“Parajsa jonë është Zoti ynë” Si mund të gjejmë Zotin?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

“Ata që bëjnë përpjekje rreth nesh, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë ata drejt udhëve Tona. Vërtetë, Allahu është me mirëbërësit. (Kurani Famëlartë 29:70)

Allahu i Madhërishëm përmes të dërguarve të Tij, i ka përcjellë njeriut mesazhin që kjo gjithësi dhe gjithçka që gjendet brenda saj, është krijuar nga një qenie e padukshme, të cilën e identifikojmë me emrin Allah. Meqë është Krijuesi i gjithësisë, Ai natyrisht dëshiron të zbulohet e të identifikohet. Një hadith Kudsi thotë:

كنت كنزاً مخفياً فأحببت أن اعرف

d.m.th. Isha një thesar i fshehur, dhe vendosa që të zbulohem.

(Keshful Khifa…, vëll. II, f. 132, nga Ismail bin Muhammad el-Uxhlani)

Pra, për këtë qëllim Allahu e zgjodhi njeriun, dhe e dalloi nga të gjitha krijesat e tjera. Ai e pajisi njeriun me aftësi dhe veti të veçanta. Një prej atributeve të njeriut është që ai ndikohet nga të tjerët, dhe duke ndjekur etapat e zhvillimit sipas arsyes, logjikës dhe mendjes së shëndoshë që i ka falur Zoti, gjithmonë përparon më tej.

Kërkimi i Zotit është brumosur në instinktin njerëzor

Allahut i përkasin emrat dhe atributet e bukura. Ai gjithashtu dëshiron që njeriu t’i gdhendë ato në ndërgjegjen dhe shpirtin e tij. Pra, t’i ngjajë asaj pasqyre që paraqet fytyrën e Krijuesit, dhe kështu qenia e Tij të zbulohet përmes njeriut. Ai ka thënë në Kuran Famëlartë:

“Ngjitu pas ngjyrës së Allahut dhe nuk ka ngjyrë më të bukur se ajo e Allahut”.

(Kurani Famëlartë 2:139)

Ashtu sikur një foshnjë menjëherë pas lindjes, e shtyrë nga dashuria amnore, kërkon prehrin e nënës, dhe nuk qetësohet derisa e gjen atë, dhe për çdo nevojë a mundim i drejtohet asaj, po ashtu edhe Zoti ka brumosur instinktin njerëzor me vetinë që sa herë e godet vështirësia a fatkeqësia, njeriu kthehet nga Zoti. Pra, dashuria e sinqertë me Krijuesin tonë, përvetësimi i atributeve të Tij, forcimi i lidhshmërisë me Të dhe adhurimi i vetëm Atij janë ndër objektivat themelore të krijimit të njeriut.

Njeriu kur i afrohet Krijuesit të Tij, duke mbajtur parasysh qëllimin e krijimit të Tij, dhe heq mundime në këtë udhë, atëherë Zoti vetë i shfaqet dhe ia tregon robit udhët që e çojnë drejt Tij. Siç ka thënë në Kuran:

“Ata që bëjnë përpjekje rreth nesh, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë ata drejt udhëve Tona. Vërtetë, Allahu është  me mirëbërësit”.

(Kurani Famëlartë 29:70)

Nismëtarëve të kësaj udhe dhe kësaj përpjekje të madhe, Zoti gjithashtu u jep sihariqin e takimit, duke thënë:

“O njeri, duhet të bësh orvatje të mëdha te Zoti yt, dhe sigurisht ti do ta takosh Atë”.

(Kurani Famëlartë 84:7)

Fjala e Zotit përcakton udhët që e çojnë njeriun drejt Tij

Është e domosdoshme që i dashuri i Zotit të ketë një zell të madh për të gjurmuar shtigjet që e çojnë drejtë Zotit, dhe ky zell nuk mund të arrihet pa pasur një dashuri të sinqertë. Robi sorollatet poshtë e lartë në kërkimin e Zotit dhe i drejtohet me këto fjalë:

d.m.th. Çfarë shtigjesh t’i ndjek që të të afrohem Ty? Çfarë shërbesash t’i kryej që të të fitoj Ty?

Islami është një fe aq e përsosur dhe e gjithëpërfshirëse saqë nëse dikush i përmbahet sinqerisht dhe u qëndron besnik mësimeve të tij të përmendura në Kuranin Famëlartë, ai po në këtë botë mund të zbulojë fytyrën e Zotit. Në këtë kohë, Mesihu i Premtuar a.s., duke ndjekur porositë e Kuranit, e zbuloi Zotin dhe më pas udhëzoi dhe të tjerët drejtë këtij burimi. Ai shkruan:

“Çdo njohuri është e mangët derisa e përsos fjala e Zotit, e cila shërben si urë ndërlidhëse midis Zotit dhe njeriut. Kur zbret fjala e Zotit, e shoqëron drita hyjnore. Kujtdo që i zbret ajo, me shkëlqimin dhe shfaqjen e saj të përsosur, e shoqëruar nga madhështia, fuqia dhe mrekullia e Zotit, e lartëson atë deri në qiell. Pra, nuk ka asnjë udhë që çon drejt Zotit, përveç fjalës së Tij”.

(Nuzul Mesih, Rruhani Khezain, vëll. XVIII, f. 475)

Allahu i Lartësuar ka piketuar në mjaft vende të Kuranit Famëlartë, mënyrat dhe mjetet që na mundësojnë takimin me Zotin tonë. Për këto na shtjellojnë edhe porositë e çmuara të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s, si dhe fjalët urtiplota dhe shembujt praktikë të Mesihut të Premtuar a.s. dhe të kalifëve të tij. Dua të ndaj me ju disa prej këtyre mjeteve.

1. Mënyra e parë: njohja e atributeve të Zotit

Mjeti i parë për të zbuluar Zotin përbëhet nga njohja e Tij. Kjo vjen duke u njohur me atributet e Tij dhe duke i besuar me bindje e mirëkuptim të plotë. Është e natyrshme që njeriu sa më shumë mëson për virtytet, vetitë dhe hijeshinë e tjetrit, aq më shumë i kushtohet me zell. Prandaj, edhe lidhja me Zotin kërkon doemos njohjen e atributeve dhe vetive të Tij. Çfarë do të thotë besimi në atributet e Allahut me vetëdije e ndërgjegje?

Mesihu i Premtuar a.s. e qartëson këtë pyetje në një shkrim:

“Sa fatkeq është ai njeri, që ende nuk di se ai ka një Zot, i cili ka fuqi mbi çdo gjë. Parajsa jonë është Zoti ynë. Kënaqësitë tona më të larta gjenden në Zotin tonë, sepse ne e pamë Atë dhe çdo lloj bukurie e gjetëm në Të. Kjo pasuri është me vlerë ta marrësh nëse e gjen duke dhënë edhe jetën. Dhe ky rubin është me vlerë ta blesh edhe sikur të kushtojë sa e gjithë qenia jote. O të humbur, vraponi drejt këtij burimi se ky do t’jua shuajë etjen tuaj. Ky është burimi i jetës që do t’ju shpëtojë. Ç’të bëj unë? Si mund ta gdhend në zemrat e njerëzve këtë lajm të gëzuar? Me çfarë daulle t’i njoftoj njerëzit se Ky është Zoti juaj? Dhe me çfarë ilaçi t’ua kuroj veshët që ata të fillojnë ta dëgjojnë?

Nëse bëheni të Zotit, dijeni se Zoti është juaji. Ju do të jeni në gjumë, kurse Zoti i Madhërishëm për ju do të rrijë i zgjuar. Ju do të jeni të shkujdesur nga armiku, kurse Zoti do ta vëzhgojë atë dhe do ta shpartallojë planin e tij. Ju ende nuk e dini se çfarë forcash ka Zoti juaj. …Zoti është një thesar i bukur. Çmojeni Atë, sepse Ai është Ndihmësi juaj në çdo hap të jetës. Pa Atë, ju jeni asgjë dhe as planet dhe mjetet tuaja nuk mund të bëjnë ndonjë gjë”.

(Kishti Nuh, Rruhani Khezain, vëll. XIX, f. 21-22)

Hazret Kalifatul Mesih I r.a. duke shpjeguar udhën drejt afrimit me Zotin thotë:

“Kjo çështje thelbësore është aq e rëndësishme që kurrsesi nuk duhet shpërfillur. Thellohuni në atributet e Zotit, dhe ngjallini ato në qenien tuaj. Kështu do t’ju shkurtohet rruga drejt Zotit. Përsosmëria dhe lavdia e Tij do të tërheqin drejt vetes dëlirësinë dhe pastërtinë tuaj. Ka edhe të tillë që bëjnë një jetë të lig dhe të ndyrë, e pastaj ankohen se përse nuk e arrijnë afërsinë me Zotin? Ata janë mendjelehtë që nuk dinë se njerëzit e tillë, të cilëve u mungon pastërtia dhe dëlirësia, nuk mund të arrijnë afërsinë me Zotin. Si mund të lidhet Zoti i shenjtë me një njeri të lig?”

(Khutbat Nur, f. 120, botuar nga Nashr-o-Isha’at Qadian, 2003)

Pra, mjeti i parë për të fituar Zotin është që njeriu duhet t’i njohë atributet e Tij të bukura, dhe t’i përvetësojë ato. Ai gjithashtu duke besuar në fuqitë e Tij të pakufijshme, t’i drejtohet Atij në çdo nevojë e t’i kërkojë ndihmë.

2. Mënyra e dytë: besnikëri ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

Metoda e dytë për të arritur Zotin është besnikëria e plotë ndaj të Dërguarit të Tij Profet Muhammed s.a.v.s. Sado i drejtë dhe fisnik të jetë njeriu, ai nuk mund të arrijë Zotin derisa nuk i ndjek udhët që ka treguar vetë Ai. Zoti vetë na ka mësuar një rrugë të tillë:

“Thuaju (o Muhammed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirues”.

(Kurani Famëlartë 3:32)

Padyshim, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte dedikuar çdo çast të jetës së tij për vendosjen e sundimit të Allahut dhe për zbatimin e porosive të Tij. Vetë Zoti ka dëshmuar për sakrificat e tij duke thënë:

“Thuaj: ‘Në të vërtetë, namazi im, sakrifica ime, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve”.

(Kurani Famëlartë 6:163)

Prandaj, Allahu vendosi që shembulli i tij të mbetej model për gjithmonë për mbarë njerëzimin, dhe tha:

“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për ju”.

(Kurani Famëlartë 33:22)

Pra, tani e vetmja udhë që çon drejt Zotit është bindja ndaj Profetit s.a.v.s. dhe ndjekja e gjurmëve të tij. Në kohën tonë, Mesihu i Premtuar a.s., ndoqi gjurmët e Profetit s.a.v.s., dhe krijoi një lidhje të gjallë me Zotin e Madhërishëm. Ai iu nënshtrua tërësisht këtij Profeti madhor s.a.v.s. dhe iu përmbajt çdo porosie të tij sado e vogël qoftë ajo. Ai a.s. shkruan:

“E vetmja rrugë përmes së cilës njeriu mund të bëhet i dashuri i Zotit është nënshtrimi ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Nuk ka asnjë rrugë tjetër që mund t’ju lidhë me Zotin. … Unë e them sërish se përveç rrugës së vërtetë të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., njeriu nuk të triumfojë”.

(Tefsir Surah Ali-Imran ue Nisa, ajet nr. 32, f. 22, botuar nga Idaretul Musanifin, Rabuah, gusht 1980)

Ai që i bindet Profetit Muhammed s.a.v.s, i bindet edhe Allahut

Allahu i Lartësuar ka kushtëzuar besnikërinë ndaj Tij me besnikëri ndaj të Dërguarit të Tij s.a.v.s. Pra, i nënshtruari ndaj Zotit dhe zbatuesi i porosive të Tij mund të quhet vetëm ai që i bindet të Dërguarit të Tij s.a.v.s. Për këtë Allahu ka shpallur:

“Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut”.

(Kurani Famëlartë 4:81)

Mesihu i Premtuar a.s. duke përshkruar rrugën që shpie drejt Zotit, thotë:

“Unë kam fituar pjesë nga kjo dhunti e plotë që u ishte dhënë të dërguarve, profetëve dhe robërve të zgjedhur të Zotit, jo nga aftësia ime, por nga mëshira e Zotit. Unë nuk kisha mundësi ta fitoja këtë dhunti, nëse nuk do të kisha ndjekur gjurmët e prijësit dhe të dashurit tim, krenarinë e të gjithë profetëve, dhe më të mirin e krijesës, Muhammed Mustafain sel-lallahu alejhi ue-sel-lem. Gjithçka që kam arritur, është falë nënshtrimit ndaj tij. Unë e di me dije të plotë e të vërtetë, se askush nuk mund të arrijë Zotin apo të përfitojë nga njohja e Tij e përsosur, derisa nuk e ndjek këtë Profet s.a.v.s.”

(Hakikatul Uehi, Rruhani Khezain vëll. XXII, f. 64, 2009, Londër)

Ai gjithashtu shkruan:

“Unë betohem në Zot, gënjeshtra në emër të të cilit është veprimi më i ulët, se Zoti si argument për madhështinë, përsosmërinë dhe jetën shpirtërore të përjetshme të prijësit tim dhe zotërisë sime Muhammed s.a.v.s., më ka dhënë këtë provë se përmes besnikërisë dhe dashurisë ndaj tij, unë i kam parë shenjat qiellore duke zbritur mbi mua, dhe e kam gjetur zemrën time duke u mbushur me dritën e bindjes. Kam dëshmuar aq shumë shenjat hyjnore, saqë përmes rrezatimit të këtij shkëlqimi, unë kam zbuluar Zotin tim”.

(Tirjakul Kulub, Rruhani Khezain, vëll. XV, botuar në Angli, 2009, f. 140)

Mesihu i Premtuar a.s. ka shprehur këtë përjetim edhe në poezi:

d.m.th. që kur kemi zbuluar këtë dritë nga hijeshia e Pejgamberit s.a.v.s., jemi lidhur me qenien e Zotit, të vërtetin absolut. O Profet! Virtytet e tua të larta rrezatojnë madhështinë e Zotit dhe kemi zbuluar Zotin vetëm pasi që u njohëm me ty.

Allahu në Kuranin Famëlartë thotë:

“O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe kërkojeni mjetin për t’iu afruar Atij”.

(Kurani Famëlartë 5:36)

Hazret Kalifi IV r.a. në komentimin e këtij ajeti shkruan:

“Nga mjeti ndërmjetësues nënkuptohet i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Më tutje nuk mund të krijohet asnjë lidhje e drejtë me Zotin e Lartësuar, derisa të mos pranohet ndërmjetësimi i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.”.

(Kurani Kerim, i përkthyer nga Hazret Mirza Tahir Ahmedi r.a., botuar në Londër, 2002, f. 180)

Nuk është e arsyeshme që në këtë botë të nevojiten ndërmjetësime të shumta për të arritur lidhje me autoritetet kryesore, ndërsa Allahu i Cili është Zoti i botëve, të arrihet pa asnjë ndërmjetësim. Prandaj, mjeti për të arritur në pragun e Zotit është Muhammedi s.a.v.s.

3. Mënyra e tretë: adhurimi i Zotit

Mjeti i tretë për të arritur Zotin është adhurimi i Tij. Allahu ka krijuar njeriun për adhurimin e Tij siç Ai vetë ka thënë:

“Unë nuk i kam krijuar xhindet dhe njeriun, veçse të më adhurojnë Mua”.

(Kurani Famëlartë 51:57)

Objektiva themelore e adhurimit është lidhja me Zotin, përmes së cilës njeriu e njeh Zotin dhe shpreh lidhshmërinë me Të. Kjo tregon se Zoti ka krijuar njeriun që ai të identifikojë Zotin dhe të lidhet me Të. Pra, adhurimi është i domosdoshëm për të arritur afërsinë dhe dashurinë e Zotit. Pa i kërkuar, Ai na dhuroi gjymtyrë, të mirat e kësaj bote dhe na fali pafundësisht nga mirësitë e Tij. Kjo na obligon që t’i jemi mirënjohës dhe ta adhurojmë sipas mënyrave që Ai ka përcaktuar. Parimisht, adhurimi ndahet në dy pjesë. Adhurimi i përgjithshëm i cili përfshin detyrat ndaj njerëzve, dhe adhurimi i veçantë i cili përmban shtyllat e Islamit, më i rëndësishmi ndër të cilat është padyshim namazi, mjeti i rëndësishëm për të arritur Zotin.

Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

“Edhe Zoti i Madhërishëm i ngjan një destinacioni, i cili ka largësi dhe distancë të caktuar. Prandaj, ai që synon të takojë Zotin, dhe dëshiron të hyjë në oborrin e Tij, i shërben namazi si një mjet. Duke hipur mbi të, njeriu shumë shpejt mund të arrijë te Zoti”.

(Melfuzat, vëll. III, botuar në Kadian, Indi, 2003, f. 189)

Imam Buhariu r.a. ka shënuar një hadith kudsij që transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. Në këtë hadith i Dërguari i Allahut s.a.v.s. citon fjalët e Zotit:

“Gjëja më e dashur me të cilën më afrohet robi im janë detyrimet që i kam caktuar. Ai vazhdon të më afrohet me vepra vullnetare (nafile) derisa Unë ta dua. E kur e kam dashur atë, pra, bëhem dëgjimi i tij me të cilin ai dëgjon, bëhem shikimi i tij me të cilin ai shikon; bëhem gjuha e tij me të cilën ai flet, bëhem dora e tij me të cilën ai mban, bëhem këmba e tij me të cilën ai ecë. Në qoftë se do të më pyeste për diçka, vërtet do t’ia jepja atë. E nëse do të kërkonte mbrojtje preje Meje, sigurisht do t’i jepja atij”.

(Buhariu, nr. 6502)

Ndër adhurime ndaj Zotit, një vend i posaçëm zë agjërimi. Një hadith kudsij ndriçon vlerën e tij. Allahu thotë:

“Çdo vepër e njeriut i përket atij, përveç agjërimit, i cili është për Mua, dhe Unë jam shpërblimi i tij (do t’ia shpërblej takimin Tim)”.

(Buhariu, nr. 5927)

4. Mënyra e katërt: përmbushja e detyrave ndaj krijesës së Allahut

Mjeti i katërt për të arritur te Zoti është përmbushja e detyrave ndaj krijesës së Tij. Nga kjo nënkuptojmë dhembshuri, dashamirësi dhe përkrahje ndaj tyre në çdo rrethanë. Përkrahja e krijesës së Allahut është një mjet për të krijuar lidhje me Zotin. Robi duhet të vizitojë të sëmurin dhe t’i jap zemër e ta gjallërojë atë. Po kështu duhet të ushqejë të uriturin. Robi arrin Zotin duke u shërbyer njerëzve me dhembshuri.

Po ju citoj një hadith:

Hazret Ebu Hurejra r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.s. tha se në ditën e kiametit Allahu do të thotë, “O biri i Ademit! Unë kam qenë i sëmurë, përse nuk më vizitove? Ai do të përgjigjet ‘Si është i mundur që të sëmuresh Ti, kur Ti je Zot i gjithësisë?’ Allahu do t’i përgjigjet ‘A nuk e ke ditur se filan robi im ka qenë i sëmurë dhe ti nuk e vizitove? Po ta kishe vizituar atë, do të Më kishe gjetur pranë tij.’ ‘O biri i Ademit! Unë kisha kërkuar ushqim prej teje, por ti Më refuzove’. Ai do të përgjigjet, ‘O Zoti im, si të kisha ushqyer unë Ty, kur Ti je Zoti i gjithësisë? Allahu do t’i përgjigjet ‘A nuk të erdhi filan rob Imi, por ti e refuzove ta ushqeje? Po ta kishte ushqyer, do të konsideroja sikur të më kishe ushqyer Mua.”

(Muslimi, nr. 2569)

Ky hadith na mëson se njeriu kur fillon të ndërgjegjësohet për dhimbjen dhe vuajtjen e të tjerëve, e orvatet për t’u ardhur në ndihmë dhe për t’ua larguar hallet, atëherë në sy të Zotit, përpjekjet e tij vlerësohen sikur këto sjellje i ka bërë Zotit, dhe kështu Zoti bëhet shpërblimi i tij. Prandaj, dashamirësinë dhe dhembshurinë ndaj njerëzve të tjerë, njeriu duhet t’i bëjë vetitë e tij të pandashme, dhe t’u hedhë hapa udhëve që e çojnë drejt Zotit.

Sigurisht, nëse njeriu ndjek këto shtigje, ai edhe në jetën e përditshme gëzon takimin me Zotin. Njëherë, Kryeimami i Kanadasë ftoi të nderuar Mustafa Thabit sahibin, një ahmedian arab, për çaj pas namazit të xhumasë. Mustafa sahibi i tha se ishte në nxitim sepse duhet të takonte Zotin. Imami nuk e kuptoi dhe pyeti: Çfarë po thoni? Mustafa sahibi përsëriti përgjigjen e tij dhe sqaroi se në një hadith kudsij Allahu ka thënë se nëse dëshironi të më takoni, atëherë vizitoni ndonjë të sëmurë, e do më gjeni pranë tij. Meqë po shkoj për të vizituar një të sëmurë, jam i bindur se do të takoj dhe Zotin atje.

Pra, një ndër shtigjet drejt Zotit është edhe dashamirësia dhe dhembshuria ndaj krijesës së Zotit. Ne duhet të orvatemi të ndjekim këto shtigje.

5. Mënyra e pestë: lutje

Mjeti i pestë për të arritur Zotin është lutja. Të qenit robi i Zotit është një shkallë e lartë e besimit, që kërkon përpjekje të vijueshme. Kur dëshira e njeriut për të takuar Zotin shndërrohet në një veprimtari të sinqertë, e cila ushtrohet pandërprerë e vendosmërisht, atëherë niset edhe udha e njeriut kah Zoti. Allahu i Lartësuar ka thënë në Kuranin Famëlartë:

“(O Profet!) Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen porosisë Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë”.

(Kurani Famëlartë 2:187)

Mesihu i Premtuar a.s. shtjellon filozofinë e lutjes. Ai shkruan:

“Zoti zbulohet nëpërmjet lutjes. Lutja ia heq mbulesën asaj qenie të Plotfuqishme, që gjendet e fshehur në mijëra perde. … Po të mos ishte lutja, askush nuk do të arrinte deri në shkallën e bindjes për njohjen e Zotit. Lutja hap derën e shpalljes, dhe përmes saj ne komunikojmë me Zotin tonë. Kur njeriu lutet me përulësi, me besimin e palëkundur në njëshmërinë e Zotit, me dashuri, sinqeritet dhe dëlirësi derisa mbërrin në shkallën e përhumbjes, atëherë i shfaqet Zoti i Gjallë. … Është vetëm lutja, përmes së cilës Zoti i Madhërishëm u shfaqet kërkuesve të Tij, dhe u bën shpallje se انا القادر   (Unë jam i Plotfuqishëm)”.

(Ejjamus Suleh, Ruhani Khezain, vëll. XIV, f. 239, botuar në Britani, 2009)

Hazret Kalifi II r.a. duke komentuar ajetin وَاِذَا سَاَلَکَ عِبَادِی عَنِّی shpjegon filozofinë e lutjes:

“Këtu nga fjalaعِبَادِی  d.m.th. robërit e mi nënkuptohen të dashurit e Zotit. Allahu i Madhërishëm tregon se ashtu sikur një i dashuruar sillet poshtë e lart duke kërkuar të dashurin e tij, po kështu nëse robërit e Mi të pyesin ty rreth Meje, thuaju që të mos brengosen sepse Unë jam afër tyre. … Allahu i Madhërishëm ka përmendur këtu tri gjendjet e zhvillimit shpirtëror të njeriut dhe të lidhjes midis Zotit dhe njeriut, pa të cilat askush nuk mund të mbërrijë te Zoti. Në gjendjen e parë, njeriut i lind dëshira që të takojë Zotin dhe t’i afrohet Atij. Por natyrisht, vetëm dëshira nuk i mjafton, e i nevojitet edhe mësuesi apo udhërrëfyesi që t’ia tregojë udhën e suksesit, dhe t’ia largojë pengesat. Zoti thotë se ndonëse njerëzit kanë dëshirë për të gjetur Zotin, por duhet që t’u ngjallet dhe gjendja e dytë, d.m.th. që të të pyesin ty. Pra, në kërkim të udhëzimit dhe Zotit, ata duhet t’i drejtohen Muhammedit s.a.v.s., dhe t’ia kërkojnë adresën e të dashurit të vërtetë”.

(Tefsir Kebir, vëll. II, botuar në Kadian, Indi, viti 2004, f. 399-400)

6. Mënyra e gjashtë: nënshtrim ndaj vullnetit hyjnor

Mjeti tjetër për t’iu afruar Zotit është që njeriu t’ia nënshtrojë të gjitha mendimet dhe veprat e tij pëlqimit dhe vullnetit të Zotit, dhe të shkëpusë nga të gjitha lidhjet përveç Tij. Ai duhet të kalojë jetën me përulësi, modesti dhe thjeshtësi. Arroganca dhe mendjemadhësia janë të urryera te Zoti. Njeriu i drejtë e konsideron veten gjithmonë të dobët dhe të përulur, ndërsa druajtja ndaj Zotit ia ushqen shpirtin. Takimi me Zotin kërkon asgjësimin e qenies, pra të interesave dhe dëshirave vetjake. Ai duhet t’i shmanget çdo shtegu që e shpie drejt të keqes, sepse e keqja njollos shpirtin, dhe shpirti i papastër nuk mund t’i afrohet Zotit të shenjtë.

Mesihu i Premtuar a.s. përshkruan udhën drejt Zotit me këto fjalë:

D.m.th. ai që synon të lidhet me Atë qenie të Pastër, së pari duhet të pastrojë veten. Ai që asgjësohet e bëhet hi, takon Atë mik. O kërkues! Këtë mënyrë provo edhe ti. O krimb prej dheu! Largohu nga mendjemadhësia e arroganca, sepse krenaria i takon vetëm Zotit të Madhërishëm. Veten e konsideroni më të ulët se të gjithë, ndoshta kështu mund të hyjni në vendin e takimit (me Zotin).

Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

“Nëse dëshironi që Zoti të kënaqet nga ju, atëherë bashkohuni sikur dy vëllezër nga e njëjta nënë. Më i ndershmi është ai, që fal më shumë gabimet e vëllait të tij, kurse fatkeq është ai që tregohet kokëfortë dhe nuk fal. Ai nuk mban asnjë lidhje me mua”.

Pastaj shkruan:

“Njeriu i lig nuk mund t’i afrohet Zotit. Arroganti nuk mund t’i afrohet Atij. Mizori nuk mund t’i afrohet Atij. Tradhtari nuk mund t’i afrohet Atij. Çdokush që nuk ka sedër për hirin e Zotit, nuk mund t’i afrohet Atij. Ata që jepen pas dynjasë si qen, milingona apo huta, dhe pëlqejnë kënaqësitë e kësaj bote, nuk mund t’i afrohen Atij. Çdo shikim i papastër mbetet larg Tij dhe çdo shpirtlig privohet prej Tij. Ai që hyn në zjarr për Të, do të shpëtohet prej tij, ndërsa ai që brengoset për të, do të gjejë kënaqësi. Ai që shkëputet prej kësaj jete për hirin e Tij, do ta gjejë Atë. Bëhuni miq të Allahut me çiltëri, sinqeritet e vendosmëri, që Ai të bëhet miku juaj. Kini mëshirë ndaj bashkëshorteve dhe vëllezërve tuaj të varfër, si dhe ndaj atyre që janë nën varësinë tuaj, që të mëshiroheni në qiell. Bëhuni me të vërtetë të Atij, që edhe Ai të bëhet juaji”.

(Kishti Nuh, Rruhani Khezain, vëll. XIX, f. 13, botuar në Angli)

7. Mënyra e shtatë: qëndrueshmëri

Shtegu tjetër që siguron dashurinë dhe afërsinë e Zotit është qëndrueshmëria. Pra, nxënësi nuk duhet të kapitet a dorëzohet në këtë udhë, apo t’i frikësohet sprovës. Allahu ka thënë:

“Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar”.

(Kurani Famëlartë 41:31)

Duke shtjelluar mjetin e qëndrueshmërisë, Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

“Qëndrueshmëria e vërtetë është ajo që kur të jeni të rrethuar me fatkeqësi, dhe në rrugën e Allahut jeta, nderi e dinjiteti juaj janë në rrezik dhe nuk gjeni as një shenjë inkurajuese, … atëherë nuk duhet të tuteni as që të ktheheni prapa si frikacak. Po ashtu, kurrsesi nuk duhet të cenoni vetinë e besnikërisë. Fatkeqësitë nuk duhet të cenojnë sinqeritetin dhe qëndrueshmërinë tuaj. … Nuk duhet të ankohemi, a të vajtojmë apo shfaqim padurim deri sa të kalojë koha e sprovës. Kjo është ajo qëndrueshmëri që i prin njeriut drejt Allahut. Kjo është ajo aromë, që edhe sot e kësaj dite na vjen nga gjurmët e të dërguarve, të profetëve, të sinqertëve dhe të dëshmorëve”.

(Filozofia e mësimeve islame, Rruhani Khezain, vëll. 10, f. 420)

8.  Mënyra e tetë: përpjekje të pandërprera

Kurani Famëlartë e përkufizon muxhahiden d.m.th. orvatjen dhe mundimin si një mjet për të arritur Zotin. Pra, njeriu t’i afrohet Zotit duke sakrifikuar jetën, pasurinë, nderin, arsyen, diturinë dhe aftësinë e tij. Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Bëni orvatje në rrugën e Allahut me anë të pasurisë dhe jetës suaj”.

(Kurani Famëlartë 9:42)

Shpenzoni të gjitha fuqitë dhe aftësitë, bashkë me arsyen, diturinë e zotësinë tuaj në rrugën e Allahut. Pastaj thotë:

“O njeri, duhet të bësh orvatje të mëdha te Zoti yt, dhe sigurisht ti do ta takosh Atë”.

(Kurani Famëlartë 84:7)

Ky tregon se afrimi me Zotin dhe takimi me të është një përpjekje që zgjatet gjithë jetën, dhe lyp vendosmëri dhe përpjekje të palodhshme.

9. Mënyra e nëntë: druajtje ndaj Allahut

Një tjetër mjet i rëndësishëm është takuaja (d.m.th. druajtje ndaj Zotit). Faktikisht ky mjet shërben si bazë dhe rrënjë për të gjitha mjetet e tjera. Kurani Famëlartë në mënyrë të përsëritur i nxit besimtarët për të qenë të druajtur ndaj Zotit, dhe tregon rëndësinë e druajtjes. Madje, edhe aftësia për të kuptuar Kuranin, është e kushtëzuar me druajtje, prandaj qysh në fillim të Kuranit deklarohet:

“Ai është udhërrëfyes për të druajturit”.

(Kurani Famëlartë 2:3)

Allahu i do ata që kalojnë jetën me druajtje, duke iu përmbajtur porosive të Tij. Allahu thotë:

“Po, madje kushdo që e përmbush fjalën e tij dhe i druhet (Allahut). Allahu, me të vërtetë, i do ata që janë të druajtur”.

(Kurani Famëlartë 3:77).

Ndër robërit e Tij, Allahu i pranon adhurimet, veprat e mira, dhe sakrificat vetëm prej atyre që i druajnë Atij. Allahu thotë:

“Allahu pranon vetëm prej robërve që i druajnë Atij”.

(Kurani Famëlartë 5:28)

Ky mjet është i garantuar nga Allahu, se kushdo që i druhet Atij, do të gëzojë një përfundim të mirë dhe do të jetë prej banorëve të xhenetit. Allahu thotë:

“Përfundimi i mirë është për ata që i druajnë Zotit”.

(Kurani Famëlartë 28:84)

Njeriu i tillë e gjen Zotin po në këtë jetë, dhe Zoti bëhet miku i tij në këtë jetë e në ahiret. Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

“Njeriu i cili i druhet Zotit, i shfaqet jeta e ardhshme po këtu. Ai gëzon takimin me Zot po në këtë jetë. Zoti u shfaqet robërve të tillë dhe bisedon me ta”.

(Melfuzat vëll. I, botuar në Indi, f. 12)

10. Mënyra e dhjetë: anëtarësim në sistemin e Testamentit

Hazret Amirul Muminin Kalifatul Masih V në fjalimin përmbyllës të Xhelsa Salanës së Britanisë në 2004, duke cituar disa porosi të Mesihut të Premtuar a.s. tha:

“Për t’iu afruar Allahut dhe për të pasur një përfundim të mirë ka edhe një mjet tjetër. Ky mjet mjaft i rëndësishëm, do t’ju ndihmojë për të arritur qëndrueshmëri në veprat e mira dhe për t’u ndryshuar pozitivisht. Ai gjithashtu do të mundësojë përhapjen e fesë, dhe do të sigurojë përmbushjen e të drejtave njerëzore. Ky mjet është sistemi i testamentit. Mesihu i Premtuar a.s. duke nënvizuar rëndësinë e tij, shkruan:

“Keni lajm të gëzuar, që mejdani për ta gjetur afrimin e Tij është i lirë, sepse çdo popull është i dhënë pas botës dhe njerëzit nuk po i kushtojnë vëmendje asaj që i pëlqen Zotit. Ata që dëshirojnë të futen me vrull në këtë derë, kanë një mundësi që të tregojnë shkathtësitë e tyre dhe të fitojnë bekim të veçantë prej Zotit”.

(Testamenti, f. 11-12, botuar në Prishtinë, 2011)

Ne anëtarë të Xhematit Musliman Ahmedia jemi me fat që Allahu na mundësoi të njohim Imamin e Kohës dhe të lidhemi me sistemin e Kalifatit që u vendos në xhemat pas tij. Sado që mundohemi, nuk mund të falënderojmë Zotin për këtë mirësi. Me të vërtetë, jemi me fat se Zoti me anë të kalifatit na ka bekuar me atë sofër shpirtërore jetëdhënëse, e cila u mungon muslimanëve të tjerë. Përmes kalifatit ne vazhdimisht inkurajohemi për të ecur udhëve drejt Zotit. Për ne ahmedianët, bindja e besnikëria ndaj Kalifit të kohës, është udha drejt Zotit. Përveç Kalifit, nuk ka asnjeri në botë, i cili me një dhembshuri të pashoqe ndaj krijesës së Zotit, me një dëshirë të sinqertë dhe duke iu bindur Kuranit dhe praktikës profetike po përhap zellshëm mësimet e Islamit për të ndërtuar paqe, dashuri, vëllazëri në shoqëri. Kalifi V a.b.a. porosit anëtarët e xhematit me këto fjalë:

“Nëse doni të përparoni, dhe synoni të triumfoni mbi botë, atëherë përmbajuni porosisë sime për t’u lidhur besnikërisht me kalifatin, dhe të kapeni fort pas këtij litari të Allahut”.

(E përditshmja Alfazl, Rabuah, Pakistan, 30 maj 2003)

Allahu na mundësoftë të ndjekim udhën që na siguron pëlqimin e Tij, e na faltë afërsi, na siguroftë një përfundim të mirë dhe na bëftë prej atyre besimtarëve që marrin këtë sihariq para se të ndahen nga kjo botë.

“O ti shpirt i qetësuar!

Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty!

Bashkohu me robërit e Mi

dhe hyr në Xhenetin Tim!”

(Kurani Famëlartë 89:28-31)

** Ky fjalim u mbajt nga Hajdar Ali Zafar sahib krymisionar i Xhematit të Gjermanisë më 25 gusht 2017 në Xhelsa Salanën e 41-të Gjermanisë, e cila u zhvillua në qytetin Karlsruhe.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp