
Pas kësaj, dua të përmend mjete të tjera që mund të përdoren për të larguar mëkatet dhe ligësitë. Gjëja e parë që duhet të bëjë njeriu për të shpëtuar nga mëkatet është se ai duhet të rregullojë llogaritjet e mëparshme. Shumë njerëz që dëshirojnë ta njohin Zotin nuk e marrin parasysh këtë gjë, ndaj nuk arrijnë sukses. Ata përpiqen shumë që ta njohin Zotin, por për këtë ata përziejnë gjëra të mira me gjëra të kalbura, sikurse ai që dëshiron të përziejë qumësht të mirë me qumësht të tharbët. Edhe sikur të hedhësh disa litra qumësht në një sasi shumë të pakët qumështi të tharbët, i gjithë qumështi do të tharbëtohet.
Kështu që, gabimi më i madh që njerëzit zakonisht bëjnë është se kushtin e parë nuk e plotësojnë, edhe pse ky është më i rëndësishmi, sepse vetëm pas tij vijnë hapat e tjerë. Nëse llogaritja e parë në fletore është gabim, atëherë shtoji shifra sa të duash, totali përherë do të dalë gabim. Por, nëse llogaritja e parë është e saktë, atëherë edhe njehsimet e tjera dalin të sakta. Prandaj, ai që dëshiron ta njohë Zotin e ta fitojë afërsinë me Të, duhet t’i rregullojë njëherë e mirë llogaritjet e gabuara të mëparshme. Mënyra për t’i rregulluar ato është pendesa.