Dashuria ndaj Allahut të Madhërishëm
Dashuria nga Allahut sipas fjalëve të Hazreti Davudit a.s.
Hazret Ebu Derda r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka treguar se Hazret Davudi a.s. e luste Zotin xh.sh. me këto fjalë:
“O Zoti im! Kërkoj prej teje dashurinë Tënde dhe dashurinë e atij, i cili të do Ty dhe dashurinë e asaj vepre që ma mundëson dashurinë Tënde. O Zoti im! Bëje dashurinë Tënde më të dashur për mua se jetën time, se familjen time dhe më të dashur se ujin e ftohtë”.
[Xhamiu et-Tirmidhi, kitab “Ed-Da’vatu an resulullahi s.a.v.s.”, hadithi nr. 3490]
Dashuria ndaj Allahut është pjesë e besimit
Hazret Enesi r.a. rrëfen se Profeti i shenjtë s.a.v.s. ka thënë:
“Janë tri cilësi, të cilat ia mundësojnë atij që i ka, ta shijojë ëmbëlsinë e vërtetë të besimit. Ato janë: që Allahu dhe Profeti i Tij të jenë tek ai më të dashur se çdo gjë; që ai ta dojë dikë vetëm për hir të Allahut; dhe pasi që Allahu e ka shpëtuar nga mosbesimi, urren të kthehet prapë në të më shumë se sa urren të hidhet në zjarr”.
[Sahih el-Buhari, kitab “El-Iman”, bab “Halavetil-imani”, hadithi nr. 16]
Dashuria ndaj Allahut ndërmjet frikës dhe shpresës
Hazret Ebu Hurejre r.a. rrëfen se Profeti i shenjtë s.a.v.s ka thënë:
“Po ta dinte besimtari se sa i rreptë është ndëshkimi i Allahu, ai do t’i humbte të gjitha shpresat për ta fituar Xhenetin. Dhe pot a dinte mosbesimtari se sa e pakufishme është mëshira e Allahut, ai kurrë nuk do t’i humbiste shpresat për ta fituar Xhenetin”.
[Sahih el-Muslim, Kitab “Et-Tevbe”, bab “Fi seati rahmetil-lahi teala…”, hadithi nr. 6636]
Dashuria ndaj Allahut sipas mendimit njerëzor
Hazret Vathila r.a. rrëfen se Profeti i shenjtë s.a.v.s. ka thënë se Allahu xh.sh. thotë:
“Unë sillem me robin Tim ashtu siç mendon ai për Mua. Pra, le të mendojë për Mua siç dëshiron ai”.
[Musned Darimi, bab “Husnudh-dhan-ni”, hadithi nr. 2615]
Dashuria ndaj Allahut përfitohet duke iu afruar Atij
Hazret Ebu Hurejre r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:
“Allahu xh.sh. thotë se Unë sillem me robin Tim sipas mendimit që ai ka për Mua dhe Unë jam me të kur ai më përkujton Mua. Pasha Allahun! Allahu gëzohet nga pendimi i robit të Vet më shumë se ai, i cili papritmas e gjen devenë e tij, të cilën e kishte humbur në shkretëtirë. Allahu thotë: ‘Kur dikush Më afrohet Mua një pëllëmbë, Unë i afrohem atij në krah; dhe kur ai më afrohet Mua një krah, Unë i afrohem atij dy krahë; dhe kur ai vjen nga Unë duke ecur; Unë i afrohem atij duke vrapuar”.
[Sahih el-Muslim, Kitab “Et-Tevbe”, bab “Fi had-di alet-tevbe”, hadithi nr. 6610]
Dashuria ndaj Allahut dhe frikërespekti
Hazret Ebu Hurejre r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë se Allahu xh.sh. thotë:
“Ishte një herë një njeri i cili kishte bërë shumë mëkate kundër vetes së tij. Kur iu afrou vdekja, ai u tha bijve të tij: ‘Kur të vdes digjeni trupin tim, e pasi të jem bërë hi e pluhur, merreni pluhurin tim, shkoni në det dhe hidheni atë në erë. Pasha Allahun! Unë kam frikë se nëse Allahu më shtie në dorë, do të më dënojë me një dënim që nuk e ka dënuar askënd më parë. Atëherë Profeti i shenjtë s.a.v.s. tha: Bijtë e tij bënë siç u kishte thënë i ati. Por, Allahu xh.sh. e urdhëroi tokën: ‘Ktheje atë që ke marrë ti’. Pra, njeriu u ngrit. Allahu e pyeti: ‘Çfarë të shtyri të bëje ashtu’? Ai u përgjigj: ‘Frika nga ndëshkimi Yt, o Zoti im’. Kështu Allahu e fali Atë”.
[Sunan Ibn Maxheh, kitab “Ez-Zuhd”, hadithi nr. 4396]