
Mos mendoni se mendimi është diçka e vogël. Të gjitha punët që bëhen në botë, janë rrjedhojë e mendimeve. Për shembull, kur dikush pranon besimin, së pari ai mendon për të pranuar Islamin. Në të njëjtën mënyrë, të gjitha punët që bën njeriu, lindin nga mendimi. Prandaj, mos thoni se mendimi nuk ka ndonjë vlerë. Mendimi është një realitet, një ndodhi dhe një vërtetim i fortë. Dikush mund të thotë se mendimi nuk bie në sy, andaj çfarë vlere mund të ketë ai? Ne themi se as fara që bëhet shkak i lindjes së një rrapi gjigant, nuk e mban pamjen e tij në gjendjen fillestare. Shikoni se si lind njeriu! A nuk lind ai si rezultat i epshit që përftohet në zemrën e njeriut në formën e mendimit?
Pra, kur edhe vetë njeriu lind falë ndikimit të mendimit, atëherë kush mund t’ia mohojë vlerën? Realisht, çdo punë që bën njeriu, e bën nëpërmjet mendimeve. Nëse thuhet se mendimi i vetëm nuk sjell rezultat, por ai bën punë kur i bashkohen edhe gjëra të tjera dhe për këtë arsye ai nuk ka vlerë, atëherë unë them se sipas kësaj logjike edhe ajo farë duhet të quhej e pavlerë që bëhet shkak i lulëzimit të një rrapi, siç ndodh edhe me pemët e tjera në natyrë. Prandaj, nëse dikush e quan mendimin si të pavlerë, edhe farën të tillë duhet ta quajë. Por, dihet që fara nuk mund të konsiderohet e pavlerë, andaj as mendimi nuk mund të jetë i tillë. Prandaj, mbajeni mend mirë që mendimi nuk është i pavlerë, por ai është materia e të gjitha punëve, të cilat më vonë sjellin rezultatet e tyre. Për këtë arsye Zoti i Madhërishëm thotë:
وَ اِنۡ تُبۡدُوۡا مَا فِیۡۤ اَنۡفُسِکُمۡ اَوۡ تُخۡفُوۡہُ یُحَاسِبۡکُمۡ بِہِ اللّٰہُ“Çdo mendim që ju vjen në zemër, e realizoni apo e mbani të fshehur, Allahu do t’ju kërkojë llogari për të”.[1]
Kjo nuk do të thotë se njeriu do të ndëshkohet edhe për mendimet e rastësishme që i vijnë, sepse Zoti i Madhërishëm dhe i Dërguari i Allahutsa pohojnë se njeriut nuk do t’i kërkohet llogari për diçka që ai nuk e kontrollon dot. Për shembull, nëse dikush gjatë rrugës shikon para dhe i shkon mendja për t’i marrë ato, atëherë vetëm për ardhjen e një mendimi të tillë, nuk do t’i kërkohet llogari. Po, me ardhjen e këtij mendimi, nëse ai fillon të bëjë plan se si dhe kur t’i marrë ato para, për këtë ai mund të kapet. Kur zbriti ajeti që është cituar më lart, sahabët shkuan tek i Dërguari i Allahutsa dhe u ankuan: “Do të shkatërrohemi, sepse neve na bien nganjëherë mendime të këqija në mënyrë të vetvetishme!” I Dërguari i Allahutsa tha:
“Nuk ka problem. Nëse njeriu nuk do të veprojë sipas mendimit të keq që i vjen, edhe kjo do të jetë mirësi për të”.[2]
Pra, ajeti i Kuranit që u citua flet për llogaridhënien e atyre mendimeve që rrënjosen në zemër dhe për të cilat njeriu fillon të bëjë edhe plane për t’i realizuar ato. Nëse dikujt i bie ndërmend të vjedhë, por ai menjëherë e largon këtë mendim, ai shënon një mirësi. Po ashtu, nëse dikujt i vjen në mendje për të vrarë dikë, ai do të meritojë ndëshkimin vetëm kur tregohet i vendosur në këtë mendim, por nëse e heq, edhe ai konsiderohet mirëbërës.
[1] Kurani Famëlartë 2:285.
[2] Buhariu, Kitabur-rikak, bab men hemma bi hasanatin eu sejiatin.