Veprat varen nga qëllimi i tyre
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Veprat varen nga qëllimi i tyre

عَنْ أَمِيرِ الْمُؤْمِنِينَ أَبِي حَفْصٍ عُمَرَ بْنِ الْخَطَّابِ رَضِيَ اللهُ عَنْهُ قَالَ: سَمِعْتُ رَسُولَ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم يَقُولُ:

” إنَّمَا الْأَعْمَالُ بِالنِّيَّاتِ، وَإِنَّمَا لِكُلِّ امْرِئٍ مَا نَوَى، فَمَنْ كَانَتْ هِجْرَتُهُ إلَى اللَّهِ وَرَسُولِهِ فَهِجْرَتُهُ إلَى اللَّهِ وَرَسُولِهِ، وَمَنْ كَانَتْ هِجْرَتُهُ لِدُنْيَا يُصِيبُهَا أَوْ امْرَأَةٍ يَنْكِحُهَا فَهِجْرَتُهُ إلَى مَا هَاجَرَ إلَيْهِ”

رَوَاهُ إِمَامَا الْمُحَدِّثِينَ أَبُو عَبْدِ اللهِ مُحَمَّدُ بنُ إِسْمَاعِيل بن إِبْرَاهِيم بن الْمُغِيرَة بن بَرْدِزبَه الْبُخَارِيُّ الْجُعْفِيُّ [رقم:1]، وَأَبُو الْحُسَيْنِ مُسْلِمٌ بنُ الْحَجَّاج بن مُسْلِم الْقُشَيْرِيُّ النَّيْسَابُورِيُّ [رقم:1907] رَضِيَ اللهُ عَنْهُمَا فِي “صَحِيحَيْهِمَا” اللذَينِ هُمَا أَصَحُّ الْكُتُبِ الْمُصَنَّفَةِ.

Prijësi i besimtarëve Hazret Omer ibn el-Hattabi r.a. rrëfen se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë:

“Veprat varen prej qëllimeve dhe çdo njeri shpërblehet sipas nijetit që ai ka pasur. Pra, kushdo që shpërngulet drejt Allahut dhe të Dërguarit të Tij, shpërngulja e tij, me të vërtetë, është tek Allahu dhe i Dërguari i Tij. Ndërsa, ai që shpërngulet për të arritur diçka prej kësaj bote apo për t’u martuar me ndonjë grua, shpërngulja e tij do të jetë po sipas qëllimit që ka pasur”.

Komentim i shkurtër

Kjo thënie profetike është prej Xhevamiul Kelim جوامع الكلم  pra nga ato hadithe që përbëjnë fjalë të pakta por kuptime të thella. Për këtë arsye, dijetarët e kanë konsideruar si një prej thënieve thelbësore e qendrore të Islamit, madje thuhet që i gjithë botëkuptimi i Islamit sillet rreth këtij boshti. Disa dijetarë e kanë vlerësuar si një të tretën e Islamit apo si një të tretën e dijes. Imam Buhariur.a. ka zgjedhur pikërisht këtë hadith për ta nisur veprën e tij madhështore të koleksionit të haditheve dhe ka thënë që nuk ka hadith më urtiplotë e më kuptimplotë se sa kjo.  Me të vërtetë i Dërguari i Allahuts.a.v.s. ka ngjeshur gjithë thelbin e besimit në një thënie të vetme. Ky hadith përmban parimin themelor, përmes të cilit, njeriu dallohet nga bota shtazore, dhe instinkti i tij i pavetëdijshëm hyn në shkallën morale. Në këtë pikë, veprimet e tij tashmë i përgjigjen arsyes dhe lidhen ngushtë me normat morale, dhe kështu e bëjnë njeriun të ndërgjegjshëm për sjelljen e tij dhe ai u nënshtrohet kufizimeve të përcaktuara në ligjin hyjnor.

Imam Shafiu r.a. ka thënë që ky hadith përmban një të tretën e diturisë së Islamit. Ai thotë që veprat e njeriut përfshijnë zemrën, gjuhën dhe gjymtyrët e tij, andaj qëllimi i zemrës përbën një të tretën e veprave. Sipas Imam Shafiut ky hadith zgjidh 70 temat e fik’hut. Imam Ahmedi ka thënë që Islami ngrihet mbi tri themele, të cilat janë tri hadithe:

  1. Hadith i parë është ky që u citua më lartë.
  2. “Kush shpik diçka të re në fenë tonë, e cila nuk ka qenë prej saj, nuk do t’i pranohet”.
  3. Hallalli (e lejuara) është i qartë dhe harami (e ndaluara) është i qartë, ndërsa midis tyre ka gjëra të dyshimta, të cilat shumë njerëz nuk i njohin…”.

Këto tri thënie mund të konsiderohen si tri kritere të rëndësishme që përcaktojnë sjelljen e muslimanëve në veprimet e tyre të përditshme. Në këtë mënyrë muslimani sjell një harmoni të plotë në botën e tij të brendshme dhe të jashtme. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. fillimisht na tregon parimin (se veprat varen nga nijeti) dhe pastaj e shtjellon atë duke paraqitur tre shembuj. Kjo është metoda e Profetit s.a.v.s. që ai shpjegon porosi me anë të shembujve të thjeshtë, me qëllim që njerëzit të kenë më të lehtë të kuptojnë dhe të zbatojnë ato në jetën e përditshme.

Veprat bazohen në qëllim

  1. Në gjuhën arabe, janë dy fjalë të cilat i përgjigjen nuancës kuptimore të fjalës “veprim”. Ato janë فعل Fe’l dhe عمل ‘Amel. Dijetarët kanë thënë që fjala Fe’lun i referohet atij veprimi që bëhet instinktivisht e në mënyrë të pavetëdijshme, të cilit i mungon qëllimi, ndërsa fjala ‘Amalun i referohet veprimit i cili bëhet me vetëdije dhe në mënyrë të qëllimshme. Kur bëhet me vetëdije, vepra e njeriut cilësohet si e mirë apo e keqe, dhe rrjedhimisht meriton shpërblim apo ndëshkim. Në këtë hadith është përdorur pikërisht fjala ‘Amal dhe në bazë të këtij shpjegimi, hadithi tregon që veprimet instinktive kalojnë cilësohen si ‘Amal apo arrijnë shkallën morale, kur ato shoqërohen me qëllim.

Raporti midis veprës dhe qëllimit, nënvizon lidhjen që ekziston midis faktorëve truporë dhe spiritualë të cilët gjendet brenda një njeriu. Hadithi vë në dukje rëndësinë e të pasurit një qëllim dhe një objektivë për çdo veprim fizik që ne e kryejmë. Me të thënë këtë, del në pah nevoja për një lidhje midis vetëdijes sonë dhe veprimet tona fizike dhe rrjedhojat e tyre shpirtërore.

Përderisa qëllimet na prijnë te rezultatet, prandaj ndryshimi që pëson qëllimi në rrjedhën e veprimit, shkakton dhe ndryshimin e zhvillimeve të jashtme. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm, prandaj Atij i mjafton vetëm qëllimi ynë i sinqertë, për të ndryshuar realitetin tonë të jashtëm. Prandaj, për të arritur ndryshim në gjendjen tonë të jashtme, duhet të ndërmarrim ndryshime të nevojshme në qëllimin tonë.

  1. Ky hadith na mëson gjithashtu që veprat arrijnë përfundimin kur të jenë lidhur me qëllim. Qëllimi është i domosdoshëm për çdo veprim. Vetëm mendimi, dëshira, pëlqimi apo prirja e brendshme nuk mjaftojnë absolutisht për të përfunduar një punë. Rrënja e fjalës nijet është نواة Nevatun që do të thotë bërthamë apo pjesë thelbësore dhe qendrore e farës, që përmban të gjitha tiparet e zhvillimit dhe prej së cilës dalin filiza të njomë, të cilat rriten dhe përfundimisht kthehen në pemën e veprave.
  2. Meqë vepra për nga rezultati varet nga qëllimi, prandaj sa më i vendosur dhe i matur do të jetë qëllimi, po aq qëndrueshmëri dhe maturi do të shfaqet në realizimin e saj. P.sh. një njeri vendos për të ndërtuar një shtëpi. Menjëherë pas këtij nijeti, do të ndikohet ndjeshëm gjendja e tij ekonomike. Ai do të kërkojë burime të tjera të ardhurash, e nëse në një anë nuk do të përtojë nga rendimenti i lartë i punës, në anën tjetër do të frenojë shpenzime të panevojshme. Pra, sa më i qëndrueshëm, i qartë dhe i vendosur do të jetë nijeti, në të njëjtin proporcion do të ndikohen veprat e tij. Këtu qëndron sekreti i zhvillimit të njeriut dhe i bukurisë së veprave të tij.
  3. Një veti e rëndësishme e besimtarit është اخلاص ikhlas d.m.th. sinqeritet. Ai gjithmonë duhet të jetë i drejtë dhe i sinqertë ndaj Allahut. Përmes çdo veprimi, ai duhet të synojë vetëm pëlqimin e Allahut. Ky pëlqim mund të arrihet duke ndjekur gjurmët e të Dërguarit të Allahuts.a.v.s., i cili është modeli më i përsosur për mbarë njerëzimin. Duke ndjekur rrugën e tij, në adhurim, në etikë (normat morale) dhe në marrëdhëniet shoqërore, mund të shpresojmë për të fituar pëlqimin e Allahut.
  4. Besimtari vazhdimisht duhet të kontrollojë nijetin dhe të analizojë qëllimin e veprave të tij. Ai duhet të pyesë veten: Përse po bëj këtë që po bëj tani? Në këtë hadith i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka dhënë shembullin e hixhretit (mërgimit). Muslimanët e parë u detyruan të bënin hixhret dy herë gjatë jetës së Profetit s.a.v.s., vetëm për hir të besimit. Por, nëse dikush shpërngulet duke pasur një qëllim tjetër, ai nuk do të shpërblehet për këtë vepër.
  5. Veprat e këqija nuk mund të bëhen të lejueshme nga qëllimi i shëndoshë dhe as anasjelltas. Për shembull, namazi është shkalla më e lartë e adhurimit, mirëpo kur njeriu i fal namazet për syefaqësi, Allahu ia kthen mbrapsht. Po ashtu, nëse dikush jep lëmosha për t’u rënë në sy njerëzve, vepra e tij nuk do të pranohet tek Allahu.

Përfundim:

Ne duhet të bëjmë çdo veprim duke synuar pëlqimin e Allahut. Një vepër e mirë që shoqërohet me një qëllim të keq, nuk do të na sjellë asnjë shpërblim në ahiret.


Shënime:

[1] Sahihu i Buhariut, hadithi nr. 1
[2] Fat’hul Bari, vëll. I, f. 14
[3] Sahihu i Buhariut, #2697
[4] Sahihu i Buhariut, #52

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp