
(Komentimi i Kuranit)
Muslimanët duhet të kenë parasysh se edhe nëse në dijen e Zotit fundi i një njeriu të jetë mohimi, prapëseprapë praktika e hershme e Allahut është që Ai ia largon ndëshkimin kur njeriu përgjërohet dhe i frikësohet Atij. Për këtë arsye, muslimanët ehli-sunet besojnë se Zoti i lejon Vetes të ndryshojë Vullnetin e Tij, edhe kur të ketë paralajmëruar dikë se do ta ndëshkojë atë, por nuk i lejon Vetes të ndryshojë parashikimin që t’i ketë bërë dikujt për ndonjë gëzim. Siç ndodhi me popullin e Junusit, ndaj të cilëve Zoti së pari tregoi një datë të prerë për ndëshkimin, e më pas Vetë ua largoi atë për shkak të përuljes dhe të përgjërimit të tyre.
… Nuk është në dëshirën Personale të Zotit të ndëshkojë dikë. Zoti ka katër atribute [katër emra], të cilat janë burimi i të gjitha atributeve të Tij të tjera, dhe të katërtat përbëhen nga mëshira e bujaria. Këto katër atribute përmenden në tri ajetet e para të sures El-Fatiha, e që janë:
- Rabbil-‘ālemīn: Zoti i botëve
- Er-rahman: i Gjithëmëshirshëm
- Er-rahim: Mëshirëbërës
- Māliki jeumiddīn: Sundues i ditë së shpërblimit
Me secilin prej këtyre katër atributeve, Zoti i Madhërishëm synoi vetëm e vetëm mirësinë për njerëzit. Pra, Ai synoi të krijojë e të rrisë, gjë që mbulon atributi [Emri] Rabbil ‘Alemini.
Ai synoi t’u japë krijesave të gjitha mjetet e rehatisë, pa pasur ndonjë kërkesë nga ana e tyre, dhe këtë e mbulon atributi i Tij Rahman.
Ai synoi t’i mundësojë njeriut mjetet që e mbrojnë nga brenga dhe fatkeqësia, për shkak të takvasë së njeriut dhe për shkak të besimit dhe të kërkimit të tij drejt Zotit. Këtë e mbulon atributi i Tij Rahim.
Dhe Ai synoi t’i japë njeriut pozitën që është pozita e lumturisë dhe e rehatisë së përjetshme, kur njeriu e adhuron, agjëron, falet dhe tregohet i dhembshur ndaj njerëzve duke bërë sakrifica dhe duke i ndihmuar ata. Kjo pozitë quhet Shpërblimi i mirësisë dhe vjen nga Sunduesi i ditës së shpërblimit.
Andaj, Zoti nuk deshi keq aspak në asnjërin prej këtyre katër atributeve, përkundrazi vendosi t’i bëjë vetëm të mirë njeriut. Por ai që e largon veten nga hija e mëshirshme e këtyre atributeve, duke bërë ligësi dhe shkelje dhe duke ndryshuar natyrën e vet, po këto atribute të Zotit aktivizohen jo për të mirën e njeriut, por në dëm të tij, e kjo vetëm si pasojë e vetë veprave të njeriut.
Kështu, Rabil ‘Alemini në vend të krijimit dhe të rritjes, synon vdekjen e asgjësimin. Rahmani shfaqet në formë zemërimi dhe ashpërsie. Rahimi vepron si hakmarrës dhe i vrazhdë. Shpërblimi i mirësisë manifestohet në formën e tmerrshme të ndëshkimit.
Pra, ky ndryshim në atributet e Zotit vjen për shkak të ndryshimit që krijon njeriu në veten e tij. Dhe ngaqë ndëshkimi ose paralajmërimi i ndëshkimit nuk është në këto katër atribute të Zotit të Madhërishëm që janë atribute themelore të Tij, dhe ngaqë Ai ka dashur vetëm të mirën e njeriut, edhe paralajmërimi i Tij për ndonjë ndëshkim nuk është i prerë, për sa kohë që njeriu është i gjallë dhe ka fuqi ta ndryshojë veten.
(“Ruhani Khazain”, vëll. 11, “Enxham-e-At’hem”,Rabwah, Pakistan, f. 7 – 10, 2008)