10 njerëz që nuk mund ta fitojnë dashurinë e Zotit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

10 njerëz që nuk mund ta fitojnë dashurinë e Zotit

Teolog, gjuhëtar dhe përkthyes

Kush nuk do që Zoti ta dojë atë?! Të gjithë ne duam që ne të jemi të dashur të Zotit. Por për ta pasur dashurinë e Zotit, më së pari duhet të përpiqemi të mos jemi nga ata, për të cilët Zoti e ka shpallur duke thënë – Nuk i dua.

Kur Zoti i Madhërishëm thotë – Nuk e dua filanin ose nuk e dua një njeri që ka këto këto veti, do të thotë qartazi që një njeri i tillë nuk mund ta fitojë dashurinë e Zotit, sado të pretendojë ai për këtë gjë.

Dashuria për Zotin është e ndërsjellë. Pra nëse robi hedh një hap drejt dashurisë së Zotit, Zoti hedh dy hapa drejt robit. Prandaj, derisa Zoti Vetë thotë – Nuk e dua filanin, do të thotë se ky filan, nuk ka hedhur asnjë hap të saktë në drejtim të Zotit.

Në këtë video do t’ju tregoj për 10 lloje njerëzish, të cilët Kurani i Shenjtë na tregon se Zoti i Madhërishëm nuk i do. Ose me fjalë të tjera, këta dhjetë lloje njerëzish nuk mund ta duan Allahun e Madhërishëm.

1) Mendjemadhi, 2) Mburraveci

Allahu i Madhërishëm në Kuranin e Shenjtë thotë:

ان اللہ لا یحب من کان مختالا فخورا

“Allahu nuk do asnjë mendjemadh (dhe) mburravec.”[1]

Dihet që këta të dy nuk mund ta duan Zotin, madje këta nuk mund të kenë dashuri të vërtetë as për njerëzit. Sepse mendjemadhi nuk e merr parasysh madhështinë e Zotit, nuk përulet para Tij, andaj as nuk mund të ketë dashuri për Të.

Dashuria lind ose duke parë bukurinë, ose duke parë mirësinë. Mburraveci e kujton veten shumë të lartë dhe të sigurt nga çdo vështirësi, atëherë si mund të shohë ai qoftë bukurinë, qoftë mirësinë e Allahut?! Prandaj, edhe mburravecin nuk e do Zoti dhe as ai nuk ka kapacitet të dojë Zotin.

3) Ata që e teprojnë

Zoti i Madhërishëm thotë:

ان اللہ لا یحب المعتدین

“Allahu nuk i do ata që e teprojnë”.[2]

Realisht, edhe një njeri i tillë, pra që e kalon masën, nuk ka brumin e duhur ta ketë dashurinë e Zotit në zemrën e tij, sepse ai i kalon kufijtë për të kërkuar kënaqësitë dhe të drejtat e tij.

Për shembull, dikush zemërohet mbi tjetrin dhe e qëllon me shpullë. Ky veprim është i padrejtë dhe për këtë ai duhet të dënohet. Por për ta dënuar atë, ne maksimumi e thërrasim, i bërtasim, e gjobisim e qortojmë – Pse i re me shpullë tjetrit!, dhe kaq.

Por ai që tenton ta teprojë dhe ta kalojë masën në punët e tij, nuk qetësohet dot me kaq. Ai do që ta vrasë fare fajtorin e tij, sepse thotë  – Ç’ndëshkim është ky! Pra, njerëzit e tillë do të duan ta asgjësojnë fare fajtorin e tyre, më pas ndoshta do të duan t’ia shkruajnë fajin edhe në epitafin e varrit të tij, më pas ndoshta do të duan që edhe Zoti ta flakë atë në xhehenem. Këta njerëz nuk e marrin parasysh se Zoti është shumë Mëshirëbërës dhe shumë Falës. Andaj, edhe për këta, Zoti thotë: Unë nuk i dua ata që e teprojnë.

4) Tradhtari

Në Kuranin e Shenjtë Allahu thotë:

ان اللہ لا یحبّ من کان خوانا اثیما

Pa dyshim, Allahu nuk do asnjë mëkatar tradhtar.[3]

Dashuri do të thotë të rregullosh marrëdhënie me dikë. Në dashuri nuk durohet qoftë një tradhti e vogël, jo më tradhti e mirëfilltë. Andaj, nuk mund të kesh dashuri për tradhtarin. Sepse tradhtari nuk ka kapacitet ta mbajë lidhjen. Prandaj, të mendosh se ai ka dashuri për Allahun, ose Allahu do ta dojë atë, është jashtë logjikës.

5) Mëkatari i madh

Fjala ethim që është përdorur në këtë ajet, do të thotë ai që anon shumë te mëkatet. Edhe këtë nuk e do Zoti. Ethim është ai që i është bërë ves mëkati dhe shkelja e ligjit. Një njeri i tillë shkel edhe ligjet e botës, edhe ligjet e Zotit. Ai që mendon se çfarë të keqe ka nëse e kam shkelur këtë ose atë ligj, ai mund t’i shkelë të gjitha ligjet, edhe të botës, edhe të Zotit.

6) Ai që kënaqet vetëm me aspektin material

Allahu i Madhërishëm në një ajet tjetër thotë:

ان اللہ لا یحب الفرحین

“Allahu nuk i do ata që bien në vetëkënaqësi”.[4]

Fjala ferih që është në arabisht do të thotë ai që kënaqet me gjëra të vogla, pra, ai që kënaqësinë e përkohshme e kujton si gjithçka që duhet arritur. Por atë që kënaqet me gjëra të vogla, si mund ta konsiderojë Allahu të denjë për dashurinë e Tij?!

Ferih është ai që thotë – Iu luta Zotit, ai më bëri inxhinier! – Bëra tregti dhe Zoti më solli këtë fitim!, dhe mbetet me kaq, sepse vetëm deri këtu ishte kërkimi i tij. Ose disa të tjerë që shkojnë edhe më tej. Mbajnë Kuranin e Shenjtë në dollap që të kenë fat në jetë, në shtëpi apo në punë, por ndoshta asnjëherë nuk e studiojnë, sepse nuk mendojnë se Kurani më shumë flet për mbarësinë shpirtërore sesa për begatitë tokësore. Në Shqipëri kam parë në disa vende, ku në njërin dollap mbanin Kuranin, dhe në tjetrin pijet alkoolike.

E si mund ta duan ata Allahun e Madhërishëm?!

Është e vërtetë që edhe suksese të vogla vijnë me bekimin e Zotit dhe, edhe kjo është e vërtetë që ne duhet ta falënderojmë Allahun për çdo bekim që Ai na dhuron dhe për çdo gëzim që na sjell. Por ajo që nuk duhet është që njeriu të mjaftohet vetëm me gjëra të vogla dhe të mos dëshirojë suksese të mëdha. Njeriu duhet të ëndërrojë qiellin dhe yjet e tij. Ai duhet të ketë vullnet dhe kurajë kaq të lartë, saqë çdo synim që arrin, t’i duket poshtë destinacionit të tij final.

Pa dyshim që besimtari thotë el-hamdulil-lah çdo herë kur Allahu i bën ndonjë mirësi, por njëkohësisht ai nuk duhet të stepet, përkundrazi duhet të vijojë rrugëtimin e tij për bekime të tjera. Më pas, Zoti i dhuron edhe një bekim tjetër, atëherë ai duhet t’i thotë:

– O Zot, të falënderoj që ma dhe këtë, por unë Të dua edhe Ty, dhe se këto gjëra të vogla nuk janë destinacioni im.

Në këtë mënyrë, hap pas hapi, ai e gjen Zotin. Kurse ai që është i vetëkënaqur, ose i kënaqur vetëm me gjërat materiale, nuk e gëzon dot dashurinë e Zotit.

7) Ngatërrestarët

Allahu i Madhërishëm në Kuranin e Shenjtë thotë:

ان اللہ لا یحب المفسدین۔

Allahu nuk i do ngatërrestarët.[5]

Është shumë e thjeshtë: Zoti është Krijuesi i të gjitha krijesave. Kur një njeri tenton të krijojë ngatërresa mes njerëzve, pra mes krijesave të Zotit, si mundet që Zoti, pra Krijuesi i tyre ta dojë atë?! Askush nuk do të dojë të ruajë afrimitet me atë që ia trazon fëmijën. Ngjashëm me këtë, përderisa të gjithë njerëzit janë krijesat e Allahut, Allahu kurrsesi nuk mund ta dojë atë, i cili krijon ngatërresa, dhe bën ndasi dhe çrregullime mes njerëzve.

Pra, ai që është dashakeq i njerëzve, nuk mund ta fitojë dashurinë e Allahut, dhe ai as nuk mund të ushqejë dashurinë e vërtetë të Allahut në zemrën e tij.

8) Mosmirënjohësi

Mosmirënjohësi nuk mund të ketë dashurinë e Allahut dhe as Allahu nuk e do atë. Njëra prej mjeteve për të arritur dashurinë është mirësia. Kurse ai që nuk e dallon dot mirësinë, është mosmirënjohës, dhe si i tillë, e ka mbyllur derën kryesore të dashurisë së Allahut. Prandaj, Allahu thotë në Kuran:

ان اللہ لا یحب کل خوان کفور

“Allahu nuk do asnjë të pandershëm, mosmirënjohës.”[6]

Për tradhtarin, pra të pandershmin, e thamë më sipër. Kurse mosmirënjohës është ai që pavarësisht se i ka përpara bekimet dhe mirësitë e Allahut, por nuk i lind në zemër ndjenja për ta felënderuar Zotin. Ai gjithmonë thotë – Mjerë unë, nuk kam asgjë! E çfarë mund t’i jepet një njeriu të tillë?! Edhe nëse Allahu do ta dojë një të tillë, ai prapë do të thotë – Nuk kam marrë asgjë.

Profeti s.a.v.s. gjithashtu thotë:

“Ai që nuk i falënderon njerëzit, nuk e falënderon as Allahun.”

9) Ekstravagantët

Zoti thotë në Kuran:

انہ لا یحب المسرفین

“Allahu nuk i do ekstravagantët.”[7]

Sepse ekstravaganti i jep përparësi kënaqësisë së vet mbi kënaqësinë dhe rehatinë e tjetrit. Ai që nuk dëshiron të shpenzojë për robërit e Allahut, kurse për veten e tij shpenzon në mënyrë ekstravagante, kush mund ta dojë atë?!

10) Zullumqarët dhe të padrejtët

Zoti thotë në Kuran:

واللہ لا یحب الظالمین

“Allahu nuk i do zullumqarët dhe të padrejtët”.[8]

Zullumi dhe dashuria nuk mund të bashkohen. Ai që bën mizori ndaj dikujt, në fakt, e do vetveten mbi gjithçka tjetër. Një i tillë në të vërtetë nuk mund të ketë dashurinë për tjetrin.

Gjithashtu, është tërësisht e pavërtetë që një njeri të bëjë padrejtësi ndaj njerëzve të tjerë, dhe më pas  Allahu ta dojë atë. Dashuria është një ndjenjë që kërkon butësinë, kurse mizoria e padrejtësia vrazhdësinë. Dashuria të thotë –  Sakrifiko gjërat e tua! Kurse padrejtësia të thotë – Sakrifiko gjërat e të tjerëve! Prandaj, këto janë dy ndjenja të kundërta. As i padrejti nuk mund ta dojë Zotin, dhe as Zoti nuk e do të padrejtin.

Këtë temë jua solla nga një libër i mrekullueshëm i Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedit, Kalifit të Dytë të Xhematit Musliman Ahmedia, i titulluar në urdu “Teal-luk bil-lah” d.m.th. “Lidhja me Allahun”. Kemi disa libra dhe materiale të përkthyera në shqip nga ky autor i madh. Linkun e gjeni në përshkrimin e videos.

Pasi i rendit këto 10 lloje njerëzish, të cilët nuk mund ta ushqejnë dot dashurinë për Zotin, autori pohon:

Këto janë 10 lloje vesesh ose ligësish që, sipas Kuranit të Shenjtë, nëse një njëri i ka të gjitha ose qoftë një prej tyre, ai është i padenjë të dashurohet me Zotin e Madhërishëm dhe as Zoti nuk e do atë. Por mos harroni. Nuk do të thotë se një njeri që nuk i ka këto vese, e do patjetër Zotin, por do të thotë se ai që është i pastër nga këto vese ka aftësi për të gjetur dashurinë e Zotit.

Po ju si e ndieni dashurinë e Zotit, shkruani në komente ose mund të na shkruani në whatsapp në numrin që shikoni në ekran. Dhe unë, inshaAllah, do t’ju sjell një video tjetër me kuptime të Kuranit të Shenjtë. Faleminderit për vëmendjen.


[1] Kurani i Shenjtë 31:19 dhe 57:24.
[2] Kurani i Shenjtë 2:191; 5:88; 7:56.
[3] Kurani i Shenjtë 4:108.
[4] Kurani i Shenjtë 28:77.
[5] Kurani i Shenjtë 28:78.
[6] Kurani i Shenjtë 22:39.
[7] Kurani i Shenjtë 7:32.
[8] Kurani i Shenjtë 3:141.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp