Namazi dhe kushtet e tij
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
xhamia merjeme

Para faljes së një namazi merret abdesi

namaziNjë herë Hazret Othman ibn Affani r.a. kërkoi ujë (për të marrë abdest). Ai së pari i lau tri herë duart e tij e pastaj me dorën e djathtë futi pak ujë në gojë dhe e shpërlau atë. Më pas e pastroi hundën dhe e lau tri herë fytyrën. Mandej i lau tri herë krahët deri te bërrylat dhe pas kësaj i përshkoi duart e lagëta nëpër kokë. Pastaj i lau tri herë këmbët deri te nyjat. Pasi mori abdest tha:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë se kush merr abdes në këtë mënyrë, si mora unë dhe fal dy rekate namaz me përqendrim dhe me përulësi, do t’i falen mëkatet e tij të mëparshme”.

[Sahih el-Buhari, kitab “El-Vudui”, bab “El-Vudui thelathen thelathen”, hadithi nr. 159]

Abdesi dhe namazi janë faktorë që shlyejnë gabimet

namaziHazret Ebu Hurejre r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“‘A mos t’ju tregoj diçka me anën e së cilës, Allahu do t’i shlyejë gabimet tuaja dhe do t’i ngrejë gradat tuaja’? ‘Tregona, o i Dërguar i Allahut!’ thanë ata. Profeti i shenjtë s.a.v.s. tha: ‘Të merrni abdes sado që nuk ju pëlqen, të shkoni në xhami edhe nëse e keni larg dhe pas namazit ta prisni namazin tjetër. Këto janë si rojët në kufi, këto janë si rojët në kufi’”.

[Sahih el-Muslim, kitab “Et-Tahareh”, bab “Fadli isbagil-vudui alel-mekarihi”, hadithi nr. 485]

Namazi sipas Profetit të shenjtë s.a.v.s.

namaziHazret Ajshja r.a. rrëfen:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e fillonte namazin me “Tekbir” (Allahu Ekber – Allahu është më i madhi). Pas kësaj ai recitonte El-hamdu lil-lahi rabbil-alemin… Kur bënte ruku (përkulej) nuk e mbante kokën lart e as poshtë, por e mbante në mes.[1] Kur ngrihej nga rukuja, drejtohej plotësisht e pastaj shkonte në sexhde. E kur e çonte kokën lart nga sexhdeja, ulej drejt, pastaj e bënte sexhden e dytë. Pas çdo dy rekateve, qëndronte ulur për të recituar “Et-Tehijatin”. Në këtë pozitë ai e mbante drejt shputën e këmbës së djathtë (vertikalisht), kurse atë të këmbës së majtë e shtrinte. Ai e ndaloi që njeriu të ulet mbi nyjat e këmbëve si shejtani dhe t’i shtrijë bërrylat në sexhde si qeni. Ai e mbaronte namazin duke thënë: ‘es-selamu alejkum’, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ju!”.

[Musned Ahmed ibn Hanbel, hadithi nr. 25617]

[1] Drejtë në nivel të shpinës.

Namazi duhet të falet në kohën e caktuar

namaziHazret Abdullah ibn Mesudi r.a. rrëfen:

E pyeta Profetin e shenjtë s.a.v.s. se cila vepër është më e dashur te Allahu xh.sh.. Profeti i shenjtë s.a.v.s. u përgjigj: ‘Falja e namazit në kohën e caktuar’. Pastaj unë e pyeta: ‘E pas kësaj?’ ‘Sjellja e mirë ndaj prindërve’, tha ai. Unë e pyeta: ‘E pas kësaj?’ ‘Xhihadi në rrugën e Allahut’ u përgjigj ai”.

[Sahih el-Buhari, kitab “El-Xhihad ves-sijer”, bab “Fadlul-xhihad ves-sijer”, hadithi nr. 2782]

Mosha e preferuar e fëmijëve për namaz

namaziHazret Amr ibn Shuajbi r.a. ka dëgjuar prej babait të tij, i cili kishte dëgjuar prej të atit të tij, se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

Urdhëroni fëmijët tuaj që ta falin namazin kur janë në moshën shtatë vjeçare ndërsa kur arrijnë moshën dhjetë vjeçare bëhuni më të rreptë ndaj tyre në çështjen e namazit, dhe ndajini shtretërit e tyre (që të flenë veçmas)”.

[Sunan Ebu Davud, kitab “Es-Salat”, bab “Meta ju’merul-ghulamu bis-salat”, hadithi nr. 495]

Lutjet e Profetit të shenjtë s.a.v.s. në xhami

namaziHazret Fatimja r.a. rrëfen:

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. hynte në xhami, e recitonte këtë lutje: ‘Në emër të Allahut, paqja qoftë mbi të Dërguarin e Allahut! O Allah, falmi mëkatet e mia dhe hapmi dyert e mëshirës Sate’. Dhe kur dilte nga xhamia, e recitonte këtë lutje: ‘Në emër të Allahut, paqja qoftë mbi të Dërguarin e Allahut! O Allah, falmi mëkatet e mia dhe hapmi dyert e mirësisë Sate’”.

[Musned Ahmed ibn Hanbel, hadithi nr. 26417]

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp