Mirënjohja në praktikë: Ngjarje prekëse nga jeta e Mesihut të Premtuar a.s.
(Hutbja e së xhumasë e Hazret Mirza Masrur Ahmedit, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, e mbajtur më 21.08.2026)
Pas recitimit të teshehudit, teauz-it, tesmijes dhe sures El-Fatiha, Huzuri, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, tha:
Mesihu i Premtuar a.s. i mësonte shokët të falënderonin Allahun edhe duke parë gjendjen e të privuarve
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vazhdimisht u tërhiqte vëmendjen shokëve të tij drejt mirënjohjes me shumë thellësi. Në lidhje me këtë, i nderuari Pir Siraxh-ul-Hak Numani tregon se një herë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i tha:
“Sot pse po fjaloseshit me Miran Bakhsh Saudain?”
Atje ishte një njeri në gjendje të veçantë mendore, si i tërhequr nga bota, dhe duket se Pir Sahibi kishte bërë ndonjë debat me të. Ai thotë:
“Unë u frikësova, duke menduar se kushedi çfarë do të thotë Huzuri. Ndoshta i ka dëgjuar të gjitha fjalët tona. Me frikë ia tregova të gjithë ngjarjen.”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:
“Saudai është një njeri i çrregulluar mendërisht dhe është مرفوع القلم, pra nuk mbahet përgjegjës për veprimet e tij.”
Domethënë, një njeri i tillë nuk ka gjykim të plotë, dhe sipas Librit të Zotit nuk i shkruhen veprat e mira dhe të këqija në atë mënyrë siç i shkruhen një njeriu me mendje të shëndoshë. Për mëkatet e tij nuk ka qortim në atë kuptim. Huzuri a.s. tha se njerëzit e tillë, çfarëdo që të thonë apo të bëjnë në këtë gjendje, nuk kapen për këtë, sepse nuk kanë mendim të qartë. Përgjegjësia është mbi atë që ka mend.
Njerëzit e privuar nuk duhen idealizuar, por duke i parë ata duhet falënderuar Allahu
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:
“Njerëzve të tillë bota u thotë mexhdhub, veliullah, kutb dhe njerëz të shërbimit shpirtëror. Kjo është e gabuar. Në të vërtetë, këta njerëz nuk janë mexhdhubë dhe veliullahë. Ata janë të privuar, domethënë janë të privuar nga të gjitha bekimet hyjnore.
Ata janë të privuar nga mendja, nga kuptimi, nga veshja, nga kënaqësia e ushqimit e pijes, nga begatitë e gruas dhe e fëmijëve, nga rritja dhe edukimi i tyre dhe nga shpërblimi i saj. Janë të privuar nga njohja e Allahut të Lartësuar. Janë të privuar nga dijet rreth Qenies dhe cilësive të Allahut të Lartësuar.
Janë të privuar nga njohja e pozitës së të Dërguarit të Allahut, dhe nga ndjekja e bindja ndaj tij. Janë të privuar nga leximi i Kuranit të Shenjtë, nga kuptimet e tij, nga sekretet, dhe hollësitë e tij. Janë të privuar nga Sheriati dhe Tarikati.
Pastaj janë të privuar nga namazi, i cili është miraxhi i besimtarit; nga agjërimi, shpërblimi i veçantë i të cilit është vetëm te Allahu i Lartësuar; nga mënyrat e haxhit; nga zekati; si dhe nga shpërblimet dhe gradat që fitohen përmes tyre.”
Prandaj, duke parë njerëz të tillë, në vend që të debatoni apo të grindeni me ta, duhet ta falënderoni Zotin që Allahu i Lartësuar ju ka dhënë pjesë nga të gjitha këto bekime dhe mirësi, dhe nuk ju ka lënë të privuar.
Ai ju ka dhënë mendje dhe kuptim. Ju ka mundësuar leximin e Kuranit të Shenjtë dhe ju ka dhënë dije për kuptimet, sekretet, njohjen dhe hollësitë e tij. Ju ka dhënë aftësinë për të dalluar hallallin nga harami. Ju ka dhënë mundësinë të njihni të Dërguarit e Zotit. Ju ka dhënë dije për Qenien dhe cilësitë e Tij.
Pra, nga njëra anë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. porositi që me njerëz të tillë, që nuk mbahen përgjegjës për veprimet e tyre, të mos bëhen debate, por të sillemi mirë me ta. Nga ana tjetër, ai na mësoi edhe ta falënderojmë Allahun për bekimet që Ai na ka dhënë.
“Ajo grua qëndroi zgjuar gjithë natën për një pagesë të vogël, ndërsa ne nuk zgjohemi për Krijuesin tonë”
Po ashtu, i nderuari Malik Muhammed Hasan Muhammad thotë se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. erdhi për namazin e sabahut. Pas namazit, Huzuri a.s. iu drejtua shërbyesve dhe tha:
“Ku u binin gjithë natën violave dhe tambureve? Ku kishte muzikë e këngë? Diku afër, në fqinjësi?”
Dikush tha:
“Huzur, Mirza Nizamuddin kishte thirrur një valltare. Ai bënte gjëra të tilla. I kishte premtuar njëzet rupi për natën. Gjithë natën pati vallëzime e muzikë në shtëpinë e Mirza Nizamuddinit.”
Huzuri plot dritë mori një frymë të thellë dhe tha:
“O Allah! Sa shumë e respektoi valltarja pagesën që ka marrë! Për njëzet rupi, qëndroi gjithë natën zgjuar, duke vallëzuar e kënduar. Ndërsa ne nuk mund të qëndrojmë zgjuar as një a dy orë për Krijuesin dhe Sunduesin tonë të vërtetë, që na ka dhënë begati të panumërta.”
Huzuri a.s. i përsëriti këto fjalë dy-tri herë.
Edhe duke parë veprimin e këtyre grave të tregut, vëmendja e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. u kthye drejt përmbushjes të së drejtës së Zotit të Madhërishëm. Me shumë dhembje, ai tha se këta njerëz prishin gjumin e vet për disa rupi, ndërsa ne pse nuk duhet ta falënderojmë Zotin e Madhërishëm, kur Ai na ka dhënë begati të panumërta. Nuk u kushtojmë vëmendje namazeve nafile dhe adhurimit, dhe nuk mund të rrimë zgjuar për Të!
Madje ka shumë njerëz që tregojnë plogështi edhe në faljen e namazeve farz. Edhe ngritja për namazin e sabahut bëhet e vështirë për ta.
Prandaj, çdo anëtar i Xhematit tonë duhet ta shqyrtojë veten në këtë drejtim: deri në çfarë mase po e përmbushim të drejtën e mirënjohjes ndaj Zotit të Madhërishëm?
Mesihu i Premtuar a.s. falënderonte Allahun edhe gjatë ngrënies
I nderuari Shejh Muhammad Ismail Sardavi e përshkruan kështu praktikën e mirënjohjes së Huzurit a.s. gjatë ngrënies:
“Zakoni i Huzurit a.s. ishte që, kur hante, thoshte سبحان الله dhe الحمد لله. Ai hante në një mënyrë të tillë sikur po kërkonte diçka.”
Domethënë, edhe gjatë ngrënies, në çdo kafshatë ai kujtonte bekimet e Allahut të Lartësuar dhe e falënderonte Atë.
Ai merrte kafshata të vogla dhe thoshte “Subhanallah, Subhanallah”
Hazret Musleh Maudi (Kalifi i Dytë i Xhematit) r.a., duke folur për këtë, tha:
“Ne e kemi parë edhe Huzurin, Hazret Mesihun e Premtuar a.s.. Mënyra e tij ishte që, kur hante bukë, këpuste një copë të vogël buke dhe e fuste në gojë. Pastaj e përtypte mirë, aq sa dhëmbët mund ta përtypnin plotësisht.
Zakoni i tij nuk ishte të merrte kafshata të mëdha. Ai gjithmonë merrte kafshata të vogla. Ndërsa kafshatën e parë e përtypte për një kohë të gjatë, merrte një copë tjetër buke në dorë dhe e thërrmonte me dorë. Në të njëjtën kohë vazhdonte të thoshte:
سبحان الله، سبحان الله
Pas pak, nga ajo bukë merrte ndonjë copë, e ngjyente në gjellë dhe e hante.”
Përdorimi i mjeteve është gjithashtu falënderim për begatitë e Allahut
Hazret Sejjid Zejnul-Abidin Veliullah Shah tregon:
“Për shkak se isha i vogël në moshë, dhe edhe për shkak se Huzuri a.s. e mbante babanë tim, Hazret Doktor Sejjid Abdul Sattar Shah, si mysafir në vetë shtëpinë e tij, ne qëndronim në shtëpi sikur të ishim pjesëtarë të një familjeje. Hynim e dilnim lirshëm brenda e jashtë dhe flinim në shtëpinë e Huzurit a.s.
Më kujtohet shumë mirë se sapo shfaqej murtaja në zonë apo në qytet, Huzuri a.s. jo vetëm që urdhëronte pastrimin e shtëpisë së tij, por kujdesej edhe për pastrimin e konvikteve. Po ashtu, u jepte urdhër të gjithë anëtarëve të Xhematit që në shtëpitë e tyre të përdornin squfur, zjarr, fenil, guggal e gjëra të tjera.”
Guggal është një lloj rrëshire peme që përdorej për tymosje dhe për pastrimin e ambientit nga mikrobet. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. porosiste që të përdoren mjete të tilla për të zhdukur mikrobet.
Huzuri a.s. thoshte:
“Të përdorësh mjetet është gjithashtu falënderim për begatinë e Allahut të Lartësuar.”
Edhe këto mjete janë begati e Allahut dhe njeriu duhet ta falënderojë Atë që Ai ka krijuar gjëra të tilla që bëhen mbrojtje ndaj sëmundjeve. Kur në kohë epidemish ndotet ambienti, përhapet papastërti ose përhapet helm në ajër, këto mjete shërbejnë për ta pastruar atë.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thoshte se edhe për këtë duhet falënderuar Zoti i Madhërishëm. Kjo është e barabartë me zbatimin e urdhrit të Tij. Kurse braktisja e mjeteve është kundër Librit të Zotit.
Domethënë, të mos përdorësh mjetet është gjithashtu kundër Kuranit të Shenjtë. Shkalla e tevekulit (e mbështetjes tek Zoti) vjen pas kësaj. Kuptimi është që njeriu duhet t’i përdorë mjetet, por të mos mbështetet vetëm tek ato. Njohja e vërtetë ndaj Zotit është që pas mjeteve të dallosh dorën e Zotit të Madhërishëm.
Njeriu duhet të mendojë: këto gjëra që po përdor janë krijuar nga Zoti i Madhërishëm. Përmes tyre, Zoti mund të krijojë për ne mjete përmirësimi dhe mbrojtjeje. Prandaj duhet ta falënderojmë Atë.
Nëse njeriu mendon në këtë mënyrë, do të vazhdojë ta falënderojë Zotin e Madhërishëm në çdo kohë.
Çdo gjë ka edhe mjetin që ia balancon efektin
I nderuari Muhammed Ibrahim tregon:
“Një herë, në vitin 1904, kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. po qëndronte në Gurdaspur për çështjen gjyqësore të Karem Dinit, edhe unë qëndrova një muaj në Gurdaspur, në shërbim të Huzurit a.s.
Një ditë, një mik nga Multani solli hurma të freskëta, të sapopjekura. Dikush tha se këto janë të rënda për trupin. Ai që i kishte sjellë hurmat tha:
‘Hani sa hurma të doni, pastaj hani pak qepë, që jua largon dëmin e hurmave.’”
Në kohët e vjetra, njerëzit kishin këshillat dhe mënyrat e tyre mjekësore, p.sh. nëse haje diçka të rëndë për trupin, ha pak qepë që ta largosh ndikimin e saj negative.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:
“Allahu i Lartësuar i ka rregulluar ushqimet në një mënyrë shumë të bukur: për çdo ushqim ka krijuar edhe diçka që ia balancon ndikimin dhe ia largon dëmin.”
Domethënë, për t’u mbrojtur nga efektet negative të një gjëje, ekziston edhe një gjë tjetër. Pastaj tha:
“Mund të hash sa mango të duash, pastaj ha pak xhamun (një frut aziatik), nuk do të kesh ndonjë shqetësim.”
Sot, për shembull, të sëmurëve me diabet u thuhet se nuk duhet të hanë mango, sepse janë shumë të ëmbla. Ndërsa xhamuni (një frut aziatik) njihet edhe si një frut i dobishëm për diabetikët.
Pastaj tha:
“Edhe banania ka dëme dhe dobi. Mund të hash sa banane të duash, pastaj përtyp pak oriz të papjekur, që të ndihmojnë në tretje.”
Për këtë, Huzuri a.s. mbajti edhe një fjalim: se Allahu i Lartësuar ka krijuar për njeriun rregullime kaq të larta, shpirtërore dhe trupore, sa njeriu nuk mund ta falënderojë Atë siç duhet.
“Gjatë dhimbjes në veshkë, tha: ‘Tani unë do të bëj dua, ju thoni amin.’
Hazret Mesihu i Premtuar a.s., duke e falënderuar Allahun për shërimin nga sëmundja gjatë shkrimit të veprës së tij “Tadhkiratush-Shahadatain” [Përmendja e dy dëshmorëve], shkruan:
“Kur fillova ta shkruaja këtë libër, kisha ndërmend që para se të shkoja më 16 tetor 1903 në Gurdaspur për një çështje gjyqësore, e cila ishte ngritur kundër meje nga një kundërshtar në gjykatën penale, ta përfundoja këtë libër dhe ta merrja me vete.
Por ndodhi që më kapën dhimbje të forta në veshkë. Mendova se kjo punë mbeti e papërfunduar. Kishin mbetur vetëm tri-katër ditë. Nëse do të vazhdoja të vuaja kështu nga dhimbja e veshkës, që është një sëmundje e rrezikshme, ky shkrim nuk do të mund të përfundonte.
Atëherë Allahu i Lartësuar më tërhoqi vëmendjen drejt lutjes. Natën, kur kishin kaluar rreth tri orë pas mesnatës, u thashë njerëzve të shtëpisë:
‘Tani unë do të bëj lutje, ju thoni amin.’”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i mblodhi të gjithë pjesëtarët e familjes. Pastaj thotë:
“Në atë gjendje dhimbjeje, duke pasur parasysh dëshmorin Sahibzada Molvi Abdul Latifin, bëra lutje:
‘O Zoti im! Unë desha ta shkruaja këtë libër për këtë të ndjerë.’”
Kur bëra këtë lutje, menjëherë më zuri një përgjumje dhe mora këtë ilham (frymëzim)
سَلَامٌ قَوْلًا مِّنْ رَبٍّ رَّحِيمٍ
““Paqe!”, do t’u thuhet nga Zoti shumë Mëshirëbërës.” (Kurani i Shenjtë 36:59)
Pastaj thotë:
“Betohem për Atë në dorën e të Cilit është jeta ime, se ende nuk kishte ardhur ora gjashtë e mëngjesit kur u shërova plotësisht. Po atë ditë shkrova afërsisht gjysmën e librit.
فَالْحَمْدُ لِلّٰهِ عَلٰى ذٰلِكَ
Lavdërimi i takon Allahut për këtë.”
Mesihu i Premtuar a.s. falënderonte edhe për shërbime që në dukje ishin të vogla
Një aspekt i ndritur i jetës së Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ishte edhe se në natyrën e tij kishte aq shumë vlerësim dhe mirënjohje, saqë falënderonte edhe për shërbime dhe gjëra që në dukje ishin të vogla.
I nderuari Molvi Abdul Karim tregon se gjatë asaj jave, gjëja më e çuditshme dhe më interesante që ndodhi, dhe që na e forcoi shumë besimin tonë, ishte ardhja e një letre në emër të Huzurit a.s.
Në atë letër ishte shkruar me prova të forta dhe me hollësi se në Xhelalabad, në zonën e Kabulit, ekziston një platformë e quajtur e Profetit Juz Asaf. Atje është e njohur se para dy mijë vjetësh ky profet kishte ardhur nga Shami në atë vend. Madje, nga ana e qeverisë së Kabulit, ishte caktuar edhe një lloj prone në emër të asaj platforme.
I nderuari Molvi thotë se këtu nuk ka vend për më shumë hollësi. Ai shkruan se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u gëzua shumë nga ajo letër.
“Nëse dikush do të më sillte miliona rupi, nuk do të gëzohesha kaq shumë”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha nga gëzimi:
“Allahu i Lartësuar është dëshmitar dhe i Gjithëdijshëm se nëse dikush do të më sillte miliona rupi, unë kurrë nuk do të gëzohesha aq shumë sa më gëzoi kjo letër.”
I nderuari Molvi Abdul Karim thotë:
“O vëllezër! A nuk është ky gëzim për një çështje fetare një shenjë se ai është nga Allahu? Kush është sot ai që gëzohet kështu për ngritjen lart të fjalës së Allahut?
Betohem për Allahun e Lartësuar se, në atë çast, kur pashë dhe vlerësova gëzimin e Huzurit a.s., në zemrën time u ndjeva shumë i turpëruar. Edhe unë isha i gëzuar, dhe edhe miqtë po gëzoheshin se kishte dalë një rrugë tjetër për mposhtjen e së pavërtetës dhe se tashmë ishte gjetur një hartë e plotë e udhëtimit të Isait a.s., por gëzimi i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. nuk kishte krahasim.”
Falënderimi për ata që ndihmuan botimin e “Brahin-e-Ahmedia”
Kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkroi “Brahin-e-Ahmedia”, ai i përmendi në atë libër emrat e atyre që kishin ndihmuar financiarisht për të. Ai i falënderoi dhe i nxiti njerëzit të luteshin për ta. Në atë listë lutjeje gjenden edhe emrat e atyre që kishin dhënë pesë rupi, dy rupi, madje edhe dy ana.
Huzuri a.s. shkruan:
“Vallë, si mund ta falënderoj siç duhet Zotin e botëve, që së pari mua, një njeriu të pavlerë, më dha mundësi, vetëm me mirësinë, mëshirën dhe përkujdesjen e Tij të fshehtë, ta shkruaj dhe ta përpiloj këtë libër; pastaj, për botimin dhe përhapjen e tij, i bëri të interesuar, të dëshiruar dhe të vëmendshëm për mbështetjen e Islamit të mëdhenjtë, personalitetet, të pasurit, si dhe vëllezërit, besimtarët dhe muslimanët e tjerë.
Prandaj, këtu e kam për detyrë të falënderoj të gjithë ata ndihmës të nderuar, me vëmendjen bujare të të cilëve qëllimet e mia fetare mbetën të ruajtura nga humbja dhe mundimet e mia u shpëtuan nga shkuarja dëm.
Unë u jam aq mirënjohës këtyre zotërinjve për ndihmën e tyre, sa nuk kam fjalë me të cilat t’i falënderoj.
Sidomos kur shoh se disa prej tyre kanë bërë hapa të mëdhenj përpara në mbështetje të kësaj vepre të mirë, dhe disa të tjerë kanë premtuar edhe ndihma të mëtejshme, atëherë mirënjohja dhe falënderimi im ndaj tyre shtohen edhe më shumë.”
Emrat e ndihmësve u shkruan që njerëzit të luteshin për ta
Pastaj Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkroi edhe emrat e atyre që kishin dhënë ndihmë. Ai tha:
“Unë po e zbukuroj librin duke shkruar emrat e bekuar të të gjithë atyre burrave të guximshëm dhe me vendosmëri të lartë, të cilët dhanë diçka për blerjen dhe ndihmën e shtypjes së këtij libri, bashkë me shumën që kanë dhënë.”
Kështu, Huzuri a.s. i shkroi emrat e të gjithëve. Ai tha se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen, deri në përfundimin e shtypjes së librit. Pra, ai do të vazhdonte t’i shkruante emrat.
Ai tha se për sa kohë në faqen e historisë do të mbetet ndikimi dhe dobia e këtij libri, dhe për sa kohë njerëzit do të përfitojnë prej tij, këta emra do të mbeten të shkruar, në mënyrë që njerëzit të luten për ta.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha
për sa kohë ky libër do të mbetet, çdo njeri që përfiton prej tij dhe gëzohet nga ai, le të më kujtojë mua dhe ndihmësit e mi me lutje të mira.
Pra, kushdo që përfiton prej tij, le të lutet për mua dhe për ata që ndihmuan në këtë vepër.
Falënderimi për ndihmën në librin “Minanur-Rahman”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkroi një libër me titull “Minanur-Rahman”, në të cilin provoi se gjuha arabe është ummul-elsine, domethënë nëna e të gjitha gjuhëve.
Në këtë lidhje, duke falënderuar miqtë që e ndihmuan për të gjetur referenca dhe materiale, ai shkruan:
“Nuk mund të rri pa i falënderuar këtu ata miq të mirë që më ndihmuan në këtë punë, për të provuar lidhjet e përbashkëta ndërmjet gjuhëve.
Me shumë gëzim e shpreh se miqtë e mi të sinqertë, për të provuar përbashkësinë e gjuhëve, kanë bërë një përpjekje të tillë që me siguri do të mbahet mend në botë për sa kohë kjo botë do të jetë e banuar.
Këta njerëz të Zotit, me guxim të madh, na dhanë kohën e tyre të çmuar. Ata punuan ditë e natë me mund të madh dhe me djersë për ta përmbushur këtë punë madhështore.
Unë e di se ata do të kenë shpërblim të madh në praninë e Allahut, sepse morën pjesë në një betejë, në të cilën së shpejti do të bien daullet e fitores nga ana e Islamit. Prandaj, secili prej tyre meriton të marrë një medalje hyjnore.”
“Nuk mund ta përshkruaj se si kërkonin fjalë të përbashkëta”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkruan më tej:
“Unë nuk mund ta përshkruaj gjendjen se si ata, në çdo mbledhje, për të gjetur fjalë të përbashkëta, udhëtonin me mendje qindra milje brenda vetes, pastaj ktheheshin me sukses dhe paraqisnin si dhuratë ndonjë fjalë të përbashkët.
Kështu, gjuhët e botës u mblodhën pranë nesh.
Unë nuk do ta harroj kurrë se, në këtë punë madhështore, miqtë tanë të sinqertë më dhanë një ndihmë të tillë, për të cilën nuk kam fjalë që ta përshkruaj siç duhet.
Unë lutem që Zoti i Madhërsihëm t’ua pranojë këto mundime, t’i pranojë ata për Veten e Tij, t’i mbajë gjithmonë larg nga jeta e papastër, t’u dhurojë afërsinë dhe dashurinë e Tij, dhe të jetë me ta! Amin, amin!”
Pastaj Huzuri a.s. ka shkruar edhe emrat e atyre që e ndihmuan. Ndër ta, së pari përmend Hazret Hakim Molvi Nuruddin r.a., pastaj të nderuarin Molvi Abdul Karim, dhe po ashtu shumë sahabë të tjerë.
“Allahu nuk ia humb mundin asnjë të sinqerti”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Allahu i Lartësuar e di më mirë se përpjekjet e kujt në këtë punë janë më të mëdha, dhe Ai nuk do ta humbë mundin e asnjë të sinqerti.
Por, për aq sa na tregon dija dhe vëzhgimi ynë, përpjekjet më të mëdha janë të vëllait tim, Hakim Molvi Nuruddin, dhe të vëllait tim, Molvi Abdul Karim, të cilët kanë lënë çdo lidhje tjetër dhe prej disa muajsh janë pranë meje për këtë punë.
Hazret Molvi Nuruddini nuk tregoi vetëm këtë dashamirësi, por për këtë punë bleu me paratë e veta libra shumë të mirë në anglisht dhe i porositi të vinin këtu. Për këtë qëllim, ai mblodhi një fond të çmuar librash.”
Pastaj thotë:
جَزَاهُمُ اللهُ خَيْرًا وَاللهُ لَا يُضِيعُ أَجْرَ الْمُحْسِنِينَ
“Allahu i shpërbleftë me të mira. Allahu nuk ua humb shpërblimin mirëbërësve!”
Mirënjohja për të nderuarin Mian Manzur Muhamed, kopjuesin e shkrimeve
Duke përmendur të nderuarin Mian Manzur Muhamed, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Si falënderim për mirësinë e Allahut të Lartësuar, është e domosdoshme të përmendet kjo gjë: në punët e mia të rëndësishme të shkrimit dhe të librave, Allahu i Lartësuar, me mirësinë e Tij, më ka dhënë një ndihmës të mirë, të vlefshëm dhe të sinqertë, të dashurin Mian Manzur Muhamed, kopjuesin e dorëshkrimeve, i cili ka shkrim shumë të bukur.
Ai nuk punon për botën, por vetëm nga dashuria për fenë. Ai ka emigruar nga vendlindja e tij dhe ka ardhur të banojë këtu në Kadijan.
Kjo është një mirësi shumë e madhe e Zotit të Madhërishëm, që më ka dhënë, sipas dëshirës sime, një njeri kaq të sinqertë dhe të zellshëm. Në çdo kohë, ditën apo natën, unë marr prej tij shërbimin e kopjimit të shkrimeve, dhe ai e kryen këtë shërbim me përkushtim të plotë, për pëlqimin e Zotit të Madhërishëm.
Kjo është arsyeja që, në këtë kohë lufte shpirtërore, nga ana ime po qëllohen vazhdimisht kundërshtarët përmes traktateve që i mposhtin armiqtë.
Në të vërtetë, edhe sigurimi i mjeteve të tilla mbështetëse është një shenjë e Zotit të Madhërishëm. Nga cilado anë të shikohet, të gjitha mjetet e mira janë siguruar për mua. Në shkrim më është dhënë një fuqi e tillë, sikur të mos jem unë që shkruaj, por engjëjt që shkruajnë, ndonëse në dukje shkrimi del nga dora ime.”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. nuk linte asnjë rast pa falënderuar bashkëpunëtorët e tij. Edhe për një shërbim të vogël, ai u shprehte mirënjohje. Kur lavdëronte shokët e tij, thoshte se ata e kishin ndihmuar dhe ia kishin lehtësuar punët.
Ai i vlerësonte edhe shërbimet më të vogla të shërbyesve
I nderuari Shejh Jakub Ali Irfani tregon:
“Huzuri a.s. gjithmonë i vlerësonte edhe punët e vogla të shërbyesve dhe u jepte zemër. U jepte më shumë sesa mundi që kishin bërë.
Në ditët kur duhej të shtypej dhe të botohej shpejt ndonjë libër apo traktat i rëndësishëm, dhe puna vazhdonte gjatë natës, ata që punonin me Huzurin a.s. nga stafi i shtypshkronjës, për ta sigurohej me kujdes qumësht dhe ushqime të tjera. Huzuri a.s. u jepte edhe pagesë më të madhe se zakonisht.
Për punën e tyre, ai jo vetëm që gëzohej, por edhe i falënderonte.”
“Allahu të dhëntë shpërblimin më të mirë”
Hazret Kalifi i Dytë i Xhematit (Musleh Maudi) r.a. shkruan:
“Profetët kanë zemër shumë mirënjohëse. Ata e ndiejnë si mirësi të madhe edhe gjënë më të vogël.”
Pastaj thotë:
“Unë kam parë se kur librat e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. shtypeshin ditë e natë, edhe pse vetë Huzuri a.s. kalonte disa net pa fjetur fare, prapëseprapë, kur dikush sillte bocat e korrektimit natën dhe e thërriste, ai ngrihej vetë për t’i marrë.
Ndërkohë disa herë i thoshte:
جَزَاكَ اللهُ أَحْسَنَ الْجَزَاءِ
‘Allahu ju shpërbleftë me të mira!
Pastaj thoshte:
‘Sa shumë mund të jetë lodhur ky! Sa shumë mundime po durojnë këta njerëz! Allahu i shpërbleftë me të mira.’”
Ndërkohë vetë Huzuri a.s. qëndronte zgjuar gjithë natën. Hazret Musleh Maudi r.a. thotë:
“Shumë herë më ka zënë gjumi duke e parë Huzurin a.s. duke punuar. Dhe kur jam zgjuar përsëri diku gjatë natës, e kam parë prapë duke punuar, derisa u bë mëngjes.”
Njerëzit e tjerë punonin për hir të Allahut, por Huzuri a.s. e ndiente mundimin e tyre. Përse? Sepse në zemrat e profetëve ka një ndjenjë shumë të thellë mirënjohjeje.
“Mian Nabi Bakhsh, ju bëtë një punë të jashtëzakonshme”
Pastaj Hazret Mirza Bashir Ahmed r.a. përmend një ngjarje dhe thotë se Hafiz Nabi Bakhsh, banor i Faizullah Çakut, i kishte treguar:
“Një herë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkoi për shëtitje në pemishten e tij. Në atë kohë, në dorën e bekuar të Huzurit a.s. ishte një shkop prej shelgu.
Ai e hodhi shkopin drejt një peme për të rrëzuar frutat, por shkopi mbeti i varur në pemë. U kap atje në një mënyrë të tillë që nuk binte poshtë.
Sahabët u përpoqën shumë ta zbrisnin shkopin, por nuk patën sukses.
Unë i thashë: ‘Huzur, unë ngjitem në pemë dhe e zbres.’
Menjëherë u ngjita dhe e zbrita shkopin e bekuar.”
Ai thotë:
“Huzuri a.s. u gëzua dhe u habit aq shumë, saqë vazhdimisht thoshte me fjalë plot dashuri:
‘Mian Nabi Bakhsh, ju bëtë një punë të jashtëzakonshme! U ngjitët në pemë dhe menjëherë e zbritët shkopin. Si u ngjitët në pemë? Ku e mësuat të ngjiteni kështu?
Ky shkop ishte nga koha e babait tonë. Sot, në njëfarë mënyre, ju na e dhatë përsëri të ri.’”
Edhe gjatë rrugës, Huzuri a.s. vazhdonte të thoshte herë pas here:
“Mian Nabi Bakhsh bëri një punë të jashtëzakonshme duke u ngjitur në pemë dhe duke zbritur shkopin.”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. nuk i drejtohej askujt me fjalë përçmuese
Hafiz Nabi Bakhsh thotë gjithashtu:
“Ishte pjesë e zakonit të Huzurit a.s. që, qoftë i vogël apo i madh, nuk i drejtohej askujt me fjalën ‘ti’”, domethënë me një trajtë përçmuese në gjuhën urdu.
“Edhe pse unë isha një fëmijë i vogël, Huzuri a.s. kurrë nuk më foli me një mënyrë të tillë.”
Ai përmendte me mirënjohje edhe dhuratat e vogla
Hazret Mirza Bashir Ahmed r.a. shkruan se i nderuari Doktor Mir Muhammad Ismail i kishte treguar:
“Kur dikush sillte ndonjë dhuratë për Hazret Mesihun e Premtuar a.s., ai bëhej shumë mirënjohës. Edhe në shtëpi e përmendte sinqeritetin e atij personi dhe thoshte se filan person ka dërguar këtë gjë.”
Mesihu i Premtuar a.s. e vlerësonte edhe një dhuratë të vogël
Se si Hazret Mesihu i Premtuar a.s. falënderonte edhe për dhurata të vogla, rreth kësaj Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. tregon se bashkëshortja e të ndjerit Doktor Khalifa Rashiduddin shkroi në kujtimet e saj:
“Një herë ndodhi që Doktor Sahibi mori tre muaj leje dhe erdhi nga Agra në Kadijan. Në Agra bëheshin shumë të mira dhe me përmasa të mëdha disa ëmbëlsira të quajtura khurma, të ngjashme me balushahin. Huzurit a.s. i pëlqenin. Kur Doktor Sahibi vinte, patjetër sillte khurma për Hazret Mesihun e Premtuar a.s.
Një ditë, kur ai erdhi, Huzuri a.s. nuk kishte ngrënë bukë që nga mëngjesi. Në kohën e ikindisë unë hyra në shtëpi. Huzuri a.s. u gëzua shumë dhe më pyeti për udhëtimin.
Ama Xhan tha:
‘Ushqimi është gati.’
Huzuri a.s. tha:
‘Nuk më hahet.’
Pastaj Hazret Ama Xhan tha:
‘Murad Khatun ka sjellë khurma për ju nga Agra.’
Në fillim Huzuri a.s. u gëzua shumë, pastaj tha:
‘Më pëlqejnë. Sillini, t’i ha.’
Kur iu sollën përpara, Huzuri a.s. i lavdëroi shumë dhe tha:
‘Sa shumë!’
Pastaj Huzuri a.s. hëngri prej tyre dhe tha:
‘Ruajini për mua. Disa i hëngra, disa do t’i ha më vonë.’”
Mënyra se si Huzuri a.s. hante është përmendur më parë: ai hante pak nga pak dhe hante duke bërë lutje. Sidoqoftë, ajo thotë:
“U gëzova shumë nga zemra aq shumë kur pashë se për një gjë kaq të vogël Huzuri a.s. kaq shumë më lavdëroi, sa nuk mund ta përshkruaj. Kur ia tregova Doktor Sahibit, edhe ai u gëzua shumë dhe për një kohë të gjatë qëndroi me fytyrën nga qielli duke thënë: سبحان الله، سبحان الله.”
Edhe Doktor Sahibi ishte shumë i sinqertë.
“Ju keni arritur kufirin e sakrificës”
Hazret Musleh Maudi r.a. tregon se kur ndaj Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ishte ngritur çështja gjyqësore në Gurdaspur nga Molvi Karam Din i Bhinit, atëherë kishte vështirësi financiare. Shpenzimet ishin shtuar.
Në atë kohë, sipas udhëzimit të Allahut të Lartësuar, disa njerëzve iu bë thirrje për ndihmë. Ndër ata që iu bë thirrje ishte edhe i nderuari Doktor Khalifa Rashiduddin.
Në atë rast, gjithçka që kishte në shtëpi, ai e mblodhi dhe e dërgoi. Po ashtu shkroi se edhe të ardhurat që do të kishte më pas, do t’i dërgonte. Kështu, çdo gjë që merrte nga rroga dhe praktika mjekësore, ia dërgonte Hazret Mesihut të Premtuar a.s.
Një mik, i cili në ato ditë ishte mysafir tek ai, tregoi:
“Unë i thashë: ‘Ju dërgoni gjithçka atje dhe nuk mbani asgjë për vete.’
Ai u përgjigj:
‘Po, tani është koha e tillë.’”
Ai tha se ishte koha për t’i shërbyer Mesihut të Premtuar.
Në atë kohë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i shkroi atij një letër. Hazret Musleh Maudi r.a. thotë se e kishte lexuar vetë atë letër. Në të, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i kishte shkruar:
“Ju e keni kaluar kufirin e sakrificës. Tani nuk keni nevojë të jepni më.”
Këtë po ia shkruante Hazret Mesihu i Premtuar a.s. Doktor Khalifa Rashiduddinit, sepse ai po bënte një sakrificë shumë të madhe.
Ndërkohë, vetë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i porosiste njerëzit që të jepnin rregullisht çanda (kontribute financiare). Ai kishte thënë se ai që nuk jep çanda për tre muaj, nuk mund të mbetet në Xhemat.
Hazret Musleh Maudi r.a. thotë se ajo letër ndoshta ende mund të jetë në shtëpinë e të ndjerit Khalifa Sahib. Megjithatë, edhe pas kësaj ai vazhdoi të jepte çanda, dhe duhej ta jepte. Nuk ndodhi që pasi mori atë letër, e ndali çandën. Ai vazhdoi ta jepte dhe duhej ta jepte.
Hazret Musleh Maudi r.a. thotë se ai duhej ta jepte, sepse më parë e jepte si detyrë, ndërsa pas asaj letre e jepte si falënderim.
Edhe kur nuk je i detyruar, mund të sakrifikosh si shenjë mirënjohjeje
Hazret Mesihu i Premtuar a.s., sipas shpalljes së Allahut të Lartësuar, shkroi librin “El-Vasijjet” (Testamenti). Hazret Musleh Maudi r.a. thotë se në atë libër, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. na përjashtoi ne, pra fëmijët e tij, nga sistemi i Vasijjetit.
Hazret Musleh Maudi r.a. thotë:
“Në zemrën time gjithmonë mbetej një lloj shqetësimi se ne u privuam nga një rast sakrifice. Por pastaj më erdhi në mend se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. adhuronte aq shumë, saqë Hazret Aisheja r.a. thotë se këmbët i ënjteshin.
Kur Hazret Aisheja r.a. e pa këtë, tha:
‘Kur Allahu i Lartësuar të ka falur të gjitha gabimet, përse merr mbi vete kaq shumë mundim?’
Profeti s.a.v.s. tha:
أَفَلَا أَكُونُ عَبْدًا شَكُورًا
‘A të mos bëhem rob mirënjohës?’”
Hazret Musleh Maudi r.a. thotë:
“Kur njeriu arrin një pozitë të tillë, edhe nëse një vepër nuk është detyrë apo e domosdoshme, duhet ta bëjë si falënderim.”
Pra, edhe nëse nuk është farz, njeriu duhet të veprojë si falënderim. Më erdhi në mend se, edhe pse ne jemi përjashtuar nga çanda e Vasijjetit, prapëseprapë duhet të falënderojmë. Prandaj, pas kësaj, unë zgjodha një mënyrë të tillë që çanda ime të ishte më e madhe se çandat e vasijatbërësve të tjerë.
Pastaj më erdhi në mend se kisha marrë edhe një ilham. Pak ditë pas ndërrimit jetë të Hazret Mesihut të Premtuar a.s., mora këtë ilham:
اعْمَلُوا آلَ دَاوُودَ شُكْرًا
“Allahu i Lartësuar e quajti Hazret Mesihun e Premtuar a.s. Daud, kur i tha:
يَا دَاوُودُ عَامِلِ النَّاسَ رِفْقًا وَحُسْنًا
‘O Daud! Sillu me njerëzit me butësi dhe mirësi.’”
Domethënë, Allahu i Lartësuar ndonjëherë e heq një mundim nga disa njerëz, por detyra e tyre është që të veprojnë edhe si falënderim. Ndoshta ky ilham ishte për të larguar pikërisht këtë shqetësim timin.
Hazret Musleh Maudi r.a. thotë se pas kësaj ai dha shumë çanda.
Sqarim për përjashtimin nga Vasijjeti
Këtu dua të sqaroj edhe një gjë. Edhe mua më ka ardhur një pyetje nga disa njerëz. Disa ngrejnë pyetjen sikur të gjithë pjesëtarët e familjes së Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ose Kalifët nuk japin çanda dhe janë të përjashtuar.
Duhet të jetë e qartë se ky përjashtim ishte vetëm për pesë fëmijët e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Nuk ishte për bashkëshortet e djemve, as për bashkëshortët e vajzave, as për pasardhësit e tyre.
Kushdo që bën Vasijjet, patjetër duhet të paguajë çandën e Vasijjetit. Po ashtu duhet të japë çanda si të tjerët dhe duhet të japë edhe pjesën e pasurisë së vet, ashtu siç e japin vasijatbërësit (musitë) e tjerë.
Po ashtu, dua ta sqaroj se edhe tokën e Varrezës Behishti në Kadijan e kishte dhuruar Hazret Mesihu i Premtuar a.s. Ndoshta kjo ishte një nga arsyet, ndërsa arsye të tjera mund të kenë qenë të shumta në dijen e Allahut të Lartësuar, për shkak të të cilave Allahu i Lartësuar u dha pesë fëmijëve të tij përjashtim nga çanda e Vasijjetit dhe leje për t’u varrosur në Varrezën Behishti Makbera.
Por këta njerëz kanë bërë sakrifica shumë të mëdha. Edhe Hazret Ama Xhan ka bërë shumë sakrifica, dhe edhe fëmijët e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. kanë bërë sakrifica shumë të mëdha gjatë gjithë historisë.
Sidoqoftë, siç tha Hazret Musleh Maudi r.a., ai vetë ka bërë sakrifica financiare për qëllimet e Xhematit më shumë se një musi (vasijetbërës). Po kështu kanë bërë edhe pasardhësit e tjerë të Hazret Musleh Maudit r.a.
Është gjithashtu e qartë se asnjë Kalif pas Hazret Musleh Maudit r.a. nuk është i përjashtuar nga kjo. Përkundrazi, të gjithë kanë bërë Vasijjet dhe e paguajnë çandën e Vasijjetit. Po ashtu, në të gjitha nismat e tjera financiare që shpallin Kalifët, të gjithë kanë marrë pjesë dhe, sipas mundësisë së tyre, kanë marrë pjesë me bujari.
Nuk ka asnjë përjashtim, as për ndonjë Kalif, as për ndonjë pjesëtar të familjes. Përjashtimi ishte vetëm për ata pesë fëmijë. Po e sqaroj këtë sepse kjo pyetje më kishte ardhur nga disa vende.
Mian Abdul Aziz qëndroi zgjuar gjithë natën për t’i shërbyer Huzurit a.s.
Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. tregon se Munshi Abdul Aziz Uxhlavi i kishte shkruar:
Kur Molvi Muhamed Husain Batalavi kishte ngritur një padi penale kundër Hazret Mesihut të Premtuar a.s. në Gurdaspur, Huzuri a.s. qëndronte në shtëpinë e Khan Sahib Ali Muhamed, pensionist, pranë xhamisë Haxhama.
Unë, Mian Xhemaluddin, Imamuddin dhe Khairuddin, banorë të Sikhvanit, ishim bashkë me Huzurin a.s. Miqtë e tjerë qëndronin në vende të tjera.
Një ditë Huzuri a.s. pati shqetësim në bark. Zakonisht kishte edhe problem me zorrët, ndaj i duhej të ngrihej shpesh për nevojat personale. Huzuri a.s. na tha:
“Ju flini. Unë do të ngrihem vetë. Mos u ngrini.”
Por sa herë që Huzuri a.s. ngrihej për të shkuar, unë ngrihesha menjëherë, merrja ibrikun me ujë dhe shkoja bashkë me të. Kjo vazhdoi gjatë gjithë natës. Çdo herë Huzuri a.s. më thoshte:
“Ju flini.”
Në mëngjes, Huzuri a.s., duke ndenjur në mbledhje, më përmendi dhe tha:
“Ka një dallim të qartë mes dishepujve të Mesihut dhe miqve tanë. Kur Mesihut i erdhi një rast vështirësie, ai i zgjoi dishepujt e tij dhe u tha: ‘Qëndroni zgjuar dhe lutuni.’ Por ata fjetën. Ai i zgjoi përsëri e përsëri, por ata prapë fjetën.
Kurse gjendja e dishepujve të Mesihut të Muhammedit është kjo: unë i porosis miqtë e mi vazhdimisht që të flenë, por ata përsëri rrinë zgjuar.”
Pastaj Huzuri a.s. përmendi emrin tim dhe tha:
“Nuk e di nëse Mian Abdul Aziz ka fjetur fare gjatë gjithë natës apo jo. Sa herë që unë ngrihesha, ai ngrihej menjëherë me gatishmëri, edhe pse unë e porosita vazhdimisht që të flinte.”
“Pema njihet nga fruti i saj”
Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. ka komentuar këtë ngjarje dhe ka thënë:
Fjala e Hazret Mesihut të Nazaretit është e vërtetë, dhe patjetër është e vërtetë, se pema njihet nga fruti i saj. Prandaj, çdo njeri i paanshëm duhet ta pranojë se fruti i ëmbël që krijoi shoqëria e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., shoqëria e Hazret Mesihut të Nazaretit nuk mundi ta krijonte në atë mënyrë.
Frymët e bekuara të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. krijuan një Xhemat me mijëra e qindra mijëra njerëz, të cilët e konsideronin dhe ende e konsiderojnë nderin më të madh që të sakrifikojnë jetën për të. Ata ishin dhe janë gati të flijojnë çdo rehati të tyre për shqetësimin më të vogël të tij.
Kurse Hazret Mesihu i Nazaretit nuk arriti ta mbante as atë grup të vogël prej dymbëdhjetë vetash. Njëri prej tyre mori tridhjetë monedha dhe e dorëzoi atë, duke njoftuar autoritetet.
“Ti e more shpërblimin e gjithë shishes së parfumit”
Hazret Inajatullah tregon:
Kur erdha për herë të parë në Kadijan, solla me vete një shishe parfum. Kisha udhëtuar në këmbë. Natën qëndrova në Batala. Kur e pashë shishen, vura re se i gjithë parfumi ishte derdhur, përveç një pike. Më erdhi shumë keq.
Në kohën e namazit të akshamit, kur Huzuri a.s. erdhi në tarracën e Xhamisë Mubarak, i dhashë dorën dhe fillova t’i bëj masazh. I thashë:
“Huzur, kisha sjellë një shishe parfum, por gjatë rrugës u derdh.”
Ia paraqita shishen Huzurit a.s., ashtu siç ishte, me vetëm një pikë brenda.
Huzuri a.s. tha:
“Ti e more shpërblimin e gjithë shishes.”
Pastaj tha:
جزاك الله
Allahu të shpërbleftë.
“Mian Ismaili erdhi dhe mori edhe ai pjesë në shpërblim”
Hazret Muhammed Ismail tregon:
Unë isha rreth njëzet vjeç kur në Gurdaspur do të shpallej vendimi i çështjes së Karem Dinit nga Bhin, rrethi Xhehlem, ose siç është sot ndoshta në rrethin Çakval (Chakwal). Sidoqoftë, një ditë përpara shkova atje nga fshati im.
Atje, edhe Huzuri a.s. kishte qëndruar në një shtëpi. Ishte verë. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ishte ulur në një dhomë. Aty ishin të pranishëm edhe babai im, Mian Xhemaluddin, Mian Muhammad Din Sikhvani dhe Çaudhri Abdul Aziz.
Unë shkova dhe fillova t’i bëj fresk Huzurit a.s. me erashkë. Huzuri a.s. më pa, pastaj tregoi me buzëqeshje nga babai im, Mian Xhemaluddin, dhe tha:
“Mian Ismaili erdhi dhe mori edhe ai pjesë në shpërblim.”
Ai thotë:
Edhe sot, kur e kujtoj se si Huzuri a.s. gëzohej për një shërbim kaq të thjeshtë e të vogël, zemra më mbushet me kënaqësi.
“Puna ishte e jotja, prandaj gjysmën do ta marrësh ti”
Hazret Mian Sadruddin tregon se Huzuri a.s. mbante mbi trup një mbulesë prej leshi, të cilën e hidhte mbi shpatull kur dilte jashtë.
Një herë Çaudri Bhola më tregoi:
“Një herë shkova në Batala bashkë me Hazret Mesihun e Premtuar a.s. Huzuri a.s. kishte një kalë. Për njëfarë kohe hipi vetë mbi të. Pastaj më hipi mua. Më pas, për njëfarë kohe, eci duke e marrë kalin bosh, që edhe ai të pushonte.”
Po ashtu, babai i Çiragut, rojës së Medresesë Ahmedia, më tregoi:
“Një herë Huzuri a.s. më mori te pusi i Phaxhe Kashmirit për t’u larë. Rrugës më dha një paisa dhe më tha:
‘Sill ëmbëlsirë [urdu. revri].’”
Ai po tregonte disa ngjarje të tijat, por ngjarja kryesore e mirënjohjes fillon këtu. Ai thotë:
“Huzuri a.s. më dha një paisa që të sillja ëmbëlsirë. Kur i solla, Huzuri a.s. i ndau në dy pjesë dhe njërën pjesë deshi të ma jepte mua. Unë nuk pranova.
Huzuri a.s. tha:
‘Si mund t’i ha vetëm? Paratë ishin të miat, por mundi ishte yti. Ti shkove dhe i solle.’”
Prandaj, gjysmën e saj Huzuri a.s. ma dha mua.
Edhe kjo ishte një mënyrë e tij për ta vlerësuar punën e tjetrit. Kushdo që i shërbente në çfarëdo mënyre, i vogël apo i madh, Huzuri a.s. e falënderonte. Disa shembuj të tillë janë përmendur më parë.
Falënderimi për ata që kishin përgatitur çaj
Hazret Sher Muhammad tregon:
Në çështjen e Karem Dinit, kur Huzuri a.s. shkoi në Xhehlem për seancën gjyqësore, në Batala disa miq të mi kishin përgatitur çaj dhe na ftuan. Ne të gjithë miqtë, bashkë me Hazret Mesihun e Premtuar a.s., shkuam. Edhe Hazret Molvi Abdul Latif dëshmori ishte me ne.
Atëherë Huzuri a.s. pyeti:
“Kush e ka përgatitur çajin?”
Miqtë e kishin ftuar për çaj. Unë i thashë:
“Huzur, këta janë në shërbimin tuaj.”
Ata ishin kuzhinierë në shtëpitë e zonjave angleze, pra të grave të oficerëve, të cilat predikonin për Mesihun se ai është Zot dhe biri i Zotit. Pra, këta njerëz që po shërbenin atje ishin shërbyes ose punonjës të atyre që e quanin Mesihun e Nazaretit bir të Zotit.
Kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e dëgjoi këtë, u gëzua dhe i falënderoi ata që kishin përgatitur çajin. Ata mund të kenë qenë të krishterë, jomuslimanë ose miq të tyre. Por Huzuri a.s. nuk u mjaftua vetëm me falënderimin aty për aty. Më vonë, në gazetë, ai e shpalli falënderimin e tij për ta, duke thënë se ata i kishin bërë shërbim atje.
Kaq shumë rëndësi u dha ai. Nuk tha vetëm “faleminderit”, por edhe e shpalli falënderimin publikisht.
Allahu i Lartësuar na mundësoftë edhe neve të arrijmë standarde të larta të mirënjohjes!