
Hazret Profeti Muhammedsa e tha këtë pikërisht për arsye që ju të fitoni ngjashmëri me Zotin, pas së cilës ju mund ta shihni Atë. Profetisa nuk tha bëhuni si Zot, por ai tha “Krijoni atributet dhe moralet e Tij në veten tuaj”, sepse realisht askush nuk mund ta kuptojë tërësisht qenien e Zotit, rrjedhimisht nuk mund të bëhet si Ai. Pra, njeriu nuk mund ta shohë Zotin si gjërat e tjera, por ai mund t’i kapë atributet e Tij që ka njohur. Në këtë kuptim ai edhe mund ta shohë Zotin. Prandaj, Hazret Profeti Muhammedsa na ka tërhequr vëmendjen që ne të krijojmë moralet e Tij në veten tonë, që do të thotë t’i krijojmë atributet e Tij brenda vetes sonë.
Kur përmenda atributet, m’u kujtua një ëndërr e një mikut tim, i cili kishte parë që në Xhelsa Salanën unë po mbaja fjalimin mbi atributet e Zotit. Ndaj, ai më këshilloi që fjalimin ta mbaja pikërisht për atë temë. Kur ai e kishte parë ëndrrën, deri atëherë e kisha përcaktuar temën e fjalimit. Por kur fola për atributet e Zotit m’u kujtua edhe ëndrra e tij.
Pra, për ta njohur Zotin është e nevojshme t’i krijojmë atributet e Zotit brenda vetes sonë. Në një farë mënyre, për sa kohë njeriu nuk bëhet krijues (rrab), i gjithëmëshirshëm (rrahman), mëshirëplotë (rrahim), dhënës i sigurisë (muhaimin), mbulues i gabimeve (sat-tar), mëkatfalës (gaf-far), ai nuk mund të bëhet pasqyrues i Zotit. Sa më shumë që ai merr hijeshinë e atributeve të Tij, aq më shumë sheh shfaqjen e tyre. Por, njeriu i përsosur do të jetë vetëm ai, i cili krijon brenda vetes të gjitha atributet që kanë lidhje me robin. Pas kësaj, ai lehtësisht mund ta arrijë Zotin, sepse do të ketë krijuar një kontakt me Të.
Pyetja që shtrohet tani është se si duhet të krijojmë atributet e Zotit brenda vetes? Një poet tha:
Thonë se druri sandal
është mirë për dhimbje koke.
Ama, ta thërrmosh e të lyesh kokën me të,
edhe kjo është dhimbje koke.