Martesa, shtylla kryesore e familjes

Martesa ka katër arsye kryesore
Hazret Ebu Hurejre r.a. rrëfen se Profeti i shenjtë s.a.v.s. ka thënë:
“Njeriu zakonisht martohet me ndonjë grua për katër arsye: për shkak të pasurisë së saj, të familjes së saj, të bukurisë së saj dhe për shkak të besimit të saj. Ti duhet t’i japësh përparësi besimit. Qofsh i lumtur!”.
[Sahih el-Buhari, kitab “En-Nikah”, bab “El-Ekfai fid-dini”, hadithi nr. 5090]
Martesa dhe ftesa për mysafirët
Hazret Ebu Hurejre r.a. rrëfen se Profeti i shenjtë s.a.v.s. thoshte:
“Gostia më e keqe në një dasmë është ajo në të cilën ftohen pasanikët dhe nuk ftohen të varfërit. Ai që e refuzon ftesën për dasmë, është i padëgjueshëm ndaj Allahut dhe ndaj Profetit të Tij”.
[Sahih el-Muslim, kitab “En-Nikah”, bab “El-Emri bi’ixhabetid-da’i ila da’vetin”, hadithi nr. 3376]
Martesa dhe shkurorëzimi
Hazret Ibn Omeri r.a. rrëfen se Profeti i shenjtë s.a.v.s. ka thënë:
“Gjëja më e papëlqyeshme në sy të Allahut xh.sh., prej gjërave të lejueshme, është divorci”.
[Sunan Ebu Davud, kitab “Et-Talak”, bab “Fi kerahijetit-talak”, hadithi nr. 2178]
Martesa dhe harmonia familjare
Hazret Ajshja r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:
“Më i miri prej jush është ai, i cili sillet më së miri ndaj familjes së vet; dhe unë jam më i miri prej atyre, të cilët sillen mirë ndaj familjeve të tyre”.
[Xhamiu et-Tirmidhi, kitab “El-Menakib”, hadithi nr. 4269]