Shembuj tejet të prekshëm të përulësisë nga jeta e Mesihut të Premtuar a.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Shembuj tejet të prekshëm të përulësisë nga jeta e Mesihut të Premtuar a.s.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Hutbja e së xhumasë e Hazret Mirza Masrur Ahmedit, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, e mbajtur më 05.06.2026)

Në hytben e kaluar ju tregova disa nga ngjarjet e përulësisë dhe të thjeshtësisë së Hazret Mesihut të Premtuar a.s., si dhe disa këshilla të tij. Edhe sot, në të njëjtin kontekst, do të paraqes disa ngjarje dhe këshilla të tij.

Mesihu i Premtuar a.s. takonte me butësi edhe ata që ishin gjithmonë në armiqësi

Hazret Shejh Muhammed Ismail Sahib tregon se morali i bukur i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ishte i tillë: njerëzit e Kadijanit që ishin të angazhuar vazhdimisht në armiqësi kundër tij dhe nuk linin asnjë rast pa e shfrytëzuar, edhe kur ata vinin te dera e tij dhe trokisnin, unë kam parë se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. dilte menjëherë, madje zbathur.

Sapo i shihte, me shumë butësi dhe dashamirësi ua kthente selamin dhe i pyeste:

“A jeni mirë?”

Pastaj pyeste për gjendjen e gjithë familjes së tyre dhe u thoshte:

“Çfarë e mirë ju solli këtu?”

Pastaj ai person paraqiste nevojën e tij. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e pyeste:

“Sa ju nevojitet?”

Pastaj sillte më shumë se nevoja e tij dhe i jepte. Madje u thoshte:

“Nëse keni nevojë për më shumë, merrni edhe më shumë.”

Pra, edhe me armiqtë, sjellja e tij ishte jashtëzakonisht e mirë. Edhe me ta sillej gjithmonë me përulësi dhe nuk tregonte kurrë mendjemadhësi.

“O Ghulam Ahmed!” — Mesihu i Premtuar a.s. u ngrit edhe për një të sëmurë mendor

Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahib r.a. tregon se këtë transmetim e dëgjoi nga Munshi Zafar Ahmed, ndërsa atij ia kishte treguar i nderuari Molvi Sher Ali.

Një herë, Miran Bakhsh Sodai, i cili ishte një njeri disi i sëmurë nga ana mendore, duke ardhur nga xhamia e madhe, e thirri Hazret Mesihun e Premtuar a.s. me emër. E thirri në mënyrë shumë të pasjellshme, por ai, i gjori, nuk kishte mendje të plotë dhe kështu ishte mënyra e tij e të folurit. Ai tha:

“O Ghulam Ahmed!”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u ndal menjëherë dhe tha:

“Urdhëroni?”

Ai nuk e mori aspak për keq. Përkundrazi, tha:

“Urdhëroni?”

Ai tha në gjuhën panxhabe:

“Thuaj selam më parë.”

I gjori e konsideronte veten, sipas mendjes së tij, si ndonjë oficer. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

“Es-selamu alejkum.”

Pastaj ai tha:

“Paguan taksën!”

Te bujqit, “muamele” quhej një lloj takse që paguhej nga ana e qeverisë. Sidoqoftë, Huzuri a.s., pasi dëgjoi fjalën e tij, nxori nga xhepi shaminë dhe prej saj i dha katër ose tetë ane. Ai u gëzua dhe u largua duke i kënduar atij.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. nuk i mori kurrë për keq fjalët e një njeriu të sëmurë mendërisht. Madje ngrihej edhe për të.

Mysafiri vinte dhe Mesihu i Premtuar a.s. dilte menjëherë, ndonjëherë me penë në dorë e zbathur

Master Nazir Huseini tregon:

Sa herë që kam ardhur në Kadijan te Huzuri bashkë me babanë tim, dhe Huzurit i është dhënë lajmi se ka ardhur Hakim Marham Isa Sahib, unë gjithmonë kam parë se sapo merrte njoftimin, Huzuri dilte menjëherë jashtë. Në atë kohë, patjetër sillte edhe diçka për të ngrënë. Ndonjëherë ndodhte që vetë shkonte në shtëpi dhe sillte ushqim.

Ai shkruan se Huzuri i takonte mysafirët me një thjeshtësi të tillë, saqë disa herë e kam parë në një gjendje ku në dorë mbante ende penën, dhe ndonjëherë dilte zbathur. Ishte ulur brenda në dhomë dhe, sapo trokiste dera, dilte jashtë po në atë gjendje.

Nëse ndonjëherë Huzuri ndodhej në Xhaminë e Bekuar dhe vinte ndonjë mysafir, shpesh ngrihej dhe i jepte dorën. Nëse Huzuri ishte duke folur me dikë tjetër dhe vinte një person, ulej pranë tij dhe i jepte dorën, Huzuri menjëherë kthehej nga ai dhe e pyeste për gjendjen e tij.

Me pak fjalë, Huzuri i priste ata që vinin tek ai me përulësi të jashtëzakonshme.

“Rrini ulur, unë po sjell ushqimin”: Huzuri a.s. e solli vetë tabakanë

Hazret Mufti Muhammed Sadik Sahib thotë:

Më kujtohet se një herë kisha ardhur nga Lahore në Kadijan. Me gjasë ishte ngjarje e vitit 1897 ose 1898. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. më uli në Xhaminë Mubarak. Në atë kohë, xhamia ishte e vogël.

Ai më tha:

“Ulu, unë po sjell ushqimin.”

Pasi tha këtë, hyri brenda. Unë mendova se do ta dërgonte ushqimin nëpërmjet ndonjë shërbyesi. Por pas disa minutash, kur u hap dritarja, çfarë të shihja? Ai vetë, me duart e tij, kishte vendosur ushqimin në një tabaka, dhe po e sillte për mua.

Kur më pa, tha:

“Hani ushqimin. Unë po sjell ujë.”

Hazret Mufti Muhammed Sadik Sahib thotë:

Lotët më rrodhën vetvetiu nga prekja shpirtërore. Mendova: kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s., duke qenë udhëheqësi dhe prijësi ynë, na shërben në këtë mënyrë, atëherë sa shumë duhet t’i shërbejmë ne njëri-tjetrit!

Namazi i ishrakut në xhaminë e fshatit dhe gëzimi i madh për mikpritjen

Një transmetim për thjeshtësinë dhe përulësinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. e tregon Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahib r.a. duke iu referuar një gruaje me emrin Maji Bholli, ose Maji Xhivan.

Ajo tregoi:

Një herë Huzuri erdhi në fshatin tonë. Unë mora grurë të ri, e poqa dhe ia çova. Ai ua ndau atyre që ishin me të, e provoi edhe vetë dhe u gëzua.

Sa herë që Huzuri vinte për shëtitje, vinte në xhaminë tonë të thjeshtë prej balte dhe falte namazin e Ishrakut. Kur ne i paraqisnim saag (një lloj salce të thjeshtë) dhe roti (bukë indiane), Huzuri a.s. kurrë nuk e merrte për keq dhe nuk tregonte neveri. Përkundrazi, e pranonte mikpritjen me shumë kënaqësi.

“Ne kishim vendosur ta pinim lëngun pasi t’ia jepnim më parë një miku”

Hazret Munshi Zafar Ahmed Sahib Kapurthalvi tregon një ngjarje:

Hazret Mesihu i Premtuar a.s., në vendin ku rrinte ulur, nuk ulej kurrë me derën hapur, por gjithmonë e mbyllte derën nga brenda. Hazret Sahibzada Mian Mahmud Ahmedi (i biri), orë e çast vinte dhe thoshte:

“Babi, hape derën!”

Dhe Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ngrihej dhe e hapte.

Një herë unë u paraqita në shërbim të tij. Huzuri ishte ulur mbi një rrogoz. Kur më pa, ngriti një shtrat dhe e çoi brenda. Unë thashë:

“Huzur, e ngre unë.”

Ai tha:

“Është shumë i rëndë. Ju nuk mund ta ngrini.”

Pastaj tha:

“Ju uluni në shtrat.”

Ai e çoi shtratin atje dhe më uli mua mbi të. Për veten tha:

“Unë jam rehat këtu poshtë. Unë do të ulem poshtë; ju uluni në shtrat.”

Munshi Zafar Ahmed Sahib thotë: në fillim refuzova, por Huzuri tha:

“Uluni pa siklet.”

Atëherë u ula.

Unë kisha etje. Hodha sytë nga enët e ujit, por aty nuk kishte asnjë gotë për të pirë ujë. Huzuri e pa këtë dhe më tha:

“A keni etje? Unë po sjell ujë.”

Pastaj zbriti poshtë, në pjesën e grave të shtëpisë, dhe solli një gotë. Më pas tha:

“Prisni pak.”

Zbriti përsëri poshtë dhe solli dy shishe lëng, të cilat dikush i kishte dërguar nga Manipur. Ai thotë se ishte lëng shumë i shijshëm. Huzuri tha:

“Këto shishe kanë disa ditë që qëndrojnë këtu, sepse ne kishim bërë nijet që fillimisht t’ia japim një miku për të pirë, pastaj të pimë vetë. Sot m’u kujtua.”

Kështu, Huzuri përgatiti lëngun në gotë dhe ma dha.

Pra, këtë dhuratë që kishte ardhur, Huzuri kishte vendosur ta pinte vetëm pasi së pari t’ia jepte ndonjë miku. Munshi Zafar Ahmed Sahib thotë:

“Unë i thashë: ‘Huzur, pini ju më parë pak prej saj.’”

Kur ai ma dha gotën me lëng, unë i thashë Hazret Mesihut të Premtuar a.s.:

“Ju pini më parë, pastaj do ta pi unë.”

Ai piu një gllënjkë dhe ma dha. Unë e piva. E lavdërova lëngun. Huzuri tha:

“Merreni një shishe me vete dhe tjetrën ua jepni miqve jashtë për ta pirë.”

Nga ato dy shishe, Huzuri me gjasë piu vetëm atë një gllënjkë. Unë, sipas urdhrit të tij, i mora shishet dhe dola.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në shërbim të bashkëshortes

Po kështu, Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahib r.a. tregon se Aishah Sahiba, vajza e Ahmed Xhan Sahibit, ka thënë:

“Në vitin 1906, kur nëna ime e ndjerë ndërroi jetë, Ama Xhi, bashkëshortja e Hazret Kalifit të Parë r.a., më mori në shtëpinë e saj. Më dha mëngjes e gjëra të tjera. Pastaj, pas katër a pesë ditësh, Hazret Ama Xhan (bashkëshortja e Mesihut të Premtuar a.s.) më mori në shtëpinë e saj.”

Ajo tregon vendin dhe thotë se lart, aty ku tani ndodhet kuzhina, Hazret Ama Xhan po ia lante kokën në shtëpinë e saj. Një grua i hidhte ujë mbi kokë, ndërsa Ama Xhan ia lante kokën asaj vajze, nëna e së cilës kishte ndërruar jetë.

Ajo thotë:

“Hazret Ama Xhan ma fërkonte kokën me sapun dhe ma lante.”

Gruaja që hidhte ujë po e derdhte më shumë seç duhej. Huzuri a.s. po ecte aty pranë. Kur e pa këtë, ia mori asaj gruaje enën e ujit dhe filloi vetë të më hidhte ujë mbi kokë. Ai hidhte ujë ngadalë-ngadalë, ndërsa Hazret Ama Xhan, vazhdonte të më krihte kokën. Huzuri thoshte:

“Në këtë mënyrë do të dalin morrat.”

Mund të ketë pasur morra në kokë, sepse nëna e saj kishte qenë e sëmurë për një kohë të gjatë, pastaj kishte ndërruar jetë, dhe nuk kishte pasur kush të kujdesej për vajzën. Sidoqoftë, për këtë arsye mund t’i kishin dalë morra, ose në ato zona një gjë e tillë ndodhte zakonisht. Huzuri a.s. tha se në këtë mënyrë, duke e larë kokën dhe duke e krehur njëkohësisht, morrat do të dilnin.

“A ju duhet ujë?” — Mesihu i Premtuar a.s. ia mbushi vetë ibrikun për abdes

Mesihu i Premtuar a.s. nuk e konsideronte turp të ndihmonte në asnjë punë të shtëpisë.

Mufti Muhammed Sadik Sahib thotë:

“Një herë, për të marrë abdes, po kërkoja ujë. Me ibrik në dorë, hyra te ajo derë që nga Xhamia Mubarak të çonte në pjesën e brendshme të shtëpisë së Hazret Mesihut të Premtuar a.s., që t’ia jepja ibrikun ndonjë shërbyesi të Huzurit dhe të më sillnin ujë nga brenda. Rastësisht, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. doli nga brenda. Kur më pa duke qëndruar aty, tha:

‘A ju duhet ujë?’

Unë thashë:

‘Po, Huzur.’

Huzuri ma mori ibrikun nga dora dhe tha:

‘Unë do tjua sjell.’

Pastaj e mbushi vetë me ujë nga brenda, ma solli dhe ma dha.”

Lëkurat e mangove u mbushën me miza, Huzuri a.s. solli vetë dezinfektant dhe e hodhi mbi to

Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. tregon se Murad Khatune, bashkëshortja e nderuar e të ndjerit dhe të falurit Dr. Khalifa Rashiduddin, ka thënë:

“Një herë, Hazret Ama Xhan dhe të gjithë së bashku hëngrën mango.”

Ishte stina e mangove. Në atë kohë kishte më shumë mango që thitheshin. Në oborr u bënë dy a tre grumbuj me lëkura dhe bërthama mangosh. Aty filluan të vinin shumë miza. Gratë u përfshinë në biseda dhe në atë moment nuk u kujtuan për pastrimin.

Ajo thotë:

“Në atë kohë edhe unë isha ulur aty. Kishte edhe disa shërbyese të pranishme, pra gra që punonin dhe shërbenin. Ndërkohë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. erdhi. Kur e pa këtë gjendje, mori vetë një ibrik, hodhi fenol (dezinfektant) në të dhe e shpërndau me dorën e tij nëpër oborr, mbi grumbujt e lëkurave, që mizat të largoheshin dhe papastërtia të pastrohej e të mos vinte erë e keqe.”

Në vend që t’i thoshte dikujt diçka, Huzuri a.s. e tregoi me veprimin e tij se papastërtia duhet pastruar menjëherë. Në këtë ngjarje, ashtu siç duket përulësia e tij, po ashtu shihet edhe vëmendja e tij ndaj higjienës.

Huzuri mbajti llambën, ndërsa po përgatitej një shtrat për mysafirin

Një delegacion erdhi për të takuar Hazret Mesihun e Premtuar a.s. Në të kishte disa personalitete të shquara të Lahores, mes të cilëve ishin edhe Dr. Allama Iqbal dhe Sir Shahabuddin.

Duke treguar gjendjen e atij takimi, Babu Ghulam Muhammedi r.a. thotë:

“Natën, pas ushqimit, kur u shpërndanë shtretërit prej druri e litarësh (urd. çarpai), unë mora një shtrat të fortë dhe të madh. Por Çaudri Shahabuddin, i cili më vonë u quajt Sir Shahabuddin, ma hoqi dyshekun tim prej aty dhe ma zuri shtratin.”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. erdhi dhe e pyeti secilin:

“A keni ndonjë shqetësim?”

Çdo person tha:

“Huzur, nuk kam ndonjë shqetësim.”

Por kur erdhi te unë, unë po qëndroja i shqetësuar, sepse Çaudri Shahabuddini ma kishte zënë shtratin.

Unë thashë:

“Huzur, shtratin tim ma ka marrë Çaudri Shahabuddini dhe jam i hutuar se ku të fle.”

Huzuri tha:

“Prisni, unë po ju sjell një shtrat.”

Ai thotë:

“Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u largua. Kaloi mjaft kohë dhe shtrati nuk erdhi. Kur pashë brenda nga dera e oborrit të shtëpisë së Huzurit, çfarë të shihja? Një person po thurte shpejt-shpejt një shtrat prej druri e litarësh, ndërsa Huzuri a.s. ishte ulur pranë tij, me llambë në dorë, duke i bërë dritë.”

Kur e pashë Huzurin në këtë gjendje, u turpërova shumë. U afrova — dera ishte e hapur — dhe thashë:

“Huzur, ma jepni mua këtë llambë ta mbaj.”

Por Huzuri tha:

“Tani ka mbetur vetëm edhe një kthesë e fundit.”

Duke parë këtë moral të Huzurit, ndikimi mbi mua ishte aq i madh, sa më dolën lotët. Në atë kohë, duke parë fytyrën e bekuar të Huzurit, thoja me vete:

“Kjo fytyrë nuk mund të jetë kurrsesi fytyra e një gënjeshtari.”

“Mua nuk më vjen turp të eci në këmbë; pse të të vijë ty turp të hipësh?”

Shërbyesi i Huzurit, i ndjeri Mirza Ismail Beig, dëshmon se kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s., para se të merrte misionin, shkonte për të ndjekur çështjet gjyqësore sipas urdhrit të babait të tij të nderuar, me vete merrte edhe një kalë për udhëtim, dhe zakonisht edhe unë e shoqëroja.

Ai thotë:

“Kur Huzuri nisej, ai vetë ecte në këmbë dhe mua më hipte në kalë.”

Pra, shërbyesin e hipte mbi kalë, ndërsa vetë ecte në këmbë.

Ai thotë:

“Unë refuzoja vazhdimisht dhe thosha: ‘Huzur, më vjen turp.’ Huzuri thoshte:

‘Mua nuk na vjen turp të eci në këmbë, pse të të vijë ty turp të jesh hipur?’”

Kur nisej nga Kadijani, gjithmonë më hipte mua së pari. Kur kalonte pak a shumë gjysma e rrugës, unë zbrisja dhe ai hipte. Po kështu, kur ktheheshim nga gjykata, së pari më hipte mua, pastaj më vonë hipte vetë.

Kur Huzuri hipte, e linte kalin të ecte me atë hap që kishte vetë, në mënyrë që unë, duke ecur pranë, të mos lodhesha apo të mos kisha vështirësi.

Huzuri nuk e thërriste Molvi Muhammed Aliun; shkonte vetë te dhoma e tij

Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. tregon se Molvi Sher Aliu i kishte thënë:

“Kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kishte nevojë të pyeste diçka nga Molvi Muhammed Aliu, në vend që ta thërriste atë pranë vetes, shkonte vetë te dhoma e vogël e të nderuarit Molvi.”

Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. thotë:

“Unë sqaroj se në kohën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., Molvi Muhammed Ali Sahib banonte në një pjesë të shtëpisë së Huzurit. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i kishte dhënë Molvi Muhammed Ali Sahibit një dhomë në shtëpinë e tij, dhe zyra e tij e punës ndodhej në po atë dhomë të vogël që ishte pranë Xhamisë Mubarak, në anën lindore.”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkonte vetë atje, pranë tij. Fatkeqësia është se Molvi Sahibi nuk mori mësimin që duhej të merrte nga përulësia e Huzurit; në fund, ndjenja e madhështisë dhe e epërsisë e dëmtoi atë.

Në shëtitje njerëzit e shtynin pa dashje, por Huzuri a.s. nuk shfaqi kurrë pakënaqësi

Redaktori i gazetës “El-Hakam”, duke shkruar lidhur me thjeshtësinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., thotë:

Kur Huzuri a.s. dilte për shëtitje, nuk kishte asnjë dallim të tillë që dikush të mos ecte përpara tij. Madje, shpeshherë, disa sahabë me pozitë të lartë mendonin se pluhuri po ngrihej dhe Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ishte prapa. Rrugët ishin të pashtruara dhe nga ecja ngrihej dheu. Por Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kurrë nuk e mori parasysh një gjë të tillë.

Shpesh ndodhte që njerëzit vinin nga pas dhe, pa dashje, i binte ndonjë shtyrje Huzurit a.s., ose i dilte këpuca, domethënë dikujt i përplasej këmba, ose i binte shkopi për shkak të shtyrjes. Por askush nuk ka parë apo dëgjuar ndonjëherë që Huzuri a.s. të ketë shfaqur pakënaqësi, ose të ketë parapëlqyer ndonjë mënyrë të veçantë sjelljeje për vete. Nuk thoshte:

“A nuk ju shkon mendja të keni kujdes?”

Edhe në xhami ka ndodhur shumë herë që Huzuri a.s. ishte ulur mes sahabëve dhe, kur vinte ndonjë i huaj, ai shkonte më parë dhe i jepte dorën të nderuarit Maulana Molvi Abdul Kerim, ose Hazret Molvi Hakim Nurudinit, duke menduar se ai ishte Mesihu i Premtuar a.s. Pastaj këta të dy të nderuar u tregonin njerëzve me shenjë se cili është Hazret Mesihu i Premtuar a.s..

Me pak fjalë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ndoqi shembullin e Zotërisë së tij, Hazret Muhammed Mustafasë s.a.v.s., dhe veproi në të njëjtën mënyrë.

Huzuri përfundoi në tokë, ndërsa ndjekësit u ulën mbi çarçaf

Ekziston një transmetim nga i nderuari Dr. Basharat Ahmed. Ai thotë:

Bashkëshortja e të nderuarit Navab Muhammed Ali Khan të Malerkotlës ndërroi jetë. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkoi bashkë me xhenazen në varreza dhe e fali vetë namazin e xhenazes. Varri ende nuk ishte gati. Edhe unë isha me xhenazen. Njerëzit u angazhuan duke parë varrin. Edhe unë u ktheva nga ajo anë.

Pas pak, kur pashë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. nuk ishte aty. U shqetësova dhe pashë andej-këtej. Pastaj e pashë në një anë të kopshtit, ulur vetëm në tokë. Unë shpejt shtrova një çarçaf të bardhë nën një pemë dhe shkova t’i thosha:

“Këtu ka diell. Ju lutem, ejani atje nën hijen e pemës.”

Huzuri a.s. tha:

“Po, kjo është mirë.”

Ai u ul mbi atë çarçaf nën hijen e pemës. Edhe unë u ula afër tij.

Pas pak, kur njerëzit panë se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ishte ulur nën pemë, filluan të vinin aty. Tani, kushdo që vinte, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i thoshte:

“Ejani, ejani, uluni këtu.”

Dhe vetë zhvendosej më mbrapa, ndërsa atë që vinte e ulte mbi çarçaf. Njerëzit vazhdonin të vinin dhe Hazret Mesihu i Premtuar a.s. zhvendosej prapa, duke i ulur ata mbi çarçaf.

Nuk kaloi shumë dhe, kur pashë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ishte ulur në dhe, ndërsa të gjithë ndjekësit ishin ulur mbi çarçaf. Ata që vinin, nga dëshira dhe malli për ta parë dhe takuar Huzurin a.s., nuk e vunë re çfarë po ndodhte, se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kishte kaluar poshtë në tokë, ndërsa ata ishin ulur mbi çarçaf. Por unë po e shihja këtë dhe brenda zemrës ndihesha i shqetësuar. Në të njëjtën kohë, imani im po përparonte, duke menduar: çfarë pozite i ka dhënë Zoti këtij njeriu dhe sa shumë përulësi e modesti ka në nefsin e tij!

Kolonelit të krishterë Huzuri i shtroi çallmën

I nderuari Munshi Zafar Ahmed tregon një ngjarje nga ditët kur po zhvillohej debati me Abdullah Athamin në Amritsar. Ai thotë:

Me gjasë, ne po qëndronim në vilën e një prijësi të quajtur, Karim Bakhsh. Atje kolonel Altaf Ali Khan u bashkua me ne dhe më tha:

“Unë dua ta takoj Hazret Mesihun e Premtuar a.s. veçmas, në privatësi.”

Koloneli kishte veshur kostum evropian, xhaketë dhe pantallona, dhe kishte rruar mjekrën e mustaqet; pra ishte pa mjekër. Unë i thashë:

“Hyni brenda. Ne nuk do të lejojmë askënd të hyjë nga jashtë.”

Kështu, koloneli hyri brenda dhe qëndroi rreth gjysmë ore në privatësi pranë Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Kur koloneli doli jashtë, sytë i kishte plot lot. Lotët po i rridhnin. Unë e pyeta:

“Çfarë biseduat që jeni në këtë gjendje?”

Ai tha:

“Kur hyra brenda, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ishte ulur i përhumbur në mendimet e tij mbi një rrogoz, ndonëse mbi rrogoz kishte vetëm gjurin e tij, ndërsa pjesa tjetër e trupit ishte në tokë. Unë thashë: ‘Huzuri është ulur në tokë!’”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. mendoi se ndoshta unë, koloneli, nuk doja të ulesha mbi rrogoz. Prandaj Huzuri a.s. shtroi çallmën e tij mbi rrogoz, pra hoqi copën e tij të kokës, ose pjesën e çallmës, dhe e shtroi në tokë. Pastaj më tha:

“Uluni këtu.”

Sikur të thoshte: ndoshta nuk dëshironi të uleni mbi rrogoz; ja, po ju shtroj një copë, uluni mbi të. E hoqi copën nga koka dhe e shtroi për mua.

Koloneli thotë:

“Kur pashë këtë gjendje, më dolën lotët. I thashë: ‘Edhe pse në Angli jam pagëzuar, pra kam pranuar krishterimin, nuk jam aq pa iman sa të ulem mbi çallmën e Huzurit.’”

Huzuri a.s. tha:

“Nuk ka problem. Nuk ka asnjë të keqe. Uluni pa siklet.”

Sidoqoftë, thotë ai, unë e largova çallmën me dorë dhe u ula mbi rrogoz.

Pastaj fillova të tregoj gjendjen time:

“Unë pi shumë alkool dhe bëj edhe mëkate të tjera. Nuk e njoh emrin e Zotit dhe të të Dërguarit. Por tani, para jush, pendohem nga krishterimi dhe bëhem musliman.”

Pra, tha se edhe pse i ka ndodhur gjithë kjo, edhe pse u bë i krishterë, tani duke parë këtë gjendje të Huzurit dhe duke dëgjuar fjalët e tij, po bëhej musliman. Por veset që i janë ngjitur, po i dukeshin të vështira që t’i linte.

Huzuri a.s. tha:

“Bëni istigfar (lutje kërkimfalje) dhe bëni shprehi për namazet e pesë vakteve.”

Ky është ilaçi. Nëse kanë lindur të këqija dhe njeriu është larguar nga feja, duhet të bëjë istigfar sa më shumë dhe t’i kushtojë rëndësi namazeve.

Koloneli thotë:

“Për sa kohë që qëndrova pranë Huzurit, gjendja ime mbeti e tronditur dhe qaja vazhdimisht. Në po atë gjendje, duke premtuar se patjetër do të bëj istigfar dhe do të fal namazin, mora leje dhe dola. Ai ndikim është ende në zemrën time.”

Ky kolonel kishte marrë pjesë në të njëjtin debat dhe zakonisht ulej nga ana e të krishterëve. Por meqenëse natyra e tij ishte e mirë, Allahu i Madhërishëm bëri ndikimin e Tij dhe ai pranoi përsëri Islamin.

“Kur u zgjova, pashë se Huzuri ishte shtrirë në dysheme, pranë shtratit tim”, Molvi Abdul Kerimi

I nderuari Molvi Abdul Kerim Sialkoti tregon se kjo ngjarje me gjasë është e vitit 1896, sepse ai e botoi këtë rrëfim në vitin 1900, duke përmendur diçka që kishte ndodhur katër vjet më parë.

Ai thotë:

Familjarët e Huzurit a.s. kishin shkuar në Lud’hiana. Ishte muaji qershor dhe pjesa e brendshme e shtëpisë ishte ndërtuar rishtas. Në mesditë, aty ishte shtruar një shtrat prej druri e litarësh dhe unë u shtriva mbi të. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. po ecte.

Një herë, kur u zgjova, pashë se Huzuri a.s. ishte shtrirë në dysheme, pranë shtratit tim. Unë, i shqetësuar nga respekti, u ngrita menjëherë. Huzuri a.s. më pyeti me shumë dashuri:

“Pse u ngritët?”

Unë thashë:

“Ju jeni shtrirë poshtë, si mund të vazhdoj unë të fle sipër?”

Ai buzëqeshi dhe tha:

“Unë po jua bëja roje ngaqë fëmijët po bënin zhurmë dhe unë i ndaloja që të mos ju prishnin gjumin.”

bejat, Huzuri e uli Munshi Imam Dinin te koka e shtratit dhe vetë u ul te këmbët

I nderuari Munshi Imam Din e ka përshkruar pamjen e kohës së bejatit të tij. Ai thotë:

Në vitin 1894, bëra bejat në dorën e bekuar të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Deri në kohën e namazit të akshamit, vëllai im i nderuar Munshi Abdul Aziz dhe vëllai Xhemal Din Sekhvani ishin me mua. Pas namazit, i nderuari Munshi, duke treguar nga unë, i tha Hazret Mesihut të Premtuar a.s.:

“Huzur, merrjani bejatin këtij zotërie.”

Huzuri a.s. tha:

“Ejani brenda.”

Kur hyra vetëm në Bejtul-Fikr, Huzuri a.s. u ul nga ana e këmbëve të një shtrati prej druri e litarësh dhe më urdhëroi mua të ulesha nga ana e kokës së shtratit. Në fillim hezitova, por kur Huzuri a.s. më urdhëroi përsëri, u ula. Pastaj Huzuri a.s. ma mori bejatin.

Duke parë këtë sjellje të Huzurit a.s., mbeta i mahnitur: ku janë ata shehlerë pranë të cilëve askush nuk mund të ulet si i barabartë, dhe ku është Mesihu i Premtuar i Allahut, i cili një shërbyes të pavlerë si mua, e ul te pjesa e kokës së shtratit, pra në pjesën më të mirë të tij.

Vëllai im i nderuar Munshi Abdul Aziz, edhe pse nuk kishte hyrë brenda në dhomë, po e shihte këtë pamje nga jashtë.

“Çfarë nevoje kishte për lajmërim? Ju premtova dhe e përmbusha premtimin.”

I nderuari Munshi Zafar Ahmed thotë:

Një herë, i nderuari Munshi Arora dhe unë i thamë Huzurit në Lud’hiana:

“Huzur, ndonjëherë ejani edhe në Kapurthala.”

Në ato ditë, treni ende nuk kishte ardhur në Kapurthala. Huzuri premtoi:

“Patjetër do të vijmë ndonjë ditë.”

Pas kësaj, shumë shpejt, një ditë Huzuri erdhi në Kapurthala pa dhënë asnjë njoftim. Zbriti nga karroca me kalë, me të cilën kishte udhëtuar, dhe shkoi në Xhaminë Fateh Vali, pranë Nikka Khana në Kapurthala. Me të ishte edhe i nderuari Hafiz Hamid Ali.

Nga xhamia, Huzuri dërgoi mullain e atjeshëm, i cili nuk ishte ahmedian, që t’i njoftonte Munshi Arora dhe Munshi Zafar Ahmedin për ardhjen e tij.

Ai thotë:

“Unë dhe Munshi Arora ishim në gjykatë. Punonim në zyrën e gjykatës si stenografë. Mullai erdhi dhe na njoftoi: ‘Mirza Sahib ndodhet në xhami dhe më ka dërguar t’ju njoftoj.’”

I nderuari Munshi Arora, me një ton habie dhe pak zemërimi, tha në panxhabi:

“Të shohim, Mirza Sahib do të vijë e do të qëndrojë në xhaminë tuaj?! Si mund të ndodhë kjo? Mos gënje!”

Unë thashë:

“Duhet të shkojmë e ta shohim.”

Pastaj i nderuari Munshi Arora lidhi shpejt çallmën dhe u nis bashkë me mua. Kur shkuam në xhami, pamë se Huzuri ishte shtrirë në dysheme dhe i nderuari Hafiz Hamid Ali po i fërkonte këmbët. Afër kishte një tas dhe një lugë, nga çka dukej se ndoshta Huzuri kishte pirë qumësht, ose kishte ngrënë ndonjë bukë të njomur në të.

I nderuari Munshi Arora tha:

“Huzur, nëse do të vinit nga kjo anë, duhet të na kishit njoftuar. Ne do të ishim paraqitur në stacionin Kartarpur.”

Huzuri u përgjigj:

“Çfarë nevoje kishte për lajmërim? Ju premtova dhe e përmbusha premtimin.”

“Nëse dikush ka dhimbje, do të doja ta ndërprisja edhe namazin për ta ndihmuar”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Gjendja ime është e tillë që, nëse dikush ka dhimbje dhe unë jam i zënë me namaz, dhe zëri i tij më arrin në vesh, unë do të dëshiroja që, edhe duke e ndërprerë namazin, nëse mund t’i sjell dobi, do ta bëj dhe, sa të jetë e mundur, ta ndihmoj atë për t’i larguara dhimbjen.

Është kundër moralit që njeriu të mos i qëndrojë pranë vëllait të tij në fatkeqësi dhe dhimbje. Nëse nuk mund të bësh asgjë për të, të paktën lutu për të.

Lërini më njerëzit tuaj; unë them se edhe ndaj të huajve dhe hindusve duhet të tregoni shembullin më të lartë të moralit dhe të keni dhembshuri për ta. Kurrsesi nuk duhet të keni natyrë mospërfillëse.”

Kjo nuk ishte vetëm këshillë. Të gjitha ngjarjet që ju kam treguar dëshmojnë se pikërisht kjo ishte mënyra e veprimit të Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Plaka shtatëdhjetëvjeçare që kërkoi t’i lexohej një letër

Më tej, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

“Një herë po dilja për shëtitje. Me mua ishte një topograg, i quajtur Abdul Kerim. Ai ishte pak përpara dhe unë pas tij. Në rrugë na doli një plakë. Duhet të ketë qenë rreth shtatëdhjetë ose shtatëdhjetë e pesë vjeçe. Ajo i kërkoi topografit t’i lexonte një letër, por ai e largoi duke e qortuar.”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

“Kjo më goditi në zemër. Kur unë iu afrova asaj, ajo ma dha letrën mua. E mora, u ndala, ia lexova dhe ia shpjegova mirë.

Për këtë, topografi u turpërua, sepse u detyrua të ndalej, por mbeti edhe pa shpërblimin e një vepre të mirë. Sikur t’ia kishte lexuar letrën me përulësi, do të kishte qenë më mirë për të.”

“Në kuvendin e tij, të gjitha brengat e zemrës laheshin”

I nderuari Hazret Mirza Bashir Ahmed tregon:

“Dua të them se kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. takohej me dikë, takohej duke buzëqeshur. Dhe menjëherë, nga buzëqeshja e tij, largoheshin të gjitha shqetësimet e atij që takohej me të.

Çdo ahmedian e ndiente se, duke shkuar në kuvendin e tij, të gjitha brengat e zemrës laheshin. Sapo shikimi binte mbi fytyrën e tij të buzëqeshur, në të gjithë trupin përhapej një valë gëzimi.

Zakoni i tij ishte që ta dëgjonte me vëmendje edhe fjalën e njeriut më të thjeshtë dhe t’i përgjigjej me shumë dashuri. Çdo njeri, në vendin e vet, mendonte se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kishte më shumë dashuri pikërisht për të.

Disa njerëz që nuk i njihnin rregullat e kuvendit të të dërguarve, njerëz të thjeshtë e të paarsimuar në këtë drejtim, rrinin për një kohë të gjatë duke treguar histori që nuk kishin lidhje me çështjen. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. rrinte ulur në heshtje dhe i dëgjonte, dhe kurrë nuk i thoshte askujt: “Mjaft tani.”

“Kjo mënyrë nuk lejohet; thuhet selam dhe jepet dora”

Një person erdhi në shërbim të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Ai uli kokën dhe deshi ta vendoste te këmbët e Huzurit a.s. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ia largoi kokën me dorë dhe tha:

“Kjo nuk lejohet. Duhet të thuhet ‘es-selamu alejkum’ dhe të jepet dora.”

I nderuari Mufti Muhammed Sadik shkruan se nga Kashmiri vinte një ahmedian i varfër, shtatlartë, me shumë sinqeritet. Ai e bënte gjithë rrugën nga fshati i tij deri në Kadijan në këmbë. Emri i tij me gjasë ishte Akedxhu.

Një herë ai kishte ardhur në Kadijan. Një mëngjes, kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. doli jashtë për të shkuar në shëtitje, ai kashmirian po qëndronte në shesh. Kur e pa Hazret Mesihun e Premtuar a.s., nga dashuria e madhe, duke qarë, e çoi kokën te këmbët e tij.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u përkul, e ngriti dhe tha:

“Kjo nuk është e lejuar. Njeriu nuk duhet t’i bëjë sexhde njeriut tjetër.”

Pra, asnjë njeriu nuk duhet t’i bësh sexhde, pra, nuk duhet të përkulesh me nderim te këmbët e njeriut tjetër.

“Unë nuk kam ardhur të bëhem idhull e që njerëzit të më adhurojnë”

Po kështu, i nderuari Molvi Abdul Kerim Sialkoti shkruan:

Një herë, një person që ishte i dhënë pas fakirëve të botës dhe pas shehlerëve, dhe që ishte mësuar duke ndenjur në kuvendet e tyre, erdhi në xhaminë tonë. Ai ishte mësuar me kuvendet e shelerëve dhe të sexhada-nishinëve. Kur pa njerëzit duke biseduar lirisht me Hazret Mesihun e Premtuar a.s., u habit.

Ai i tha Huzurit a.s.:

“Në xhaminë tuaj nuk paska respekt.”

Ky njeri, i ardhur nga kuvendet e shehlerëve, i tha Hazret Mesihut të Premtuar a.s.:

“Në xhaminë tuaj nuk ka fare edukatë. Njerëzit rrinë ulur pa ndonjë ndrojtje, pa frikë, pa hezitim, dhe bisedojnë me ju.”

Pra, sipas tij, njerëzit nuk po tregonin nderimin dhe respektin që duhej ndaj Huzurit a.s.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

“Nuk është parimi im që të ulem me një natyrë kaq të ashpër dhe me një pamje të frikshme, sa njerëzit të kenë frikë prej meje ashtu siç kanë frikë prej një bishe të egër. Unë e urrej shumë të bëhem idhull. Unë kam ardhur për ta hedhur poshtë idhujtarinë, jo që vetë të bëhem idhull dhe njerëzit të më adhurojnë.

Allahu i Madhërishëm e di më mirë se unë nuk i jap vetes as edhe një grimë përparësi ndaj të tjerëve. Sipas meje, nuk ka idhujtar dhe të ndyrë më të madh se njeriu mendjemadh. Mendjemadhi nuk adhuron asnjë Zot; përkundrazi, ai adhuron veten.”

Në stacionin e Amritsarit, Huzuri mbante një fëmijë në krah dhe një çantë të rëndë

I nderuari Hazret Mirza Bashir Ahmed transmeton një ngjarje nga i nderuari Munshi Zafar Ahmed. Ai thotë:

Një herë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s., duke u kthyer nga Delhi, zbriti në Amritsar. Hazret Ama Xhan (bashkëshortja) ishte gjithashtu me të. Huzuri mori në krah një djalë, i cili me gjasë ishte Mian Bashir Ahmed, dhe në anën tjetër mori një çantë të rëndë. Pra, në njërën anë mbante fëmijën, ndërsa në anën tjetër çantën.

Mua më tha:

“Ju merrni pandanin (një kuti e vogël).”

Edhe unë isha me të. Huzuri më tha të mbaja pandanin, pra kutinë e vogël të panit. Unë thashë:

“Huzur, ma jepni mua këtë çantë.”

Ai tha:

“Jo.”

Edhe pasi ia thashë një ose dy herë, Huzuri përsëri tha të njëjtën gjë. Atëherë unë mora kutinë e vogël dhe u nisëm.

Ndërkohë, dy a tre anglezë të rinj që ndodheshin në stacion më thanë:

“Thuaji Huzurit të ndalet pak.”

Unë i thashë:

“Huzur, këta dëshirojnë që ju të ndaleni pak.”

Huzuri u ndal. Ata anglezë ishin aty në stacion dhe, në po atë gjendje, i bënë fotografi Huzurit: ai kishte marrë fëmijën në krah dhe mbante edhe sendet. Ata donin t’i bënin fotografi.

Pavarësisht thjeshtësisë së tij të madhe, ata njerëz u ndikuan nga personaliteti i Huzurit dhe thanë se dëshironin t’i bënin fotografi këtij njeriu të madh.

Mian Xhan Muhammedi foli derisa iu tha goja, ndërsa Huzuri e dëgjoi në këmbë

I nderuari Malik Maula Bakhsh tregon:

Një njeri me emrin Mian Xhan Muhammed banonte përballë shtëpisë sonë në Amritsar. Ai ishte shumë llafazan. Librin e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. “Surma Çashm Arja” pothuajse e kishte mësuar përmendësh, dhe megjithëse ishte i paarsimuar, debatonte shumë mirë me arjët (hindu).

Ai kaloi në depresion dhe çrregullim mendor. Këdo që takonte, e ndalonte për një kohë të gjatë dhe i tregonte me hollësi gjendjen e sëmundjes së vet. Njerëzit lodheshin duke dëgjuar fjalët e tij dhe filluan t’i shmangeshin.

Dikush i tha:

“Shko në Kadijan dhe kurohu te Hazret Molvi Hakim Nuruddin.”

Ai tha:

“Ai është njeri i madh. Kur do ta dëgjojë ai rrëfimin tim?”

Pra, ai mendonte: “Hazret Kalifi i Parë, si do ta dëgjojë rrëfimin tim kaq të gjatë?”

Ai person i tha:

“Jo, ai është njeri me moral shumë të lartë. Patjetër do t’i dëgjojë fjalët e tua.”

Kështu, ky person erdhi në Kadijan. Ndodhi që sapo zbriti nga karroca, në po atë kohë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. po kthehej nga shëtitja bashkë me shërbyesit e tij. Karrocieri i tha:

“Ja, Hazret Mirza Sahibi po vjen.”

Atëherë ai person zbriti nga karroca, shkoi drejt e te Huzuri, i dha dorën dhe filloi t’i tregonte gjendjen e sëmundjes së tij, ashtu siç fliste në atë gjendje ankthi e çrregullimi. Filloi të tregonte një histori shumë të gjatë. Rrëfimi u zgjat aq shumë sa të gjithë njerëzit u lodhën, por Hazret Mesihu i Premtuar a.s. qëndroi me qetësi, duke ia mbajtur dorën në dorën e tij dhe duke i dëgjuar të gjitha.

Më në fund, vetë Mian Xhan Muhammedi, pra ai i sëmurë, tha:

“M’u tha goja. Nuk mund të flas më. Unë fola kaq gjatë dhe ju vazhdoni të më dëgjoni.”

Atëherë Huzuri tha:

“Shumë mirë. Shkoni në bujtinë, hani e pini diçka, pastaj tregojani gjendjen Molvi Sahibit”, pra Hazret Hakim Molvi Nuruddin Sahibit, “dhe merrni ilaçe prej tij.”

Kështu, pasi u çlodh, ai shkoi te Hazret Hakim Nuruddin Sahibi dhe filloi po atë rrëfim të gjatë. Hazret Molvi Sahibi, sapo dëgjoi pak, e kuptoi sëmundjen, sepse ishte mjek, dhe menjëherë shkroi recetën. Tha:

“Unë e kuptova sëmundjen tuaj.”

Dhe nuk e dëgjoi gjithë rrëfimin e gjatë. Ai e mori recetën, por tha:

“Thoshin se Molvi Nuruddini është njeri me moral shumë të lartë; por ç’lidhje ka morali i tij me moralin e Hazret Mirza Sahibit!”

Kjo sjellje e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ndikoi aq shumë tek ai, saqë ai bëri bejat. Më parë nuk kishte bërë bejat, por pas kësaj e bëri. I nderuari Malik Maula Bakhsh thotë se këtë ngjarje ma tregoi i ndjeri Dr. Ibadullah, në prani të vetë atij personi, dhe ai vetë e vërtetoi.

“Lëreni bacën të vijë përpara” — pastaj Huzuri vetë shkoi te plaku i dobët

Po kështu, i nderuari Hazret Mirza Bashir Ahmed shkruan se Master Allah Ditta e ka treguar me shkrim këtë ngjarje:

Një herë në Lahore, në “Pallatet Ahmedia”, Huzuri ishte ulur. Nga Sherkpur Bhini erdhi për ta parë Huzurin një plak shumë i dobët dhe i pafuqishëm, me emrin Mustekim. Nga turma e miqve, ai nuk mundi të arrinte deri te Huzuri dhe foli me zë të lartë:

“Huzur, unë kam ardhur për t’ju parë!”

Huzuri tha:

“Lëreni bacën të vijë përpara.”

Ai ishte plak, por nuk ngrihej dot mirë. Atëherë Huzuri tha:

“Mos e mundoni bacën.”

Pastaj Huzuri vetë u ngrit dhe shkoi e u ul pranë tij.

Në Dera Baba Nanak, njerëzit menduan se Molvi Muhammed Ahseni ishte Mesihu i Premtuar a.s.

Po kështu, i nderuari Hazret Mirza Bashir Ahmed transmeton nga i nderuari Dr. Mir Muhammed Ismail:

Kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkoi bashkë me disa shërbyes në Dera Baba Nanak për të parë mantelin e Baba Sahibit, atje, nën një pemë baniani, njerëzit e Xhematit shtruan disa copa dhe u ulën bashkë me Huzurin. Me ta ishte edhe i nderuari Molvi Muhammed Ahsan.

Kur njerëzit e fshatit morën vesh për ardhjen e Huzurit, filluan të mblidheshin atje. Disa prej tyre që erdhën më herët, duke menduar se i nderuar Molvi Muhammed Ahsan ishte Mesihu i Premtuar, i dhanë dorën atij dhe u ulën. Pas tre-katër vetave që i dhanë dorën, u kuptua se ata ishin ngatërruar.

Pas kësaj, i nderuari Molvi Muhammed Ahsan, sa herë që ndonjë person i jepte dorën atij, e drejtonte nga Huzuri dhe i thoshte se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ishte ai.

“Ai nuk jetoi si princ mogul, por si një mësues i varfër”

I nderuari Shejh Abdul Kadir shkruan se djali i madh i Hazret Mesihut të Premtuar a.s., i ndjeri Hazret Mirza Sultan Ahmed, thoshte:

“Babai i nderuar nuk e kaloi jetën si një mogul, por si një mësues i varfër (fekir).”

Pra, ai ishte bir i një familjeje fisnike, ishte mogul, por perferoi të jetonte me modesti të skajshme.

“Si mund të rrinte ai aty për mua? I keni bërë padrejtësi karrocierit”

Kanhaije Lal, sarrafi i Kadijanit, tregon:

Një herë vetë Hazret Mirza Sahib duhej të shkonte në Batala. Ai më tha që t’i organizoja një karrocë me kalë. Kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. arriti te kanali, iu kujtua se diçka i kishte mbetur në shtëpi. E la karrocierin aty dhe vetë u kthye në këmbë.

Ndërkohë, karrocieri gjeti pasagjerë të tjerë te ura dhe u nis për në Batala. Me sa duket, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkoi në Batala në këmbë.

Unë e thirra karrocierin, e rraha dhe i thashë:

“O i mjerë! Sikur të ishte Mirza Nizam Dini, edhe po të të duhej të rrije tri ditë aty, do të rrije. Por ngaqë ky është njeri i mirë dhe me natyrë dervishi, ti e le dhe u largove!”

Sidoqoftë, kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. mori vesh për këtë, më thirri dhe më tha:

“Si mund të rrinte ai aty për mua? I doli punë për të fituar dhe u largua. Pse i bëtë padrejtësi atij?”

Tehexhud, pesë namazet dhe pendimi që sjell ndryshim të vërtetë

Hazret Mesihu i Premtuar a.s., duke këshilluar, thotë:

“Njeriu duhet të përpiqet të ngrihet për tehexhud dhe në pesë namazet të shtojë edhe lutje me përgjërim. Të pendohet nga çdo gjë që e zemëron Zotin.

Me pendim nënkuptohet që, duke braktisur të gjitha veprat e këqija dhe të gjitha shkaqet që sjellin pakënaqësinë e Zotit, njeriu të bëjë një ndryshim të vërtetë, të hedhë hap përpara dhe të përvetësojë takvanë. Të përmirësojë moralin e tij. Edhe në këtë ka mëshirë të Zotit. Njeriu duhet t’i bëjë të hijshme zakonet e tij. Të mos jetë nevrik. Nervozizmin ta zëvendësojë me modestinë dhe përulësinë. Bashkë me përmirësimin e moralit, sipas mundësisë së vet, njeriu duhet të përvetësojë edhe dhënien e sadakasë.”

Këto ishin këshilla që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ia dha Xhematit.

“Zemërimi lind atëherë kur njeriu i jep përparësi vetes mbi tjetrin”

Pastaj Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Për njerëzit e takvasë [ata që kanë druajtje ndaj Zotit], kusht është që ta kalojnë jetën në varfëri dhe modesti.”

Pra, të jetosh në varfëri dhe modesti është një degë e takvasë, nëpërmjet së cilës duhet të përballemi me zemërimin e padrejtë.

“Për njohësit dhe sidikët më të mëdhenj, shkalla e fundit dhe më e vështirë është pikërisht të ruhen nga zemërimi. Vetëpëlqimi dhe mendjemadhësia gjithashtu lindin nga zemërimi; dhe po ashtu vetë zemërimi është rezultat i vetëpëlqimit dhe mendjemadhësisë, sepse zemërimi lind atëherë kur njeriu i jep përparësi vetes mbi tjetrin.”

“I madh është ai që e dëgjon fjalën e të varfrit me përulësi”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Nuk dua që njerëzit e Xhematit tim ta konsiderojnë njëri-tjetrin të vogël ose të madh, ose të mendojnë për njëri-tjetrin me përçmim, ose ta shohin njëri-tjetrin me sy nënçmues. Zoti e di kush është i madh dhe kush është i vogël.

Kjo është një lloj përçmimi. Dhe ai që ka brenda përçmim, ka rrezik që ky përçmim, si një farë, të rritet dhe të bëhet shkak i shkatërrimit të tij.

Disa njerëz, kur takojnë të mëdhenjtë, sillen me shumë respekt. Por i madh është ai që e dëgjon fjalën e të varfrit me përulësi, ia ngushëllon zemrën, e nderon fjalën e tij dhe nuk i hedh në fytyrë ndonjë fjalë që e lëndon.”

“Ai që e ngacmon dikë, nuk do të vdesë derisa edhe vetë nuk bie në të njëjtën sprovë”

Allahu i Lartësuar thotë:

وَلَا تَنَابَزُوا بِالْأَلْقَابِ ۖ بِئْسَ الِاسْمُ الْفُسُوقُ بَعْدَ الْإِيمَانِ ۚ وَمَن لَّمْ يَتُبْ فَأُولَٰئِكَ هُمُ الظَّالِمُونَ

“… mos i ngjisni nofka të këqija njëri-tjetrit. Është shumë e keqe njolla e ligësisë pas besimit. Dhe ata që nuk pendohen, janë keqbërës.” (Kurani i Shenjtë 49:12)

Duke e shpjeguar këtë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Mos i vini njëri-tjetrit emra për ta ngacmuar apo për ta tallur. Ky është veprim i të pabindurve dhe i keqbërësve. Ai që e ngacmon dikë, nuk do të vdesë derisa edhe vetë nuk bie në të njëjtën sprovë.

Mos i konsideroni vëllezërit tuaj të ulët. Kur të gjithë pini ujë nga i njëjti burim, kush e di se në fatin e kujt është të pijë më shumë? Askush nuk mund të bëhet i nderuar dhe madhështor sipas parimeve të kësaj bote. Tek Zoti, i madh është ai që ka më shumë takva (druajtje ndaj Zotit).”

Pastaj Hazret Mesihu i Premtuar a.s. përmend ajetin:

إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِندَ اللَّهِ أَتْقَاكُمْ ۚ إِنَّ اللَّهَ عَلِيمٌ خَبِيرٌ

“Pa dyshim, prej jush më i nderuari tek Allahu është ai që është më i druajturi (ndaj Tij). Sigurisht, Allahu është i Gjithëdijshëm, i Gjithinformuar.” (Kurani i Shenjtë 49:14)

Allahu i Lartësuar na dhëntë mundësinë të krijojmë në veten tonë përulësi dhe modesti të vërtetë. Dhe pasi kemi hyrë në bejatin e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., Allahu na bëftë prej atyre që veprojnë sipas mësimit të vërtetë të Islamit dhe që e përmbushin të drejtën e këtij bejati.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem
Share via