[Nga thëniet e Mesihut të Premtuar, Imam Mehdiut a.s.]
Kush është muslimani i vërtet?
Dua t’ju bëj të qartë se askush nuk mund të bëhet besimtar i vërtetë derisa nuk i jep përparësi Allahut të Madhërishëm në çdo çështje dhe derisa nuk e kontrollon zemrën për të parë gjendjen e saj të vërtetë. Për të thënë çdokush mund të quajë veten besimtar a musliman, siç ndodh rëndomtë. Por muslimani është ai që ka përmbushur kërkesën اَسْلَمَ وَجْھَہُ لِلہِ “ai që ia dorëzon fytyrën Allahut”. (Kurani Famëlartë 2:113) Fjala uexh’hun do të thotë fytyrë, por ajo aplikohet mbi gjithë qenien e njeriut. Pra, do të thotë se vetëm ai që i paraqet Allahut të gjitha fuqitë e tij, mund të quhet musliman i vërtetë. M’u kujtua se një herë një musliman i bëri thirrje një hebreu drejt Islamit, ndërkohë vetë muslimani në fjalë bënte vepra të këqija. Hebreu i tha: Shiko veten tënde në radhë të parë dhe mos u mburr që je musliman. Zotit i pëlqen kuptimi i Islamit dhe jo veç emri islam. Pastaj edhe hebreu i rrëfeu një ngjarje të tijën se atij i kishte lindur një djalë, të cilin e quati Halid (i përjetshëm), por ai i vdiq që ditën e dytë pas lindjes. Pra, po të ishte i mjaftueshëm emri, pse do t’i vdiste djali. Kur dikush pyet ndonjë musliman: “A je musliman?”, ai i përgjigjet “Elhamdulillah!”.
Pra, mbani mend! Vetëm retorika dhe fjalë boshe nuk ju hyjnë në punë, derisa nuk bëni vepra. Tek Allahu retorika dhe fjalët boshe nuk kanë asnjë vlerë. Prandaj Zoti i Lartësuar thotë:
کَبُرَ مَقْتًا عِنۡدَ اللہِ اَنۡ تَقُوۡلُوۡا مَا لَا تَفْعَلُوۡنَ
“Është shumë e urryer tek Allahu të thoni atë që nuk e bëni!” (Kurani Famëlartë 61:5)
Mënyra për t’i shërbyer Islamit
Do t’i kthehem sërish temës kryesore, pra porosisë së Kuranit ku thotë:
صَابِرُوۡا وَرَابِطُوۡا
“Këshilloni njëri-tjetrin për durim dhe qëndroni të gatshëm duke ruajtur kufijtë!” (Kurani Famëlartë 3:201)
Domethënë ashtu siç është e domosdoshme që kalorës të rrinë gati në vijën kufitare që armiku të mos e shkel kufirin, edhe ju duhet të qëndroni në gatishmëri që armiku, duke shkelur kufirin, të mos jua dëmtojë Islamin. Ju kam thënë edhe më përpara që së pari përvetësoni takuanë[1] dhe dëlirësinë, nëse doni të ndihmoni Islamin e t’i shërbeni atij, sepse me anë të tyre ju do të hyjni në kështjellën e pathyeshme të mbrojtjes së Allahut të Madhërishëm. Atëherë do të keni mundësi të gëzoni të drejtën për këtë shërbim. Ju po e shikoni se sa shumë që është dobësuar forca e jashtme e muslimanëve. Popujt i shohin me urrejtje e përbuzje. Nëse ju dobësohet edhe forca juaj e brendshme, pra ajo e zemrës, dijeni se keni marrë fund. Pastrojeni veten tuaj në atë mënyrë që fuqia hyjnore të mund të depërtojë në ju dhe ju të bëheni të fortë e mbrojtës si kuajt kufitarë. Bekimi i Allahut të Lartësuar shoqërohet vetëm me ata që kanë takua dhe që janë të sinqertë. Mos i prishni virtytet dhe sjelljet tuaja në atë mënyrë që ato të njollosin Islamin. Me muslimanët që janë të ligj dhe që nuk e ndjekin mësimin e Islamit, njolloset Islami. Një musliman pi alkool, dehet dhe zdërhallet nëpër qoshe, vjell nëpër skuta, çallma e kokës i bie në qafë, e rreh policia, e qeshin hindutë dhe të krishterët. Kjo sjellje e tij kundër besimit, bëhet shkak jo vetëm i përbuzjes së tij por fshehtas e ndikon edhe shpirtin e Islamit. Më dhimbset shumë kur lexoj lajme të tilla ose kur lexoj raportet e burgjeve sepse shoh se sa shumë muslimanë kanë përfunduar aty për shkak të ligësive të tyre. Më shqetësohet zemra tej mase duke menduar se si këta njerëz që gëzonin rrugën e drejtë, për shkak të padrejtësive të tyre jo vetëm që e dëmtuan vetveten por u bënë shkak edhe i përbuzjes ndaj Islamit… Pra, e kam fjalën që muslimanët duke u quajtur muslimanë kur përzihen me gjithfarë punësh të papëlqyera e të ndaluara, vihet në pikëpyetje jo vetëm nderi i tyre, por edhe ai i Islamit. Prandaj, virtytet dhe sjelljet tuaja rregullojini në atë mënyrë saqë mohuesit asnjëherë të mos gjejnë rastin t’ju kritikojnë, kritikë e cila në të vërtetë i drejtohet Islamit.
Falënderimi i vërtetë në fakt janë takuaja dhe dëlirësia juaj
Falënderimi i vërtetë në fakt janë takuaja dhe dëlirësia juaj. Vetëm të thoni elhamdulillah kur tjetri ju pyet nëse jeni musliman apo jo, nuk është ndonjë falënderim. Po të përvetësoni falënderimin e vërtetë, pra dëlirësinë dhe takuanë, unë ju jap sihariqin që askush nuk mund t’ju mbizotërojë ju, edhe sikur të qëndroni në vijën kufitare…
Takuaja ndikon edhe mbi të tjerët
E vërteta është që takuaja ka një ndikim që prek edhe të tjerët dhe Zoti i Lartësuar nuk i lë të shkatërrohen njerëzit që kanë takua. Lexova në një libër një ngjarje rreth Hazret Sejid Abdul Kadir Gjilanit, Allahu e mëshiroftë, i cili ka qenë njeri i madh. Ai ishte shumë i dëlirë. Një herë ai i tha nënës së vet: “Nuk e duroj dot këtë botë dhe dëshiroj të gjej ndonjë prijës që të më tregojë rrugën e qetësisë”. E ëma kur e pa që nuk e kishte më në dorë të birin, ia pranoi kërkesën dhe i tha: “Mirë, po të ndaj bir”. Duke i thënë këto fjalë, u fut brenda dhe solli tetëdhjetë monedha që kishte kursyer dhe i tha: “Sipas sheriatit, dyzet monedha prej këtyre tetëdhjetëve të takojnë ty dhe dyzet të tjera vëllait tënd të madh. Prandaj, po t’i jap në të holla dyzet monedha”. Këto ajo ia qepi në pallton e tij nën sqetull duke i thënë t’i nxirrte kur të mbërrinte në ndonjë vend me paqe e t’i përdorte në rast nevoje. Sejid Abdul Kadir Gjilani r.a. i kërkoi nënës që t’i jepte ndonjë këshillë. Ajo iu përgjigj: “Bir! Kurrë mos gënje! Do të kesh shumë bereqet”. Me të dëgjuar këtë, ai u nda nga e ëma. Në pyllin që do të kalonte, rastësisht gjendeshin disa kusarë, të cilët rrinin gati për të plaçkitur udhëtarët. Nga larg e panë edhe Sejid Abdul Kadirin r.a.. Iu afruan dhe e pandehën për një lypsar. Njëri e pyeti me tallje: “Po ti, a ke ndonjë gjë?” Ai sapo kishte marrë mësimin prej së ëmës se gjithnjë të thoshte të vërtetën. Menjëherë iu përgjigj: “Po, dyzet monedha që i kam të qepura në sqetull në xhup”. Kusari mendoi se edhe ai po i tallej. E pyeti kusari tjetër, dhe edhe atij kështu iu përgjigj ai. Kështu që, të gjithë e pyetën dhe të gjithëve Sejid Abdul Kadir Gjilani r.a. ua ktheu të njëjtën përgjigje. E kapën dhe e çuan te kryetari i tyre dhe kur Sejid Abdul Kadir Gjilani r.a. edhe atij dha të njëjtën përgjigje, ai tha: “Mirë, kontrollojeni”. Panë se me të vërtetë kishte dyzet monedha. Ata u çuditën sepse asnjë herë nuk kishin parë një njeri të tillë. Kryetari e pyeti: “Përse na tregove se ke kaq shumë para”. Ai tha: “Unë kam dalë në kërkim të besimit në Zotin e Madhërishëm dhe gjatë nisjes nëna më këshilloi që të mos flisja kurrë gënjeshtër. Si do ta shkelja porosinë kur pikërisht kjo ishte sprova e parë?!” Sjellja e tij e përloti kryekusarin dhe ai para gjithë kusarëve u shpreh me pikëllim: Unë asnjëherë nuk kam zbatuar ndonjë porosi të Zotit. Por fjalët dhe qëndrueshmëria e këtij djaloshi më kanë shkundur. Nuk dua të bashkëpunoj me ju dhe dua të pendohem”. Me të dëgjuar këtë, edhe kusarët e tjerë zgjodhën rrugën e pendesës…. Sejid Abdul Kadir Gjilani r.a. thotë se ndjekësit e tij të parë ishin pikërisht kusarë.
Për këtë arsye Allahu i Madhërishëm thotë:
یٰۤاَیُّہَا الَّذِیۡنَ اٰمَنُوا اصْبِرُوۡا
O ju që besuat, duroni! (Kurani Famëlartë 3:201)
Durimi lind si një pikë (në shpirt) dhe më pas zgjerohet në formë rrethi duke përfshirë gjithçka. Në fund, ai ndikon edhe te mëkatarët. Andaj, është e nevojshme që njeriu asnjëherë të mos e lërë takuanë madje të ndjekë me qëndrueshmëri rrugët e saj. Sepse, njeriu me takua patjetër sjell ndikim, madje, deri në zemrat e kundërshtarëve.
Takuaja ka shumë pjesë përbërëse. Heqja dorë nga vetëpëlqimi, nga mburrja, nga pasuritë e ndaluara dhe shmangia nga veset e këqija të gjitha këto futen në takua. Ai që shfaq virtyte të mira, edhe armiku i bëhet mik. Allahu i Madhërishëm thotë:
اِدْفَعْ بِالَّتِیۡ ہِیَ اَحْسَنُ
“Largoje të keqen me të mirën”. (Kurani Famëlartë 23:97)
Mendoni pak se çfarë mësimi ju jep ky udhëzim. Synimi i Allahut të Madhërishëm në këtë mësim është që njerëzit edhe sikur të dëgjojnë sharje prej kundërshtarëve të tyre, nuk duhet t’u përgjigjen në të njëjtën mënyrë, por t’i durojnë. Nëse do ta përvetësoni këtë sjellje, do të rezultojë se kundërshtari juaj vetë do të turpërohet dhe do të pranojë epërsinë tuaj. Për të ky dënim do të jetë më i fortë sesa dënimi që mund t’ia jepnit si hakmarrje. Ka edhe të tillë që, në situata të tilla, nuk ngurrojnë të padisin për tentativë vrasje, por nuk është ky virtyt i njeriut dhe nuk është ky synim i takuasë. Mirësjellja është një mjet kaq i fuqishëm saqë edhe njeriu më i dëmshëm nuk mbetet pa u ndikuar nga ajo…
Të ligjtë që dolën kundër profetëve, sidomos ata që ishin kundër Profetit tonë fisnik Hazret Muhammed s.a., më në fund e pranuan të vërtetën jo për shkak të mrekullive pasi ato nuk u jepnin qetësi, por për shkak të virtyteve madhore të të Dërguarit të Allahut s.a.. Mrekullitë që burojnë nga virtytet bëjnë atë që nuk mund ta bëjnë mrekullitë që i përkasin sferës së plotfuqishmërisë. Prandaj thuhet:
اَلْاِسْتِقَامَۃُ فَوْقَ الْکَرَامَۃِ
“Qëndrueshmëria është mbi mrekullinë”.
Provoni vetë se çfarë mrekullish mund të bëjë qëndrueshmëria. Kurse mrekullitë e mirëfillta njerëzit zakonisht nuk i përfillin, sidomos në kohën e sotme.
Por dikush nëse merr vesh se filani është një njeri shumë i virtytshëm, nuk mund të frenojë veten pa iu afruar atij. Virtytet e mira ndikojnë edhe mbi ata që nuk qetësohen edhe sikur të kenë parë një mori shenjash. E vërteta është që ka njerëz që e pranojnë besimin duke parë shenja dhe mrekulli të dukshme dhe ka edhe të tillë që e pranojnë duke njohur të vërtetat dhe urtësinë, por shumica janë ata që e pranojnë udhëzimin dhe gjejnë qetësi duke parë virtytet madhore.[2]
[1] Takua do të thotë druajtje dhe devotshmëri ndaj Allahut.
[2] “Malfuzat” (Thënie), vëll. 1, botim 2008, f. 48-51.