e njëshmërisë së pastër e të ndritshme, që nuk ka përzierje me asnjëlloj shirku, dhe e cila është zhdukur plotësisht.

Por, e gjithë kjo nuk do të arrihet me fuqinë time, madje me vullnetin e Atij Zoti, që sundon në qiej dhe në tokë. Unë shoh se në një anë Zoti më ka përgatitur me dorën e Tij, dhe përmes shpalljes së Tij, më ka ngjallur një dëshirë të zellshme që të ngrihem për këto reforma. Në anën tjetër, Ai gjithashtu ka përgatitur shpirta, që janë përgatitur e të gatshëm për t’iu bindur fjalëve të mia.

Unë shoh se qëkur Zoti më ka dërguar në këtë botë si i caktuar prej Tij, po shfaqet një revolucion i madh në botë. Ata që deri tani i besonin natyrës hyjnore të Hazret Isait a.s., tani studiuesit e tyre dalëngadalë po i largohen kësaj doktrine. Madje, ky popull, i cili nga paraardhësit e tij, jepej pas idhujve dhe zotave, shumica prej tyre tashmë kanë kuptuar se idhujt nuk kanë asnjë fuqi. Ndonëse, ata akoma janë të paditur nga bota shpirtërore dhe kënaqen vetëm prej disa shprehjeve, që i kanë ruajtur si traditë, por nuk ka asnjë dyshim që ata kanë hequr dorë nga mijëra zakone prapanike dhe kanë çliruar veten nga litari i shpikjeve e të shirkut dhe i janë qasur fare pranë oborrit të njëshmërisë së Zotit. Unë shpresoj se pas një periudhe të shkurtër, mirësitë hyjnore, do të shtyjë shumicën prej tyre me një dorë të veçantë, dhe do t’i kalojë ata në vatrën e paqes, nga e cila buron dashuria e përsosur, druajtja e përsosur dhe njohja e përsosur.

Kjo nuk është aspak dëshira ime e sajuar, por kjo është një myzhde që kam marrë nga shpallje e pastër e Zotit. Urtësia e Zotit ka dashur që të kthejë popuj të ndryshëm në këtë vend, në një popull të vetëm dhe të sjellë ditën e pajtimit dhe të paqes. Çdo njeri po nuhat këtë erë dhe po ndien se të gjithë këta popuj, një ditë do të shkrihen në një popull të vetëm”.

(Lecture Lahore, Ruhani Khezain, vëll. 20, f. 180,181)

Dashtë Allahu, që banorët e tokës e sidomos muslimanët ta zbuluojnë e ta kuptojnë këtë realietet e t’i kuptojnë deklarat e tij dhe të kalojnë sa më shpejt brenda bejatit të atij, të cilin Allahu ka dërguar për ripërtëritjen e Islamit në botë. Allahu na mundësoftë edhe ne të përbushim detyrën tonë të bejatit!

Thirrje për lutje

Unë sërish dua t’ju kujtoj për lutje për ahmedianët e Pakistanit dhe të Algjerisë. Situata në këto vende përsëri po përkeqësohet, apo vazhdon të mbetet e paqëndrueshme, andaj nuk jemi të gjendje të themi se është ktyher paqja a qetësia e plotë. Në Pakistan, çdo ditë ndodh diçka. Në Algjeri, disa zyrtarë nuk duket se kanë nijet të pastër, pasi dua të rihapin dosjet. Allahu e ruajttë çdo musliman ahmedia i cili po përballet me kushte të vështira, në Pakistan, në Algjeri, apo në çfarëdo vend të botës. Ahmedianët gjithashtu duhet t’i nënshtrohen Zotit të Madhërishëm më shumë, të përmirësojnë gjendjen e ibadeteve të tyre, të përmbushin të drejtat e njerëzve, të përmirësojnë gjendjen e tyre dhe të arrijnë të krijojnë lidhje të veçnantë me Zotin. Allahu na e mundësoftë!

(Gazeta Al-Fazl, 16 prill 2021, f. 5-9)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp