
Bejti që mori Hazret Mesihu i Premtuar a.s. nga Hazret Maulana Nurudini r.a., nga kërkesa e këtij të fundit, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ia kishte shkruar në letër. Fjalët e tij janë:
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit Atë e lavdërojmë dhe (të Dërguarit të Tij) i dërgojmë salavate.
Sot, në dorën e Ahmedit pendohem për të gjitha mëkatet dhe veset, në të cilat isha i përfshirë dhe me zemër të sinqertë dhe vullnet të palëkundur zotohem se do të përpiqem sipas forcës dhe mendjes sime të shpëtoj nga mëkatet deri në ditën e fundit të jetës. Besimit do t’i jap përparësi mbi rehatinë materiale dhe mbi dëshirat vetjake. Sa të kem mundësi do t’u përmbahem dhjetë kushteve të përmendura në broshurë. I kërkoj falje Zotit të Madhërishëm për mëkatet e mia të mëparshme!
I kërkoj falje Allahut, Zotit tim! I kërkoj falje Allahut, Zotit tim! I kërkoj falje Allahut, Zotit tim, për çdo mëkat dhe kthehem tek Ai! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut. Ai është i Vetëm dhe i Pashoq dhe dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij. O Zoti im! I kam bërë keq vetes dhe pranoj fajin tim. M’i fal mëkatet, sepse askush nuk mund të m’I falë ato, përveç Teje!
Mir Shefi Ahmed nga qyteti i Delhit rrëfen:
Kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thoshte fjalët e bejtit, të gjithë njerëzit qanin dhe u lotonin sytë, sepse zëri i tij vinte kaq emocionues, saqë njerëzit fillonin të qanin.[1]
E vërteta është që kjo lutje e Profetit Muhammed s.a.s. (të cilën e përdori Mesihu i Premtuar a.s. në lutjen e pendesës gjatë bejtit) ka një ndikim të thellë. Madje, edhe tani kur e bëjmë bashkërisht, përjetojmë të njëjtin emocion. Ajo lutje është:
O Zoti im! I kam bërë keq vetes dhe e pranoj fajin tim. M’i fal mëkatet, sepse askush nuk mund të m’i falë ato, përveç Teje!
Kjo vërtetohet nga vetë Mesihu i Premtuar a.s., sepse thotë:
Gjatë bejtit kur njeriu pendohet, zbret një bekim.[2]
[1] “Siratul-Mehdi”, pj. III, nr. i rrëfimit 747, f. 166.
[2] “Malfuzat” vëll. 4, f. 174.