Mirësjellja ndaj fqinjëve

Ndaj fqinjëve kemi të drejta të veçanta
Hazret Ibn Omeri r.a. dhe Ajshja r.a. rrëfejnë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:
“Xhebraili më këshilloi aq shumë rreth të drejtave ndaj fqinjëve sa që mendova se ndoshta do t’u jepet e drejta e trashëgimisë”.
[Sahih el-Buhari, kitab “El-Edeb”, bab “El-Vasati bil-xhari”, hadithi nr. 6014 dhe 6015]
Fqinji nuk duhet të shqetësohet
Hazret Ebu Hurejre r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:
“Kush e beson Allahun dhe Ditën e Ahiretit mos ta shqetësojë fqinjin e vet. Kush e beson Allahun dhe Ditën e Ahiretit duhet ta nderojë mysafirin e vet. Kush e beson Allahun dhe Ditën e Ahiretit duhet të flasë fjalë të mira ose të heshtë”.
[Sahih el-Buhari, kitab “El-Edeb”, bab “Men kane ju’minu bil-lahi vel-jevmil-akhiri fela ju’dhi xharehu”, hadithi nr. 6018]
Fqinjët duhet të sigurohet nga të këqijat
Hazret Ebu Shurejhi r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:
“‘Pasha Allahun, ai nuk është besimtar. Pasha Allahun, ai nuk është besimtar. Pasha Allahun, ai nuk është besimtar’. E pyetën Profetin e Shenjtë s.a.v.s.: ‘Kush nuk është besimtar, o i Dërguari i Allahut?’ ‘Ai, fqinjët e të cilit nuk janë të sigurt nga sherri i tij’ – u përgjigj Profeti i shenjtë s.a.v.s.”.
[Sahih el-Buhari, kitab “El-Edeb”, bab “Ithmi men la je’menu xharuhu beveikahu”, hadithi nr. 6016]