Shtatë nivelet e përsosjes së namazit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Shtatë nivelet e përsosjes së namazit

Shtatë nivelet e besimit

﴾﴿الم ﴿﴾ ذَٰلِكَ الْكِتَابُ لَا رَيْبَ ۛ فِيهِ ۛ هُدًى لِّلْمُتَّقِينَ ﴿﴾ الَّذِينَ يُؤْمِنُونَ بِالْغَيْبِ وَيُقِيمُونَ الصَّلَاةَ وَمِمَّا رَزَقْنَاهُمْ يُنفِقُونَ

﴾﴿وَالَّذِينَ يُؤْمِنُونَ بِمَا أُنزِلَ إِلَيْكَ وَمَا أُنزِلَ مِن قَبْلِكَ وَبِالْآخِرَةِ هُمْ يُوقِنُونَ ﴿﴾ أُولَـٰئِكَ عَلَىٰ هُدًى مِّن رَّبِّهِمْ ۖ وَأُولَـٰئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit. Alif.Lam.Mim. ( اَنَا اللهُ اَعْلَمُ . Unë jam Allahu, më i Dijshmi) Ky është Libri. Nuk ka mëdyshje në të. Është udhëzim për të druajturit, që besojnë në të padukshmen, falin namazin dhe shpenzojnë nga çdo gjë që Ne u kemi dhënë; që besojnë në atë që të është shpallur ty dhe në atë që është shpallur para teje dhe, që edhe ahiretin e besojnë bindshëm. Pikërisht këta janë në udhëzim prej Zotit të tyre dhe pikërisht këta janë të suksesshmit.[i]

Në këto ajete janë përmendur tiparet e besimtarit dhe një prej tyre është që ata falin namazin.

Çfarë është namazi në të vërtetë?

Namazi është forma më e përsosur dhe më madhështore e shprehjes së dashurisë së robit ndaj Krijuesit. Përmes namazit, robi synon të ndërtojë një lidhje të sinqertë e të fortë me Krijuesin. Përmes tij, ai synon të bashkëbisedojë me Të dhe t’i shprehë mirënjohje dhe falënderime.

Në hadith përmendet që:

عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ، أَنَّهُ سَمِعَ رَسُولَ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم يَقُولُ ‏”‏ أَرَأَيْتُمْ لَوْ أَنَّ نَهَرًا بِبَابِ أَحَدِكُمْ، يَغْتَسِلُ فِيهِ كُلَّ يَوْمٍ خَمْسًا، مَا تَقُولُ ذَلِكَ يُبْقِي مِنْ دَرَنِهِ ‏”‏‏.‏ قَالُوا لاَ يُبْقِي مِنْ دَرَنِهِ شَيْئًا‏.‏ قَالَ ‏”‏ فَذَلِكَ مِثْلُ الصَّلَوَاتِ الْخَمْسِ، يَمْحُو اللَّهُ بِهَا الْخَطَايَا ‏”‏‏.‏

Hazret Ebu Hurejra r.a. tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. të thotë: “Shikoni, sikur një lumë të rridhte përpara derës së njërit prej jush dhe ai të lahej në të çdo ditë pesë herë. Si thoni, a do t’i mbetet atij diçka nga papastërtia?” I thanë (të pranishmit): “Nuk do të mbetej asnjë gjurmë papastërtie në të.” Ai tha: “Ky është shembulli i pesë namazeve me të cilat Allahu i fshin gabimet dhe gjynahet (e robërve të Tij)”.[ii]

Në një hadith gjejmë këtë porosi:

عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ قَالَ قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ إِنَّ أَوَّلَ مَا يُحَاسَبُ بِهِ الْعَبْدُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ مِنْ عَمَلِهِ صَلَاتُهُ فَإِنْ صَلُحَتْ فَقَدْ أَفْلَحَ وَأَنْجَحَ وَإِنْ فَسَدَتْ فَقَدْ خَابَ وَخَسِرَ فَإِنْ انْتَقَصَ مِنْ فَرِيضَتِهِ شَيْءٌ قَالَ الرَّبُّ عَزَّ وَجَلَّ انْظُرُوا هَلْ لِعَبْدِي مِنْ تَطَوُّعٍ فَيُكَمَّلَ بِهَا مَا انْتَقَصَ مِنْ الْفَرِيضَةِ ثُمَّ يَكُونُ سَائِرُ عَمَلِهِ عَلَى ذَلِكَ

Hazret Ebu Hurejra r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “E para (vepër) për të cilën do t’i kërkohet llogari njeriut në Ditën e Gjykimit është namazi i tij.  Në qoftë se namazi është i rregullt, atëherë ka shpëtuar njeriu dhe ka arritur suksesin, por në qoftë se i mungojnë namazet, atëherë ka dështuar ai dhe ka përfunduar në humbje. Nëse ka mangësi në namazet e tij të obliguara, Zoti i Madhërishëm “Shikoni, nëse robi Im ka falur namaze nafile (vullnetare), me të cilat mund të plotësohet mangësia e namazeve të obliguara”. Pastaj, do të gjykohen të gjitha veprat e tij, në këtë mënyrë.[iii]

Cila është shkalla e përcaktimit të namazit?

Cilat janë ato kushte apo kritere në bazë të cilave, njeriu mund të kuptojë se a janë të vlefshme e të pranueshme namazet e tij apo jo. Këtë na ka treguar Allahu në Kuranin Famëlartë. Ai thotë:

﴾﴿اتْلُ مَا أُوحِيَ إِلَيْكَ مِنَ الْكِتَابِ وَأَقِمِ الصَّلَاةَ ۖ إِنَّ الصَّلَاةَ تَنْهَىٰ عَنِ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنكَرِ ۗ وَلَذِكْرُ اللَّـهِ أَكْبَرُ ۗ وَاللَّـهُ يَعْلَمُ مَا تَصْنَعُونَ

Lexo atë që të është zbritur ty prej Librit (Kuranit) dhe fale namazin! Me të vërtetë, namazi e ruan (njeriun) nga paturpshmëria dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që të kujtuarit e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka çka veproni ju.[iv]

Pra, ky është kriteri për të mësuar se a me të vërtetë namazi ynë është i pranueshëm në pragun e Allahut. Nëse ne falemi rregullisht, por prapëseprapë dorëzohemi para tundimeve të nefsit apo nuk ndalojmë dot veten nga veprat e papëlqyera, atëherë ky është sinjali i qartë që adhurimi ynë nuk është në shkallën e duhur. Ne duhet të përqendrohemi më shumë në namaz dhe duhet të lutemi me më shumë përgjërim e sinqeritet.

Shtatë nivelet e përsosjes së namazit

Hazret Kalifi i dytë i Mesihut të Premtuar r.a. ka përshkruar në mënyrë shumë të bukur dhe të përmbledhur që si mund të quajmë namazin tonë të plotë. Kjo është një mënyrë mjaft e thjeshtë dhe praktike. Ai e ka krahasuar namazin me një shkallë që ka shtatë nivele.

  1. Niveli i parë është që besimtari të kryejë rregullisht të gjitha namazet e detyrueshme dhe të mos e lë asnjë namaz pa falur. Ky është kuptimi i vërtetë i fjalëve وَيُقِيمُونَ الصَّلَاةَ se ata e falin namazin rregullisht e pandërprerë.
  2. Pasi që ka arritur nivelin e parë, ai ngjitet në shkallën e dytë, e cila është që besimtari të falë namazin me përpikëri në kohën e caktuar. Allahu gjithashtu ka thënë në Kuranin Famëlartë:

إِنَّ الصَّلَاةَ كَانَتْ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ كِتَابًا مَّوْقُوتًا

Sigurisht, namazi u është obliguar besimtarëve në kohë të caktuar.[v]

  1. Pasi që arrin këto nivele, besimtari hedh hapin për t’u ngjitur në nivelin e tretë, në të cilin ai duhet të falë namazin me xhemat. Në këtë pikë, ai nuk e fal namazin vetëm, por bashkë me besimtarët e tjerë, siç tregon porosia e Kuranit  وَيُقِيمُونَ الصَّلَاةَ se ata e falin namazin me xhemat. Ky është gjithashtu një ndër qëllimet e namazit dhe në këtë nivel besimtari nuk e fal namazin e detyrueshëm me në xhemat vetëm në situata të jashtëzakonshme dhe gjithmonë mundohet të falë namazin me xhemat.
  2. Niveli i katërt i kësaj shkalle është që njeriu i cili tashmë ka nisur të falë namazin me xhemat, tani duhet të mësojë gjithashtu kuptimin a përkthimin e namazit. Kur njeriu di kuptimin e namazit, ai reflekton dhe pasqyron mbi fjalët e namazit, dhe mendon thellë mbi fjalët që shqipton.
  3. Në nivelin e pestë, njeriu arrin njëlloj përqendrimi në namaz. Tashmë gjatë namazit, ai zhytet plotësisht në kujtimin e Zotit dhe shkëputet nga bota e jashtme. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. në hadithin e tij të famshëm ka përshkruar këtë gjendje me këto fjalë:

‏”‏ أَنْ تَعْبُدَ اللَّهَ كَأَنَّكَ تَرَاهُ، فَإِنْ لَمْ تَكُنْ تَرَاهُ فَإِنَّهُ يَرَاكَ ‏”‏‏

Të adhurosh Allahun sikur ti e sheh Atë, e nëse nuk (ke arritur këtë nivel) që ta shikosh Atë, bëjë sikur Ai të shikon ty”.[vi]

Në këtë nivel përfundon përshkrimi i namazeve të detyrueshme, pasi ato akoma nuk janë të mjaftueshme për të ndërtuar një lidhje të tillë besnikërie me Allahun, e cila mund të përmbushë qëllimin e jetës së njeriut dhe që e bën faqebardhë para Zotit.

  1. Në nivelin e gjashtë, njeriu i thotë vetes: Nuk më mjaftojnë vetëm pesë namaze në ditë. Unë nuk kënaqem duke u takuar me të Dashurin tim vetëm pesë herë në ditë dhe nuk ngopem duke harxhuar kaq pak kohë në praninë e Tij. Unë dua ta takoj Atë më shpesh. E kështu, ai fillon të falë nafilet (namaze vullnetare) për të shpenzuar më shumë kohë në praninë e Zotit të tij të dashur.
  2. Niveli i fundit i kësaj shkalle është falja e namazit të tehexhudit. Ky namaz falet në pjesën e fundit të natës, para kohës së agimit dhe namazit të sabahut. Kur bota është zhytur në errësirën e natës e të gjumit dhe kur atë nuk e sheh askush, ai çohet nga dëshira për të kujtuar Zotin. Në këtë mënyrë ai arrin majën e shkallës së afërsisë me Zotin e Lartësuar.

Këto janë shtatë nivele të shkallës së namazit. Derisa besimtari nuk është ngjitur në këtë shkallë dhe nuk ka arritur majën e saj, ai nuk mund të thotë se meqë kam falur namazet e detyrueshme dhe derisa kam përmbushur detyrën time, kam arritur kënaqësinë e Zotit.

Allahu na mundësoftë të falim namazet tona me vetëdijë të plotë dhe ta arrijmë atë nivel përqendrimi dhe devotshmërie, të cilin Ai pret prej nesh! Allahu na mundësoftë ta krijojmë një lidhje të sinqertë me Zotin tonë dhe të mbulojmë qenien tonë me dashurinë e Tij gjithëpërfshirëse! Amin

Image: Freepik


[i] Kurani Famëlartë 2:2:6
[ii] Sahihu i Buhariut, Libri koha e faljes së namazeve, #528
[iii] Sunen Tirmidhi, Libri i namazet, #413
[iv] Kurani Famëlartë 29:46
[v] Kurani Famëlartë 4:104
[vi] Sahihu i Buhariut, Libri i besimit, #50

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp