Mirënjohja | nga jeta e Mesihut të Premtuar a.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Mirënjohja | nga jeta e Mesihut të Premtuar a.s.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Hutbja e së xhumasë e Hazret Mirza Masrur Ahmedit, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, e mbajtur më 14.08.2026)

Pas recitimit të teshehudit, teauz-it, tesmijes dhe sures El-Fatiha, Huzuri, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, tha:

Mirënjohja që Profeti s.a.v.s. mësoi dhe Mesihu i Premtuar a.s. e shpjegoi në këtë kohë

Në hytbet e kaluara kam përmendur mësimin që dha Profeti s.a.v.s. për virtytin e mirënjohjes, si dhe shembullin që ai vetë vendosi në këtë drejtim.

Sot do të përmend diçka rreth asaj se si shërbyesi i tij i sinqertë, në këtë kohë, i kuptoi këto standarde të larta dhe si i paraqiti në raste e kontekste të ndryshme.

Po ashtu, do të përmend cilat ishin veprat e tij personale, si i këshillonte fëmijët në shtëpi për këtë çështje dhe çfarë priste ai nga një ahmedian. Në hytben e sotme do të sjell shembuj të tij, të cilat, në këtë kohë, janë udhërrëfyes për ne.

Kur njeriu merr gradë të lartë, duhet të shtojë mirënjohjen, jo mendjemadhësinë

Hazret Mesihu i Premtuar a.s., duke shpjeguar rëndësinë dhe urtësinë e falënderimit ndaj Allahut të Lartësuar për begatitë, thotë:

“Kur njeriu arrin ndonjë pozitë të lartë, shpesh bëhet mendjemadh, ndërkohë duke pasur një pozitë të tillë ai mund të bëjë shumë vepra të mira dhe mund t’i sjellë dobi njerëzimit.

Allahu i Lartësuar thotë në Kuranin e Shenjtë:

لَئِنْ شَكَرْتُمْ لَأَزِيدَنَّكُمْ وَلَئِنْ كَفَرْتُمْ إِنَّ عَذَابِي لَشَدِيدٌ

“Nëse falënderoni, Unë patjetër do t’ju shtoj dhe nëse bëheni mosmirënjohës, ndëshkimi Im do të jetë shumë i rëndë.” (Kurani i Shenjtë 14:8)

Domethënë, kur njeriu përfiton nga mirësitë e Allahut të Lartësuar, ai duhet ta falënderojë Atë dhe duhet të mendojë për përmirësimin e njerëzve. Por nëse nuk vepron kështu dhe, përkundrazi, fillon të bëjë padrejtësi, atëherë Allahu i Lartësuar ia merr ato begati dhe e ndëshkon.”

Mirësitë e Allahut nuk mund të numërohen

Në një vend tjetër, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Para së gjithash, falënderimi i takon Allahut, që na dha jetë, na dha shëndet, na dhuroi mirëqenie, na dha siguri dhe krijoi mjetet për përhapjen e fesë.

E vërteta është se nëse do të donim t’i numëronim këto begati të Zotit të Madhërishëm, kurrë nuk do të ishte e mundur t’i numëronim mirësitë dhe begatitë e Tij.”

Islami është i pastër nga çdo lloj prishjeje dhe e mete

Pastaj, në një rast tjetër, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Muslimanët duhet ta falënderojnë shumë Allahun e Lartësuar, që u dhuroi një fe të tillë që, si nga ana e dijes, ashtu edhe nga ana e veprës, është e pastër nga çdo lloj prishjeje, nga çdo gjë e papëlqyeshme dhe nga çdo lloj e mete.

Nëse njeriu mendon dhe reflekton, do ta kuptojë se realisht vetëm Allahu i Lartësuar është i denjë për të gjitha lavdërimet dhe cilësitë e larta. Asnjë njeri apo krijesë tjetër nuk është vërtet dhe realisht e denjë për lavdërim e lartësim.”

Vetëm Allahu i Lartësuar është realisht i denjë për çdo lavdërim

“Nëse njeriu e sheh këtë çështje pa përzier asnjë interes personal, do t’i bëhet menjëherë e qartë se ai që mund të quhet i denjë për lavdërim, mund të jetë i tillë vetëm për një nga këto arsye:

Ose sepse, në një kohë kur asnjë qenie nuk ekzistonte dhe as nuk kishte ndonjë lajm për ekzistencë, ai e solli atë në dritë;

ose sepse, në një kohë kur nuk kishte asnjë qenie dhe nuk dihej se cilat mjete ishin të nevojshme për ekzistencën, vazhdimësinë e jetën, ruajtjen e shëndetit dhe qëndrueshmërinë e jetës, ai i siguroi të gjitha ato mjete;

ose sepse, në një kohë kur mbi të mund të binin shumë fatkeqësi, ai tregoi mëshirë dhe e ruajti;

ose sepse nuk e çon dëm mundin e atij që punon dhe ia jep plotësisht të drejtat. Edhe pse, në dukje, dhënia e të drejtave të punëtorit është pagesë, megjithatë edhe ai që i përmbush plotësisht të drejtat mund të quhet mirëbërës.”

Pra, këto janë disa arsye të ndryshme për të cilat dikush mund të jetë i denjë për lavdërim, nëse i bën këto gjëra kur ato mungojnë dhe i vjen në ndihmë tjetrit.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Këto janë cilësi të shkallës më të lartë, të cilat mund ta bëjnë dikë të denjë për lavdërim dhe lartësim. Tani mendoni me kujdes: në kuptimin e vërtetë, i denjë për të gjitha këto lavdërime është vetëm Allahu i Lartësuar.”

Pra, këto tri-katër gjëra që u përmendën, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë se vetëm Zoti është realisht i denjë për to, sepse vetëm Ai i zotëron këto cilësi në mënyrë të përsosur. Askush tjetër nuk i ka këto cilësi. Nuk ka asnjë qenie tjetër që t’i ketë ato.

Ringjallja e dytë e Islamit dhe themelimi i Xhematit Ahmedia janë arsye për mijëra mirënjohje

Pastaj, duke tërhequr vëmendjen drejt falënderimit ndaj Allahut të Lartësuar për ringjalljen e dytë të Islamit dhe për themelimin e Xhematit Ahmedia, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“O të mençur! Mos u çuditni se përse Zoti i Madhërishëm ka zbritur prej qiellit një dritë qiellore në këtë kohë tejet të errët. Në këtë kohë të nevojshme, Ai ka zgjedhur dhe ka dërguar në botë një rob për të mirën e të gjithëve, për të ngritur fjalën e Islamit, për të përhapur dritën e Profetit Muhammed savs, për të mbështetur muslimanët dhe për të pastruar gjendjen e tyre të brendshme.

Duhet të çuditeshit atëherë kur Ai Zot që është Mbështetësi i fesë Islame, që premtoi t’i ishte Rojë mësimit të Kuranit dhe që nuk do ta lejonte atë të ftohej, të zvetënohej e të errësohej, të heshtte duke e parë këtë errësirë dhe duke i dëshmuar këto trazira të brendshme e të jashtme dhe të mos i kujtohej premtimi, të cilin në fjalën e Vet, e bëri me këmbëngulje të fuqishme.”

Pra, bekimi që Allahu i Lartësuar dërgoi ishte pikërisht sipas premtimit të Tij, dhe në këtë nuk ka asgjë për t’u çuditur. Çudi do të ishte nëse Allahu nuk do ta përmbushte atë premtim dhe rënia e Islamit do të vazhdonte pa ndalesë.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

“Sërish ju them: Nëse do të kishte vend për çudi, do të ishte atëherë kur profecia krejtësisht e qartë e Profetit fisnik të gabonte, në të cilën ai pati thënë:

“Zoti i Madhërishëm në krye të çdo shekulli, dërgon një rob të Tij, që e ripërtërin besimin”.

Andaj ky moment nuk është për t’u çuditur, përkundrazi, është për të falënderuar mijëra e mijëra herë dhe për t’u shtuar në besim e në bindje, …”

Dhe ashtu siç shohim, deri në ardhjen e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., në çdo shekull kanë ardhur ripërtëritës në popuj të ndryshëm. Pastaj Allahu i Lartësuar e dërgoi Hazret Mesihun e Premtuar a.s. si ripërtëritës për mijëvjeçarin e fundit, duke i dhënë gradën e Mesihut të Premtuar dhe Mehdiut të Premtuar.

Ai vjon:

“… është për të falënderuar mijëra e mijëra herë dhe për t’u shtuar në besim e në bindje, që Zoti i Madhërishëm me bekimin dhe mirësinë e Tij, ka përmbushur premtimin e Vet dhe, në profecinë e të Dërguarit të Vet, nuk lejoi të ketë vonesë as edhe për një minutë dhe jo vetëm që e përmbushi këtë profeci, por hapi derën e mijëra profecive dhe mrekullive për të ardhmen.”

Me ardhjen e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., Allahu i Lartësuar përmbushi edhe shumë profeci të tjera.

Ai vjon:

“Nëse jeni besimtarë, falënderoni dhe bëni sexhde falënderimi, sepse ju keni gjetur kohën, të cilën etërit tuaj të dëlirë dhe shpirtra të panumërta mbetën duke e pritur dhe duke e dëshiruar derisa kaluan në botën tjetër.”

Muslimanët e mëparshëm, dijetarët dhe të mëdhenjtë e tyre vazhdimisht e pritën ardhjen e Mesihut të Premtuar, por nuk e arritën. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë: ju jeni fatlumë që e arritët atë kohë. Tani falënderojeni Allahun e Lartësuar.

Ai vijon:

“Tashmë është në dorën tuaj ta vlerësoni ose jo e të përfitoni ose jo nga kjo. Unë këtë do ta them vazhdimisht dhe nuk mund të ndalem pa e treguar se unë jam ai që është dërguar në kohën e duhur për reformën e njerëzve, [pra, Allahu e përmbushi premtimin e Tij nëpërmjet meje], në mënyrë që besimi të vendoset edhe një herë në zemrat e tyre.” (Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., “Fitorja e Islamit”)

Ah sikur kundërshtarët e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. dhe muslimanët që nuk e pranojnë atë ta kuptonin këtë të vërtetë! Sikur, duke u bërë mirënjohës ndaj Allahut të Lartësuar, ta pranonin atë që Allahu i Lartësuar ka dërguar dhe ta lidhnin veten në vargun e unitetit, që të shpëtonin nga vështirësitë nëpër të cilat po kalojnë muslimanët sot.

Kërkuesit të së vërtetës: “Falënderoje Zotin që të dha syrin e njohjes”

Duke iu drejtuar një kërkuesi të së vërtetës, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

“Falënderojeni Zotin që Ai ju erdhi në ndihmë pikërisht në kohën e duhur dhe e themeloi këtë Xhemat. Prandaj, është e përshtatshme për ju që të mos e humbni këtë mirësi që ju është dhënë, por ta shihni me sy respekti dhe ta vlerësoni ndihmën dhe përkrahjen që ju është dhënë.

Mbajeni mend se pa ndihmën e Zotit dhe pa thirrjen e Tij, askush nuk mund ta shpjegojë të vërtetën me drejtësi dhe me fuqi të plotë. Pa ndihmën e Tij, njeriu as nuk gjen argumente të duhura. Argumentet vijnë vetëm kur është ndihma e Allahut të Lartësuar. Edhe mënyra e shpjegimit nuk i jepet njeriut pa ndihmën e Tij.

Është gjithashtu një mirësi e veçantë e Allahut të Lartësuar që, përmes asaj mënyre shpjegimi, njerëzit që kanë fuqi mirësie arrijnë ta njohin atë njeri që flet me fuqinë dhe mbështetjen e Zotit, i mbushur me Shpirtin e Shenjtë.”

Është mirësi e Allahut të Lartësuar që njerëzit arrijnë ta njohin atë që Ai e ka dërguar. Prandaj, Huzuri a.s. tha:

“Pra, ky është një mirësi shumë e madh e Zotit të Madhërishëm ndaj jush, që Ai ju ka dhënë këtë aftësi dhe ju ka dhënë syrin e njohjes.”

Pra, duke iu drejtuar kërkuesit të së vërtetës, Huzuri a.s. i tha se, meqenëse ai po kërkonte të vërtetën, duhej ta falënderonte Allahun e Lartësuar që Ai i kishte dhënë mendje dhe kuptim. Ka shumë njerëz që e konsiderojnë veten dijetarë të mëdhenj, por nuk kanë kuptim të vërtetë. Ata vazhdojnë të përparojnë në kundërshtim. Por ju falënderojeni Allahun që Ai ju dha mendje.

“Sikur Zoti të mos të kishte bërë këtë mirësi, edhe ti do të ishe mes atyre që shajnë”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

“Mirësitë e Allahut të Lartësuar janë shumë të mëdha. Sikur Ai të mos e bënte këtë mirësi, atëherë, ashtu siç njerëzit e tjerë janë pas perdeve dhe shajnë, edhe ju do të ishit mes tyre. Prandaj, ata që e pranuan janë fatlumë. Ajo që ju ka tërhequr është vetëm mirësia e Zotit.”

Pastaj Huzuri a.s. dha shembullin e Mian Abdul Hakkut dhe tha:

“Shihni vetë Mian Abdul Hakkun. Sikur mirësia e Zotit të mos i vinte në ndihmë, si mund të dilte ai nga ajo gjendje luksi?”

Shembulli që Huzuri a.s. jep këtu për Mian Abdul Hakkun i referohet Munshi Abdul Hakkut, banor i Kasurit. Ai ishte student dhe në atë kohë studionte për baçelor për letërsinë. Megjithëse ishte musliman, tre vjet përpara kësaj kohe, kur Huzuri a.s. po e përmendte këtë ngjarje, ai ishte bërë i krishterë.

Duke lexuar gazetën “El-Hakam” dhe disa shkrime të Hazret Mesihut të Premtuar a.s., ai i shkroi një letër Huzurit a.s. se dëshironte ta shihte të vërtetën dhe vërtetësinë e Islamit në formë praktike. Ai shkroi se, në mënyrë të zakonshme, nuk kishte parë diçka të veçantë në Islam, prandaj donte ta shihte atë në praktikë.

Kështu, ai i shkroi Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Për këtë, Huzuri a.s. i shkroi që të vinte në Kadijan dhe të qëndronte atje së paku dy muaj. Ai vendosi të shkonte në Kadijan Darul-Aman, dhe arriti atje në vitin 1901. Pastaj qëndroi pranë Huzurit a.s.

Kur deshi të shkonte në Kadijan, shumë njerëz e këshilluan të mos shkonte

Kur ai vendosi të shkonte në Kadijan, shumë njerëz tentuan ta ndalonin. Ata e këshilluan dhe e ndaluan duke i thënë:

“Mos shko në Kadijan.”

Madje njëri prej tyre e shau, ndonëse sharja është e ndaluar në fenë e tyre dhe, në përgjithësi, është edhe kundër qytetarisë dhe sjelljes së kulturuar. Megjithatë, mbi të gjitha këto gjëra mbizotëroi mirësia e Zotit, e cila ajo e tërhoqi atë në Kadijan.

Atij nuk iu krijuan rrethana që do ta çonin drejt së keqes. Përndryshe, mund të kishte rënë në pengesa. Në atë kohë ai nuk ishte i martuar. Huzuri a.s. tha se ndonjëherë edhe për shkak të martesës lindin sprova të mëdha. Sikur ai të ishte martuar, mund t’i dilte ndonjë sprovë. Por Zoti e ruajti në çdo mënyrë.

Mirësia e Allahut të Lartësuar nuk është diçka e re apo e shpikur rishtas. Kjo është mënyra e Allahut: kur Ai tregon mirësi ndaj dikujt, e ruan atë në çdo drejtim.

“Mos mendoni se mjafton të thoni: jemi muslimanë”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

“Mos mendoni se ne jemi muslimanë dhe kaq mjafton. Islami është një bekim shumë i madh. Vlerësojeni dhe falënderojeni për të.

Në të ka një filozofi që nuk arrihet vetëm duke e thënë me gojë.”

Pra, çështja nuk përmbushet vetëm duke thënë se jemi muslimanë. Njeriu duhet të veprojë edhe sipas mësimeve, veprave dhe udhëzimeve që Islami paraqet.

“Zoti nuk më la vetëm”

Duke shprehur mirënjohje për ata që kishin sinqeritet dhe dashuri për Xhematin Ahmedia, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Këtu nuk mund ta zgjas pa treguar faktin në shenjë mirënjohjeje se Zoti i Madhërishëm me bekimin dhe mëshirën e Tij, nuk më la vetëm. Ata që kanë krijuar lidhje vëllazërore me mua, që kanë hyrë në këtë Xhemat, të cilin Zoti i Lartësuar e ka themeluar me dorën e Vet, janë të praruar me një dashuri e sinqeritet krejtësisht të veçantë.

Këto shpirtra të mbushura me vërtetësi, Zoti i Madhërishëm m’i dha jo për shkak të përpjekjeve të mia, por me mirësinë e Tij të veçantë.”

Huzuri a.s., duke lavdëruar njerëzit e sinqertë që hynë në Xhematin Musliman Ahmedia, thotë se Allahu i Lartësuar i dha shpirtra të mbushura me vërtetësi. Ai vjon:

“Ndiej nxitje në zemër për t’ju përmendur më së pari një vëlla timin shpirtëror, i cili, si nuri i sinqeritetit të tij, quhet Nur Din. Disa nga shërbimet e tij për besimin, që ai po i bën duke shpenzuar pasurinë e tij hallall për ta ngritur emrin e Islamit, unë i shoh me lakmi dhe do të doja, sikur ato shërbime t’i bëja edhe unë.”

Pra, edhe pse Huzuri a.s. vetë po bënte kaq shumë për Islamin, prapë thotë se kur i shihte sakrificat e Hazret Molana Nuruddin Sahibit r.a., i lindte dëshira që edhe ai të mund të bënte një shërbim të tillë financiar.

Vetëm duke e përfytyruar patosin e tij që ka në zemër për ta mbështetur besimin, mua më shfaqet përpara syve plani mrekullibërës i Zotit, se si Ai i tërheq robërit e Tij drejt Vetes. Vëllai në fjalë me gjithë pasurinë e tij, me gjithë fuqinë e tij dhe me të gjitha mjetet e fuqishme që ka, përherë qëndron i gatshëm për t’iu bindur Allahut dhe të Dërguarit. [Pra, e ka fjalën për Hazret Kalifin e Parë të tij, Mevlana Nurudinin. Ai vijon:]

E kam bindje të plotë jo thjesht nga mendimi i mirë rreth tij, por nga përvoja se ai nuk do të ngurrojë për të sjellë në rrugën time jo vetëm pasurinë, por edhe jetën dhe nderin e tij. Po ta kisha lejuar, ai do të qëndronte çdo çast në krye të detyrës, jo vetëm me praninë e tij shpirtërore, por edhe me atë fizike, duke sakrifikuar gjithçka në këtë rrugë.”

Kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e tha këtë, ishte fundi i vitit 1890. Ai e shkroi këtë në librin e tij “Fet’h-e-Islam” (“Fitorja e Islamit”). Më vonë, Mevlana Hakim Nuruddin Sahibi r.a. la gjithçka dhe erdhi në shërbim të Hazret Mesihut të Premtuar a.s., dhe qëndroi pranë tij.

Mirësitë trupore dhe shpirtërore nën cilësinë të Gjithëmëshirshmit të Allahut

Duke përmendur mirësitë trupore dhe shpirtërore nën cilësinë e të Gjithëmëshirshmit të Zotit të Madhërishëm, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Lavdërime dhe falënderime të panumërta i takojnë Atij të Plotfuqishmi, që krijoi të gjitha shpirtrat dhe trupat pa asnjë lëndë paraprake dhe pa ndonjë formë fillestare, vetëm me urdhrin dhe vullnetin e Tij, dhe kështu tregoi shembullin e fuqisë së Tij madhështore.

Ai i mësoi dhe i edukoi vetë të gjithë profetët e dëlirë, pa asnjë mësues, dhe kështu shfaqi shenjat e bekimeve të Tij të lashta.”

Domethënë, profetët që Allahu i Lartësuar i dërgon, Ai vetë i mëson, vetë i edukon dhe mbi ta zbret urdhrat e Tij.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Subhanallah! Sa i Gjithëmëshirshëm dhe Dhuruesi i madh është Ai, që, pa pasur ne ndonjë të drejtë apo meritë, i rregulloi vetë të gjitha punët tona, ne të dobëtve!

Për qëndrueshmërinë e trupit tonë, Ai vuri në punë diellin, hënën, retë dhe erërat. Për rregullimin tonë shpirtëror, Ai dërgoi në kohën e duhur Teuratin, Ungjillin, Kuranin dhe të gjitha librat qiellorë.”

“O Zot! Mijëra herë të falënderoj që na tregove rrugën e njohjes Sate”

Më tej, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. lutet:

“O Zot! Mijëra e mijëra herë të falënderoj që Ti vetë na tregove rrugën e njohjes Sate dhe, duke zbritur librat e Tu të pastër, na ruajte nga gabimet dhe lajthitjet e mendimit dhe të arsyes.

Selevate dhe selam qofshin mbi udhëheqësin e të dërguarve, Muhammedin s.a.v.s., mbi familjen dhe ndjekësit e tij, sepse, përmes atij, Zoti drejtoi një botë të tërë të humbur;

ai [Profet] është udhëzues dhe dobiprurës që solli njerëzimin e humbur në rrugën e drejtë; ai është ndihmës dhe favorbërës që shpëtoi njerëzit nga sherri i idhujve dhe i shirkut;

ai është dritë dhe dritëdhënës që ndriçoi botën me dritën e Teuhidit; ai është mjeku i kohës që shëroi zemrat e qelbura; ai është bujar dhe çudibërës që u dha të vdekurve ujë jetëdhënës; [pra, atyre që ishin shpirtërisht të vdekur]

ai është i mëshirshëm dhe shpirtmadh që ndjeu dhimbje dhe hoqi brengë për umetin e tij; ai është trim dhe guximtar që na nxori nga kthetrat e vdekjes; ai është i butë dhe vetëmohues që uli kokën në robëri për hir të Zotit dhe treti veten në dhe;

ai është adhurues i përsosur i Zotit të Vetëm dhe oqean i urtësisë, të cilit i pëlqeu vetëm madhështia e Zotit dhe që hodhi poshtë çdo gjë tjetër;

ai është mrekulli e krijimit të Gjithëmëshirshmit, i cili, edhe pse i pashkolluar, parakaloi të gjithë në dijet e vërteta dhe që çdo populli i vuri në dukje lajthitjet dhe gabimet.”

Kjo është lavdërimi i Profetit s.a.v.s. Më parë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. përmendi Teuratin dhe Ungjillin, për ata popuj që morën udhëzim të drejtë përmes Teuratit dhe Ungjillit. Por më pas, kur bota pati trazira të fuqishme, Allahu i Lartësuar dërgoi Profetin Muhammed s.a.v.s., dhe përmes tij i bashkoi robërit me Zotin.

Lutja e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.: “Nuk mund t’i falënderoj mirësitë e Tua”

Pastaj Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“O Zot i botëve! Unë nuk mund t’i falënderoj mirësitë e Tua. Ti je jashtëzakonisht i Mëshirshëm dhe Bujar, dhe mirësitë e Tua ndaj meje janë të pafundme.

Falmi mëkatet, që të mos shkatërrohem. Vendos në zemrën time dashurinë Tënde të pastër, që unë të marr jetë. M’i mbulo të metat dhe më bëj të kryej vepra me të cilat Ti të jesh i kënaqur.

Për hir të Qenies Sate Bujare, kërkoj mbrojtjen Tënde që unë të mos bie nën zemërimin Tënd.

Mëshiromë dhe më ruaj nga fatkeqësitë e kësaj bote dhe të ahiretit, sepse çdo mirësi dhe çdo bujari është vetëm në dorën Tënde. Amin, amin!”

“Mijëra herë falënderoj Zotin që na dha këtë fe të pastër”

Pastaj Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

“Mijëra e mijëra herë falënderoj Zotin Bujar, që na dha një fe të tillë që është mjet i pakrahasueshëm për njohjen e Zotit dhe për frikën ndaj Zotit, shembulli i së cilës nuk është gjetur kurrë në asnjë kohë tjetër.

Mijëra salavate qofshin mbi atë Profet të pastër, përmes të cilit ne hymë në këtë fe të shenjtë. Dhe mijëra mëshira qofshin mbi sahabët e Profetit Muhammed, të cilët e vaditën këtë pemishte me gjakun e tyre.”

Edhe vuajtja në rrugën e Allahut është arsye për mirënjohje

Në një vend tjetër, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Ata që janë të drejtë dhe të sinqertë në sytë e Zotit, gjithmonë kanë vuajtur nga gjuha dhe dora e të paditurve.”

Ata që janë të drejtë në sytë e Allahut të Lartësuar, që janë të sinqertë, që realisht i përmbahen fesë dhe i qëndrojnë besnikë Allahut, vuajnë nga gjuhët dhe duart e të paditurve. Ashtu siç edhe në këtë kohë, ahmedianët po vuajnë në disa vende.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Meqenëse kjo ka qenë gjithmonë tradita e Zotit që nga kohët e lashta, prandaj nëse edhe ne vuajmë ndonjë lëndim nga të afërmit apo të huajt, nga tanët apo nga të tjerët, duhet të falënderojmë dhe të gëzohemi që, në sytë e të Dashurit të Vërtetë, u konsideruam të denjë që të heqim mundime në rrugën e Tij.”

Nëse po vuajmë në rrugën e Allahut të Lartësuar, atëherë edhe kjo është fatmirësi për ne. Duhet të gëzohemi dhe ta falënderojmë Allahun, sepse ata që durojnë vuajtje në rrugën e Allahut janë pikërisht ata që Allahu i do.

Huzuri a.s. thotë:

“Pra, të persekutohemi në këtë mënyrë është lumturia jonë e plotë. Por kur shohim nga ana tjetër se disa armiq të fesë, me shpifjet e tyre të sajuara, nuk mjaftohen vetëm duke na lënduar, por fusin në sprovë edhe njerëz të paditur dhe të painformuar, atëherë në këtë gjendje ne e quajmë detyrë për veten tonë që, sa të kemi mundësi, t’i shpëtojmë nga sprova ata që janë të painformuar.”

Domethënë, duhet t’u shpjegojmë edhe atyre të vërtetën dhe t’ua tregojmë njerëzve të këqijat e atyre që përpiqen t’i dëmtojnë.

Por shpëtimi nga sprova nuk do të thotë që ne të fillojmë të përdorim të njëjtën gjuhë të pahijshme që përdorin kundërshtarët, ose të biem në mungesë edukate. Përkundrazi, duke qëndruar brenda kufijve të mësimit islam, duhet t’u përgjigjemi propagandave të tyre të rreme dhe akuzave të tyre.

Këtë duhet ta mbajë mend çdo njeri që merret me tabligë. Ndonjëherë, kur njerëzit bëjnë kundërshtime, edhe ne nga ana jonë themi gjëra të tilla që i japin kundërshtarit mundësi të thotë: “A janë këto moralet tuaja?”

Moralet tona duhet të jenë shumë të larta. Po, e vërteta duhet thënë patjetër, por duke qëndruar brenda kufijve të moralit. Nuk duhet të përdorim të njëjtën gjuhë që përdorin ata.

“Unë nuk mund ta falënderoj Allahun për mirësinë që, në kohën e tekfirit, Ai më tha: ti je i pari ndër besimtarët”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Unë nuk mund t’i falënderoj mirësitë e Zotit të Madhërishëm, që në këtë kohë tekfiri, kur nga çdo anë dëgjohen zërat e dijetarëve të kësaj kohe duke thënë:

لَسْتَ مُؤْمِنًا

‘Ti nuk je besimtar’,

nga Allahu xhele shanuhu më vjen kjo thirrje:

قُلْ إِنِّي أُمِرْتُ وَأَنَا أَوَّلُ الْمُؤْمِنِينَ

‘Thuaj: mua më ka caktuar Allahu, dhe unë jam i pari ndër besimtarët.’

Nga njëra anë, hoxhallarët e nderuar thonë:

“Gjeni ndonjë mënyrë për ta shkulur këtë njeri nga rrënjët.”

Nga ana tjetër, më vjen frymëzimi prej Zotit:

يَتَرَبَّصُونَ عَلَيْكَ الدَّوَائِرَ عَلَيْهِمْ دَائِرَةُ السَّوْءِ

“Ata presin që ty të bien fatkeqësitë e kohës. Atyre do t’u bien fatkeqësitë e kohës.””

Në fund, insha-Allah, ky do të jetë rezultati.

“Nga njëra anë, ata përpiqen që të më poshtërojnë dhe të më turpërojnë rëndë. Nga ana tjetër, Zoti më premton:

إِنِّي مُهِينٌ مَنْ أَرَادَ إِهَانَتَكَ

“Unë do ta poshtëroj atë që dëshiron poshtërimin tënd.”

اللَّهُ أَجْرُكَ

“Allahu është shpërblimi yt.”

اللَّهُ يُعْطِيكَ جَلَالَكَ

“Allahu do të vendosë madhështinë tënde.”

Nga njëra anë, hoxhallarët shkruajnë fetva pas fetvaje se ai që më ndjek mua, bëhet qafir. Nga ana tjetër, Zoti i Madhërishëm po më dërgon frymëzimin në mënyrë të vazhdueshme dhe të theksuar:

قُلْ إِنْ كُنْتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللَّهُ

‘Thuaj: nëse e doni Allahun, më ndiqni mua; Allahu do t’ju dojë.’”

Këto fjalë Allahu i Madhërishëm i tha Profetit Muhammed s.a.v.s. Dhe në ndjekjen e Profetit s.a.v.s., Allahu ia tha edhe shërbyesit të tij të sinqertë, sepse ai ishte dashuruesi i vërtetë i Profetit s.a.v.s. dhe ndjekës i përsosur. Të pranosh Hazret Mesihun e Premtuar a.s. është bindje e plotë ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s., sepse ai vetë është ndjekësi dhe shërbyesi i përsosur i Profetit Muhammed s.a.v.s..

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

“Me pak fjalë, të gjithë këta hoxhallarë po luftojnë kundër Zotit të Madhërishëm. Tani le të shikojmë se kush do të fitojë.”

Përparimi i Xhematit është përgjigje për kundërshtarët

Përparimet që po ndodhin në Xhemat me bekimin e Allahut të Lartësuar dhe mënyra se si Xhemati po rritet gradualisht, janë përgjigje e mjaftueshme për këta njerëz, nëse kanë pak sy për të parë dhe pak turp.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Në këtë vend, nuk mund të rri pa e falënderuar Allahun, se ashtu siç Allahu i Lartësuar, në mbështetje të Profetit tonë s.a.v.s., i bëri jobesimtarët të pafuqishëm përmes shpalljes së Tij dhe tha se Profeti Im ka një moral kaq të lartë saqë ju nuk keni fuqi të gjeni ndonjë të metë apo mangësi në jetën e tij të kaluar dyzetvjeçare, ndonëse ai jetoi për dyzet vjet ditë e natë mes jush; dhe as nuk keni fuqi të gjeni qoftë edhe një grimë të mete në familjen e tij të lartë, e cila është familje fisnike, e pastër dhe udhëheqëse.

Atëherë mendoni vetë: një njeri që i përket një familjeje kaq të lartë, kaq të pastër dhe kaq fisnike, dhe jeta e tij dyzetvjeçare, e kaluar para syve tuaj, dëshmon se shpifja dhe gënjeshtra nuk janë puna e tij, atëherë kur, krahas këtyre cilësive, ai po tregon edhe shenja qiellore, kur mbështetjet e Allahut të Lartësuar janë me të, dhe kur ai ka sjellë një mësim përballë të cilit besimet tuaja janë të gjitha të ndyra, të papastra dhe plot shirk, çfarë dyshimi ju mbetet më pas për vërtetësinë e këtij Profeti?”

Pra, kjo është përgjigjja ndaj kundërshtarëve të Islamit: Profeti s.a.v.s. është Profeti i vërtetë, i cili erdhi nga Allahu i Lartësuar dhe krijoi mjetet për ta lidhur botën me Allahun.

“Edhe mua Allahu më bëri argument kundër kundërshtarëve të mi”

Pastaj Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë për veten:

“Po kështu, Allahu i Lartësuar i ka bërë të pafuqishëm edhe kundërshtarët dhe mohuesit e mi, sepse edhe unë jam shërbyesi i sinqertë i Profetit Muhammed s.a.v.s.”

“Edhe për mua”, thotë Huzuri a.s., “Allahu i Lartësuar ka bërë të njëjtin premtim.” Ai sjell si referencë librin “Brahin-e-Ahmedia” dhe thotë se në të është shpallur për mua ky ilham, të cilit i kanë kaluar njëzet vjet që nga botimi:

وَلَقَدْ لَبِثْتُ فِيكُمْ عُمُرًا مِنْ قَبْلِهِ أَفَلَا تَعْقِلُونَ

“Thuaju këtyre kundërshtarëve: unë kam jetuar mes jush për dyzet vjet, dhe ju më keni parë gjatë gjithë kësaj kohe të gjatë se puna ime nuk ka qenë shpifja dhe gënjeshtra. Zoti më ka ruajtur nga një jetë e papastër.

Atëherë, një njeri që për një kohë kaq të gjatë, pra për dyzet vjet, mbeti i ruajtur nga çdo shpifje, ligësi, mashtrim dhe poshtërsi, dhe që kurrë nuk gënjeu para njerëzve, si mund të jetë e mundur që tani, në kundërshtim me zakonin e tij të hershëm, ai të shpifë kundër Zotit të Madhërishëm?”

Shumë aspekte të jetës së Hazret Mesihut të Premtuar a.s. janë përmendur më parë. Prej tyre është bërë e qartë se edhe kundërshtarët e tij e lavdëronin dhe pranonin se ai kurrë nuk gënjeu në jetën e tij.

Pra, këto janë ato raste të mirënjohjes, ku Hazret Mesihu i Premtuar a.s. falënderoi Allahun e Lartësuar për bekimet e Tij, dhe shprehu ndjenja mirënjohjeje edhe për ndihmësit dhe përkrahësit e tij.

Tregimi që Mesihu i Premtuar a.s. ua tregoi fëmijëve për mirënjohjen

Përveç këtyre gjërave, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. përpiqej ta krijonte rëndësinë e mirënjohjes edhe te fëmijët.

Rreth mënyrës se si vepronte ai në shtëpi, vjen një transmetim. Një herë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u tregoi fëmijëve në shtëpi një tregim, të cilin Hazret Musleh Maudi r.a. e diktoi për gazetën “El-Hakam”. Tregimi ishte ky:

Ishte një njeri tullac dhe një njeri i verbër. Me urdhrin e Allahut, një engjëll erdhi në formë njeriu te tullaci dhe e pyeti:

“Çfarë dëshiron?”

Tullaci tha:

“Dua që të më dalin flokë në kokë dhe të kem para e pasuri.”

Engjëlli i vuri dorën mbi kokë, dhe me fuqinë e Zotit atij i dolën flokë. Gjithashtu, ai mori pasuri, shërbëtorë dhe mjete të shumta.

Pastaj engjëlli shkoi tek i verbri dhe e pyeti:

“Çfarë dëshiron?”

I verbri tha:

“Dua që sytë e mi të ndriçohen, që të mos rrëzohem vend e pa vend, dhe të kem para e pasuri, që të mos jem nevojtar i askujt.”

Engjëlli i vuri dorën mbi sytë e tij dhe ata u ndriçuan. Edhe atij iu dha pasuri.

Pastaj i njëjti engjëll, me urdhrin e Allahut të Lartësuar, erdhi për t’i sprovuar të verbrit dhe tullacit, këtë herë në pamjen e një të varfri.

Ai shkoi te tullaci dhe i kërkoi ndihmë. Tullaci, me fytyrë të vrazhdë dhe me sjellje shumë të keqe, iu përgjigj ashpër, e qortoi dhe tha:

“Largohu! Ka shumë të varfër si ti që sillen lart e poshtë.”

Atëherë engjëlli i vuri dorën mbi kokë, dhe ai u bë përsëri tullac siç kishte qenë më parë. E gjithë pasuria iu zhduk dhe ai u kthye sërish në të njëjtën gjendje të vështirë.

Pastaj i njëjti engjëll, në pamjen e një të varfri, shkoi te i verbri, i cili tashmë ishte bërë i pasur dhe me shikim, dhe i kërkoi ndihmë.

Ai tha:

“Gjithçka e ka dhënë Allahu i Lartësuar dhe është pasuria e Tij. Merr çfarë të duash.”

Për këtë sjellje, Allahu i Lartësuar i dha të verbrit edhe më shumë pasuri.

“O fëmijë të dashur, falënderojeni Zotin për begatitë e Tij”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Prandaj, o fëmijë të dashur, mbajeni mend edhe ju: falënderojeni Allahun për begatitë që Ai ju ka dhënë, vlerësojini ato dhe mos e qortoni atë që kërkon ndihmë.

Të japësh sadaka është gjë e mirë dhe duhet t’i japësh diçka lypësit. Me këtë Zoti kënaqet dhe të begaton më shumë.”

Edhe pse ka edhe një hadith të gjatë, ku përmenden tri lloje njerëzish, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ua tregoi fëmijëve në shtëpi në formë të shkurtuar, në formën e një tregimi.

Mirënjohja për ardhjen e Ramazanit në dimër

Kur Ramazani vinte në dimër, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e shihte këtë si një mirësi të veçantë të Allahut dhe e falënderonte Atë në një mënyrë të këndshme.

Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahibi r.a. shkruan se Molvi Sher Ali Sahibi i tregoi:

“Një herë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha se edhe kjo është një mirësi e Allahut të Lartësuar, që Ai më dha detyrën në një kohë kur muaji i Ramazanit vjen në dimër, dhe agjërimet nuk bëhen shkak për shumë vështirësi trupore. Kështu, ne mund të punojmë me lehtësi edhe gjatë Ramazanit.”

Molvi Sahibi thoshte se në ato ditë Ramazani kishte ardhur në dhjetor.

Datat e muajit të Ramazanit në kohën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahibi thotë:

“Unë e kam parë kalendarin e asaj kohe. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shpalli se ishte Mesihu në vitin 1891. Në vitin 1891, muaji i Ramazanit filloi më 11 prill. Pra, për muajin e Ramazanit ishte fillimi i hyrjes në stinën e ftohtë.

Në vitin 1892, Ramazani filloi më 31 mars. Në vitin 1893, më 20 mars. Pas kësaj, muaji i Ramazanit çdo vit vinte gjithnjë e më shumë në ditët e dimrit. Kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ndërroi jetë në vitin 1908, në atë vit muaji i Ramazanit filloi më 1 tetor.”

Kështu, e gjithë periudha e misionit të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. kaloi në një kohë kur agjërimet e Ramazanit vinin në stinën e ftohtë. Kjo ishte një mirësi e Allahut të Lartësuar, e cila ndodhi nën caktimin e Tij të përgjithshëm. Natyra e mprehtë dhe kuptuese e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. e pa këtë si një mirësi të Zotit dhe për këtë ai e falënderonte vazhdimisht Allahun e Madhërishëm.

Mesihu i Premtuar a.s. falënderonte kur njerëzimi përfitonte nga shërbimi i ndonjë sahabi të tij

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. falënderonte Allahun edhe kur nga puna e dikujt njerëzimi përfitonte.

Duke përmendur veprat e mira që lidhen me njerëzimin, Hazret Musleh Maudi r.a., në lidhje me mjekimin dhe trajtimin e të sëmurëve, flet për Hazret Hakim Mevlana Nuruddin Sahibin r.a. dhe thotë se mjekimi është një gjë që u sjell dobi të madhe njerëzve.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e shikonte këtë me shumë vlerësim. Një herë, në shtëpi u përmend Hazret Mevlana Sahibi. Huzuri a.s. e përmendi emrin e tij dhe për një kohë të gjatë vazhdoi të thoshte:

“الحمد لله، الحمد لله”

El-hamdulilah! El-hamdulilah!

Pastaj tha:

“Molvi Sahibi, pra Hazret Hakim Molvi Nuruddin Sahibi, është gjithashtu një nga begatitë e Allahut të Lartësuar. Përmes tij trajtohen shumë të varfër.”

Mjekimi u bëhej të tjerëve, por falënderimin e bënte Hazret Mesihu i Premtuar a.s., sepse ata njerëz po i shërbenin njerëzimit. Ai falënderonte Allahun që njerëzit po përfitonin.

Kjo ishte dhembshuria e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. edhe për njerëzimin: ai falënderonte edhe atë që u largonte vuajtjet njerëzve, dhe falënderonte edhe Allahun e Lartësuar që kishte krijuar mjetet për t’ua larguar atyre vuajtjet.

InshAllah, do të përmend edhe pjesë të tjera në të xhuma të ardhshme.

Përmendja e disa të ndjerëve dhe namazi i xhenazes në mungesë

Në këtë kohë dua të përmend disa të ndjerë dhe pas namazit do t’ua fal edhe namazin e xhenazes në mungesë.

Hafiz Shahbaz Ahmed, misionar i Xhematit në Bregun e Fildishtë

Përmendja e parë është për të nderuarin Hafiz Shahbaz Ahmed, i cili ishte misionar i Xhematit në Bregun e Fildishtë. Ai ndërroi jetë më 18 korrik, për shkak të pushimit të zemrës, në moshën 31-vjeçare.

إِنَّا لِلّٰهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ

Inna lil-lahi ve inna ilejhi raxhiun (Jemi të Allahut dhe tek Ai kthehemi)

Me bekimin e Allahut të Lartësuar, ai ishte musi. Në të afërmit e tij të mbetur janë bashkëshortja dhe një vajzë.

Në vitin 2008 ai mësoi përmendsh Kuranin e Shenjtë dhe u bë hafiz. Në vitin 2019, pasi u diplomua nga Xhamia Ahmedia, mori një diplomë njëvjeçare në gjuhën frënge nga Universiteti NUML. Më pas kreu edhe masterin në gjuhën frënge. Pas kësaj u caktua në Bregun e Fildishtë.

I ndjeri ishte shumë i shoqërueshëm, mikpritës, me natyrë të buzëqeshur, i përkushtuar ndaj Kalifatit, një shërbyes i sinqertë i Xhematit, që i përmbushte përgjegjësitë e dedikimit në mënyrën më të mirë.

Kohët e fundit, ai jepte online mësim për leximin e Kuranit të Shenjtë me rregullat e texhvidit në gjuhën urdu dhe perse.

Ata që shkruajnë për të, thonë se cilësia më e spikatur e të ndjerit ishte dinjiteti dhe durimi. Ai kurrë nuk u bë barrë për askënd. Kishte shumë dëshirë për tabligë. Ndonjëherë organizonte edhe takime tablige në shtëpinë e tij. Kishte marrëdhënie shumë të mira me personalitetet e qytetit dhe me administratën.

Ai vazhdimisht kërkonte mënyra të ndryshme për edukimin e anëtarëve të Xhematit të tij. Kurrë nuk lejoi të krijohej ndonjë distancë midis tij dhe njerëzve afrikanë. Në rajonin e tij, me shumë përkushtim dhe punë të palodhur, realizoi edhe ndërtime xhematore dhe bëri punë të mira. Po ashtu ndërtoi edhe xhami në një mënyrë të bukur.

“Gjithmonë lutej që Allahu t’i jepte mundësi të bënte diçka të madhe për Xhematin”

Bashkëshortja e tij, e nderuara Sebika, thotë:

“Ai ishte një misionar, bashkëshort dhe baba i mirë, i devotshëm dhe shumë i përgjegjshëm. Një gjë që thoshte gjithmonë ishte: ‘Lutu për mua që Zoti të më japë mundësi të bëj ndonjë punë shumë të madhe për Xhematin. Unë dua të bëj diçka për Xhematin.’ Kishte një dhembje të madhe në zemër për këtë.”

Ai e vlerësonte shumë pasurinë e Xhematit. Durimi ishte i mbushur në qenien e tij. Çfarëdo shqetësimi apo dhimbjeje të kishte, kurrë nuk e linte të dukej në fytyrën e tij. Nuk kishte asnjë gjurmë zemërimi. Gjithmonë rrinte duke qeshur e buzëqeshur. Fliste me butësi dhe e shpjegonte mendimin e tij me dashuri.

I nderuari Numan Kedir, misionar, thotë:

“Hafiz Sahibi ishte një personalitet që i kuptonte shumë mirë çështjet. Sa herë që i kërkohej këshillë për ndonjë çështje të xhmatit, jepte me zgjuarsi të madhe një këshillë të tillë që çështja, e cila në dukje mund të ishte e vështirë, zgjidhej me lehtësi. Allahu i Lartësuar i kishte dhënë aftësi të mëdha që në moshë të re.”

I nderuari Ihtisham-ul-Hak, misionar, shkruan se ai kishte lidhje shumë të thella jo vetëm me misionarët, por edhe me mualimët vendorë, me fqinjët dhe me anëtarët e Xhematit. Shumë njerëz e përmendën këtë gjatë takimeve. Ai i ndihmonte të tjerët në vështirësi në mënyrë të fshehtë.

I nderuari Rafi Tabesum thotë se i ndjeri çdo punë të Xhematit e konsideronte përgjegjësi të vetën. Kur i jepej ndonjë detyrë, nuk e kryente si një detyrë të zakonshme, por si adhurim. Përpikëria në kohë, planifikimi, përgjegjësia dhe sinqeriteti ishin ndër tiparet e spikatura të personalitetit të tij.

Një cilësi tjetër e të ndjerit ishte se ai gjithmonë mendonte mënyra të reja për edukimin e anëtarëve të Xhematit. Ai shqetësohej për edukimin e të rinjve, të fëmijëve dhe të rriturve. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme që duhet të gjendet te një murabi.

Një cilësi tjetër e spikatur e të ndjerit ishte sinqeriteti i madh. Ai shërbente pa asnjë interes personal dhe nuk e shfaqte kurrë këtë. Nuk kërkonte famë, por dëshironte kënaqësinë e Allahut të Lartësuar.

Kudo që u caktua, qëndroi i angazhuar në shërbim të fesë. Fëmijëve ua mësonte Kuranin e Shenjtë me shqiptim të saktë dhe me shumë dashuri. Shumë fëmijë kanë qenë nxënësit e tij dhe e kujtojnë atë.

Eling Elingane Momoni nga Burkina Faso

Përmendja e dytë është për të nderuarin Eling Elingane Momoni. Ai ishte nga Burkina Faso dhe në një vend atje ishte zaim i Ensarullahut.

Në muajin korrik, ndërsa po punonte në ara, terroristët e qëlluan me armë dhe ai ra dëshmor.

إِنَّا لِلّٰهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ

Inna lil-lahi ve inna ilejhi raxhiun (Jemi të Allahut dhe tek Ai kthehemi)

Ai kishte bërë bejat në vitin 1989.

I nderuari Vedud, misionar, shkruan se i ndjeri dëshmor ishte një njeri shumë i sinqertë, që kishte dashuri të thellë për Xhematin dhe Kalifatin. Ai kishte dashuri të veçantë për Kuranin e Shenjtë, lidhje të fortë me xhaminë, bindje ndaj Kalifatit dhe një ndjenjë të veçantë për shërbimin e Xhematit.

Po ashtu, i nderuari Abdullah Xhangani, mualim, tregon se ai ishte shumë trim, i patrembur, i sinqertë, i devotshëm, adhurues, me moral të mirë, i shoqërueshëm, fjalëpakë dhe një punëtor shumë i mirë, që e donte Kalifatin dhe i bindej atij.

Shpesh ai arrinte i pari në xhami dhe qëndronte ulur duke lexuar Kuranin e Shenjtë.

Po ashtu, mualimi tregon:

“Kur kaloja para shtëpisë së tij në kohën e sabahut, nga shtëpia e tij dëgjohej zëri i leximit të Kuranit.”

I nderuari Abdurrahman, kryetari rajonal i atij vendi, thotë:

“Sa herë që i thosha për ndonjë punë, pavarësisht moshës së tij të madhe, kur kishte ndonjë aksion xhemator, vinte vetë dhe sillte edhe fëmijët me vete. Merrte pjesë patjetër në çdo xhelsa dhe ixhtema. Edhe kur nuk ndihej mirë me shëndet, prapë merrte pjesë në programet e Xhematit.”

I nderuari Amin Baloç thotë:

“Edhe unë kam qëndruar në atë zonë. Ai ishte shumë i rregullt në pagimin e çandës (të kontributeve financiare).”

Po ashtu, i nderuari Balbo, mualim vendor, thotë se edhe një ditë para rënies dëshmor, ai kishte kontaktuar për çandën e tij dhe kishte shprehur shqetësim për pagesën e saj. Ai ishte i mbushur me ndjenjën e shërbimit ndaj Xhematit.

Të njëjtat cilësi kanë shkruar të të gjithë ata që kanë dërguar kujtimet e tij.

Në të afërmit e mbetur ka dy vejusha dhe 13 djem e vajza. Allahu i Lartësuar e faltë dhe e mëshiroftë.

Jahja Soumaré nga Mali, dëshmor në krye të detyrës

Përmendja e tretë është për të nderuarin Jahja Soumaré nga Mali. Edhe ai ndërroi jetë këto ditë, në moshën 32-vjeçare.

إِنَّا لِلّٰهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ

Inna lil-lahi ve inna ilejhi raxhiun (Jemi të Allahut dhe tek Ai kthehemi)

Edhe ai është dëshmor.

Në Mali, për shkak të terrorizmit, prej disa kohësh gjendja është e rënduar. I nderuari Jahja Soumaré ishte në ushtri dhe ishte i caktuar me detyrë ushtarake në zonën Anifis të rajonit Gao.

Më 4 korrik, moti ishte i keq dhe frynte erë e fortë. Në atë rast, ai i tha eprorit të tij:

“Dua të shkoj pak të shoh si janë ushtarët e njësisë që janë në detyrë.”

Kur doli jashtë për të parë njësitë që ishin caktuar në patrullim kundër terroristëve, terroristët sulmuan. Gjatë këtij sulmi, i nderuari Jahja ra dëshmor.

Për të është shkruar se ushtria kishte vendosur që më 22 shtator, në Ditën e Pavarësisë së Malit, ai të gradohej dhe t’i jepej edhe Medalja e Nderit. Po ashtu, ishte vendosur që të emërohej në një qytet të madh. Por para kësaj, ai ra dëshmor.

Vëllai i tij, Fodi Soumaré, thotë se Jahja Soumaré mori pjesë në Xhelsa Salanën në vitin 2022. Gjatë xhelsasë, sapo pa fotografinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., në zemrën e tij u krijua një gjendje e veçantë dhe ndjeu një qetësi të çuditshme.

Gjatë xhelsasë, duke dëgjuar fjalimet dhe duke studiuar literaturën e Xhematit, veçanërisht përkthimin në gjuhën vendase të librit “Filozofia e mësimeve të Islamit”, bindja e tij u shtua edhe më shumë.

Sidomos qëndrimi i Xhematit Ahmedia për xhihadin, i bazuar në arsye dhe në parimet islame, pati ndikim të thellë në zemrën e tij. Pikërisht në këtë rast të bekuar të Xhelse Salanës, ai bëri bejat dhe hyri në Xhemat.

Bashkëshortja e tij thotë se ai ishte një bashkëshort shembullor, një baba shumë i dashur për fëmijën e tij dhe kujdesej për nevojat e familjes. Në çdo kohë të vështirë bëhej një mbështetje e fortë për ne.

Prindërit e tij thonë se kishte marrëdhënie shumë të dashura dhe plot respekt me ta. I telefononte rregullisht për t’i pyetur si ishin, kujdesej për nevojat e tyre dhe përpiqej t’ua largonte çdo vështirësi. Ishte një bir shumë i bindur.

Misionari përgjegjës i Malit shkruan se ai ishte një i ri i buzëqeshur dhe me natyrë të gëzuar. Ishte i rregullt në agjërim dhe namaz, kujdesej për njerëzit në nevojë, jepte shembull të mirë si për të vetët, ashtu edhe për të tjerët, i ruante mirë lidhjet familjare, dhe ishte njeri i mirë e i sinqertë.

Edhe pse ishte i sapobërë ahmedian, i ndjeri kishte një përkushtim shumë të madh, lidhje të thellë, respekt dhe dashuri të vërtetë për Xhematin Ahmedia, për Hazret Mesihun e Premtuar a.s. dhe për Kalifët e nderuar.

Babai i tij nuk ishte ahmedian. Por pasi ra dëshmor i biri, kur pa sjelljen e bukur të Xhematit dhe mënyrën se si Xhemati e mori përsipër dhe u kujdes për gjithçka, u ndikua shumë nga kjo dhembshuri. Ai tashmë po e hulumtonte fenë, dhe tha:

“Tani e vërteta e Xhematit Ahmedia më është bërë e qartë.”

Prandaj vendosi të bënte bejat.

Siraxh-ul-Hak Kurejshi, ish-zëvendës përgjegjës i Xhelsa Salanës në Rabvah

Përmendja tjetër është për të nderuarin Siraxh-ul-Hak Kurejshi, i cili ishte zëvendës përgjegjës i Xhelsa Salanës në Rabvah. Edhe ai ndërroi jetë këto ditë në moshën 86-vjeçare.

إِنَّا لِلّٰهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ

Inna lil-lahi ve inna ilejhi raxhiun (Jemi të Allahut dhe tek Ai kthehemi)

Me bekimin e Allahut të Lartësuar, ai ishte musi.

Në familjen e tij, Xhemati Ahmedia hyri përmes gjyshit të tij, Hazret Mian Kutbudin, sahab i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Atij i kishte ardhur në ëndërr se Mesihu i Premtuar kishte ardhur. Prandaj shkoi në Kadijan dhe bëri bejat në dorën e Huzurit a.s. Edhe gjyshja e tij ishte sahabije.

Allahu i Lartësuar i dha gjyshit të tij dy djem: të nderuarin Kurejshi Fazl-ul-Hak dhe të nderuarin Kurejshi Abdul Ghani. Të dy këta djem ishin shumë shërbyes të fesë. Edhe pse merreshin me tregti, ishin gjithmonë gati për shërbimin e fesë. Ata kanë pasur pjesë të madhe edhe në ndërtimin dhe zhvillimin e Rabvahs, sidomos kur filloi puna për gjetjen e ujit. Në atë kohë, puna e vendosjes së pompave të ujit e të ngjashme iu ngarkua atyre.

Edhe gjyshi i tij nga nëna, pra gjyshi nga ana e nënës i të nderuarit Siraxh-ul-Hak Kurejshi, i nderuari Molvi Muhammad Usman, ishte sahab.

Kohët e fundit ai shërbente si zëvendës nazir dhe si zëvendës përgjegjës i Xhelsa Salanës. Shërbimin e rregullt xhemator e kishte filluar disa vite më parë, afërsisht pesëmbëdhjetë apo njëzet vjet më parë. Para kësaj, kishte shërbyer si mësimdhënës në departamentin e arsimit, në kolegje të ndryshme. Kishte dhënë mësim edhe në Kolegjin T.I. në Rabvah.

I nderuari Sejid Kasim Ahmed thotë se me vdekjen e të nderuarit Siraxh-ul-Hak Kurejshi, të gjithë punëtorët e zyrës së Xhelsa Salanës ndihen sikur janë ndarë nga një shok dhe i madh i tyre shumë dashamirës dhe ngushëllues. Sa herë që i ngarkohej ndonjë punë, e kryente me përgjegjësi të madhe.

Në të afërmit e mbetur ka dy vajza dhe dy djem. Njëri nga djemtë, i nderuari Kamar-ul-Hak Kurejshi, është misionar i Xhematit dhe shërben në departamentin e historisë.

Allahu i Lartësuar e faltë dhe e mëshiroftë.

Laval Tejib, mualim i Xhematit në Nigeri

Përmendja tjetër është për të nderuarin Laval Tejib, mualim i Xhematit në Nigeri. Edhe ai ndërroi jetë këto ditë në moshën 30-vjeçare.

إِنَّا لِلّٰهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ

Inna lil-lahi ve inna ilejhi raxhiun (Jemi të Allahut dhe tek Ai kthehemi)

Me bekimin e Allahut të Lartësuar, ai ishte musi.

Gjatë ditëve të Xhelsa Salanës, ndërsa po përgatiteshin transmetimet e drejtpërdrejta, ai po rregullonte antenën satelitore të xhamisë. Ra nga shkalla dhe u plagos rëndë. Pavarësisht nga trajtimi, nuk mundi të mbijetonte. Kishte marrë një goditje shumë të rëndë në shtyllën kurrizore.

Në të afërmit e mbetur janë prindërit, bashkëshortja dhe një vajzë rreth 11 muajshe.

Në vitin 2018 përfundoi studimet në Xhamiatul-Mubashirin në Nigeri dhe u caktua si mualim. Ishte një mualim shumë i përulur, aktiv dhe i sinqertë. Çdo përgjegjësi që i ngarkohej nga Xhemati, e kryente sipas mundësisë së tij në mënyrë shumë të mirë, me punë të palodhur dhe sinqeritet.

Prindërit e tij thonë se ishte një bir shumë i përgjegjshëm, që kujdesej jashtëzakonisht shumë për prindërit dhe u shërbente atyre. Pavarësisht nga mjetet e kufizuara financiare, gjithmonë përpiqej, aq sa mundej, t’i plotësonte nevojat financiare të prindërve të tij.

Bashkëshortja e tij thotë se krahas përmbushjes së përgjegjësive xhematore, ai vepronte praktikisht sipas mësimeve islame dhe udhëzimeve të Kalifatit Ahmedia. Për shkak të moralit të mirë, të sinqeritetit dhe të dhembshurisë, ishte njësoj i dashur te anëtarët e Xhematit, te muslimanët e tjerë dhe te jomuslimanët.

Një mualim, i nderuari Munavar, thotë gjithashtu se ai kishte moral shumë të mirë. Kishte durim dhe guxim të madh. I inkurajonte të tjerët. Që nga koha e studentërisë kishte shumë dëshirë për t’i shërbyer Xhematit.

Edhe në shtratin e sëmundjes, megjithëse ishte shumë i sëmurë, i plagosur dhe në dhimbje, vazhdonte të pyeste për çështjet e Xhematit dhe për edukimin e anëtarëve të Xhematit.

Allahu i Lartësuar e faltë dhe e mëshiroftë!

Master Gafur Ahmed, ish-kryetar lokal dhe i përkushtuar ndaj Kalifatit

Xhenazja tjetër është për të nderuarin Master Gafur Ahmed, në pension, i cili kohët e fundit jetonte në Kanada. Në Sangla Hill, në një fshat, kishte shërbyer edhe si kryetar lokal. Edhe ai ndërroi jetë këto ditë.

إِنَّا لِلّٰهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ

Inna lil-lahi ve inna ilejhi raxhiun (Jemi të Allahut dhe tek Ai kthehemi)

Ai ishte njeri që falte pesë namazet, ngrihej për tehexhud, ishte i devotshëm, i shoqërueshëm dhe i dashuruar pas Kalifatit. Ishte një njeri që gjithmonë i bindej sistemit të Xhematit dhe Kalifatit.

Ai kujdesej edhe për nevojat e të tjerëve. Disa njerëzve u jepte ndihmë financiare fshehurazi. Merrte pjesë me përkushtim në çandat xhematore dhe në nismat e tjera financiare. I dëgjonte rregullisht hytbet dhe ua këshillonte edhe të tjerëve këtë. Kishte shumë respekt për shërbyesit e Xhematit dhe për të dedikuarit e jetës.

Në të afërmit e mbetur janë bashkëshortja, tre djem, tre vajza dhe nipër e mbesa nga djemtë e vajzat.

Njëri nga djemtë e tij, i nderuari Naim Ikbal, është Emir dhe misionar përgjegjës në Fixhi. Për shkak se ishte në shërbim, nuk mundi të merrte pjesë në xhenazen e babait të tij.

Allahu i Lartësuar edhe atij i dhëntë durim dhe qëndrueshmëri, dhe e faltë dhe e mëshiroftë të ndjerin!

Shpërndaje
Share via