Si të ruhemi nga Coronavirusi? Këshilla nga Kalifi i Xhematit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Si të ruhemi nga Coronavirusi? Këshilla nga Hazret Kalifi i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia

coronavirus koronavirus

Në hutben e tij të së premtes të datës 6 mars 2020, Hazret Kalifi i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia (Huzuri), Allahu e ndihmoftë fuqimisht, foli për Coronavirus dhe dha disa udhëzime.

Huzuri tha se gjithsecili prej nesh duhet të zbatojë udhëzimet që japin autoritetet shtetërore e shëndetësore për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.

Huzuri gjithashtu këshilloi të marrim kurën homeopatie si në rastin e parandalimit, ashtu edhe në rastin e trajtimit të virusit. “Mund të mos jetë kura ekzakte”, tha Huzuri, “pasi shumë pak dihet ende për virusin në fjalë, megjithatë, ky është një trajtim i afërt homeopatie për simptomat që paraqet ai. Zoti lëntë shërim në këtë kurë!”

Huzuri tha t’u shmangemi grumbullimeve masive njerëzish gjatë këtyre ditëve. Në vijim, ai tha se ka disa rregulla për të ardhur edhe në xhami, të cilat duhen zbatuar. Nëse dikush ndien shqetësime të ngjashme, pra temperaturë, këputje trupi etj., nuk duhet të vijë në xhami.

Shpesh njerëzit ankohen për ata të cilët teshtijnë pa mbuluar gojën e hundën me ndonjë letër a facoletë. Të tillë duhet të dinë se ata kanë obligime ndaj atyre që falin namaz përreth.

Mjekët vazhdimisht këshillojnë të lajmë duart dhe fytyrën herë pas here ose të përdorim dezinfektues.

Huzuri tha se njerëzit nga paniku kanë zbrazur marketet duke i lënë në mungesë dezinfektuesit dhe produktet e tjera të higjienës. Megjithatë, për një musliman që falet 5 herë në ditë dhe merr abdes siç duhet, që përfshin larjen e duarve, pastrimin e hundës e të fytyrës etj., kjo jo vetëm që është një mjet i pastrimit të trupit, por namazi që falet më pas, i bëhet mjet edhe për pastrimin e shpirtit.

Prandaj, Huzuri theksoi, gjatë këtyre ditëve të përqendrohemi edhe në lutje.

Duke renditur etika të ndryshme të qëndrimit në xhami, Huzuri tha se të ndërroni çorapet çdo ditë. Madje, nuk duhet të vini në xhami me asgjë të tillë që mban erë, në mënyrë që të mos shqetësohen namazfalësit e tjerë. Kjo është porosia e vetë Profetit Muhammed s.a.v.s.. Prandaj, çdokush prej nesh duhet të kujdeset si për higjienën personale, ashtu edhe për pastërtinë e xhamisë.

Huzur tha se kjo nuk do të thotë se dikush të heqë dorë tërërisht nga ardhja në xhami. Madje, secili të shohë gjendjen e vet shëndetësore dhe të marrë masat e nevojshme.

Si një prej masave parandaluese, Huzur tha se gjatë këtyre ditëve, le të shmangin dhënien e dorës gjatë përshëndetjes. Në vijim Huzuri përmendi Kancelaren Gjermane, [Znj. Angela Merkel], së cilës një ministër i saj i refuzoi t’i jepte dorë. Po kështu, Huzuri përmendi një deputet të Britanisë së Madhe, i cili tha të njëjtën gjë, duke shtuar se dhënia e dorës dhe përqafimi nuk janë as në traditën e tyre dhe se anglezët më përpara thjesht ngrinin dorën ose hiqnin kapelën. Deputeti në fjalë gjithashtu tha se duke takuar gratë sot njerëzit u japin dorë, madje edhe i përqafojnë, pa e ditur se ato e mirëpresin këtë gjest apo jo.

Për sa i përket mosdhënies së dorës dhe mospërqafimit të njerëzve mes gjinive të kundërta gjatë përshëndetjes,

Huzuri tha se pavarësisht se ne u thoshim me shumë butësi, por këta njerëz nuk ishin të gatshëm ta zbatojnë porosinë e Zotit të Madhërishëm që thotë se meshkujt nuk duhet t’u japin dorë femrave e nuk duhet t’i përqafojmë dhe anasjelltas, por frika nga Coronavirusi po i detyron ta zbatojnë këtë gjë. Huzuri u lut për ta që Zoti i Madhërishëm t’i udhëzojë edhe drejt besimit.

Huzuri gjithashtu tha se vetëm Zoti e di më mirë se deri në çfarë përmasash do të përhapet kjo epidemi dhe, nëse kjo është një shenjë ndëshkuese prej Zotit, njësoj siç bota ka dëshmuar plot shenja të tilla pas ardhjes së Hazret Mesihut të Premtuar a.s., atëherë ne duhet t’u kushtojmë vëmendje të madhe lutjeve dhe pasurimit tonë shpirtëror. Në fund, Huzuri bëri lutje që Zoti i Madhërishëm t’i mundësojë të gjithë që të arrijnë ta njohin Krijuesin e Vërtetë!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp