Mesazhi i Kalifit në këtë kohë të jashtëzakonshme
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Pas recitimit të teshehudit, ta’avuzit dhe besmalasë, Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) tha:

Këto ditë, për shkak të përhapjes së pandemisë së virusit, qeveria britanike si dhe qeveritë e tjera në mjaft vende të botës, kanë ndërmarrë masat emergjente dhe sanksionet dhe për këtë arsye nuk mund të zhvillohet më namazi me xhemat në xhami, ose mund të zhvillohet me një numër të kufizuar prej dy apo disa pjesëtarë, që i përkasin së njëjtës familje. Ky ligj mbetet akoma i paqartë dhe çdokush e interpreton ndryshe. Sipas disave, në këtë kohë namazi me xhemat mund të zhvillohet vetëm nëse besimtarët kanë lidhje të ngushta farefisnore, ndërsa të tjerët janë të mendimit se në këtë kategori hyjnë edhe miq apo fqinjë. Megjithatë, në këto rrethana kur situata nuk është qartësuar zyrtarisht dhe disa çështje ende kërkojnë shpjegim, ne nuk mund të zhvillojmë namazin e së xhumasë, ndërkohë mjaft aspekte janë akoma të paqarta lidhur me namazin e së xhumasë. Për këtë arsye, sot pas këshillimit kam vendosur t’ju drejtohem nga zyra përmes një video-mesazhi dhe që të mos zhvillohet namazi i së xhumasë.

Përcjellja e hutbes së Kalifit të kohës nëpërmjet MTA-së tashmë u është bërë shprehi a zakon anëtarëve të xhematit. Nëse nuk do t’u drejtohesha sot anëtarëve të Xhematit, jo vetëm se kjo do t’u ngjallte pesimizëm por edhe spekulime të ndryshme. Andaj, mendova se është e udhës t’i drejtohem xhematit në çfarëdolloj mënyre dhe kështu u zgjodh kjo mënyrë për t’ju përcjell një mesazh nga ambienti i zyrës.

Siç kam thënë më lartë, nuk do të zhvillohet sot namazi i së xhumasë. Çfarë metodash do të ndiqen në të ardhmen, do t’ju njoftojmë inshaAllah së shpejti, përderisa nuk mund të pezullojmë xhumanë për një periudhë të gjatë. Lidhja ime me xhematin është e domosdoshme dhe kjo domosdoshmëri shtohet akoma në rrethanat e sotme. Andaj, ne do të arrijmë një zgjidhje pas konsultimit me juristët dhe ekspertët e fushës.

Dua t’u bëj thirrje anëtarëve të xhematit që nëse për shkak të pandemisë, shteti i tyre ka vendosur masat kufizuese në lëvizje për të ardhur në xhami, ata duhet të organizojnë namaze të përditshme si dhe namazin e të xhumasë me xhemat nëpër shtëpitë e tyre. P.sh. këtu në Angli, besimtarët mund të vijnë në xhami dhe mund të falen individualisht, apo pjesëtarët e një familjeje mund të falen në xhemat, megjithatë ata duhet të respektojnë një distancë midis tyre dhe duhet t’i shmangen kontaktit fizik. Pra, në këto kushte, është e pamundur të zhvillohen namaze me xhemat, për të gjithë besimtarët në përgjithësi, ashtu siç duhet. Prandaj, përveç namazeve të përditshme, anëtarët e shtëpisë të falin edhe namazin e së xhumasë në shtëpi. Ata mund të marrin ndonjë pjesë nga “Melfuzat” ose nga librat e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., ose nga librat e tjerë të Xhematit, ose nga gazeta Al-Fazal” ose nga gazeta Al-Hakam, ose nga ndonjë gazetë tjetër për të lexuar si hutbe. Këtë mund të bëjë ndonjë mashkull i rritur nga anëtarët e shtëpisë. Ai mund të drejtojë edhe namazin e së xhumasë, edhe namazet e tjera. Sidoqoftë, xhumatë nuk mund t’i lëmë pa i falur për një kohë të gjatë.

Kur njerëzit do të zhvillojnë namazin e së xhumasë në shtëpi, ata do të bëjnë përgatitje për të. Kur do të studiojnë rregullisht, do t’u shtohet dija dhe në këtë mënyrë qëndrimi në shtëpi për shkak të masave kufizuese të shtetit, do të bëhet shkas për të shtuar dobitë fetare, shpirtërore dhe intelektuale.

Këto ditë gazeta el-Hakam ka nisur një rubrikë, përmes së cilës publikon komentet e lexuesve se si kalojnë ata kohën e tyre në shtëpi në këtë periudhë të izolimit social. Shumica kanë shkruar që ata po shtojnë njohurinë e tyre duke studiuar Kuranin, hadithin, shkrimet e Mesihut të Premtuar a.s. dhe literaturën e xhematit. Komente të ngjashme vihen re edhe në portale jofetare, ku njerëzit po shprehen se kanë gjetur shans për të përmirësuar lidhjen familjare dhe u është rikthyer jeta familjare.

Prandaj, edhe ne duhet ta kalojmë këtë kohë duke përmirësuar jetën tonë familjare dhe duke edukuar fëmijët tanë. MTA-ja gjithashtu transmeton programe mjaft interesante, andaj duhet të kushtojmë pak kohë për të ndjekur bashkë MTA-në. Siç kam thënë më parë, ju gjithashtu duhet t’u përmbaheni plotësisht udhëzimeve të shtetit që synojnë mbrojtjen dhe mirëqenien tuaj. Por, siç kam theksuar në hutbet e mia, më shumë se çdo gjëje tjetër, duhet t’u përkushtoheni lutjeve. Ne mund të tërheqim mirësitë e Allahut vetëm me anë të lutjeve, dhe mund të forcojmë gjendjen tonë shpirtërore e fizike. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. na ka porositur këtë vazhdimisht dhe veçanërisht për kohëra të tilla që gjëja më e rëndësishme është t’i kërkojmë falje Allahut për gabimet tona, të pastrojmë zemrën dhe të angazhohemi në vepra të mira. Allahu i Madhërishëm na ka dhënë një armë të fuqishme të lutjes, prandaj duhet t’i kushtojmë vëmendje dhe të bëjmë çdo përpjekje për të hyrë në mbrojtjen e Allahut.

Për sa u përket lënies së namazit të së xhumasë si dhe namazeve të përditshme me xhemat në rrethana të jashtëzakonshme, ka mjaft hadithe që na sqarojnë këtë çështje.

P.sh. në Buhari përmendet një hadith, sipas të cilit Hazret Ibn Abasi r.a. kishte porositur muezinin në një ditë me shi, që pas fjalëve “Esh-hedu an-la ilahe il-lallah” “Esh-hedu enne Muhammader-rasulullah” të mos thoshte “Hajje Ales-Salah” por të thoshte fjalët “Sal-lu fi bujutikum” (Falni namazin në shtëpitë tuaja). Njerëzit u çuditëm kur i dëgjuan këto fjalë. Hazret Ibn Abasi r.a. u tha: “Ashtu ka vepruar ai që është më i mirë se unë (d.m.th. i Dërguari i Allahut s.a.v.s.). Ndonëse falja e së xhumasë është një obligim, por nuk dua t’ju mundoj të vini duke kaluar në baltë dhe shi të rrëmbyer”.

Ky hadith përmendet edhe në Muslim me disa fjalë të ndryshme. Hazret Ibn Abasi r.a. transmeton se ai i tha muezinit në një ditë me shi “Kur të kesh recituar fjalët Esh-hedu an-la ilahe il-lallah (dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut) dhe Esh-hedu enne Muhammeder-Resulullah (dëshmoj se Muhammedi është i Dërguari i Allahut), mos thuaj fjalët “Hajje ales-Salah” (ejani drejt namazit) por thuaj “Sal-lu fi bujutikum” (Falni namazin në shtëpitë tuaja!). Njerëzit u çuditën dhe e konsideruan një risi. Hazret Ibn Abasi r.a. u tha: Përse po çuditeni? Ashtu kishte praktikuar zotëria, i cili ishte më i mirë se unë. Ndonëse falja e së xhumasë është një detyrë e obligueshme, por nuk dëshiroj t’ju nxis për të dalë në baltë rrëshqitëse.

Imam Neveviu në komentimin e këtij hadithi ka shkruar që në të këtë hadith gjendet argument se namazi i së xhumasë mund të pezullohet, nëse bie shi, dhe ky është gjithashtu besimi ynë dhe i shumë fikhologëve të tjerë. Por Imam Maliku nuk pajtohet me këtë qëndrim. Allahu e di më së miri.

Përveç kësaj, fikhologët kanë përmendur që një ndër arsyet, në të cilat njeriut i lejohet të mos paraqitet në namazet me xhemat si dhe në namazin e të xhumasë në xhami, është dhe sëmundja me të cilën bëhet e pamundur shkuarja në xhami. Argumenti i kësaj dispozite bazohet në ajetin kuranor se “Allahu nuk ka lënë asnjë shtrëngim për ju në çështjen e fesë”. (Kurani Famëlartë 22:79)

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu u bazua në këtë leje dhe gjatë kohës që ishte i sëmurë, ndërpreu vajtjen në xhami dhe e porositi Ebu Bekrin r.a. për të udhëhequr besimtarët në namaz. Imam Buhariu dhe Imam Muslimi të dy kanë shënuar këtë hadith në sahihun e tyre. Kjo leje përfshin edhe atë, i cili ka frikë të preket nga ndonjë sëmundje ngjitëse dhe argumenti i kësaj dispozite është transmetimi i Ibn Abasit në të cilin i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka përcaktuar lejen si frikë apo sëmundje. Ky hadith gjendet në Sunen Ebu Davud.

Sidoqoftë, për shkak të kësaj pandemie, për të cilën ka frikë se do të përhapet, shteti ka miratuar disa rregulla të rreja, dhe ne jemi të obliguar t’u përmbahemi ligjeve të vendit. Në këto rrethana është e vështirë të mblidhemi në një vend apo të falim namazin e së xhumasë si dhe namaze të përditshme me xhemat. Por siç kam thënë, në këtë situatë praktikoni namazin me xhemat në shtëpi. Kjo do të bëjë që fëmijët do të kuptojnë rëndësinë e namazit, të namazit me xhemat. Ju duhet të kushtoni vëmendje të veçantë që gjatë këtyre ditëve kur ne nuk mund të shkojmë dot në xhami, është e rëndësishme të përmbushim këto obligime në ambientin e shtëpive tona. Disa herë edhe Hazret Mesihu i Premtuar a.s pati raste të tilla gjatë udhëtimeve, kur ai nuk e fali dot xhumanë.

Ka shumë rrëfime në fenë Islame që tregojnë se gjatë pandemisë njerëzit nuk duhet të mblidhen dhe të jenë të izoluar. Ne nuk e lëshojmë xhumanë përgjithmonë, madje po e zëvendësojmë me faljen e së xhumasë në shtëpi. Edhe unë do të bëj diçka për të falur xhumanë personalisht.”

Është e rëndësishme tani të lutemi që Allahu i Madhërishëm të shfaqë mirësinë e Tij dhe të pastrojë botën sa më shpejtë nga kjo pandemi. Allahu e mundësoftë botën të përmbushë nevojat e njerëzisë dhe të njohë Zotin e Madhërishëm. Allahu na mundësoftë të gjithë ne për ta realizuar këtë!

Es-selamu alejkum va rahmatullah va brakatuhu (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ju të gjithë)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp