Lutja më e rëndësishme për çdo punë | Lutjet e Kuranit | Bismil-lah
Selamalejkum. Paqja qoftë me ju!
Bismil-lah-i-rrahman-i-rrahim. Duhet të keni dëgjuar këtë lutje. Ose të paktën “Bismil-lah”, pra pjesën e parë të saj. Shumë njerëz para se të bëjnë ndonjë punë thonë – E filloj me Bismil-lah. Në Shqipëri edhe gjatë komunizmit kur feja ka qenë e ndaluar, kjo ishte ndoshta një nga lutjet e pakta që mbeti në zemrat e shumë njerëzve. Bismil-lah fjalë për fjalë do të thotë “Me emrin e Allahut”. Pra, të fillosh ndonjë punë me emrin e Zotit është e bekuar. Duke qenë të vetëdijshëm se ne nuk kemi dijeni për të padukshmen, për atë që do të ndodhë në të ardhmen, përfundimin e punës që bëjmë, etj., është nevoja jonë që t’i mbështetemi Zotit.
Prandaj, Profeti Muhammed s.a.v.s. thotë:
“Çdo punë e rëndësishme që nuk fillon me Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim, është e pabekuar”.
Por, natyrisht, nuk mund të bësh një punë të palejueshme me emrin e Zotit dhe të presësh se ajo punë të jetë e bekuar për ty.
Profeti alejhiselam e thoshte shpesh këtë lutje. Dhe tha:
“Thuaj bismil-lah kur mbyll derën. Thuaj bismil-lah kur shuan llambën; kur i vë kapakun enës; kur i vë tapën shishes”.
Po kështu, këtë lutje mund ta bëni para se të hani bukë, para se të udhëtoni, para çdo pune, në rast se nuk dini lutje të veçanta që Profeti s.a.v.s. na ka mësuar për punë të ndryshme.
Le të flasim për disa detaje interesante të kësaj lutje.
Rëndësia e bismil-lahut nuk është vetëm tek shpresa dhe bekimi që sjell ajo, por përtej kësaj. Lutja e plotë është Bismil-lah-i-rrahman-i-rrahim. Kurse Bismil-lah është vetëm variant i shkurtër i saj. Me Bismil-lah-i-rrahman-i-rrahim fillon Kurani i Shenjtë. Madje në 114 sure ose kapituj të Kuranit, 113 fillojnë me Bismil-lah-i-rrahman-i-rrahim. Dhe njëra prej sureve, përveçse e ka në fillim, e ka edhe në mes. Kështu që, plot 114 herë kjo lutje përmendet në Kuranin e Shenjtë. Si të thuash kjo lutje është edhe çelësi i Kuranit.
Por çfarë do të thotë Bismil-lah-i-rrahman-i-rrahim?
Bismilahirrahmanirrahim do të thotë “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.” Ose “Në emër të Allahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit”. I ka të dyja kuptimet.
Ky ajet që vjen në krye të çdo sureje, tregon se Zoti nuk është thjesht një forcë sekrete, por është një Qenie që ka një emër të përveçëm dhe që ka edhe atribute të ndryshme.
Keni vënë re, se kjo lutje na prezanton Allahun, Zotin, me dy cilësi të Tij: Rrahman dhe Rrahim; me të Gjithëmëshirshmin dhe Mëshirëbërësin.
Pse përmendet dy herë mëshira e Zotit në Bismil-lah?
Rrahman ose i Gjithëmëshirshëm është ajo mëshirë që është gjithëpërfshirëse, të cilën njerëzit dhe krijesat e gëzojnë pa e kërkuar, pa bërë ndonjë vepër për ta merituar atë, ajo mëshirë që është edhe e nevojshme, por edhe falas. Për shembull, dielli, hëna, ajri, uji dhe shumë bekime e dhunti të tjera që nëse do të llogarisnim, do të shohim se janë me miliona, të pallogartishme, të gjitha këto i gëzojmë jo sepse kemi bërë ndonjë vepër të mirë ose i jemi lutur Zotit për këto gjëra, por sepse i Gjithëmëshirshmi e dinte se pa këto ne nuk jetonim dot. Andaj, është pikërisht i Gjithëmëshirshmi që na dërgon dritën e diellit që bota të ndriçohet, na lëshon shi që të ketë jetë, na sjell pranverën që të gjelbërojnë fushat dhe malet. Kjo është ajo mëshirë që përgatit ushqimin e fëmijës në gjirin e nënës, në kohën kur ai jo vetëm që nuk mund ta kërkojë dot atë, por as nuk mund ta dijë ekzistencën e tij. Pra, Rrahmani, është vetëm mëshirë, e cila bekon çdokënd dhe çdogjë, pa dallim nëse njeriu beson apo nuk beson në Zot. Tamam i Gjithëmëshirshëm.
Por bashkë me këtë, Zoti në këtë lutje na ka mësuar se Ai është edhe Rahim, që ne e përkthejmë Mëshirëbërës. Në fakt kjo mëshirë vjen pas një vepre që bëjmë ose pas një lutje që i shprehim Atij. Atributi Rahim është Ai që i mundëson sukses njeriut për përpjekjet e tij, që ai bën. Me një fjalë, Rahim është mëshira e Tij e veçantë, të cilën Ai ua jep njerëzve që i kërkojnë. Andaj, Zoti thotë në Kuran:
وَ کَانَ بِالۡمُؤۡمِنِیۡنَ رَحِیۡمًا
“Allahu është shumë Mëshirëbërës ndaj besimtarëve.”[1]
Pasi të krijojmë një ide qoftë të vogël të këtyre dy atributeve të Zotit, pra të këtyre dy mëshirave të Zotit, e kuptojmë edhe sekretin se përse kjo lutje vjen në krye të çdo kapitulli të Kuranit. Zoti i Madhërishëm përpara çdo sureje ka vendosur bismil-lahin, në mënyrë që për çdo kuptim që nxjerr lexuesi, ta analizojë atë nëse përputhet me atributet “i Gjithëmëshirshëm” dhe “Mëshirëbërës” apo jo. Nëse kuptimi që nxjerr lexuesi, përputhet me këto dy atribute, atëherë ai kuptim është i saktë. Në këtë mënyrë, bismil-lahi është përmbledhja dhe surja është shpjegimi i tij dhe të dyja bashkërisht, i japin lexuesit një vizion të qartë për kuptimet e tyre.
Dikush pyet, nëse thelbi i atributeve të Zotit është mëshira, pse vjen dënimi? Përgjigja e shkurtër është sepse mëshira e Zotit kërkon të shpëtojë pjesën e mirë të shoqërisë dhe për hir të saj, pret pjesën e infektuar. Siç ne që jemi shumë të mëshirshëm ndaj trupit tonë, por nganjëherë detyrohemi t’i japim kirurgut të drejtën për të vënë thikë në pjesën, e cila mund të na e infektojë gjithë trupin.
Profecia për këtë lutje gjendet edhe në Bibël
Ka edhe një arsye tjetër që tregon se përse Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim vjen para çdo sureje, dhe kjo lidhet me një profeci që përmendet në Bibël, pra që para se të zbritej Kurani. Bibla parashikon ardhjen e një profeti të ngjashëm me Moisiun a.s., dhe ndaj këtij Profeti Zoti do të kishte një sjellje të veçantë. Sipas Biblës, Zoti thotë:
“Unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia, dhe ai do t’u thotë atyre të gjitha ato që unë do t’i urdhëroj. Dhe do të ndodhë që, nëse dikush nuk i dëgjon fjalët e mia që ai thotë në emrin Tim, unë do t’i kërkoj llogari”.[2]
Sipas kësaj profecie, për të ngjashmin e Musait a.s., i cili është Profeti Muhammed s.a.v.s. ishte caktuar që sa herë që ai do të sillte fjalët e Allahut të Madhërishëm, do të pohonte shprehimisht “Unë këtë po jua them në emër të Zotit.
Pra, lutja bismilahirrahmanirrahim është një lutje madhështore, të cilën së pari duhet ta kuptojmë, ta ndiejmë në shpirtin tonë dhe përmes kësaj jo vetëm të bëjmë punët tona, por edhe ta studiojmë Kuranin e Shenjtë.
Nëse dëshironi ta studioni komentim më të thellë jo vetëm të kësaj lutje të bekuar, por edhe të sures El-Fatiha, ju sugjeroj ta lexoni këtë libër. Ky libër ju bën të mundur të lundroni në kuptime të thella plotë urtësi të Sures El-Fatiha.
Si e kuptoni ju lutjen bismilah, ju lutem shkruani në komente, ose mund të na shkruani në whatsapp në numrin që shikoni në ekran. Dhe unë, inshaAllah, do t’ju sjell një video tjetër me kuptime të Kuranit të Shenjtë. Faleminderit për vëmendjen.
[1] Kurani i Shenjtë 33:44.
[2] Ligji i Përtërirë 18:18-19. Bibla, Dhjata e Vjetër, përkthyes dhe botues: “Shoqata Shqiptare e Biblës (The Albanian Bible Society)”, Tiranë, korrik 1995, fq. 202.