Bujaria e Imam Mehdiut a.s. | Shembuj nga jeta e tij
(Hutbja e së xhumasë e Hazret Mirza Masrur Ahmedit, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, e mbajtur më 03.07.2026)
Sot do të paraqes disa ngjarje që tregojnë dhembshurinë, bujarinë dhe zemërgjerësinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s..
Dora e Mesihut të Premtuar a.s. ishte si një re që derdhte margaritarë
I nderuari Shejh Jakub Ali Irfani shkruan:
Bujaria e Imam Mehdiut a.s. ishte si një det i pafund, ndërsa dora e tij ishte si një re që derdhte margaritarë. Ajo vazhdonte të binte dhe t’i ujiste të gjithë. Në muajin e Ramazanit, kjo bujari shtohej edhe më shumë. Huzuri a.s. u jepte nevojtarëve në mënyra jashtëzakonisht të fshehta dhe nuk ngurronte kurrë t’ia jepte dikujt tjetër edhe sendin më të çmuar që kishte.
Kjo cilësi gjendet në çdo periudhë të jetës së tij. Ajo shfaqej me gjithë madhështinë e saj edhe përpara se të ngarkohej me misionin hyjnor.
Dy stolitë e çmuara që Huzuri a.s. i dha për martesën e Abdul Ghaffar Kashmir-it
Mian Ghaffara, i njohur si Abdul Ghaffar Kashmiri, duke përmendur mirësitë, dashamirësinë dhe bujarinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., tregon se kur ai u martua, Hazret Mesihu i Premtuar (Imam Mehdiu) a.s. i dha dy stoli të çmuara për ta ndihmuar.
Kjo ndodhi përpara kohës së misionit të tij, kur Huzuri a.s. jetonte në vetmi dhe larg jetës publike.
I nderuari Shejh Jakub Ali Irfani shkruan:
Ky nuk është një rast i vetëm; ka shumë ngjarje të tilla. Nuk pati kurrë ndonjë rast që dikush t’i kërkonte diçka dhe ai të mos ia kishte dhënë, ose që ai ta kuptonte nevojën e dikujt dhe të mos e ndihmonte, madje edhe pa qenë nevoja që ai person të paraqiste ndonjë kërkesë.
Ai ishte:
كَرِيمٌ ابْنُ كَرِيمٍ ابْنِ كَرِيمٍ
Bujar, bir i një bujari, bir i një bujari.
Gruaja që erdhi me daulle dhe u largua me para e me jorgan
Nëna e të nderuarit Bashir Bhatti tregon se një herë, me rastin e martesës së Hazret Amirul-Mu’minin, (Kalifi i Dytë, Hazret Mirza Mahmud Ahmedit r.a.), një grua lypëse erdhi në shtëpinë e Huzurit me daulle dhe filloi t’i binte. Qëllimi i saj ishte të merrte diçka, sepse kjo ishte një traditë e zakonshme gjatë dasmave. Kur Hazret Imam Mehdiu a.s. dëgjoi zhurmën e daulles, e drejtoi menjëherë vëmendjen nga ajo anë dhe tha:
“Thuajini të mos i bjerë daulles. Ndalojeni dhe jepini çfarë kërkon.”
Kështu, asaj i dhanë katër ose pesë rupi. Pastaj ajo tha se kishte hyrë dimri dhe se kishte shumë ftohtë. Atëherë Huzuri a.s. i siguroi edhe një jorgan të ngrohtë, por daullen ia ndaloi.
Rrobat e Huzurit a.s. shpërndaheshin si bekim sapo i vishte
I nderuari Mirza Bashir Ahmed thotë se, para së gjithash, duhet mbajtur parasysh se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. nuk kishte ndonjë dëshirë të veçantë për veshje të caktuara.
Gjatë disa viteve të fundit të jetës së tij, i vinin dhuratë shumë rroba të thjeshta e të qepura, sidomos pallto, jelekë, pizhame dhe këmisha. Shpesh këto i sillte si dhuratë i nderuari Shejh Rahmatullah nga Lahori, me rastin e Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit. Huzuri a.s. zakonisht përdorte po ato rroba. Përveç tyre, ndonjëherë porosiste edhe vetë të tjera. Çallmën zakonisht e blinte dhe e lidhte vetë.
Por, ashtu siç përgatiteshin dhe përdoreshin rrobat, po ashtu ato vazhdimisht shpërndaheshin, sepse njerëzit kërkonin gjithmonë ndonjë send të tij si bekim. Ndonjëherë arrinte puna deri aty sa Huzuri a.s. ia jepte dikujt si bekim rrobën që kishte veshur dhe në atë çast duhej të vishte një tjetër.
Disa njerëz vepronin me më shumë mirëkuptim. Për shembull, dërgonin një rrobë të tyre dhe bashkë me të parashtronin kërkesën:
“Huzur, na dhuro si bekim rrobën që ke veshur dhe ke hequr.”
Kuranin e vogël që e donte shumë, Huzuri a.s. ia dha kërkuesit
I nderuari Mufti Muhammed Sadik shkruan se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i tha:
“Unë kisha një Kuran të vogël, një botim të vogël. Shkrimi i tij ishte shumë i qartë dhe më pëlqente shumë. Por një person ma kërkoi, kështu që ia dhashë, që kërkesa e tij të mos refuzohej.”
Postieri humbi gjashtë rupi dhe Huzuri a.s. ia pagoi nga xhepi i vet
I nderuari Kureshi Shejh Muhammed, i cili punonte si postier dhe banonte në Kadijan, tregon:
“Një herë shkova te Hazret Mesihu i Premtuar a.s. me shumë mandate postare për t’ia dorëzuar. Pasi ia dorëzova Huzurit shumat që i përkisnin, vazhdova punën e shpërndarjes së mandateve në qytet.
Rreth orës katër u ktheva në postë dhe fillova t’i dorëzoja postierit përgjegjës dokumentet e mandateve të shpërndara. Kur bëmë llogaritë, doli se gabimisht kisha shpërndarë diku gjashtë rupi më shumë.
U shqetësova shumë. Shuma që i kisha dorëzuar Huzurit ishte e madhe. Prandaj postieri përgjegjës, i cili quhej Allah Ditta dhe ishte një joahmedi shumë paragjykues, më tha:
‘Më mirë shko dhe pyete Mirza Sahabin.’
Unë nuk dëshiroja të shkoja përsëri e ta shqetësoja Huzurin, por ai këmbënguli vazhdimisht. Kështu, shkova te Huzuri a.s. dhe thashë:
‘Huzur, sot gabimisht kam shpërndarë diku gjashtë rupi më shumë.’
Huzuri a.s. tha:
‘Mian, unë as nuk e di sa para kam marrë. Madje një pjesë prej tyre tashmë e kam shpenzuar’, pra ua kishte dhënë njerëzve. ‘Sidoqoftë, ju jeni njeri në nevojë, prandaj unë do t’jua jap këto para. Por në të ardhmen tregohuni i kujdesshëm, sepse jeni në nevojë.’”
Kjo ngjarje tregon moralin e bukur të Huzurit a.s., bujarinë e tij dhe kujdesin e veçantë që tregonte ndaj të varfërve.
Edhe nga njëzet kopjet e rezervuara, Huzuri a.s. i dha një Molvi Muhammed Ahsanit
I nderuari Mir Mehdi Husain tregon:
“Një herë, i nderuari Molvi Muhammed Ahsan më kërkoi një kopje të librit ‘Çashma-e Masihi’. Unë i thashë:
‘Huzuri (Imam Mehdiu a.s.) ka urdhëruar që një numër i caktuar kopjesh të mbeten në zyrë, sepse nganjëherë shteti kërkon t’i dërgohen kopje të librave që janë botuar. Prandaj tani nuk ka asnjë kopje të tepërt që mund të të jepet. Megjithatë, mund ta marrësh me lejen e Huzurit’”
Atëherë Molvi Muhammed Ahsani i shkroi Huzurit a.s. Përmbledhja e letrës së tij ishte:
“Në zyrë kanë mbetur vetëm njëzet kopje të librit ‘Çashma-e Masihi’. Unë kam nevojë për një kopje. Nëse nuk sjell ndonjë pengesë, të më jepet një kopje.”
Huzuri a.s. shkroi mbi të:
“Merrni një kopje.”
Pastaj e nënshkroi.
Këtu, nga njëra anë, shohim çiltërsinë e sahabëve. Ata e treguan qartë se sa kopje kishin mbetur, se zyra nuk donte t’i pakësonte dhe se atij i nevojitej një kopje; megjithatë, nëse Huzuri a.s. do ta nderonte, dëshironte ta merrte. Kjo ishte çiltërsia e tyre.
Nga ana tjetër, këtu shohim edhe mirësinë e Huzurit a.s. Megjithëse ato kopje ishin ruajtur si rezervë dhe mund të nevojiteshin në çdo kohë, ai nuk e refuzoi kërkesën e kërkuesit.
Mollët që Huzuri a.s. ia dha Mohan Lalit, por i hëngri kundërshtari Lekhram
Ndonjëherë Pandit Mohan Lali, i cili në atë kohë ishte një i ri i zgjuar, shkonte te Hazret Mesihu i Premtuar a.s. duke i çuar ndonjë pusullë ose mesazh nga Pandit Lekhrami. Familja e Mohan Lalit kishte lidhje të vjetra me familjen e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.
Sa herë që Pandit Mohan Lali shkonte tek ai, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. nuk e linte të kthehej duarbosh. Patjetër i jepte ndonjë dhuratë, si fruta ose sheqer të cilësisë shumë të mirë, që në atë kohë konsiderohej një dhuratë e veçantë.
I nderuari Shejh Jakub Ali Irfani shkruan se edhe ai kishte marrëdhënie miqësore me familjen e Pandit Mohan Lalit, që nga koha e babait të tij. Kur Pandit Mohan Lali i rrëfente ngjarjet e atyre ditëve, gjithmonë thoshte:
“Hazret Mesihu i Premtuar a.s. sillej me shumë mirësi me mua. Gjithmonë më takonte duke buzëqeshur dhe nuk më linte kurrë të kthehesha duarbosh.
Një herë Huzuri më dha disa mollë shumë të mira. I mora me vete. Pandit Lekhrami e kishte bërë zakon që, kur unë kthehesha, të më pyeste patjetër:
‘Çfarë ke sjellë?’
Kur i thashë se kisha sjellë mollë, ai i vështroi si me lakmi dhe tha:
‘Silli, silli, të ha edhe unë!’
Unë i thashë me shaka:
“Ti nuk duhet të hash diçka nga shtëpia e armikut.”
Ti je armik i madh i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. dhe flet kundër tij. Përse po kërkon diçka nga shtëpia e tij?’
Ai m’i rrëmbeu menjëherë mollët nga dora dhe filloi t’i hante.”
Me pak fjalë, Pandit Mohan Lali tregonte se nga Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kishte parë gjithmonë vetëm dashuri, bujari dhe mirësjellje.
Munshi Zafar Ahmedi mori pak myshk, por Huzuri a.s. i dha shumë më tepër
I nderuari Munshi Zafar Ahmed tregon:
“Huzuri a.s. kishte myshk. Një herë i thashë:
‘Huzur, më nevojitet pak myshk.’
Huzuri a.s. ma vuri kutinë përpara dhe më tha:
‘Merrni prej saj aq sa dëshironi.’
Unë mora vetëm një sasi të vogël. Huzuri a.s. buzëqeshi dhe tha:
‘Kjo është pothuajse asgjë.’
Pastaj vetë më dha rreth një deri në një tola e gjysmë myshk”, pra afërsisht 12 deri në 17 gramë.
Myshku ishte një send shumë i çmuar. Edhe sot është i shtrenjtë dhe përdoret në barna e për qëllime të tjera. Por Huzuri a.s. nuk shqetësohej nga fakti se një send ishte i kushtueshëm. Ai duhej të shfaqte standardet më të larta të moralit dhe të zemërgjerësisë së tij.
“Të gjitha mjetet i kemi provuar; tani ka mbetur vetëm arma e lutjes”
Një ngjarje që tregon dhembshurinë e Huzurit a.s. për miqtë e tij dhe bujarinë e tij rrëfehet nga i nderuari Hakim Mufti Fazlur-Rahman. Ai thotë:
“Gruaja ime kishte lindur një fëmijë. Ditën e shtatë, afër namazit të akshamit, tek bashkëshortja filluan të shfaqeshin shenja konvulsionesh. Meqenëse në ato ditë kjo sëmundje ishte përhapur si epidemi, u shqetësuam shumë.
Pas akshamit vrapova te Hazret Mesihu i Premtuar a.s. dhe i tregova gjendjen e gruas sime. Ai tha:
‘Kjo është shenjë e fillimit të një sëmundjeje shumë të rrezikshme. Jepini menjëherë dhjetë ratti hing’, [pra rreth 1.5 gramë asafoetidë], ‘dhe pas një ore ose një ore e gjysmë më njoftoni.’
Pas namazit të jacisë shkova përsëri dhe i thashë:
‘Sëmundja është rënduar.’
Pra, në vend që të zvogëlohej, ajo ishte shtuar.
Huzuri a.s. tha:
‘Jepini dhjetë ratti [rreth 1.5 gramë] kininë dhe pas një ore më njoftoni përsëri. Mos mendoni se kam fjetur. Thirrmëni lirshëm nga shkallët e pjesës së burrave.’
Pas një ore shkova përsëri dhe i thashë se nuk kishte pasur asnjë përmirësim.
Atëherë Huzuri a.s. tha:
‘Jepini dhjetë ratti [rreth 1.5 gramë] myshk.’
Unë i thashë:
‘Huzur, ku mund të gjej mysh në këtë orë?’
Huzuri a.s. solli një grusht të mbushur me myshk dhe tha:
‘Këtu duhet të ketë dhjetë ratti [rreth 1.5 gramë].’
‘Huzur, kjo është më shumë.’ – i thashë.
Ai tha:
‘Merreni, se t’ju hyjë në punë edhe më vonë.’
E mora dhe i dhashë gruas dhjetë rreth 1.5 gramë prej tij.
Pas një ore shkova përsëri dhe i thashë se sëmundja ishte rënduar shumë. Huzuri a.s. tha:
‘Tani jepi dhjetë tola [rreth 115 gramë] vaj ricini.’
Pra, Huzuri a.s. vazhdonte t’i ndryshonte barnat. U ktheva dhe i dhashë rreth 115 gramë vaj ricini.
Pas kësaj, ajo pati të vjella shumë të forta. Në atë sëmundje, të vjellat konsideroheshin faza e fundit. Pas tyre, frymëmarrja filloi t’i ndërpritej, qafa iu tërhoq pas, shikimi iu errësua dhe nuk mund të fliste më. Ishte një gjendje shumë e rëndë konvulsive.
Vrapova përsëri dhe ngjita shkallët. Huzuri a.s. dëgjoi zërin tim, hapi derën dhe pyeti:
‘Çfarë ndodhi? A është mirë?’
I thashë:
‘Tani gjendja është shumë kritike. Frymëmarrja po i ndërpritet, qafa i është tërhequr pas, shikimi i është errësuar dhe nuk mund të flasë.’
Pra, kjo ishte meningjiti.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:
‘Të gjitha armët që ka bota, i kemi përdorur. Tani ka mbetur vetëm një armë, dhe ajo është lutja. Shkoni. Unë do ta ngre kokën nga lutja vetëm kur ajo të shërohet.’”
Çfarë dhembshurie!
Rrëfimtari thotë:
“Kur e dëgjova këtë, u ktheva dhe i thashë gruas:
‘Tani çfarë meraku ke? Vetë mjeshtri e ka marrë çështjen në dorë.’
Në atë kohë kishte shkuar ora dy e natës. U ktheva në shtëpi dhe, duke e lënë të sëmurën në atë gjendje, shtrova një shtrat prej druri e litarësh në dhomën tjetër dhe fjeta. Mendova: Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë se tani do të lutet, prandaj unë nuk kam më asgjë për të bërë.
Në mëngjes u zgjova nga zhurma e disa enëve. Kur hapa sytë, pashë se gruaja ime po rregullonte disa enë pranë këmbëve të shtratit tim.
E pyeta:
‘Si je?’
Ajo tha:
‘Ti po flije. Pas dy orësh Zoti i Madhërishëm më bekoi dhe më shëroi.
الْحَمْدُ لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ.
Në këtë ngjarje shohim standardet më të larta si të dhembshurisë për miqtë, ashtu edhe të dhënies dhe bujarisë së Hazret Mesihut të Premtuar a.s..
Kundërshtari që ngriti padi kundër ahmedianëve mori menjëherë myshk nga Imam Mehdiu a.s.
I nderuari Shejh Jakub Ali Irfani shkruan se në Kadijan jetonte një xhat mendjelehtë me emrin Nihal Singh. Në rininë e tij kishte shërbyer në ushtri dhe merrte pension. Shtëpia e tij ishte ngjitur mur më mur me dhomën e pritjes së të nderuarit Khan Bahadur Mirza Sultan Ahmed.
Ai ishte kundërshtar shumë i ashpër i Xhematit. Me nxitjen e tij ishte ngritur një padi penale e rrezikshme dhe e rreme kundër Hazret Hakim Molvi Nuruddinit (Hazret Kalifi i Parë i Xhematit r.a.), dhe kundër disa ahmedianëve të tjerë.
Ai vazhdimisht bashkohej me njerëz të tjerë për t’i shqetësuar ahmedianët, ndërsa sharjet dhe fyerjet ndaj tyre ishin bërë zakon i përditshëm për të.
Pikërisht në ditët kur po zhvilloheshin këto çështje gjyqësore, gruas së nipit të tij, Santa Singh, i nevojitej myshk. Jo vetëm që myshku nuk gjendej në ndonjë vend tjetër, por ishte edhe një send shumë i kushtueshëm.
Në këtë gjendje, po ai kundërshtar shkoi te dera e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. dhe i kërkoi myshk.
Sapo e dëgjoi duke thirrur, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. doli menjëherë. Nuk e la të priste as edhe pak. Sapo dëgjoi kërkesën e tij, u kthye brenda dhe i tha:
“Prit, po e sjell menjëherë.”
Pastaj solli afërsisht gjysmë tola myshk, [rreth gjashtë gramë], dhe ia dorëzoi.
Ilaçi me gurë të çmuar që Huzuri a.s. e shpërndau falas dhe e dërgoi me shpenzimet e veta
I nderuari Shejh Jakub Ali Irfani shkruan se, kur murtaja u përhap në vend, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. filloi të përgatiste një ilaç nën udhëzimin e shpalljes dhe dijes që i kishte dhënë Allahu i Lartësuar. Huzuri a.s. e quajti atë “Kundërhelmi Hyjnor”.
Ky ilaç nuk kishte një recetë të përcaktuar paraprakisht. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. siguronte përbërësit e tij sipas udhëzimeve që merrte nëpërmjet frymëzimit hyjnor. Për këtë arsye, nuk kufizohej nga parimet e zakonshme të mjekësisë së kohës; edhe peshën dhe masën e përbërësve e përcaktonte sipas asaj dijeje hyjnore. Sipas udhëzimit që merrte, shtonte sasinë përkatëse të secilit përbërës.
Në këtë ilaç u hodhën gurë të çmuar me vlerë disa mijëra rupi, si dhe shumë barna të kushtueshme.
Kur ilaçi u përgatit, Huzuri a.s. e shpërndau me zemërgjerësi të jashtëzakonshme. Nuk mori nga askush as edhe çmimin e një kokrre të vetme. Madje, atyre që e kërkonin nga vende të largëta, ua dërgonte me pako postare të regjistruara, duke i paguar vetë shpenzimet e postës.
I nderuari Dr. Sadik tregoi një herë se një person kërkoi dy ose tre gramë nga ai kundërhelm, por Huzuri a.s. vendosi një sasi të konsiderueshme në disa kuti dhe ia dërgoi me postë të regjistruar.
Vetë i nderuari Shejh Jakub Ali Irfani shkruan:
“Edhe unë i parashtrova një kërkesë dhe Huzuri a.s. më dha një sasi të madhe.”
Kjo sjellje e Huzurit a.s. nuk kufizohej vetëm te ky kundërhelm. Edhe për barnat e tjera, shembulli i tij ishte i tillë që nganjëherë ia jepte kërkuesit të gjithë shishen. Madje, në disa raste, u dha myshk të cilësisë më të lartë dhe shumë të kushtueshëm edhe armiqve të tij më të ashpër, siç u përmend edhe në ngjarjen e mëparshme.
Kur myshku nuk gjendej në Kadijan, Huzuri a.s. dha shumë më tepër sesa kërkohej
I nderuari Shejh Muhammed Nasim tregon:
“Një herë na nevojitej myshk. Në ato ditë ishte pothuajse e pamundur të gjendej në Kadijan. Ia paraqitëm nevojën Hazret Mesihut të Premtuar a.s. dhe ai na dha shumë më tepër sesa na duhej.”
Huzuri a.s. dha edhe ilaçin e përgatitur, edhe recetën e tij sekrete
I nderuari Munshi Zafar Ahmed nga Kapurthala tregon:
“Një mik, pas shumë përpjekjesh, mundi dhe shpenzimesh të mëdha, kishte siguruar prej dikujt recetën e një preparati medicinal të kalcinuar. Ai e përgatiti ilaçin, ia paraqiti Huzurit a.s. dhe bashkë me të i dha edhe recetën.
Një mik tjetër më tha që ta siguroja atë recetë, por personi që e kishte marrë nuk ia tregonte askujt. Shkova te Hazret Mesihu i Premtuar a.s. dhe i thashë:
‘Filan miku ju ka dhënë një ilaç të kalcinuar.’
Huzuri a.s. tha:
‘Shishja ndodhet aty. Merreni.’
Unë e pyeta:
‘Po receta e saj?’
Huzuri a.s. tha:
‘Edhe ajo ndodhet aty pranë.’
Kështu, mora edhe ilaçin, edhe recetën. Shkova tek ai mik dhe i thashë:
‘Shiko, ti nuk doje të na e tregoje, por unë e mora. Ja ku është.’
Ai shkoi te Huzuri a.s. dhe i tha:
‘Huzur, jua ia keni dhënë atë?’
Huzuri a.s. tha:
‘Ai erdhi dhe ma kërkoi, prandaj ia dhashë.’”
Huzuri a.s. më tha gjithashtu:
“Kam pranë meje fletoren e recetave të të ndjerit Mirza Sahib”, pra të babait të Huzurit a.s. “Juve ju nevojiten receta, apo jo? Po jua jap fletoren e babait tim. Në të ka receta shumë të mira. Merreni edhe atë.”
Por më pas nuk më shkoi mendja ta merrja atë fletore, edhe pse Huzuri a.s. kishte dashur të ma dhuronte.
“Jepini dy herë në ditë gjellë të mirë nga kuzhina”
I nderuari Mufti Muhammed Sadik, në një letër drejtuar Hazret Mesihut të Premtuar a.s., shkroi:
“Për shkak të shtatzënisë, prej disa kohësh gjendja e gruas sime është e tillë që në shtëpi nuk mund të përgatitet ushqimi. Bukën e pjekim në furrë, por kemi vështirësi për përgatitjen e gjellës. Prandaj parashtroj kërkesën që për një periudhë të na jepet gjellë nga Langari (kuzhina e Xhematit).”
Në përgjigje, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i shkroi Mian Nexhmuddin Sahibit, i cili ishte përgjegjës i Kuzhinës:
“Mufti Sahibit t’i jepet dy herë në ditë gjellë e mirë nga kuzhina (Langar). Kjo porosi të zbatohet me kujdes të shtuar.”
Pesëdhjetë rupitë e delegacionit që Huzuri a.s. nuk pranoi t’i merrte mbrapsht
I nderuari Muhammed Ismail tregon:
“Një herë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vendosi të dërgonte një delegacion në Nisibin, për të hulumtuar rreth jetës së Hazret Isait a.s. Në këtë delegacion ishin i nderuari Mirza Khuda Bakhsh, i nderuari Molvi Kutbuddin dhe anëtari i tretë ishte babai im, i nderuari Mian Xhemaluddin. Të tre ishin zgjedhur me short.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u dha secilit nga pesëdhjetë rupi për përgatitjen e rrobave dhe nevojave të tjera. Pastaj organizoi edhe një tubim lamtumire. Por më vonë, për disa arsye, dërgimi i delegacionit u anulua.
Kur udhëtimi u anulua, babai im ia ktheu Huzurit a.s. pesëdhjetë rupitë. Huzuri a.s. tha:
‘Atë që ia kam dhënë dikujt, nuk e marr mbrapsht.’”
Kur babai im u kthye në shtëpi, ma tregoi edhe mua këtë ngjarje.
Katër tenxhere me “shabdeg” u përgatitën sipas dëshirës së Sejjid Husamuddin Sialkotit
I nderuari Malik Ghulam Husain tregon se kjo ngjarje ndodhi në Xhelsa Salanën e vitit 1894 ose 1895.
I nderuari Husamuddin Sialkoti kishte shumë dëshirë të gatuante dhe të shijonte ushqime të mira. Në atë kohë kishte ardhur për Xhelsa. Ai e lavdëroi shumë “shabdegun” para Hazret Mesihut të Premtuar a.s. dhe tha:
“Huzur, shabdegu bëhet jashtëzakonisht i shijshëm.”
Shabdegu është një gjellë në të cilën përdoren lloje të ndryshme mishi dhe perime, dhe lihet të gatuhet gjatë gjithë natës.
Huzuri a.s. më thirri dhe tha:
“Siguroja Shah Sahibit çfarëdo që të dëshirojë dhe në çfarëdo sasie që t’i nevojitet.”
Kështu, mishin e morëm në Kadijan, ndërsa rrepat u sollën nga Batala. Afër mbrëmjes u vunë në zjarr rreth katër tenxhere të mëdha. Edhe orizi u ble nga një dyqan i njohur i atij vendi, që kishte oriz të mirë. U blenë rreth një kuintalë oriz (dy deri në dy maund e gjysmë). Të nesërmen në mëngjes, mysafirëve iu shërbye ushqimi sipas dëshirës së Sejjid Husamuddinit.
Për ushqimin e mysafirëve u dha stolia e Ama Xhanit (e bashkëshortes së Mesihut të Premtuar a.s.)
I nderuari Mirza Bashir Ahmed tregon se i nderuari Munshi Zafar Ahmed i kishte dhënë me shkrim këtë ngjarje:
“Një herë, gjatë Xhelsa Salanës, nuk kishte më para për shpenzimet. Në ato ditë, për Xhelsa Salanën nuk mblidhej ndonjë fond i rregullt. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i përballonte vetë shpenzimet.
I ndjeri Mir Nasir Nawab, i cili ishte përgjegjësi i kuzhinës (i Langarit), erdhi dhe tha:
‘Për sonte nuk kemi asgjë për mysafirët.’
Pra, paratë kishin mbaruar, furnizimet kishin përfunduar dhe nuk kishte më ushqim për mysafirët.
Huzuri a.s. tha:
‘Merrni ndonjë stoli nga gruaja ime që mund të mjaftojë’, pra nga Hazret Ama Xhani, ‘dhe duke e shitur ose lënë peng, siguroni furnizimet.’
Kështu, stolia u shit ose u la peng. I nderuari Mir solli paratë dhe u sigurua ushqimi për mysafirët.
Dy ditë më vonë, i nderuari Mir tha përsëri gjatë natës, në praninë time:
‘Për nesër nuk kemi më asgjë. Dy ditët kaluan me paratë e asaj stolie. Çfarë do të bëjmë tani?’
Huzuri a.s. tha:
‘Duke respektuar parimit të përdorimit të mjeteve, ne e bëmë përgatitjen tonë. Çfarë kishim, e dhamë. Tani nuk kemi më përgjegjësi. Këta njerëz kanë ardhur për hir të Allahut; janë mysafirët e Allahut. Tani Vetë Allahu do ta bëjë përgatitjen.’”
Të nesërmen erdhën dhjetëra mandate postare për mysafirët e Xhelsasë
Rrëfimtari vazhdon:
“Të nesërmen, rreth orës tetë ose nëntë të mëngjesit, kur erdhi postieri, Huzuri a.s. thirri të nderuarin Mir dhe mua. Në duart e postierit kishte rreth dhjetë ose pesëmbëdhjetë mandate postare, të ardhura nga vende të ndryshme. Disa ishin nga njëqind rupi e disa nga pesëdhjetë rupi.
Në to ishte shkruar:
‘Nuk kemi mundësi të vijmë vetë. Po dërgojmë këto para për shpenzimet e mysafirëve.’
Huzuri a.s. i mori paratë dhe mbajti një fjalim rreth mbështetjes tek Allahu (tevekul). Në atë kohë aty ishin edhe disa njerëz të tjerë.
Huzuri a.s. tha:
‘Ashtu siç një njeri i dhënë pas botës mbështetet te paratë që ka në arkën e tij dhe mendon se mund t’i nxjerrë kurdo që t’i nevojiten, ata që mbështeten tek Allahu kanë edhe më shumë siguri tek Allahu. Dhe kështu ndodh vërtet: kur lind nevoja, Allahu i Lartësuar dërgon menjëherë mjetet.’”
Pra, kur Huzuri a.s. tha se këta ishin mysafirët e Allahut dhe kishin ardhur për hir të Tij, me siguri ai edhe u lut. Mbështetja e tij tek Allahu ishte e përsosur, dhe Allahu i Lartësuar e bëri menjëherë përgatitjen.
Gjatë thatësirës, Huzuri a.s. shiti stolitë e shtëpisë për të blerë grurë
I nderuari Mian Rahmatullah tregon se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thoshte:
“Thatësia dhe epidemia po bashkohen, por njerëzit përsëri nuk pendohen. Ata po vdesin nga uria.”
Tre vjet më vonë, në vend u përhap një epidemi e rëndë murtaje.
Gjatë ditëve të zisë së bukës, Huzuri a.s. thoshte se në hadithe ishte përmendur që në kohën e Mesihut të Premtuar do të kishte zi buke. Kështu, fjala e Profetit të Nderuar s.a.v.s. dhe premtimi i Allahut të Lartësuar u përmbushën.
Nga ana tjetër, Huzuri a.s. e urdhëroi Hazret Molvi Nuruddin Sahibin r.a., që të siguronte sa më shumë drithë të ishte e mundur. Në atë kohë, vetë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. mbikëqyrte kuzhinën (Langarin). Për shkak të frikës së zisë së bukës, ai urdhëroi që furnizimet me drithë të siguroheshin paraprakisht dhe ia ngarkoi këtë detyrë Hazret Molvi Nuruddin Sahibit (Kalif i Parë r.a.), që ta blinte menjëherë.
Me urdhrin e Huzurit a.s., Molvi Sahibi bleu prej meje tridhjetë thasë drithë për kuzhinën (Langarin). Kishte mungesë fondesh, prandaj Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shiti të gjitha stolitë që ndodheshin në shtëpi. Ai i dha Molvi Sahibit shtatëqind rupi për të blerë grurë.
Në atë kohë, shtatëqind rupi ishin një shumë shumë e madhe.
Hazret Molvi Sahibi e dërgoi të ndjerin Mian Nexhmuddin nëpër fshatra për të blerë grurë. Bashkë me të shkoi edhe i nderuari Mirza Ismail dhe kështu u sigurua drithi.
“Çdo personi që kërkon bukë, jepjani. Askush të mos largohet duarbosh.”
Nga Bikaneri, një zonë e shtetit të Raxhesthanit (Rajasthan) në Indi, njerëzit u shpërngulën dhe erdhën në vendin tonë, sepse atje kishte rënë një zi shumë e rëndë buke. Nga çdo anë dëgjoheshin thirrjet:
“Duam bukë! Duam bukë!”
Huzuri a.s. urdhëroi që në kuzhinë (Langar) të përgatitej bukë vazhdimisht që gjithmonë të ishte gati. Ai i tha të nderuarit Mian Nexhmuddin:
“Çdo personi që kërkon bukë, jepjani. Askush të mos largohet duarbosh.”
Brenda pak ditësh, drithi i blerë mbaroi. Atëherë Huzuri a.s. mbajti një fjalim dhe tha:
“Kjo është një situatë e përkohshme. Njeriut nuk i kërkohet gjithmonë një sakrificë e tillë dhe as nuk i jepet gjithmonë një shpërblim i tillë. Këto janë ditë të veçanta për besimtarët. Allahu i Lartësuar u dhëntë miqve mundësi të sakrifikojnë për të fituar kënaqësinë e Tij.”
Pas këtij fjalimi u mblodhën disa para, ndërsa një pjesë tjetër erdhi nga jashtë, dhe u ble përsëri drithë. Kështu, gjatë gjithë ditëve të zisë buke, ky shërbim vazhdoi. Kushdo që vinte, i sigurohej menjëherë ushqimi.
Huzuri a.s. thoshte shpesh:
“Lexova në një gazetë se në filan vend kaq fëmijë vdiqën nga uria dhe kaq njerëz humbën jetën. Drithi nuk gjendet. Ky është një ndëshkim dhe zemërim shumë i rëndë i Allahut, që njerëzit të mos gjejnë drithë.”
Ai lutej vazhdimisht që Allahu i Lartësuar të tregonte mëshirë. Me shqetësim të madh e pyeste Mian Nexhmuddinin dhe bisedonte me Molvi Sahibin rreth gjendjes së furnizimeve.
Edhe sot, në disa vende të botës ekzistojnë kushte të tilla. Ka vështirësi të mëdha, zi buke dhe mungesë drithi; ose ushqimi është aq i shtrenjtë sa njerëzit nuk mund ta blejnë. Njerëzit po vdesin nga varfëria dhe uria.
Me bekimin e Allahut, kudo që Xhemati merr dijeni për raste të tilla, dërgon fonde për ndihmë dhe përpiqet t’u përmbushë nevojat. Edhe anëtarët e Xhematit japin kontributin e tyre. Allahu i Lartësuar u dhëntë edhe më shumë mundësi që të vazhdojnë përpjekjet për t’i ndihmuar të varfrit dhe njerëzit e prekur nga zia e bukës.
Huzuri a.s. derdhi para pa i numëruar për furnizimet e kuzhinës
I nderuari Kazi Nur Muhammed tregon:
“Gjatë kohës së Kalifit të Dytë r.a., i cili ishte bashkënxënësi im, pata mundësinë të studioja gjatë natës në Darul-Masih (në shtëpinë e Mesihut të Premtuar a.s.). Na jepte mësim Hazret Molvi Sher Aliu r.a.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u mbante ligjërata grave. Zëri i ligjëratës së tij arrinte qartë deri te ne, por, për fat të keq, tani nuk më kujtohet asgjë prej saj.
Zakonisht Mulla Ahmed Nuri shkonte për të marrë miellin e Langarit. Kur mielli sillej mbi gomar, Allahu i Lartësuar më jepte edhe mua mundësinë që ta ngrija thesin e miellit dhe ta çoja në Darul-Masih (në shtëpinë e Mesihut të Premtuar a.s.).
Një herë pashë Huzurin a.s. duke sjellë shumë rupi në prehrin e këmishës së tij. Pa i numëruar, ia derdhi të gjitha në prehrin e Mulla Ahmed Nurit.”
Pra, i dha paratë që të shkonte të blinte gjërat e nevojshme, në mënyrë që shërbimi i kuzhinës (i Langarit) të vazhdonte pa ndërprerje.
Ena me turshi prej gjetheve të akës që ia hapi përsëri zërin Çirag Dinit
I nderuari Mian Çirag Din tregon:
“Një herë fyti m’u bllokua aq shumë, sa nuk mund të nxirrja më zë. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i tha Hazret Molvi Nuruddin Sahibit r.a.:
‘Mjekojeni fytin e Çiragut. Përse nuk po i del zëri?’
Hazret Molvi Sahibi vazhdoi kurimin, por nuk pati ndonjë dobi.
Në një rast tjetër u mblodhën në Lahore Dr. Muhammed Husain Shah Sahibi, Dr. Jakub Beig Sahibi dhe Dr. Bure Khan Sahibi. Edhe para tyre, Huzuri a.s. e përmendi çështjen time dhe pyeti:
‘Përse këtij djali i është mbyllur zëri?’
Dr. Jakub Beig Sahibi ma kontrolloi fytin dhe tha:
‘Huzur, nëse urdhëron, mund t’i priten nga brenda pjesët e fryra të fytit, dhe kështu zëri mund t’i hapet.’”
Me sa duket, problemi lidhej me bajamet.
Huzuri a.s. nuk tha asgjë dhe heshti.
Pas disa ditësh, Huzuri a.s. më tha:
“Çirag, tani do të të mjekoj unë. Do të përgatis një recetë për ty.”
Me urtësinë e Allahut, po atë ditë një parfumist nga Amritsari solli një enë me turshi të përgatitur nga gjethet e bimës aka [Calotropis gigantea]. Huzuri a.s. e hapi, e pa dhe i tha Çiragut:
“Ky është ilaçi yt.”
Pra, më parë kishte thënë se do të përgatiste një recetë, dhe po atë ditë një person që përgatiste barna dhe turshi solli një enë me gjethet e akës.
Gjatë ushqimit, Huzuri a.s. vendoste dy ose tri gjethe mbi një bukë të hollë dhe ma jepte. Ishte shumë e shijshme. Edhe vetë Huzuri a.s. hëngri prej saj.
Me këtë trajtim fillova të ndihesha më mirë. Atëherë Huzuri a.s. ma dha të gjithë enën dhe tha:
“Merre dhe haje.”
E konsumova atë dhe u shërova plotësisht.
Për shkak të ankesës për ushqimin, nxënësve u shkonte ushqim nga shtëpia e Huzurit a.s.
I nderuari Mirza Afzal Beig tregon:
“Për herë të parë erdha në Kadijan në vitin 1898. Babai im, i cili punonte si përfaqësues ligjor në gjykatë, më regjistroi në Shkollën e Mesme “Talimul-Islam”. Në konvikt kishte vetëm disa nxënës.
Në atë kohë, ushqimi i nxënësve të konviktit sigurohej së bashku me ushqimin e Langarit. Kur u paraqit një ankesë lidhur me ushqimin, babai im ia përmendi këtë Hazret Mesihut të Premtuar a.s. dhe i tha se fëmijët po kishin vështirësi me ushqimin.
Nga dhembshuria, Huzuri a.s. tha:
‘Fëmijëve do t’u vijë ushqimi nga shtëpia ime.’
Kështu, për disa muaj ushqimi na vinte nga vetë shtëpia e Huzurit a.s.. Herë pas here, ai na dërgonte nga shtëpia edhe mango, ëmbëlsira dhe gjëra të tjera për të ngrënë.”
“Merri paratë tani; nuk dihet kur do të na bien përsëri në dorë”
I nderuari Khaxha Abdur-Rahman Kashmiri i tregoi Hazret Mirza Bashir Ahmedit se i ndjeri Hafiz Hamid Ali i thoshte:
“Sa herë që Hazret Mesihut të Premtuar a.s. i vinin para nga ndonjë vend, më thërriste, m’i jepte pa i numëruar dhe më thoshte:
‘Merrini paratë tani; nuk dihet se kur do të na bien përsëri në dorë.’”
Hazret Mirza Bashir Ahmedi shkruan se i ndjeri Hafiz Hamid Ali ishte një nga shërbyesit e posaçëm të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Huzuri a.s. i jepte para për nevojat e shtëpisë dhe për mikpritjen e mysafirëve.
Pesë rupitë për një shportë rrushi dhe përgjigjja: “Ne nuk mbajmë llogari me miqtë tanë”
I nderuari Khan Sejjid Ghulam Husain tregon:
“Një herë Huzuri a.s. më dërgoi nga Kadijani në Batala dhe më tha:
‘Ka ardhur fletëdorëzimi i një pakoje me tren. Shkoni dhe merreni nga Batala.’
Ai më dha edhe pesë rupi.
Pakoja ishte një shportë me rrush, ndërsa shpenzimi për marrjen e saj ishte vetëm katër ana. Kur ia solla shportën Huzurit a.s., ai grisi pëlhurën prej thesi me të cilën ishte mbështjellë dhe, me të dyja duart, nxori rrush e ma dha mua i pari, duke thënë:
‘Kjo është pjesa juaj.’
Kur desha t’i ktheja katër rupi e dymbëdhjetë ana që kishin mbetur, Huzuri a.s. e mori shportën dhe, duke hyrë brenda, tha:
‘Ne nuk mbajmë llogari me miqtë tanë.’”
Rrëfimtari thotë se në atë kohë ishte pesëmbëdhjetë vjeç.
Z. Kh. Kamaluddin erdhi pasi kishte lënë peng stolitë e gruas; Huzuri a.s. i mbushi prehrin me para
I nderuari Munshi Kazi Mahbub Alam tregon se i nderuari Molvi Muhammed Ali dhe i nderuari Khaxha Kamaluddin ushtronin së bashku profesionin e avokatit në Peshavar. Të dy ishin ortakë në punën e tyre. Më pas i nderuari Molvi Muhammed Ali erdhi në Kadijan, ndërsa i nderuari Khaxha Kamaluddin mbeti në Peshavar.
Kur kundër Hazret Mesihut të Premtuar a.s. u ngritën disa çështje gjyqësore, me shumë gjasë çështjet e Molvi Karam Dinit, i nderuari Khaxha Kamaluddin erdhi nga Peshavari për t’i ndjekur ato.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkoi në Xhaminë Mubarak. I nderuari Khaxha, me fytyrë shumë të trishtuar, tha:
“Huzur, vetëm Zoti dhe i Dërguari i Tij e dinë se si kam arritur deri këtu. M’u desh t’i lija peng stolitë e gruas që të siguroja paratë e udhëtimit. Gjendja ime financiare është shumë e keqe.”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:
“Khaxha Sahib, ju duhen para? Ejani.”
Pastaj Huzuri a.s. hyri brenda dhe Khaxha Sahibi shkoi me të. Huzuri a.s. hapi një sënduk, mori dy ose tri grushte të mbushura me para dhe ia hodhi në prehrin e tij. Pastaj e pyeti:
“Khaxha Sahib, mjaftojnë apo ju duhen edhe të tjera?”
Khaxha Sahibi tha:
“Mjaftojnë, Huzur. Tani janë shumë.”
Më vonë ai i numëroi paratë në Xhaminë Mubarak dhe dolën afërsisht treqind rupi. Të nesërmen i ndearuari Khaxha u nis për në Gurdaspur.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ia kishte hedhur të gjitha ato para në prehër pa i numëruar. Ishte zakon i tij i përgjithshëm që edhe shërbyesve të mos ua jepte paratë duke i numëruar, sepse kishte besim të plotë te ta.
Rrëfimtari thotë:
“Gjatë gjithë kohës që pata mundësinë të qëndroja pranë Huzurit a.s., nuk e pashë kurrë t’i kërkonte llogari ndonjë shërbyesi. Përkundrazi, kur dikush kërkonte diçka, Huzuri a.s. ia jepte.”
Pesëqind rupi menjëherë dhe pastaj njëqind rupi çdo muaj për Z. Khaxha Kamaluddinin
I nderuari Shejh Jakub Ali Irfani, duke përmendur dashamirësinë e Huzurit a.s. ndaj Khaxha Kamaluddinit, shkruan se ai më vonë u shkëput nga Xhemati dhe u armiqësua me pasardhësit e mirëbërësit të tij. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i kishte bërë shumë të mira, ndërsa ai më pas u tregua armiqësor ndaj djalit të tij, Hazret Kalifit të Dytë të Xhematit.
Z. Khaxha Kamaluddin kishte përjetuar në një shkallë shumë të madhe mirësitë, përkujdesjen, bujarinë dhe dhuratat e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Ai kishte marrë prej tij shuma të panumërta, por pas marrjes nuk i përmendte ato, nuk shprehte mirënjohje dhe vazhdonte të mburrej me shërbimet e veta, duke thënë se po i bënte shërbime shumë të mëdha Xhematit.
I nderuari Shejh Jakub Ali Irfani shkruan se këtë e konsideronte mosmirënjohje dhe harresë të mirësive.
Gjatë kohës kur në Gurdaspur zhvilloheshin çështjet gjyqësore kundër Molvi Karam Dinit, Khaxha Kamaluddini i tregoi Huzurit a.s. një letër që i kishte ardhur nga shtëpia e tij në Peshavar. Në të përmendej vështirësia e madhe financiare.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i dha menjëherë pesëqind rupi në dorë dhe pastaj tha:
“Do të vazhdojmë të të japim njëqind rupi çdo muaj.”
Kështu, atij vazhdoi t’i jepte njëqind rupi në muaj.
Gjithashtu, me nxitjen e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., anëtarët e Xhematit kishin dërguar një shumë shumë të madhe për shpenzimet e çështjes gjyqësore. Ato para mbaheshin nga z. Khaxha Kamaluddin, por Huzuri a.s. nuk i kërkoi kurrë llogari.
Manteli i çmuar afgan që Khaxha Kamaluddini e kërkoi për të hyrë hijerëndë në gjykatë
Përveç kësaj ndihme financiare, dëshmori Hazret Sahibzada Abdul Latif r.a. i solli Hazret Mesihut të Premtuar a.s. një mantel të çmuar të stilit afgan.
Z. Khaxha Kamaluddin ia kërkoi duke thënë:
“Huzur, ma dhuro këtë mantel, që ta vesh kur të hyj në gjykatë. Me bekimin e tij, avokatët e palës kundërshtare dhe të pranishmit në gjykatë do të impresionohen prej meje.”
Huzuri a.s. buzëqeshi dhe ia dha atë mantel të çmuar e të qëndisur.
Edhe në hytben e kaluar u përmend një pallto tjetër e çmuar prej lëkure me gëzof, një postin, që ishte sjellë si dhuratë. Edhe atë Huzuri a.s. ia dha Khaxha Kamaluddinit kur ai ia kërkoi.
Rrobat prej lëkure edhe sot konsiderohen cilësore dhe të shtrenjta. Edhe në atë kohë ato ishin të shtrenjta.
“Kur ju kërkova unë llogari?”
I nderuari Shejh Hamid Ali tregon:
“Deri në fund të jetës së tij, Huzuri a.s. nuk më kërkoi kurrë llogari dhe nuk u zemërua asnjëherë me mua.
Një herë shkova në Lahore. Hazret Molvi Nuruddin Sahibi r.a. kishte dërguar një dërgesë parash me vlerë shtatëqind rupi, të cilën e mora dhe e solla. Bleva gjithashtu disa sende. Pas blerjeve më mbetën afërsisht pesëdhjetë rupi.
Kur u ktheva, i paraqita Huzurit a.s. llogarinë e parave dhe të sendeve që kisha blerë. Ai më tha:
‘Kur ju kërkova unë llogari?’”
Huzuri a.s. u shqetësua për vonesën e Ahmed Dinit dhe dërgoi dikë ta kërkonte
I nderuari Shejh Ahmed Din tregon:
“Një herë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. më urdhëroi:
‘Shko në Amritsar te Mian Nabi Bakhsh Sahibi, rrobaqepësi që merrej me arnime.’
Huzuri a.s. më dha edhe një letër dhe tha:
‘Jepja këtë letër. Gjërat që ai të blejë dhe të japë, silli shpejt dhe kthehu deri nesër.’
Të nesërmen u vonova pak. Huzuri a.s. kishte një shërbyes me emrin Mian Karamdad. Atij i tha:
‘Shko shpejt. Ahmed Dinin e dërgova në Amritsar dhe ende nuk është kthyer. Shiko mos i ka ndodhur gjë.’
Gjatë rrugës u takova me Mian Karamdadin. Ai më tha:
‘Huzuri është shumë i shqetësuar për ty.’
Kur arrita te Hazret Mesihu i Premtuar a.s., që në fillim ai më pyeti:
‘A të ndodhi ndonjë vështirësi?’
Unë thashë:
‘Huzur, nuk pata asnjë vështirësi.’
Vetëm fakti që ai më pyeti për gjendjen time ma mbushi zemrën me gëzim.
Desha t’i jepja një fletë me llogaritë dhe disa para që kishin mbetur. Huzuri a.s. pyeti:
‘Çfarë është kjo fletë?’
Me respekt i thashë:
‘Është llogaria e gjërave që u blenë, ndërsa këto janë paratë që mbetën.’
Me shumë dashuri, Huzuri a.s. më tha:
‘Çfarë llogarie ka mes nesh dhe jush? Shpenzojini këto para për nevojat e tuaja.’
Kjo më gëzoi jashtëzakonisht shumë.”
Hazret Molvi Nuruddini r.a. e ktheu borxhin, por Huzuri a.s. nuk e pranoi
I nderuari Shejh Jakub Ali Irfani shkruan se një herë Hazret Molvi Hakim Nuruddin Sahibi r.a., mori hua disa para nga Hazret Mesihu i Premtuar a.s.
Kur më pas ia dërgoi përsëri atë shumë, Huzuri a.s. nuk e pëlqeu këtë dhe ia ktheu, duke i thënë:
“A i konsideroni paratë tona të ndara nga paratë tuaja?”
Njerëzit kërkonin rrobat e Huzurit a.s., derisa ndonjëherë i mbeteshin vetëm ato që kishte veshur
I nderuari Shejh Jakub Ali Irfani shkruan gjithashtu se, që nga koha kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shpalli misionin e tij dhe njerëzit morën vesh se Allahu i Lartësuar i kishte dhënë lajmin e mirë:
“Mbretërit do të kërkojnë bekim nga rrobat e tua”,
njerëzit filluan t’i kërkonin shpesh rrobat e tij.
Huzuri a.s. nuk e kthente askënd duarbosh. Ndonjëherë gjendja arrinte deri aty sa ai i shpërndante të gjitha rrobat e tjera dhe i mbeteshin vetëm ato që kishte mbi trup.
Paratë e librave “Barahin-e-Ahmedia” iu lanë Mir Abbas Aliut për t’i përdorur
I nderuari Shejh Jakub Ali Irfani thotë se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i lejoi Mir Abbas Ali Sahibit t’i përdorte paratë që i kishin ardhur nga shitja e librit “Barahin-e-Ahmedia”.
Ky është vetëm një shembull i vogël i zemërgjerësisë dhe bujarisë së tij.
Edhe kundërshtarit i dërgoi menjëherë pesëdhjetë rupi
I nderuari Munshi Zafar Ahmed tregon se Z. Mirza Nizam Din dhe Z. Mirza Imam Din ishin kundërshtarë shumë të ashpër të Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Pra, megjithëse ishin të afërmit e tij, ata i kundërviheshin fuqimisht.
Por sa herë që kishin ndonjë nevojë dhe i kërkonin diçka Huzurit a.s., ai ua plotësonte kërkesën.
Një herë, në praninë time, Z. Mirza Nizam Din i kërkoi Hazret Mesihut të Premtuar a.s. rreth pesëdhjetë rupi, pak më shumë ose pak më pak. Huzuri a.s. ia dërgoi menjëherë shumën me anë të Hafiz Hamid Aliut.
“U bëre Kalif i Mesihut të Premtuar a.s., por nuk po më ndihmon siç më ndihmonte ai”
I nderuari Hazret Mirza Bashir Ahmed shkruan se i nderuari Dr. Mir Muhammed Ismail i tregoi:
“Një ditë, në kohën e Hazret Kalifit të Parë të Mesihut të Premtuar, i nderuari Abdul Muhji, arabi, më tha:
‘Çfarë mund të thuhet për bujarinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.! Në kohën e tij nuk pata kurrë ndonjë vështirësi. Çfarëdo që më nevojitej, ia kërkoja pa ngurrim dhe Huzuri a.s. më jepte më shumë nga sa më duhej. Madje, më jepte edhe pa i kërkuar.
Kur Huzuri a.s. ndërroi jetë, Hazret Kalifi i Parë r.a., megjithëse njihej si njeri shumë bujar, nuk mundi t’i plotësonte nevojat e mia. Në fund, i shqetësuar, i shkrova:
“Jeni bërë Kalifi i Hazret Mesihut të Premtuar, por në plotësimin e nevojave të mia nuk po e përfaqësoni atë. Huzuri sillej me mua në këtë mënyrë.”
Pas kësaj, Hazret Kalifi i Parë r.a. më ndihmoi. Por, pasha Zotin, ku ishte Hazret Mesihu i Premtuar a.s. dhe ku ishte kjo ndihmë! Në krahasim me të, kjo nuk ishte asgjë.’”
Një grua në nevojë vodhi pak oriz, por Huzuri a.s. urdhëroi t’i jepej edhe më shumë
Një herë, në shtëpinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., një grua e varfër vodhi pak oriz. Disa njerëz e panë dhe filluan të bërtisnin.
Në atë kohë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. po punonte në dhomën e tij. Kur dëgjoi zhurmën, doli jashtë dhe pa një grua të varfër, të rraskapitur, e cila mbante në dorë një bohçe të vogël me oriz.
Kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. mori vesh se çfarë kishte ndodhur dhe pa gjendjen e saj të mjerë, zemra iu zbut. Ai tha:
“Kjo duket e uritur dhe në varfëri të skajshme. Jepini pak oriz dhe lëreni të largohet.”
Pra, tha, jepini edhe më shumë. Dhe tha:
“Veproni sipas cilësisë së Allahut që mbulon të metat e njerëzve.”
Kjo nuk ishte nxitje për vjedhje, por ushqim për një nevojtare të uritur
Pasi e rrëfen këtë ngjarje, Hazret Mirza Bashir Ahmedi shkruan se ndonjë njeri i nxituar mund të thotë:
“Kjo sjellje e inkurajon vjedhjen. Një vjedhëse po e bën edhe më të guximshme.”
Por njerëzit e urtë e kuptojnë se pasuria ishte vetë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., ndërsa gruaja që e kishte marrë ishte e varfër, e uritur dhe po vuante nga skamja. Prandaj kjo nuk ishte ndihmë për vjedhjen, por në të vërtetë ishte zbatimi i porosisë së Kuranit “ushqejini jetimët dhe njerëzit në nevojë”.
Nga hadithet vërtetohet se edhe Profeti s.a.v.s., në rrethana të tilla, kur një person ishte jashtëzakonisht i varfër dhe, i detyruar nga uria e skajshme, merrte diçka për të ngrënë, nuk e trajtonte atë si vjedhës, por e anashkalonte dhe ia mbulonte gabimin.
Këta janë shembujt e ndjekjes së përsosur të Udhëheqësit të tij.
اللَّهُمَّ صَلِّ عَلَىٰ مُحَمَّدٍ وَعَلَىٰ عَبْدِكَ الْمَسِيحِ الْمَوْعُودِ وَبَارِكْ وَسَلِّمْ
(O Allah, lartëso Muhammedin dhe robin tënd, Mesihun e Premtuar, dhe dërgojua selam!)