Përulësia e Mesihut të Premtuar a.s. | Shembuj dhe këshilla për Xhematin
(Hutbja e së xhumasë e Hazret Mirza Masrur Ahmedit, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, e mbajtur më 29.05.2026)
“Rrugët e tua të përulura i pëlqyen Atij”
Në jetën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. gjejmë shembuj të panumërt të përulësisë dhe thjeshtësisë së tij; shembuj që ai i shfaqi si shërbëtor i sinqertë i Zotërisë dhe Udhëheqësit të tij, Hazret Muhammed Mustafasë s.a.v.s. Po ashtu, duke ndjekur mësimet dhe sunetin e Profetit Muhammed s.a.v.s., ai e këshilloi vazhdimisht Xhematin e tij që të përvetësonte këtë përulësi dhe thjeshtësi. Sot do të përmend disa ngjarje dhe këshilla pikërisht rreth kësaj teme.
Duke parë standardet e larta të përulësisë së Mesihut të Premtuar a.s., vetë Allahu i Madhërishëm i dha atij dëshmi për këtë nëpërmjet frymëzimit (ilham). Më 18 mars 1907, Mesihu i Premtuar a.s. mori këtë frymëzim (ilham):
“Rrugët e tua të përulura i pëlqyen Atij.”
“Jam shembulli i jetës së parë të Mesihut në butësi, përulësi dhe mbështetje te Zoti”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në një vend thotë:
“Më është bërë e qartë se ky modest, në butësinë, në përulësinë, në mbështetjen te Zoti, në sakrificën, në shenjat dhe në dritat e veta, jam shembulli i jetës së Mesihut të parë. Natyra e këtij modesti dhe natyra e Mesihut kanë dalë shumë të ngjashme me njëra-tjetrën, sikur të jenë dy pjesë të të njëjtit mineral ose dy fruta të së njëjtës pemë. Madje, shkalla e bashkimit është aq e madhe, pra është një bashkim i së njëjtës natyrë, saqë në shikimin keshfi dallimi është jashtëzakonisht i hollë.
Po ashtu, edhe në mënyrë të jashtme ka një ngjashmëri. Dhe ajo është kështu: Mesihu ishte ndjekës dhe shërbëtor i fesë së një Profeti të përsosur dhe madhështor, pra i Musait a.s., dhe Ungjilli i tij ishte degë e Tevratit. Edhe ky modest është prej shërbëtorëve më të vegjël të atij Profeti madhështor, i cili është Zotëria i të gjithë të Dërguarve dhe kurora e të gjithë Profetëve.”
“Çfarë mundimi paskemi bërë ne para sakrificave të sahabëve?”
Një herë, një person i tha Hazret Mesihut të Premtuar a.s.:
“Huzur, jeni munduar shumë gjatë shkrimit të librit Hakikatul-Vahji gjatë leximeve të përsëritura të dorëshkrimit.”
Ky ishte libri që u shkrua në periudhën e fundit të jetës së tij. Ai person tha:
Huzur, jeni munduar shumë në shkrimin e tij dhe në leximin e përsëritur të bocave të librit, dhe pikërisht për këtë arsye gjendja juaj shëndetësore po përkeqësohet herë pas here. Prandaj, Huzur, duhet të pushoni plotësisht për disa ditë dhe të hiqni dorë krejtësisht nga leximi e shkrimi.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u përgjigj:
“Çfarë mundimi paskam bërë?! Unë turpërohem kur shikoj mundimet e sahabëve r.a., se si ata, me gëzim, dhanë edhe kokat e tyre për hir të Zotit.”
“Unë nuk jam i prirë të kërkoj lavdërim për veten”
Në një vend tjetër, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Njerëzit mendjeshkurtër kundërshtojnë duke thënë se unë i ngre gradat e mia përtej kufirit.”
Pra, ata thoshin se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. po i ngrinte shumë gradat e veta. Ai tha:
“Unë betohem në Allahun e Madhërishëm dhe them se në natyrën time nuk ekziston fare dëshira për lavdërime. Nuk kam aspak dëshirë të shfaqem me madhështi. Unë gjithmonë kam pëlqyer jetën e përulësisë dhe të panjohurisë. Por nuk ishte në dorën dhe fuqinë time të qëndroja ashtu. Vetë Allahu i Madhërishëm më nxori në publik. Dhe aq sa Ai ka shfaqur lavdërimin dhe madhështinë time në fjalën e Tij që më është zbritur, ai është vullneti i Tij.”
Dhe tha:
“E gjithë kjo lavdi dhe e gjithë kjo madhështi i përket Profetit Muhammed s.a.v.s.”
Edhe muslimanët e rinj, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i këshillonte për përulësinë dhe thjeshtësinë e Islamit. Kështu, është shkruar se më 22 tetor 1903, në shërbim të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. erdhi një musliman i ri nga Australia, me emrin Muhammed Abdul Hak. Gjatë bisedës, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i tha:
“Një prej parimeve tona është edhe ky: ne bëjmë një jetë të thjeshtë. Të gjitha ato formalitete që Evropa e sotme i ka bërë domosdoshmëri të jetës, kuvendi ynë është i pastër prej tyre. Ne nuk jemi të lidhur pas zakoneve dhe ceremonive. Ne respektojmë çdo zakon vetëm deri në atë masë, që braktisja e tij të mos shkaktojë ndonjë vështirësi ose ndonjë mëkat.”
Pra, deri aty ku të mos shkaktohet vështirësi dhe të mos lindë mëkat.
“Përndryshe, në ushqim, pije, ulje dhe ngritje, pëlqejmë jetën e thjeshtë.”
“Njeriu është krijuar për përulësi”
Këto janë standardet e larta të përulësisë që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. dëshironte t’i krijonte edhe te pjesëtarët e Xhematit të tij. Kështu, në një vend ai thotë:
“Njeriu duhet të zgjedhë përulësinë. Të mësohesh me përulësinë nuk është e vështirë. Çfarë ka për t’u mësuar në të? Njeriu, në vetvete, është i dobët dhe është krijuar pikërisht për përulësi.
مَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ
‘Unë i kam krijuar xhindët dhe njerëzit vetëm të Më adhurojnë.’ (Kurani i Shenjtë 51:57)
Mendjemadhësia dhe gjëra të tilla janë të gjitha të sajuara. Nëse njeriu e heq këtë shtresë të sajuar, atëherë në natyrën e tij do të shihet vetëm përulësia.”
Pra, ky është ai parim përmes të cilit fitohet edhe afërsia e Allahut të Madhërishëm.
Duke këshilluar për përulësinë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në një vend thotë:
“Të bekuar janë ata njerëz që e konsiderojnë veten më të rënduar me gjynahe më të vegjlit nga të gjithë, që flasin me përulësi e modesti, që nderojnë të varfrit dhe nevojtarët, që i trajtojnë të përulurit me respekt, që kurrë nuk tallen nga ligësia dhe mendjemadhësia, që e përkujtojnë Zotin e tyre Bujar dhe që ecin mbi tokë me përulësi. Prandaj unë them vazhdimisht se pikërisht për njerëz të tillë është caktuar shpëtimi.
Ai që nuk del që në këtë botë nga xhehenemi i ligësisë, i mendjemadhësisë, i vetëpëlqimit, i arrogancës, i dashurisë për dynjanë, i lakmisë dhe i veprave të këqija, nuk do të dalë kurrë prej këtij xhehenemi as në botën tjetër.”
Pra, veprat e mira që bëhen në këtë botë do të jenë ato që do t’i vlejnë njeriut edhe në botën tjetër.
“Zot, më jep fjalë që të ndikojnë në zemrat e Xhematit tim”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Çfarë të bëj dhe nga ku t’i sjell ato fjalë që të ndikojnë në zemrat e këtij grupi?”
Pra, në zemrat e atyre që më pranojnë.
“O Zot! Më dhuro fjalë të tilla dhe më frymëzo ligjërime të tilla që të hedhin dritën e tyre mbi këto zemra dhe, me vetinë e tyre shëruese, t’ua largojnë helmin.
Shpirti im po përpëlitet nga kjo dëshirë: a do të vijë ndonjë ditë kur në Xhematin tim të shoh me shumicë njerëz të tillë, të cilët vërtet e kanë braktisur gënjeshtrën dhe kanë bërë një besëlidhje të sinqertë me Zotin e tyre, se do ta ruajnë veten nga çdo e keqe dhe do të largohen plotësisht nga mendjemadhësia, e cila është rrënja e të gjitha ligësive; dhe gjithnjë t’i frikësohen Zotit të tyre.”
Përparësia për t’u ulur përpara në xhelsa nuk duhet të bëhet çështje egoje
Disa njerëz kanë dëshirë që në disa raste, në ditët e xhelsës ose kur zhvillohen evente, të ulen përpara, sidomos në karriget e para. Në xhelsa e tubime të ngjashme, ndonjëherë ka zona të gjelbra ose vende të tilla, ku disa njerëz shprehin dëshirë të veçantë për t’u ulur përpara, që të jenë më afër dhe të dëgjojnë Kalifin e kohës.
Në vetvete kjo dëshirë është e drejtë, por ndonjëherë në të përzihet edhe egoja. Kjo nuk duhet të ndodhë, sepse pastaj kjo u krijon probleme edhe atyre që merren me organizimin.
Sidoqoftë, duke i këshilluar ata që kanë dëshira të tilla, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Njeriu duhet që, kur shkon diku, të caktojë për veten vendin më të ulët. Nëse ai është i denjë për ndonjë vend tjetër, vetë mikpritësi do ta thërrasë, do t’i japë vend dhe do ta nderojë.”
Nëse duhet të ulet përpara, është në rregull. Ka një sistem. Organizatorët thonë: “Bëni kërkesën, ne do ta shqyrtojmë.” Por nëse sistemi nuk ta pranon kërkesën, ose për shkak të ndonjë detyrimi ta refuzon, atëherë duhet ta pranosh përgjigjen pa asnjë kundërshtim dhe pa krijuar asnjë ankesë në zemër.
Dashuria e Allahut kërkon thyerjen e mendjemadhësisë
Edhe për të fituar dashurinë hyjnore, përulësia është e domosdoshme. Lidhur me këtë, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Njeriu nuk mund të fitojë dashurinë dhe pëlqimin e Allahut, derisa nuk do të bëjë dy hapa të rëndësishëm:
Së pari, “të thyejë” mendjemadhësinë e tij në mënyrë që koka kryeneçe të bjerë dhe të rrafshohet me tokën; pra, të largojë të gjitha mendimet që i vijnë nga mendjemadhësia që të përvetësojë përulësinë.
Dhe, së dyti, “të copëtojë” lidhjet e tij të vjetra.”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i referohet ajetit të Kuranit që flet për copëtimin e malit nga frika e Allahut. Ai vijon:
“Njësoj si një gur që çahet dhe copëtohet në atë mënyrë që çdo pjesë e tij ndahet nga pjesa tjetër, edhe njeriu duhet të ndahet nga lidhjet e tij të këqija të mëparshme që i shkaktonin mospëlqimin e Zotit dhe më pas takimet, dhe miqësitë e tij, dashuria dhe urrejtja e tij, të jenë për hir të Zotit.”
Kuptimi është që lidhjet e vjetra, prej të cilave lindnin të këqijat në jetën tënde, ato lidhje të gabuara duhet t’i shkëputësh. Nuk është kuptimi që të ndërpresësh lidhjet familjare apo farefisnore.
“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”
Në një vend, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Për t’u ruajtur nga mëkati ndaj Allahut, ky ajet është:
إِيَّاكَ نَعْبُدُ وَإِيَّاكَ نَسْتَعِينُ
“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” (Kurani i Shenjtë 1:5)
Ata njerëz që vazhdojnë të luten me përulësi para Zotit të tyre, duke menduar se ndoshta ndonjë përulësi e tyre do të pranohet, Allahu i Madhërishëm Vetë bëhet Ndihmuesi i tyre.”
Adhuruesi që qau si qen për të shfaqur përulësinë e skajshme
Në lidhje me këtë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tregon një rrëfim. Një person bënte shumë ibadet i lutej shumë Zotit:
“O Allah, më çliro nga mëkatet.”
Pasi bëri shumë lutje, ai mendoi: “Si mund të arrihet përulësia më e madhe? Pastaj, pasi mendoi, iu duk se nuk ka krijesë më të përulur se qeni. Ai filloi të qante me zërin e qenit.
Një person tjetër mendoi se në xhami kishte hyrë ndonjë qen dhe se mos ia ndotte enët. Kur erdhi dhe pa, aty ishte po ai adhurues; nuk kishte asnjë qen. Më në fund, e pyeti:
“Këtu po qante një qen. Se kështu e dëgjova. Kush ishte?”
Ai adhurues tha:
“Unë jam qeni.”
Pastaj e pyeti:
“Pse po qaje kështu?”
Ai tha:
“Allahu i Madhërishëm e pëlqen përulësinë. Prandaj mendova se, ndoshta në këtë mënyrë, përulësia ime do të pranohet.”
Sidoqoftë, kjo ishte mënyra e të menduarit të tij dhe ai veproi sipas saj. Qëllimi i tij ishte të bëhej gjëja më e përulur, në mënyrë që disi të fitonte afërsinë e Allahut të Madhërishëm.
Njeriu shpëton vetëm kur e sheh veten më të vogël nga të gjithë
Në të njëjtin kontekst, Mesihu i Premtuar a.s. në një vend thotë:
“Njeriu, që është një krijesë e dobët, për shkak të pasojës së keqe të veprave të tij fillon ta konsiderojë veten të madh.”
Është pikërisht pasoja e keqe e veprave që lind në njeriun ndjenja e madhështisë. Tek ai hyn mendjemadhësia dhe arroganca.
“Në rrugën e Allahut, derisa njeriu të mos e konsiderojë veten më të voglin nga të gjithë, nuk mund të shpëtojë.”
Shembulli i farës
Duke i këshilluar ata që hyjnë në bejatin e tij për të arritur standarde të larta përulësie, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Kuptimi i vërtetë i bejatit është “të shesësh veten”. Bekimet dhe ndikimet e tij janë të lidhura pikërisht me këtë kusht.
Ashtu si një farë mbillet në tokë — kur mbillet fara në tokë, gjendja e saj fillestare është sikur ajo doli nga dora e bujkut dhe nuk dihet më se ku është dhe çfarë do të ndodhë me të. Ajo hidhet në tokë, fshihet brenda saj, në thellësi, dhe tani nuk dihet çfarë gjendjeje do të ketë. Por nëse ajo farë është e mirë dhe ka brenda vetes fuqinë e rritjes, atëherë me bekimin e Allahut dhe me përpjekjen e bujkut, ajo del lart, mbin, nxjerr filiza, dhe nga një kokërr bëhen mijëra kokrra.
Po kështu, njeriu që bën bejat, në fillim duhet të përvetësojë përulësinë dhe thjeshtësinë, dhe duhet të ndahet nga egoja dhe dëshirat e ulëta të nefsit. Vetëm atëherë ai bëhet i aftë për rritje shpirtërore. Por ai që, bashkë me bejatin, mban edhe egoizmin e nefsit, nuk merr kurrë bekim.”
Pa përulësi, as bejati nuk ka ndonjë dobi.
Sa më shumë butësi e modesti, aq më shumë kënaqësi e Allahut
Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Sa më shumë butësi të përvetësoni dhe sa më shumë modesti e përulësi të tregoni, aq më shumë Allahu i Madhërishëm do të jetë i kënaqur me ju.”
Ai thotë:
“Ai që me përulësi kërkon kënaqësinë e Allahut, Allahu kënaqet me të.”
Ademi a.s. u fal për shkak të përulësisë, ndërsa shejtani u mallkua për shkak të mendjemadhësisë
Pastaj, lidhur me atë se çfarë fiton njeriu nga përulësia, ose ku e çon njeriun mendjemadhësia, Mesihu i Premtuar a.s. shpjegon këtë pikë dhe thotë:
“Në fillim, edhe Ademi bëri gabim dhe edhe shejtani bëri gabim. Por tek Ademi nuk kishte mendjemadhësi. Prandaj ai e pranoi mëkatin e tij para Allahut të Madhërishëm dhe mëkati i tij u fal. Prej kësaj, njeriu mund të ketë shpresë se mëkatet falen përmes pendimit.”
Kur Allahu i Madhërishëm ia fali gabimin Ademit, atëherë edhe njeriu, nëse tregon përulësi dhe pendohet, duhet të shpresojë se Allahu i Madhërishëm do ta falë.
“Por shejtani u tregua mendjemadh dhe u mallkua.”
Mbi të ra mallkimi i Allahut.
Mendjemadhësia nuk është natyra e njeriut
“Ajo gjë që nuk gjendet te njeriu, pra mendjemadhësia, njeriu mendjemadh përsëri e merr përsipër pa asnjë të drejtë. Njeriu mund të bëhet i përulur; kjo është gjendja që i përshtatet natyrës së tij.
Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Njeriu mendjemadh përgatitet kot së koti për të bërë pretendimin e një gjëje që nuk i takon.”
Domethënë, mendjemadhësia nuk është në natyrën e njeriut. E megjithatë, pa arsye, ai fillon të pretendojë mendjemadhësi, njësoj si shejtani.
Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Te profetët gjenden shumë mjeshtëri shpirtërore. Një prej tyre është mjeshtëria e zhdukjes së egos.”
Pra, ta shuash egon.
“Tek ata nuk mbetet ego. Ata sjellin mbi nefsin e tyre një lloj vdekjeje. Madhështia i përket Zotit. Ata njerëz që nuk bëjnë mendjemadhësi dhe sillen me përulësi, nuk humbasin.”
Kur zemërohesh për një fjalë të vogël kundër egos
Pastaj, duke këshilluar për të përvetësuar përulësinë, në një rast Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:
“Ende ka shumë njerëz në Xhemat që, nëse dëgjojnë edhe një fjalë të vogël kundër egos së tyre, menjëherë zemërohen. Ndërkohë është shumë e nevojshme që t’i largosh të gjitha këto shfaqje të zemërimit, në mënyrë që të lindë butësia dhe durimi në natyrën tënde.
Shihet se kur fillon diskutimi për një çështje fare të vogël, secili mendon si ta mposhtë tjetrin; secili mendon si të dalë fitimtar. Në raste të tilla duhet të ruheni nga zemërimi. Për të shmangur grindjen, në çështje të vogla njeriu duhet me vetëdije ta zgjedhë përulësinë për vete. Nuk duhet të përpiqet aspak që duke kunërshtuar në një debat, ta poshtërojë tjetrin.”
Nëse e shqyrtojmë këtë në jetën tonë, do të shohim se ka shumë njerëz që kanë këtë ndjenjë të rreme nderi dhe egoje; prandaj edhe grindjet shtohen. Por nëse njeriu dëshiron të fitojë afërsinë e Allahut të Lartësuar, atëherë duhet të çlirohet prej kësaj. Madje disa përpiqen t’i shkaktojnë dëm tjetrit; nganjëherë bëjnë ankesa në mënyrë të gabuar, duke thënë: “Në filan vend u zumë, filani më tha keq”, dhe pastaj përpiqen që në ndonjë mënyrë të gabuar ta përfshijnë tjetrin në ndonjë çështje të rreme ose ta ndëshkojnë një mënyrë ose në tjetër.
Lazri i varfër dhe i pasuri që kërkoi një pikë ujë
Në një rast, duke dhënë shembullin e atyre që përvetësojnë përulësinë para vdekjes, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:
“Vdekja është e caktuar për të gjithë. Në fund, një ditë e njëjta gjendje do t’u vijë të gjithëve. Por ata që vdesin me vetëmjaftueshmëri, pa ligësi, në modesti dhe përulësi, për t’i pritur ata, sikur vetë Xheneti vjen përpara.”
Siç e ka përmendur Hazret Isai a.s. lidhur me Lazrin.”
Kush ishte Lazri që përmendet këtu? Kjo ngjarje është shkruar në Dhiatën e Re, në Ungjillin e Lukës.
“Ishte një njeri i pasur që vishej me cohë të kuqe e me pëlhurë të çmueshme dhe gostitej shkëlqyeshëm si një ditë përditë.”
Kështu është shkruar kjo ngjarje në Ungjill.
Ndërsa një i varfër me emrin Lazar ishte i mbushur me plagë e ulcera; kishte puçrra e plagë, pra vuante nga sëmundje e lëkurës, dhe ishte lënë te dera e atij të pasuri. Ai rrinte te porta e të pasurit.
“e dëshironte të ngihej me dromcat që binin nga tryeza e pasanikut.”
Pra mendonte se çfarë ushqimi të tepronte atje, kur ta hidhnin jashtë, edhe ai do të mund të hante prej tij. “Madje edhe qentë vinin e ia lëpinin plagët.” Ai ishte aq i dobët dhe i pafuqishëm sa nuk mund t’i largonte as qentë, të cilët vinin e i lëpinin plagët.
Në fund, sipas Biblës: “Vdiq skamnori e engjëjt e çuan në prehër të Abrahamit. Vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.”
“Në ferr, ndër mundime të mëdha, çoi sytë e pa prej së largu Abrahamin dhe Lazrin në prehrin e tij e bërtiti: ‘O atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazrin ta lagë majën e gishtit të vet në ujë e të ma flladisë gjuhën se po mundohem për së tepërmi në këtë flakë.’”
Pra, tha: Dërgoje Lazarin. Më shpëto edhe mua nga ky mundim, që të paktën ta lagë gishtin dhe të vendosë pak ujë mbi gjuhën time, sepse po përpëlitem në këtë zjarr.
Abrahami tha:
“Abrahami iu përgjigj: ‘Mos harro, o bir, se ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti, ky këtu gëzon e ti vuan.” (Luka 16:19 – 25)
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha se ky është përfundimi i atyre që bëjnë mendjemadhësi. Derisa njeriu të mos sillet me një plakë të varfër e të pafuqishme me atë moral që sillet, ose duhet të sillet, me një njeri të fisëm e me pozitë të lartë; dhe derisa të mos e ruajë veten nga çdo lloj mburrjeje, arrogance dhe mendjemadhësie, ai kurrsesi nuk mund të hyjë në mbretërinë e Allahut të Madhërishëm.
Mendjemadhi dëshiron të ulet në Fronin e Zotit
Pastaj Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Mendjemadhi dëshiron të ulet në fronin e Zotit. Prandaj kërkoni gjithmonë mbrojtje nga kjo cilësi e shëmtuar. Edhe sikur të gjitha premtimet e Allahut të Lartësuar të jenë me ju, ju përsëri tregohuni të përulur; sepse pikërisht i përuluri është i dashuri i Allahut të Lartësuar.”
Pra, edhe nëse keni premtime, edhe atëherë shfaqni përulësi, sepse ai që tregohet i përulur është i dashur për Allahun e Lartësuar.
Mbreti me lebër që shkoi te Xhalinusi me rroba fakiri
Lidhur me modestinë dhe përulësinë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tregon një ngjarje dhe thotë:
“Modestia dhe vetëmjaftueshmëria janë gjëra të shkëlqyera. Ai që, megjithëse është nevojtar, bëhet mendjemadh, nuk mund ta arrijë kurrë synimin e tij. Ai duhet të përvetësojë përulësinë.
Thuhet se Xhalinusi, mjeku i urtë, ishte në shërbim të një mbreti.”
Ky është një rrëfim tjetër.
“Mbreti e kishte zakon të hante gjëra aq të këqija, saqë Xhalinusi ishte i bindur se mbreti do të sëmurej me lebër.”
Ishin ushqime të gabuara. Edhe sot shpesh flasin të mos hani ushqime të dëmshme. Edhe në atë kohë do të ketë pasur gjëra të tilla. Sidoqoftë, Xhalinusi ishte i sigurt se këto gjëra do ta sëmurnin dhe mund ta çonin deri në lebër.
“Prandaj, ai gjithmonë e ndalonte mbretin, por mbreti nuk hiqte dorë. I lodhur prej kësaj, Xhalinusi u largua prej andej dhe shkoi në vendin e vet.”
E la oborrin mbretëror dhe u kthye në atdheun e tij.
“Pas një kohe, në trupin e mbretit filluan të shfaqeshin shenjat e lebrës. Në fund ndodhi pikërisht ajo që kishte thënë Xhalinusi. Kur filloi të sëmurej nga lebra, mbreti e kuptoi gabimin e tij dhe përvetësoi përulësinë. E uli djalin e tij në fron, veshi rroba prej varfanjaku dhe u nis prej andej, derisa mbërriti te Xhalinusi.
Xhalinusi e njohu dhe i pëlqeu përulësia e mbretit, pra i pëlqeu fakti që ai e kishte pranuar gabimin dhe kishte ardhur tek ai. Pastaj Xhalinusi u përkushtua me të gjithë fuqinë në kurimin e tij.” Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha se ai “u angazhua plotësisht në trajtimin e tij dhe atëherë Allahu i Lartësuar i dha shërim.”
“Do t’i mbroj banorët e shtëpisë, përveç atyre që u ngritën me mendjemadhësi”
Në një prej takimeve të tij, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. përmendi një frymëzim (ilham) të tij dhe dha një këshillë. Në transmetim kjo përmendet kështu:
Pas namazit të sabahut, ose në kohën e sabahut, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. erdhi para namazit dhe mbajti një kuvend të shkurtër. Pra, erdhi edhe para namazit të sabahut dhe zhvilloi një kuvend.
Lidhur me frymëzimin (ilhamin):
إِنِّي أُحَافِظُ كُلَّ مَنْ فِي الدَّارِ إِلَّا الَّذِينَ عَلَوْا وَاسْتَكْبَرُوا.
“Unë do ta mbroj secilin që është brenda kësaj shtëpie, përveç atyre që u rebeluan dhe u bënë mendjemadhenj.”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha se me “rebelim” dhe “mendjemadhësi” këtu nuk nënkuptohet vetëm mendjemadhësia e pasurisë dhe pozitës, por përfshin çdo person që nuk e paraqet veten para Zotit me përulësi dhe nënshtrim, dhe nuk u bindet urdhrave të Tij, qoftë edhe i varfër.
Pra, në këtë shtëpi do të hyjë vetëm ai që është i përulur.
Përulësia pas suksesit është shenjë e përsosmërisë
Pastaj, në një rast, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:
“Kur njeriu arrin sukses dhe nuk mbetet më në gjendje dobësie e fatkeqësie, atëherë ai që në atë kohë zgjedh përulësinë dhe e kujton Zotin, është njeri i përsosur.”
Këto gjëra Hazret Mesihu i Premtuar a.s. nuk ia tha Xhematit vetëm si këshillë, por i vërtetoi edhe me veprat e tij. Në fillim dhashë edhe shembullin se veprimi i tij i pëlqeu edhe Allahut të Lartësuar. Sidoqoftë, ka disa transmetime për vetë veprimin e tij.
Mesihu i Premtuar a.s. ulej me njerëzit e zakonshëm
Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. ka transmetuar se Mirza Sultan Ahmedi i tregoi:
“Gjyshi i jepte karrige xhaxhait tonë, Mirza Ghulam Kadirit.”
Pra, kur në kuvend rrinin ulur, xhaxhai i Hazret Mirza Sultan Ahmedit, domethënë vëllai i madh i Hazret Mesihut të Premtuar a.s., ulej në karrige. Kur shkonte te gjyshi, ai e ulte në karrige. Por babai im shkonte dhe ulej vetë poshtë mbi shtrojë.
Sa herë që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkonte në atë kuvend, ulej mbrapa, aty ku uleshin njerëzit e zakonshëm, në shtrojë. Ndonjëherë gjyshi i thoshte të ulej sipër, por ai i përgjigjej:
“Unë jam mirë këtu ku jam ulur.”
Kurrë nuk pati dëshirë të ulej në një vend të lartë, përkundrazi ulej mes njerëzve të zakonshëm. Ashtu siç ai vetë kishte këshilluar më parë se mikpritësi vetë do ta ulë njeriun aty ku duhet, pikërisht këtë e zbatoi gjithmonë në jetën e tij.
“Po, një ditë më duhej të kullosja dhitë deri në mbrëmje”
Po kështu, Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. transmeton një tjetër ngjarje. Ai thotë:
“Kazi Amir Husein Sahib më tha se një herë e pyetëm Hazret Mesihun e Premtuar a.s.: ‘Huzur, në hadith vjen se të gjithë profetët kanë kullotur dhi. Po ju, a keni kullotur ndonjëherë dhi?’”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:
“Po. Një herë dola në ara. Aty një person po kulloste dhi. Ai më tha: ‘Unë po shkoj për pak për një punë. Të lutem, kujdesu për dhitë e mia.’ Por ai shkoi në një mënyrë të tillë që u kthye vetëm në mbrëmje. Derisa ai u kthye, mua m’u desh të kullosja dhitë e tij.”
Pra, Mesihu i Premtuar a.s. i kulloti dhitë e tij gjithë ditën. Edhe pse ai ishte prej një familjeje fisnike të asaj zone, bir i një prijësit të zonës, nuk e konsideroi aspak turp këtë punë. Deri në mbrëmje vazhdoi të kulloste dhitë e atij njeriu, i cili ishte ndoshta bujk ose punëtor i tij.
“Nuk e kam dëgjuar kurrë të flasë pa thënë ‘xhi’ (i nderuar)”
Duke përmendur përulësinë e Mesihut të Premtuar a.s., Hazret Hoxha Abdurrahman, punonjës i zyrës së gazetës “El-Fazl”, tregon:
“Unë kam bërë roje te dera e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Rrija jashtë derës së tij për mbrojtje, për t’u dhënë mesazhe atyre që hynin e dilnin, për të njoftuar ose për të kryer ndonjë punë të nevojshme.”
Pra, thotë se rrinte jashtë te dera. Pastaj thotë:
“Kam bërë roje dhe kam qëndruar gjatë edhe brenda shtëpisë së Huzurit; shkoja edhe brenda.”
Ai thotë:
“Unë nuk e kam dëgjuar kurrë Hazret Mesihun e Premtuar a.s. të thoshte ndonjë fjalë tjetër përveç ‘xhi’ (i nderuar).”
Pra, sa herë që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. fliste me mua, gjithmonë fliste duke përdorur fjalën “i nderuar” (“xhi” në urdu), me respekt. Sa herë që fliste, patjetër e përdorte këtë fjalë nderimi.
Ai thotë:
“Nuk kam parë kurrë tek ai mendjemadhësi apo mburrje. Gjithmonë fliste me butësi. Në fytyrën e tij gjithmonë kishte mikpritje e buzëqeshje. Nuk e kam parë kurrë me vetulla të vrenjtura ose me fytyrë të ngrysur. Nuk kam dëgjuar kurrë që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. t’i ketë thënë dikujt ‘o ti’ në mënyrë përçmuese, ose të ketë përdorur fjalën ‘ti’ në mënyrë të ashpër.”
Pra, ai nuk përdorte kurrë fjalë të tilla. Gjithmonë sillej me respekt.
Kur binte shi, Mesihu i Premtuar a.s. ngrinte vetë shtretërit e fëmijëve
Hazret Mirza Bashir Ahmed r.a. shkruan se Dr. Mir Muhammed Ismail i tregoi:
“Hazret Mesihu i Premtuar a.s. nuk e konsideronte kurrë turp të bënte ndonjë punë shtëpie. I shtronte vetë shtretër tradicional që ishin prej druri e litarësh; pastronte edhe dyshemenë, pra fshinte, lante; shtronte shtratin; merrte fshesë në dorë dhe fshinte.
Ndonjëherë binte shi papritur. Fëmijët e vegjël vazhdonin të flinin mbi shtrat prej druri e litarësh. Atëherë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kapte vetë njërën anë të atyre shtretërve, ndërsa nga ana tjetër e kapte ndonjë person tjetër, dhe kështu i çonte brenda në verandë.”
Sot ka kondicionerë, ventilatorë e mjete të tjera, por në atë kohë nuk kishte të tilla. Prandaj, në verë njerëzit flinin jashtë në oborr. Nëse natën vinte stuhi ose shi, duhej t’i ngrinin shtretërit që ishin prej druri dhe litaresh, dhe t’i çonin brenda në verandë. Mesihu i Premtuar a.s. vetë i ngrinte shtretërit e fëmijëve.
Nëse në një rast të tillë, ose në mëngjes, dikush përpiqej t’i zgjonte fëmijët duke i tundur fort, Huzuri e ndalonte dhe thoshte:
“Duke e tundur papritur ose duke i bërtitur, fëmija frikësohet. Zgjojeni duke i folur ngadalë.”
“Çfarëdo ushqimi që vinte në dhomën e sipërme, Mesihu i Premtuar a.s. e hante pa thënë asgjë”
Po Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. transmeton një tjetër ngjarje. Ai thotë se Mirza Sultan Ahmed i tregoi — dhe ai vetë këtë transmetim e kishte dëgjuar nga Molvi Rahim Bakhshi, i cili tha
“Babai i tij rrinte në çobara, pra në dhomën e sipërme të shtëpisë. Atje i dërgohej edhe ushqimi. Çfarëdo lloj ushqimi që kishte, ai e hante.
Këtu Mirza Sultan Ahmed Sahib po flet për Hazret Mesihun e Premtuar a.s. dhe thotë se babai im në një dhomë të sipërme, në katin e dytë, që ishte pak e ndarë nga shtëpia kryesore. Atje i dërgonim ushqimin.
Bëhet fjalë për periudhën kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. agjëroi për një kohë të gjatë. Thotë se ata i dërgonin ushqim, të cilin ai ua shpërndante të varfërve. Sidoqoftë, thotë se ushqimin ia dërgonim atje dhe çfarëdo lloj ushqimi që të ishte, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e hante dhe nuk thoshte kurrë asgjë.
Debati me Molvi Muhammed Husein Batalviun u mbyll, sepse ai pranoi Kuranin dhe hadithin
Në historinë e Xhematit është shumë e njohur një ngjarje. Kjo është para deklaratës së Hazret Mesihut të Premtuar a.s.
Kur Molvi Muhammed Husein Batalviu u kthye në Batala nga Delhi, si një hoxhë dhe dijetar i ri, u shqua dhe u bë i njohur në të gjithë zonën. Në atë kohë, debatet shkencore për çështje të ndryshme midis mukal-lidëve dhe gajri mukal-lidëve ishin të zakonshme.
Mukal-lidë quhen ata që ndjekin një imam të ndonjë medhhebi, si hanefi, maliki e të tjerë. Ndërsa gajri mukal-lidë quhen ata që nuk ndjekin ndonjë imam të medhhebit, si Ehli Hadithi e të tjerë.
Kur banorët e Batalas panë këtë zhurmë e polemikë, menduan për Hazret Mesihun e Premtuar a.s. dhe vendosën që ta nxirrnin atë përballë tij. Ata ishin të bindur se vetëm ai mund t’ia mbyllte gojën këtij hoxhe të ri.
Me shumë vështirësi e bindën Hazret Mesihun e Premtuar a.s. për këtë debat. Ai fillimisht nuk ishte gati. Sidoqoftë, njerëzit insistuan shumë dhe ai pranoi. E sollën për debat. Nga të dyja palët u mblodh një numër i madh mbështetësish.
Të dy grupet, me përkrahësit e tyre, u mblodhën aty. Në veçanti, atë ditë grupi i mukal-lidëve ishte me të drejtë i sigurt për fitoren e vet të mëparshme, sepse për debat ishte thirrur ky dijetar i madh.
Ata mendonin se sot do të fitonin patjetër, sepse Hazret Mirza Ghulam Ahmedi i Kadijanit a.s. kishte ardhur vetë. Mënyra e tij e kapjes në argument ishte e tillë që kundërshtari bëhej si një zog i zënë në rrjetë, pa fuqi dhe pa rrugëdalje.
Sidoqoftë, kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. mbërriti në vendin e debatit, e pyeti Molvi Muhammed Husein Batalviun:
“Cilat janë mendimet, pikëpamjet dhe bindjet tuaja? Na i tregoni, që të debatojmë rreth tyre.”
Molvi Muhammed Husein Batalviu tha:
“Sipas meje, Kurani i Shenjtë është i pari. Pastaj vjen hadithi, fjala e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Sipas këtyre duhet të merret vendimi.”
Kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e dëgjoi këtë bindje të hoxhës në fjalë, tha:
“Sipas meje, në bindjet dhe pikëpamjet tuaja nuk ka asgjë të tillë që të jetë e kundërshtueshme dhe që duhet të refuzohet.”
Njerëzit që e kishin sjellë Hazret Mesihun e Premtuar a.s. menduan se kjo do të llogaritej si humbje për ta dhe pala kundërshtare do t’i binte daulles së fitores.
Pra, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i kishte thënë drejtpërdrejt hoxhës se nuk shihte asgjë të kundërshtueshme në bindjet e tij. Prandaj ata menduan se, sido që të jetë, në këtë fushë debati duhej t’i vihej të paktën ndonjë njollë ose shenjë turpi hoxhës së nderuar. Por Hazret Mesihu i Premtuar a.s., i lirë nga krenaria e fitores dhe nga turpi i humbjes, duke shfaqur përulësi dhe thjeshtësi të skajshme, u kthye prej andej.
“Mbretërit do të kërkojnë bekim nga rrobat e tua”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s., duke përmendur këtë ngjarje, ka shkruar:
“Në vitin 1868 ose 1869, më erdhi edhe një ilham (frymëzim) i çuditshëm në gjuhën urdu, të cilin është me vend ta shkruaj këtu. Rasti i këtij ilhami ishte ky:
I nderuari Molvi Ebu Seid Muhammed Husein Batalvi, i cili në një kohë kishte qenë edhe shok shkolle i këtij modesti, kur sapo ishte bërë molvi dhe erdhi në Batala, banorëve të Batalas iu dukën të rënda mendimet e tij. Atëherë një person më detyroi shumë mua të pavlerë që të debatoja me Molviun e lartpërmendur për një çështje kundërshtuese.
Kështu, me shumë këmbëngulje nga ana e tij, ky modest, në kohën e mbrëmjes, shkoi bashkë me atë person në shtëpinë e hoxhës së lartpërmendur dhe e gjeti hoxhën e nderuar bashkë me babanë e tij në xhami.
Shkurt, pasi dëgjova fjalimin e hoxhës së lartpërmendur në atë kohë, kuptova se në fjalimin e tij nuk kishte ndonjë teprim që të ishte i kundërshtueshëm. Prandaj, vetëm për hir të Allahut, e lashë debatin.
Natën, Zoti i Madhërishëm, më dërgoi frymëzim në komunikimin e Tij, duke iu referuar pikërisht kësaj lënie të debatit, tha:
‘Zoti yt u kënaq me këtë veprim tëndin dhe Ai do të të japë shumë bekim, aq sa mbretërit do të kërkojnë bekim nga rrobat e tua.’
Pastaj, pas kësaj, në gjendje keshfi, m’u treguan ata mbretër që ishin hipur mbi kuaj. Sepse përulësia dhe nënshtrimi u zgjodhën sinqerisht vetëm për hir të Zotit dhe të të Dërguarit të Tij, prandaj Ai Mirëbërës Absolut nuk deshi ta linte këtë pa shpërblim.”
Hazret Shejh Jakub Ali Irfaniu e ka përmendur këtë ngjarje në veprën e tij “Hajat-e Ahmed” dhe ka shkruar edhe një shënim lidhur me të. Ai shkruan:
“Njerëzit e njohin mirë stilin e zakonshëm të debateve dhe gjendjen e atyre që bëjnë debate. Ata e dinë mirë se sa e vështirë është që njeriu ta pranojë fjalën e palës kundërshtare ose të rivalit të tij, kur ajo është e drejtë, dhe ta pranojë para publikut.
Unë nuk i nënçmoj dijetarët, por për dijetarët është më e lehtë të japin jetën sesa të pranojnë gabimin e tyre; madje, lëre më gabimin e vet, atyre nuk u ka mbetur as zakoni që të pranojnë fjalën e drejtë dhe të arsyeshme të palës tjetër.”
Kjo gjendje është e njëjtë edhe sot.
“Por gjendja e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ishte krejtësisht e zhytur në sinqeritet dhe në dëshirën për të fituar kënaqësinë e Allahut. Nga kjo ngjarje del edhe se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. natyrshëm nuk e pëlqente që mes muslimanëve të kishte luftë të brendshme dhe që, për shkak të dallimeve në çështje fetare, ata ta braktisnin kërkimin e së vërtetës, dëshirën për të gjetur të vërtetën dhe thënien e së vërtetës.
Dhe sa guxim e trimëri e madhe është kjo: ai shkon për të debatuar me një person dhe arrin në shtëpinë e tij. Në natyrën e tij nuk ka asnjë pengesë, asnjë druajtje nga dija apo ndikimi i atij personi. Por, sapo dëgjon nga goja e tij një fjalë të drejtë, nuk kujdeset aspak se çfarë do të thonë njerëzit; a do ta quajnë këtë shmangie nga debati, apo do ta interpretojnë si ndikim e frikë nga pala tjetër. Kur fjala ishte e drejtë, ai e pranoi. Atë që ishte e drejtë, e pranoi. Nuk u shqetësua aspak se çfarë thonë njerëzit dhe, me pranimin e tij, vendosi vulën mbi saktësinë e asaj fjale.
Ky është një veprim, shembulli i të cilit nuk gjendet askund përveçse në jetën e profetëve a.s. dhe të ndjekësve të tyre të veçantë. Sinqeriteti në fe dhe forca për t’i shtypur dëshirat e egos dhe epshit mund të jepen vetëm me bekimin e Allahut të Lartësuar.
Shenjat e pranimit të këtij veprimi u shfaqën menjëherë në atë kohë. Allahu i Lartësuar dha lajmin e gëzuar përmes frymëzimit të Tij dhe, sikur, i dha certifikatën e fjalëve “radijallahu anhu”.
Njeriu në botë dëshiron që pranimi i tij të shtohet dhe njerëzit të kthehen drejt tij. Allahu i Lartësuar, si fryt i këtij veprimi, tregoi:
“Mbretërit do të kërkojnë bekim nga rrobat e tua.”
Kjo ishte ajo periudhë kur ende nuk kishte lindur as mendimi për përpilimin dhe sistemimin e “Berahin-e Ahmedijja”, e jo më të kishte ndonjë deklaratë. Ai po jetonte pothuajse një jetë të shkëputur nga bota. Edhe lidhjen e punësimit e kishte braktisur. Mendimet për mënyrën se si do të kalonte jeta në të ardhmen nuk e shqetësonin zemrën dhe mendjen e tij, megjithatë familjarët patjetër e kishin këtë shqetësim se çfarë do të bënte ai.
Pikërisht në atë kohë Zoti i dërgoi shpalljen duke thënë “mbretërit do të kërkojnë bekim”, kur ai nuk kishte asgjë. Në atë kohë, edhe babai i tij i nderuar ishte ende gjallë.
Në moshën kur njeriu kërkon emër, ai zgjodhi të mos debatonte
Me pak fjalë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ishte në atë fazë të jetës ku një njeri i kësaj bote ka shumë shpresa. Ishte ajo pjesë e moshës kur çdo lloj mendimi, ndjenja e vetënderimit dhe dëshira për vetëshfaqje janë në kulmin e tyre, kur njeriu ngulmon për fjalën e vet.
Në të gjitha këto rrethana, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkon për debat me një hoxhë të njohur dhe, pasi dëgjon fjalën e tij dhe e gjen të saktë, e pranon atë. Nuk i shkon në mendje se çfarë do të thonë njerëzit, as nuk shqetësohet se ai person po kundërshtohej nga publiku për shkak të disa bindjeve të tij dhe se, duke folur kështu, ai po e mbështeste atë. Nuk mendoi se edhe kundër tij mund të ngrihej një stuhi sjelljeje të pahijshme.
Prandaj, mendoni pak: në ato rrethana, kur midis hanefinjve dhe gajri mukal-lidëve po zhvillohej një luftë shumë e ashpër dhe mbështetja e një Ehli Hadithi nënkuptonte marrjen përsipër të fatkeqësive të shumta. Por, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e mbështeti hoxhën e nderuar Muhammed Husein Betalviun, ndonëse ishte thirrur për të debatuar kundër tij.
Kjo nuk ishte frikë nga Molvi Muhammed Husein Batalviu, por sinqeritet në fe
Do të ishte thjesht marrëzi të mendohej se dija apo fuqia e hoxhës Muhammed Husein Betalvi mund të ketë bërë që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. të heshtte. Ndoshta ky dyshim mund të kishte ndonjë vend, nëse ngjarjet e mëvonshme nuk do ta kishin treguar të kundërtën; nëse më pas nuk do të kishin ndodhur debatet e drejtpërdrejta dhe me shkrim me hoxhën në fjalë; dhe nëse përballë kundërshtimit të tij të rrezikshëm nuk do të kishte dalë ky shërbyes i ri i përsosur i Profetit Muhammedit s.a.v.s.
Pra, nuk është mendim i drejtë që në atë kohë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u ndikua prej tij, sepse më vonë historia vërteton se ai e sfidoi disa herë hoxhën Muhammed Huseinin, e thirri, dhe i tregoi gjithashtu se çfarë po bënte gabim dhe çfarë ishte e drejtë.
Pastaj shkruhet:
Kurrë, në asnjë gjendje, as për një sekondë, frika nga dija apo ndikimi i tij nuk mund të ketë ndikuar mbi Hazret Mesihun e Premtuar a.s. Këto janë fakte dhe askush nuk mund t’i mohojë. Prandaj, në një gjendje të tillë, ta mendosh këtë është padituri.
Përkundrazi, në thelb të kësaj kishte vetëm një gjë, dhe ajo ishte sinqeriteti në fe. Në çështjen e fesë kishte sinqeritet. Prandaj Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e pranoi atë fjalë në atë kohë; nuk e pranoi nga frika prej hoxhës Muhammed Husein Batalvi. Sepse më vonë ai e sfidoi disa herë, e ftoi dhe e këshilloi që të vinte në rrugën e drejtë.
Letra drejtuar hoxhës Muhammed Husein Batalvi: mesazh i së vërtetës me përulësi të skajshme
Në letrën e tij drejtuar hoxhës Muhammed Husein Batalvi, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i shkroi dhe i përcolli mesazhin e së vërtetës. Megjithatë, pavarësisht se ishte i ngritur në pozitën e lartë të të qenit i caktuar nga Zoti, ai u tregua skajshmërisht i përulur dhe i thjeshtë. Kështu, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i shkruan:
“Mik i nderuar dhe i respektuar, vëllai im hoxhë i nderuar, sel-lemehu teala. Letra juaj e mbërriti.”
Në atë letër kishte shkruar edhe: “Es-selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu.” Sidoqoftë, ai shkruan:
“Për këtë modest është shumë e vështirë, sepse shpeshherë gjendja ime shëndetësore përkeqësohet papritur në një mënyrë të tillë, saqë vdekja më duket përpara syve. Njëfarë sëmundjeje më shoqëron ditë e natë. Nëse flas shumë, fillon kriza e sëmundjes. Nëse mendoj shumë, po ajo krizë më kaplon.
Meqenëse letra juaj e fundit erdhi dhe dukej sikur ishte shkruar bashkë me hoxhën e nderuar Abdul Xhabbar, domethënë sikur të dy e kishit shkruar së bashku, prandaj përgjigjja u shkrua në atë mënyrë.
Unë modest, nga mbizotërimi i sëmundjes, po bëhem krejt i pafuqishëm.”
Pra, në atë kohë sëmundja ishte shumë e fortë. Ai vijon:
“Ku kam unë fuqi që të filloj debate me gojë ose me shkrim? Në këtë kohë nuk kam forcë për të bërë debate. Vetëm me bekimin e Allahut të Lartësuar u shkruan këta tre libra.”
Këtu bëhet fjalë për librat që kishte shkruar: “Fet’h Islam” (Fitorja e Islamit), “Teudih-e Meram” dhe “Izale-e Euham”. Ai thotë se ato u shkruan në këtë mënyrë:
“Shpesh një person tjetër shkruante fjalët që unë modest i diktoja, dhe shumë rrallë ndodhi që të shkruaja diçka me dorën time. Nuk më jepet as koha që ta rregulloj bukur shprehjen.”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s., duke i shkruar hoxhës së nderuar, thotë:
“Dituria juaj e hadithit është shumë e gjerë.”
Pra, i shkruan: unë kam shkruar këta tre libra, ndërsa ju keni dije shumë të gjerë në hadith dhe jeni dijetar i madh. Pastaj, duke folur për veten, thotë:
“Kurse unë jam një njeri umi dhe i paditur.”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e quajti veten “umi” dhe “i paditur”. Ai shfaq përulësi të skajshme dhe thotë:
“Nuk kam as adhurim, as ushtrime shpirtërore. Nuk kam as dije, as aftësi. Me pak fjalë, nuk kam asgjë.”
Pastaj thotë:
“Nga ana e Allahut të Lartësuar ishte një urdhër, dhe ishte i prerë. Unë modest e përcolla atë. Pranimi apo mospranimi varet nga mendimi dhe kuptimi i secilit.”
Kështu, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ia bëri tabligën me përulësi të skajshme.
“Zoti më gjeti në pluhur dhe më ngriti”
Një letër e Huzurit a.s. drejtuar Hazret Munshi Ahmed Xhanit është botuar, dhe në të përmendet gjithashtu përulësia dhe thjeshtësia e Mesihut të Premtuar a.s. Ai shkruan:
“Letra e dashamirësisë së zotërisë suaj të nderuar më mbërriti. Nuk mund ta falënderoj Zotin Mirëbërës për mirësitë e Tij, që më ka mundësuar mua që jam më i vogli i robërve, të kem miq kaq të sinqertë, ekzistenca e të cilëve për mua të pavlerë është shkak nderi dhe krenarie. Zoti Mirëbërës ju mbajtë të lumtur e të gëzuar dhe ju shpërbleftë për këto vëmendje të sinqerta.
Jam shumë i pavlerë dhe gjendem poshtë. Është krejtësisht mirësi dhe nder i Zotit të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit që mbi mua të padenjë, pa pasur as edhe një grimë meritë, Ai po lëshon shiun e shumë mirësive. Ai sheh gabim pas gabimi dhe bën mirësi pas mirësie. Sheh padrejtësi pas padrejtësie dhe jep dhuratë pas dhurate. Në të vërtetë, Ai është jashtëzakonisht i Mëshirshëm dhe Fisnik. Nga ta sjell atë gjuhë që të mund ta falënderoj Atë?
Unë jam asgjë dhe tërësiht poshtë; jam pa asnjë pasuri dhe krejtësisht i varfër. Ai më gjeti në pluhur dhe më ngriti. Allahu i Lartësuar më gjeti në tokë dhe më ngriti. Më pa krejt të padenjë dhe më mbuloi të metat. Duke parë dobësinë time, Ai vetë më dha fuqi; duke parë paditurinë time, Ai vetë më dhuroi dije.”
Pra, e gjithë dija që kam, thotë ai, është e dhuruar nga Allahu.
“Ai më bëri mirësi të tilla që nuk mund t’i numëroj. Një prej shfaqjeve të këtyre mirësive të Tij është edhe kjo: Ai vendosi në zemrat e vëllezërve të nderuar si ju dashurinë për më të pavlerin si unë. Prandaj, i përket mirësive të Tij që Ai do ta shtojë këtë dashuri dhe do të bëjë mirësi mbi të gjithë ata që i ka lidhur në këtë varg.”
Pra, ata që tani janë lidhur me Xhematin tim, Allahu i Lartësuar do t’i përparojë.
Duke botuar këtë letër, Hazret Shejh Jakub Ali Irfaniu shkruan në një shënim:
“Nga kjo letër duket se mbi zemrën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. mbizotëron pa masë dashuria dhe madhështia e Allahut. Po ashtu, në të shfaqet edhe shkalla e përsosur e modestisë, e vetëmjaftueshmërisë dhe e përulësisë së tij. Në të folurën e tij flet shpirti i mirënjohjes për këto mirësi dhe dhurata hyjnore.”
Hoxha: “Unë e ngrita në qiell, tani do ta rrëzoj në tokë”
Kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. bëri deklaratën se ishte Mesih i ngjashëm me Isain a.s., hoxha i nderuar Muhammed Husein Batalvi filloi kundërshtimin e ashpër. Me një stil shumë mendjemadh, ai nisi t’i shkruante letra Hazret Mesihut të Premtuar a.s. me fjalë dhe tituj jashtëzakonisht të pahijshëm. Edhe në revistën e tij “Ishaatus-Sunneh” filloi të përdorte fjalë në kundërshtim me edukatën. Ai shpalli: “Ky është një fitne dhe unë do ta shpërndaj këtë Xhemat.” Madje shkroi deri aty:
“Ashtu siç e ngrita në qiell, tani do ta rrëzoj në tokë.”
Pra, meadAllah, hoxha Muhammed Huseini pretendonte se me lavdërimet e tij e kishte ngritur Hazret Mesihun e Premtuar a.s. në qiell dhe tani thoshte: “Unë do ta rrëzoj.”
Hoxha i nderuar mendonte se recensioni i tij për “Berahin-e Ahmedijja” e kishte ngritur Hazret Mesihun e Premtuar a.s., sikur, në qiell. Por, përballë gjithë kësaj gjuhë të pahijshme, këtij të foluri mendjemadh dhe këtij letërkëmbimi, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shfaqi një butësi, durim, përulësi dhe thjeshtësi të tillë, saqë e tejkaloi edhe butësinë e Mesihut të Nazaretit a.s..
Këtu po paraqitet vetëm një letër e Huzurit a.s. drejtuar hoxhës në fjalë, që të bëhet e qartë se, përballë gjuhës së tij të pahijshme dhe mendjemadhësisë, në zemrën e Mesihut të Premtuar a.s. dallgëzonte një det dhembshurie, dashamirësie, përulësie dhe thjeshtësie.
“Nëse unë nuk njihem, do ta konsideroj këtë si kaderin tim”
Duke iu drejtuar hoxhës së nderuar, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:
“Letra juaj mbërriti.
Edhe pse Zoti Mirëbërës e di shumë mirë se jam i caktuar prej Tij, dhe në çështje të tilla ku ekziston rreziku i fitnes për njerëzit e thjeshtë, derisa diçka të mos më bëhet e qartë në mënyrë të plotë, të prerë dhe të sigurt, unë kurrë nuk e sjell atë në gjuhë. Por në këtë duhet të ketë ndonjë urtësi të Zotit Mirëbërës.”
Pastaj, duke folur për çështjen e zbritjes së Mesihut, shkruan:
“Në këtë çështje të zbritjes së Mesihut, e cila nuk ka ndonjë lidhje me thelbin dhe palcën e Islamit, pra me realitetin dhe esencën e Islamit, dhe të vërtetën e së cilës i është zbuluar një muslimani, ndaj të cilit, për shkak të vëllazërisë, duhet të mbahet edhe mendim i mirë, zotëria juaj i nderuar është nxitur për të shkruar në mënyrë kundërshtuese.”
Pra, në radhë të parë, nëse unë kam thënë se Isai a.s. ka ndërruar jetë, ju si muslimanë duhet të më kishit mbështetur. Por ju filluat kundërshtimin.
Ai thotë:
“Zotëria juaj i nderuar është nxitur për të shkruar në mënyrë kundërshtuese. Dhe unë e di se në këtë qëndrim tuajin do të ketë qëllim të mirë.”
Ndoshta e keni bërë me qëllim të mirë.
“Edhe pse unë kam ankesë për nxitimin tuaj, që po tregoni shpejtësi dhe po përdorni fjalë me ngut, dhe do ta shpreh këtë, qoftë ballë për ballë apo në mungesë, megjithatë për qëllimin tuaj unë mbaj mendim të mirë. Edhe tani kam mendim të mirë për ju dhe ju konsideroj më të mirë se shumica e dijetarëve të kohës së sotme; madje, nëse nuk zemëroheni, për disa përpjekje që keni bërë për hir të Zotit, ju konsideroj më të mirë edhe se hoxhës së nderuar Nazir Husein. Edhe pse mund të ankohem për këto gjëra ndaj jush, megjithatë, për shkak të pastërtisë suaj të brendshme, kam dashuri për ju.
Nëse unë nuk njihem, do të mendoj se kjo ishte e caktuar për mua. Unë nuk kam lidhje me fitore apo humbje. Qëllimi im është vetëm robëria ndaj Zotit dhe bindja ndaj urdhrit.”
Pra, qëllimi im është bindja ndaj urdhrit. Nuk më intereson nëse fitoj apo jo. Allahu i Lartësuar më ka urdhëruar ta bëj këtë; në bindje ndaj Tij, unë po e bëj këtë dhe kam bërë deklaratën.
“Unë e di se në këtë kundërshtim tuajin do të ketë qëllim të mirë. Por sipas meje, është më mirë që ju së pari të bisedoni me mua, t’i lexoni librat e mi, domethënë tri broshurat ‘Fet’h Islam’ (Fitorja e Islamit), ‘Teudih-e Meram’ dhe ‘Izale-e Euham’, dhe pastaj të shkruani diçka.
Mua nuk më shkakton asnjë pikëllim dhe asnjë dhimbje që miq si ju të jenë gati për kundërshtim, sepse edhe kundërshtimi i mendimit do të jetë për hir të së vërtetës. Ndoshta ju po luftoni për të vërtetën. Por së pari, lexojini librat e mi.
Tani kam shëndet të mjaftueshëm për t’ju takuar. Nëse ju vini në Batala, edhe pse jam i sëmurë dhe marramendja është aq e madhe sa nuk mund ta fal namazin në këmbë, megjithatë, fytas e mbytas, do të mbërrij tek ju.”
Pra, shëndet aq sa të mund të udhëtoj do të kem. Sidoqoftë, më mundon dhembja e kokës dhe marramendja. Megjithatë, do të vij.
“Zoti e pëlqen gjithmonë përulësinë dhe nënshtrimin”
Pastaj, në një letër tjetër drejtuar hoxhës së nderuar Muhammed Husein Batalvi, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:
“Nëse nuk zemëroheni, sipas mendimit tim modest, në shkrimin tuaj përballë vëllait tim në Islam, të nderuarit Molvi Hakim Nuruddin, kishte njëfarë ashpërsie.”
Pra, i thotë: në përgjigje të letrës që Hakim Molvi Nuruddin Sahib ju shkroi, ju përdorët fjalë shumë të ashpra.
“Zoti i Lartësuar e pëlqen gjithmonë përulësinë dhe nënshtrimin. Morali i dijetarëve ndaj vëllezërve të tyre duhet të jetë në shkallën më të lartë.”
Pra, morali duhet të jetë i mirë.
“Cila është ajo fe për mbështetjen dhe dashamirësinë e së cilës bëhen përpjekje ditë e natë? Ajo është vetëm kjo: që të gjitha gjendjet tona, veprat tona, lëvizjet dhe qëndrimet tona të bëhen sipas dëshirës së Allahut dhe të Dërguarit të Tij.
Sipas mendimit tim, nga të gjitha degët e moralit, Zoti i Lartësuar nuk pëlqen asnjë degë aq sa pëlqen modestinë, përulësinë, thjeshtësinë dhe çdo lloj nënshtrimi që është në kundërshtim me mendjemadhësinë.”
“Të përgjigjesha ashpër ndaj hindusi, prapë Allahu më tha: Butësi!”
Mesihu i Premtuar a.s. vijon:
“Më kujtohet se një herë pata një bisedë me një hindu shumë të pafe. Ai përdori fjalë jashtë mase poshtëruese kundër fesë së vërtetë. Për shkak të ndjeshmërisë fetare, unë veprova deri diku sipas urdhrit:
وَاغْلُظْ عَلَيْهِمْ
‘ji i ashpër kundër tyre’. (Kurani i Shenjtë 66:10)
Por, meqenëse ashpërsia ishte drejtuar ndaj një personi të caktuar, Zoti më dërgoi frymëzim (ilham) duke thënë:
‘Në fjalën tënde ka ashpërsi. Duhet butësi! Butësi!’”
Pra, edhe pse unë po i përgjigjesha atij, Allahu i Lartësuar përsëri më tha: Butësi!
“një zog që fut sqepin në det, çfarë mund t’i pakësojë detit”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Nëse shohim me drejtësi, çfarë jemi ne dhe çfarë është dija jonë? Nëse një zog fut sqepin në det, çfarë mund t’i pakësojë detit?”
Pra, nëse një zog pi ujë nga deti duke futur sqepin, çfarë do t’i mungojë detit?
“Edhe për ne është më mirë që, ashtu siç jemi në të vërtetë prej dheu, të mbetemi përdhe. Kur Zoti ynë nuk e pëlqen mendjemadhësinë dhe mburrjen prej nesh, atëherë pse ta bëjmë? Për ne është më mirë të pranojmë përbuzjen nga tjetri sesa një nder që na shkakton qortimin e Zotit.”
Pra, më mirë të hasim përbuzje dhe çnderim, sesa ta zemërojmë Zotin e Madhërishëm.
Çdo fjalë dhe vepër e Mesihut të Premtuar a.s. ishte e mbushur me përulësi
Pra, çdo fjalë dhe çdo vepër e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ishte e mbushur me përulësi. Ai kishte vetëm një kërkim: të arrinte kënaqësinë e Allahut të Lartësuar, t’i përcillte botës mesazhin e Tij dhe të vendoste njëshmërinë e Tij.
Edhe neve, ai na këshilloi herë pas here pikërisht këtë: përvetësoni përulësinë, sepse në këtë gjendet e mira juaj. Dhe pikërisht kjo është ajo që do t’ju sjellë edhe afërsinë e Allahut të Lartësuar.
Allahu i Lartësuar na dhëntë mundësinë që të përvetësojmë rrugët e përulësisë!