Surja El-Fatiha | Kuptime dhe sekrete të saj | Shpjegimi i namazi | Video #5
Surja El-Fatiha thuhet në çdo rekat të çdo namazi. Nëse llogarisim vetëm namazet e 5 vakteve, pra vetëm farzet dhe sunetet e obliguara, bëhen 32 rekate në ditë. Kështu, në namazet e pesë kohëve, plot 32 herë në ditë e themi suren El-Fatiha. Pse e themi kaq shpesh El-fatihanë në namaz? Andaj, sot do të flasim vetëm për këtë sure, në mënyrë që të kemi sado pak dijeni se përse përsëritet kaq shpesh kjo sure, e cila, jo pa arsye, quhet edhe përmbledhja e Kuranit të Shenjtë.
Nëse ndiqni deri në fund videon, do të habiteni sa çfarë thesari është kjo sure e shkurtër. Surja El-Fatiha ka 7 ajete.
Surja El-Fatiha shqiptimi dhe përkthimi:
Bismil-lāhirr-Rrahmānirr-Rrahīm. Elhamdu lil-lāhi Rabbil-‘ālemīn. Err-Rrahmānirr-Rrahīm. Māliki jeumiddīn. Ijjāke na‘budu ve ijjāke neste‘īn. Ihdinas-sirātal-mustekīm. Sirātal-ledhīne en‘amte ‘alejhim gajril-magdūbi ‘alejhim ve leddāl-līn.
“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit. Lavdia është e Allahut, Zotit të botëve; të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit; Sunduesit të Ditës së Gjykimit. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë. Na udhëzo në rrugën e drejtë. Në rrugën e atyre që i bekove, që nuk tërhoqën zemërim dhe që nuk devijuan.”
Këto shtatë ajete, ose shtatë vargje të El-Fatihasë, në pamje të parë shpalosin 4 cilësitë e Zotit të Madhërishëm, një betim të adhurimit ndaj Tij dhe një kërkesë për ndihmë prej Tij dhe gjithashtu një kërkesë tjetër për udhëzimin me gjithë detajet sesi duhet të jetë udhëzimi. Në këtë video, zbuloni kuptime dhe sekrete të mahnitshme të sures El-Fatiha.