Mbështetja e Profetit Muhammed tek Allahu në momentet më të vështira
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Mbështetja e Profetit Muhammed tek Allahu në momentet më të vështira

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Hutbja e së xhumasë e Hazret Mirza Masrur Ahmedit, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, e mbajtur më 11.09.2026)

Pas recitimit të teshehudit, teauz-it, tesmijes dhe sures El-Fatiha, Huzuri, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, tha:

Tevekuli i Profetit s.a.v.s. ndaj Allahut

Të xhumanë e kaluar fola rreth mbështetjes (tevekul) së Profetit s.a.v.s. ndaj Allahut. Edhe sot tema është po ajo.

Duke i këshilluar besimtarët për tevekul (pra, t’u mbështetur tek Allahu), Profeti s.a.v.s. tha, siç transmeton Hazret Ebu Darda r.a.:

“Kush thotë shtatë herë në mëngjes dhe në mbrëmje:

حَسْبِيَ اللَّهُ لَا إِلٰهَ إِلَّا هُوَ عَلَيْهِ تَوَكَّلْتُ وَهُوَ رَبُّ الْعَرْشِ الْعَظِيمِ

‘Më mjafton Allahu. Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Tij. Tek Ai jam mbështetur dhe Ai është Zoti i Arshit Madhështor’,

Allahu do t’i mjaftojë për atë gjë që e shqetëson, qoftë ai i sinqertë në këtë fjalë apo jo.”

Lutja e Profetit s.a.v.s. në ruku

Se si lutej Profeti s.a.v.s. për veten në lidhje me tevekulin, për këtë vjen një transmetim.

Hazret Xhabir bin Abdullah r.a. transmeton se kur Profeti s.a.v.s. shkonte në ruku, bënte këtë lutje:

اللَّهُمَّ لَكَ رَكَعْتُ وَبِكَ آمَنْتُ وَلَكَ أَسْلَمْتُ وَعَلَيْكَ تَوَكَّلْتُ أَنْتَ رَبِّي، خَشَعَ سَمْعِي وَبَصَرِي وَدَمِي وَلَحْمِي وَعَظْمِي وَعَصَبِي لِلّٰهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ

“O Allah! Për Ty bëra ruku, te Ti besova, Ty të jam dorëzuar dhe te Ti jam mbështetur. Ti je Zoti im. Dëgjimi im, shikimi im, gjaku im, mishi im, kockat e mia dhe nervat e mi janë përulur para Allahut, Zotit të të gjitha botëve.”

Kur kishte ndonjë shqetësim, Xhibrili i mësonte këtë lutje

Në një transmetim tjetër, Hazret Ebu Hurejra r.a. tregon se Profeti i Muhammed s.a.v.s. tha:

“Sa herë që më ndodh ndonjë shqetësim, Xhibrili shfaqet para meje dhe më thotë: ‘O Muhammed! Thuaj:

تَوَكَّلْتُ عَلَى الْحَيِّ الَّذِي لَا يَمُوتُ، الْحَمْدُ لِلّٰهِ الَّذِي لَمْ يَتَّخِذْ وَلَدًا وَلَمْ يَكُنْ لَهُ شَرِيكٌ فِي الْمُلْكِ وَلَمْ يَكُنْ لَهُ وَلِيٌّ مِنَ الذُّلِّ، وَكَبِّرْهُ تَكْبِيرًا

‘Jam mbështetur tek Ai i Gjalli, i Cili nuk vdes kurrë. Çdo lavdërim i takon Allahut, i Cili nuk ka marrë kurrë ndonjë bir, nuk ka pasur kurrë ndonjë ortak në sundimin e Tij dhe nuk ka pasur kurrë nevojë për ndonjë ndihmës nga dobësia. Madhëroje Atë sa më shumë.’”

Lutja e gjatë që Profeti s.a.v.s. bënte kur ngrihej për tehexhud

Nga Tavusi transmetohet se ai dëgjoi Hazret Ibn Abbasin r.a. të thoshte se kur Profeti s.a.v.s. ngrihej natën për të falur tehexhud, thoshte një lutje të gjatë. Përkthimi i saj është ky:

“O Allah! Të gjitha lavdërimet janë për Ty. Ti je Ai që i mban qiejt dhe tokën, si dhe gjithçka që gjendet në to. Të gjitha lavdërimet janë për Ty. Ty të takon mbretëria e qiejve dhe e tokës, si dhe gjithçka që gjendet në to. Të gjitha lavdërimet janë për Ty. Ti je drita e qiejve dhe drita e tokës, si dhe drita e gjithçkaje që gjendet në to. Të gjitha lavdërimet janë për Ty. Ti je Sunduesi i qiejve dhe i tokës, si dhe i gjithçkaje që gjendet në to.

Të gjitha lavdërimet janë për Ty. Ti je i Vërteti. Premtimi Yt është i vërtetë. Takimi me Ty patjetër do të ndodhë. Fjalët e Tua janë të vërteta. Xheneti është i vërtetë. Xhehenemi është i vërtetë. Të gjithë Profetët janë të vërtetë. Edhe (Hazret) Muhammedi (s.a.v.s.) është i vërtetë. Edhe ora e Kiametit është e vërtetë.

O Allah! Para Teje e kam ulur kokën në bindje. Ty të kam besuar. Vetëm te Ti jam mbështetur. Vetëm drejt Teje jam kthyer. Vetëm për hir Tëndin e kam marrë përsipër këtë përballje, ose me ndihmën Tënde jam përballur me kundërshtarët. Dhe vetëm prej Teje kam kërkuar gjykim.

Më fal për atë që kam bërë më parë dhe për atë që kam lënë më vonë; për atë që kam mbajtur të fshehtë dhe për atë që kam shfaqur. Ti je Ai që e çon përpara dhe Ti je Ai që e lë pas. Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Tij.”

Ose, sipas një formulimi tjetër, Profeti s.a.v.s. thoshte:

لَا إِلٰهَ غَيْرُكَ

“Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Teje.”

Ky është transmetim i Buhariut.

“O Allah! Unë jam i bindur ndaj Teje dhe te Ti mbështetem”

Hazret Ibn Abbas r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. lutej:

“O Allah! Unë jam i nënshtruar ndaj Teje dhe zgjedh bindjen ndaj Teje. Unë besoj te Ti, mbështetem te Ti dhe kthehem drejt Teje. Me ndihmën Tënde përballem me kundërshtarin.

O Allah! Kërkoj mbrojtje në nderin Tënd nga ajo që Ti të më lësh të humbur. Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Teje. Ti je i Gjalli, mbi të Cilin nuk vjen kurrë vdekja, ndërsa xhindët dhe njerëzit do të vdesin.”

Profeti s.a.v.s. e kishte gjithmonë shikimin tek Allahu

Shikimi i Profetit s.a.v.s. ishte gjithmonë vetëm tek Allahu i Madhërishëm.

Duke përmendur standardin e lartë të kësaj cilësie, Hazret Musleh Maudi r.a. (Kalifi i Dytë i Xhematit) ka shkruar në një vend, madje e ka shpjeguar në tefsir:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbështetej tek Allahu në atë mënyrë, sa në çdo fatkeqësi dhe vështirësi e mbante shikimin vetëm tek Ai dhe e largonte vëmendjen nga çdo gjë tjetër.

Nuk ka dyshim se Profeti s.a.v.s. nuk i braktiste mjetet, siç bëjnë disa sufistë të sotëm që thonë se nuk ka nevojë për mjete dhe se vetëm tevekuli është i nevojshëm. Profeti s.a.v.s. i përdorte mjetet, sepse braktisja e mjeteve do të ishte sikur të mos e vlerësoje krijesën e Allahut të Lartësuar dhe ta quaje të kotë krijimin e Tij.

Por pasi i siguronte mjetet, Profeti s.a.v.s. mbështetej plotësisht tek Allahu i Lartësuar. Edhe pse i përdorte mjetet, kurrë nuk e vendoste besimin dhe mbështetjen te to. Shpresën e kishte vetëm te mirësia e Zotit.

Lutja në kohë shqetësimi

Hazret Ibn Abbas r.a. thotë se në çdo gjendje ankthi dhe shqetësimi, Profeti s.a.v.s. lutej:

لَا إِلٰهَ إِلَّا اللَّهُ رَبُّ الْعَرْشِ الْعَظِيمِ، لَا إِلٰهَ إِلَّا اللَّهُ رَبُّ السَّمَاوَاتِ وَرَبُّ الْأَرْضِ وَرَبُّ الْعَرْشِ الْكَرِيمِ

“Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut. Ai është Zoti i Arshit Madhështor. Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut. Ai është Zoti i qiejve, Zoti i tokës dhe Zoti i Arshit Fisnik.”

Domethënë, mbështetja dhe tevekuli im janë vetëm tek Allahu i Lartësuar.

“Na mjafton Allahu dhe Ai është Kujdestari më i mirë”

Hazret Ibn Abbas r.a. transmeton se fjalët:

حَسْبُنَا اللَّهُ وَنِعْمَ الْوَكِيلُ

“Na mjafton Allahu dhe Ai është Kujdestari më i mirë”,

i kishte thënë Hazret Ibrahimi a.s. kur u hodh në zjarr.

Edhe Profeti Muhammed s.a.v.s. tha po këto fjalë kur njerëzit i thanë:

“Njerëzit kanë bërë përgatitje të madhe kundër jush”, domethënë jobesimtarët kanë bërë përgatitje të madhe, “prandaj kini frikë prej tyre.”

Sipas shpjeguesve të haditheve, kjo është thënë në rastin e betejës së Uhudit, ose të Hamra-ul-Esedit, ose të betejës së Hendekut.

Por kjo fjalë ua shtoi edhe më shumë besimin, dhe ata thanë:

حَسْبُنَا اللَّهُ وَنِعْمَ الْوَكِيلُ

“Na mjafton Allahu dhe Ai është Kujdestari më i mirë.”

Në Buhari vjen ky transmetim.

Udhëheqësit e Mekës i bënë oferta Profetit s.a.v.s., por ai u mbështet plotësisht tek Allahu

Në raste të ndryshme, idhujtarët e Mekës i bënë oferta Profetit s.a.v.s., domethënë i dhanë lloj-lloj joshjesh. Por Profeti Muhammed s.a.v.s. iu përgjigj duke treguar mbështetje të pashembullt tek Allahu i Lartësuar.

Si ndodhte kjo? Një rast të tillë e ka përmendur Ibn Is’haku. Ai thotë se një ditë, prijësi i kurejshëve, Utbe bin Rabia, ishte ulur në kuvendin e kurejshëve, ndërsa i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte vetëm në Xhaminë e Shenjtë.

Utbe tha:

“O grup i kurejshëve! A të shkoj te Muhammedi dhe të flas me të? Do t’i paraqes disa propozime. Ndoshta pranon ndonjërin prej tyre. Ne do t’ia plotësojmë dëshirën dhe ai do të heqë dorë nga thirrja e tij kundër nesh.”

Kjo ishte koha kur Hazret Hamzai r.a. e kishte pranuar Islamin dhe kurejshët po shihnin se shokët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. po shtoheshin dita-ditës.

Kurejshët thanë:

“Po, patjetër, o Ebul-Velid! Fol ti me të.”

Atëherë Utbe shkoi tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s., u ul pranë tij dhe tha:

“O nip! Ti e di mirë se në familjen tënde ke pozitë dhe nder të lartë. Edhe nga prejardhja je i nderuar. Por ti i ke sjellë popullit tënd një çështje shumë të madhe, e cila e ka copëtuar unitetin e tyre, i ka quajtur mendjet e tyre të pavlera, ke folur keq për zotat dhe fenë e tyre, dhe i ka quajtur jobesimtarë etërit e tyre të kaluar.

Tani dëgjoji me vëmendje disa fjalë të mia. Unë po të paraqes disa propozime. Ndoshta pranon njërin prej tyre.”

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

“Fol, o Ebul-Velid! Unë po dëgjoj.”

Utbe tha:

“Nip! Nëse qëllimi yt me këtë thirrje është të fitosh pasuri, ne do t’i mbledhim pasuritë tona dhe do të të japim aq shumë, sa të bëhesh më i pasuri ndër ne.

Nëse dëshiron nder dhe udhëheqje, ne do të të bëjmë prijësin tonë dhe nuk do të marrim asnjë vendim pa këshillën tënde.

Nëse dëshiron mbretëri, ne do të të pranojmë si mbretin tonë.

Dhe nëse të ka pushtuar ndonjë shpirt apo xhind, të cilin nuk mund ta largosh vetë nga vetja”, sepse këta njerëz kishin zakone të tilla dhe ishin besëtytë, mendonin se ndoshta e kishte pushtuar ndonjë xhind, “atëherë ne do të sjellim mjekët më të mirë për të të kuruar dhe do të shpenzojmë pasurinë tonë për këtë, derisa të shërohesh plotësisht. Sepse ndonjëherë njeriut i vjen një gjendje e tillë që duhet kuruar.”

Profeti s.a.v.s. i recitoi Utbes ajetet e sures Ha Mim Es-Sexhde

Utbe e përfundoi fjalën e tij dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e dëgjoi deri në fund. Pastaj Profeti s.a.v.s. tha:

“O Ebul-Velid! A e përfundove fjalën tënde?”

“Po”, tha ai.

Profeti s.a.v.s. tha:

“Tani dëgjo fjalën time.”

Ai tha:

“Po, patjetër, po dëgjoj.”

Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. lexoi këto ajete të sures Ha Mim Es-Sexhde:

بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمٰنِ الرَّحِيمِ ۝ حٰمٓ ۝ تَنْزِيلٌ مِّنَ الرَّحْمٰنِ الرَّحِيمِ ۝ كِتَابٌ فُصِّلَتْ آيَاتُهُ قُرْآنًا عَرَبِيًّا لِّقَوْمٍ يَعْلَمُونَ ۝ بَشِيرًا وَنَذِيرًا فَأَعْرَضَ أَكْثَرُهُمْ فَهُمْ لَا يَسْمَعُونَ ۝ وَقَالُوا قُلُوبُنَا فِي أَكِنَّةٍ مِّمَّا تَدْعُونَا إِلَيْهِ

“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.

Ha.Mim. (I Lavdishëm, i Nderuar.)

Zbritja (e tij) është prej të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.

(Ky është) një Libër, ajetet e të cilit janë shpjeguar hollësisht (dhe është) në formën e një Kurani elokuent, për njerëzit që dinë.

(Është) sihariqdhënës dhe alarmues. Shumica e tyre e shpërfillën, andaj, ata nuk dëgjojnë.” (Kurani i Shenjtë 41:1-5)

Domethënë, ajo që ti na thërret ta pranojmë, nuk mund të ndikojë në zemrat tona.

Utbe dëgjoi Kuranin me vëmendje të plotë

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. vazhdoi t’i lexonte këto ajete. Utbe heshti dhe dëgjoi me vëmendje të plotë. Ai i vendosi të dy duart prapa si mbështetje dhe dëgjonte Kuranin i përqendruar.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. arriti te ajeti i sexhdes, Profeti s.a.v.s. bëri sexhde. Pastaj i tha Utbes:

“O Ebul-Velid! Ti dëgjove gjithçka që duhej të dëgjoje. Tani vendimi është në dorën tënde.”

Pra, fjalën tënde unë e dëgjova dhe fjalën time ti e dëgjove. Tani ti vetë vendos se çfarë duhet të vendosësh.

Besimi dhe mbështetja e plotë e Profetit s.a.v.s. tek Allahu i Lartësuar shfaqej çdo ditë me një madhështi të re. Historia tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. pasi ia dha këtë përgjigje Utbes, mbeti i palëkundur në besimin e tij. Nuk tha se do të ndryshonte. Përkundrazi, i tha atij: ju ndryshoni veten dhe vendosni vetë. Ndërsa Profeti s.a.v.s. vazhdoi ta përhapte fenë e Allahut dhe t’i thërriste njerëzit drejt saj.

“O xhaxha, edhe sikur të më vënë diellin në të djathtë dhe hënën në të majtë, unë nuk do të heq dorë”

Pastaj të gjithë ata, pra grupi i jobesimtarëve, shkuan tek Ebu Talibi dhe i thanë:

“Ne të kërkuam që ta ndalosh nipin tënd, por ti nuk e ndalove. Ose ne do ta ndalim atë që të mos flasë kështu për ne, ose do të përballemi me të dhe me ty, derisa njëra nga të dyja palët të shkatërrohet.”

Kur kurejshët ia thanë këtë Ebu Talibit, ai e thirri të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe i tha:

“O biri i vëllait tim! Mos më ngarko një barrë që nuk mund ta mbaj.”

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. mendoi se xhaxhai i tij do ta braktiste ndihmën ndaj tij dhe do t’ua dorëzonte kurejshëve. Profeti s.a.v.s. tha:

“O xhaxha! Pasha Zotin, edhe sikur këta njerëz të më vendosin diellin në të djathtën time dhe hënën në të majtën time, unë nuk do të heq dorë nga detyra ime. Unë do të vazhdoj punën time derisa Zoti ta përmbushë atë, ose unë të humbas jetën në këtë përpjekje.”

Pastaj Profeti s.a.v.s. u ngrit dhe u nis të largohej. Atëherë Ebu Talibi e thirri dhe i tha:

“O nipi im! Thuaj çfarë të duash. Pasha Allahun, unë kurrë nuk do të të dorëzoj te këta njerëz për asnjë shpërblim.”

Oferta e fundit e kurejshëve përmes Ebu Talibit

Hazret Musleh Maudi r.a., duke i përshkruar këto ngjarje historike, këto ngjarje të vërteta, i paraqet në këtë mënyrë:

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. filloi t’u predikonte njerëzve rreth njëshmërisë së Allahut të Lartësuar dhe filloi të hidhte poshtë shirkun, kjo gjë iu duk shumë e rëndë banorëve të Mekës. Më në fund, një ditë, pasi u këshilluan mes tyre, shkuan si delegacion te Ebu Talibi, xhaxhai i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

Ata i thanë:

“Ti je prijësi i popullit tonë. Ne të respektojmë shumë. Për shkak të respektit ndaj teje, ne nuk i kemi bërë gjë nipit tënd. Por tani çështja i ka kaluar kufijtë. Ne kemi ardhur tek ti që ti t’ia thuash nga ana jonë fjalën e fundit për këtë çështje.”

Pastaj përsëritën ato gjëra që Utbe ia kishte thënë Profetit s.a.v.s.: joshjen me pozitën e familjes së lartë, me gruan më të bukur, me para, me pasuri dhe me pushtet.

Duke parë këtë gjendje, ata i thanë Ebu Talibit:

“Por thuaji që të ketë së paku këtë konsideratë: të mos flasë keq për idhujt tanë. Ne nuk po i themi që t’i pranojë idhujt tanë. Ne vetëm po themi që të mos flasë keq për ta. Nëse nuk pranon asnjërën nga këto oferta tona, atëherë ti hiq dorë prej tij. Ne do të merremi vetë me të.”

Ebu Talibi u rëndua nga presioni i popullit të tij

Ebu Talibi ishte njeri shumë fisnik dhe e donte shumë Profetin Muhammed s.a.v.s. Por edhe prijësinë e vet e kishte shumë për zemër.

Ai e thirri të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe i tha:

“Sot populli yt erdhi tek unë. Ata thanë: ‘O Ebu Talib! Ne kemi respekt për ty, dhe për shkak të këtij respekti nuk i kemi bërë gjë deri tani nipit tënd. Por tani çështja i ka kaluar kufijtë. Nëse ai nuk pranon asgjë tjetër, atëherë le t’i thuhet vetëm kaq: të mos flasë keq për idhujt tanë.

Ne jemi gati ta bëjmë mbretin tonë. Nëse do pasuri, jemi gati t’i japim pasuri aq shumë sa askush në Arabi të mos mbetet më i pasur se ai. Nëse do një grua të bukur, jemi gati ta martojmë me gruan më të mirë. Me pak fjalë, çfarëdo që të kërkojë, ne jemi gati t’ia plotësojmë. Vetëm të bëjë këtë: të mos flasë keq për idhujt tanë.’”

Sytë e Profetit s.a.v.s. u mbushën me lot, por ai nuk u lëkund

Ebu Talibi i kishte bërë shumë të mira të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Ai e kishte rritur që nga fëmijëria me shumë dashuri e dhembshuri, dhe në çdo dhimbje e vështirësi kishte qëndruar pranë tij.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pa gjendjen e xhaxhait të tij dhe kujtoi mirësitë e tij, sytë iu mbushën me lot. Por Profeti s.a.v.s. tha:

“O xhaxha! Unë nuk po them që ti të më ndihmosh. Ti, sigurisht, mund të mbash anën e popullit tënd dhe të më lësh mua.

Pasha Zotin, edhe sikur këta njerëz ta sjellin diellin në të djathtën time dhe hënën në të majtën time, prapëseprapë unë nuk do të heq dorë nga përmendja e Zotit të Vetëm.”

Shikoni sa besim dhe sa bindje kishte ai te Qenia e Allahut të Lartësuar! Lëvizja e diellit nga vendi i tij është një mrekulli aq e madhe, sa nëse do të ndodhte, njeriu do të mbetej i habitur. Por Profeti s.a.v.s. thotë: nëse ata do ta lëviznin diellin nga vendi i tij dhe do ta sillnin pranë meje, nëse do ta lëviznin hënën nga vendi i saj dhe do ta sillnin pranë meje, prapëseprapë unë kam aq besim dhe bindje në Qenien e Allahut të Lartësuar, saqë këto gjëra do t’i quaja vetëm mashtrime dhe lojëra sysh. Unë do të vazhdoj ta kundërshtoj idhujtarinë e tyre dhe kurrë nuk do të heq dorë nga puna ime.

Ky është ai nivel besimi dhe mbështetjeje të plotë tek Allahu i Madhërishëm që nuk gjendet askund tjetër.

Ebu Talibi e këshilloi Profetin s.a.v.s. të ndalonte, por ai nuk u tërhoq nga e vërteta

Duke përmendur këtë ngjarje, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Kur zbritën këto ajete se idhujtarët janë ndotësi, janë të papastër, janë شرّ البریہ, domethënë krijesa më e keqe, janë سفہاء, njerëz të pamend, janë pasardhës të shejtanit; dhe se zotat e tyre janë وقود النار, domethënë lëndë djegëse e zjarrit, dhe janë حطب جہنم, lëndë djegëse e xhehenemit, atëherë Ebu Talibi e thirri Profetin s.a.v.s. dhe i tha:

“O nipi im! Tani populli është zemëruar shumë nga fjalët e tua që ke thënë kundër tyre dhe mundet që të të vrasin ty, e bashkë me ty edhe mua. Ti i ke quajtur të pamend njerëzit e tyre të mençur, i ke quajtur njerëzit e tyre të mëdhenj krijesa më e keqe, zotat e tyre të nderuar i ke quajtur lëndë djegëse e xhehenemit dhe lëndë djegëse e zjarrit, dhe të gjithë ata, në përgjithësi, i ke quajtur ndotësi, pasardhës të shejtanit dhe të papastër.

Unë po të them për të mirën tënde: përmbaje gjuhën dhe hiq dorë nga këto fjalë. Përndryshe, unë nuk kam fuqi të përballem me gjithë popullin.”

Profeti s.a.v.s. iu përgjigj:

“O xhaxha! Kjo nuk është sharje, por është shprehje e realitetit dhe paraqitje e së vërtetës tamam në vendin e duhur. Pikërisht kjo është puna për të cilën jam dërguar.

Nëse për këtë më duhet të vdes, atëherë këtë vdekje e pranoj me gëzim. Jeta ime është e kushtuar në këtë rrugë. Nga frika e vdekjes, nuk mund të ndalem nga shprehja e së vërtetës.

O xhaxha! Nëse ti mendon për dobësinë dhe vështirësinë tënde, hiq dorë nga mbrojtja ime. Pasha Zotin, unë nuk kam aspak nevojë për ty. Unë kurrë nuk do të ndalem nga përcjellja e urdhrave të Allahut. Urdhrat e Zotit tim janë më të dashur për mua se jeta ime.

Pasha Zotin, nëse vritem në këtë rrugë, do të dëshiroja të më jepej jetë përsëri e përsëri, që çdo herë të vdisja në po këtë rrugë. Kjo nuk është vend frike. Përkundrazi, unë ndiej kënaqësi të pafundme që të vuaj në rrugën e Tij.”

Profeti s.a.v.s. po e mbante këtë fjalim dhe në fytyrën e tij dukej një butësi e thellë, plot vërtetësi dhe dritë.

Kur Profeti s.a.v.s. e përfundoi fjalën, Ebu Talibi, duke parë dritën e së vërtetës, nuk i mbajti dot lotët dhe tha:

“Unë nuk e dija këtë gjendje të lartë tënden. Ti je në një ngjyrë tjetër dhe në një madhështi tjetër. Shko dhe vazhdo punën tënde. Sa të jem gjallë, aq sa kam fuqi, do të të qëndroj pranë.”

Pas Taifit, Profeti s.a.v.s. ishte i sigurt se Allahu do të hapte një rrugë

Po kështu, pas kthimit nga Taifi, ka një ngjarje të mbështetjes së Profetit s.a.v.s. tek Allahu.

Profeti s.a.v.s. kishte dalë i vetëm për t’u bërë tabligë prijësve të Taifit, por ata kaluan çdo kufi në padrejtësi. Kur po kthehej, në dukje nuk kishte asnjë mundësi që të hynte në Mekë. Me të ishte vetëm një shërbyes, dhe ai shërbyes ishte i shqetësuar se çfarë do të ndodhte tani. Por Profeti s.a.v.s. kishte mbështetje të plotë te Zoti i tij.

Duke e përmendur këtë, po ai shërbyes, Hazret Zejd bin Harithe r.a., transmeton:

“Kur unë i thashë Profetit s.a.v.s.:

‘O i Dërguari i Allahut! Tani si do të hyni në Mekë, kur ata të kanë nxjerrë prej saj?’

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u përgjigj me një madhështi të jashtëzakonshme mbështetjeje tek Allahu:

‘O Zejd! Ti do ta shohësh se Allahu i Lartësuar patjetër do të hapë një rrugë. Allahu i Lartësuar është Ndihmësi i fesë së Tij dhe Ai patjetër do ta bëjë Profetin e Tij fitimtar.’”

Kështu, Profeti i Nderuar s.a.v.s. u dërgoi mesazhe prijësve të kurejshëve që dikush ta merrte në mbrojtje dhe të mundësonte hyrjen e tij në Mekë. Të gjithë prijësit refuzuan. Më në fund, një prijës fisnik, Mut’im bin Adij, shpalli se do ta merrte Profetin s.a.v.s. në mbrojtjen e tij dhe do ta fuste në Mekë.

Në natën e hixhretit, Profeti s.a.v.s. e siguroi Hazret Aliun r.a. për mbrojtjen e Allahut

Cilat ishin shembujt e mbështetjes tek Allahu në rastin e hixhretit të Profetit s.a.v.s.?

Kur Profetit s.a.v.s. iu dha leje për hixhret (mërgim), ai e njoftoi Hazret Aliun r.a. për planin e tij të largimit nga Meka dhe i ngarkoi një detyrë plot flijim: atë natë, Hazret Aliu r.a. do të flinte në shtratin e bekuar të Profetit s.a.v.s., i mbuluar me të njëjtën mbulesë jeshile, ose sipas një transmetimi, të kuqe, hadramije.

Ajo ishte një mbulesë nga Jemeni, dhe për shkak të asaj zone quhej hadramije. Sidoqoftë, Hazret Aliu r.a. do të flinte me atë mbulesë, me të cilën vetë Profeti i Nderuar s.a.v.s. flinte zakonisht.

Duke i dhënë këtij shërbyesi të përkushtuar dhe flijues siguri për ndihmën dhe mbështetjen hyjnore, Profeti s.a.v.s. i tha:

“Mos u shqetëso. Fli krejt i qetë në shtratin tim. Armiku nuk mund të të bëjë asnjë dëm.”

Po ashtu, meqenëse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte صادق dhe امین, i sinqerti dhe besniku, ai shqetësohej edhe për amanetet që njerëzit e Mekës ia kishin lënë. Prandaj i tha Hazret Aliut r.a. që t’ua kthente njerëzve amanetet e tyre dhe pastaj të vinte pas tij.

Armiqtë rrethuan shtëpinë, por Allahu ua mbuloi sytë

Pas kësaj, Profeti s.a.v.s. doli nga shtëpia e tij, ndërkohë që jashtë shtëpisë së Profetit të Nderuar s.a.v.s. qëndronin rojë të fortët e zgjedhur të mohuesve të Mekës. Ata ishin të ndezur nga zemërimi, me shpata në duar. Ata prisnin vetëm që nata të thellohej, që të sulmonin njëherësh dhe, Zoti na ruajt, t’ia merrnin jetën të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. me një goditje të vetme.

Ebu Xhehli, që ishte si prijësi i tyre, me mendjemadhësi dhe tallje thoshte:

“Muhammedi thotë se nëse ju e ndiqni atë në këtë çështje, do të bëheni mbretër të arabëve dhe joarabëve. Pastaj, pas vdekjes suaj, do të ringjalleni dhe për ju do të krijohen kopshte si kopshtet e Jordanisë. Por nëse nuk veproni kështu, atëherë mes jush do të ketë vrasje e gjakderdhje.”

Profeti s.a.v.s. doli nga shtëpia për t’u nisur dhe tha:

“Po, pikërisht këtë them unë.”

Pastaj filloi të lexonte këto ajete të sures Jasin:

يٰسٓ ۚ﴿۲﴾ وَالۡقُرۡاٰنِ الۡحَكِيۡمِ ۙ﴿۳﴾ اِنَّكَ لَمِنَ الۡمُرۡسَلِيۡنَ ۙ﴿۴﴾ عَلٰى صِرَاطٍ مُّسۡتَقِيۡمٍ ؕ﴿۵﴾ تَنۡزِيۡلَ الۡعَزِيۡزِ الرَّحِيۡمِ ۙ﴿۶﴾ لِتُنۡذِرَ قَوۡمًا مَّاۤ اُنۡذِرَ اٰبَآؤُهُمۡ فَهُمۡ غٰفِلُوۡنَ ﴿۷﴾ لَقَدۡ حَقَّ الۡقَوۡلُ عَلٰۤى اَكۡثَرِهِمۡ فَهُمۡ لَا يُؤۡمِنُوۡنَ ﴿۸﴾ اِنَّا جَعَلۡنَا فِيۡۤ اَعۡنَاقِهِمۡ اَغۡلٰلًا فَهِيَ اِلَى الۡاَذۡقَانِ فَهُمۡ مُّقۡمَحُوۡنَ ﴿۹﴾ وَجَعَلۡنَا مِنۡۢ بَيۡنِ اَيۡدِيۡهِمۡ سَدًّا وَّمِنۡ خَلۡفِهِمۡ سَدًّا فَاَغۡشَيۡنٰهُمۡ فَهُمۡ لَا يُبۡصِرُوۡنَ ﴿۱۰﴾

Përkthimi është:

“Ja.Sin. (O udhëheqës!)

Betohem për Kuranin Urtiplotë!

Pa dyshim, ti je ndër të Dërguarit

(Qëndron) në rrugë të drejtë.

(Kjo) zbritje (e shpalljeve) është nga Mbizotëruesi, Mëshirëbërësi.

Që të paralajmërosh një popull, etërit e të cilit nuk janë paralajmëruar, andaj janë të shkujdesur.

Sigurisht, për shumicën prej tyre u vërtetua fjala, andaj ata nuk do të besojnë.

Ne u kemi vënë në qafë prangat që u vijnë deri te mjekrat, andaj ata po e mbajnë kokën lart.

Dhe u kemi vendosur një pengesë para tyre dhe një pengesë mbrapa tyre dhe (po ashtu) u kemi vënë perde, prandaj ata nuk shohin.” (Kurani i Shenjtë 36:2-10)

Profeti s.a.v.s., duke lexuar këto ajete dhe duke hedhur dhe mbi kokat e tyre, kaloi para tyre dhe doli. Por fuqia e Zotit ishte e tillë që, edhe pse kaloi para syve të tyre, askush nuk e pa. Ata njerëz herë pas here shikonin brenda dhe qetësoheshin duke menduar se Muhammedi ishte ende në shtratin e tij.

Në shpellën Theur, Profeti s.a.v.s. kishte mbështetje të plotë tek Allahu

Duke folur për hixhretin e Profetit s.a.v.s. dhe për mbështetjen e tij tek Allahu, Hazret Musleh Maudi r.a. e ka përshkruar kështu këtë ngjarje në dritën e burimeve historike:

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mori urdhrin nga Allahu i Lartësuar për të bërë hixhret, mori me vete Hazret Ebu Bekrin r.a. dhe u nis drejt malit Theur, që ndodhet rreth gjashtë a shtatë milje larg Mekës. Atje, në majë të atij mali, u fshehën në një shpellë.

Në mëngjes, kur mohuesit panë se Profeti s.a.v.s. nuk ishte në shtëpinë e tij, dhe se, pavarësisht gjithë atyre rojeve, Muhammedi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., kishte dalë me sukses, u nisën menjëherë në kërkim të tij. Ata morën me vete disa nga gjurmuesit më të aftë të Mekës, të cilët kishin mjeshtëri të madhe në njohjen e gjurmëve të këmbëve.

Ata i çuan deri te mali Theur dhe thanë:

“Nëse Muhammedi, [i Dërguari i Allahut s.a.v.s.], është diku, atëherë është pikërisht këtu. Më tej nuk gjendet asnjë gjurmë.”

Në atë çast, gjendja ishte e tillë që armiku qëndronte pikërisht mbi shpellë. Gryka e shpellës nuk ishte e ngushtë, që të ishte e vështirë të shikoje brenda. Përkundrazi, ishte një shpellë e hapur, me hyrje të gjerë, ku mund të shikoje shumë lehtë dhe të kuptoje nëse kishte ndonjë njeri brenda apo jo.

Por edhe në atë gjendje, Profetin Muhammed s.a.v.s. nuk e pushtoi asnjë frikë. Madje, me bekimin e fuqisë së tij të shenjtë, edhe zemra e Hazret Ebu Bekrit r.a. mbeti e fortë. Ai nuk tha siç thanë shokët e Musait a.s.: “Na zunë.” Nëse tha diçka, tha vetëm kaq:

“O i Dërguari i Allahut! Armiku ka ardhur kaq afër, saqë po të ulë pak shikimin, mund të na shohë.”

Por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

اسْكُتْ يَا أَبَا بَكْرٍ، اِثْنَانِ اللهُ ثَالِثُهُمَا

“O Ebu Bekr, qëndro i qetë. Ne tani nuk jemi vetëm dy. Me ne është edhe i treti, Allahu. Atëherë si mund të na shohin ata?”

Dhe ndodhi pikërisht kështu. Megjithëse armiqtë kishin arritur deri në hyrje të shpellës, nuk iu dha mundësia të bënin një hap përpara e të shikonin brenda. Ata u kthyen që andej duke mërmëritur, duke folur fjalë të kota dhe duke përsëritur gjëra të pavlera.

Pra, një anë e kësaj ngjarjeje është kjo: shokët e Musait a.s., nga frika, thanë: “O Musa, ne zunë.” Me këtë, sikur e përfshinë edhe Musain a.s. bashkë me veten dhe menduan se tani të gjithë do të binin në duart e Faraonit.

Kurse mbështetja e Profetit Muhammed s.a.v.s. tek Allahu pati një ndikim të tillë edhe te shoku i tij, sa nga goja e tij nuk dolën fjalët: “Na zunë.” Ai tha vetëm kaq: armiku ka ardhur aq afër, sa po të dojë të na shohë, mund të na shohë.

Por Profeti Muhammed s.a.v.s. nuk e pranoi as këtë shqetësim dhe i tha:

“Mos mendo kështu. Ne nuk jemi vetëm dy. Me ne është edhe një i tretë, dhe Ai është Zoti ynë.”

Hazret Ebu Bekri r.a. tregoi besnikëri të përjetshme në orën më të rrezikshme

Duke folur për ngjarjen e hixhretit, për mbështetjen e Profetit s.a.v.s. tek Allahu dhe për guximin e tij, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Sinqeriteti i Ebu Bekr Siddikut u shfaq në kohën e atij zjarri, kur Profeti s.a.v.s. u rrethua. Edhe pse disa mendonin ta dëbonin, qëllimi kryesor ishte vrasja.

Në atë gjendje, Hazret Ebu Bekr Siddiku tregoi një shembull sinqeriteti dhe besnikërie që do të mbetet shembull përgjithmonë.

Në atë çast fatkeqësie, vetë zgjedhja që Profeti s.a.v.s. i bëri atij është një dëshmi e fuqishme për virtytin dhe besnikërinë e lartë të Hazret Ebu Bekrit.”

Këtu Hazret Mesihu i Premtuar a.s. po përshkruan cilësitë e Hazret Ebu Bekr Siddikut r.a., dhe po tregon se kjo ishte zgjedhja e vetë Profetit s.a.v.s.

“Në atë kohë, pranë Profetit s.a.v.s. ishin të pranishëm shtatëdhjetë a tetëdhjetë sahabë. Edhe Hazret Aliu r.a. ishte pranë tij. Megjithatë, nga të gjithë ata, Profeti s.a.v.s. zgjodhi Hazret Ebu Bekrin r.a.

Cili ishte sekreti i kësaj zgjedhjeje? Çfarë urtësie fshihej në të?

E vërteta është se Profeti sheh me syrin e Allahut të Lartësuar. Kuptimi i tij vjen nga Allahu. Prandaj Allahu i Lartësuar, përmes zbulesës dhe ilhamit, ia kishte treguar Profetit s.a.v.s. se për këtë punë, më i miri dhe më i përshtatshmi ishte Hazret Ebu Bekr Siddiku r.a.

Hazret Ebu Bekri r.a. qëndroi me Profetin s.a.v.s. në atë orë të vështirë. Ishte një kohë prove shumë e rrezikshme. Kur Hazret Mesihut të Nazaretit i erdhi një kohë e tillë, nxënësit e tij e lanë dhe ikën, madje njëri e mohoi hapur. Por secili prej sahabëve të nderuar tregoi shembull të plotë besnikërie.

Pra, Ebu Bekr Siddiku i qëndroi Profetit s.a.v.s. plotësisht pranë. Ata u fshehën në një shpellë, që quhet Theur.

“Mos u brengos, Allahu është me ne”

Kur jobesimtarët e ligj kishin bërë plane për ta lënduar Profetin s.a.v.s., e kërkuan dhe arritën deri te ajo shpellë. Hazret Ebu Bekr Siddiku r.a. tha:

“Tani ata kanë ardhur fare pranë nesh. Nëse dikush shikon pak poshtë, do të na shohë dhe do të na kapin.”

Në atë çast, Profeti s.a.v.s. tha:

لَا تَحْزَنْ إِنَّ اللَّهَ مَعَنَا

“Mos u brengos, Allahu është me ne.”

Mendoni pak për këtë fjalë: Profeti s.a.v.s. e përfshin edhe Hazret Ebu Bekr Siddikun r.a. bashkë me veten. Ai tha:

إِنَّ اللَّهَ مَعَنَا

“Allahu është me ne.”

Në fjalën “me ne” janë të përfshirë të dy: ti dhe unë. Allahu i Lartësuar vendosi në njërën anë Profetin s.a.v.s. dhe në anën tjetër Hazret Siddikun r.a. Në atë çast, të dy ishin në sprovë, sepse pikërisht ky ishte vendi prej nga, ose do të vendosej themeli i Islamit, ose do të merrte fund gjithçka.

Armiqtë ishin te shpella dhe po jepnin mendime të ndryshme. Disa thoshin:

“Kontrollojeni këtë shpellë, sepse gjurmët e këmbëve përfundojnë këtu.”

Por disa të tjerë thoshin:

“Si mund të ketë kaluar apo hyrë ndonjë njeri këtu? Merimanga ka thurur rrjetën dhe pëllumbi ka bërë vezë.”

Zërat e tyre arrinin brenda dhe Profeti s.a.v.s. i dëgjonte qartë.

Armiqtë kishin ardhur në një gjendje të tillë që donin ta përfundonin punën e tij. Kishin ardhur si të tërbuar. Por shikoni guximin e përsosur të Profetit s.a.v.s.: armiku ishte mbi kokë, ndërsa ai i thoshte shokut të tij besnik, Ebu Bekrit:

لَا تَحْزَنْ إِنَّ اللَّهَ مَعَنَا

“Mos u brengos, Allahu është me ne.”

Këto fjalë tregojnë qartë se Profeti s.a.v.s. i tha ato me zë, sepse këtu duhej të flitej. Nuk mund të mjaftonte vetëm me shenjë. Jashtë, armiqtë po këshilloheshin mes tyre, ndërsa brenda shpellës, shërbyesi dhe zotëria i tij po flisnin me njëri-tjetrin.

Nuk u shqetësuan se mos armiqtë do ta dëgjonin zërin. Kjo është dëshmi e besimit të përsosur dhe e njohjes së thellë të Allahut të Lartësuar. Ata kishin mbështetje të plotë në premtimet e Allahut.”

Në këtë udhëtim të hixhretit ka edhe ngjarje të tjera që tregojnë mbështetjen e Profetit s.a.v.s. tek Allahu. InshAllah, do t’ju sjell më vonë.

اللّٰهُمَّ صَلِّ عَلٰى مُحَمَّدٍ وَعَلٰى آلِ مُحَمَّدٍ وَبَارِكْ وَسَلِّمْ إِنَّكَ حَمِيدٌ مَجِيدٌ

Allahumme sal-li ala Muhammedin ve ala ali Muhammedin, ve barik ve sel-lim. Inneke Hamidun Mexhid.

[O Allah! Dërgo selavate mbi Muhammedin dhe mbi familjen e Muhammedit; bekoji dhe dhuroju paqe! Pa dyshim, Ti je i Lavdëruari, i Madhërishmi!]

Shpërndaje
Keni pyetje?
Share via