Këshillimi për vepra të mira dhe të ndaluarit nga të këqijat
Këshillimi ndaj njerëzve është i preferuar
Hazreti Hudhejfe r.a. rrëfen se Profeti i shenjtë s.a.v.s. ka thënë:
“Pasha Atë, në dorën e të Cilit është jeta ime, ju duhet t’i jepni këshilla njerëzve për vepra të mira dhe t’i ndaloni nga të këqijat, përndryshe, mund të ndodhë që Allahu t’ju ndëshkojë rëndë. Atëherë do të lutni Allahun, por do të jetë vonë dhe lutjet tuaja nuk do të pranohen”.
[Xhamiu et-Tirmidhi, kitab “El-Fitn”, bab “Ma xhae fil-emri bil-ma’rufi ven-nehji ‘anil-munkeri”, hadithi nr. 2169]
Këshillimi në kohë të duhur është shpëtim
Hazret Nu’man ibn Beshiri r.a. rrëfen se Profeti i shenjtë s.a.v.s. ka thënë:
“Shembulli i atij personi, i cili iu përmbahet kufijve të caktuar të Allahut dhe i atij i cili i tejkalon, është si ai populli që hodhi shortin për të siguruar vend në një anije. Disave u ra kuverta e sipërme, kurse të tjerëve kuverta e poshtme. Ata të kuvertës së poshtme, kur u nevojitej ujë, kalonin përmes atyre që ishin në kuvertën e sipërme.
Atyre u ra ndërmend se nëse e bëjnë një vrimë në pjesën e poshtme të anijes, nuk do t’i trazonin udhëtarët e kuvertës së sipërme. Nëse ata, të kuvertës së sipërme i lejojnë të bëjnë këtë, të gjithë do të mbyten, ndërsa nëse i ndalojnë, të gjithë do të shpëtojnë”.
[Buhariu, kitab “Esh-Sheriketi”, bab “Hel jukre’u fil-kismeti vel-istihami fihi”, hadithi nr. 2493]