Mbështetja tek Allahu në jetën e Mesihut të Premtuar a.s.
(Hutbja e së xhumasë e Hazret Mirza Masrur Ahmedit, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, e mbajtur më 25.09.2026)
Pas recitimit të teshehudit, teauz-it, tesmijes dhe sures El-Fatiha, Huzuri, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, tha:
Në disa hytbe të fundit, duke folur për jetën e Profetit s.a.v.s., kam përmendur nivelin më të lartë të mbështetjes së tij tek Allahu. Sot do të flas për këtë temë nga një këndvështrim tjetër: se si në këtë kohë, shërbyesi i tij i sinqertë, duke ndjekur shembullin e Profetit Muhammed s.a.v.s., na e shpjegoi këtë gjë, çfarë mësimi na dha dhe si e vuri vetë në praktikë.
Mbështetja tek Allahu nuk do të thotë të braktisësh mjetet
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Mbështetja tek Allahu është kjo: mjetet që Allahu i Lartësuar ka caktuar për arritjen e një gjëje, përpiqu t’i mbledhësh sa të mundesh. Pastaj përkushtoju lutjeve dhe thuaj:
‘O Zot! Ti je Ai që mund ta përfundosh këtë punë me mirësi. Ka qindra fatkeqësi dhe mijëra sprova që mund t’i shkatërrojnë dhe t’i përmbysin këto mjete. Prandaj o Zot, na mbro nga goditjet e tyre dhe na ço drejt suksesit të vërtetë dhe drejt qëllimit që synojmë.”
Pra, njeriu i përdor mjetet, por ka shumë fatkeqësi dhe mund të krijohen rrethana të tilla që ato mjete, tek të cilat njeriu mbështetet, të shkatërrohen. Prandaj duhet t’i kërkojmë ndihmë Allahut të Lartësuar që Ai të na mbrojë nga pasojat e këqija të tyre.
Kjo është ajo gjendje, duke ecur në të cilën besimtari mund të bëhet marrës i bekimeve të Allahut të Lartësuar.
Të jesh i kënaqur me Allahun është një nivel shumë i lartë
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Të jesh i kënaqur me Allahun e Lartësuar është një punë që nuk e bën dot çdo njeri. Përkundrazi, kjo është një shkallë e lartë e mbështetjes tek Allahu, e përkushtimit të plotë drejt Tij, e kënaqësisë me vendimin e Tij dhe e dorëzimit para Tij. Kur njeriu arrin në këtë shkallë, nuk i mbetet më asnjë ankesë ndaj Mikut të tij.
Ndërsa kënaqësia e Allahut të Lartësuar me robin e Tij varet nga sinqeriteti dhe besnikëria e plotë e robit, nga pastërtia dhe dëlirësia e tij e nivelit të lartë dhe nga bindja e tij e përsosur.”
Prej kësaj kuptohet se sahabët i kishin kaluar të gjitha shkallët e njohjes së Allahut dhe të udhëtimit shpirtëror. Ata arritën atë nivel lidhjeje me Allahun dhe mbështetjeje tek Ai, i cili është bërë shembull për ne.
Ata që besojnë te Hazret Isai a.s. thonë se ai i shëronte të sëmurët. Por Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:
“A u shtua prej kësaj mbështetja e dishepujve të tij tek Allahu? Shtimi i mbështetjes tek Allahu ndodh vetëm me bekimin e veçantë të Allahut, kur njeriu i drejtohet Atij plotësisht.”
Ai thotë:
“nëse këtë shembull mbështetjeje tek Allahu e kërkon te dishepujt e Hazret Isait a.s., nuk mund ta gjesh kurrsesi.”
Shërimi i trupit nuk mjafton pa lidhjen e vërtetë me Allahun
“Pra, vetëm largimi i sëmundjeve fizike nuk sjell ndonjë dobi të vërtetë. Edhe për disa sufistë është shkruar se ata mund ta shfaqin këtë lloj mrekullie, domethënë mund të shërojnë të sëmurë.”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
Të gëzohesh vetëm për këtë nuk është mençuri. Ai që e do përsosmërinë shpirtërore nuk mund të kënaqet me gjëra të tilla.
Prandaj, unë për ju dëshiroj pikërisht këtë: pastroni zemrat tuaja dhe krijoni me Zotin një lidhje të tillë që Ai Zot Bujar të jetë i kënaqur me ju dhe ju të jeni të kënaqur me Të. Atëherë Ai do të vendosë një bekim të tillë në trupin tuaj dhe në fjalët tuaja, sa edhe ata që shërojnë sëmundje do të habiten dhe do ta lakmojnë kur ta shohin atë.”
Domethënë, ata që shërojnë të sëmurë dhe largojnë sëmundje, nëse ju keni një lidhje të tillë me Allahun, vetë ata do të kuptojnë nivelin e tyre të ulët kur të shohin gjendjen tuaj.
Pra, nëse besimtari mbështetet tek Allahu dhe krijon lidhje me Të, ai vetë mund të bëhet i aftë të shfaqë mrekulli.
Mbështetja tek Allahu është balsami më qetësues në kohë fatkeqësie
Në një rast tjetër, duke tërhequr vëmendjen drejt mbështetjes tek Allahu dhe përkushtimit të plotë ndaj Tij, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Mbajeni mend edhe këtë: për plagën e fatkeqësisë nuk ka asnjë balsam më qetësues dhe më ngushëllues sesa mbështetja tek Allahu i Lartësuar. Ai që mbështetet tek Allahu i Lartësuar, edhe në vështirësitë dhe fatkeqësitë më të rënda gjen brenda vetes qetësi dhe siguri. Ai nuk ndien në zemrën e tij hidhërim dhe mundim.”
Në fund të fundit, çfarë mund të ndodhë nga ajo fatkeqësi? Nëse është një vendim i prerë i kaderit, një kader që nuk mund të shmanget, atëherë mund të vijë vdekja.”
Vështirësi i vijnë edhe besimtarit. Por nëse besimi i tij tek Allahu i Lartësuar është i fortë, ai nuk i lë ato t’i hipin mbi kokë. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë: më së shumti çfarë do të ndodhë? Do të vijë vdekja.
Por pastaj ai thotë: çfarë ndodhi me këtë? Kjo botë nuk është një vend ku dikush mund të qëndrojë përgjithmonë. Në fund, vjen një ditë dhe një kohë për secilin, kur duhet ta lërë këtë botë.
Atëherë, nëse i vjen vdekja, çfarë dëmi ka? Për besimtarin, kjo vdekje bëhet edhe më shumë burim rehatie dhe mjet për të takuar të Dashurin (Zotin).
Nëse është besimtar i vërtetë dhe besimi i tij tek Allahu është i fortë, ai thotë: mirë, do të takohem me Allahun e Lartësuar.
Sepse ai ka besim të plotë tek Allahu i Lartësuar dhe te fuqitë e Tij, dhe e di se bota tjetër është për të vend i rehatisë së përhershme.
Fatkeqësia bëhet dënim vetëm kur mungon besimi dhe mbështetja tek Allahu
Pra, fatkeqësia në vetvete, qoftë sëmundje, qoftë ndonjë vështirësi tjetër, nuk mund të bëhet shkak dhimbjeje e dënimi. Përkundrazi, fatkeqësia bëhet dënim i dhimbshëm atëherë kur robit i mungojnë besimi dhe mbështetja tek Allahu i Lartësuar.
Nëse një besimtari i vijnë vështirësi, ato nuk janë dënim për të. Dënim bëhen vetëm atëherë kur njeriu nuk beson tek Allahu dhe nuk mbështetet tek Ai. Një njeri i tillë, që nuk ka besim, sigurisht kalon në një mundim të rëndë.
Dhe nëse dikush mendon se nuk duhet t’i vijë fare vdekja, ky është një mendim i papjekur, sepse Allahu i Lartësuar e ka caktuar këtë botë si të përkohshme. Për një njeri të tillë do të ketë në botën tjetër një xhehenem shumë të dhimbshëm, për të cilin duhet të jetë gati.
Pra, kjo është edhe një përgjigje e përgjithshme për ata njerëz që pyesin: si ta dimë nëse një vështirësi apo dhimbje është dënim apo sprovë nga Allahu i Lartësuar?
“Kur mbështetesh tek Allahu, Ai patjetër të ndihmon”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i këshillonte ndjekësit e tij për mbështetjen tek Allahu sa herë që ishte rasti.
Kështu, në një transmetim, Hazret Master Nazir Husejn Sahib rrëfen se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:
“Mos mendoni se Allahu i Lartësuar është i dobët. Ai është shumë i fuqishëm. Kur të mbështeteni tek Ai për ndonjë çështje, Ai patjetër do t’ju ndihmojë, siç thotë Vetë:
وَمَنْ يَتَوَكَّلْ عَلَى اللّٰهِ فَهُوَ حَسْبُهُ
‘Dhe një që mbështetet tek Allahu, (ta dijë se) Ai është i mjaftueshëm për të.’” (Kurani i Shenjtë 65:54)
Njerëzit e mirë jetojnë me zemër të gjerë, edhe kur u mungojnë mjetet
Duke përshkruar cilësitë e njerëzve fatlumë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Njëra prej shkallëve është shkalla e mbështetjes tek Allahu. Ata vendosen shumë fort në këtë shkallë. Të tjerët nuk mund ta arrijnë kurrë atë burim të pastër. Përkundrazi, ai bëhet i këndshëm dhe i përshtatshëm vetëm për ta. Drita e njohjes së Allahut i mban aq fort, sa shumë herë, edhe kur gjenden në lloj-lloj mungesash dhe e shohin veten krejt të shkëputur nga mjetet e zakonshme, përsëri jetojnë me aq hare dhe me aq qetësi zemre, dhe i kalojnë ditët me aq lumturi, sikur të kishin pranë mijëra thesare.”
Edhe kur nuk u gjenden lehtësitë me të cilat janë mësuar, ata që mbështeten tek Allahu i Lartësuar e kalojnë jetën me shumë gëzim, sikur të kishin pranë mijëra thesare.
“Në fytyrat e tyre duket freskia e pasurisë dhe shihet qëndrueshmëria e njeriut që ka bollëk. Edhe në kohë ngushtice, ata mbështeten te Zoti i tyre Bujar me zemër krejt të hapur dhe me bindje të plotë.”
Besimtarët, nëse kanë lidhje me Allahun e Lartësuar, edhe në vështirësi e vuajtje mbështeten tek Allahu i Lartësuar dhe nuk largohen prej Tij. Nuk u vjen mendimi: “Kushedi çfarë është kjo? A është sprovë, a është provim apo është ndëshkim?” Nëse mbështetja tek Allahu i Lartësuar është e plotë dhe njeriu i përmbush të drejtat e Allahut, atëherë Allahu i Lartësuar, pa dyshim, e begaton me bekimet e Tij.
“ata që e lënë dynjanë, e fitojnë atë; kurse ata që vrapojnë pas saj, mbeten pa të.”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Ata që mbështeten tek Allahu dhe përulen drejt Zotit nuk humbasin kurrë. Kurse një që është i mbështetur vetëm te përpjekjet e veta, çfarë gjë tjetër mund të fitojë, përveç poshtërimit?
Që kur është krijuar kjo botë, ligji i Allahut ka qenë gjithmonë ky: ata që e lënë dynjanë, e fitojnë atë; kurse ata që vrapojnë pas saj, mbeten pa të.
Ata që nuk kanë lidhje me Zotin e Lartësuar, edhe nëse për pak ditë arrijnë të marrin diçka me dredhi e mashtrim, në të vërtetë nuk fitojnë asgjë.”
Në përpjekjen për të fituar dynjanë, zakonisht njerëzit përdorin dredhi, mashtrim dhe gënjeshtër.
“Por në fund, ata duhet të përballen me dështim të rëndë. Në Islam, njerëzit më të mirë kanë qenë ata që nuk i kanë dhënë rëndësi dynjasë përballë besimit.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
Në Indi kanë kaluar evlija të Zotit si Kutbuddini dhe Muinuddini. Ata e adhuruan Zotin në fshehtësi, por Zoti ua shfaqi pozitën e lartë botërisht.
“Nuk e gjete as Zotin, as të dashurën”
Pastaj Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tregon një ngjarje:
“Ne pamë në Batala një pirzada (bir i një shehu). Ai ishte i mbuluar me pluhur duke ndjekur pas një zëvendëskomisioner për çështjet e tokave të tij.”
Pra, ai ndiqte pas një zyrtari shtetëror për çështjet e gjyqeve apo të pronave të tij.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“U habita. Nëse ky njeri do të kishte mirësi të vërtetë”, sepse njerëz të tillë e quajnë veten sheh dhe thonë: “Ne jemi pasardhës të shehlejrëve”, “dhe nëse do të ishte njeri që mbështetet te Zoti, pse do të binte në gjëra kaq të ndotura dhe të ulëta?”
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Të gjitha mëkatet që kanë lindur në botë kanë të njëjtën rrënjë: njeriu ka aq shumë bindje për kënaqësitë e dynjasë, për nderin e dynjasë dhe për pasurinë e saj, por nuk ka të njëjtën bindje për Ahiretin. Pikërisht për këtë arsye njeriu bën mëkat.
Ashtu siç njeriu mund të mbështetet te një arkë që është plot me xhevahire të çmuara dhe me ar të pastër, dhe që është nën zotërimin e tij, po ashtu nuk arrin të mbështetet te Zoti. Siç kanë frikë njerëzit nga qeveria e dynjasë dhe nga zyrtarët e saj, dhe siç e kalojnë jetën me servilizëm, lajka e hipokrizi, nuk kanë të njëjtën frikë ndaj Zotit të Lartësuar.
Cila është arsyeja e kësaj? Arsyeja është se mjetet e dukshme të dynjasë, pra mjetet e jashtme dhe materiale që njeriu i ka para syve, i duken aq të sigurta, saqë besimet fetare nuk i duken asgjë përballë tyre.”
Mjetet e dynjasë i sheh para syve, ndërsa besimin dhe lidhjen me Zotin e Lartësuar i quan si asgjë.
“Prandaj, kur nuk ka mbështetje te Zoti i Lartësuar dhe nuk ekziston fare mendimi për ta vënë besimin mbi dynjanë, gjë që ne e përsërisim në çdo zotim tonin, dhe tani, në Ijtemanë e Khuddamul-Ahmedias, edhe ata do ta përsërisin, atëherë këto besime të dobëta dhe kjo dobësi e imanit do ta privojnë një njeri të tillë edhe nga begatitë e botës tjetër.
Ata e kanë quajtur këtë botë gjithçka dhe janë përpjekur vetëm për ta fituar atë. Disa e fituan, disa, duke u përpjekur për ta fituar, u larguan nga kjo botë pa sukses. Disa e morën, por pastaj e humbën. Pastaj, edhe në këtë botë, e kaluan jetën në një mundim të madh. Nuk mbetën as të besimit, as të dynjasë.
Për këtë një poet ka thënë:
نہ خدا ہی ملا نہ وصال صنم
“Nuk e gjete as Zotin, as të dashurën.”
Lutja e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. që njerëzit ta njohin Zotin
Sa shumë shqetësim kishte Hazret Mesihu i Premtuar a.s. për t’i sjellë njerëzit drejt Zotit dhe për t’i bërë të mendojnë për Ahiretin; sa dhimbje kishte në zemër për këtë dhe si lutej për këtë, ai vetë e shpreh duke iu drejtuar Zotit të Lartësuar:
“Shiko! Shpirti im, me mbështetje të madhe, po fluturon drejt Teje ashtu siç kthehet zogu drejt folesë së vet. Prandaj unë dëshiroj shenjën e fuqisë Sate. Por jo për veten time dhe as për nderin tim, por që njerëzit të të njohin Ty; të zgjedhin rrugët e Tua të pastra dhe, të mos mbeten larg udhëzimit duke e mohuar atë që Ti ke dërguar.
Unë dëshmoj se Ti më ke dërguar dhe se në mbështetjen time ke shfaqur shenja të mëdha.”
Allahu Vetë e quajti Hazret Mesihun e Premtuar a.s. “Mutavakkil”
Allahu i Lartësuar Vetë i dha Hazret Mesihut të Premtuar a.s. emrin “Mutavakkil”, domethënë ai që mbështetet tek Allahu. Kështu, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Si shenjë e zbritjes së Mesihut është shkruar se ai do t’i ketë vendosur pëllëmbët e duarve mbi krahët e dy engjëjve. Kjo tregon se dora e tij e djathtë dhe e majtë, që janë mjet për fitimin e dijeve racionale dhe të dritave të brendshme, do të mbështeten te të ngarkuarit qiellorë”, pra te engjëjt që marrin detyrë për një punë të caktuar.
Pra, dijet racionale, dritat e shpirtërore, njohuritë e fesë dhe njohja e Allahut do t’i vijnë përmes kësaj rruge, me ndihmën e engjëjve. Ky është kuptimi i vendosjes së duarve mbi dy engjëjt.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë se ato do të jenë në mbështetjen e engjëjve. Ai nuk do ta marrë dijen nga shkollat, librat apo shehlerët, por do të marrë dije të dhuruar drejtpërdrejt nga Zoti i Lartësuar, domethënë dije që e mëson vetëm Zoti i Lartësuar. Edhe nevojat e jetës së tij do t’i marrë përsipër dhe do t’i plotësojë Vetë Zoti.
Siç thotë Hazret Mesihu i Premtuar a.s., prej dhjetë vitesh, duke dhënë shembullin e “Brahin-e-Ahmedia”, është botuar ky ilham për mua, një njeri modest:
اِنَّكَ بِاَعْيُنِنَا سَمَّيْتُكَ الْمُتَوَكِّلَ وَعَلَّمْنَاهُ مِنْ لَدُنَّا عِلْمًا
“Ti je para syve Tanë. Ne të dhamë emrin Mutavakkil, [ai që mbështetet tek Allahu], dhe të mësuam dije nga ana Jonë.”
Nga shumë hadithe dhe nga Kurani i Shenjtë vërtetohet se kur një njeri krijon një gjendje shkëputjeje të plotë nga çdo mbështetje tjetër, dhe krijon mbështetje të plotë vetëm tek Allahu, engjëjt vihen në shërbim të tij, dhe çdo engjëll i shërben sipas detyrës që i është caktuar.
Gëzimi kur e ke xhepin boshë
Një ditë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ishte ulur në një mbledhje. Aty u hap biseda për mbështetjen tek Allahu. Në atë rast, ai tha:
“Ndiej diçka të çuditshme në zemër. Kur ka një vapë shumë të rëndë dhe nxehtësia arrin kulmin, njerëzit shpresojnë me bindje se tani do të bjerë shi. Po kështu, kur e shoh arkën time të vogël bosh”, domethënë, kur shoh se nuk kam para apo ndonjë gjë tjetër pranë, “më krijohet një bindje e fortë në bekimin e Zotit se tani arka do të mbushet. Dhe kështu ndodh.”
Pastaj, duke u betuar në Zotin e Lartësuar, tha:
“Kur qesja ime është bosh, domethënë kur xhepi im është bosh, gëzimi dhe kënaqësia që ndiej në atë çast nga mbështetja te Zoti i Lartësuar, nuk mund ta përshkruaj.”
Kur nuk kam asgjë pranë, atëherë mbështetja ime tek Allahu i Lartësuar shtohet edhe më shumë.
“Ajo gjendje është shumë më qetësuese dhe më e këndshme sesa gjendja kur qesja është plot, kur xhepat e mi janë plot.”
Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahibi, duke komentuar këtë thënie, shkruan se qesja e njerëzve të fakirit zakonisht mbetet bosh. Pra, ata që janë njerëz që janë të varfër materialisht, por të pasur shpirtërisht, nuk para nuk grumbullojnë pasuri; xhepat dhe thesaret e tyre zakonisht mbeten bosh, sepse ua shpërndajnë të tjerëve.
Por shikoni madhështinë e mbështetjes së Hazret Mesihut të Premtuar a.s. tek Allahu. Një bujk i zgjuar, pas përvojave të përsëritura me pusin e tij, e di me bindje se kur uji i tanishëm të fillojë të mbarojë, burimet e nëndheshme do të hapen vetvetiu dhe pusi do të mbushet përsëri me ujë. Kur hapet një pus, ndonjëherë, duke nxjerrë ujë vazhdimisht, ai thahet; por pastaj, dalëngadalë, uji fillon të mblidhet përsëri në të.
Po kështu, zemra e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ishte e mbushur me këtë bindje: sapo të më zbrazej xhepi, dora e padukshme e qiellit do ta mbushë përsëri, dhe në punën që Zoti më ka ngarkuar nuk do të krijohet asnjë pengesë.
Kjo është pikërisht ajo shkallë e ndihmës për të cilën Allahu i Lartësuar i shpalli Hazret Mesihut të Premtuar a.s. që në fillim:
أَلَيْسَ اللّٰهُ بِكَافٍ عَبْدَهُ
“A nuk i mjafton Allahu robit të Vet?!” (Kurani i Shenjtë 39:37)
E vërteta është se shpallja hyjnore, që nga fillimi deri në fund, qëndroi mbi Hazret Mesihun e Premtuar a.s. si një re mëshire.
Letra drejtuar Haxhi Muhammed Vali Sahibit për vonesën e botimit të “Brahin-e-Ahmedia”
Në jetën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. gjejmë një ngjarje tjetër që lidhet me mbështetjen tek Allahu. Kjo ka të bëjë me vonesën e botimit të “Brahin-e-Ahmedia”. Hazret Mesihu i Premtuar a.s., në një letër drejtuar Haxhi Muhammed Vali Sahibit, i cili ishte një zyrtar i respektuar në shtetin e Kapurthalës, shkruan:
“Në letrën e mëparshme të zotërisë suaj kishte aq shumë nervozizëm dhe hidhërim”, domethënë ai i kishte shkruar lidhur me vonesën e botimit të “Brahin-e-Ahmedia”. Ai kishte paguar për botimin e librit dhe, kur libri nuk i kishte mbërritur, kishte shkruar me zemërim. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i thotë:
“Letra juaj e mëparshme shfaqte aq shumë nervozizëm dhe hidhërim, dhe në të kishte fjalë aq të ashpra e të papërshtatshme, sa prej tyre dukej qartë se dyshimi juaj kishte arritur në një shkallë shumë të rëndë prishjeje dhe çrregullimi.”
Pra, nga letra juaj dukej sikur e kishit shkruar me shumë zemërim dhe sikur zemërimi juaj kishte arritur kulmin.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Nëse nuk do të kishte lidhje shitblerjeje për librin, nuk pritej kurrsesi që nga pena juaj të dilnin fjalë të tilla.”
Ju kishit paguar para, prandaj nuk e duruat dot vonesën dhe shkruat fjalë të tilla.
Pastaj thotë:
“Prej kësaj u vërtetua se kjo lidhje e pafat ka trazuar natyrën e një njeriu të madh si ju. Ende nuk dihet se deri ku do të shkojë kjo trazirë dhe ky shqetësim juaji i brendshëm.
Kurse gjendja ime është se i gjithë ky punim nuk mbështetet tek askush tjetër përveç Zotit, qoftë i lartësuar emri i Tij.”
Pra, kjo punë po bëhet me mbështetje tek Allahu i Lartësuar dhe, inshallah, do të përfundojë. Por në rrugë dalin disa pengesa. Unë nuk kam fuqi t’i largoj vetë. Prandaj, a duhet të shfaqet kaq shumë padurim para botës?
Sidoqoftë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Në këtë gjendje, më e udhës është të prishim marrëveshjen e shitblerjes dhe t’jua kthej shumën që keni dërguar.”
Nëse keni kaq shumë shqetësim dhe mendoni se ndoshta unë e kam përvetësuar shumën tuaj, atëherë do të qetësoheni dhe do t’ju largohet shqetësimi.
Sepse për gjithë këtë zemërim nuk duket ndonjë shkak tjetër, përveç faktit se ndarja nga disa dirhemë, që në çdo rast do të ndaheshin nga ju, ju ka futur në merak, keqardhje, shqetësim dhe hutim.”
Prandaj kjo letër po ju dërgohet me këtë qëllim: nëse shkaku i këtyre fjalëve të rënda dhe të papërshtatshme tuajat është pikërisht ai që kam kuptuar unë, atëherë më njoftoni për shumën, që t’jua kthej paratë dhe kështu të bëhet ai trajtim që mund t’ju ndihmojë të përmbani gjuhën.
Sepse përmbajtja e gjuhës është prej virtyteve të besimtarëve. Nëse kthimi i parave ju ndihmon të ktheheni te kjo sjellje e besimtarëve, atëherë unë jam gati t’jua kthej shumën.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Nëse do ta kishit parë librin tim ‘Surma Çashm-e-Aria’, do ta kishit kuptuar se ky njeri i përulur tashmë kishte shpallur se, nëse dikush është i pakënaqur për shkak të vonesës së botimit të ‘Brahin-e-Ahmedia’ dhe dëshiron t’i kthehet shuma e paguar, le të njoftojë. Paratë e të gjithë blerësve të tillë do të kthehen.”
Pra, unë tashmë e kisha shpallur se, për shkak se po shkruaj librin “Surma Çashm-e-Aria”, botimi i “Brahin-e-Ahmedia” mund të vonohet. Nëse dikush nxiton dhe dëshiron t’i marrë paratë mbrapsht, mund t’i marrë.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Le ta keni të qartë se ata që mendojnë keq dhe nxjerrin fjalë të ndyra nga goja, nuk mund të më shkaktojnë asnjë dëm. Ata vetë bëhen të pavlerë dhe hyjnë në kuptimin e fjalëve خَسِرَ الدُّنْيَا وَالْآخِرَةَ, domethënë humbin këtë botë dhe Ahiretin.
E gjithë kjo punë është nga ana e Allahut dhe Ai Vetë do ta përfundojë me mirësi e mbarësi.”
Pra, unë nuk kam nevojë për paratë tuaja. Kjo është punë e Allahut dhe kam bindje tek Allahu se Ai do ta përfundojë.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Nëse të gjithë njerëzit do të krijonin në zemrat e tyre të njëjtin mendim që keni ju sot, edhe atëherë nuk do të mund të më dëmtonin as sa një grimcë. Edukuesi im është Ai Zot Bujar, i Cili më ngarkoi me këtë detyrë në një kohë errësire. Ai është me mua dhe Ai më mjafton.”
Hazret Shejh Jakub Ali Sahib Irfani, lidhur me këtë letër, thotë:
“Nga kjo letër kuptohet edhe mbështetja e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. tek Allahu. Pikërisht për këtë arsye, shpallja e Zotit i dha atij edhe emrin ‘Mutavakkil’, ai që mbështetet tek Allahu. Me pak fjalë, kjo letër është pasqyrë e jetës së pastër të Hazret Mesihut të Premtuar a.s.”
Të gjitha nyjet zgjidhen me lutje
Lidhur me lutjen dhe mbështetjen tek Allahu, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë se të gjitha vështirësitë zgjidhen me lutje. Ai thotë:
“Të gjitha nyjet hapen me lutje. Edhe ne, nëse kemi ndonjë mjet për t’i bërë mirë dikujt, çfarë kemi? Vetëm mjetin e lutjes, që na e ka dhënë Zoti. Qoftë për mikun, qoftë për armikun, ne nuk mund ta bëjmë të zezën të bardhë dhe të bardhën të zezë. Në dorën tonë nuk është as një grimcë, përveç asaj që Zoti na jep me bekimin e Tij.”
Ai thotë se njeriu, në kohë vështirësish, natyrshëm ndien shqetësim, por nuk duhet ta lërë kurrë nga dora mbështetjen tek Allahu. Ardhja e këtyre shqetësimeve është e nevojshme për plotësimin e moralit dhe të shkallëve shpirtërore të njeriut. Por njeriu duhet të mos e lejojë dëshpërimin as t’i afrohet.”
Shqetësimi vjen, njeriu trazohet dhe dëshiron që puna të kryhet shpejt. Por të bjerë në dëshpërim dhe të heqë dorë nga mbështetja tek Allahu, kjo nuk duhet të ndodhë.
“Sepse dëshpërimi është cilësi e mohuesve. Njeriut i vijnë lloj-lloj mendimesh që ia shtojnë ankthin dhe i hedhin dyshime në zemër. Por imani i largon këto dyshime. Natyra njerëzore sjell shqetësim, ndërsa imani e largon atë.”
Domethënë, për shkak të natyrës njerëzore lind një lloj padurimi dhe shqetësimi, por nëse imani është i plotë, ai e largon këtë gjendje. Atëherë njeriu ka bindje për suksesin.
Pra, kërkesat e natyrës njerëzore sjellin shqetësim, por nëse imani është i plotë, ai e largon atë.
Sa më shumë mbështetje tek Allahu, aq më të mira janë frytet e lutjes
Duke tërhequr vëmendjen drejt lutjeve dhe duke këshilluar për të krijuar mbështetje tek Allahu i Lartësuar, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Për reformimin e vetes, për një përfundim të mirë dhe për të fituar mundësinë për të bërë vepra të mira, ana tjetër është lutja. Sa më shumë mbështetje dhe bindje të ketë njeriu tek Allahu i Lartësuar, dhe sa më shumë të ecë në këtë rrugë me hapa që nuk lodhen, aq më të mira do të jenë rezultatet dhe frytet që do të marrë. Të gjitha vështirësitë do të largohen dhe ai që lutet, do të arrijë në një vend të lartë të takvasë (të druajtjes ndaj Zotit).”
Edhe kur përdorte mjetet, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. nuk mbështetej tek ato
Duke përshkruar anën e mbështetjes së Hazret Mesihut të Premtuar a.s. tek Allahu, biografi i tij, Hazret Shejh Jakub Ali Sahib Irfani, shkruan:
“Megjithëse Hazret Mesihu i Premtuar a.s. bënte përpjekje të plota dhe punonte shumë në përgatitjen e çështjeve gjyqësore, ai kurrë nuk mbështetej tek ato mjete. Përkundrazi, u drejtohej lutjeve dhe në çdo çast kishte para syve vetëm Qenien e Zotit të Lartësuar. Vetëm Ai ishte i Adhuruari dhe i Kërkuari i tij, dhe vetëm tek Ai kishte mbështetje dhe besim.”
Një hindu i moshuar dëshmoi për pastërtinë dhe mbështetjen e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. tek Zoti
Në histori vjen edhe një ngjarje se një hindu i moshuar, i cili ishte mik i babait të Hazret Mesihut të Premtuar a.s., erdhi në Kadijan gjatë kohës kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kishte shpallur misionin e tij. Ai tregoi për gjendjen dhe mbështetjen e tij tek Zoti.
Ai tha:
“Unë jam i kohës përpara lindjes së tij.”
Domethënë, ai tregonte se kishte jetuar që përpara lindjes së Hazret Mesihut të Premtuar a.s.
Ai tha:
“Unë e kam mbajtur në prehër dhe e kam luajtur kur ishte fëmijë. Që kur filloi të kuptonte, ai ka qenë shumë i virtytshëm. Nuk u mor kurrë me punët e dynjasë. Nuk u përfshi në lojëra e zbavitje si fëmijët e tjerë. Tek ai nuk kishte kurrë prapësi, grindje, gënjeshtër apo fjalë të këqija.
Ne dhe bashkëmoshatarët tanë e konsideronim të ngathët, të thjeshtë dhe pa zgjuarsi praktike. Mendonim: si do ta ndërtojë ky jetën e vet? Është rritur në duart e mia.”
Këtë po e thoshte ai hindu për Hazret Mesihun e Premtuar a.s., sepse Mesihu i Premtuar a.s. u rrit para syve të tij
Ai vazhdoi:
“Si do ta kalojë jetën? Përveç se të jetonte i veçuar në një shtëpi, nuk kishte ndonjë punë tjetër. Nuk rrihte askënd, as vetë nuk merrte ndonjë të rrahur.”
Kjo, në një farë mënyre, është një zakon i të rinjve: dalin jashtë, grinden, herë godasin, herë goditen, dhe kështu bëhen të fortë, sipas mendimit të njerëzve të dynjasë. Ai thoshte se ky nuk kishte mësuar asgjë të tillë, atëherë çfarë do të bënte në jetë? Ai po e shihte me syrin e dynjasë.
Pastaj tha:
“As nuk i thoshte dikujt fjalë të këqija, as nuk bëhej shkak që dikush t’i thoshte atij fjalë të këqija. Ishte një jetë çuditërisht e pastër. Por, po ta shihje me syrin tonë, nuk ishte jetë e mirë.”
Pra, po të shihej me syrin e fesë, ishte një jetë shumë e pastër, por në sytë tanë, të njerëzve të dynjasë, ajo nuk ishte jetë e mirë. Kështu po thoshte ky hindu.
Ai tha:
“As shkonte diku, as vinte diku. Përveç ndonjë fjale të zakonshme, nuk fliste shumë. Nëse ndonjëherë i thoshim: ‘Bir, çfarë po ndodh në botë? Ti gjithashtu jeto pak si njerëzit e tjerë. Nëse asgjë tjetër, dil të paktën për ndonjë lojë a argëtim’, ai nuk thoshte asgjë. Vetëm buzëqeshte dhe heshtte.
Ne i thoshim: ‘Mblidh mendjen! Ha, fito, bëj diçka!’ Ai i dëgjonte këto dhe rrinte i heshtur.”
Babai i tij më thoshte:
“Nambardar, shko dhe thirre Ghulam Ahmedin. T’i themi ndonjë fjalë, ndoshta kupton.”
Unë shkoja dhe e thërrisja. Sapo dëgjonte urdhrin e babait, ai vinte menjëherë, ulej i heshtur dhe e mbante shikimin ulur.
Babai i tij thoshte:
“Bir, Ghulam Ahmed! Kam shumë merak dhe shqetësim për ty. Çfarë do të bësh për të ngrënë? Deri kur do ta kalosh jetën kështu? Bëj ndonjë punë. Deri kur do të qëndrosh si nuse në shtëpi? Njeriu duhet të mendojë për ushqimin dhe jetesën. Shiko, bota fiton, ha, pi dhe punon. Do të martohesh, do të të vijë gruaja, do të kesh fëmijë. Ata do të kërkojnë ushqim, veshje e nevoja të tjera. Kujdesi për ta do të jetë përgjegjësia jote. Në këtë gjendje, kam frikë të të martoj. Merr pak veten. Lëre këtë shkujdesje dhe këtë thjeshtësi. Deri kur do të jem unë këtu?
Unë kam njohje me anglezë të mëdhenj, me zyrtarë e qeveritarë. Ata më respektojnë. Unë të shkruaj një letër. Ti përgatitu. Ose, nëse do, shkoj vetë dhe bëj rekomandim për ty.”
Mirza Ghulam Ahmedi nuk jepte ndonjë përgjigje. Babai i tij i nderuar ia përsëriste disa herë të njëjtat fjalë. Më në fund, nëse përgjigjej, thoshte vetëm kaq:
“Baba, më thuaj pak: nëse unë jam shërbyes i Atij që është Sunduesi i sunduesve, pronari i gjithë mbretërive dhe më i miri ndër gjykuesit, dhe nëse i bindem Zotit të të gjitha botëve, çfarë nevoje kam për ndonjë punë tjetër? Megjithatë, unë nuk jam jashtë urdhrit tënd. Nëse më thua të bëj punë, do ta bëj.”
Kur dëgjonte këtë përgjigje, Mirza Ghulam Murtaza Sahibi heshtte dhe thoshte:
“Mirë, bir, shko dhe kthehu në dhomën tënde të veçimit.”
Ai hindu thoshte se, kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s., që atëherë ishte në moshë të re, largohej prej andej, babai i tij na thoshte:
“Ky djali im do të mbetet vetëm mulla. Më mirë t’i gjej ndonjë xhami që të fitojë dhjetë a njëzet kile drithë. Por çfarë të bëj? Ky nuk është as për punë mullai. Si do ta kalojë jetën pas meje? Është i mirë dhe i devotshëm, por kjo kohë nuk është për njerëz të tillë. Është koha e njerëzve të zgjuar e dinakë.”
Pastaj, me sy të përlotur, babai i tij thoshte:
“Gjendja e pastër që ka Ghulam Ahmedi, ku e kemi ne atë? Ky njeri nuk është tokësor, është qiellor. Nuk është njeri, është engjëll.”
Kur e tha këtë, edhe ai hindu i moshuar, që po rrëfente ngjarjen, u përlot. Ai tha:
“Sikur Mirza Ghulam Murtazai të ishte gjallë sot dhe ta shihte këtë ngritje e përparim të tij!”
Ky hindu ishte mik i vjetër dhe shumë i moshuar. Ai thoshte: sikur babai i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. të ishte gjallë dhe ta shihte këtë madhështi të jetës së tij; të shihte se njerëzit e mençur të botës, molvitë dhe mullatë janë të nevojshëm për derën e tij, dhe se Zoti i dha një pozitë të tillë dhe shfaqi përmes tij një pamje të tillë të fuqisë së Vet, sa mendja dhe dija e të gjithëve janë asgjë para saj.
Tani edhe ky hindu po e pranonte se, nëse sot do ta shihnin, do ta kuptonin se pikërisht ky njeri, i cili u mbështet tek Allahu dhe flijoi gjithçka për hir të Allahut, është ai nga i cili sot e gjithë bota po merr dije.
Lutja për pesëdhjetë rupi dhe pranimi i menjëhershëm i saj
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Një herë, pata nevojë për pesëdhjetë rupi. Siç u ndodh ndonjëherë njerëzve që jetojnë me asketizëm dhe mbështetje tek Allahu, në atë kohë nuk kisha para aspak.
Kur dola në mëngjes për shëtitje, mendimi për këtë nevojë më solli një shtytje të fortë që të lutesha në atë vend të shkretë. Kështu, shkova në një vend të fshehtë, në breg të atij kanali që ndodhet rreth tre milje larg Kadijanit, në drejtim të Batalës, dhe u luta.
Sapo e përfundova lutjen, Zoti më dërgoi një shpallje (ilham), kuptimi i së cilës ishte:
‘Shiko si i pranoj Unë lutjet e tua.’
Atëherë u ktheva i gëzuar drejt Kadijanit dhe mora rrugën nga pazari, që të pyesja në postë nëse kishte ardhur ndonjë shumë në emrin tim atë ditë. Kjo ka ndodhur para shpalljes së deklaratës sime. Dhe kështu, mora një letër ku shkruhej se dikush kishte dërguar pesëdhjetë rupi nga Ludhiana. Me shumë gjasë, ajo shumë më mbërriti po atë ditë ose të nesërmen.”
Ai që mohon lutjen, e mohon Zotin
Kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. dëgjoi mendimin e një prijësi se besimi i muslimanëve që lutja zgjidh vështirësitë i bën ata shumë të dobët, domethënë se ky besim i ndalon nga veprimi, sepse disa njerëz merren vetëm me lutje, nuk përdorin mjetet dhe për këtë arsye gjendja e tyre dobësohet, ai tha:
“Ai që e mohon lutjen, e mohon Zotin. Vetëm lutja është mjeti për të njohur Zotin. Tani ka ardhur koha që vlera e saj të pranohet, me dëshirë apo pa dëshirë.
Në të vërtetë, kudo ka ateizëm. Gjendja e mbledhjeve të sotme është e tillë që tallin lutjen, mbështetjen tek Allahu dhe thënien ‘Inshallah’. Këto gjëra i quajnë marrëzi.”
Sot këto gjendje janë shtuar edhe më shumë.
“Përndryshe, nëse do të kishin qoftë edhe pak afërsi me Zotin, pse do të mërziteshin nga emri i Tij? Ai që e do dikë, në një mënyrë apo në një tjetër, e përmend emrin e të dashurit të vet. Nëse sipas tyre Zoti nuk është asgjë, atëherë dera e vdekjes është e hapur. Le ta mbyllin pak, nëse munden.
Është për t’u habitur se, sa shpresa kam unë te ekzistenca e Tij, po aq i dëshpëruar është grupi tjetër prej Tij”, domethënë ata që janë kundër Zotit dhe janë ateistë.
“Në të vërtetë, njeriu ka nevojë për bekimin e Zotit. Nëse Ai nuk i hap drynat e zemrës, kush tjetër mund t’i hapë? Nëse Ai do, mund t’i japë mend edhe një qeni, që ai t’i kuptojë fjalët e Tij, dhe mund ta lërë njeriun të privuar.”
Çarçafët e bujtinës dhe mbështetja tek Allahu
Hazret Mian Allah Jar Sahib, kontraktor, rrëfen:
“Hazret Mesihu i Premtuar a.s. më thirri dhe më tha: ‘A ke ndonjë lëndë druri?’
Unë i thashë: ‘Huzur, kam pak dru të manaferrës së egër, të akacies dhe të pipalit.’
Huzuri tha: ‘Në bujtinë duhen bërë disa shtretër prej druri e litarësh. Duhet të bëhen këmbët e tyre, prandaj kemi nevojë për dru.’
Unë thashë: ‘Mund t’i bëjmë nga dru pipal.’
Një person tha: ‘Huzur, druri i pipalit prishet shpejt. Këmbët e bëra prej tij nuk zgjasin shumë.’
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha: ‘Ai për të Cilin po bëhen këto nuk është i varfër, Ai është i Pasuri.’”
Domethënë, nëse po i bëjmë për hir të Allahut, atëherë është në rregull. Për ca kohë do të punojnë. Për gjendjen e tanishme, kjo është e mjaftueshme.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:
“Kur veshja e parë prishet, Ai bën një tjetër të re. Atje nuk ka asnjë shqetësim.”
Ai më urdhëroi:
“Përgatitni njëzet shtretër dhe mi sillni.”
Çdo gjë, një ditë a një tjetër, do të prishet. Por Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha me mbështetje të madhe tek Allahu se Allahu është Dhënësi. Nëse këto prishen, Ai do të krijojë përsëri mundësi për to. Sidoqoftë, për momentin plotësojeni këtë nevojë.
Hazret Mian Allah Jar Sahib thotë:
“Unë sapo po nisesha, pasi mora urdhrin për këmbët e njëzet shtretërve, kur aty erdhi edhe një farkëtar. Ai përmendi vështirësinë që po i vinte nga joahmedianët. Tha: ‘Kur më gjejnë vetëm në fshat, më mundojnë. Lutuni që Allahu të më mbrojë nga ashpërsia e tyre. Më kanë marrë kudhrën.’”
Ai ishte farkëtar. Kudhra është blloku i rëndë e i fortë prej hekuri, mbi të cilin farkëtari vendos hekurin e nxehur dhe e rreh. Ata ia kishin marrë dhe ia kishin vjedhur, prandaj tani ai nuk mund të punonte.
Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i tha:
“Mbështetu te Zoti. Zoti do të jetë Mbrojtësi dhe Ndihmësi yt. Mbaje mirë mend: kush bëhet i Zotit, Zoti bëhet i tij. Nëse po të vijnë vështirësi për shkak se je ahmedian, atëherë inshallah ato do të kalojnë. Vështirësitë do të largohen, inshallah. Nevojat do të plotësohen. Nëse ti nuk e lë Zotin, Ai do t’i sigurojë mjetet për ty. Edhe unë do të lutem.”
Në të njëjtën mbledhje, Hazret Mesihu i Premtuar a.s., nga njëra anë, shprehu mbështetjen e tij tek Allahu për veten, dhe nga ana tjetër, i dha një personi tjetër këshillën e mbështetjes tek Zoti dhe të lutjes.
Një këshillë për të qëndruar para autoriteteve me mbështetje tek Allahu
Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahibi përmend një këshillë që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ia dha një njeriu të sinqertë. Në një transmetim thuhet se Hafiz Nur Muhammed Sahib, banor i Faizullah Çakut, e njoftoi me shkrim se kishte dëgjuar nga Hafiz Hamid Ali Sahib këtë thënie të Hazret Mesihut të Premtuar a.s.:
“Nëse ndonjëherë të duhet të shkosh para ndonjë autoriteti për ndonjë çështje gjyqësore ose për ndonjë punë tjetër, para se të shkoni, lexoni shtatë herë suren El-Fatiha dhe shtatë herë shkruani me gisht në ballë: يا عزيز. Me këtë metodë, do të kesh sukses prej Allahut të Lartësuar.”
Duke komentuar këtë, Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahibi shkruan se me shumë gjasë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e ka thënë këtë që personi të arrijë gjendjen e mospasjes nevojë nga askush përveç Allahut, si dhe gjendjen e mbështetjes tek Allahu. Domethënë, nëse luteni në këtë mënyrë, vëmendja juaj do të shkojë tek Allahu, frika nga të tjerët do të largohet dhe, inshallah, Allahu do t’ju begatojë.
Vendimet janë në dorën e Allahut, jo të gjykatësit
Lidhur me vendimet e çështjeve gjyqësore, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:
“Parimi im është ky: edhe nëse njeriu më i keq ngre një padi, vendimi në të vërtetë bëhet me ndërhyrjen e Allahut. Allahu bën që ai të shkruajë atë vendim që Ai dëshiron. Të mbështetesh te njeriu është shirk. Madje, edhe nëse një çështje do të shkonte te një ujk, Zoti do t’i jepte atij kuptim.”
Kundër Hazret Mesihut të Premtuar a.s. u ngritën shumë padi. Por ai kishte aq shumë bindje dhe mbështetje tek Allahu, sa nuk ndodhi kurrë, dhe ai ishte i sigurt se nuk do të ndodhte kurrë, që armiku të arrinte sukses kundër tij.
“Në rrugën e Allahut do të mendojmë se kemi veshur byzylykë hekuri”
Për një ngjarje të tillë, Hazret Molvi Abdul Kerim Sahib Sialkoti rrëfen:
“Më kujtohet shumë mirë dita kur superintendenti i distriktit erdhi në Kadijan për të kontrolluar shtëpinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Për këtë nuk kishte asnjë njoftim më parë, dhe as mund të kishte. Atë mëngjes, Mir Sahibi, domethënë Mir Nasir Navab Sahibi, dëgjoi diku se sot do të vijë urdhër arresti me pranga për Hazret Mesihun e Premtuar a.s.”
Ai thotë se Mir Sahibi, i trembur dhe i hutuar, vrapoi brenda për t’ia dhënë këtë lajm Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Ngaqë ishte shumë i prekur, mezi arriti ta nxirrte nga goja këtë lajm të rëndë.
Pra, ishte shumë emocional dhe me shumë vështirësi i tha se po vjen me urdhër arresti dhe do t’i vendosë prangat.
Në atë kohë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. po shkruante librin “Nurul-Kuran”. Para tij ishte një temë shumë e hollë dhe delikate. Ai ngriti kokën, buzëqeshi dhe tha:
“Mir Sahib! Njerëzit, në gëzimet e dynjasë, veshin byzylykë prej argjendi e ari. Unë do të mendoj se në rrugën e Allahut kam veshur byzylykë prej hekuri.”
Pastaj, pas një çasti heshtjeje, tha me mbështetje të madhe tek Allahu:
“Por kjo nuk do të ndodhë, sepse qeverisja e Zotit ka urtësitë e veta. Ai nuk e pëlqen një poshtërim të tillë për kalifët dhe të dërguarit e Tij.”
“Unë jam luani i Zotit”
Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahibi shkruan se Molvi Sarvar Shah Sahibi i kishte treguar:
“Në ditët kur në Gurdaspur po zhvillohej çështja gjyqësore me Karam Dinin dhe magjistrati kishte caktuar datën e seancës, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kishte ardhur në Kadijan. Dy ditë para datës së seancës, Huzuri më dërgoi në Gurdaspur që të nxirrja disa referenca dhe t’i bëja gati, sepse në seancën e ardhshme duhej të paraqiteshin ato referenca.
Kur arritëm në shtëpi në Gurdaspur, thirrëm nga poshtë Doktor Muhammed Ismail Sahibin e ndjerë dhe i kërkuam të hapte derën. Sapo dëgjoi zërin tonë, Doktor Sahibi filloi të qante me dënesë dhe u trondit shumë. Pas pak, duke fshirë lotët, zbriti poshtë dhe tha:
‘Më ka ardhur Muhammed Husejn Munshi, nëpunës i gjykatës. Ai është edhe kundërshtar i Xhematit, por erdhi dhe më tregoi këtë gjë. Tha:
sot ishte mbledhja e arjëve. Mua më mori me vete një mik arja. Pas përfundimit të punimeve të mbledhjes, ata njoftuan që të gjithë të tjerët të largoheshin, sepse do të zhvillonin një takim privat. Miku im më tha: ti ulu në një cep, pastaj do të dalim bashkë.’
Muhammed Husejni tha se në atë takim privat u ngrit një person dhe, duke përmendur emrin e Mirza Ghulam Ahmed Sahibit, i tha gjyqëtarit:
‘Ky njeri është armiku ynë i madh dhe vrasësi i udhëheqësit tonë, Lekhram. Tani gjahu është në duart tuaja dhe e gjithë bashkësia ka sytë nga ju. Nëse e lini këtë gjah t’ju ikë nga duart, atëherë ju do të jeni armik i popullit.’
Ai tha edhe fjalë të tjera të këtij lloji, për ta nxitur.
Gjyqëtari u përgjigj:
‘Unë edhe më parë kam pasur këtë mendim që, po të jetë e mundur, jo vetëm Mirzën, por edhe të gjithë shokët dhe dëshmitarët e tij në këtë çështje t’i çoj në ferr. Por çfarë të bëj? Çështja po zhvillohet me aq kujdes, sa nuk po më jepet asnjë rast për të ndërhyrë. Megjithatë, tani po premtoj se, çfarëdo që të ndodhë, që në seancën e ardhshme do të ndërmarr veprim gjyqësor.’
Muhammed Husejni më tha:
‘Ju nuk e kuptoni çfarë do të thotë veprim gjyqësor. Kuptimi është ky: çdo gjyqëtar ka të drejtë që, në fillim ose gjatë zhvillimit të çështjes, kur të dojë, ta arrestojë të pandehurin pa pranuar garanci dhe ta dërgojë në paraburgim.’
Pasi më dha këtë lajm, ai tha:
‘Doktor Sahib, unë jua përcolla këtë lajm. Tani bëni ndonjë përgatitje. Sipas mendimit tim, mund të ketë dy rrugë. E para, të përpiqeni që çështja të transferohet nga kjo gjykatë në Gjykatën e Lartë. E dyta, me çdo mënyrë, Mirza Sahibi të mos paraqitet në seancën e ardhshme dhe të paraqesë një certifikatë mjekësore.’
Edhe ne u frikësuam shumë. Vendosëm që menjëherë të dërgonim dikë në Kadijan për t’i dhënë lajmin Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Nata kishte rënë dhe nuk po gjendej asnjë mjet udhëtimi. Atëherë, dy a tre prej nesh u nisëm në këmbë drejt Kadijanit.
Arritëm në Kadijan në kohën e namazit të sabahut dhe ia paraqitëm shkurtimisht çështjen Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Por Huzuri, pa u shqetësuar, tha:
‘Mirë, ne shkojmë në Batala. Khvaxha Sahibi dhe Molvi Muhammed Ali Sahibi, duke u kthyer nga Lahori, do të na takojnë atje. Do ta përmendim edhe me ta. Atje do të mësojmë se çfarë rezultati pati përpjekja për transferimin e çështjes.’
Ata kishin shkuar më parë për këtë punë.
Kështu, po atë ditë, Huzuri arriti në Batala. Në tren u takuam edhe me Molvi Muhammed Ali Sahibin dhe Khvaxha Sahibin. Ata dhanë lajmin se përpjekja për transferimin e çështjes nuk kishte pasur sukses.
Kur e dëgjoi këtë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. nuk u kthye mbrapsht, por vazhdoi drejt Gurdaspurit. Gjatë rrugës, ai nuk ua përmendi Khvaxha Sahibit dhe Molvi Sahibit ngjarjen. Nuk tha asgjë se çfarë lajmi kishte ardhur nga ana e gjyqëtarit.
Kur arriti në shtëpinë në Gurdaspur, si zakonisht, shkoi në dhomën e veçantë dhe u shtri në krevat. Por në atë kohë neve na ishin ngritur qimet përpjetë nga shqetësimi se çfarë do të ndodhte tani.
Pas pak, Huzuri më thirri. Kur hyra, pashë se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i kishte bashkuar gishtat e të dy duarve dhe i kishte vënë poshtë kokës. Ishte shtrirë drejt. Kur unë hyra, u kthye pak në njërin krah, u mbështet mbi bërryl dhe e mbajti kokën me pëllëmbë. Pastaj më tha:
‘Të thirra që ta dëgjoj gjithë ngjarjen. Çfarë tha gjyqëtari?’
Unë ia tregova të gjithë historinë: se kishte thënë kështu e kështu.
Huzuri dëgjonte në heshtje. Kur arrita te fjala ‘gjah’, se gjyqëtari kishte thënë: ‘Tani gjahu është në duart e mia’, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u ngrit menjëherë dhe u ul. Sytë i shkëlqyen dhe fytyra iu skuq. Ai tha:
‘Unë qenkam gjahu i tij? Unë nuk jam gjah. Unë jam luan, madje luani i Zotit. Si mund ta prekë ai luanin e Zotit? Le të provojë, po deshi.’
Ndërsa thoshte këto fjalë, zëri i tij u ngrit aq shumë sa edhe njerëzit jashtë dhomës u trembën dhe u kthyen me habi nga ajo anë. Por askush nuk hyri brenda. Huzuri i përsëriti disa herë fjalët ‘luani i Zotit’.
Në atë çast, sytë e tij, që zakonisht qëndronin të ulur dhe gjysmë të mbyllur, ishin hapur vërtet si sytë e luanit dhe shkëlqenin si flakë. Fytyra e tij ishte skuqur aq shumë, sa mezi mund ta vështroja.
Pastaj tha:
‘Çfarë të bëj unë? Unë i kam paraqitur Zotit se për hir të fesë Sate jam gati të vesh hekur në duar e këmbë’, domethënë jam gati të më vihen prangat, ‘por Ai thotë: Jo. Unë do të të shpëtoj nga poshtërimi dhe do të të liroj me nder.’
Pastaj Hazret Mesihu i Premtuar a.s. filloi të fliste për dashurinë ndaj Allahut dhe foli me pasion për rreth gjysmë ore.
Kur Allahu i Lartësuar i kishte thënë këto fjalë, ai kishte bindje dhe mbështetje të plotë tek Allahu se, çfarëdo të ndodhte dhe çfarëdo të thoshte gjyqëtari, ai kurrë nuk mund ta prekte.
Magjistrati u largua nga Gurdaspuri dhe çështja u vendos në favor të Hazret Mesihut të Premtuar a.s.
Hazret Musleh Maudi r.a., duke e përmendur këtë ngjarje, shkruan:
Fuqia e imanit është shumë e madhe. Kjo është një ngjarje e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., ngjarja që sapo u tregua për burgun.
Hazret Musleh Maudi r.a. thotë:
“Unë nuk isha i pranishëm në atë mbledhje. Isha në Gurdaspur, por jo në atë mbledhje ku ndodhi kjo ngjarje. Këtë ma ka treguar një mik.”
Ai përmend Khvaxha Kamaluddin Sahibin dhe thotë se ndoshta Khvaxha Kamaluddin Sahibi ishte thirrur më vonë. Khvaxha Kamaluddin Sahibi dhe ahmedianë të tjerë ishin të shqetësuar se çështja ishte para filan magjistratit dhe arjët kishin ushtruar shumë presion mbi të duke i thënë:
“Mirza Sahibi është kundërshtar i fesë sonë. Jepi dënim. Kjo do të jetë shërbimi yt për popullin.”
Magjistrati, sipas tyre, kishte thënë:
“Mirë, unë patjetër do t’i jap dënim. Tani ai ka rënë në duart e mia.”
Kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e dëgjoi këtë, u kthye në njërin krah, u mbështet mbi bërryl dhe tha:
“Khvaxha Sahib! A mund ta prekë dikush edhe luanin e Zotit?”
“Kështu, Allahu i Lartësuar e ndëshkoi atë magjistrat …”
Këtë pjesë shtesë e ka shkruar Hazret Musleh Maudi r.a.:
“… fillimisht ai u transferua nga Gurdaspuri, pastaj u ul në detyrë.”
Domethënë, jo vetëm që iu ndalua përparimi, por iu dha edhe një post më i ulët.
“Ai ishte assistant commissioner, extra assistant commissioner, ndërsa u bë munsif, pra magistrat i thjeshtë. Pastaj erdhi një magjistrat tjetër dhe dha vendimin, dhe ai vendim ishte në favor të Hazret Mesihut të Premtuar a.s.”
“Mos e vendosni gjithë mbështetjen te mjetet, por mbështetuni te Zoti”
Lidhur me të njëjtën çështje gjyqësore, Çaudhri Ghulam Sarvar Baxhva Sahibi rrëfen:
“Kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kishte çështjen penale të Karam Dinit, një ditë shumë dijetarë dhe avokatë, pasi u këshilluan mes tyre, i thanë Huzurit se duhej bërë përpjekje për ta transferuar çështjen.”
Huzuri u përgjigj:
“Mos e vendosni gjithë mbështetjen te mjetet. Duhet të mbështeteni te Zoti.”
Ditën kur u dha vendimi në çështjen e Karam Dinit, madhështia e mbështetjes së Huzurit tek Allahu u shfaq në këtë mënyrë.
Babu Ghulam Muhammed Sahib Sani rrëfen:
“Para Atma Ramit, në kohën e Çandu Lalit, Huzuri tha:
‘Ky njeri është shumë i prishur nga brenda dhe nuk mund të kuptohet çfarë ka në zemër. Kur del përpara, qëndron me duar të lidhura dhe flet me shumë përulësi. Thotë: Huzur, detyra ime është e tillë që nuk mund të bie te këmbët tuaja. Tregon shumë përulësi, por pastaj na mban ulur gjithë ditën dhe në fund thotë: Ejani nesër. Çdo ditë bën të njëjtën gjë.’
Këto ishin mënyra për të munduar. Në dukje, me duar të lidhura e me fjalë të buta, fliste ndryshe, kurse në praktikë bënte diçka tjetër.
Sidoqoftë, kur në gjykatën e Atma Ramit erdhi koha për shpalljen e vendimit, u thirr shumë polici, u spërkat vendi me ujë dhe e gjithë gjykata ishte e rrethuar nga policia.
Në atë çast, Khvaxha Sahibi, domethënë Khvaxha Kamaluddin Sahibi, e kuptoi këtë si shenjë se ai do të jepte dënim. Duke më drejtuar mua, më tha:
‘Jepjani këtë mesazh Hazret Mesihut të Premtuar a.s.: ky njeri duket i vendosur për keq. Nëse Huzuri urdhëron, të thirren tre avokatë: Avokati Muhammed Shah nga Lahori, Fazl Din Sahibi dhe unë i treti. Njëri të dërgohet në Divisional Court, tjetri te Guvernatori që është në turne, ndërsa unë të qëndroj këtu.’
Kur shkova dhe ia tregova këtë Huzurit, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. qeshi shumë. Për gjithë këtë plan që iu paraqit, pra që të mos shkonte se mund ta arrestonin, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:
‘Ai është kashmirian, apo jo? E ka humbur zemrën.’
Pastaj tha:
‘Shko dhe thuaji: deri sot, ne kemi ndjekur këshillat tuaja ligjore. Çfarë na keni këshilluar ligjërisht, e kemi pranuar. Tani lëreni çështjen te Zoti. Tani mbështetja ime është te Zoti, jo te ju.’
Unë shkova dhe ia përcolla pikërisht këtë. Khvaxha Sahibi u mërzit shumë, uli kokën dhe qëndroi në heshtje.”
Kjo është madhështia e çuditshme e mbështetjes tek Allahu, të cilën e shohim kudo te Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në ndjekje të udhëheqësit të tij, Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s.
Allahu i Lartësuar na mundësoftë edhe neve të arrijmë standarde të larta të mbështetjes tek Allahu! (Amin)