
Ju kam treguar më herët që njohja e Zotit do të thotë ta gjesh Zotin, atributet e të Cilit janë përmendur në Kuranin Famëlartë. Tani duhet t’i dimë mjetet dhe rrugët për ta arritur Atë. Duhet të keni parasysh se nëse gjetja e Tij do të thotë që njeriu ta ketë Zotin pranë e ta prekë me gjymtyrët fizike si sendet e tjera, atëherë për këtë duhet që edhe njeriu të jetë i pajisur me ato atribute që ka Zoti. Sepse vërejmë se trupi ynë mund të prekë vetëm ato gjëra, që gjithashtu përbëjnë trup. Sa më e patrajtë të bëhet ndonjë gjë, aq më pak ajo ndihet nga njeriu. Kjo tregon se derisa dy sende nuk kanë gjëra të përbashkëta, ato nuk mund kenë lidhje me njëra-tjetrën. Për shembull, lopa s’ka lidhje me dijen, kështu që ajo asgjë nuk merr vesh nëse ia tregon shkencat e njeriut. Në të njëjtën mënyrë papagalli edhe pse ka gjuhën, i mungon intelekti, prandaj, ai mund të flasë duke aktruar por s’mund të kuptojë.
Krijoni ngjashmëri me Zotin
Kjo tregon që për ta njohur Zotin duhet të kemi përbashkësi dhe ngjashmëri me Zotin. Ne mund ta njohim Atë vetëm kur t’i përngjajmë Atij e t’i kemi atributet e Tij. Nuk them se derisa qenia jonë të mos jetë si ajo e Zotit, ne nuk mund ta njohim Atë. Them atë që tha edhe i Dërguari i Allahutsa:
“Pajisuni me moralet dhe atributet e Zotit!”