Nëse Zoti është i Mëshirshëm, pse ka kaq shumë vuajtje në botë?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Nëse Zoti është i Mëshirshëm, pse ka kaq shumë vuajtje në botë?

Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu a.s.

[Transkriptim i një pjese të një sesioni pyetje-përgjigjesh, që u zhvillua midis Hazret Mesihut të Premtuar dhe Prof. Regit, më 18 maj 1908, në qytetin Lahor]

“Pyetja:

Nëse te Zoti ka dashuri, drejtësi dhe barazi, cila është arsyeja që disa gjallesa u bëhen ushqim disave të tjera? Nëse dashuria, drejtësia dhe barazia janë atribute të qenësishme e të veçanta të Zotit, përse Ai u ka dhuruar disa prej krijesave aftësi dhe fuqi që ato mund të hanë krijesa të tjera, ndërkohë të dyja duhet të gëzonin të drejtën e barazisë duke qenë krijesat e Tij?

Përgjigjja:

Kur fjala dashuri përmendet për Zotin e Madhërishëm, është gabim i madh që ta logjikoni atë në bazë të dashurisë njerëzore. Kuptimi dhe ndikimi që ka kjo fjalë në marrëdhëniet njerëzore, në asnjë mënyrë nuk mund të jetë i njëjti në lidhje me Zotin e Madhërishëm, e as nuk mund të përligjet ai kur është fjala për dashurinë e Zotit. Njeriu ka ndjenjën e dashurisë dhe zemërimit, por perceptimi i këtyre ndjenjave në asnjë mënyrë nuk mund të jetë i njëjtë për Zotin. Këtu është gabimi. Në natyrën e njeriut vërejmë se kur ai dashurohet me dikë, brengoset në momentin kur largohet prej tij. Nëna e do fëmijën e vet, por sa shumë ajo tronditet dhe brengoset kur asaj i ndahet fëmija. Në të njëjtën mënyrë, kur njeriu zemërohet mbi dikë tjetër, së pari ai vetë pëson një tronditje dhe ndikim të zemërimit të vet. Me një fjalë, i zemëruari për të ndëshkuar tjetrin, e ndëshkon edhe vetveten. Kjo tregon se te njeriu zemërimi është një brengë, e cila së pari ndikon mbi qenien e vet duke krijuar hidhërim dhe duke i marrë rehatinë dhe qetësinë. Por, Zoti i Madhërishëm është i pastër nga këto ndikime. Pra, është shumë e qartë që ndikimin që kanë këto fjalë tek njeriu ose në marrëdhëniet njerëzore, nuk mund ta aplikojmë mbi Zotin e Madhërishëm, pasi nuk është i pranueshëm për Qenien e Tij. Prandaj, ne nuk i duam këto fjalë. Kjo është sajesë e atyre njerëzve që Zotin e perceptojnë si njeri. Ai është i Shenjtë dhe i pastër nga këto mangësi. Çdokush që ndjek pëlqimin e Tij, fillon të krijojë lidhje me Të, gjithnjë e më të fortë. Po, fjala dashuri dhe zemërim simbolikisht mund të përdoren për Zotin e Madhërishëm.

… Fjala dashuri nënkupton një dhimbje. Edhe sikur të supozohet që Zoti është dashuri dhe se Ai ka edhe ndjenjën e zemërimit njësoj siç i ka njeriu, duhet të pranojmë edhe këtë tjetër që edhe Zoti brengoset dhe pëson dhimbje. Por, dijeni se fjalë kaq të kufizuara nuk mund të aplikohen mbi Zotin e Madhërishëm.

Pyetja:

E kuptova. Por dua t’ju pyes edhe këtë se përse Zoti ka lejuar në këtë sistem që i dobëti t’i shërbejë të fortit, të bëhet ushqim për të dhe të poshtërohet para tij?

Përgjigjja:

Sapo e kemi thënë që atributet dashuria, mëshira dhe zemërimi në lidhje me Zotin ne nuk i përkufizojmë ashtu siç ato përkufizohen te njeriu. Është gabim i hapët ta pandehni Zotin të jetë në gjendjen e njeriut. Ky është një sistem shumë i gjerë i Zotit të Madhërishëm, të cilin kështu e ka krijuar Ai. Njeriu nuk mund të ndërhyjë përtej kufirit të tij në këtë sistem. Nuk është e denjë që të nxirrni pyetjet në çdo gjë që u përket çështjeve të fshehta hyjnore. Kjo botë është një botë e kufizuar. Pas kësaj Zoti i Madhërishëm ka përgatitur një botë shumë të gjerë dhe Ai ka vendosur dhe premtuar që atje do t’u jepet lumturia e vërtetë dhe e përhershme. Çdo shqetësim që keni në këtë botë, do t’ju kompensohet në botën tjetër. Çdo mangësi që shihni në këtë botë, do të plotësohet në botën e ardhshme. Për sa u përket shqetësimeve, dhimbjeve, vështirësive, brengave etj., këto të gjithë i ka njësoj, edhe i dobëti, edhe i forti dhe kjo ishte e nevojshme për qëndrueshmërinë e sistemit të kësaj bote. Po të shihni me sy largpamës, askush nuk është larg shqetësimeve. Çdo krijesë sipas kapacitetit të saj është e detyruar të marrë diçka prej tyre. Dikush në një mënyrë e dikush tjetër në një mënyrë tjetër. Shqiponja rrëmben zogjtë e vegjël, tigri, luani dhe ujku sulmojnë fëmijët e njeriut, gjarpërinjtë dhe akrepa bëjnë punën e tyre, pra ky është një zinxhir që vazhdon dhe askush nuk mund të dalë jashtë tij. Por për kompensimin e këtyre shqetësimeve Zoti i Madhërishëm ka lënë edhe një botë tjetër. Për këtë arsye, në Kuranin Famëlartë Zoti quhet edhe Sunduesi i ditës së gjykimit (Maliki jeumid-din). Dikush mund të thotë se njeriu është i lumtur, por edhe kjo është e mundur që zogjtë dhe bagëtitë janë më të lumtura se njeriu. Kjo botë është një sprovë. Për ta zgjidhur këtë është caktuar ajo bota tjetër. Çdo shqetësim që ju sjell kjo botë, Zoti ju premton se do t’jua kthejë në qetësim në botën vijuese. Nëse dikush prapë këmbëngul dhe pyet, përse e ka bërë kështu e përse nuk e ka bërë ashtu, përgjigjja është që është Zoti që pushton dhe sundon. E ka bërë si të dojë Ai. Askush nuk ka të drejtë ta akuzojë Atë për diçka që ka bërë.

Është edhe diçka tjetër që duhet menduar. Shqetësimet e njeriut janë më të mëdha sesa shqetësimet e shtazëve. Për këtë arsye, edhe shpërblimi për njeriun është më i madh sesa për shtazët. Shqetësimet e njeriut janë të dyllojshme: 1) Shqetësimet që u vijnë për shkak të ligjit dhe 2) shqetësimet që i vijnë nga Caktimi. Në të dytën marrin pjesë thuajse në mënyrë të barabartë edhe njerëzit, edhe shtazët. Nëse njerëzit vrasin kafshët, ata edhe vriten prej tyre. Po ashtu, edhe në shqetësime të tjera të kësaj kategorie njerëzit dhe kafshët kanë një lloj barazie. Por në shqetësimet ligjore, nuk marrin pjesë shtazët. Urdhrat e sheriatit (të ligjit) janë një lloj thike që vendoset mbi qafën e njeriut, gjë që nuk e kanë shtazët. Çështjet e sheriatit janë një lloj vdekjeje që njeriu është i detyruar ta pranojë. Nga ky këndvështrim na del se shqetësimet njerëzore janë shumë më të mëdha sesa ato shtazore.

Pika e tretë që duhet ta kemi parasysh është që shqisat njerëzore janë shumë të përparuara e të ndjeshme. Shtazët dhe bimët nuk e kanë një gjë tillë. Kjo është arsye që shtazët nuk zotërojnë intelektin. Mendja lind ndjenjat. Shtazët ngaqë nuk e kanë aq të plotësuar mendjen, ato jetojnë në një lloj ngeje. Ndjenjat te njeriu janë më të dukshme, kurse kafshët këto i kanë aq të pakta sa hiç. Prandaj, shtazët i ndiejnë shumë pak këto shqetësime dhe ka mundësi që në disa raste të mos i ndiejnë fare. Pra, nga ky këndvështrim mund të mendoni se cilët janë më të shqetësuarit në botë? Njerëzit apo shtazët? Padyshim që janë njerëzit ata që marrin pjesën më të madhe të shqetësimeve të kësaj bote”.[1]

 


 

[1] Malfuzat, vëll. 5, botuar Rabvah, 2003, f. 672-674; Gazeta El-Hakam, data 30 maj 1908, f. 4-7.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp